• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2025

PLUMBAT E VASIL LAÇIT QË TRONDITËN FASHIZMIN

May 19, 2025 by s p

(Në kuadrin e 84 vjetorit të atentatit që Vasil Laçi kreu ndaj Viktor Emanuel-it III më 17 maj 1941, që ishte sinjal kushtrimi të luftës antifashizmit italian në Shqipëri)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Plumba mbi fashizmin fillimi i kryengritjes mbarëpopullore.

Pala shqiptare dhe italiane synuan ta minimizonin ngjarjen e 17 majit të vitit 1941. Po nuk mundën. Kjo ngjarje as u shua as u harrua, pasi pushtimit të 7 prillit 1939 i kishte ardhur “ora e kundërpërgjigjes” mbarëpopullore. As vizita njëjavore e Viktor Emanuelit nuk rrezultoi sukses në “rrugëtimin miqësor”. Pushtimi ishte ngjarja që kërkonte shpagim, pasi italianët kishin “harruar”, vitin 1920, kur 89 çeta luftëtarësh shqiptarë, hodhën në det një perandori 40 miljonëshe. Fashizmi erdhi në botë si një formë e ultranacionalizmit autoritar radikal të krahut të djathtë, i karakterizuar nga pushteti diktatorial,

Fashistët ufrymëzuan nga burime të lashta si spartanët, duke u nisur nga pastërtia racore dhe elitarizmi. Fashizmi e gjente frymëzimin dhe tek vijueshmëria ideologjike e Romës, veçanërisht Perandorisë Romake. Edhe këndvështrimi i Hegelit mbi autoritetin absolut të shtetit ndikoi në një farë mënyre dhe në të menduarit fashist. Nga ana tjetër “revolucioni francez” pati ndikim që i bënte fashistët, që të luftonin idetë e liberalizmit, demokracisë liberale e barazinë racore. Kultura aristokrate “e lartë dhe fisnike” ariane në krahasim me një kulturë semite “parazitare” ishte thelbi i pikëpamjeve racore të nazizmit. Të gjitha këto koncepte gjetën strehë dhe mbështetje tek Hitleri, Duçja dhe Perandoi japonez, që më 7.7.1937 kishte pushtuar Kinën dhe synonte të shtrinte pushtimet në Azinë lindore e jugore. Boshti fashist Berlin – Romë – Tokio i arritur në vitin 1936, synonte ta vendoste nën thundër mbarë planetin. 

Fuqitë e Boshtit, të njohura si “Boshti Roma-Berlin-Tokio”, u njohën me një nofkë që i përkonte një emri italian “Roberto”. Gjithçka u motivua nga inicialet e: “RO-ma”, “BER-lin” dhe” TO-kio”. Hapi i parë ishte traktati i nënshkruar nga Gjermania dhe Italia në tetor 1936. Benito Mussolini deklaroi më 1 nëntor 1936, se të gjitha vendet e tjera evropiane nga ajo kohë do të rrotulloheshin në boshtin Romë-Berlin, duke krijuar kështu termin “Boshti”. Më 2 nëntor 1936, diktatori italian Benitto Musolini shpall Boshtin Romë, Berlin, duke krijuar aleancën e Fuqive të Boshtit. Termi “bosht” besohet të jetë përdorur fillimisht nga kryeministri fashist i Hungarisë, Gyula Gombos, i cili përkrahte idenë e një aleance Gjermani – Hungari – Itali. Ai veproi edhe si ndërmjetës mes Gjermanisë dhe Italisë për të arritur një aleancë të tillë. Por Gombos vdiq papritur në vitin 1936, dhe ardhja e Kalman Daranyit, pasardhës jo-fashist në postin e kryeministrit, i dha fund përpjekjeve të Budapestit për krijimin e një boshti 3-palësh. Hapi i dytë pothuajse i njëkohshëm ishte nënshkrimi i nëntorit 1936 i Paktit Anti-Comintern, një traktat antikomunist midis Gjermanisë dhe Japonisë. Italia u bashkua me Paktin në vitin 1937. Boshti Romë – Berlini u bë një aleancë ushtarake në vitin 1939 nën të ashtuquajturën “Pakti i Çelikut”, me Paktin Trepalësh të vitit 1940 që çoi në integrimin e qëllimeve ushtarake të Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë. Fillimi i LIIB dhe vazhdimi i saj për 5 vite rresht shkaktoi tragjedinë më të madhe të shumë kohërave që nga fillimi i njerëzimit, luftë që përfshiu mbi 100 milionë njerëz me mbi 30 shtete, ku u vranë miliona njerëz (70-85 milionë njerëz, shumica nga BS), përfshi nga gjenocidi, masakrat, Holokausti, bombardimet strategjike, uria, Përdorimi i armëve bërthamore etj.

Shqipëria ishte preha e parë e fashizmit italian, por 1939-1941 zjarri i përballjes me fashizmin sa vinte e rritej. Gjeneral Alfredo Guzzoni erdhi në portet shqiptare me 22 mijë burra nën uniformë atë ditë të zezë prilli. Po me kaq burra edhe ishte larguar i turpëruar një tjetër gjeneral italian Settimo Piacentini më 3 shtatorin e viti 1920. Ndërkohë që këtë radhë vinin si fashistë me “ideale të ish Romës perandorake”!. Nuk e dinin se shqiptarët dinë të zgjohen në momentin e duhur edhe kur nuk kanë shtet edhe kur i tradhtoi kryetari i shtetit. Një pikë kulmore ishte padyshim 17 maji 1941, kur plumbat u derdhën mbi kokën e perandorit dhe jo vetëm edhe mbi shoqëruesin e parë kryebashkëpuntorin dhe “kryeministrin” Shefqet Vërlaci. Djaloshi 19-vjeçar Vasil Laçi qëlloi makinën, e cila transportonte Viktor Emanueli III-të, ai edhe Mbret i pagëzuar i Shqipërisë, pas dorëzimit të Kurorës së Skënderbeut më 12 prill të 1939. Ngjarja e ndodhur ditën e shtatë të vizitës në Shqipëri dhe që po largohej në drejtim të aeroportit të Laprakës, në rrugën e Durrësit ishte vetë zjarri i rinisë antifashiste që kishte në gji dhe sinjali i fuqishëm i fillimit të një lufte mbarëpopullore, që u dha hapur dhe në mënyrë demonstrative nga tyta e revolverit të djaloshit antifashist të vendosur nga fshati Piqeras i bregdetit joninan pranë Sarandës.

*

Kush ishte Vasil Laçi, hero dhe dëshmor i lirisë së shqiptarëve?

Vasil Laçi, ishte lindur më 19 shtatorin e  vitit 1920 në fshatin Piqeras të Bregdetit pranë Sarandës, në një familje me rrënjë atdhetare e patriotike një fshat me dymbëdhjetë yje të pashuar, dëshmorë të Atdheut të rënë gjatë LANÇ-it. Piqerasi ka dy heronj të popullit Vasil Laçi dhe Mitro Xhani. Vasil Laçi arsimimin fillor e kreu në vendlindjen e vet, ndërkohë që kishte dëshirë për të vazhduar shkollën e lartë që nuk mund të përmbushej për pamundësi financiare. Gjendja ekonomike e familjes Laçi, e detyroi Vasil Laçin të fillonte punë si punëtor krahu në portin e Sarandës, e cila për moshën e vogël të djaloshit, 14 vjeçar, ishte e rëndë, por me një shpërblim të vogël qesharak. Por për adoleshentin piqerasiot ishte hapi i parë në jetë, duke u përballur me jetën e vështirësitë e panumërta. Punën e krahut Vasili e vazhdoi për vite me radhë nga Saranda në portin e Durrësit e më tej edhe në Tiranë, duke u përballur me gjithëfarë punësh. Në portin e Durrësit ai punoi si hamall bashkë edhe me Mitro Xhanin, fshatarin e tij, i cili e ndihmoi për të shkuar në Tiranë me shpresë për të gjetur ndonjë punë, por edhe për të mundësuar lidhjen e tij me njësitet antifashiste. Në Tiranë Vasili Laçi punoi në Hotel “Berati”, duke mbajtur lidhje me farefisin, me Kol Laçin, kushëriri i tij, anëtar i Grupit Komunist të Korçës, por dhe me shumë shokë e miq të tjerë nga e gjithë Shqipëria. Vasil Laçi hotelin e kishte kthyer në një strehë për të ndjekurit nga fashizmi, për punëtorë të papunë, ushtarë të dezertuar nga lufta italo-greke e viteve 1940-1941 dhe të gjithë ata që realisht e urrenin fashizmin. Ai fliste dhe argumentonte me guxim për pakënaqësitë që kishte shkaktuar fashizmi italian për mohimin e lirive, grabitjen e pasurive, rritjen e varfërisë ekonomike, por edhe për shtypësit e shfrytëzuesit vendas. Në Hotel Berati, Vasil Laçi u lidh me Vasil Shanton, shok dhe mik i ngushtë i Qemal Stafës. Vasili në aktivitetin revolucionar, bërjen e atentatit më 17 maj 1941 kundër Viktor Emanuelit III, u lidh me Stilo Mekshin nga Shënvasili i Sarandës. Stillua i bleu Vasilit revolverin “Beret” me 5 fishekë, 50 franga ari me paratë e veta tek një ushtar italian i quajtur Umberto. Vasili gjatë përgatitjes së atentatit e ruante të fshehtë revolen para aksionit. Atë e kishte fshehur në dyshemenë e dhomës, e vajiste, e pastronte në vijimësi, shpjegonte bashkëpunëtori i tij i ngushtë Stillo Mekshi. Vasili i thoshte Stillos: “Beretin e duam që të ruajmë kokën dhe për neve do të vijë një ditë e mirë që plumbat ti derdhim mbi fashizmin”. Stillua tregonte: “U dëgjua një autoparlant me thirrjen që nesër vjen mbreti në Tiranë. Dil e bëj sehir ti, tha Vasili, sepse unë do të dal ta përcjell kur të largohet. Dhe vërtet e përcolli me 5 plumba”. Ditën e ballafaqimit në gjyq, Vasili u shpreh: “Mos merrni njeri në qafë! Unë e kreva vetë atentatin, pa u ndikuar nga askush tjetër.” Vasil Laçi u gjykua nga gjykata ushtarake e shtetit fashist italian. Trupi gjykues drejtohej nga gjeneral Feruci, prokuror i akuzës ishte gjeneral-major Umberto Meragini. Ky gjyq u bë me dekret të posaçëm mbretëror. Vendimi ishte i formës së prerë, nuk u lejua të bëhej apel. Më 26 maj 1941, Vasil Laçi u dënua me vdekje, varje në litar. Ai u ekzekutua në 27 maj 1941, ora 5.40 në burgun e Tiranës. Pyetjes së trupit gjykues për dëshirën e tij të fundit, Vasili iu përgjigj: “Dua një krëhër për të krehur flokët!”. Gjatë ekzekutimit me varje Vasili nuk pranoi t’i largonin arkën e sigurisë së ekzekutuesit, por e shtyu vetë me këmbë. Nga të dhënat dokumentare, “Dënimi me vdekje u ekzekutua me varje në litar dhe sipas konstatimit të mjekut, atij i doli shpirti 19 minuta pas varjes”. Më 17 maj 1941, kur mbreti italian po largohej nga vizita njëjavore në Shqipëri, Vasili qëlloi mbi të me 5 plumba, por nuk e vrau dot, por nuk u vra vetëm fizikisht, por moralisht u diskreditua dhe e mori mesazhin e antifashizmit nga shqiptarët. Atentati i Vasil Laçit mbi Perandorin e Italisë fashiste ishte një urrejtje kulmore për pushtuesit fashistë, ishte akt frymëzimi për brezat, pasi pesë plumbat mbi mbretin fashist ishin thirrje për kryengritje të armatosur si i vetmi mjet i fitores së lirisë dhe të drejtave kombëtare. Ishin akt trimërie, vetëmohimi për interesat e përgjithshme që Vasil Laçi i dinte mirë pasojat, por ishte i ndërgjegjshëm për misionin e lartë që kreu mbi pushtuest fashistë. Krismat e revolverit gjëmuan në Tiranë, por u dëgjuan në të gjithë Shqipërinë. Jehona e tyre u përhap në të si rrufe, pasi ato ishin krisma simbol trimërie, burrërie, vendosmërie për t’i dalë zot Atdheut në kohët më të rrezikshme. Trimëria e Vasil Laçit nuk u shkreh vetëm në atentatin mbi mbretin, por edhe me qëndrimin e tij plotësisht të heshtur që mbajti gjatë hetimit. Ai nuk kallzoi asnjë njeri dhe e pranoi se e kishte kryer vetë atentatin nga urrejtja për pushtuesit fashistë. Torturat e shumta nuk mundën, nuk e thyen, nuk e ligështuan, ai nuk kërtkoi falje as përpara njeriut të Zotit, nuk u përkul për aktin e kryer, për aktin madhor që ishte në nderin e Atdheut, në funksion të lirisë së Shqipërisë.

Për aktin që ka kryer Kuvendi Popullor e ka dekoruar Vasil Laçin me titullin më të lartë “Hero i Popullit”, është dëshmor i Atdheut si dhe ka merituar vlerësimin nga Presidenti i Shqipërisë  për Vasil Laçi (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin e poshtëshënuar: “Atdhetarit antifashist që me aktin e tij heroik dhe vetëflijues i tregoi të gjithë shqiptarëve e veçanërisht rinisë se rruga drejt lirisë dhe çlirimit të atdheut kalonte vetëm përmes fuqizimit të rezistencës së paepur ndaj pushtuesve dhe gatishmërisë edhe për sakrificën më sublime. Atentati i tij kundër uzurpatorit të fronit të Shqipërisë ishte demonstrimi më kuptimplotë patriotik dhe atdhetar kundër pushtimit fashist dhe dhunimit të sovranitetit shtetëror dhe kombëtar”. (me nr. Dekreti: 11407, datë 31.12.2019). Ndërkohë që në shtypin shqiptar ka me dhjetra artikuj që përjetësojnë heroizmin, si dhe akti i tij heroik dhe i pa zëvendësueshëm, është përjetësuar edhe në filmin “Plumba Perandorit”, në vitin 1980, nga Konostudioja “Shqipëria e Re”. Plumbat e Vasil Laçit që derdhi mbi Perandorin, ishin plumbat e urrejtjes shqiptare ndaj fashizmit 84 vite më parë. Në këto më shumë se tetë dekada Shqipëria dhe popujt e botës përjetuan eksperienca nga më të hidhurat pasi ekstremizmi politik botëror ka kaluar shpesh në çmendurira me udhëheqës anormalë që fusin popujt në luftë dhe luftën e kanë obsion kokat e nxehta të politikës botërore. Ky mësim i hidhur i historisë shpresohet të mos përsëritet, duke kujtuar të rënët dhe të parandalohet çdo tragjedi, urrejtje dhe konfliktet në të çojnë në të ardhme të pasigurtë. Nderimi i heronjve, dëshmorëve është nderim dhe respekt për historinë, nderim i vlerave antifashiste, që forcat e errëta të mos duken as në asnjë horizont apo projeksion të zhvillimit të popujve.

-&-

Filed Under: Analiza

Vota dhe kandidatët për deputetë të Diasporës

May 19, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

E drejta e votimit të Diasporës dhe marrja pjesë në proceset zgjedhore ishte një hap civilizimi për Kushtetutën e Shqipërisë, ndonëse duhet të ishte bërë shumë më parë, edhe pse ka pasur përpjekje të vazhdueshme, por siç thotë mençuria popullore më mirë vonë se kurrë.

