
Nga Keze Kozeta Zylo/
E drejta e votimit të Diasporës dhe marrja pjesë në proceset zgjedhore ishte një hap civilizimi për Kushtetutën e Shqipërisë, ndonëse duhet të ishte bërë shumë më parë, edhe pse ka pasur përpjekje të vazhdueshme, por siç thotë mençuria popullore më mirë vonë se kurrë.
Pjesëmarrja e Diasporës në votime të Parlamentit të ri ishte jo e kënaqshme, pasi dihet që vetëm në Amerike jetojne më shumë se një milion shqiptarë, kur nga gjithë Diaspora në botë morën pjesë shumë pak. Sipas Top Channel vetëm 197 mijë votues dërguan për herë të parë zarfet e tyre me postë. Nga votat e shqiptarëve jashtë vendit Partia Socialiste siguroi 122.070 vota, kurse PD doli forcë e dytë me vetëm 47.018 vota.
Në bisedat që kam pasur me shumë bashkatdhetarë shqetësimi kryesor ka qenë se votimi i tyre nuk do të ndikonte në politikbërjen shqiptare për shkak të listave të mbyllura super të sigurta për të shkuar në Parlament. Listat e mbyllura s’jane gjë tjetër vetëm favorizime dhe dëshmi e qartë e ngritjes si një institucion ligjor, që zor se ndryshohet për dekada me radhë.
Diaspora duhet të përfaqësohet denjësisht në Parlament, sepse shumica e shqiptarëve jetojnë jashtë trojeve të saj. Diaspora duhet të ketë deputetët e saj jo të zgjedhur dhe të vendosur nga partitë në Shqipëri që më së shumti zgjedhin militantët e tyre, natyrisht ka dhe përjashtime, por kandidatët t’i votojë vetë Diaspora. Në këtë rast po flas për Diasporën shqiptaro amerikane, meqënse po më shkon më shumë balanca të jetoj në Amerikë dhe të jem një pjesë e rëndësishme aktive e saj dhe ta njoh mirë.
Diaspora Shqiptaro Amerikane është pjesa më vitale e Kombit dhe ka një potencial të fuqishëm intelektual të integruar plot kulturë në Amerikë dhe që punojnë fort për rrënjët e tyre shqiptare. E duke qenë kaq e lidhur me Kombin e ka treguar me punë dhe lidhje të jashtëzakonshme në instancat më të larta të mbështetjes së politikës amerikane për ecjen në udhën e duhur të Shqipërisë. Por në këtë shkrim më intereson më shumë të ngre problemin që Diaspora duhet të organizohet në forume të ndryshme në lidhje me zgjedhjen e deputetëve nga Diaspora në Parlamentin shqiptar. Zgjedhja e kandidatëve për deputetë duhet të bëhet nga vetë anëtarët e Diasporës, pasi ata i njohin më mirë, për kontributin, punën e palodhur dhe sukseset e tyre në fusha të ndryshme. Vota e tyre është pronë e Diasporës për t’u përfaqësuar denjësisht në Kuvendin e Shqipërisë. Kur zgjidhen kandidatët deputetë nga Diaspora në bazë të përqindjes së numrit të votuesve dhe ligjit kushtetues në Shqipëri, Parlamenti bëhet më i konsoliduar institucionalisht dhe ndikimi është më i madh për integrimin dhe emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Kandidati për deputet nga Diaspora duhet të ketë ekipin e tij po nga Diaspora me plan dhe program të caktuar për ta mbrojtur dhe ekspozuar në publik tek votuesit, pasi votuesit në Shqipëri nuk kanë si ta besojnë nëse prezantohet vetëm nga Partia, kryetari i saj në Shqiperi në të cilën ai ose ajo merr pjesë.
Kur flitet për perfaqësim të Diasporës medoemos dhe ligjërisht duhet të jetë përzgjedhur nga vota e Diasporës dhe jo të perzgjedhur nga shteti i cili është votuar nga gjysma e shqiptarëve brenda Shqipërisë dhe jo nga Diaspora deri tani. Kur perzgjidhesh nga shteti do te hedhësh vallen sipas avazit të shtetarëve, je palë me të dhe s’ngre asnjë problem nëse gabon apo abuzon.
Për më tepër nuk bëhen fare zgjedhje, por qëndron përjetësisht në atë fron. Gjithmonë kam shkruajtur që të jetë e caktuar me kushtetutë që presidentë, kryeministra, kryeparlamentarë etj… duhet të jenë vetëm njëherë të zgjedhur, jo dy herë, sepse “shqipot” kanë dhënë prova kokëfortë abuzimi duke vënë pasuri marramendëse në llogari të xhepave të tyre dhe kanë vërtetuar katërcipërisht se nuk janë si Rilindasi i madh Abdyl Frashëri që i këndohet kënga përjetësisht:
Abdyl shite pasurinë, një barrë flori,
Hype vaporit dhe shkove, vajte në Berlin,
Me Bismarkun u takove, për Shqipëri.
Dhe Bimarku se ç’të pyeti, djalë kush je ti?
“Unë jam nga Shqipëria; Abdyl Frashëri!
I rritur në ato male me libra në gji,
Ju lutem, shikoni mirë dhe për Shqipëri
Mos e bëni copa copa, sikur s’ka njeri…”
Askush s’ka të drejtë të flas në emër të Diasporës, kur nuk i ka zgjedhur njeri nga Diaspora dhe nuk është kërkuar asnjë mendim, asnjë votë. Të flasësh në emër të Diasporës në këtë mënyrë është jo normale dhe shpesh befasuese, sepse të jetosh në këtë vend demokratik, të njohësh ligjet e saj si funksionon përfaqësimi doemos ndjen keqardhje dhe dhimbje në kësi veprimesh. Sidoqoftë kjo është një temë tjetër shumë e mprehtë që duhet trajtuar me kulturë dhe profesionalizëm.
Do të ishte ideale, por aspak e pamundur që deputetët e Diasporës shqiptare në të gjithë botën të zgjedhur në Parlament të kenë grupin parlamentar të Diasporës. Diaspora luan një rol të rëndësishëm sidomos ne aspektin ekonomik, është fuqi pasi miliona dollar dërgohen në shtetin amë si në investime dhe në ndihma të familjarëve të tyre duke ulur ndjeshëm varfërinë në një pjese të popullsisë. E për këto arsye më lart kandidatët për deputetë të Diasporës duhet të zgjidhen nga vetë Diaspora pasi aty jetojnë, punojnë, kontribuojnë dhe ajo i njeh më mirë se askush tjetër. Le të shpresojmë në votimet e ardhshme!
19 Maj, 2025
New York