• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

NAUM PRIFTI, PËRKUJTIM NË 2 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

June 16, 2025 by s p

Barazi për të gjithë…

Naum Prifti

Skicë

Sa tërheqëse qe kjo ideja se do të rronim të gjithë njëlloj. Dhe kur thoshim “njëlloj”, mendja më shkonte menjëherë te më të pasurit e fshatit e të krahinës. Ideali abstrakt sakaq mishërohej te persona të njohur që kishin nivel të lartë jetese, që rronin mirë, visheshin mirë, kishin shtëpi të bollshme e të bukura. Sa herë thoshim se i pasuri dhe fukarai do të kishin një nivel, mendja më shkonte te avokati ynë, zoti Vangjo dhe tek sekretari i gjyqit që vishej me sqimë e mbahej shik.

Disa pikëpyetje më dilnin që atëherë dhe nuk e mendoja si mund të bëhej zotni një shakatar si Çomja. Mendoja se edhe po t’i jepnin rroba të mira e të pastra, ai për dy javë do t’i kishte lerosur dhe shqepur. Po ajo që më mundonte më shumë qe si do t’ia bënin me çobanin e lopëve e të dhenve. Gjithë të tjerët do të rronin si në qytet, si në parajsë, po dhentë e lopët kush do t’i kulloste? Si do të bënte çobani kur të zinte shiu e breshëri?

“Do t’u japin ombrellë,” thoshte im vëlla. “Do t’i krijojnë kushte të mira.” Po ku pyeste shiu me erë për ombrellë? Ta merrte e ta flakte tej pa gajle. Ombrella në malet tona nuk i shërbente për asgjë. “Do t’i japin mushama,” vazhdonte vëllai.

Për çobanin s’ më mbushej mendja se do të shpëtonte nga kusuret e motit të keq. Mirëpo sipas teorisë marksiste të pasurit rronin mirë se përvetësonin edhe mundin e fshatarit dhe të punëtorit. Për shtresën e administratës e për gjithë ata që rrogën e merrnin nga qeveria, mendoja se nuk kishin asnjëfarë ideje se shfrytëzonin krahët a djersën tonë. Mundin dhe punën e krahut tonë e merrnin vetëm ata që mbanin argatë e shegertë.

Ne donim të rronim mirë të gjithë. Por ndërsa të pasurit merrnin nga ne, prej kujt do të merrnim ne.

Ideja e ndarjes së padrejtë të pronës ishte në themel të të gjitha luftërave që nga kohët që s’mbahen mend. Dhe kjo luftë nuk dallonte nga të tjerat. Mendonim se do të ngrinim nivelin e jetesës duke ndarë pasurinë, më saktë duke e rekuizuar. Do t’i merrnim Vangjo avokatit e do t’i jepnim Kolës a Kasëmit.

Sa joshëse tingëllonte kjo ide, ç’ vizion i mrekullueshëm për të ardhmen. Ky imazh fantastik filloi të qarkullonte që në ditët e luftës pikërisht sepse ishte aq joshës e aq tërheqës…

Ligjet ekonomike dhe llogaritë i kishin lënë mënjanë, se as i njihnin dhe as u delnin.

Edhe ne, si s’u kujtuam njëherë të shikonim sa na binte po ta ndanim pak katandinë e Vangjo avokatit dhe të kryesekretarit në njëqindekatër pjesë? S’kishte për të na rënë as nga një cep velenxe, as nga një pëllëmbë qilim. Kush do të merrte lugët, do t’i mbetej hatri se i morën pirunët, apo do t’ia kishte zilinë atij që mori diskun e tepsinë.

Pale të dëgjoje Xhoxhin tonë! “Vetëm sa të mbarojë lufta,” thoshte vazhdimisht, “se pastaj do të hamë me lugë të florinjtë.” As argjend nuk i pranonim, se i donim flori safi, po se nga do vinin, perëndia e dinte.

As për shtëpitë që digjeshin Xhoxhi s’bëhej merak. “Le t’i djegin të gjitha,” thoshte, “aq më mirë, se do t’i bëjnë më të bukura pas lufte anglezët.” Bile ai s’thoshte as me ndihmën e tyre, po nënkuptonte sikur do vinin muratorë e karpentierë nga Anglia. Sepse i dinte Xhoxhi aq dorëlëshuar anglezët një zot e di.

Njëherë i kundërshtova. Por ai aty për aty ma ktheu:

-Jemi aleatë, oj kokë. Ata që tani që jemi në luftë dhe po na ndihmojnë. Kushedi sa kasa me stërlina u kanë hedhur partizanëve….

E po ndoshta ai si partizan i dinte më mirë se ne të tjerët.

Mirëpo, ky Xhoxhi, kur u bë Sekretar i Komitetit Ekzekutiv, ishte ai që na dërgoi fletët e para të tatimeve.

Shkurt fjala, në çdo qeveri e në çdo sistem, fshatarit i bije të punojë dhe të paguajë.

Filed Under: LETERSI

DEFAKTORIZIMIT I SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË E VERIUT…

June 16, 2025 by s p

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ndodhen ende në një udhëkryq mes kujtesës historike dhe një të ardhmeje që vazhdon të shtyhet, përballë një realiteti ku përfshirja shpesh është më shumë simbolike sesa substanciale. Në këtë kontekst, margjinalizimi institucional dhe zvarritja e proceseve integruese nuk janë thjesht pengesa politike, por shenja të një rendi që synon thellimin e pabarazisë strukturore. 

Prof.dr Skender ASANI

Në hapësirat ku kujtesa kolektive endet mes rrëfimeve të pathëna dhe heshtjeve të institucionalizuara, shqiptarët në pjesën perëndimore të Ballkanit mbeten një popull që vazhdon të dialogojë me kohën  jo si bashkëbisedues të barabartë, por shpesh si palë që ftohet të dëgjojë më shumë sesa të flasë. Historia e tyre është një udhë që përshkon shekujt me barrën e një pritjeje të gjatë, që përherë ka kërkuar një vend mes hijeve të së kaluarës dhe dritës së një të ardhmeje ende të papërcaktuar.

Në periudha të ndryshme të historisë, shqiptarët janë shfaqur si subjektë të një procesi që ka lëvizur ndërmjet përfshirjes së përkohshme dhe përjashtimit të qëndrueshëm. Nga roli i tyre në administratat e mëdha të Perandorisë Osmane, te Lidhja e Prizrenit që për herë të parë artikuloi ndjenjën e përkatësisë së përbashkët politike dhe kulturore, e deri te etapat e mëvonshme ku ndarja territoriale dhe shpërndarja nën pushtete të ndryshme u bë realitet i dhimbshëm, shqiptarët kanë provuar që koha për ta nuk e kishte pas rrjedhën si të popujve të tjerë.

Në shekullin XX, sidomos pas rishkrimit të kufijve pas dy luftërave botërore, përvoja shqiptare u përkufizua përmes dualitetit të dukjes dhe mungesës si qytetarë në formë, por periferikë në substancë. Kjo kontradiktë, që mbështillet shpesh në gjuhë diplomatike dhe premtime integruese, nuk arriti të zhbëjë ndarjen strukturore mes popullsive të barabarta në ligj dhe të pabarabarta në përfaqësim. Rrjedha e kohës, megjithëse mbulohet me formula juridike dhe reforma të shpallura, nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmbysur një rend që funksionon mbi modelin e ruajtjes së status quo-së.

Në realitetin pas Marrëveshjes së Ohrit, retorika e përparimit gradual u bë shpesh një dritë që më shumë verboi sesa ndriçoi. Premtimet për barazi, të shprehura në gjuhë diplomatike, nuk u pasuan me ndryshime të thella strukturore, por me ritme të kontrolluara të përfshirjes. Shqiptarët u bënë pjesë e skenës institucionale, por shpesh si pjesë dekorative të një projekti që e konsideron integrimin si një proces simbolik, e jo transformues.

Në këtë sfond të tensionuar, është e rëndësishme të vihet re se elitat politike maqedonase kanë filluar të veprojnë në mënyrë të koordinuar në disa drejtime që, nëse nuk dekodohen me kujdes, mund të interpretohen si zhvillime të zakonshme politike, por në thelb bartin implikime të thella për arkitekturën e bashkëjetesës. Njëra prej këtyre linjave është përpjekja për të zhbërë, ose së paku për të minimizuar arritjet e shqiptarëve në drejtim të shtetformimit, duke ndalur me metoda të heshtura avancimin e tyre të mëtejshëm në fushat vendimmarrëse të shtetit. Një drejtim tjetër është instrumentalizimi i krizave të brendshme dhe nxjerrja e problemeve të reja politike, për të zvarritur qëllimisht proceset kyçe,  siç çshtë integrimi europian, ku shembull më tipik mbetet vonesa në realizimin e ndryshimeve kushtetuese të dakorduara në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo vonesë nuk është vetëm çështje e politikës së brendshme, por  ajo reflekton një përputhje të heshtur me interesat gjeopolitike të faktorëve që ndikojnë jashtë institucionalitetit europian, veçanërisht me prirjet serbo-ruse që gjejnë rezonancë në disa segmente të elitave maqedonase në pushtet.

Drejtimi i tretë është më i ndërlikuari: përmes defaktorizimit të shqiptarëve dhe margjinalizimit të tyre në jetën publike, krijohet një ambient ku vetë mungesa e alternativave i shtyn individët dhe grupet drejt veprimeve stihike dhe të pa menduara mirë, duke përgatitur terrenin për etiketime që nuk reflektojnë realitetin, por shërbejnë si justifikime për kontroll më të fortë.

Në këtë rrjet kompleks të qëllimeve të kamufluara dhe narrativave të ndërtuara, elitat politike shqiptare përballen me një sfidë të re: të mos bien në grackën e një rendi që kërkon të vendosë kufij të rinj brenda të drejtave të fituara. Në vend të reagimeve të fragmentuara, koha kërkon një qasje të koordinuar  një rezistencë politike dhe institucionale që e ka bazën në vetë frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk përjashton askënd, por reformon shoqërinë përmes barazisë së përbashkët.

Ky projekt nuk bie ndesh me proceset integruese euroatlantike përkundrazi, është i vetmi koncept që siguron që rruga drejt Europës të jetë gjithëpërfshirëse dhe pa tensione të trashëguara. Përmes unitetit dhe një vetëdijeje të kthjellët për domosdoshmërinë e shtetformimit të barabartë, shqiptarët mund të ndërtojnë një model që jo vetëm sfidon margjinalizimin, por e tejkalon atë në mënyrë dinjitoze dhe progresive.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ndodhen ende në një udhëkryq mes kujtesës historike dhe një të ardhmeje që vazhdon të shtyhet, përballë një realiteti ku përfshirja shpesh është më shumë simbolike sesa substanciale. Në këtë kontekst, margjinalizimi institucional dhe zvarritja e proceseve integruese nuk janë thjesht pengesa politike, por shenja të një rendi që synon thellimin e pabarazisë strukturore. Përballë kësaj, kërkohet një vetëdije e re politike dhe një veprim i koordinuar nga elitat shqiptare, që ta shndërrojnë pjesëmarrjen në mekanizëm të vërtetë ndikimi, duke ndërtuar një model shtetformimi të barabartë, që jo vetëm sfidon status quo-në, por hap perspektivën për një të ardhme të përbashkët dhe të drejtë.

Nëse koha vazhdon të ngurojë, atëherë mbetet mbi ndërgjegjen e brezit të sotëm barra për të mos qenë më pritës pasivë, por subjekt aktivë të një drejtimi të ri. Jo përmes konfrontimit, por përmes ripozicionimit strategjik që i rikthen shqiptarët nga periferi e pjesëmarrjes simbolike në boshtin e barazisë substanciale. Kjo nuk kërkon thirrje të mëdha, por hapa të qartë dhe të koordinuar që e rishkruajnë marrëdhënien me shtetin  jo si dorëzim ndaj një rendi të dhënë, por si projektim i një vizioni të përbashkët. Sepse ndërtimi i së ardhmes nuk është vetëm çështje kohe – është akt vullneti, përgjegjësie dhe guximi për ta tejkaluar heshtjen me mendje të kthjellët dhe qëllim të përbashkët.

Filed Under: Rajon

Vatra Chicago organizoi turneun e futbollit për fëmijët shqiptarë në Chicago

June 16, 2025 by s p

Disa pamje nga Soccer Tournament 2025 e cila u organizua nga Vatra Chicago më 15 Qershor. Një falenderim i veçantë i drejtohet Qëndrës Kulturore Shqiptare për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre që ky event të dilte sa më i sukseshëm. Gjithashtu vlen për tu përmendur dhe falenderuar të gjithë sponsorizuesit tanë të cilët ndihmuan financiarisht në realizimin e një aktiviteti të tillë me përmasa të mëdha duke marrë parasysh pjesëmarrjen masive këtë rradhë. Ata janë Z. Arlind Peci, Z. Albion Gjinika, Zj. Manuela Papazisi, Z. Elvis Aga, Z. Ilir Numani, Z. Bashkim Arifi, Z. Lul Doçi, Z. Toni Abazi, Z. Klajdi Duka. Sporti i ka bashkuar njerëzit ndër shekuj ashtu siç na bashkoi dhe ne sot si shqiptarë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Loja u organizua në disa skuadra fëmijësh sipas grup moshave të ndryshme. Nga Michigan kishin ardhur dy skuadra të tjera për të luajtur me fëmijët shqiptarë të Illinois të cilët mbi të gjitha u larguan me fitore dhe morën me vete 3 kupa, atë të skuadrës fituese, lojtarit më të mirë si dhe golshënuesit më të mirë. Çfarë e bëri këtë event edhe më të veçantë ishte pjesëmarrja si e ftuar nderi e futbollistes së shquar Riga Kallaba të cilën patën rastin ta takojnë dhe të marrin autografe shumë fëmijë. Riga jo vetëm që luan për kombëtaren e femrave të Kosovës por kohët e fundit është shpallur lojtarja më e mirë për Chicago dhe gjithë Illinois. Pas lojës u realizua një piknik i vogël me muzikë dhe ushqime të shumëllojshme për të gjithë të pranishmit. Lojtarëve ju dhuruan kostumet e sportit së bashku me një çantë dhe një pagure uji. Shpresojmë që tournament i ardhshëm të jetë akoma më madhështor.

Filed Under: Sport

AULONA INTER FOLK FESTIVAL 2025

June 16, 2025 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Një oaz kulturor dhe artistik në zemër të Vlorës.

Në qytetin ku flamuri i pavarësisë u ngrit për herë të parë, sërish ngrihen flamuj mes duarve të artit ndërkombëtar, kulturës dhe mikpritjes, një altar ku bota festoi pa kufij tingujt e një dashurie të përbashkët për trashëgiminë shpirtërore. Vlora nuk është më thjesht një qytet bregdetar apo një destinacion turistik, ajo është bërë tempulli i kulturës, një altar i gjallë i artit shqiptar dhe ndërkombëtar, zemra rrahëse e një mozaiku që nuk hesht kurrë. Rrugët e saj ndizen nga ritmet e daulleve instrumenteve të tjera muzikore nga ngjyrat vezulluese të kostumeve popullore që vijnë nga viset e Ballkanit dhe Europës, duke e shndërruar këtë qytet në një skenë të hapur, ku çdo hap është një valle dhe çdo zë – një këngë që flet gjuhën e shpirtit.

Atmosfera e Aulona Inter Folk Festival ka pushtuar gjithçka me gjallërinë e brezave që trashëgojnë dhe përcjellin historinë përmes artit. Në mes të kësaj pasurie shpirtërore, doli në pah thesari ynë lab: “Thesaret Labe”. Një magji që nuk flet vetëm për kostume apo valle, por për identitetin tonë të thellë, të gdhendur në shekuj. Një simfoni ngjyrash tradicionale, një mozaik emocionesh që festojnë trashëgiminë dhe rrënjët tona të përbashkëta, në këtë atmosferë të paharrueshme! Vlora festoi kulturën, traditën dhe muzikën nën një qiell që kumboi me tinguj nga e gjithë bota!

Në qendër të Vlorës historike, aty ku Sahati sheh kohët të kalojnë, me disa nga grupet pjesëmarrëse nisën performancat e Aulona Folk Festival, edicioni i 17-të. Tingujt e traditës pushtuan natën, sahati rrihte në ritmin e valles dhe folklori ndizej si flakë e gjallë nëpër rrugët e qytetit. Kur ritmi i botës flet me gjuhën e këngës dhe valles, Vlora shndërrohet në një tempull të shenjtë të artit ndërkombëtar. Në këtë edicion hapja e festivalit do të bëhej ndryshe, në një mjedis krejt të transformuar e të kuruar hijshëm, në Sheshin e madh përpara godinës historike të Bashkisë së Vlorës.

Në mjediset e Bashkisë u bë edhe pritja zyrtare e përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse nga kryetari i Bashkisë së Vlorës. Dhe kur mikpritja merr shpirt dhe jo vetëm formë institucionale, bëhet dhuratë – siç ndodhi kur Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Ermal Dredha, mirëpriti këtë mozaik kulturash me një ceremoni dinjitoze, ku secili simbol u bë urë miqësie dhe çdo buzëqeshje u kthye në premtim për të ardhmen, duke u bërë pjesë e shpirtit të festivalit, që ngritën Vlorën lart në skenën ndërkombëtare të kulturës.

Në shesh vallja pushtoi çdo cep të hapësirës nga ku Ansambli “Dropulli” me vallet dhe kostumet e tyre tërë dritë feksin mes grupeve e kostumeve të shumëllojshme, ardhur nga vende të ndryshme të Europës. E më pas vallja rrathë-rrathë ja le vendin forografisë së përbashkët të të gjithë festivalistëve. Me nderimin që Festivali u bëri burrave të Kombit në Sheshin Historik të Flamurit me paradën e kostumeve me ngjyra të larmishme, në Bulevardin “Ismail Qemali”, me performancat në miediset e hapura e kudo në rrugë e trotuare, duke e mbushur qytetin me ritme vallesh, që i dhanë Vlorës një atmosferë festive, si dhe duke i shtuar edhe më shumë bukurinë dhe magjinë që natyra i ka dhënë me shumë dashuri, pasi folku mbart dhe sjell kudo që shkon bukurinë e artit bio, artistët e mjeshtrat e papërsërtshëm popullorë me talentin, energjinë, emocionet dhe vlerat e mëdha.

Në këtë mrekulli, një emër qëndroi si simbol frymëzimi: Sejmen Gjokoli, “Mjeshtër i Madh”, shpirt i gjallë i festivalit që nuk kishte kombësi – vetëm ritëm, dashuri dhe shpirt artistik. Në mbrëmjen e parë, folklori mori jetë mes dritash e ritmesh që shpërthenin nga zemra e publikut, dhe zërash që u ngjitën lart si flutura të gjalla nën qiellin e Vlorës së lashtë. Brigjet e Jonit nuk i lagte vetëm deti, por edhe tingujt, vallet dhe ngjyrat e shpirtit njerëzor, të sjella nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Polonia, Sllovakia, Gjeorgjia e Ukraina. Në Resortin “Bojo”, aty ku deti puth horizontin dhe era flet në gjuhën e verës, “Alona Festival” shpërtheu si një ylber emocionesh mbi bregdetin magjik të Vlorës.

Mes tingujve që vallëzojnë mbi valë dhe shpirtit që digjet nga pasioni, festivalistët tanë të zjarrtë u bënë njësh me ritmin, dritën dhe dashurinë që shkruhet në rërë e nuk harrohet kurrë, në çdo zemër ku drita dhe muzika flasin të njëjtën gjuhë. Ky ishte më shumë se një event – ishte një jehonë emocionesh që u përhap në sheshe dhe u ruajt në kujtesën e zemrave. Ishte një përulje e hijshme ndaj historisë, një përqafim i gjallë i të tashmes dhe një dritë e ndezur për të nesërmen. Në çdo hap – trashëgimia që nuk shuhet, por rritet. Kjo është Vlora – aty ku kultura nuk njeh kufij, ku festa flet në çdo gjuhë, dhe ku arti bëhet frymë që bashkon botën. Nga rrugët plot jetë e sheshet magjepsëse të qytetit, deri në sheshin përpara Stadiumit “Flamurtari”, Vlora u bë sërish kryeqyteti i folklorit ndërkombëtar.

Një maratonë katërditore, ku kultura, historia dhe krenaria shqiptare vallëzuan bashkë – përtej kufijve dhe kohës. Në një qytet ku muzika duket se buron vetë nga gurët dhe era, ky festival u bë një poezi që nuk shkruhet me fjalë, por me hapa vallesh, me tinguj që s’mund të përkufizohen, veç të ndihen, me trupat që bëheshin urë mes kombeve, duke treguar histori që asnjë fjalor s’i përkthen dot. Me këtë shkëlqim kulturor, me zemrën në valle dhe shpirtin në këngë, festa vazhdoi përpara Stadiumit – aty ku emocionet shpërthyen si fishekzjarrë folklorikë! Ky ishte një dialog mes popujve, një shfaqje e ngrohtësisë njerëzore në gjuhën më universale që kemi: artin.

“Aulona Inter Folk Festival” – në kuadër të sezonit turistik “Vlora 2025”, erdhi nën kujdesin e Bashkisë Vlorë, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, pasqyrimin mediatik të RTSH-së, kamera e Televizionit “Kultura Shqiptare”, ACTV nga Amerika, për të ndjerë dhe përçuar jo vetëm pamjet, por edhe melodinë e shpirtit të këtij festivali, drejt çdo ekrani ku malli për atdheun frymon.
Katër netë magjike, të mbushura me këngë, valle dhe traditë u fokusuan edhe nga syri magjik i artistit Shpejtim Krasniqi, që kishte ardhur enkas nga Zvicra për të kapur e përcjellë shpirtin e këtij festivali.
Në çdo hap, në çdo tingull, në çdo ngjyrë – Vlora u vesh me petkun e festës dhe shkëlqeu.
Nga rrugët që pulsonin me ritmin e këngëve e valleve, deri te Bashkia që u kthye në një tempull të mikpritjes dhe kulturës, qyteti përqafoi botën me zemër të hapur.
Nga Shqipëria në Ukrainë, nga Kosova në Gjeorgji, përfaqësues të vendeve mike sollën në Vlorë thesaret shpirtërore të popujve të tyre – një mozaik shumëngjyrësh që i këndoi paqes, bashkimit dhe dashurisë për traditën.
“Aulona Interfolk Festival” është një ngjarje e rëndësishme në kalendarin kulturor të Shqipërisë dhe një shembull i mirë për krijimin e një marke të fortë të turizmit kulturor shqiptar.
Në natën finale, ku yjet zbritën mbi skenë dhe ritmi u shndërrua në një gjuhë universale, qyteti i Vlorës u kthye në një altar të shenjtë të artit. Aty, çdo hap vallëzimi, çdo tingull, çdo kostum – një mozaik shpirti i thurur nga duart e së kaluarës dhe i lartësuar nga drita e trashëgimisë sonë – u bë urë mes popujve dhe zemrave.
Vlora nuk ishte thjesht pritëse për turistë – ajo ishte skena, aktorja dhe spektatorja, një qytet që të fton të bëhesh bashkëkrijues i magjisë.
Një qytet ku kultura është identitet, jo zbukurim sezonal. Ku arti është një festë që nuk mbaron kurrë.
Kur dritat ndizen e zemrat rrahin në ritmin e shpirtit shqiptar, “Hëna Flori” zbret nga qielli për të ndriçuar skenën me magjinë e saj. Dy zëra që shkëlqejnë si yje, Rovena Ibrahimi dhe Lina Rrustemi, na dhuruan një premierë që përjetohet me çdo frymëmarrje.
Të shoqëruara nga hapat fluturues të Ansamblit “Krahu i Shqiponjës – Taip Madani” Vlorë, kënga u bë vallëzim, u bë emocion, u bë festë.
Në dritën e mbrëmjes vlonjate, nën tingujt që burojnë nga rrënjët më të thella të shpirtit shqiptar, u ngjit në skenën e “Aulona Festival” një bashkim që tejkalon kufijtë: “Kënga që bashkon”, një thirrje e përmallshme dhe krenare që na rikthen te rrënjët, ku çdo tingull mban në vete kujtimin dhe përqafimin e vendlindjes.
Me zërin e ngrohtë dhe plot shpirt të këngëtares së mrekullueshme Ludmilla Baballeku, fuqinë rrënjësore të rapsodit të shquar Viktor Paloka,”Mjeshtër i Madh” dhe me elegancën e gjallë të Ansamblit “Prishtina” nga Kosova, kjo këngë u shndërrua në një urë zemrash, gjuhësh dhe kujtimesh.
Magjia e folklorit të mrekullueshëm që shpalosi Ansambli “Kolkhida” nga Gjeorgjia, shkëlqeu në skenën e “Aulona Inter Folk Festival” dhe rrëmbeu Kupën e edicionit të XVII-të, duke mahnitur publikun me energjinë, elegancën dhe shpirtin artistik.
Trofeu iu dorëzua mes duartrokitjesh nga vetë Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Ermal Dredha.
Fitorja e grupit gjeorgjian ishte më shumë se një çmim – ishte një shpërthim i bukurisë universale, ishte një bekim për kulturën, një vulë krenarie dhe mirënjohjeje për një qytet që frymon me artin.
Ishte çasti kur një qytet tha: “Arti është jeta jonë”. Një çast që flet më shumë se fjalët, që ndizet si një flakadan shprese dhe bukurie në historinë kulturore të qytetit të Vlorës.
Skena nuk u ndriçua vetëm nga dritat, por nga një emocion i pastër, që përshkoi të gjithë auditorin si një valë.
Prapa skenës gjigande, para Stadiumit “Flamurtari” binin në sy “ethet e bukura” të organizimit, angazhimi i stafit të palodhur të “Aulona Inter Folk Festival”, si dhe përkushtimi i regjisorit të qindra veprimtarive artistike z. Llesh Nikolla “Mjeshtër i Madh”, me një eksperiencë të jashtëzakonshme në RTSH.
Moderatorja me hijeshi, Afërdita Krasniqi nuk ishte thjesht prezantuese, ajo u shndërrua në dritë, në emocion, në fjalë që prekin shpirtin.
Nisur nga natyra dhe përmasat e Festivalit, ai mbetet krejt i veçantë, mbasi për të 17-in vit radhazi, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por edhe për trojet shqiptare, mbahet një aktivitet kaq i rëndësishëm i folklorit në nivel evropian dhe botëror.
Sigurisht që mbështetja e donatorëvë meriton një falenderim të veçantë.
Aulona Inter Folk Festival është tashmë më shumë se një festival – është një premtim që do të rikthehet çdo maj, si një stinë dashurie dhe arti që nuk shuhet kurrë.
“Regina Garden” u kthye në një altar nderimi për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore, si dëshmi e përkushtimit ndaj identitetit dhe traditave tona.
Në këtë mbrëmje post-festivali, emocionet shpërthyen si fishekzjarrë që ndezën atmosferën!
Vlerësimet e ndërsjella, fjalët e ngrohta dhe surprizat e ndjera u shndërruan në vargje poetike të një mozaiku të rrallë ndërkulturor.
Por kulmi i kësaj nate ishte mirënjohja dhe respekti për një emër që ka shkruar me pasion historinë e këtij festivali: “Mjeshtri i Madh” Sejmen Gjokoli – njeriu që mbolli farën e kësaj ëndrre dhe e ktheu në një lis të fuqishëm që bashkon botën përmes valles dhe këngës.
Për të 17-in vit, “Aulona Inter Folk Festival” nuk ishte një event – ishte një besëlidhje shpirtërore, një vallëzim kujtimesh që do të jetojë gjatë në melodinë e zemrave tona, me urimin mirupafshim, deri në takimin tjetër, ku ritmet e lashta do të zgjojnë sërish qytetin e Vlorës.
Gëzuar të gjithë atyre që vallëzojnë për paqe, për identitet dhe për dashuri njerëzore.
Gëzuar artin që bashkon Botën!

Filed Under: Kulture

Rrëfenjë vere me shkrimtarë e bija

June 15, 2025 by s p

Romelda Bozhani/

In memoriam, Naum Prifti (1932-2023)

Kjo është histori sëndukësh. Me jetë njerëzish që i përkasin së shkuarës e më nuk janë parë. Me njerëz që jetojnë ende e në emër po të së shkuarës kërkohen, gjenden e i japin vulë dashurie kësaj bote të madhe. Sot e kësaj dite, ca këndej e ca andej. Domethënë, të parët janë endur mes Shqipërisë dhe botës, të dytët vazhdojnë të enden mes botës dhe Shqipërisë.

Si copëz e një jete të kaluar erdhi edhe Ela tek unë. Më shkroi, fillimisht, nga përtej Oqeanit Atlantik. Më kërkoi, më gjeti. Kishte përcjellë pa kthim të atin, Naum Priftin, i kishte hapur sëndukun dhe ashtu, pa bërë zhurmë, kishte filluar të ndërtonte jetën e tij.

Më erdhi ndër mend Marguerite Yourcenar, si përqasje. Pika e përbashkët me Elën: kurioziteti si formë e parë e njohjes. E para gërmoi në themele, ndërtoi jetën e një perandori të madh romak, Adrianit, e u bë shkrimtare. E dyta, shkoi deri në themele, bashkoi pjesët e jetës së atit shkrimtar dhe u bë përfundimisht bijë, për të ruajtur përjetë kujtimet e tij.

“Sot, në albumin e shtëpisë, gjeta një fotografi të babait, që ka dalë me ju. I përket vitit 2000. Mendova t’ju kontaktoja nëse e doni si kujtim. Me të mira, Rafaela”. Ja, kështu më shkruante. Unë e kisha harruar portretin i atij burri të butë, që mirësinë e gëzimin nuk ia fshihnin as syzet e trasha e me skelet të errët, siç më ishte shfaqur herën e fundit, as ikja nga atdheu, që, pashmangshmërisht, seç të jep një çehre tjetër. Ishim takuar në Tiranë, shumë vite më parë dhe përdorëm ca fjalë të përbashkëta, si: letërsi, libër, shkrime e kështu u puqëm me lehtësinë e dy njerëzve që s’takohen rastësisht. Ai, shkrimtari dhe unë, gazetarja, që e intervistonte. Ai me dhjetëra e qindra libra të lexuar e të shkruar, unë sapo merrja këmbët për një udhë të gjatë. Naumi jetonte në Amerikë atëherë. Domethënë, kalvarin me burokracinë, me spiunazhin, komunizmin, censurën dhe autocensurën, o e kishte kaluar, o e kishte bërë dordolec të jetës së vet. Qe bërë pjesë e shqiptarëve të Vatrës qysh në vitin 1992, ku u zgjodh më pas edhe Sekretar i saj. Më në fund, po fillonte një jetë të re, jetën e atit të tij Rafaelit, lënë përgjysmë atje, në tokën e largët. Por, njerëzori tek ai vazhdonte të ishte i përhershëm dhe i gjithëpushtetshëm. Arrinte të përqendrohej me përulësi edhe te unë, vajzukja, që më drejtohej me “ju” dhe m’i botonte me entuziazëm shkrimet në gazetat shqiptaro-amerikane të asokohe.

Në të vërtetë, ato gazeta, të botuara në gjuhën tonë në një tokë të huaj, kanë mbetur edhe sot e kësaj dite. Ndoshta ky është hendeku i madh, që i ndan nga shtypi shqiptar, botuar në mëmëdhe, ku gazetat vdesin dhe lindin brenda ditës, pa patur mundësi të krijojnë atë element pjekurie të domosdoshëm, që quhet traditë. Këtë reflektim e bëj sot; atëherë rrihja në të tjera gozhdë.

Kalojnë muaj distilimi. Tek-tuk, mesazhe e informacione nga veprimtaria postume e të atit. Pastaj, Ela, sërish si mesazh: “Përshëndetje nga Vlora, sot në Bibliotekën Kombëtare, në Tiranë, u çel ekspozita për një-vjetorin e babit. Të përqafoj”.

Befasi vere. Edhe unë ndodhesha në Vlorë. Takohemi? Patjetër! A mund të mos pranohet një kurorëzim i tillë?! Ajo nga Amerika, unë nga Italia, Vlora në mes, udhë-lidhëse, pistë vallëzimi ku kërcen nostalgjia, fushë ku lulëzojnë njohje e dashuri të reja. Ja, kështu, pykë në diell, mendja e një të malluari. Rastësisht, zgjedh si pikë takimi, një lokal me emrin “Bonopart”, që s’di pse e pagëzoj te “Napoleoni”. Më duket më familjar emri i atij burri, që në atdheun e vet është harruar me kohë e vakt, ndërsa në të timin, zbukuron tavanin dhe muret e një lokali, ashtu, kryelartë, i hipur mbi Marengon, kalin e tij guximtar, që, këtu, flokët ia merr një erë artistike.

Bënte vapë në Vlorë. E ndizte akoma më shumë betoni. “Përvëlimi është i pamëshirshëm, por dëshira jonë për t’u parë, mund të jetë edhe më e fortë”, sërish Ela. Kur e njoha më vonë, kuptova që ishte mësuar me të tilla nënshtresa mendimi. E gjithë vera ishte përqendruar në shëtitoren e re, të quajtur “Lungo Mare”, vulë e huaj emri, që s’jep vlera të vërteta, por vetëm fryrje e mendjemadhësi, kurorë me drita të ndezura në një kokë të shogët. Rruga e gjerë, e shtruar bukur, me viza të bardha, me ishuj qetësie, pa gropa varfërie. Trotuaret e zhveshura ndillnin diellin, stolat rokoko ndillnin njerëzit, palmat e pemët e reja vënë si ushtarë vetmitarë e vigjilentë në rrugë, përpara lokaleve dhe restoranteve, që natës i japin jetë. E kaluara dukej e lënë pas krahëve. Kjo frymëmarrje tjetër, prej vendi normal, të qetë, me qejfe të lehta, me njerëz të bukur, të shpie larg plumbave, luftës, mungesës së dritave, të ujit, vdekjes së një qyteti, agonisë së një atdheu, që, ne, për dreq, e kemi jetuar. Dhe kjo ishte pardje. Të shpinte edhe larg pluhurit e poteres së vinçave, makinave të betonit, llaçit, përplasjes së gurëve, zbrazjes së maleve, të viteve të shkuara, që të shpinin në Saharanë afrikane me pluhur të kuq e natë sterrë të zezë. Dhe kjo ishte dje.

Ndërsa sot, bregu i ri, ngjeshur nguc me atë të vjetrin, mbledh, dëfren, habit, çlodh e ngazëllen njerëz që Shqipërinë e kanë tokë e shtëpi, por edhe të tjerë që këtë tokë e ndiejnë tashmë si atdhe të dytë. Ata s’harrojnë, i kthejnë kryet herë-herë, duke e prekur shkarazi, duke ëndërruar frymëmarrjen e tij.

Thonë se i kthen dashuria, hija e të parëve, gjuha, thinjat e nënës, pengu i babës. Pritja e pafund e një motre, që të dërgon fotografi me pamje deti, me atë det që ti e le, që s’e ke më, që e ëndërron dhe e kujton me cepin e çdo shqise tënde; është kënga e sirenës, që duhet t’i rezistosh. Shkurt, kthimin e pashmangshëm, në këtë tokën tonë të pashmangshme, e kemi të siguruar edhe për ndonjë brez tjetër. Më vonë, s’dihet se si do t’i vejë halli kësaj forcës sonë të rëndesës. Po kjo i përket së ardhmes. Të tashmes i përket sërish ikja e dritave, që herë pas here na kthen në kaose të njohura. Jeta e një qyteti zvarritet. Vjen zëri i Elës. “Jam këtu.. s’ka drita….as kafe, por ka kasata, që të kujtojnë fëmijërinë…” Ngatërresë e rrëmujshme në morinë e heshtur të lokaleve, që dritat dhe llambushkat t’i premtojnë si shumësi argëtimi.

Vazhdon çasti ynë, që shtyhet sa te “Napoleoni” te “Korali”, te kjo rrugë e tek ai lokal dhe mbetet peng i ndonjë gjeneratori me zhurmë, si kafshë gllabëruese. Ne e durojmë me stoicizëm, si dikur, kur gjeneratori edhe na ngrohte. Atëherë kur mjaftoheshim të gjerbnim një kafe, pak nga pak, nga një mik në tjetrin, nga një bisedë në tjetrën.

Ela, i ngjet të atit. Flet me zë të shtruar, sikur tregon rrëfenja, nga ato që ka shkruar babai i saj tërë jetën. Teksa ha kasatën, mollëzat e kërcyera i kërcejnë edhe më shumë e zërit i shton ngjyrat lozonjare të gruas. Shkon me rrëfime, në mënyrë jo lineare, sa te xhaxhallarët amerikanë, nga Piteri, xhaxhai i saj i dashur, edhe ai studiues me zë i shqipes dhe shqiptarisë, aq edhe tek i ati, që, derisa vdiq, ndihej kolonjar e lushnjar. Sepse Divjaka dhe jeta e thjeshtë e priti kur partia vendosi ta dënonte, por shkrimtari, deri në fund, u ndie më i madh se aq; ishte ndier gjithkund si “një copë Shqipërie”.

Në takimin përkujtimor të vdekjes së Naumit, miqtë, krahas shkrimtarit, lëvduan edhe njeriun, se i qeshi buza ngado që shkoi. Krahas njeriut, lëvdojnë edhe shkrimtarin se i lëvroi pena në të gjitha fushat e mundshme: letërsi, gazetari, kritikë, studime, kinematografi, dramaturgji, përkthim.

Në dokumentarin “Amaneti i Naum Priftit” shfaqur pas vdekjes së tij, në emisionin “Profil” në “Euro News”, me të njëjtin zë si Ela, motra e saj e madhe, Julika, tregonte përrallën e “Pikës së Ujit”. Dhe buza i qeshte. Se i ati ka shkruar edhe dhjetëra përralla e libra për fëmijë, për bijat, për Cikon e Benin, një libër që s’ka mbetur i madh e i vogël pa e lexuar në kohë të tjera.

Miqtë e penës e quajnë “mjeshtër të prozës së shkurtër”. Ka shkruar për kombin, njeriun e ri, të vjetrin, “njeriun e shekullit të njëzetë”, njeriun e dobët, të fortë, me cene, pa cene, “njeriun midis dy kohësh”, domethënë, është përpjekur të njohë “njeriun e kësaj toke”, me gjithë dritëhijet e tij. Ka shkruar për heronjtë me krena e pa krena, për Skënderbeun, për mitet, legjendat e vjetra e të reja, siç është teatri dhe institucionet e tjera kulturore në kohë krizash, etj.

Një kritik letrar, e quan “kristal të vogël në gjerdanin e letërsisë shqipe” dhe ky kristal është përkthyer e ripërkthyer në disa gjuhë të huaja me abetaren e shqipes, libra për fëmijë, për të rritur e me traktatet e tij politiko-shoqërore.

Dikush që vjen nga thellësia e viteve, qan “shkrimtarin” e Divjakës, mësuesin e të thjeshtëve që i deshi aq shumë, lëvruesin e tregimeve për fshatin, gdhendësin e karaktereve, që marrin “erë fushe e mali”, përçuesin e humorit dhe ironisë së atyre që të mësojnë më mirë se kushdo tjetër të përditshmen, tokën, bukën.

Kineastët sjellin kontributin e tij edhe në kinematografinë shqiptare, atëherë kur filmi shqiptar prodhohej nga mjeshtër e luhej nga zotër. Skenarist i filmit “Kush vdes në këmbë”, nga një tregim i tij është marrë “Pylli i lirisë”, bashkë-skenarist i filmit “Era e ngrohtë e thellësive” etj. Në dramaturgji mund të përmenden: “Plumbat e shkronjave”, “Rrethimi i bardhë” që i kushtoi katër vjet riedukim, degdisur në fushat e kodrat e Shqipërisë, që ai i gdhendi më pas në veprat e tij. Këto janë disa nga punët, që e lidhën Naumin, jetë e mot, në mënyrë të pazgjidhshme, me miq e me kolegë artistë.

Ndërsa unë kujtoj edhe përkthyesin. Në kohë të vona, ka sjellë në shqip edhe ca perla të letërsisë botërore. Të famshmin “Princ i vogël” të Antoine de Saint-Exupéry, apo edhe një libër tjetër, që mua (ose jo vetëm mua, ku i dihet?!), më ka shpëtuar jetën dhe mendjen.

Atë kohë në botën e madhe bëhej luftë. Edhe në botën tonë të vogël, bëhej luftë. Ishte viti 1998. Një re e madhe, ngarkuar me zjarr e hekur, zvarritej shëmtuar qysh nga ’97-a, viti që rrënoi e bëri shkrumb e hi çdo cep Shqipërie. Anarkinë, armët, dhunën, rrugët me plumba, makinat plot me gangsterë, unë i mbyta në tri ditë, duke lexuar, mbyllur në kuvlinë time, “Gjigandi i madh i mirë” shkruar mjeshtërisht nga Roald Dahl e përkthyer po aq mjeshtërisht nga Naum Prifti. Këtë libër e deshëm shumë, ndoshta, sepse, GJMM-ja, ishte i vetmi gjigand, që mund t’u bënte ballë çapaçulëve, atyre që mbushnin cytas rrugët tona të shkatërruara. U jam mirënjohëse, sot e kësaj dite të dyve, shkrimtarit dhe përkthyesit, që luftën përtej ma shtynë edhe më përtej.

Diku, Naumi shkruante “për një lis të moçëm dhe të fortë“. Ndoshta në mendje i kishte hyrë tinëz hiperbola e hijes së lisit, hija e një shtylle, që ngjet me hijen e përbotshme që lë pas shkrimtari. Më shumë se njëqind librat e botuar në të gjallë, na tregojnë se Naumi ka shkruar për çdokënd që ka takuar. Ka qenë e mbushur me dashuri jeta e tij e gjatë; ka vrojtuar, vëzhguar, skicuar, mbushur me brumë njerëzor dhe i ka ngjizur në libra; me dashurinë e të tjerëve, atyre njerëzve që i hasi një çast dhe më s’i la, të të bijave, që sot e kësaj dite i plotësojnë një nga një amanetet. Ai i fundit ishte më i vështiri se donte t’i rrokte të gjitha dashuritë: “Ma digjni trupin dhe hirin ma hidhni, gjysmën në Shqipëri, gjysmën në Amerikë“. Tha këtë dhe me qetësi të madhe u bë gati për udhëtimin e fundit e të pakthim. Tashmë trupi i endet si ajër, si re, si erë deti a parfum thellësish. Ndërsa këmba do t’i zërë dhe veçanërisht në mendjen e zemrën e të bijave, të vetmit njerëz, që s’arritën dot ta ndajnë shkrimtarin nga njeriu. Kështu, thotë Ela dhe buzëqesh. Asnjë hije tek ajo. Ndoshta forca ia ka gjetur vendin dhembjes.

Mes dhembjes prindër-bij, nostalgjisë nuk i gjenden më rrënjët, i shihen vetëm degët dhe foleja e ngazëllimit për një jetë, që dikur ka qenë e jotja, po që sot është e bijve.

Në fund të fundit, diçka ka mbetur e paprekur: jeta jote është po ai xhep i vogël, që askush nuk e ka parë e vazhdon të mbetet i fshehtë. Aty ke futur gjithçka: edhe zemrën, edhe krahët e tu të prerë, edhe bijtë, edhe dashurinë që ke mbjellë e që e lë pas si farë që ka zënë. Kësaj i thonë të vdesësh bukur. Ndoshta, edhe ky është një amanet, nga ata të pathënët. Se jeta dhe vdekja janë art më vete e shkrimtarët na ndihin t’i lidhim si pika nevralgjike e universale. Ndaj i duam, ndaj dhe bëhen shtylla.

Një tjetër shtyllë ra sot. Një tjetër vdekje shkrimtari na prek, këtë verë, kur mendimi s’bindet e bymehet.

“Kadare, priti të vije ti, pastaj dha shpirt”, më shkruan një mik imi i vjetër. Ai e di që më pëlqejnë rrëfenjat me shkrimtarë. Përjetoj dhimbshëm fundin e një epoke. Funerale, nderime, çnderime, koha e ndarë më dysh, njerëzit që kujtojnë, njerëzit që përloten, njerëzit që harrojnë. Ngatërrohemi si përherë me vlerat, antivlerat dhe i nxehti s’ka lidhje. Mendjen na e koklavisin ca fije të padukshme, endur rrëmujshëm në një tezgjah të vjetër, hedhur pa kujdes në një cep të parëndësishëm të dhomës. Ne, muzetë, i ndërtojmë në kokë. Në majë të piramidës vazhdojmë të vendosim udhëheqës, diktatorë e luftënxitës dhe çuditemi kur bazat e shoqërisë shemben e na zënë poshtë. Edhe Kadare, mjeshtri i dritës në kohë skëterre, e mbylli rrethin e tij. Një tjetër bije i takon të hapë sëndukun e të atit e t’i ndërtojë jetën si kujtim të përjetshëm.

Unë, në shenjë zie për shkrimtarët, u lexoj e u rilexoj librat, edhe pse koha ime bashkohet me padurimin e dy fëmijëve apo me një ndjenjë të përjetshme faji, që shkronjat, si gjithmonë, triumfojnë mbi çdo gjë tjetër, që e lë pas dore. Bien pikiatë çastet nga qielli në tokë e ulen këmbëkryq mbi rërë, mbi gurë, mbi ca syze dielli të humbura s’dihet se ku, mbi librat e shumtë, si dikur në kohë përtace, kosha plehrash të mbushura cing me copëza qytetërimesh tretur keq, mbi fjalë të shqiptuara shtrembër, në mënyrë qesharake e patetike. Lëvrijnë në bark ca ndjenja, në dukje të harruara, që me kohë ti i thërret si të tjerët, si ata që s’i kanë jetuar, nuk i kanë prekur, por të kanë përfytyruar veç mish, gjak, rrahje pulsi dhe kaq.

Fund pushimesh. Në valixhe, lë një shtëpi, mbart një shtëpi tjetër. Ndjen që je bërë njësh me njerëzit, me mallin, detin. Por, çasti i fundit i përket qytetit. Në këtë orë, qyteti është i tejngopur me gjallëri. I sapozgjuar, zakonisht, është i plogësht, me diell, përton. Fillon të lëvizë më pas, nxehet nga afshi i vet, nga afshi i të tjerëve. Dielli s’kupton, si mospërfillja e atyre që jetojnë dhe e prekin qytetin çdo ditë. Ata të tjerët, të ardhurit, të largëtit, ngjeshin të shkuarën, të tashmen, të ardhmen në një pikë kafeje dhe e rrufisin si mendim i përqendruar në kokë. Kërkojnë miqtë: të vjetër e të rinj; humbasin në përfytyrime si do të kish qenë një jetë ndryshe, e paprerë nga thika e kohës, nga vula e çmendurisë kolektive. Pafuqia e peshkut që përpëlitet pa ujë, dhemb ende. Të gjitha këto, i përkasin nënshtresave, thellësisë. Qyteti, edhe atje poshtë, jeton, edhe pse, herë pas here, kërkon të degdiset. Fushave, maleve, në ato brigje të ngucura e të thepisura të një deti, që s’e gjen më veten në fantazinë njerëzore. Qyteti shkon gjetiu, qyteti përgjumet. Është natë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT