
Artan Nati/
Një nga armët më të fuqishme në histori nuk është një shpatë, një armë apo edhe paraja, por shpresa dhe jo çdo shpresë. Shpresa e rreme, ajo lloj shprese që të pëshpërit se vuajtja jote
ka një qëllim, që nesër gjithçka do të ndryshojë, që dikush diku ka një plan për ty. Tingëllon e njohur dhe duhet të jetë e tilë, të paktën për historinë e zgjedhjeve të 35 viteve demo(n)kraci në Shqipëri. Nga perandorët te diktatorët, profetët dhe politikanët, manipulimi i shpresës është përdorur jo vetëm për të frymëzuar, por edhe për të dominuar.
Një sundimtar, thotë Makiaveli, duhet të mësojë të gënjejë në mënyrë bindëse, të mbajë një maskë që fsheh qëllimet e tij të vërteta dhe të bëjë premtime që ai kurrë nuk planifikon t’i mbajë. Përse besimi në një të ardhme më të mirë, edhe nëse është e sajuar, i mban masat pasive në të tashmen? Shpresa funksionon si një ilaç për të qetësuar masat, si karburant për të mbajtur njerëzit në lëvizje dhe si një zinxhir për t’i mbajtur ata në vend. Ajo qetëson dhe nënshtron. Dhe ajo që e bën Makiaveli-n vërtet të rrezikshëm është se ai nuk e quan këtë imorale. Ai e quan të domosdoshme. E vërteta që ai sugjeron është një luks i të fuqishmëve. Të gjithë të tjerët kanë nevojë vetëm për një histori që i mban të palëvizshëm. Njerëzit nuk kanë nevojë për të vërtetën. Ata kanë nevojë për stabilitet ose të paktën për iluzionin e saj. Ata kanë nevojë për diçka për të besuar, për diçka për t’u kapur kur realiteti bëhet i padurueshëm. Dhe më shpesh sesa jo, kjo diçka është një ëndërr që nuk është menduar kurrë të bëhet realitet, por është mjaftueshëm e besueshme për të vonuar rebelimin. Ky është gjenialiteti mizor i saj. Shpresa e rreme nuk e rregullon padrejtësinë. Ajo e qetëson atë. I bind të varfrit, të shtypurit, të harruarit, se ata që shpresojnë do të shpërblehen, se sistemi po përkulet drejt drejtësisë, se drita është shumë afër. Por drita vazhdon të jetë afër, por gjithmonë afër dhe kurrë aty. E megjithatë njerëzit vazhdojnë të ecin, sepse ëndrra, sado e largët, ndihet më e sigurt se boshllëku i dëshpërimit.
E gjithë kjo duket shumë dëshpëruese, sidomos në këto momente që ne sapo kemi mbaruar votimet. Gjithsecili prej nesh mendon se ka votuar atë që beson dhe shpreson. Pikërisht kjo shpresë është problemi dhe kjo varet se kush na e ka shitur më mirë shpresën për të ardhmen dhe ushqyer ëndërrën tonë për të ardhmen. Dhe shpresa apo gënjeshtra e ofruar nga Rama tingëlloi si muzikë në veshët e zgjedhësve. Kjjo fushatë dhe shpresë e paraqitur nga Rama në thelb është një moral i ndërtuar për të përfituar të fortët,oligarkët dhe shërbëtorët e regjimit, duke paralizuar të dobëtit dhe kundështarët. Rama apo PS-ja nuk ka asgjë në dorë për anëtarëimin në BE të vendit. Ne jemi vendi i fundit për plotësimin e standarteve, ne kemi qeverinë më të korruptuar në rajon dhe ekonominë në duart e oligarkëve dhe krimit. Si ka mundësi atëhere që shqiptarët votuan PS-në? Përse PD-ja humbi kaq thellë dhe alternativat e reja ishin në nivel mbijetese? Në fakt PD-ja kishte programin më të mirë, por njerëzit duan shpresë dhe vizion. Vizioni dhe shpresa duhet të paraqiten nga njerëz që perceptohen si shpresëdhënës e vizionar. Pikërisht PD-ja nuk arriti të kuptojë këto mësime të vjetra sa edhe demokracia. Alternativat e reja më shumë sabotuan vetveten se sa u dëmtuan nga partitë e mëdha. Vizioni i tyre i paqartë dhe i zbehtë u shuajt nga propaganda dhe artikulimi i qartë i makinerisë së Ramës. Ndoshta i vetmi vizion i saktë por gjithsesi i shprehur jo qartë ishte ai i Agron Shehaj. Ai u shpreh për një alternativë tipike të djathtë, për një qeveri të vogël efektive pro biznesit dhe lirinë e individit.Ndoshta për herë të parë dhe të vetme dëgjuam në këtë fushatë për dallimin thelbësor të forcave të djathta dhe atyre të majta. Ne kemi nevojë për përplasje vizionesh dhe filozofish dhe jo premtime të pabazuara. Në mbarim të kësaj maratone zgjedhjesh PS-ja por edhe PD-ja duket qartë se mund t’i thonë shqiptarëve se kjo ishte loja. Tani është momenti që të shpresojmë për premtime dhe shpërblime që nuk do t’i shohim por gjithsesi shpresa jeton dhe vdes e fundit. Mos u ngrit. Mos rezisto. Duro. Shpreso. Prit. Dhe ndërsa shqiptarët presin, të fuqishmit konsolidojnë më shumë pushtet. Në fakt shpresa në Shqipëri është kthyer në anestezi dhe na ka mpirë shpirtin e revoltës. Shpresa ka institucionalizuar padrejtësinë e patolerueshme dhe korrupsionin masiv. Në fakt shpresa nuk është vetëm një emocion por është pjesë e sistemit partiak dhe qeveritar. Ajo është opiumi që mban sistemin gjallë.
Politikanët, reklamuesit dhe media nuk na shesin të ardhme reale. Ata shesin të ardhme hiperreale, iluzione të redaktuara në mënyrë të përsosur, rezonance emocionale. që ndihen më reale se çdo gjë që kemi përjetuar ndonjëherë. Këto nuk janë vetëm gënjeshtra. Ato janë ëndrra të lëmuara të transmetuara në përsëritje. Dhe në këtë botë shpresa bëhet një mall, një strategji, një aset narrativ i kontrolluar. Shikoni fushatat politike Shikoni sloganet shpresës: Shqipëria në BE vetëm me PS, rroga mesatare € 1200, një agim i ri, ky është momenti ynë. Sa nga këto premtime realisht nuk realizohen? Pothuajse asnjë. E megjithatë njerëzit vazhdojnë të shfaqen. Ata votojnë dhe presin. Ata besojnë përsëri e përsëri Përse? Sepse simulimi i ndryshimit, shpresa për të ardhmen që ndihet afër dhe performanca e progresit është më ngushëlluese sesa realiteti i hidhur dhe i zymtë. Është më e lehtë të besosh se diçka po ndryshon sesa të pranosh se asgjë nuk lëviz. Ëndrra, sado e rreme, ndihet më mirë se heshtja e së vërtetës Dhe kjo është arsyeja pse shitësit e ëndrrave, krijuesit e imazheve, tregtarët e shpresës qëndrojnë në pushtet Sepse realiteti mund të rezistohet, por iluzioni mund vetëm të konsumohet
Ku është vija ndarëse midis lidershipit dhe manipulimit? Kur e vërteta bëhet një kërcënim çfarë ndodh? Atëhere ndodh ajo që ka ndodhur gjithmonë. Ata na shpallin ne armiq, të shitur dhe spiun, të shitur te armiqtë etj. Ata që refuzojnë shpresën e rreme që vënë në dyshim sistemin shpesh hidhen poshtë si negativë, të hidhur, të vështirë. Ata e kuptojnë se pushteti ka nevojë për iluzion ashtu si një flakë ka nevojë për oksigjen. Dhe kur ne e kuptojmë mekanizmin, jemi skeptikë, mund të ndryshojmë veten, shoqërinë, sistemin dhe vendin. Duhet të kuptojmë se ne jemi në pozicione të kundërta me qeverinë e partitë politike. Ata janë në këtë betejë për veten e tyre dhe jo për ne. Është kjo arësyeja që në perëndim egziston një shoqëri civile aktive dhe në mbrojtje të interesave të grupeve shoqërore që ata përfaqësojnë. Unionet, sindikatat, shoqatat e biznesit, të fermerëve etj, janë pikërisht për të mbrojtur interesat e tyre. Vetëm kështu mund të mbrohet demokracia dhe të demaskohet shpresa e rreme. Mos pyet vetëm se çfarë po të premtohet. Pyet kush përfiton nga besimi yt, sepse bota nuk funksionon mbi të vërtetën. Bota funksionon mbi besimin e projektuar nga ata që e kuptojnë se sa e vlefshme shpresa juaj është vërtet.