Pjesëmarrja e Diasporës në votime të Parlamentit të ri ishte jo e kënaqshme, pasi dihet që vetëm në Amerike jetojne më shumë se një milion shqiptarë, kur nga gjithë Diaspora në botë morën pjesë shumë pak.  Sipas Top Channel vetëm 197 mijë votues dërguan për herë të parë zarfet e tyre me postë. Nga votat e shqiptarëve jashtë vendit Partia Socialiste siguroi 122.070 vota, kurse PD doli forcë e dytë me vetëm 47.018 vota.

Në bisedat që kam pasur me shumë bashkatdhetarë shqetësimi kryesor ka qenë se votimi i tyre nuk do të ndikonte në politikbërjen shqiptare për shkak të listave të mbyllura super të sigurta për të shkuar në Parlament.  Listat e mbyllura s’jane gjë tjetër vetëm favorizime dhe dëshmi e qartë e ngritjes si një institucion ligjor, që zor se ndryshohet për dekada me radhë.

Diaspora duhet të përfaqësohet denjësisht në Parlament, sepse shumica e shqiptarëve jetojnë jashtë trojeve të saj.  Diaspora duhet të ketë deputetët e saj jo të zgjedhur dhe të vendosur nga partitë në Shqipëri që më së shumti zgjedhin militantët e tyre, natyrisht ka dhe përjashtime, por kandidatët t’i votojë vetë Diaspora.  Në këtë rast po flas për Diasporën shqiptaro amerikane, meqënse po më shkon më shumë balanca të jetoj në Amerikë dhe të jem një pjesë e rëndësishme aktive e saj dhe ta njoh mirë.  

Diaspora Shqiptaro Amerikane është pjesa më vitale e Kombit dhe ka një potencial të fuqishëm intelektual të integruar plot kulturë në Amerikë dhe që punojnë fort për rrënjët e tyre shqiptare.  E duke qenë kaq e lidhur me Kombin e ka treguar me punë dhe lidhje të jashtëzakonshme në instancat më të larta të mbështetjes së politikës amerikane për ecjen në udhën e duhur të Shqipërisë.  Por në këtë shkrim më intereson më shumë të ngre problemin që Diaspora duhet të organizohet në forume të ndryshme në lidhje me zgjedhjen e deputetëve nga Diaspora në Parlamentin shqiptar.  Zgjedhja e kandidatëve për deputetë duhet të bëhet nga vetë anëtarët e Diasporës, pasi ata i njohin më mirë, për kontributin, punën e palodhur dhe sukseset e tyre në fusha të ndryshme.  Vota e tyre është pronë e Diasporës për t’u përfaqësuar denjësisht në Kuvendin e Shqipërisë.   Kur zgjidhen kandidatët deputetë nga Diaspora në bazë të përqindjes së numrit të votuesve dhe ligjit kushtetues në Shqipëri, Parlamenti bëhet më i konsoliduar institucionalisht dhe ndikimi është më i madh për integrimin dhe emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.  Kandidati për deputet nga Diaspora duhet të ketë ekipin e tij po nga Diaspora me plan dhe program të caktuar për ta mbrojtur dhe ekspozuar në publik tek votuesit, pasi votuesit në Shqipëri nuk kanë si ta besojnë nëse prezantohet vetëm nga Partia, kryetari i saj në Shqiperi në të cilën ai ose ajo merr pjesë.        

Kur flitet për perfaqësim të Diasporës medoemos dhe ligjërisht duhet të jetë përzgjedhur nga vota e Diasporës dhe jo të perzgjedhur nga shteti i cili është votuar nga gjysma e shqiptarëve brenda Shqipërisë dhe jo nga Diaspora deri tani. Kur perzgjidhesh nga shteti do te hedhësh vallen sipas avazit të shtetarëve, je palë me të dhe s’ngre asnjë problem nëse gabon apo abuzon. 

Për më tepër nuk bëhen fare zgjedhje, por qëndron përjetësisht në atë fron. Gjithmonë kam shkruajtur që të jetë e caktuar me kushtetutë që presidentë, kryeministra, kryeparlamentarë etj… duhet të jenë vetëm njëherë të zgjedhur, jo dy herë, sepse “shqipot” kanë dhënë prova kokëfortë abuzimi duke vënë pasuri marramendëse në llogari të xhepave të tyre dhe kanë vërtetuar katërcipërisht se nuk janë si Rilindasi i madh Abdyl Frashëri që i këndohet kënga përjetësisht:

 Abdyl shite pasurinë, një barrë flori,

Hype vaporit dhe shkove, vajte në Berlin,

Me Bismarkun u takove, për Shqipëri.

Dhe Bimarku se ç’të pyeti, djalë kush je ti?

“Unë jam nga Shqipëria; Abdyl Frashëri!

I rritur në ato male me libra në gji,

Ju lutem, shikoni mirë dhe për Shqipëri

Mos e bëni copa copa, sikur s’ka njeri…”

Askush s’ka të drejtë të flas në emër të Diasporës, kur nuk i ka zgjedhur njeri nga Diaspora dhe nuk është kërkuar asnjë mendim, asnjë votë.  Të flasësh në emër të Diasporës në këtë mënyrë është jo normale dhe shpesh befasuese, sepse të jetosh në këtë vend demokratik, të njohësh ligjet e saj si funksionon përfaqësimi doemos ndjen keqardhje dhe dhimbje në kësi veprimesh. Sidoqoftë kjo është një temë tjetër shumë e mprehtë që duhet trajtuar me kulturë dhe profesionalizëm. 

