

Artan Nati/
Në dimrin e vitit 1911, nën dritën e idealeve të lirisë dhe bashkimit, lindi në Boston një nismë që do të bëhej zemra e shqiptarisë në Amerikë. Nga përpjekja e mendjeve të ndritura si Fan Noli e Faik Konica, më 1912 u themelua Vatra, Federata PanShqiptare e Amerikës. Me fjalën, penën dhe zemrën, ajo u bë zëri i shqiptarëve në Kongresin amerikan dhe në tryezat ndërkombëtare. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Vatra u shndërrua në një qeveri shpirtërore në mërgim. Gazeta e saj, Dielli, ndriçonte çdo ditë shpresën për një atdhe të lirë. Me përkushtim, ajo loboi në Konferencën e Paqes në Paris dhe ngriti themelet e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, për të ruajtur shpirtin dhe identitetin kombëtar. Sot, në kushtet e emigrimit masiv dhe rizgjimit të çështjes mbarë shqiptare, jo si shtete të veçanta, jo si shpirtra të shpërndarë në mbarë botën, por si një entitet i vetëm, Vatra mbetet një simbol i pavdekshëm i diasporës, kujtim i gjallë i një zjarri që digjet për Shqipërinë nga larg.
Në ndryshim nga organizimi i shqiptarëve (historia na detyroi dhe ndau) në trojet tona, ne në diasporë funksionojmë si një entitet i vetëm, ku ideali që na bashkon është shqiptaria dhe shqiptarizmi. Ashtu si dikur i madhi Pashko Vasa zbuloi se ne jemi të ndryshëm, por të gjithë jemi njësoj, se feja e shqiptarit është shqiptaria. Ne të gjithë jemi shqiptarë që përpiqemi të bëjmë një ndryshim për atdheun tonë, që historia e ndau, por kurrë nuk na përçau dhe këtë e tregon Vatra, djepi i shqiptarizmës, ku politika, kultura, feja dhe ndarjet territoriale, veç na bashkuan më shumë. Ne i kemi treguar trojeve tona në rajon, por edhe në mbarë botën se fuqia jonë qëndron në faktin se ne jemi të ndryshëm dhe pikërisht respekti për veçantiné përcakton fuqinë dhe vitalitetin tonë. Vërtet ne u larguam nga vendi ynë, por vendi, fshati, qyteti dhe të dashurit tanë kurrë nuk janë larguar nga zemra jonë. Përkundrazi tani që jemi larg, ne i ndiejmë ata më pranë dhe në këtë botë të largët.
Në thelb, nuk është e nevojshme asgjë më shumë sesa një përqafim i sinqertë, një falënderim i thjeshtë apo një ndjenjë e qenies “i parë” që të ndikojë pozitivisht në jetën e dikujt. Në një shoqëri që shpesh vuan nga ndarja dhe përjashtimi, ndërtimi i urave të njohjes dhe përfshirjes mbetet ndër misionet më të rëndësishme për të ruajtur jo vetëm shëndetin mendor individual, por edhe kohezionin shoqëror. Ne e nderojmë dhe studiojmë të kaluarën tonë për të përcaktuar veten, ne nderojmë identitetin tonë për të ruajtur qytetërimin tonë, ne lartësojmë kulturën tonë për të përcaktuar veçantinë tonë dhe ne luftojmë padrejtësinë historike sepse përfaqësojmë Kauzën. Ne përfaqësojmë kulturën shqiptare në perëndim dhe kulturën perëndimore në Shqipëri, ne jemi ura e Shpipërisë për në perëndim dhe ura e perëndimit për në Shqipëri. Këtë urë e ndërtoi Fan Noli, Faik Konica e shumë atdhetarë të tjerë dhe e pagëzuan me emrin Vatra. Idetë dhe veprimtaria e Vatrës rrezatohen nga “Dielli”, gazeta më e vjetër e botës shqiptare. Veprimtaria e Vatrës shërben jo për të ruajtur kulturën dhe identitetin tonë, por për t’i bërë ato pjesë integrale të kulturës dhe identitetit perëndimor.
Përkushtimi i madh ndaj shqiptarizmit brenda Vatrës është në thelb i padiskutueshëm. Vatra ka qenë jetësore për ruajtjen e identitetit shqiptar. Vatra ka qenë thelbësore për përhapjen e kauzës shqiptare dhe gjithashtu Vatra ka qenë jetësore për mbijetesën e kombit shqiptar. Kjo është thjesht e padiskutueshme. Nuk do të kishte një koncept bindës të një kombi shqiptar pa diasporën në përgjithësi dhe pa Vatrën në veçanti. Së fundmi, dhe në të njëjtën kohë, Republika e Shqipërisë dhe e Kosovës, por edhe çështja shqiptare në trojet shqiptare në ballkan nuk mund të lulëzojë dhe të arrijë potencialin e saj vetëm, pa mbështetjen, udhëzimin dhe mençurinë e Vatrës dhe Diasporës së saj të fuqishme. Nëse kombi shqiptar do të ketë ndonjë shans serioz për të lulëzuar, atëherë është domosdoshmëri bashkërendimi dhe mbështetja e veprimtarive të qeverive shqiptare dhe Vatrës si lider i diasporës shqiptare.
Në kohën kur migrimi është realitet i përditshëm dhe diaspora luan një rol kyç ekonomik e kulturor, gjithnjë e më shumë po shtrohet pyetja: a duhet që qytetarët jashtë vendit të kenë përfaqësim të drejtpërdrejtë në parlament? Praktika të tilla tashmë ekzistojnë në shtete si Franca, Italia dhe Kroacia, ku diaspora ka zona të dedikuara zgjedhore dhe përfaqësues të vetët në parlament. Kjo synon të forcojë lidhjet me atdheun dhe të njohë kontributin e tyre të vazhdueshëm.Ka disa arsye thelbësore pse kjo qasje po fiton mbështetje: Kontributi ekonomik dhe kulturor si edhe remitancat, investimet dhe roli si ambasadorë të kulturës janë dëshmi e ndikimit të diasporës në zhvillimin e vendeve të origjinës. Forcimi i përkatësisë dhe përfaqësimi nxit angazhim më të madh dhe lidhje më të forta me vendin amë. Diaspora sjell perspektiva ndërkombëtare dhe modele të reja që mund të përmirësojnë qeverisjen. Të drejtat politike për qytetarët jashtë vendit janë pjesë e një demokracie gjithëpërfshirëse dhe më përfaqësuese. Në një botë me kufij gjithnjë e më të hapur, përfshirja e diasporës nuk është më luks apo simbolikë, por një nevojë. Vatra si përfaqësuesja më e madhe e vlerave kulturore dhe patriotike në diasporë, me një eksperiencë mbi 100 vjeçare, po e kryen me dinjitet këtë rol historik e patriotik për të tashmen dhe të ardhmen.