• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

NYPD Honors Albanian-American Police Officer for Heroism

June 13, 2025 by s p

The New York City Police Department (NYPD) has awarded Officer Vlora Gjeka the Police Combat Cross, its second-highest honor for bravery in the line of duty, recognizing her extraordinary heroism during a life-threatening off-duty incident.

Officer Gjeka, a proud Albanian-American with roots in Gjakova, displayed exceptional courage while intervening in an armed confrontation alongside Officer Michael Saline. Their swift response helped neutralize a deadly threat, protected innocent bystanders, and exemplified the core values of law enforcement: courage, integrity, and duty.

Officer Saline, of Italian-Calabrian background, also expressed pride in his Albanian heritage, underscoring the strong cultural ties that unite diverse communities in service and sacrifice.

The American Albanian Law Enforcement Association (AALEA) applauds this well-deserved recognition and calls on the Albanian-American community and all supporters of law enforcement to stand proud and celebrate this historic achievement.

This moment marks a milestone not only for Officer Gjeka and her family but for all Albanian-Americans who serve with honor across the United States.

Filed Under: Komunitet

26 VJETORI I ÇLIRIMIT TË KOSOVËS, VATRA TELEGRAM URIMI

June 12, 2025 by s p

New York, 12 Qershor 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra me krenari dhe emocion të veçantë uron mbarë popullin e Kosovës, klasën politike, miqtë e aleatët e kombit tonë me rastin e 26 vjetorit të çlirimit nga okupatori kriminal serb.

Në këtë ditë të veçantë të historisë kombëtare e krenarisë sonë të përbashkët përkujtojmë me përulje, nderim e respekt duke shprehur mirënjohjen e përjetshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, NATO-s, komandantin legjendar Adem Jashari, luftëtarëve e çlirimtarëve, martirëve e dëshmorëve të lirisë, presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, batalionin Atlantiku, mërgatën shqiptaro-amerikane, aleatët perëndimorë e çdo shqiptar që ka dhënë kontribut për çlirimin, zhvillimin, lirinë dhe konsolidimin e Kosovës.

Rroftë përjetë e mot Kosova e lirë, e begatë, e pavarur, demokratike dhe euro-atlantike.

Me gëzim të veçantë

Kryetari i Federatës Vatra

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Vatra

SHUMË PYETJE TË VËSHTIRA PËR TË DJESHMEN, TË SOTMEN DHE TË NESËRMEN E SHQIPËRISË

June 12, 2025 by s p

KOSTA NAKE/

Duke qenë në vetvete një studim, do të ishte guxim i tepruar të mëtoja të bëja studim për studimin, prandaj rreshtat në vijim janë më tepër një konspekt kapitull pas kapitulli i çështjeve më të rëndësishme. Nga të paktat gjëra që mund të veçoja, do ishte klasifikimi që i bën autori veprës duke quajtur “sprovë letrare”, sepse  e gjitha trajtesa është e zhytur në histori si dhe pezmi që ndjen autori kur konkludon njëlloj si Faik Konica se e keqja e Shqipërisë janë shqiptarët.

Shkrimtari Artan Mullaj ka shkruar në shtypin e ditës para disa vitesh për këtë vepër dhe në të më pëlqeu shprehja “krijues planetar” që romancieri Mullaj e përdor për ta karakterizuar dhe vlerësuar Kadarenë.

Pullat e postës nganjëherë sjellin dëshmi historike. Flamujt janë simbole të kombeve, ne kemi në flamur një shqiponjë që është intrigues krahasuar me shiritat me ngjyra të disa vendeve me shumë histori e kulturë. Himni është simboli tingullor i një kombi, po ky yni ka një problem në tekst se një strofë e tij nuk këndohet.

“Se Zoti vet’ e tha me gojë

Se kombe shuhen përmbi dhe,

Por Shqipëria do të rrojë,

Për të, për të luftojmë ne.”

Pse nuk këndohet? Mund të justifikohet vetëm për një fashë kohore, kur Shqipëria socialiste u kthye në të vetmin vend ateist në botë. Te vargu i dytë fjala është “kombe” apo “kombet”, sepse një shkronjë e vetme në fund e ndryshon kuptimin e mesazhit. Janë bërë konkurse për ta ndryshuar himnin tonë kombëtar, po s’kanë prodhuar produkt.

A do të bëhet Shqipëria? Ka një pengesë nga vetë shqiptarët. Në vitet ’90 p.sh. në Korçë qarkullonte si opinion naiv “më mirë të na marrë Greqia”, ndoshta në Durrës thuhej “më mirë të na marrë Italia”, ndoshta në Shkodër thuhej “më mirë të na marrë Serbia”. Njëlloj si Haxhi Qamili dhe Dervish Biçoku me parrullën “Dum Babën.”

A ka mundësi që të krijohen 5 shtete shqiptare në Ballkan?

Një prirje proturke në ditët tona mund të diktohet nga këto ilustrime:

Futja e Shqipërisë në Lidhjen Islamike, një shkolle iu vu emri “Haxhi Qamili”, në mes të Tiranës u vu shtatorja e një oficeri turk; Kasëm Trebeshina shkruajti romanin “Mekami”, ku u vetëshpall turk dhe Skënderbeun e quajti hajdut kuajsh dhe agjent të Italisë; një kryeministër i Shqipërisë shkoi në dasmën e djalit të kryeministrit turk; në një ceremoni kolegji në Shqipëri vajzat kënduan “sulltani im, sulltani im”, nëpër kafene shtrohet pyetja: A ishte vërtet i keq sundimi turk? Vizitat e delegacioneve turke shoqëroheshin me kujdesin që të hiqej ose të mbulohej busti i Skënderbeut.