Do të ishte ideale, por aspak e pamundur që deputetët e Diasporës shqiptare në të gjithë botën të zgjedhur në Parlament të kenë grupin parlamentar të Diasporës.  Diaspora luan një rol të rëndësishëm sidomos ne aspektin ekonomik, është fuqi pasi miliona dollar dërgohen në shtetin amë si në investime dhe në ndihma të familjarëve të tyre duke ulur ndjeshëm varfërinë në një pjese të popullsisë.  E për këto arsye më lart kandidatët për deputetë të Diasporës duhet të zgjidhen nga vetë Diaspora pasi aty jetojnë, punojnë, kontribuojnë dhe ajo i njeh më mirë se askush tjetër.  Le të shpresojmë në votimet e ardhshme!   

19 Maj, 2025

New York  

Filed Under: Analiza

Përse t’u japësh njerëzve shpresë të rreme të bën të fuqishëm?

May 19, 2025 by s p

Artan Nati/

Një nga armët më të fuqishme në histori nuk është një shpatë, një armë apo edhe paraja, por shpresa dhe jo çdo shpresë. Shpresa e rreme, ajo lloj shprese që të pëshpërit se vuajtja jote

ka një qëllim, që nesër gjithçka do të ndryshojë, që dikush diku ka një plan për ty. Tingëllon e njohur dhe duhet të jetë e tilë, të paktën për historinë e zgjedhjeve të 35 viteve demo(n)kraci në Shqipëri. Nga perandorët te diktatorët, profetët dhe politikanët, manipulimi i shpresës është përdorur jo vetëm për të frymëzuar, por edhe për të dominuar.

Një sundimtar, thotë Makiaveli, duhet të mësojë të gënjejë në mënyrë bindëse, të mbajë një maskë që fsheh qëllimet e tij të vërteta dhe të bëjë premtime që ai kurrë nuk planifikon t’i mbajë. Përse besimi në një të ardhme më të mirë, edhe nëse është e sajuar, i mban masat pasive në të tashmen? Shpresa funksionon si një ilaç për të qetësuar masat, si karburant për të mbajtur njerëzit në lëvizje dhe si një zinxhir për t’i mbajtur ata në vend. Ajo qetëson dhe nënshtron. Dhe ajo që e bën Makiaveli-n vërtet të rrezikshëm është se ai nuk e quan këtë imorale. Ai e quan të domosdoshme. E vërteta që ai sugjeron është një luks i të fuqishmëve. Të gjithë të tjerët kanë nevojë vetëm për një histori që i mban të palëvizshëm. Njerëzit nuk kanë nevojë për të vërtetën. Ata kanë nevojë për stabilitet ose të paktën për iluzionin e saj. Ata kanë nevojë për diçka për të besuar, për diçka për t’u kapur kur realiteti bëhet i padurueshëm. Dhe më shpesh sesa jo, kjo diçka është një ëndërr që nuk është menduar kurrë të bëhet realitet, por është mjaftueshëm e besueshme për të vonuar rebelimin. Ky është gjenialiteti mizor i saj. Shpresa e rreme nuk e rregullon padrejtësinë. Ajo e qetëson atë. I bind të varfrit, të shtypurit, të harruarit, se ata që shpresojnë do të shpërblehen, se sistemi po përkulet drejt drejtësisë, se drita është shumë afër. Por drita vazhdon të jetë afër, por gjithmonë afër dhe kurrë aty. E megjithatë njerëzit vazhdojnë të ecin, sepse ëndrra, sado e largët, ndihet më e sigurt se boshllëku i dëshpërimit.

E gjithë kjo duket shumë dëshpëruese, sidomos në këto momente që ne sapo kemi mbaruar votimet. Gjithsecili prej nesh mendon se ka votuar atë që beson dhe shpreson. Pikërisht kjo shpresë është problemi dhe kjo varet se kush na e ka shitur më mirë shpresën për të ardhmen dhe ushqyer ëndërrën tonë për të ardhmen. Dhe shpresa apo gënjeshtra e ofruar nga Rama tingëlloi si muzikë në veshët e zgjedhësve. Kjjo fushatë dhe shpresë e paraqitur nga Rama në thelb është një moral i ndërtuar për të përfituar të fortët,oligarkët dhe shërbëtorët e regjimit, duke paralizuar të dobëtit dhe kundështarët. Rama apo PS-ja nuk ka asgjë në dorë për anëtarëimin në BE të vendit. Ne jemi vendi i fundit për plotësimin e standarteve, ne kemi qeverinë më të korruptuar në rajon dhe ekonominë në duart e oligarkëve dhe krimit. Si ka mundësi atëhere që shqiptarët votuan PS-në? Përse PD-ja humbi kaq thellë dhe alternativat e reja ishin në nivel mbijetese? Në fakt PD-ja kishte programin më të mirë, por njerëzit duan shpresë dhe vizion. Vizioni dhe shpresa duhet të paraqiten nga njerëz që perceptohen si shpresëdhënës e vizionar. Pikërisht PD-ja nuk arriti të kuptojë këto mësime të vjetra sa edhe demokracia. Alternativat e reja më shumë sabotuan vetveten se sa u dëmtuan nga partitë e mëdha. Vizioni i tyre i paqartë dhe i zbehtë u shuajt nga propaganda dhe artikulimi i qartë i makinerisë së Ramës. Ndoshta i vetmi vizion i saktë por gjithsesi i shprehur jo qartë ishte ai i Agron Shehaj. Ai u shpreh për një alternativë tipike të djathtë, për një qeveri të vogël efektive pro biznesit dhe lirinë e individit.Ndoshta për herë të parë dhe të vetme dëgjuam në këtë fushatë për dallimin thelbësor të forcave të djathta dhe atyre të majta. Ne kemi nevojë për përplasje vizionesh dhe filozofish dhe jo premtime të pabazuara. Në mbarim të kësaj maratone zgjedhjesh PS-ja por edhe PD-ja duket qartë se mund t’i thonë shqiptarëve se kjo ishte loja. Tani është momenti që të shpresojmë për premtime dhe shpërblime që nuk do t’i shohim por gjithsesi shpresa jeton dhe vdes e fundit. Mos u ngrit. Mos rezisto. Duro. Shpreso. Prit. Dhe ndërsa shqiptarët presin, të fuqishmit konsolidojnë më shumë pushtet. Në fakt shpresa në Shqipëri është kthyer në anestezi dhe na ka mpirë shpirtin e revoltës. Shpresa ka institucionalizuar padrejtësinë e patolerueshme dhe korrupsionin masiv. Në fakt shpresa nuk është vetëm një emocion por është pjesë e sistemit partiak dhe qeveritar. Ajo është opiumi që mban sistemin gjallë.

Politikanët, reklamuesit dhe media nuk na shesin të ardhme reale. Ata shesin të ardhme hiperreale, iluzione të redaktuara në mënyrë të përsosur, rezonance emocionale. që ndihen më reale se çdo gjë që kemi përjetuar ndonjëherë. Këto nuk janë vetëm gënjeshtra. Ato janë ëndrra të lëmuara të transmetuara në përsëritje. Dhe në këtë botë shpresa bëhet një mall, një strategji, një aset narrativ i kontrolluar.  Shikoni fushatat politike Shikoni sloganet shpresës: Shqipëria në BE vetëm me PS, rroga mesatare € 1200, një agim i ri, ky është momenti ynë. Sa nga këto premtime realisht nuk realizohen? Pothuajse asnjë. E megjithatë njerëzit vazhdojnë të shfaqen. Ata votojnë dhe presin. Ata besojnë përsëri e përsëri Përse? Sepse simulimi i ndryshimit, shpresa për të ardhmen që ndihet afër dhe performanca e progresit është më ngushëlluese sesa realiteti i hidhur dhe i zymtë. Është më e lehtë të besosh se diçka po ndryshon sesa të pranosh se asgjë nuk lëviz. Ëndrra, sado e rreme, ndihet më mirë se heshtja e së vërtetës Dhe kjo është arsyeja pse shitësit e ëndrrave, krijuesit e imazheve, tregtarët e shpresës qëndrojnë në pushtet Sepse realiteti mund të rezistohet, por iluzioni mund vetëm të konsumohet

Ku është vija ndarëse midis lidershipit dhe manipulimit? Kur e vërteta bëhet një kërcënim çfarë ndodh? Atëhere ndodh ajo që ka ndodhur gjithmonë. Ata na shpallin ne armiq, të shitur dhe spiun, të shitur te armiqtë etj.  Ata që refuzojnë shpresën e rreme që vënë në dyshim sistemin shpesh hidhen poshtë si negativë, të hidhur, të vështirë. Ata e kuptojnë se pushteti ka nevojë për iluzion ashtu si një flakë ka nevojë për oksigjen. Dhe kur ne e kuptojmë mekanizmin, jemi skeptikë, mund të ndryshojmë veten, shoqërinë, sistemin dhe vendin. Duhet të kuptojmë se ne jemi në pozicione të kundërta me qeverinë e partitë politike. Ata janë në këtë betejë për veten e tyre dhe jo për ne. Është kjo arësyeja që në perëndim egziston një shoqëri civile aktive dhe në mbrojtje të interesave të grupeve shoqërore që ata përfaqësojnë. Unionet, sindikatat, shoqatat e biznesit, të fermerëve etj, janë pikërisht për të mbrojtur interesat e tyre. Vetëm kështu mund të mbrohet demokracia dhe të demaskohet shpresa e rreme. Mos pyet vetëm se çfarë po të premtohet. Pyet kush përfiton nga besimi yt, sepse bota nuk funksionon mbi të vërtetën. Bota funksionon mbi besimin e projektuar nga ata që e kuptojnë se sa e vlefshme shpresa juaj është vërtet.

Filed Under: Analiza

“Dialogu Kosovë–Serbi”, një interpretim politik

May 18, 2025 by s p

Nga Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Që nga fillimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2011, Kosova ka dëshmuar angazhim të palëkundur për të gjetur rrugë të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ky proces ka qenë i mbështetur edhe nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e vizionit për stabilitet dhe paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Por ndërkohë që Kosova ka zbatuar pjesën dërrmuese të marrëveshjeve të arritura, Serbia ka zhvilluar një strategji të qartë të moszbatimit, bllokimit dhe sabotimit, duke dëmtuar besimin në proces dhe duke përçuar mesazhin se mund të përfitohet edhe pa përmbushur detyrimet ndërkombëtare.

Çfarë ka ndodhur që nga Marrëveshja e Brukselit?

Në vitin 2013, u arrit Marrëveshja e Parë e Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve. Ajo parashihte shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë së Serbisë në veri të Kosovës, integrimin e policisë, drejtësisë dhe administratës brenda institucioneve të Kosovës dhe krijimin e një forme bashkëpunimi për komunat me shumicë serbe, por gjithmonë në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës.

Por çfarë ndodhi?

Serbia nuk integroi realisht policinë paralele, përkundrazi strukturat e sigurisë të financuara nga Beogradi vazhduan aktivitetin ilegal në veri, shpesh në bashkëpunim me grupe kriminale.

Financimet ilegale dhe kontrolli politik i Beogradit mbi komunat veriore nuk u ndërprenë asnjëherë, përkundër obligimeve për normalizim.

Marrëveshja për njohjen e diplomave, e nënshkruar qysh në 2011, nuk është zbatuar as në vitin 2025 – një pengesë e madhe për të rinjtë kosovarë që studiojnë jashtë ose kërkojnë punësim në rajon.

Marrëveshja e Ohrit – një marrëveshje në letër, e shkruar për të mos u zbatuar

Në mars 2023, Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, me një aneks të qartë për zbatim. Marrëveshja parashihte:

Njohje de facto të dokumenteve të shtetit të Kosovës.

Mospengim të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Zbatim të ndërsjellë të obligimeve ndërkombëtare.

Në vend të kësaj, çfarë pamë?

Serbia loboi hapur kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me pikën 4 të Marrëveshjes së Ohrit.

Asnjë dokument zyrtar i Kosovës – as leternjoftimet, as diplomat, as targat – nuk pranohen ende nga Serbia.

Çdo diskutim për zbatim është kthyer në një mjet për të ushtruar presion mbi Kosovën, kryesisht për çështjen e Asociacionit, i cili po përdoret si shantazh politik.

Rasti Banjskë – prova e drejtpërdrejtë e agresionit të organizuar

Më 24 shtator 2023, në Banjskë ndodhi një akt i rëndë: një grup i armatosur paramilitar sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Hetimet, përfshirë edhe raportimet e mediave ndërkombëtare si New York Times dhe BBC, konfirmuan se grupi ishte i lidhur me strukturat e sigurisë të Serbisë dhe se operacioni kishte përkrahje të organizuar nga Beogradi.

Përgjigjja ndërkombëtare ishte e vakët. Përkundër një akti të qartë agresioni, Serbia nuk u sanksionua, ndërsa Kosova u nxit të mos “provokojë” më shumë tensione. Kjo qasje, e cila shpërblen agresorin dhe qorton viktimën, është thellësisht e padrejtë dhe dëmton themelet e dialogut të sinqertë.

Koha për një rishikim të thellë: Dialogu nuk mund të vazhdojë si më parë

Kosova duhet të artikulojë një qëndrim të qartë dhe të fuqishëm:

Dialog po – por me kushte të qarta dhe zbatim të obligimeve ekzistuese nga Serbia.

Asnjë kompromis i ri pa llogaridhënie për marrëveshjet e mëparshme.

Asnjë hap përpara, përfshirë për Asociacionin, pa njohje të ndërsjellë të dokumenteve dhe respekt të sovranitetit të Kosovës.

Kosova nuk mund të jetë palë që “lëviz gjithmonë e para”. Ky model e ka dëmtuar legjitimitetin e institucioneve të saj dhe ka krijuar një asimetri të rrezikshme në raportin me Serbinë. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndalë së trajtuari këtë dialog si proces ku njëra palë mban përgjegjësi, ndërsa tjetra – Serbia – vetëm përfiton.

Filed Under: Rajon

At Zef Valentini, ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare

May 17, 2025 by s p

Arian Galdini/

At Zef Valentini, një ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare, ka lënë një trashëgimi të jashtë zakonshme intelektuale që vazhdon të ndriçojë mendimin shqip tar. Si një studiues i thelluar i historisë, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar, Valentini ka kontribuar në mënyrë të pashoqe për shqiptarizmin dhe, në kuadrin modern, për bazat doktrinore të Neoshqiptarizmit. Përmes veprës së tij voluminoze dhe hulumtimeve të palodhura, ai i dha një strukturë të qëndrueshme rrëfimit të identitetit shqiptar dhe theksoi rëndësinë e njohjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kombëtare. Një nga kontributet kryesore të At Zef Valentinit ishte përpjekja e tij për të rikthyer në vëmendjen kombëtare dhe ndërkombëtare rolin e shqiptarëve në historinë evropiane dhe në qytetërimin perëndimor. Në veprat e tij, ai i kushtoi vëmendje të veçantë qytetërimit arbëror dhe periudhës mesjetare, duke nxjerrë në pah lidhjet e ngushta të shqiptarëve me Perëndimin dhe rolin e tyre si një urë mes Lindjes dhe Perëndimit.
Në studimet e tij madhore si “Illyricum Sacrum” dhe veprat mbi principatat shqiptare të mesjetës, Valentini dokumenton me saktësi historike dhe rigorozitet shkencor ekzistencën e një identiteti të qëndrueshëm dhe të veçantë shqiptar, i cili ka sfiduar përplasjet e historisë dhe rreziqet e asimilimit.

Ai shkruan:
“Shqiptarët, në historinë e tyre të lashtë dhe moderne, kanë ruajtur një identitet të përhershëm që qëndron si dëshmi e rezistencës dhe e fuqisë së shpirtit kombëtar.” Një nga pikat kulmore të mendimit të Valentinit ishte denoncimi i kolonializmit kulturor dhe përpjekjeve për asimilimin e shqiptarëve. Në analizat e tij, ai argumenton se identiteti shqiptar nuk mund të kuptohet vetëm përmes termave gjeografikë apo ekonomikë, por si një konstrukt shpirtëror dhe kulturor që përfaqëson një ndjenjë të thellë të përkatësisë. Në shkrimet e tij publicistike dhe akademike, Valentini thek sonte: “Shqiptarizmi nuk është thjesht një ide, por një përkushtim për të ruajtur dhe zhvilluar atë që na ka dhënë historia si një trashëgimi shpirtërore.”

Kjo ide përputhet në mënyrë të përkryer me doktrinën e Neoshqiptarizmit, e cila promovon nevojën për të ruajtur dhe lartësuar identitetin shqiptar përmes një ringjalljeje morale, kulturore dhe kombëtare. At Zef Valentini është një nga themeluesit e mendimit modern albanologjik. Ai i qaset historisë shqiptare jo vetëm si studiues, por edhe si një intelektual që kërkon të ndikojë në mënyrë pozitive në të tashmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar. Vepra e tij është një dëshmi e përkushtimit të tij ndaj kombit shqiptar dhe një thirrje për shqiptarët që të njohin dhe të vlerësojnë trashëgiminë e tyre.
Një aspekt thelbësor i studimeve të tij ishte trajtimi i ndikimit të traditave fetare dhe kulturore në zhvillimin e identitetit shqiptar. Ai argumentonte se harmonia ndërfetare dhe bashkëjetesa e shqiptarëve është një nga elementët më të fuqishëm të identitetit të tyre kombëtar dhe një model për botën.

Doktrina e Neoshqiptarizmit, e cila promovon një ripërtëritje kombëtare të bazuar në vlerat tradicionale dhe në sfidat e moder nitetit, gjen në veprën e Valentinit një burim të pasur frymëzimi. Konceptet e tij për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kombë tare, përpjekja për modernizim dhe nevoja për të përballuar sfidat e globalizimit janë në përputhje të plotë me Neo shqiptarizmin.

1. Ruajtja e trashëgimisë kombëtare

Valentini theksonte rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe kulturës shqiptare si një mënyrë për të mbrojtur identitetin kombëtar përballë ndikimeve të jashtme. Neoshqiptarizmi merr këtë parim dhe e kthen atë në një platformë për veprim kombëtar.

2. Ndërtimi i një kombi të përbashkuar

Për Valentinin, uniteti kombëtar ishte një domosdoshmëri për mbijetesën dhe përparimin e shqiptarëve. Ai besonte se një komb nuk mund të zhvillohet nëse ndarjet ideologjike, fetare apo politike nuk kapërcehen. Neoshqiptarizmi ndërton mbi këtë ide duke promovuar bashkimin e të gjitha energjive kombëtare në një mision të përbashkët.

3. Harmonia ndërfetare dhe kombëtarizimi si prindërim

Mendimi i Valentinit nënvizon rëndësinë e harmonisë ndërfetare si një element që duhet të forcohet dhe të promovohet në çdo iniciativë kombëtare. Ai besonte se kjo harmoni është një trashë gimi e çmuar që shqiptarët duhet ta ruajnë dhe ta zhvillojnë. Neoshqiptarizmi, me fokusin e tij tek prindërimi dhe kombë tarizimi, reflekton këtë vizion të Valentinit për një shoqëri që ndërtohet mbi dashurinë, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.
Vepra e At Zef Valentinit mbetet një testament i përjetshëm për rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe të angazhimit për ripërtëritjen morale dhe kulturore të shqiptarëve.

Në një kohë kur sfidat globale dhe rajonale kërcënojnë të asimilojnë identitetet kombëtare, mendimi i Valentinit është një thirrje për veprim të përgjegjshëm dhe të menduar mirë.
Në përfundim, Neoshqiptarizmi, si një doktrinë e cila përpiqet të harmonizojë vlerat kombëtare me sfidat moderne, gjen në veprën e Valentinit jo vetëm një burim frymëzimi, por edhe një udhërrëfyes për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për shqiptarët.

Siç thoshte Valentini: “Një komb që njeh vlerat e veta, njeh edhe forcën e tij për të ndërtuar një të ardhme të denjë.”
At Zef Valentini, përmes mendimit dhe veprës së tij, mbetet një nga arkitektët më të rëndësishëm të rrugës drejt Neoshqiptariz mit dhe një shembull për çdo brez që synon ta ndërtojë kombin mbi themelet e forta të kulturës, historisë dhe vizionit.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 46
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT