• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

ULMAR QVICK – PERSONALITET I SHQUAR I KULTURËS SHQIPTARE

June 17, 2025 by s p

Prof. dr. Begzad Baliu

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”/

Në historinë e kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX është një numër, në dukje të parë krejt simbolik, por tepër përmbajtjesor i studiuesve, intelektualëve, krijuesve dhe ambasadorëve të botës shqiptare në Lindje e në Perëndim të Europës dhe madje në Azi, i cili ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme për krijimin e pamjes sa më të plotë dhe sa më relevant i historisë dhe të sotmes së shqiptarëve në ato vende dhe më tej. Pjesa më e madhe e tyre sot kanë perënduar apo janë në moshë të tretë. Për shkak të krijimit të situatave të vështira në jetën shqiptare në fund të shekullit XX (Lufta për çlirimin e Kosovës dhe tranzicioni i gjatë i kalimit nga diktatura në demokraci, në Shqipëri), nderimin për ta e për kontributin e tyre ende nuk e kemi bërë në kontekstin që e meritojnë dhe në përmasat për të cilat obligohemi.

Kjo ka ndodhur në mënyrë të veçantë për ata intelektualë, të cilët vinë nga shtetet me ndikim të vogël në ish-Lindjen komuniste (Rumania, Polonia, Sllovakia etj.), për disa studiues e intelektualë që vinë nga Rusia (kryesisht nga radhët e albanologëve) dhe të tjerë që vinë nga shtete me ndikim jo shumë të madh në rrjedhat politike e strategjike ndërkombëtare (Bullgaria, Greqia, Holanda, Suedi, Libani, Turqia etj.). Kjo mund të thuhet në mënyrë të veçantë për albanologun, shkrimtarin, përkthyesin, intelektualin, publicistin e ambasadorin e çmuar të shqiptarëve në Suedi, Z. Ulmar Qvick, përkushtimi i të cilit për shqiptarët, historinë e tyre, zhvillimet politike dhe gjendjen e sotme kap rrafshe shumëdimensionale në kontekstin historik dhe komplementar në kontekstin përmbajtjesor.

I shquar për një kohë të gjatë angazhimesh ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, në vendin e tij, në kulturën shqiptare, me mërgatën shqiptare dhe me fatin e tyre në kohë diktature (Shqipëri) e pushtimi (Kosovë), në kohë tranzicioni demokratik (Shqipëri) e lufte (Kosovë e Maqedoni të Veriut), në fushë të traditës kulturore e të gjendjes së sotme, ai, si rrallë të tjerë bashkëkohës të tij, ka kurorëzuar atë traditë albanologësh suedezë të tre shekujve të fundit nga Prof. Dr. Erik Hans Tunman (shekulli 18), te “Anna Lindh, Dag Selander, Göran Wassenius, Lars Leijonborg, Ulla Gustafsson, Örjan Storesjö dhe shumë të tjerë”. (13) Nuk është e rastit prandaj pse me emrin e tij lidhen disa vëllime veprash për Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët dhe fatet historike e bashkëkohore të tyre, për gjuhën, letërsinë, kulturën, përkthimin dhe dimensione të tjera të paraqitjes së tyre. Pra, me botimin e veprave të tij personale dhe me përkthimin e botimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Suedi e më tej.

Ky vëllim sjell një përmasë tjetër të portretit të tij, të bëmave e ndihmesave të tij. Si rrallë ndonjë tjetër deri më tash, ky vëllim përfaqëson një përmbajte të pasur tekstesh nga më të ndryshmet, përkushtuese e të përkushtuara për autorin dhe për të tjerët, prandaj jo rastësisht është bërë një përpjekje fatlume e autorit të veprës Z. Fetah Bahtiri, që brenda librit të bëjë një sintezë paraprake të tyre, në kontekstin hapësinor (gjeografik), në raport me zhvillimet historike (kronologjike) dhe në raport me pasurinë përmbajtjesore të teksteve të përfshira (sintetike).

Sikur mund të shihet, vëllimi hapet me një Parathënie dhe mbyllet me Biografinë e autorit të vëllimit, ndërsa brenda tij tekstet janë sintetizuar në dymbëdhjetë kapituj. Në kapitullin e parë është sjellë një histori e shkurtër e disa prej personaliteteve shkencore, politike e kulturore, pa të cilët nuk mund të shkruhet historia e gjuhës së popullit shqiptar dhe historia politike e kulturore e çështjes shqiptare në Shqipëri e në Kosovë. Disa prej tyre këtu sillen me nga një biografi përfaqësuese, si: Anna Lindh (21), Dag Selander (24), Prof. Dr. Erik Hans Tunman (26), Göran Wassenius (28), Lars Leijonborg (30), Margareta Viklund (32), Ulla Gustafsson (34), Örjan Sturesjö (35). Me këtë kapitull, Z. Fetah Bahtiri, besojmë se ka hapur një kapitull të ri në kërkimet shkencore në hapësirën suedeze, duke filluar me profesorin e shkollës gjermane, indoeuripanistin Tunman, të cilin dikur e kishim referencë te vepra e Profesor të madh Eqrem Çabej, te pasardhësi i tij Nelson R. Çabej, te sintezat e Profesor Shaban Demiraj, te projekti fundamental i historianit të albanologjisë Profesor Jup Kastrati (i cili në Historinë e albanologjisë (I) këtij personaliteti i ka kushtuar pesëmbëdhjetë faqe), te studimet e Skënder Gashit në Kosovë e të tjerë.

Një kapitull më vete merr biografia e pasur dhe e paraqitur këtë në përmasa shumëdimensionale, në raport me formimin e tij, familjen, kohen, hapësirën dhe jetën e veçantë të tij. Në vazhdim sillet po kaq e plotë edhe veprimtaria me interes për individualitetin e tij dhe botën shqiptare, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te veprat dhe bëmat kryesore të tij: ditari i zemrës, gramatika suedeze, përkushtimin ndaj Kosovës, angazhimin e tij në lëvizjen kombëtare shqiptare, si dhe tekstet bashkëkohësve të tij shqiptarë, Riza Sheqiri, Liri Loshi, Shefki Oseku etj., me të cilat është nderuar puna e tij, po edhe tekstet e tij në fushë të komunikimit, përkthimit të krijimtarisë së tij, tekstet për Ismail Kadarenë, Antonio Belushin etj.