Duke filluar nga kapitulli IV vëmendja kthehet nga Skënderbeu. Çështje e ndjeshme: Skënderbeu ka një varr, po nuk eshtra në të. 

Rivlerësimi i rolit të Skënderbeut ka filluar nga viti 1940 e këtej:

Një shtatore u vu në sheshin Albania të Romës më 1940 në prani të Benito Musolinit, shtatoret e para në Shqipëri u vendosën në Krujë dhe në Tiranë më 1968, shtatorja e Skënderbeut u vendos në Prishtinë dhe në Shkup, por në Maqedoninë e Veriut pati reaksion ndaj saj,

Në kapitullin VI Kadare i klasifikon shqiptarët e fillimshekullit të kaluar në tre lloje: 

Ata që nuk e pranuan paktin me turkun duke mbajtur shqiptarinë dhe kryqin,

Ata që e hodhën kryqin për gradat dhe armët, 

Ata që e shitën për përfitime vetjake.

Turqia e la Shqipërinë 500 vjet pa shkolla shqipe, duke e bërë të vetmen gjuhë të ndaluar. Ato 500 vjet ishin pushtim apo sundim? 

Pas shpalljes së Pavarësisë Shqipëria u ndodh në “trekëndshin e Bermudës”: Turqi, Greqi, Serbi.

Në kapitullin VII shpërthen pezmi i autorit ndaj “albanologëve të rinj” dhe  dy grupimeve të sotme të polemistëve – strehsat dhe mohsat.

E fillon me Fatos Lubonjën, që, duke bërë opozitarin me të gjithë, thotë edhe gjëra që e dëmtojnë çështjen shqiptare. Duke iu bashkuar grupit që kërkon çmitizimin e Skënderbeut, Lubonja paska zbuluar se nëna e Gjergjit është serbe, zbulim që e rimori edhe Muç Nano. Këtu Kadare i bie kambanës së alarmit: “…e di se ç’krisje e pariparueshme mund të ndodhë në shpirtrat e miliona adoleshentëve, nëse  e vërteta që ata dinë për popullin e vet do të shpallet e pavërtetë… e di ç’do të thotë për një komb që ka keqkuptim me vetveten, t’i shuhen befas shenjat, qokat, pikat e orientimit…” (f.78-79)

Kadare i rikthehet edhe një herë figurës së Kasëm Trebeshinës që u trumbetua si disident dhe u fut shpejt në tekstet shkollore promemorja e tij drejtuar Enver Hoxhës.  Sadik Bejko dhe Vasfi Baruti hynë në Arkivin e Shtetit dhe botuan përkatësisht librat “Disidentët e rremë” dhe “Nega totum” (asgjë e vërtetë). 

Çfar’ zbuloi poeti Sadik Bejko? Kasëmi ka qenë oficer në Ministrinë e Brendshme, ka  qenë zëvendës komisar batalioni, domethënë shef i zbulimit të batalionit, nuk ka qenë thjesht oficer zbulimi, po një nga themeluesit e tij, ekzekutoi me plumb pas koke Zaho Kokën.

Çfar’ zbuloi historiani Vasfi Baruti, Doktor i Shkencave? Dashuria e Ramize Gjebresë me Zaho Kokën ishte pretekst përderisa ajo u pushkatua dhe djali u fal, skenarin e asaj vdekjeje e përgatiti Nexhmije  Xhunglini për arsye xhelozie, pjesëmarrës në gjykimin e Ramonës ishin Hysni Kapo, Manush Myftiu, Bilbil Klosi, Shefqet Peçi dhe D. Hekali. Dushan Mugosha bezdisej nga prania e Ramonës sepse ajo e kishte nënën nga Kosova.

Kapitulli IX i rikthehet çështjes së miteve dhe çmitizimit të tyre si dhe raportit mes miteve dhe historisë, raporteve mes mendimit dhe gjuhës duke mbajtur në fokus figurën e Skënderbeut. Sudiesit zvicerian Oliver Schmitt i jepet një dokument për një darkë diplomatike në vitin 1454 dhe ai arrin në përfundimin se Skënderbeu nuk luftoi kundër Turqisë për liri, por për hakmarrje. 

Në kapitullin XII autori kthehet te mitet e Skënderbeut për kalin dhe për shpatën, pastaj veprat e artit dhe botimet kushtuar atij. Ja miti i shpatës sipas Nolit: “Gjergji, kur lindi, kish në krahun e djathtë një shpatë të shkruar.” (Noli, vepra 4, f.87)  “Shpata e tij bënte çudira. Me një të goditur të saj ia preu kokën një demi të egër që shkretonte arat e së motrës… Në rrethimin e Krujës me një goditje të shpatës i coptoi më dysh të vëllanë e Ballaban pashës me të birin…” (po aty f.284) Në tekstet e leximit letrar të shkollës 8-vjeçare ka qenë një pjesë që e mësonim përmendësh: “Në mur, përsipër vatrës, varej një shpatë e kohëve të vjetra që nuk e ngre dot njeriu i sotëm as me dy duar… Turqit e plaçkitën kështjellën, po shpatën nuk e nganë, se asnjë s’qe i zoti ta përdorte…” Vetë Noli e ka bërë çmitizimin e shpatës kur tregon kërkesën e sulltan Muratit drejtuar Skënderbeut për t’ia dhuruar shpatën e tij. Heroi ynë ia dërgoi menjëherë dhe sulltani e pa se nuk ndryshonte nga shpata e tjera, pastaj dëgjoi për shpjegimin e Skënderbeut: “I dërgova shpatën e mirë, po s’mund t’i dërgonja edhe krahun bashkë!” (po aty f.284) 

Ja dhe miti i kalit sipas Nolit: “Atje tej dëgjohej hingëllimi i dëshpëruar, i mallëngjyer, i ngjirur, i këputur i një kali. Ishte kali luftëtar i Skënderbeut, që vajtonte të zotin. Mihte dhenë me tërbim, rënkonte si i plagosur për vdekje, drithërohej e ngjethej si nga e ftohta e etheve, çfrynte avull e lëshonte lotë si njeri. Që ku u shtri Skënderbeu në shtrat, u sëmur edhe ay; dhe kur vdiq, u egërsua, s’qaste njeri tjetër që t’i hipte, s’deshte më të hante, s’deshte më të rronte, e u shtri e vdiq pak ditë pas të zotit.” (Po aty, f.197)

Kadare nuk e përmend mitin e trupit, por “albanologët e rinj” zbuluan që Skënderbeu, edhe pse eshtrat e tij nuk u gjetën, ishte më pak se 170 cm i gjatë. Ja sipas Nolit: “I gjatë, i hijshmë, me një trup të derdhur prej statuje, me sy të squar, që nxirrte shkëndija, ishte… një ëngjëll bukurie dhe madhështie mashkullore… Krahë më të bukur burri s’ishin parë gjer ahere.” (Po aty, f.88)

Kam një përgjigje vetjake për shtatin e shkurtër dhe forcën e krahëve të Skënderbeut duke sjellë rastin e Bidos së Sulit nga Devolli që ishte gjallë deri gjysmë shekulli më parë. Herkulit i janë numëruar 12 trimëri, kurse një shoku tim mblodhi dhe publikoi 35 akte force mbinjerëzore të Bidos. Skënderbeu, si Anteu, mund ta ketë patur këtë dhunti nga natyra ose nga Zoti.

Kapitulli XIII dhe i fundit i rikthehet idesë fillestare për fatin e kombit shqiptar. Dy herë Shqipëria është gjendur në kohën e duhur në qendër të historisë: e para, me qëndresën antiosmane të Skënderbeut, e dyta, pas rënies së komunizmit. Me harmoninë fetare ajo dëshmoi qëndresë ndaj shprishjes. Ajo mund të vazhdojë të rrojë sipas përcaktimit të himnit tonë kombëtar, kur, përveç gjakut dhe baltës, duhet të kemi vullnetin për të qenë bashkë.

(Sprova letrare “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” e Ismail Kadaresë, Tiranë, 2011)

Filed Under: ESSE Tagged With: kosta nake

METODA DHE STILI SHKENCOR I ILIR IKONOMIT

June 12, 2025 by s p

Prof.As. Dr. Thanas L. Gjika

(Vlerësime për biografinë FAN NOLI – REBELI (1920-1924)

Ilir Ikonomi, me veprat e tij botuar këto dy dhjetvjeçarët e fundit është bërë historiani që lexohet me më shumë ëndje se autorët e tjerë shqiptarë, që botojnë studime historike dhe biografi personalitetesh të së kaluarës. Disa muaj më parë ai botoi vëllimin e dytë të biografisë kushtuar Fan Nolit, “Fan Noli – Rebeli (1920-1924)”. Ky libër është një sukses i ri e shumë i rëndësishëm i krijimtarisë së tij shkencore. Aty përshkruhen ngjarjet intensive të viteve më aktive të jetës së Nolit. Arritjet e këtij libri i ka përshëndetur në PARATHËNIE profesori i mirënjohur Nicolas C. Pano dhe shumë lexues nëpër promovime të shumta. Mund të them se me këtë libër historiani Ikonomi ka shënuar apogjeun e punës së tij deri sot si historian.

Për të zbuluar se ku qëndron sekreti i suksesit të Ikonomit si autor biografish do të përpiqem të sjell tiparet e veçanta të këtij studiuesi lidhur me metodën shkencore objektive dhe me stilin individual si e parashtron aai lëndën e bollshme.

Veprat historike, ku bëjnë pjesë dhe biografitë, që u kushtohen jetës e bëmave të personaliteteve historike, janë vepra me karakter ideologjik. Në këto vepra zbatimi i metodës historike kërkon që autorët ta shprehin vlerësimin e tyre ideor ndaj ngjarjeve që përshkruajnë në mënyrë objektive, larg politizimit. Përjashtim bëjnë vetëm ato vepra historike ku përmblidhen dokumente mbi jetën e një personaliti historik, mbi një ngjarje ose periudhë historike, si dhe veprat bibliografike, ku renditen tituj shkrimesh, veprash e ngjarjesh. Në këto dy lloj veprash autori e shpreh vlerësimin e vet ideor jo brenda ëë, por në shënimet sqaruese në fund të faqeve, ose në fund të krejt tekstit. Këtë lloj metode kanë zbatuar dhe zbatojnë historianët që jetonin e jetojnë në vende të lira demokratike.

Kurse në historiografinë shqiptare, që u zhvillua gjatë diktaturës komuniste, autorët e veprave historike ishin të detyruar ta zbatonin metodën shkencore në mënyrë të shtrembëruar . Ata duhej ta shprehnin sa më qartë e sa më gjerë vlerësimin e tyre ideor ndaj ngjarjeve dhe bëmave të heronjve që trajtonin, në përputhje me “mësimet e diktatorit e të partisë shtet”. I metodës historike shpinte në krijimin e veprave të politizuara, ku shkeleshin me të dy këmbët ligjet e zhvillimit politik, shoqëror dhe ekonomik të shoqërisë. Një politizim i tillë i metodës historike zbatohej me detyrim nga lart për të injektuar tek lexuesit ideologjinë komuniste.

Për më keq akoma historianët shqiptarë të asaj kohe nuk lejoheshin të kryenin kërkime dokumentash në arkivat e huaja dhe në shtypin e huaj.

Mbas ndërrimit të regjimit kjo metodë u konsiderua e vjetëruar bashkë me veprat ku ajo ishte zbatuar. Studiuesit u përpoqën, kush më shumë e kush më pak, të evoluonin, të çliroheshin nga politizimi dhe të jepnin në studimet e tyre vlerësime të lira ideore, sipas formimit të tyre botëkuptimor. Koha solli, si në gjithë fushat e tjera edhe në studimet historike, studiues të rinj, të cilët po ndjekin metodën objektive, larg politizimit.

Ilir Ikonomi ka pasur fatin të punonte mbas ndërrimit të regjimit për shumë vjet si gazetar në VOA (Zëri i Amerikës), ku parimi kryesor ka qenë dhe është: gazetari të informojë dëgjuesit / shikuesit me lajme mbi ngjarje të vërteta që ndodhin dhe që kanë rëndësi për jetën shoqërore, pa bërë shtrembërime dhe pa dhënë vlerësime të politizuara.

Pikërisht ky parim i përvetësuar mirë prej gazetarit Ikonomit e ndihmoi atë, që kur debutoi në fushën e historisë, të renditë ngjarje e fakte të vërteta duke dhënë sa më shkurt vlerësimet e veta personale në përputhje me botëkuptimin e tij të lirë e demokratik. Këtij tipari të rëndësishëm metodik më duhet t’i shtoj dhe këmbënguljen për shfrytëzimin e shtypit shqiptar e të huaj, për shfrytëzimin e arkivave shqiptare dhe të huaja, si dhe të kujtimeve të bashkëpunëtorëve të heronjve. Në këtë drejtim atë e ka ndihmuar shumë njohja e gjuhëve të huaja, në të cilat janë shkruar dokumentat, artikujt, etj.

Pra metoda historike që zbaton Ikonomi në veprat e tij është metoda shkencore objektive, sipas së cilës autori i paraqit ngjarjet, faktet, mendimet, bisedat dhe bëmat e heroit të veprës e të bashkëkohësve të tij me objektivitet, larg ideologjizimit dhe politizimit të tyre.

Që në parathënien e vet ai sqaron:

“Nuk ka qenë detyra ime të ngre njërën pjesë [palë – Th. Gj.] e të e ul tjetrën, por t’i përshkruaj të gjithë me drejtpeshim dhe realizëm” (f. XIII)”. Pra larg politizimit.

Autori nuk nguron të vërë në dukje si trimëritë dhe gabimet e heroit, por dhe vlerat e kundërshtarëve të tij. I përmend pa shprehur vlerësimin e vet ideor ndaj vendimeve të Kryeministrit Sulejman Delvina e të Regjentit Sotir Paci, të cilët ngulën këmbë që të mos lejohej Noli të hynte në Shqipëri në korrik 1920, meqenëse ishte një peshkop i shpallur në rrugë rebele e jo kanonike.

Po kështu, kur kundër tyre u shpreh Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm, i cili ia vlerësonte aftësitë Nolit dhe kërkoi që Noli të zgjidhej ministër i Jashtëm më 1921, Ikonomi vetëm e vë në dukje këtë fakt pa shprehur vlerësimin e tij për të. Në vitet 1923-1924, kur Noli e shpalli dhe e luftoi Ahmet Zogun armik të përbetuar, dhe ngulte këmbë që ai të largohej patjetër nga atdheu; Ikonomi e kritikon indirekt heroin e tij duke ia kujtuar se Ahmet beu kishte qenë politikani që e kishte vlerësuar më shumë se të tjerët, por nuk ndalet për të dhënë vlerësimin e tij ndaj këtij qëndrimi të Nolit.

Edhe rastin kur Luigj Gurakuqi doli kundër propozimit për ta zgjedhur Nolin kryeministër më 16 qershor 1924, çështje që u zgjidh me lotari, Ikonomi nuk jep mendimet e veta për ta kritikuar qëndrimin e Gurakuqit, bashkëpunëtorit të afërt të Nolit.

Në fillim të qershorit 1924, kur gjithë anëtarët e qeverisë të trembur nga marshimi i forcave revolucionare drejt Tiranës ikën jashtë atdheut më 7- 8 qershor, vetëm Ahmet Zogu qëndroi në Tiranë deri më 10 qershor me 200 trimat e tij. Autori nuk komenton, por nuk rri pa e quajtur këtë akt të kundërshtarit të Nolit, “akt trimërie”.

Ka raste kur vlerësimin e një atdhetari të shquar shqiptar, si ka qenë Elez Isufi, që ra heroikisht në luftimet për të zbrapsur mësymjen e forcave të Ahmet Zogut në Peshkopi gjatë dhjetorit 1924, autori e le në penën e ambasadorit anglez, Harry Eyers: “Figura më e shquar e Shqipërisë sot” (f. 382).

Përmenden një nga një vendimet dhe gjykimet pro dhe kundër ndaj veprimeve e gjykimeve të Nolit, të dhëna prej amabsadorëve të huaj britalikë, italianë, amerikanë, etj dhe prej gazetarëve të ndryshëm, por ndaj tyre autori nuk shpreh vlerësimin e tij, nëse ai i gjykon si të mira, apo të gabuara.

Ndërkohë autori ka renditur momente e bëma të shquara të Nolit në Lidhjen e Kombeve më 1920, kur me aftësitë e tij bëri për vete Lordin anglez Robert Cecil dhe Shqipëria u pranua më 17 dhjetor 1920 anëtare e Lidhjes. Për këtë arsye pranimin e Shqipërisë anëtare në Lidhjen e Kombeve, autori ia njeh si meritë Nolit, pa e shoqëruar me ndonjë koment. Ka analizuar fjalimet historike të Nolit gjatë fushatës zgjedhore të vitit 1923, fjalimin e tij tek vari i Avni Rustemit, etj; dhe ka përmendur se këto ishin bëma të guximshme, por nuk është ndalur për t’i vlerësuar me fjali e paragrafë lavdërues. Vlerësimin e tyre ia ka lënë lexuesit. Në fund të librit ka riprodhuar të plota tri fjalimet më të rëndësishme të Nolit në mënyrë që lexuesi të krijojë përshtypjen e vet sa më të plotë për to.

Edhe pasi ka treguar intervistën e Nolit dhënë gazetës serbe “Vreme”, ku heroi shpalos me guxim të vërtetat historike mbi ndarjen e padrejtë të kufijve të shtetit të ri shqiptar, ku u përfshinë më pak se gjysma e trojeve historike shqiptare, historiani nuk ndalet për ta hymnizuar Nolin.

Vlen të përmend se Ikonomi jo rallë është dhe kritik ndaj veprimeve dhe mendimeve të haroit. Ai e pranon krahasimin që i bëri Noli dhe shtypi italian marshimit të forcave shqiptare revolucionare nga Vlora në Tiranë me marshimin e forcave të Musolinit drejt Romës, por nuk la pa thënë se marshimi i forcave italiane ishte paqësor, në saje të veprimit të Mbretit Emanuel i III-të, kurse marshimi i forcave shqiptare shkaktoi rreth 200 viktima.

Kur Noli më 17 qershor njoftoi qeveritë e huaja se krijoi një “qeveri liberale, përfaqësuese të aspiratave të vërteta të popullit shqiptar drejt demokracisë”, autori shton se qeveria e tij ishte “laramane e përbërë nga demokratë, ushtarakë dhe bejlerë”. Më tej nënkapitullin pasardhës autori e titullon: NJË QEVERI LEGJITIME?, ku, duke vendosur pikëpyetjen, le të nënkuptohet se qeveria e Nolit nuk ishte legjitime. Këtë mendim ai e shtjellon më tej duke sjellë fakte konkrete, si mosmarrja e votëbesimit të kabinetit sipas statutit, i cili përcaktonte se çdo qeveri e re duhej të dilte para Asamblesë Kushtetuse brenda tri ditësh mbas formimit të saj; se përndryshe ajo do të ishte thjesht qeveri e përkohëshme. Legjimilitetin ia dobësonte qeverisë së Nolit, shton autori, edhe fakti se ajo erdhi në fuqi me ndihmën e ushtrisë, gjë që e ndërlikonte njohjen e saj prej shteteve të huaja. Qeveria e Nolit nuk u betua as formalisht para regjentit të vetëm, Sotir Pecit, për ta qartësuar gabimin e Nolit, por gjithnjë pa shtuar sqarime e komente.

Kur çështja e reformës agrare, të cilën Noli e pati shpallur në programin ambicioz të qeverisë së tij, u katandis në reformë që do të ndante vetëm tokat e pronave shtetërore për tu dhënë tokë vetëm fshatarëve që jetonin në pronat e shtetit, autori mban qëndrim kritik duke e quajtur: REFORME AGRARE?, shoqëruar po me pikëpyetjen e mosbesimit.

Në datat 24-25 dhjetor 1924, kur Noli me pjesëtarët e qeverisë së tij ishte larguar nga Tirana e ishte vendosur në Vlorë, lëshoi një urdhër drejtuar forcave të armatosura qeveritare që të organizonin ndaljen e forcave mercenare të Ahmet Zogut për të mos kaluar poshte lumit Shkumbin. Mirëpo forcat qeveritare nuk mund t’i bindeshin këtij urdhësi sepse ato ishin shpartalluar e kishin dezertuar. Ikonomi, për të treguar se qeveria e Nolit kishte marrë fund, dhe se një vendim i tillë ishte jashtë kohës, e emëron nënkapitullin: NJË QEVERI IMAGJINARE.

Problemin se si mund të quhet lëvizja e armatosur e qershorit 1924, dhe se mbi kë binte përgjegjësia e dështimit të saj, Ikonomi është ndalush shkurt në fund të librit tek PASTHENIA:

“Noli i ka njohur vetes disa të meta të karakterit, si “pazotësi për intriga”, apo “besnikëri absurde ndaj njerëzish të pabesë dhe të korruptuar”. Ai është ankuar se një faj të madh patën bashkëpunëtorët e tij. Edhe pse, nga pikëpamja intelektuale, bashkëpunëtorët e Nolit mund të mos ishin në nivelin e tij, ai ishte vendimmarrësi kryesor dhe mbante përgjegjësinë më të

madhe për punët e vendit.

Disa priren t’i quajnë ngjarjet e qershorit revolucion, ashtu siç i ka përshkruar vetë Noli. Këtë term e përdornin edhe një pjesë e vëzhguesve dhe diplomatëve të huaj të asaj kohe në Shqipëri, por kryesisht në kuptimin e rebelimeve që zëvendësonin njërin klan me një tjetër në pushtet. Të tjerë kanë zgjedhur gjithnjë e më shumë termin më të paanshëm kryengritje.

Preferenca e historiografisë komuniste ishte ta legjitimonte atë lëvizje si revolucion, një përcaktim i cili nuk qe rrjedhojë e një përfundimi shkencor, por ideologjik. Qartazi, dëshira e tyre ishte ta paraqisnin lëvizjen si një luftë klasash, që duhej të përfundonte me fitoren e njërës dhe zhdukjen përfundimtare të tjetrës, nën shembullin e bolshevikëve në Rusi.

Pyetja e provës që vlen të shtrohet është: A sollën ngjarjet e qershorit 1924 ndryshime të tilla që të linin gjurmë në shoqërinë shqiptare, apo ishin thjesht një rebelim ushtarak, i shoqëruar me një ndryshim të përkohshëm pushteti? A e zgjidhën ato pronësinë mbi tokën, problemin më të mprehtë shoqëror me të cilin përballej Shqipëria e varfër e asaj kohe? A e reformuan ato sistemin gjyqësor dhe atë legjislativ?

Siç mund të kuptohet nga faktet e paraqitura në këtë libër, fjala revolucion do të ishte e ekzagjeruar për lëvizjen e qershorit, nëse marrim si pikë referimi përmbysjet që kishin bërë epokë, si ato në Francë, Amerikë, Rusi ose gjetkë. (f. 385-386)

* * *

Lidhur me stilin e të shkruarit, Ikonomi shquhet edhe në këtë libër për individualitet të këndshëm e tërheqës me rrëfim të rrjedhshëm dhe dinamik të ngjarjeve. Shumë ndodhi jepen nga disa kënde vëzhgimi, si në filma ku përdoren disa kamera për xhirimin e të njëjtit episod. Për të njëjtat ngjarje jepen radhazi opinionet dhe vlerësimet e pjesëmarrësve në ngjarje, opinionet e ambasadorëve të huaj, anglez, italian, amerikan, etj dhe të ambasadorëve shqiptarë në Londër e Romë, dhe të kryetarit të Federatës Vatra, Faik Konica.

Ikonomi është i pari autor biografish, i cili për ta dhënë sa më të gjallë atmosferën emocionale dhe kushtet në të cilat zhvilloheshin ngjarjet, përdor në mjaft raste riprodhimin e dialogjeve që janë zhvilluar midis personave historikë . Pra ai nuk i përmbledh me fjalët e veta mendimet e diskutantëve, por i jep drejtpërdrejt si janë zhvilluar bisedat, pa përdorur epitete fyese a lavderuese, dhe pa dhënë opinionin e tij me fjali të gjata e paragrafë. Ai ia le lexuesit të gjykojë për ta bërë atë më aktiv gjatë leximit të veprës.

Në rastet kur nuk ka gjetur të botuar ose të ruajtur në arkivat e ndryshme dokumentin përkatës ku duhej të ishte përshkruar kjo ose ajo ngjarje, si ka qenë rastii i takimit të Nolit me ambasadorin sovjetik në Romë më 11 ose 12 tetor 1924, dhe nënshkrimi i agrimentit me firmën e Nolit për lidhjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, Ikonomi e pranon në mënyrë hipotetike se mund të jetë kryer ky veprim si shkruanin gazetat e huaja, edhe pse ai nuk ka mundur ta verifikojë për mungesë dokumentacioni në Arkivin e Shtetit Shqiptar dhe në kolanën e botimit të dokumenteve ruse.

Për të shuar kureshtjen e lexuesve ndaj paraqitjes fizike të personave historikë që marrin pjesë në ngjarjet, autori ka dhënë për disa prej tyre përshkrimin fizik, gjeste veprimi, etj, si ndodh në veprat letrare. Kështu lexuesi krijon në imagjinatën e tij “trupin elegant” dhe veshjen korrekte të Ahmet Zogut, ose pamjen prej “trashaluqi e barkmadhi” të Nolit, i cili kur erdhi në Shqipëri në vitin 1920 ishte 60 kilogram dhe kur u largua në fund të dhjetorit 1924 ishte 90 kg, nga trajtimi i mirë, sqaron autori, gjatë atyre 4 vjetve si delegat në Lidhjen e Kombeve, si deputet i parlamentit shqiptar dhe si kryeministër i Shqipërisë.

Pjesë përbërëse e stilit të një vepre shkencore, ose letrare, është dhe ndërtimi kompozicional i saj. Lënda e këtij vëllimi është ndarë në tre kapituj dhe secili prej tyre në shumë nënkapituj. Kjo ndarje është plotësisht në funksion të rrëfimit dhe zbërthimit të ngjarjeve të ngjeshura që përshkruhen.

Si përfundim them se metoda historike objektive dhe stili individual tërheqës të përdorur prej I. Ikonomit në këtë vëllim, shquhen në krahasim me librat e tjerë të tij. Ky vëllim është një model që vlen të ndiqet prej studiuesve dhe biografëve të tjerë gjatë hartimit të veprave të tyre.

Uroj që vëllimi i tretë, e i fundit i biografisë kushtuar Nolit, ku autori do të shpalosë ngjajret e viteve 1925-1965, të realizohet në nivelin e vëllimit të dytë, në mos në nivel dhe më të lartë!

(Hartuesi i këtij artikulli është autor i dy biografive analitike “Mihal Grameno jeta dhe vepra” (2012, 504 f.) dhe “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut” (2014, 497 f.).

Filed Under: Emigracion

Ndërgjegjja etnike shqiptare në Himarë gjatë shekujve XVI–XVIII: Feja, arsimi dhe identiteti kombëtar

June 12, 2025 by s p

Nikollë Loka/

Rrethanat historike që favorizuan një lëvizje identitare në Himarë

Gjatë shekujve XVI deri në XVIII, treva e Himarës u përball me sfida të shumta në ruajtjen e identitetit të saj etnik shqiptar, si pasojë e politikave osmane dhe ndikimit të kishës greke. Gjatë kësaj periudhe, Himara gëzonte një farë autonomie ndaj Perandorisë Osmane, shpesh e mbështetur nga fuqitë perëndimore, veçanërisht nga Republika e Venecias dhe Selia e Shenjtë.

Edhe pse shumica e banorëve ishin të krishterë ortodoksë, ata e përjetonin me rezervë autoritetin e Patrikanës së Stambollit, e cila ushtronte një presion të vazhdueshëm për helenizim. Në kuadër të sistemit osman të miletit, të gjithë të krishterët ortodoksë përfshiheshin nën etiketën “rum” (grekë), çka ndikoi në turbullimin e identitetit të vërtetë etnik të shqiptarëve ortodoksë. Kjo do të thoshte se një shqiptar ortodoks konsiderohej pjesë e “miletit grek” (Falcetta, 2014: 51–52), pasi kisha ortodokse drejtohej nga klerikë grekë dhe liturgjia zhvillohej në gjuhën greke.

Sistemi i miletit ndikoi ndjeshëm në krijimin e një identiteti të dyfishtë për shumë shqiptarë ortodoksë, duke kontribuar në formimin e asaj që më vonë u quajtën “grekë të rremë” – shqiptarë etnikë që u identifikuan ose u vetëidentifikuan si grekë për arsye fetare, administrative ose për përfitime të tjera. 

Në Himarë, përdorimi paralel i shqipes dhe greqishtes ishte i zakonshëm, gjë që e vështirësonte përcaktimin e qartë të përkatësisë etnike në dokumentacionin kishtar dhe dëshmonte se identiteti etnik dhe gjuhësor ndikohej fort nga feja dhe liturgjia. Në këtë kontekst, kthimi i një pjese të popullsisë në katolicizëm të ritit lindor nuk përfaqësonte vetëm një akt fetar, por edhe një zgjedhje politike dhe identitare. Ky orientim drejt katolicizmit shihte në Kishën e Romës një mundësi për të ruajtur lidhjet me Perëndimin dhe për të shmangur asimilimin nga Patrikana greke.

Marrëdhëniet e ngushta me Perëndimin shpjegojnë pjesërisht prirjen e himariotëve për t’u afruar me Kishën Katolike. Kjo vihet re që nga koha e Papës Gregori XIII (1572–1585), kur në Romë u themelua Kolegji Papnor Grek i Shën Athanasit (1577), ku ndër studentët e parë ishte edhe një himariot (Murzaku, 2017: 22). Në letrat drejtuar Vatikanit, populli i Himarës i përcillte Papës dëmet e shkaktuara nga osmanët, përfshirë djegien e kishave dhe të rezidencës së Ipeshkvit, duke kërkuar ndihmë financiare për rindërtimin e saj si dhe për sigurimin e armëve dhe municioneve për t’u mbrojtur nga sulmet osmane.

Letra e 12 korrikut 1577 drejtuar Papës Gregori XIII, e firmosur nga klerikë dhe laikë himariotë, shpreh jo vetëm dëshirën për bashkim me Romën, por edhe kërkesën që sakramentet dhe kremtimet të vijonin sipas ritit bizantin, pasi shumica e popullsisë nuk e njihte gjuhën latine (Murzaku, 2017: 22–23).

Në fillim të shekullit XVII, një mision i murgjve bazilianë, të formuar në Kolegjin Papnor të Shën Athanasit, u dërgua në trevat jugore shqiptare për të realizuar një bashkim juridiksional me Kishën e Romës (Doja, 2023: 98). Në Himarë, misioni i parë i tyre daton nga viti 1632 dhe vijoi, me ndërprerje, deri në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Ky ishte një mision udhëtues, tipik për zonat e konsideruara terra missionis (tokë misioni).

Pranimi i katolicizmit të ritit lindor u shndërrua në një formë rezistence kulturore dhe etnike, më shumë sesa një veprim thjesht fetar. Himariotët i kërkonin Vatikanit të mundësonte shkollimin e fëmijëve të tyre në Romë dhe Napoli, një kërkesë që dëshmon ndërgjegjen e qartë për rëndësinë e arsimit në gjuhën dhe kulturën shqiptare. Letrat e tyre, shpesh të nënshkruara në emër të “kombit tonë shqiptar”, përbëjnë dëshmi të qarta të vetëdijes kombëtare shumë kohë përpara epokës së Rilindjes Kombëtare.

Liturgjia në gjuhën shqipe, e ndaluar nga Patrikana greke, u kthye në një kërkesë politike dhe kulturore për komunitetet shqiptare ortodokse që synonin ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar (Falcetta, 2014: 149). Kërkesa për ta dalluar veten nga grekët, i shtyu klerikët dhe intelektualët arbëreshë të theksonin veçoritë gjuhësore, fetare dhe kulturore të etnisë së tyre, duke i hapur rrugë vetëdijes kombëtare që do të kulmonte dekada më vonë (Historia e arsimit, 2003: 98; Tare, 2019: 78–79) dhe do të jepte ndikimin e saj edhe në Shqipërinë e Jugut.

Arsimi dhe liturgjia në gjuhën shqipe në Himarë

Zhvillimi i arsimit dhe liturgjisë në gjuhën shqipe në Himarë lidhet ngushtë me ndikimin e drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë dhe komuniteteve arbëreshe në Itali, veçanërisht në kuadrin e përpjekjeve për të frenuar islamizimin dhe për të forcuar identitetin etnik dhe fetar të popullsisë. Vatikani lehtësoi përdorimin e shqipes në shkolla dhe në përgatitjen e klerikëve vendas, të cilët përbënin bërthamën e strukturës fetare greko-katolike në Shqipërinë e Jugut.

Në këtë drejtim, rolin kryesor e luajtën dy qendra arsimore me rëndësi: Kolegji Grek i Shën Athanasit në Romë (1581), i themeluar nga Papa Gregori XIII me Bulën Apostolicae Sedis Specula më 13 janar 1576, dhe Manastiri i Shën Bazilit në Mezzojuso të Siçilisë (1601). Kolegji i Shën Athanasit, më i hershmi ndër institucionet arsimore për ortodoksët në Romë, pranoi studentë grekë, shqiptarë dhe italo-shqiptarë, të cilët më vonë u kthyen si misionarë në trojet shqiptare (Altimari, 2014:3; Murzaku, 2017: 84-85; Tare, 2021:80). Manastiri i Mezzojuso-s, nga ana tjetër, u shndërrua në një qendër të rëndësishme kulturore dhe arsimore për komunitetet arbëreshe, duke funksionuar për dy shekuj si një lloj universiteti për kolonitë shqiptare (Di Marco, 2007:12).

Në vitin 1692, me kërkesë të vetë komunitetit të Himarës, Kongregata e Propagandës vendosi të ringjallte misionin e nisur më 1633 nga Neofit Rodino dhe të vazhduar nga Simeon Laskari, Arkadi Stanila, Onofrio Kostantini dhe Giovanni Giuseppe De Camillis, të gjithë të formuar në Kolegjin Grek të Romës dhe pjesëtarë të urdhrit të Shën Bazilit, të lidhur me manastirin e Mezzojusos. Ata përgatiteshin në greqishten liturgjike, por kishin një njohje të thellë edhe të shqipes, e cila ishte e domosdoshme për misionin e tyre në Shqipërinë e Jugut, veçanërisht në Himarë (Altimari, 2014:63).

Janë pikërisht këta misionarë arbëreshë, të formuar në Munxifs (Mezzojuso), që themeluan shkollat e para shqipe në Bregdetin Jugor. Dokumentet dhe dorëshkrimet që na kanë mbërritur dëshmojnë për përdorimin e shqipes si gjuhë ndërmjetësimi në procesin e ungjillizimit, pastaj edhe si gjuhë e liturgjisë. Një rol të veçantë në përhapjen e gjuhës shqipe pati edhe Imzot Zef Skiròi, që përpiloi dhe shpërndau tekste në shqip (Altimari, 2014:64).

Në krahasim me shkollat katolike në Shqipërinë e Veriut, të cilat përdornin veprat e Budit, Bardhit dhe Bogdanit, në jug praktikohej përkthimi i posaçëm i Doktrinës së Krishterë për përdorim lokal. Kjo tregon se në Jug, përdorimi i shqipes në shkollim dhe liturgji ishte më i lidhur me priftërinjtë vendas dhe ata të ardhur nga komunitetet arbëreshe, siç është rasti i priftërinjve të formuar në Mezzojuso dhe kthyer në trojet e tyre, ndër ta edhe At Dhimitri nga Dhërmiu (Minguli, 2016: 58-59).

Në vitin 1628, Propaganda Fide ngarkoi Giovanni Rodinò me misionin për të themeluar një qendër greko-katolike në Himarë, të cilën e drejtoi deri më 1643. Ai themeloi një shkollë në Vuno, e cila u shndërrua në qendër rajonale dijesh, që tërhiqte nxënës nga gjithë zona dhe klerikë nga manastiret përreth. Rodinò botoi katekizma dhe libra në shqip, të cilat i shpërndante falas. Ndër nxënësit e tij ishte edhe Papa Dhimitri nga Dhërmiu, i cili përktheu katekizmat në një shqipe elegante për përdorim në të gjithë krahinën e Himarës (Murzaku, 2017: 25-26).

Pas Rodinòs, misioni u vazhdua nga figura të tjera si Konstandino Onufro Skanilos, Giovanni De Camillis, Filoteo Zassi, Mattenga, dhe Giuseppe Skirò. Edhe pse ndeshën kundërshtim të ashpër nga dhespoti i Janinës, ata arritën të forconin rrjetin shkollor shqip në bregdetin e Himarës, duke arsimuar pothuaj të gjithë klerin lokal (arbresh.info).

Një shembull  përkushtimi është Nilo Catalano, i cili përgatiti një “Gramatikë shqipe” për 80 nxënësit e shkollës së Dhërmiut, si dhe një fjalor shqip-italisht që, sipas Zef Skiròit, ruhen ende nga familja Skirò (Murzaku, 2017:22). Më 10 maj 1693, Katalano dhe Zassi mbërritën në Himarë dhe në gjashtë muajt e parë organizuan shkolla në Dhërmi, Himarë dhe Vuno, duke konsoliduar arsimin shqip në rajon (Di Marco, 2007:15).

Rasti i Himarës në shekujt XVI–XVIII dëshmon qartë përpjekjet e qëndrueshme të popullsisë vendase për të ruajtur identitetin kombëtar dhe gjuhësor nëpërmjet arsimit dhe liturgjisë në gjuhën shqipe. Ndërhyrja e Selisë së Shenjtë, përkrahja e kolegjeve kishtare në Itali dhe veçanërisht kontributi i misionarëve italo-shqiptarë, krijuan një rrjet të qëndrueshëm shkollash dhe misioni që përhapi kulturën dhe fenë në shqip. Këto përpjekje, që shpesh zhvilloheshin në kundërshtim me presionet e kishës ortodokse greke dhe pushtetit osman, dëshmojnë jo vetëm një rezistencë shpirtërore e kulturore, por edhe një ndërgjegje të hershme etnike shqiptare në rajonin e Himarës. Në këtë dritë, përdorimi i shqipes në liturgji dhe shkolla nuk ishte thjesht një akt fetar apo edukativ, por një akt vetëdije kombëtare.  Kjo trashëgimi historike na rikujton se identiteti shqiptar në jug të vendit nuk është produkt i zhvillimeve të vonshme, por një realitet historik i ngulitur thellë në ndërgjegjen dhe veprën e brezave. 

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT