
Juljana Latifi/
Ardhja e Qershorit dhe ditëve të nxehta ka sjellë dhe fundin e vitit mësimor në shkollën shqipe Skenderbej me qendër Brooklyn, New York. Nën drejtimin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane Skenderbej me qendër në Staten Island, NY, nën kujdesin e vecantë të bordit drejtues si dhe kontributin profesional të mësuesve të përkushtuara dhe me përvojë znj. Adelina Laçaj, Geltjana Bulku, Juljana Latifi dhe Anisa Gani Preza, shkolla shqipe Skenderbej në Brooklyn, ka luajtur një rol thelbesor dhe të çmuar në ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen e vlerave kombëtare dhe trashigimisë kulturore shqiptare tek brezat e rinj të komunitetit tonë. Viti mësimor 2024-2025 ishte një vit i mbushur me një program mësimor të larmishëm, aktivitete, këngë, valle dhe gjithashtu pjesëmarrje në eventet më të rëndësishme shqiptare të organizuara në New York. Nxënës të grupmoshave të ndryshme iu janë
bashkuar orarit mësimor duke marrë njohuritë bazë në gjuhën shqipe, duke u njohur kështu më tej me traditat, zakonet, kulturën, kjo nëpërmjet punimeve me kraft, këngëve e valleve dhe lëndëve mësimore. Eksperiencat dhe mbresat kanë qenë të ndryshme, përfshirë këtu dhe shoqërinë me njëri-tjetrin e shprehur në gjuhën e bukur shqipe.
Për të kujtuar të gjitha këto dhe për të dhënë frytet e një punë kolosale të kryer nga mësueset dhe anëtarët e shkollës Skenderbej, nxënësit kanë realizuar projektet e tyre me tematika të ndryshme dhe i kanë prezantuar në klasë nëpërmjet programeve
kompjuterike, power point apo google slide. Çdo punim kishte veçantinë e vet, por e përbashkëta e tyre ishin përfimet mësimore dhe nostalgjia e pjesëmarrjeve në aktivitetet e ndryshme që shkolla ka organizuar. Një nga nxënëset e kësaj shkolle, Emma
Bermuça, përveç punimeve artistike që kishte realizuar, solli në fokus aktivitetet e shkollës që ajo do t’i mbajë mend gjatë. Njëri prej tyre ishte vizita në bashkinë e qytetit, ulja në një nga tavolinat brenda këtij ambienti e memorizuar me foto dhe veshjet e bukura popullore shqiptare. Emma nëpërmjet gjuhës shqipe theksoi dhe një moment tjetër të rendësishëm, kërcimin e valles “Përtej oqeanit” në shkollën e saj PS.102, ku së
bashku me disa nxënëse të tjera, po pjesë të shkollës Skenderbej, e kanë realizuar në mënyrën më përfekte të mundshme dhe plot krenari përpara stafit dhe nxënësve të shkollës amerikane.
E veçanta e kësaj përformance ishte dhe fakti që pjesë e vallës janë bërë dhe nxënësit e tjerë të kombësive të tjera, të cilën e kanë mësuar vallen dhe e kanë kërcyer duke u njohur kështu me një nga pasuritë tona, që janë vallet, me të cilat në krenohemi pafund! Amelia Bermuça, një tjetër nxënëse e kësaj shkolle, ka zgjedhur të vijë me një punim kushtuar shëndetit, sesi mund të kemi një jetë të shëndetshme nëpërmjet ecjes në natyre, ushqimeve organike dhe frutave të ndryshme, të cilat gjithashtu mësueset e shkollës Skenderbej i kanë shpjeguar me emrat përkatëse në gjuhën shqipe. Madje një shembull konkret ka qenë dhe mbjellja e tyre në klase, ku nxënësit kanë ndjekur hap pas hapi kultivimin dhe benefitet që vijnë nga konsumimi i tyre.
Një tjetër nxënës, Enzo Rustani, ka sjellë diçka ndryshe nga të tjerët, punën e tij e ka fokusuar tek projektimet onlinë të objekteve të ndryshme, përfshirë këtu kuzhinën e banesës së tij apo atë të një parashute hedhëse e shumë të tjera, ku tregoi se për këtë
të fundit i janë dashur të punojë mbi 12 orë për ta realizuar. Enzo është një nga ato talentet e rralla për moshën që ka dhe ka filluar hapat e parë në botën e projektimit që është sa e vështirë dhe e bukur në të njëjtën kohë.
Një nga nxënësit e rregullt të kësaj shkolle dhe tepër i përkushtuar në të gjitha nismat që janë ndërmarrë është Kelvin Rustani, i cili ka zgjedhur që punimin e tij ta fokusojë tek gjithçka që ka mësuar në këtë vit shkollor. Ai solli disa momente te bukura nga 8 Marsi
dhe na rikujtoi aktivitetet e bukura që janë organizuar përfshirë këtu festat e Nëntorit, festat e fundvitit, momentet historike shqiptare, Dita Ndërkombëtare e fëmijëve e shumë aktivitete të tjera që shkolla ka organizuar. Nxënës të tjerë shpjeguan mes tyre kujtimet e këtij viti shkollor, miqësitë e reja të
krijuara dhe fjalët që kanë mësuar në gjuhën shqipe. Në fund vijuan përgatitjet për paradën e madhe që do të mbahet më 21 Qershor, 2025, ne Manhattan, ku flamuri kuqezi do të valëvitet me krenari në rrugët e New York-ut. Shkolla shqipe Skëndërbej do
të jetë pjesë e saj me më shumë se 10 valle të përformuara nga nxënësit e kësaj shkolle me shumë krenari.
Një nga mësueset e kësaj shkolle, e cila ka dhënë një kontribut tepër të madh në mësimdhënie, Adelina Lacaj, është shprehur se ky vit shkollor ka qenë një përpjekje e madhe në unifikimin e grupmoshave dhe me shumë përpjekje janë ndërthurur kengët dhe vallet dhe nxënësit arriten të përfshihen me njëri-tjetrin përmes një lidhje tepër organike. Më tej mësuesja ka falenderuar anëtarë të shoqatës shqiptaro-amerikane Skenderbej për financimin e programit mësimor si dhe mësueset e kësaj shkolle për kontributin e dhënë. Bordi i shkollës iu uron nxënësve gezuar festën e baballarëve si dhe gjithë festat verore në vazhdimësi duke iu uruar atyre suksese të mëtejshme.