Në kreun e katërt janë përfshirë tekstet kërkimore, historike dhe analizat e studiuesit Ullmar Qvickut, formësuar në dy rrafshe: Suedinë dhe suedezët në veprat e shkrimtarëve shqiptarë, si dhe shqiptarët, gjuhën shqipe dhe fatin e disa personaliteteve shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore. Madje mund të themi në këtë rast se tri janë rrafshet kërkimore të këtij kapitulli, pavarësisht numrit të madh të temave dhe pavarësisht gjuhës në të cilën janë shkruar disa prej tyre. Suedia dhe suedezët në letrat shqipe, fati tragjik i intelektualit Anton Harapi pas Luftës së Dytë Botërore dhe historia e njësimit të shqipes standarde, me referencë zhvillimin e saj gjatë gjithë shekullit XX: Kongresin e Manastirit, Komisinë Letrare të Shkodrës dhe Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Edhe në kapitullin vijues pothuajse është ruajtur kohezioni tematik i temave, por tashmë ato marrin përmasa më gjithëpërfshirëse qoftë në rrafshin gjeografik të etnisë (fatin e shqiptarëve jashtë kufijve politikë të Shqipërisë, përkatësisht gjendjen politike të Shqiptarëve në Maqedoni), qoftë në rrafshin tematik të përmbajtjeve, sikur është aktiviteti në fushë të arsimit dhe pretendimi për krijimin e një Katedre të Albanologjisë në Suedi, në një kohë që emigracioni i shqiptarëve atje përfaqëson një elitë të rëndësishme kulturore, intelektuale e shkencore.

Ngritja e institucioneve arsimore akademike e shkencore atje do të sillte një dimension të rëndësishëm të zhvillimit të tyre, jo vetëm në kontekst të socializimit brenda hapësirës suedeze po edhe në shërbim të atdheut prej nga kanë ardhur. Nuk është e rastit që ky kapitull mbyllet me një shembull të përvojës së tij.

Një vend të rëndësishëm në këtë vëllim të pasur e domethënës zënë artikujt publicistikë dhe diskutimet e tij mbi marrëdhëniet shqiptaro-serbe, në një periudhë shumë të rëndësishme për zgjidhjen e fatit të Kosovës, përkatësisht marrëveshjeve shqiptaro-serbe përmes gjuhës së armëve dhe dialogut politikë. Ata që i kanë dëgjuar këto diskutime dhe ata që do t’i lexojnë ato në këtë vëllim, do të mund të kuptojnë ligjërimin paravajtës së këtij personaliteti dhe vërejtjet e tij dhënë personaliteteve e grupeve të caktuara serbe në lidhje me Kosovën, si një proces i pakthyeshëm politik në pavarësinë e saj.

Një kapitull më vete përbëjnë tekstet shumë domethënëse të vlerësimit të dhjetëra autorëve shqiptarë për Kvikun. Në radhë të parë kemi të bëjmë me dy vepra përfaqësuese të jetës dhe bëmave të tij. Fjalën e kemi për librin e studiuesit Ulmar Kvik Më shumë heroizma se sa grurë, përkthyer në gjuhën shqipe nga Hajdin Abazi dhe për monografinë Miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick, me autorë Fetah Bahtirin, i cili me punën e tij të shumanshme e ka ridimensionuar plotësisht kontributin e këtij studiuesi, intelektuali e ambasadori të shqipes e shqiptarëve në Veri të Globit. Të kësaj natyre janë edhe një numër simbolik i intervistave të përfshira këtu, nga ato intervista të shumta, të cilat ai ia ka dhënë radios, televizionit e mediave të tjera të shkruara, prej të cilave mund të krijohet një pamje mjaft e pasur e angazhimeve të tij në jetën kulturore, arsimore, shkencore e sidomos politike. Po kështu mund të thuhet edhe për angazhimet e tij me artikuj për radiot në hapësirën suedeze, radiot ndërkombëtare e sidomos radion shqiptare. Nëse në fillim intervistat e tij kishin karakter personal e përcaktues, artikujt e botuar në vazhdim përfaqësojnë një fushë me interes për kulturën e komunikimit dhe historinë e radios në një periudhë historikisht të gjatë dhe gjeografikisht të hapur ndërkombëtarisht.

Vepra mbyllet me dy kapituj pasionesh të Ullmar Qvickut. Pasionin prej koleksionisti të pullave postare, dhe interesimin për insektet. Nëse koleksionistët e pullave postare përgjithësisht nuk janë të rrallë, interesimi i tij për insektet përfaqëson një individualitet të veçantë dhe gati të panjohur e të habitshëm në botën shqiptare, gjë që, besoj, nuk mund të them edhe për hapësirën suedeze. Në rastin e parë kapitulli mbi interesimin e tij për pullat postare pasurohet edhe me dy artikuj mjaft me interes, ai për natyrën e letërkëmbimit me Kosovën, prej nga sillet një histori e këndshme komunikimi, si dhe tjetri mbi pasionin fëmijëror të Ismail Kadaresë për pullat postare.

Vepra e studiuesit Fetah Bahtiri, Ulmar Qvick – Albanolog Plus, ndoshta mund të quhej Ulmar Qvick – më shumë se një albanolog, mbyllet me disa opinione të miqve të tij për Ullmar Qvickun, personalitetin dhe veprën e të cilit e kanë vlerësuar jo njëherë dhe e kanë nderuar shumë herë e në shumë raste angazhimi prej qytetari, intelektuali, studiuesi, përkthyesi, gjuhëtari e albanologu. Fjala është për vlerësimin e Hysen Ibrahimit, Sokol Demakut, Hamit Gurgurit, Bedri Pacit etj., të cilat në këtë rast nderojnë jo vetëm jetën dhe veprën e Ullmar Kvikut po edhe punën dhe veprën e mikut të tyre Fetah Bahtirit, të cilën po e përurojmë, këtu ku frymon më mirë se askund tjetër, në Kosovë, në të vërtetë në Mitrovicë.

Filed Under: Politike

Kujtimet dhe mbresat e një viti shkollor në shkollën shqipe “Skenderbej”

June 17, 2025 by s p

Juljana Latifi/

Ardhja e Qershorit dhe ditëve të nxehta ka sjellë dhe fundin e vitit mësimor në shkollën shqipe Skenderbej me qendër Brooklyn, New York. Nën drejtimin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane Skenderbej me qendër në Staten Island, NY, nën kujdesin e vecantë të bordit drejtues si dhe kontributin profesional të mësuesve të përkushtuara dhe me përvojë znj. Adelina Laçaj, Geltjana Bulku, Juljana Latifi dhe Anisa Gani Preza, shkolla shqipe Skenderbej në Brooklyn, ka luajtur një rol thelbesor dhe të çmuar në ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen e vlerave kombëtare dhe trashigimisë kulturore shqiptare tek brezat e rinj të komunitetit tonë. Viti mësimor 2024-2025 ishte një vit i mbushur me një program mësimor të larmishëm, aktivitete, këngë, valle dhe gjithashtu pjesëmarrje në eventet më të rëndësishme shqiptare të organizuara në New York. Nxënës të grupmoshave të ndryshme iu janë

bashkuar orarit mësimor duke marrë njohuritë bazë në gjuhën shqipe, duke u njohur kështu më tej me traditat, zakonet, kulturën, kjo nëpërmjet punimeve me kraft, këngëve e valleve dhe lëndëve mësimore. Eksperiencat dhe mbresat kanë qenë të ndryshme, përfshirë këtu dhe shoqërinë me njëri-tjetrin e shprehur në gjuhën e bukur shqipe.

Për të kujtuar të gjitha këto dhe për të dhënë frytet e një punë kolosale të kryer nga mësueset dhe anëtarët e shkollës Skenderbej, nxënësit kanë realizuar projektet e tyre me tematika të ndryshme dhe i kanë prezantuar në klasë nëpërmjet programeve

kompjuterike, power point apo google slide. Çdo punim kishte veçantinë e vet, por e përbashkëta e tyre ishin përfimet mësimore dhe nostalgjia e pjesëmarrjeve në aktivitetet e ndryshme që shkolla ka organizuar. Një nga nxënëset e kësaj shkolle, Emma

Bermuça, përveç punimeve artistike që kishte realizuar, solli në fokus aktivitetet e shkollës që ajo do t’i mbajë mend gjatë. Njëri prej tyre ishte vizita në bashkinë e qytetit, ulja në një nga tavolinat brenda këtij ambienti e memorizuar me foto dhe veshjet e bukura popullore shqiptare. Emma nëpërmjet gjuhës shqipe theksoi dhe një moment tjetër të rendësishëm, kërcimin e valles “Përtej oqeanit” në shkollën e saj PS.102, ku së

bashku me disa nxënëse të tjera, po pjesë të shkollës Skenderbej, e kanë realizuar në mënyrën më përfekte të mundshme dhe plot krenari përpara stafit dhe nxënësve të shkollës amerikane.

E veçanta e kësaj përformance ishte dhe fakti që pjesë e vallës janë bërë dhe nxënësit e tjerë të kombësive të tjera, të cilën e kanë mësuar vallen dhe e kanë kërcyer duke u njohur kështu me një nga pasuritë tona, që janë vallet, me të cilat në krenohemi pafund! Amelia Bermuça, një tjetër nxënëse e kësaj shkolle, ka zgjedhur të vijë me një punim kushtuar shëndetit, sesi mund të kemi një jetë të shëndetshme nëpërmjet ecjes në natyre, ushqimeve organike dhe frutave të ndryshme, të cilat gjithashtu mësueset e shkollës Skenderbej i kanë shpjeguar me emrat përkatëse në gjuhën shqipe. Madje një shembull konkret ka qenë dhe mbjellja e tyre në klase, ku nxënësit kanë ndjekur hap pas hapi kultivimin dhe benefitet që vijnë nga konsumimi i tyre.

Një tjetër nxënës, Enzo Rustani, ka sjellë diçka ndryshe nga të tjerët, punën e tij e ka fokusuar tek projektimet onlinë të objekteve të ndryshme, përfshirë këtu kuzhinën e banesës së tij apo atë të një parashute hedhëse e shumë të tjera, ku tregoi se për këtë

të fundit i janë dashur të punojë mbi 12 orë për ta realizuar. Enzo është një nga ato talentet e rralla për moshën që ka dhe ka filluar hapat e parë në botën e projektimit që është sa e vështirë dhe e bukur në të njëjtën kohë.

Një nga nxënësit e rregullt të kësaj shkolle dhe tepër i përkushtuar në të gjitha nismat që janë ndërmarrë është Kelvin Rustani, i cili ka zgjedhur që punimin e tij ta fokusojë tek gjithçka që ka mësuar në këtë vit shkollor. Ai solli disa momente te bukura nga 8 Marsi

dhe na rikujtoi aktivitetet e bukura që janë organizuar përfshirë këtu festat e Nëntorit, festat e fundvitit, momentet historike shqiptare, Dita Ndërkombëtare e fëmijëve e shumë aktivitete të tjera që shkolla ka organizuar. Nxënës të tjerë shpjeguan mes tyre kujtimet e këtij viti shkollor, miqësitë e reja të

krijuara dhe fjalët që kanë mësuar në gjuhën shqipe. Në fund vijuan përgatitjet për paradën e madhe që do të mbahet më 21 Qershor, 2025, ne Manhattan, ku flamuri kuqezi do të valëvitet me krenari në rrugët e New York-ut. Shkolla shqipe Skëndërbej do

të jetë pjesë e saj me më shumë se 10 valle të përformuara nga nxënësit e kësaj shkolle me shumë krenari.

Një nga mësueset e kësaj shkolle, e cila ka dhënë një kontribut tepër të madh në mësimdhënie, Adelina Lacaj, është shprehur se ky vit shkollor ka qenë një përpjekje e madhe në unifikimin e grupmoshave dhe me shumë përpjekje janë ndërthurur kengët dhe vallet dhe nxënësit arriten të përfshihen me njëri-tjetrin përmes një lidhje tepër organike. Më tej mësuesja ka falenderuar anëtarë të shoqatës shqiptaro-amerikane Skenderbej për financimin e programit mësimor si dhe mësueset e kësaj shkolle për kontributin e dhënë. Bordi i shkollës iu uron nxënësve gezuar festën e baballarëve si dhe gjithë festat verore në vazhdimësi duke iu uruar atyre suksese të mëtejshme.

Filed Under: Komunitet

“Vatra” e “Dielli” pjesë e thelbësore e historisë dhe identitetit shqiptar në diasporë

June 17, 2025 by s p

Artan Nati/

Në dimrin e vitit 1911, nën dritën e idealeve të lirisë dhe bashkimit, lindi në Boston një nismë që do të bëhej zemra e shqiptarisë në Amerikë. Nga përpjekja e mendjeve të ndritura si Fan Noli e Faik Konica, më 1912 u themelua Vatra, Federata PanShqiptare e Amerikës. Me fjalën, penën dhe zemrën, ajo u bë zëri i shqiptarëve në Kongresin amerikan dhe në tryezat ndërkombëtare. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Vatra u shndërrua në një qeveri shpirtërore në mërgim. Gazeta e saj, Dielli, ndriçonte çdo ditë shpresën për një atdhe të lirë. Me përkushtim, ajo loboi në Konferencën e Paqes në Paris dhe ngriti themelet e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, për të ruajtur shpirtin dhe identitetin kombëtar. Sot, në kushtet e emigrimit masiv dhe rizgjimit të çështjes mbarë shqiptare, jo si shtete të veçanta, jo si shpirtra të shpërndarë në mbarë botën, por si një entitet i vetëm, Vatra mbetet një simbol i pavdekshëm i diasporës, kujtim i gjallë i një zjarri që digjet për Shqipërinë nga larg. 

Në ndryshim nga organizimi i shqiptarëve (historia na detyroi dhe ndau) në trojet tona, ne në diasporë funksionojmë si një entitet i vetëm, ku ideali që na bashkon është shqiptaria dhe shqiptarizmi. Ashtu si dikur i madhi Pashko Vasa zbuloi se ne jemi të ndryshëm, por të gjithë jemi njësoj, se feja e shqiptarit është shqiptaria. Ne të gjithë jemi shqiptarë që përpiqemi të bëjmë një ndryshim për atdheun tonë, që historia e ndau, por kurrë nuk na përçau dhe këtë e tregon Vatra, djepi i shqiptarizmës, ku politika, kultura, feja dhe ndarjet territoriale, veç na bashkuan më shumë. Ne i kemi treguar trojeve tona në rajon, por edhe në mbarë botën se fuqia jonë qëndron në faktin se ne jemi të ndryshëm dhe pikërisht respekti për veçantiné përcakton fuqinë dhe vitalitetin tonë. Vërtet ne u larguam nga vendi ynë, por vendi, fshati, qyteti dhe të dashurit tanë kurrë nuk janë larguar nga zemra jonë. Përkundrazi tani që jemi larg, ne i ndiejmë ata më pranë dhe në këtë botë të largët.

                                                                                                                                                                                                                                                                                                         Në thelb, nuk është e nevojshme asgjë më shumë sesa një përqafim i sinqertë, një falënderim i thjeshtë apo një ndjenjë e qenies “i parë” që të ndikojë pozitivisht në jetën e dikujt. Në një shoqëri që shpesh vuan nga ndarja dhe përjashtimi, ndërtimi i urave të njohjes dhe përfshirjes mbetet ndër misionet më të rëndësishme për të ruajtur jo vetëm shëndetin mendor individual, por edhe kohezionin shoqëror. Ne e nderojmë dhe studiojmë të kaluarën tonë për të përcaktuar veten, ne nderojmë identitetin tonë për të ruajtur qytetërimin tonë, ne lartësojmë kulturën tonë për të përcaktuar veçantinë tonë dhe ne luftojmë padrejtësinë historike sepse përfaqësojmë Kauzën. Ne përfaqësojmë kulturën shqiptare në perëndim dhe kulturën perëndimore në Shqipëri, ne jemi ura e Shpipërisë për në perëndim dhe ura e perëndimit për në Shqipëri. Këtë urë e ndërtoi Fan Noli, Faik Konica e shumë atdhetarë të tjerë dhe e pagëzuan me emrin Vatra. Idetë dhe veprimtaria e Vatrës rrezatohen nga “Dielli”, gazeta më e vjetër e botës shqiptare. Veprimtaria e Vatrës shërben jo për të ruajtur kulturën dhe identitetin tonë, por për t’i bërë ato pjesë integrale të kulturës dhe identitetit perëndimor.      

                                                                                                        Përkushtimi i madh ndaj shqiptarizmit brenda Vatrës është në thelb i padiskutueshëm. Vatra ka qenë jetësore për ruajtjen e identitetit shqiptar. Vatra ka qenë thelbësore për përhapjen e kauzës shqiptare dhe gjithashtu Vatra ka qenë jetësore për mbijetesën e kombit shqiptar. Kjo është thjesht e padiskutueshme. Nuk do të kishte një koncept bindës të një kombi shqiptar pa diasporën në përgjithësi dhe pa Vatrën në veçanti. Së fundmi, dhe në të njëjtën kohë, Republika e Shqipërisë dhe e Kosovës, por edhe çështja shqiptare në trojet shqiptare në ballkan nuk mund të lulëzojë dhe të arrijë potencialin e saj vetëm, pa mbështetjen, udhëzimin dhe mençurinë e Vatrës dhe Diasporës së saj të fuqishme. Nëse kombi shqiptar do të ketë ndonjë shans serioz për të lulëzuar, atëherë është domosdoshmëri bashkërendimi dhe mbështetja e veprimtarive të qeverive shqiptare dhe Vatrës si lider i diasporës shqiptare.       

Në kohën kur migrimi është realitet i përditshëm dhe diaspora luan një rol kyç ekonomik e kulturor, gjithnjë e më shumë po shtrohet pyetja: a duhet që qytetarët jashtë vendit të kenë përfaqësim të drejtpërdrejtë në parlament? Praktika të tilla tashmë ekzistojnë në shtete si Franca, Italia dhe Kroacia, ku diaspora ka zona të dedikuara zgjedhore dhe përfaqësues të vetët në parlament. Kjo synon të forcojë lidhjet me atdheun dhe të njohë kontributin e tyre të vazhdueshëm.Ka disa arsye thelbësore pse kjo qasje po fiton mbështetje: Kontributi ekonomik dhe kulturor si edhe remitancat, investimet dhe roli si ambasadorë të kulturës janë dëshmi e ndikimit të diasporës në zhvillimin e vendeve të origjinës. Forcimi i përkatësisë dhe përfaqësimi nxit angazhim më të madh dhe lidhje më të forta me vendin amë. Diaspora sjell perspektiva ndërkombëtare dhe modele të reja që mund të përmirësojnë qeverisjen. Të drejtat politike për qytetarët jashtë vendit janë pjesë e një demokracie gjithëpërfshirëse dhe më përfaqësuese. Në një botë me kufij gjithnjë e më të hapur, përfshirja e diasporës nuk është më luks apo simbolikë, por një nevojë. Vatra si përfaqësuesja më e madhe e vlerave kulturore dhe patriotike në diasporë, me një eksperiencë mbi 100 vjeçare, po e kryen me dinjitet këtë rol historik e patriotik për të tashmen dhe të ardhmen.

Filed Under: Opinion

MARRËVESHJA E KORFUZIT DHE QËNDRIMI I FUQIVE TË MËDHA, DY DËSHMI

June 17, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi /

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, çështja e njohjes ndërkombëtare dhe e përcaktimit të kufijve të shtetit të ri shqiptar u bë një sfidë e ndërlikuar. Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) njohu formalisht Shqipërinë si një shtet të pavarur, por pa përcaktuar qartë kufijtë e saj. Në këtë kontekst, shpërthimi i Luftës së Parë Botërore dhe ndërhyrjet e shteteve fqinje, veçanërisht Greqisë në jug të vendit, krijuan një situatë të re gjeopolitike. Marrëveshja e Korfuzit, e nënshkruar më 17 maj 1914 midis përfaqësuesve të Qeverisë së Princ Vidit dhe përfaqësuesve të popullsisë greke në Shqipërinë e Jugut (të vetëshpallurit përfaqësues të “Vorio-Epirit”), përbën një moment kyç në këtë histori të ndërlikuar.   

Rajoni i Epirit, që shtrihet në të gjithë Greqinë dhe Shqipërinë. Legjenda: *gri: Shkalla e përafërt e Epirit në antikitet *portokalli: Rajoni i Epirit te Juguti Jugut  *jeshile: Shkalla e përafërt e përqendrimit më të madh të Grekëve në “Veri-Epir”, në fillim të shekullit të 20-të *vijë e kuqe: Territori i Epirit Verior

2. Çfarë ishte Marrëveshja dhe Protokolli i Korfuzit?
Marrëveshja e Korfuzit ishte një akt politik dhe diplomatik që synonte zgjidhjen e konfliktit mes autoriteteve shqiptare të sapoformuara dhe lëvizjes separatiste të grekëve lokalë në jug të Shqipërisë të shtyrë nga Greqia  e cila kërkonte autonomi ose bashkim me Greqinë. Pas kryengritjeve të armatosura dhe presionit ndërkombëtar, përfaqësuesit e Princ Vidit ranë dakord që të njihnin një autonomi të brendshme për krahinat jugore (Gjirokastër, Himarë, Sarandë dhe Përmet), nën sovranitetin e shtetit shqiptar. Princ Vidi mbërriti në Shqipëri, në Durrës më 7 mars 1914. Qeveria që ai krijoi do të ushtronte detyrën e saj në kushte tepër të vështira ekonomike dhe politike dhe do të ndodhej nën kontrollin e presionin e drejtpërdrejtë të dy Fuqive: Italisë dhe Austro-Hungarisë. Një nga sfidat e para e më të mëdha me të cilat u përball që në fillim Princ Vidi, ishte lëvizja për të ashtuquajturën autonomi të “Vorio Epirit”. 

Qarqet shoviniste greke nxitën organizimin e një kongresi në Gjirokastër në 2 mars 1914. Ky kongres shpall autonominë e “Vorio-Epirit”, që sipas tij përfshinte Gjirokastrën, Sarandën, Delvinën, Përmetin, Himarën por edhe Korçën.

Për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate të ndërlikuar, Vidi do të ndërhynte duke emëruar si komisar të jashtëzakonshëm për Shqipërinë e Jugut, oficerin holandez Tomson. Në emër të qeverisë së Vidit, ai shkoi në Korfuz ku do të zhvillonte bisedimet me përfaqësuesit vorio-epirotë. Kjo shënon fazën e parë të bisedimeve formale me autonomistët. Përfundimi i këtyre bisedimeve ishte në dëm të Shqipërisë, sepse në parim u pranua autonomi e këtyre krahinave. Qeveria e sapoformuar me në krye Turhan Pashë Përmetin, do t’i kundërshtonin lëshimet nga koloneli Tomson dhe i kërkoi Princ Vidit largimin e tij.

Fuqitë e Mëdha, si kompromis hartuan një projekt propozimesh, i cili kalonte caqet e lëshimeve të bëra nga pala shqiptare. Pas shumë bisedimesh do të arrihej të nënshkruhet marrëveshja që njihet në histori si Protokolli i Korfuzit më 17 maj 1914. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, Mehdi Frashëri dhe përfaqësuesit e qeverisë vorio-epirote, Zografos dhe Karapanos. Protokolli përmbante 13 dispozita dhe një dispozitë të veçantë për Himarën. Ky protokoll në përmbajtjen e tij, nuk ndryshonte shumë nga projekt-programi i paraqitur nga përfaqësuesit vorio-epirotë.

Kjo autonomi përfshinte: Emërimin e nëpunësve vendorë grekë, Njohjen e gjuhës greke në administratë dhe arsim, Të drejtën për të ruajtur besimin fetar ortodoks, Një sistem të veçantë të drejtësisë dhe policisë lokale. 

3. Qëndrimi i Fuqive të Mëdha
Fuqitë e Mëdha (Britania, Franca, Rusia, Austro-Hungaria, Italia dhe Gjermania), që luanin një rol thelbësor në çështjen shqiptare, miratuan Marrëveshjen e Korfuzit si një kompromis për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit në Jug. Ata e panë këtë marrëveshje si një mjet për të ruajtur integritetin territorial të Shqipërisë pa e provokuar Greqinë në një konflikt të hapur.

  • Britania dhe Franca mbështetën marrëveshjen si pjesë e politikës së tyre për ruajtjen e status quo-së në Ballkan.
  • Rusia, mbrojtëse e ortodoksisë dhe e interesave greke në rajon, ishte e prirur të favorizonte autonominë greke, por brenda kornizës shqiptare.
  • Italia dhe Austro-Hungaria, që kishin interesa të forta në Shqipëri, e pranuan marrëveshjen me rezerva, por shpresonin se do të dështonte në praktikë, gjë që realisht ndodhi.

Në këtë studim kemi përfshirë edhe një qëndrim italian dhe francez mbi këtë marrëveshje që nxjerrin qartë në dukje interesat aneksioniste greke që vazhdojnë edhe sot.

4. Marrëveshja ose Protokolli i Korfuzit
Kjo situatë nuk mund të vazhdonte. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, i përbërë nga delegatë të gjashtë Fuqive të Mëdha, të cilat që në fillim kishin tentuar me mjetet joefektive në dispozicion të tyre të rivendosnin rendin, më në fund arritën një armëpushim nga Qeveria e Përkohshme e Epirit të Veriut. 

Për të shmangur rifillimin e armiqësive, ata e konsideruan veten të detyruar të përmbushnin sa më shumë të ishte e mundur pikëpamjet e popullsive epirote në lidhje me vendbanimet e veçanta që ata kërkonin, si dhe ato të Qeverisë Shqiptare. Duke marrë më parë autorizim nga Qeveritë që përfaqësonin, ata ftuan Kristaqi-Zografos dhe Karapanos në një Konferencë në Korfuz me këtë qëllim, ku u arritën disa vendbanime të veçanta në lidhje me territoret e Provincave të Korçës dhe Gjirokastrës. 

Duke rezervuar të drejtën e Qeverisë Shqiptare për të emëruar dhe shkarkuar guvernatorët dhe zyrtarët e lartë të këtyre provincave, në marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit, kjo zgjidhje i dha Epirit të Veriut një statut të veçantë që pothuajse arrinte në autonomi lokale. Megjithatë ekzekutimi dhe zbatimi i këtyre dispozitave u vunë nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Lufta Botërore i pengoi Fuqitë e Mëdha të jepnin pëlqimin e tyre formal për këto dispozita, të cilat u hartuan më 17 maj 1914. Është mirë të theksohet se Konferenca e Korfuzit kishte arritur vendimet e saj vetëm me miratimin e plotë të Princit të Wied, bazuar në një vendim të Këshillit të Ministrave, dhe se Shqipëria përfaqësohej nga një delegat i cili, me nënshkrimin e tij, miratoi vendimet në fjalë. 

Prandaj, rrjedh se Qeveria Shqiptare, si dhe Fuqitë e Mëdha, pranuan se Epiri i Veriut kishte të drejtë për një qeveri të veçantë që do ta vendoste atë në një pozicion të privilegjuar në lidhje me pjesën tjetër të vendit. Së fundmi, mund të shtohet se, për t’u lejuar myslimanëve që emigruan pas persekutimeve të vitit 1914 të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe për t’i mbrojtur ata nga çdo agresion i mëtejshëm, Fuqitë e Antantës i kërkuan Greqisë të ripushtonte rajonet që ajo ishte thirrur të largohej pas përcaktimit të kufirit greko-shqiptar në vitin 1913.

5. Rezervat italiane në lidhje me Epirin e Veriut
“Pikëpamja e Delegacionit Italian mbi çështjen e pretendimeve greke në Shqipëri, siç u konstitutua në vitin 1913, është se kufijtë e vendosur nga Protokolli i Firences duhet të respektohen për arsyet e mëposhtme: 

1. Distrikti është i banuar nga një shumicë shqiptare, si racore ashtu edhe gjuhësore, siç u vërtetua nga Komisioni Ndërkombëtar i emëruar në vitin 1913 për të verifikuar në vend aspektin etnik të këtyre provincave. 

2. Statistikat e ofruara nga Delegacioni Italian vërtetojnë se krahasimi midis myslimanëve dhe të krishterëve është në favor të së parëve, nëse merren parasysh emigrantët, të cilët u larguan nga vendi si rezultat i trazirave të vitit 1914, dhe një numër i madh i të cilëve do të kthehen sapo të vendoset një qeveri e drejtë. Për më tepër, një pjesë e madhe e popullsisë së krishterë është shqiptare në ndjenjën kombëtare, siç mund të shihet nga formimi i shoqërive shqiptare jashtë vendit. 

3. Ngjarjet e vitit 1914 nuk mund të merren si një zbulim i vullnetit popullor në favor të dëshirave greke për arsyet e deklaruara tashmë në Komision dhe të regjistruara në procesverbalet. Nga ana tjetër, një argument kundër aneksimit nga Greqia mund të gjendet në mizoritë e kryera në të njëjtën kohë kundër atyre banorëve – myslimanë ose jo – që ishin me ndjenja shqiptare. 

4. Shqiptarët në disa raste kanë provuar përkushtimin e tyre ndaj idesë kombëtare dhe ndaj gjuhës së tyre me anë të kryengritjeve kundër autoriteteve osmane, me qëllim fitimin e autonomisë në ato ndarje administrative brenda të cilave ata zotëronin shumicën. 

5. Dallimet fetare në këtë vend nuk çojnë në mosmarrëveshje nga pikëpamja kombëtare. Kjo mund të shihet si në Shqipërinë Veriore ashtu edhe në atë Jugore, ku myslimanët janë të përzier me katolikë dhe ortodoksë. Propaganda që vjen nga jashtë mbështetet shumë dobët nga rivaliteti lokal që është i pashmangshëm midis të gjitha racave. 

6. Pjesa më e madhe e pronës tokësore është në duart e myslimanëve shqiptarë. 

7. Jeta ekonomike e vendit do të prishej plotësisht nëse do të privohej nga qendrat e saj, përkatësisht nga qytetet kryesore të këtij rrethi. Argumenti kulturor nuk mund të ngrihet kundër Shqipërisë, sepse administrata osmane nuk u ka lejuar kurrë shqiptarëve institucionet e tyre arsimore.

8. Ky ishte një nga privilegjet që Patriarkana Greke në Kostandinopojë e ruante me shumë xhelozi, siç mund të shihet nga përpjekjet e shteteve të tjera ballkanike për t’u çliruar nga propaganda arsimore greke. 

9. As refuzimi i trashëgimive nuk është një provë e vlefshme e ndjenjës kombëtare. Kjo ishte një nga masat e miratuara nga autoritetet kishtare ortodokse greke me qëllim parandalimin e themelimit të shkollave shqipe në këto rrethe. 

10. Nga dokumentet diplomatike që lidhen me Konferencën e Ambasadorëve në Berlin në vitin 1880, duket se Qeveria Greke vendosi më pas si kufi racor për pretendimet e tyre një vijë që ndryshon shumë pak nga kufiri i Protokollit të Firences. Vija e vizatuar nga Ambasadorët ndoqi rrjedhën e Kalamas. Bazat etnike mbi të cilat u bazua ky vendim janë po aq të vlefshme edhe sot. 

11. Në mbështetje të të gjitha këtyre argumenteve, Delegacioni Italian tërheq vëmendjen për një botim francez. Ministere de la Guerre (Komisioni Gjeografik i Shërbimit Gjeografik të Ushtrisë) nxori në vitin 1915 një broshurë të titulluar “Njoftim mbi Shqipërinë dhe Malin e Zi”, e cila konfirmon pikëpamjen italiane. Një hartë që tregon racat dhe fetë është bashkangjitur [shih hartën nr. 6 në faqen 99], sipas së cilës banorët grekë formojnë vetëm dy grupe të vogla në afërsi të Gjirokastrës dhe Delvinës – gjë që, në fakt, është e vërteta e saktë e çështjes. Rëndësia e kësaj dëshmie nuk mund të mohohet.”

6. Arsyeja Ushtarake. Prezantimi i kapitenit francez i anijes Conz
“Do të doja t’i tregoja Komisionit se arsyet që e shtyjnë Greqinë të pretendojë vijën bregdetare që shtrihet nga Vlora në Korfuz janë ushtarake. Greqia nuk mund të nxitet nga nevojat e emigrimit, as nga arsyet etnike dhe tregtare. Lidhur me emigrimin, nëse Greqia merr territoret që kërkon në Traki, Maqedoni, Azi të Vogël dhe Dodekanez, emigrimi i saj nuk do të përqendrohet në këtë pjesë të vogël të vijës bregdetare që shtrihet nga Vlora në Korfuz. 

Nga pikëpamja etnike, popullsia e të gjithë këtij rajoni, siç munda ta vërej gjatë muajve të gjatë që kalova atje, është tërësisht shqiptare. Këta shqiptarë janë ortodoksë dhe për këtë arsye, ata kanë tendencë t’i konsiderojnë si grekë. Arsyeja e tretë që mund ta kishte përcaktuar Greqinë do të ishte kërkimi i një dalje në det. Megjithatë, një vështrim në konformacionin gjeografik të Greqisë e përjashton këtë hipotezë. Në të vërtetë, ky vend, i cili tashmë ka kaq shumë dalje në det, nuk mund të nxitet nga ideja e krijimit të një tjetre në këtë copë të vogël bregdeti. 

Arsyeja tregtare gjithashtu duhet të hidhet poshtë. Bregu është shumë malor, nuk ka rrugë komunikimi me brendësinë, zona e brendshme nuk është e pasur, nuk ka porte përgjatë bregdetit. Prandaj, kërkimi për një dalje tregtare në këtë pikë shumë të çuditshme krahasuar me Greqinë duhet të hidhet poshtë. 

Kështu, mbete arsyeja ushtarake. Ky është thelbi i çështjes. Korfuzi në fakt ndodhet aq afër bregdetit sa dy hyrjet veriore dhe jugore komandojnë një bazë të madhe në të cilën flota më e fuqishme në botë do të gjente të gjitha lehtësitë e mundshme. Pa u kthyer më tej, mjafton të kujtojmë këtu se, “Nga Raporti (me shtojca) i paraqitur Këshillit Suprem të Aleatëve nga komisioni i ngarkuar me studimin e çështjeve territoriale që kishin të bënin me Greqinë.. Gjatë luftës, përpara se Greqia t’u bashkohej Aleatëve, Kajzeri e kishte bërë Korfuzin një bazë nëndetësesh të fuqishme dhe kur Greqia erdhi me ne, Flota Franceze ishte në gjendje ta përdorte Korfuzin për të ndihmuar Italinë në rast të një beteje detare me austriakët në Adriatik. Që kjo bazë të marrë vlerën e saj të plotë, është e nevojshme të kontrollohen hyrjet dhe daljet, domethënë, kontrolli i detit si në veri ashtu edhe në jug të ishullit. T

ani ky kontroll nuk mund të jetë absolut nëse nuk ka pushtimin e bregdetit. Në vitin 1916 pata nderin të transportoja Princin Aleksandër të Serbisë nga Italia në Korfuz. Kalova nëpër Kanalin e Veriut. Në Korfuz vizitova admiralin francez, mendimin e të cilit jam i lumtur ta kujtoj këtu. “Keni bërë”, më tha ai, “një pakujdesi të madhe duke kaluar nëpër kanalin e veriut sepse, duke mos zotëruar bregdetin e Himarës, ne bëjmë të mos i mbajnë qasjet për në bazë në anën veriore.” 

Vetëm pak muaj pasi u mor kontrolli absolut i hyrjes veriore, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë francezë, Italia arriti të pushtonte ushtarakisht Portin e Palermos dhe Sarandën dhe kështu të parandalonte nëndetëset gjermane të strehoheshin në këtë rrugë pa krye që shtrihet përgjatë bregdetit të Vlorës deri në Korfuz. Kur aleatët të mos jenë më në Korfuz, baza do të jetë ende madhështore, por do t’i mungojë diçka për të qenë e plotë. Kjo diçka është bregdeti që Greqia po kërkon sot. Nëse Greqia e merr këtë bregdet që po kërkon, baza e Korfuzit do të bëhet e plotë. Si pasojë, kushtet strategjike në hyrje të Adriatikut do të jenë më të këqija për Italinë sesa para luftës. Kjo është arsyeja pse Italia nuk mund ta injorojë këtë çështje nga një këndvështrim ushtarak. 

Nëse, në fakt, një bazë e fuqishme vendoset në këtë mënyrë në hyrje të Adriatikut, vendi ynë do të duhet të marrë masa paraprake dhe, pikërisht në momentin kur të gjithë po përpiqen të zvogëlojnë armatimet, do të detyrohet të bëjë shpenzime të reja ushtarake. Nëse bregdeti i Vlorës në Korfuz i jepet atij që zotëron Korfuzin, e gjithë kjo do të përfaqësojë një kërcënim. Nëse, përkundrazi, Bregu i Himarës u lihet shqiptarëve, ky zotërim nuk do të përbëjë kërcënim për Greqinë. Interesi ynë nuk është të vendosemi në bregdet, por vetëm të parandalojmë që e njëjta fuqi të zotërojë si Korfuzin ashtu edhe bregdetin që e bën Korfuzin një bazë të fuqishme.”

7. Pasojat dhe dështimi i Marrëveshjes
Marrëveshja nuk u zbatua kurrë plotësisht. Vetëm disa javë pas nënshkrimit të saj, shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe Shqipëria u pushtua nga ushtritë e huaja, ndërsa qeveria e Princ Vidit u rrëzua. Greqia, duke shfrytëzuar situatën, pushtoi ushtarakisht Jugun e Shqipërisë në fund të vitit 1914, duke shpërfillur marrëveshjen dhe duke e trajtuar atë si një bazë për pretendime territoriale. Në vitet pasuese, çështja e “Vorio-Epirit” u përdor nga Greqia si argument për të kërkuar aneksimin e Jugut të Shqipërisë, ndërsa Shqipëria insistonte në anulimin e marrëveshjes si të pavlefshme dhe të imponuar.

8. Vlerësime historike
Menjëherë pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore (korrik 1914), situata në Shqipëri u bë e paqëndrueshme dhe pasoi një kaos politik. Kur vendi u bë i ndarë në një numër qeverish rajonale, Princi Wilhem u largua nga vendi në shtator 1914. Më 27 tetor, pas aprovimit nga Fuqitë e Mëdha, ushtria greke u fut përsëri në Epirin e Veriut. Qeveria e Përkohshme e Epirit të Veriut zyrtarisht pushoi së ekzistuari, duke deklaruar se ajo kishte përmbushur objektivat e saj. Rajoni de facto i është aneksuar Greqisë deri në gjysmën e dytë të vitit 1916,, kur trupat italiane dëbuar ushtrinë greke nga zona. 

 9. Periudha ndërluftarake dhe anulimi i Protokollit
Në vitin 1921 Protokolli i Korfuzit u anulua gjatë Konferencës së Ambasadorëve dhe Epiri i Veriut iu dha përfundimisht shtetit shqiptar. Sidoqoftë, përpjekjet për të rivendosur një Epir autonome Veriore vazhduan. Më 1921 qeveria shqiptare, gjatë hyrjes së vendit në Lidhjen e Kombeve, u angazhua të mbrojë të drejtat e pakicave brenda territorit të saj, të cilat u ratifikuan nga Parlamenti lokal vitin e ardhshëm. Sidoqoftë, këto të drejta u dhanë brenda një zone shumë më të kufizuar në krahasim me Protokollin, i cili përfshinte vetëm disa fshatra në rajonet e Himarës, Gjirokastrës dhe Sarandës, dhe asnjë nga qytetet kryesore. Shumë historianë e shohin Marrëveshjen e Korfuzit si një përpjekje të dështuar për kompromis, por njëkohësisht si dëshmi e dobësisë politike dhe diplomatike të shtetit shqiptar në atë kohë. Ajo u nënshkrua në kushte presioni dhe mungese përkrahjeje të brendshme. Megjithatë, fakti që ajo u njoh nga Fuqitë e Mëdha si një zgjidhje e përkohshme, tregon se ata ishin më shumë të interesuar për stabilitetin rajonal sesa për të drejtën kombëtare të shqiptarëve.

10. Konkluzion
Marrëveshja e Korfuzit është një nga dokumentet më të diskutueshme të historisë së marrëdhënieve shqiptaro-greke. Ajo ilustron dilemat mes autonomisë kulturore dhe integritetit shtetëror, mes presioneve ndërkombëtare dhe aspiratave kombëtare. Pavarësisht se nuk u zbatua, ajo u përdor si kartë politike nga pala greke për dekada dhe vazhdon të ketë jehonë në debatet rreth të drejtave të minoriteteve dhe kufijve historikë.

Në fund të ditës, qëndrimi i Fuqive të Mëdha tregon se në Ballkan, kombet e vegjël shpesh ishin objekt loje mes interesave të mëdha, dhe kompromiset e dhimbshme ishin pjesë e mbijetesës së tyre.

Filed Under: Histori

VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI KRYETARIT TË DEGËS LONG ISLAND DR. PAULIN MARKU PËR NDARJEN NGA JETA TË MOTRËS

June 16, 2025 by s p

E nderuar familja Marku – Preka

Fort i dashur e i nderuar miku ynë i çmuar Paulin

Me keqardhje të thellë e dhimbje të madhe mësova lajmin e largimit të parakohshëm nga jeta tokësore të motrës suaj të dashur e të pa harruar Zamira Marku – Preka në moshën 39 vjeçare. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjelli ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme për humbjen e motrës suaj të shtrenjtë Zamira Marku – Preka.

Zoti ju dhashtë forcë për të përballuar pikëllimin e dhimbjen e madhe për humbjen e njeriut tuaj të zemrës. Të gjithë bashkë si vatranë jemi pranë jush e familjes Marku e Preka, familjarëve, miqve e dashamirësve tuaj në këto ditë të vështira trishtimi, zie, lamtumire e dhimbje të pafundme.

Jeni në lutjet dhe mendimet tona.

Zamira pushoftë në paqe e përjetësi. Qoftë ëngjëll mbrojtës në qiell për 3 vajzat e saj të vogla. Parajsa qoftë banesa e saj e përjetshme.

I pikëlluar

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Dr.Elmi BERISHA

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT