• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

Bujar Skëndo dhe romani “Flijimi i maskave”

June 28, 2025 by s p

Çerçiz Loloçi/

E kam lexuar dy herë romanin e sapopublikuar “Flijimi i maskave” të Bujar Skëndos: një herë në dorëshkrim siç ngjet zakonisht mes të njohurve të hershëm dhe herë tjetër pasi ka dalë në shtyp nga botimet Onufri. Është romani i dytë i autorit, po me të njëjtin botues që dëshmon se është një zë i veçantë në letërsinë bashkëkohore shqipe.

I njohur kohë më parë si redaktor në të përjavshmen ‘Drita’ dhe kritik arti, me të dy librat e botuar njeri pas tjetrit, Bujar Skëndo ka hedhur një hap të sigurt në prozën romaneske, si për temat e mprehta që trajton ashtu edhe në kompozicionin e veprës e skalitjen e personazheve.

Ndjesia e parë që merr nga romani i dytë, “Flijimi i maskave” është kurajoja intelektuale për të dhënë mjeshtërisht ‘anatominë’ e shoqërisë së sotme shqiptare që është kapluar nga korrupsioni, krimi, pasiguria; përzierja e fortë e niveleve më të larta të katër pushteteve me botën e nëdhsheshme që shfaqet në mori formash e që duket sikur grish edhe qiejt me shumëkatëshet, restorantet, baret e hotelet që në metropole europiane kanë dashur disa dekada për t’u ngritur.

Duke jetuar midis Nju Jorkut dhe Tiranës, autori sjell mjedise dhe personazhe shqiptare, jo thjesht si raportime mediash që janë vetvetiu lajmësit e parë të dukurive negative në një shoqëri, por duke operuar me dy linja: e para me një biznesmen që rikthehet në vendlindje për të ngritur bizneset e tij dhe që tashmë kërkon të gjejë edhe shoqen e jetës dhe linja e dytë, ajo e individëve që janë pasuruar me gjithfarësoj mënyrash dhe tashmë duan të hyjnë në politikë, madje duke pasur edhe përfaqësuesit e vet në pushtetin më të lartë, atë legjislativ.

Një temë aktuale si ajo që krimi shfaqet në majat më të larta dhe prek çdo nivel, kriminalizimi i një shoqërie të tërë, pra kjo temë ka përherë një rrisk, atë të rendjes pas paraqitjes së dukurive më të shëmtuara, por jo e ardhur artistikisht me mjetet që kërkon romani.

Autori këtij rrisku i ka shpëtuar mjeshtërisht jo thjesht e vetëm sepse e ndërton veprën e vet me pak personazhe, por sepse ai arrin një krijim artistik që sa i përket botës shqiptare, aq mund të gjendet edhe në atë serbe, maqedonase, bosnjake, në krejt Ballkanin Perëndimor ku ka demokraci hibride, nuk funskionon asnjë pushtet, shtetet kanë një shkëlqim të rremë fasadesk e zhurmues po brenda saj do të gjesh shëmti dhe akte të frikshme, dhunë, kaos, zgjedhje jo të lira, autokratë nga të gjitha krahët që shkon sa te njeriu më i zakonshëm e deri te kreu i vendit.

I konceptuar në dy linja dhe me dymbëdhjetë kapituj romani spikat për zhbirime të thella psikologjike, për personazhe që kanë veçantitë e tyre dhe fate të ndryshme; nga njëra anë është biznesmen Dritani me Emën, ish aktore e Teatrit Popullor dhe tashmë drejtuese e një program televiziv që duan të kurorëzojnë lidhjen e tyre mes të njohurish të hershëm në lokalin misterioz “Korbi i bardhë”.

Linja e dytë ka gjithashtu një personazh interesant, Leoni, që i përket botës së krimit, por që arrin edhe në sferat e larta të politikës; çunat e tij besnikë janë atashuar me një parti kapobande që gjithçka e arrin me para, dhunë, vrasje dhe krime të tjera.

Poeti i mirënjohur Sadik Bejko vlerëson te Bujar Skëndo “gjuhën artistike të romanit, fjala e gjetur me saktësi e ngarkesë emocionale dhe stili i rrjedhshëm. Problematika e romanit është e mprehtë dhe e guximshme. Në roman ka figura të realizuara mjeshtërisht si Leoni, Ema, Dritani etj”.

Ndërsa profesor Bardhosh Gaçe veçon trajtimin e problemeve mprehta të tranzicionit tonë në romanin ‘Flijimi i maskave’, për përplasjen e interesave të qytetarëve me ato të politikanëve dhe për shtrëmbërimet e demokracisë në vendin tonë. Ai tha se i kam pritur këto romane nga Bujar Skëndo. E dija që një ditë ato do vinin”. Gaçe vlerësoi, gjithashtu, nivelin e lakmuar të shprehjes, stilin dhe nëntekstet e fjalës e të mendimit.

Vetë autori në promovimin e librit te librari ‘Onufri’ pohoi se në këtë libër kemi një realitet i pangjashëm, i dhunshëm, armiqësor, i korruptuar nga zyrat më të rëndësishme të shtetit, në qeveri, në Kuvend, nëpër drejtori tenderash… Krimi, pasi pastroi paratë dhe vetveten, hodhi edhe një hap më tej: Joshi me para dhe korruptoi politikën, u fut në parlament e qeverisje. Dhe politika, qëllimimisht e me dëshirë të pafre, ndau pushtetin me krimin. Por krimi nuk u ndal me kaq. Korruptoi edhe edhe një pjesë të qytetarëve, votën e tyre. Maskën e vetvetes ua vendosi, në fillim politikanëve e më pas edhe qytetarëve, të cilët e pranuan atë. Pushtetarë me maska e pa fytyrë. Ose me fytyrën e dytë a të tretë… Dhe me po aq maska. Dëshiroj të theksoj se romani është një refuzim artistik i kriminalizimit të vullnetshëm të pushtetit dhe të çdo aspekti të jetës së vendit. Është një mospajtim, një pakënaqësi, një dyshim i madh, të përthyera të tëra këto nëpërmjet artit të së vërtetës. Sepse letërsia nuk është thjesht tregim i të vërtetës, por art i të vërtetave të jetës. Në roman, nëpërmjet figurash artistike e ngjarjesh, episodesh rrëqethëse zbulohen artistikisht të këqiat e këtij tranzicioni të tmerrshëm. Dhe po ashtu të këqinjtë, djajtë e vërtetë të këtij vendi”.

Filed Under: Fejton

Letër mirënjohjeje nga prindërit amerikanë të studentit tim Philip-it në New York

June 28, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në shkollën e mesme “Susan E. Wagner” në Staten Island

Këto letra mirënjohjeje nga prindër amerikanë plot kulturë të studentëve tanë janë nga më të çmuarat dhe me frymëzueset e jetës sime.  Nuk kanë çmim!

Mësuesit, edukatorët mbajnë në duart e tyre të ardhmen e brezave dhe shumica e tyre punojnë me një ndërgjegje të plotë.  

Emigrimi në Amerike kishte disa male për t’u ngjitur, por autizmi nuk ka qenë mali im i ëndrrave, sepse ishja zero në njohjen e tij, por ndërkohë që mësova këtu e pranova që me intervistën e parë të punësimit.  Programi i Autizmit në shkollën e mesme, ishte mundësia më e madhe e jetës sime për një ndër sukseset shpirtërore, jetësore. 

Shumë studentë më mësuan përfshirë dhe Philipin se “Autizmi nuk është një sëmundje, por është një mënyrë tjetër e të parit të botës.” sipas neurologut dhe Autorit të dëgjuar Temple Grandin. 

Për ecjen e tij akademike Philipi është ftuar nga Drejtori i Shkollës z. Cugini në zyrën e tij dhe pati një bisedë shumë interesante, për ëndrrat, arritjet.  Ai u përzgjodh të intepretojë Himnin, betimin para Flamurit Amerikan në mëngjesin e përditshëm shkollor, është anëtar në Student’s Government në shkollë, mbajti fjalimin para gjithë shkollës në muajin e Autizmit, aktroi në rolin e Mbretit Dunkan, King në tragjedinë “Makbethi” të shkrimtarit botëror Shekspirit, në skenën magjike të teatrit para gjithë publikut

.  Këto janë arritje të mëdha, sfida që bëhen jo lehtë, natyrisht nuk është vetëm puna ime, por puna në grup me respekt dhe profesionalizëm bashkë me kolegët e nderuar arritem suksesin.  Mirënjohje pafund për të gjithë!  

Dita e fundit e vitit akademik 2024-2025 e shkollave publike amerikane erdhi dje dhe çuditërisht gjithmonë ndjej trishtim, kur i shoh koridoret bosh, pa tingujt muzikorë të zhurmës së nxënësve që në veshët e mi është thjesht jetë, gjallëri, vazhdimësi, më besoni dhe vallëzim… 

Kur Philipi më dha dhuratën në emër të familjes së tij me zarfin të mbishkruar: “Faleminderit” që mbante brenda një ndër letrat më të bukura të jetes sime, shkruar nga nëna e tij mjeke në spital dhe gjithë familja, pikëzat e lotit lagën qerpikët e mi dhe më dhanë muzë, një frymëzim të paparë për të punuar më fort për Philipin dhe gjithë studentët e tjerë. Bija ime gjeneroze, Klodiana, më shkruajti t’i blente biletë për në stadium duke më pyetur se cilën skuadër pëlqen ai më shumë?  

Unë po e ndaj me ju të dashur miqtë tanë të vyer kudo ku jeni, jo për punen time, jo për suksesin, por shpesh njerëzit i mbyt rutina përfshirë dhe mua dhe harrojmë të çmojmë pikërisht atë që duhet, atë që prek zemra njerëzish dhe bëhet frymëzim.  Mirënjohja për të vërtetën sfumon “mashtrimet” që bëhen për antivlerat duke i kthyer verbërisht në vlera pa i dhënë komunitetit kudo ku jetojnë pikën e djersës së ndershme. 

Kjo letër më shërben si një platformë për amplifikimin dhe si avokate e zërave të vetë individëve autikë. Duke ndarë këtë përvojë të hatashme me ju të dashur miq ne ngremë zërat e tyre dhe promovojmë përfshirjen dhe avokatësinë, ndërkohë ëndrrat e mia për ta çuar në instanca të tjera më të larta vazhdojnë…  

Mirënjohje pafund Familja Franchina!

Pushime të mbara Senator Philip!

Pushime të mbara ju, gjithë fëmijët dhe studentët në At-Mëmëdhe dhe botë! 

Letra nga familja:

E dashur Kozeta, 

Unë nuk e di nga ta filloj me parë dhe t’ju falënderoj për çfarë ju keni bërë për birin tim Philip, jo vetëm këtë vit, por qëkur ju e takuat atë. Ju keni qenë burim frymëzimi, suportuese ndër vite dhe përgjithmonë inkurajuese në çdo hap të tij.  Ai eshtë student me i mirç duke ju pasur ju, duke e mësuar atë dhe duke i dhënë udhëzime.  Faleminderit që kurrë nuk keni thënë jo, dhe gjithmonë keni besuar në të gjitha ëndrrat e tij.  Ne të gjithë si familje jemi krenar me arritjet, sfidat e tij, dhe duhet të falënderojmë që keni qenë bashkë me të në çdo hap.  

Paçi një verë të shkëlqyer.  

Të duam prindëit e Filipit dhe të dy vëllezërit e tij.

New York 

27 Qershor, 2025  

Filed Under: Analiza

Kriza e Kuvendit të Kosovës

June 28, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha
Ekspert i së Drejtës Publike/

Republika e Kosovës është një demokraci parlamentare, ku legjitimiteti politik ndërtohet mbi përfaqësimin e drejtpërdrejtë të sovranit – popullit – përmes zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të rregullta. Kjo është shtylla mbi të cilën ngrihen të gjitha institucionet kushtetuese të shtetit. Ndaj, kur ky proces përmbushet – siç ndodhi me zgjedhjet parlamentare të datës 9 shkurt 2025 – ai duhet të pasohet pa vonesë nga hapat kushtetues dhe institucionalë për funksionalizimin e pushtetit legjislativ dhe më pas të atij ekzekutiv. Por çfarë po ndodh sot në Kosovë?

Po përballemi me një situatë absurde dhe të paprecedentë: legjislatura e dalë nga zgjedhjet, në vend se të konstituohet dhe të fillojë punën si organ përfaqësues i qytetarëve, po mbahet peng në mënyrë të qëllimshme, përmes manovrave politike që nuk kanë asnjë mbështetje në Kushtetutë, as në etikën e demokracisë parlamentare.

Kuvendi si skenë për krizë të qëllimshme

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 67, përcakton qartë: “Kuvendi mblidhet për seancën konstituive më së largu brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.” Ky detyrim është i panegociueshëm. Moszbatimi i tij përbën shkelje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe paralizim të funksionit përfaqësues të Kuvendit.

Në vend që ky proces të zhvillohet në kohë dhe në përputhje me normat, një subjekt politik i vetëm – Lëvizja Vetëvendosje – ka vendosur të instrumentalizojë procedurat, të zvarrisë zgjedhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe të imponojë krizë për të mbuluar dështimin për të ndërtuar shumicën parlamentare.

Ky veprim është në thelb një uzurpim i funksionit të Kuvendit, sepse e shndërron atë nga arenë përfaqësimi në mjet presioni për interesa të ngushta pushteti. Duke mos pasur numra për të krijuar shumicën, por duke pasur vullnet për të qëndruar në qendër të krizës, ky subjekt politik ka zgjedhur të pengojë institucionet në vend se t’i ndërtojë ato.

Jo shumicë – por pengmarrje

Duke qenë se nuk e ka shumicën e nevojshme për të emëruar Kryetarin e Kuvendit apo për të formuar Qeverinë, Vetëvendosje ka vendosur të mos pranojë realitetin politik, por ta mohojë atë duke e ndërlikuar artificialisht procesin konstituiv. Në vend se të ndërtojë marrëveshje politike me parti të tjera, ajo ka zgjedhur strategjinë e konfliktit dhe përplasjes institucionale.

Kjo sjellje është përtej arrogancës politike – është abuzim i hapur me besimin qytetar, me vetë konceptin e përfaqësimit dhe me parimet mbi të cilat funksionon një republikë parlamentare. Deputetët, sipas Kushtetutës, përfaqësojnë popullin e Kosovës në tërësi – jo interesat e një partie të vetme. Ata nuk janë të zgjedhur për të zbatuar taktikat bllokuese të liderëve, por për të vepruar në përputhje me përgjegjësinë institucionale që buron nga mandati i dhënë nga qytetarët.

Një krizë e shpikur – për të mbuluar dështimin

Argumentet që përdoren për të justifikuar vonesat e konstituimit janë formale, por qëllimi është politik. Mosmarrëveshjet rreth procedurave, interpretimet subjektive të rregullores dhe pretekstet e “mbrojtjes së vullnetit të popullit” nuk janë asgjë më shumë sesa tentativë për të blerë kohë dhe për të prodhuar krizë të qëllimshme, në mënyrë që të ruhet kontrolli mbi narrativën publike dhe të pengohet krijimi i një shumice të re qeverisëse.

Në këtë mënyrë, po krijohet një precedent shumë i rrezikshëm, ku një subjekt pa shumicë reale pretendon të ushtrojë pushtet të pakufizuar përmes sabotimit të institucioneve. Në vend të funksionimit institucional, kemi stagnim. Në vend të qeverisjes, kemi vetëviktimizim. Në vend të konsensusit, kemi konflikt të inskenuar.

Çfarë humb shteti nga kjo krizë?

Moskonstituimi i Kuvendit nuk është problem kalimtar, por kërcënim serioz ndaj funksionimit të shtetit. Pasojat janë të shumta dhe të thella:

-Qeveria në detyrë vepron pa kontroll parlamentar.

-Ligjvënia është e pezulluar, duke lënë vendin pa mundësi të miratojë ligje të domosdoshme.

-Pushteti gjyqësor dhe institucionet e pavarura mbesin pa mbështetje buxhetore dhe pa mbikëqyrje funksionale.

-Përfaqësimi ndërkombëtar i Kosovës dëmtohet, sepse shteti perceptohet si i paqëndrueshëm dhe i paaftë për të ndërtuar institucione.

-Besimi i qytetarëve në sistemin përfaqësues bie në nivelet më të ulëta që nga shpallja e pavarësisë.

Në fund të fundit, kemi të bëjmë me një shtet në vakuum kushtetues, ku legjitimiteti i votës nuk përkthehet në institucione, dhe ku demokracia rrëshqet drejt formalitetit të zbrazët.

Vullneti i sovranit nuk është lodër politike

Sovrani – qytetari i Kosovës – nuk ka votuar për krizë. Ai ka votuar për qeverisje, për rregull, për institucione dhe për përfaqësim dinjitoz. Kjo krizë nuk është pasojë e mungesës së kuadrit ligjor – sepse Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit janë të qarta. Nuk është as pasojë e rrethanave të jashtme – sepse zgjedhjet janë zhvilluar pa probleme thelbësore.

Kjo krizë është produkt i pastër i një lloj kulture politike që i vë interesat partiake mbi parimet e shtetit, që e kupton pushtetin si monopol dhe që refuzon të pranojë vullnetin parlamentar të shumicës si bazë për ndërtimin e qeverisjes.

Republika nuk mund të funksionojë me inat dhe bllokadë
Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni ku përfaqësohet populli, jo aty ku mbrohen interesat e një partie. Moskonstituimi i tij nuk është më problem i zakonshëm politik – është simptomë e një mosrespektimi të thellë për rendin demokratik.

Asnjë subjekt nuk ka të drejtë ta mbajë peng legjislaturën vetëm pse nuk ka arritur të krijojë shumicën. Asnjë kryetar partie nuk ka të drejtë të shndërrojë procedurat parlamentare në pengesë për formimin e institucioneve. Dhe asnjë deputet nuk duhet të harrojë se mandatin nuk e ka marrë për të heshtur, por për të vepruar në shërbim të qytetarëve dhe të republikës.

Kosova nuk ka nevojë për krizë të përhershme, por për shtet funksional. Rruga për ta ndërtuar këtë shtet kalon përmes konstituimit të menjëhershëm të Kuvendit, me respekt të plotë për Kushtetutën, për procedurat dhe për vullnetin e qytetarëve.

Filed Under: Rajon

Kriza e Ambasadave…

June 28, 2025 by s p

Prof. Afrim Krasniqi/

Në një mjedis toksik dhe refuzues ndaj të vërtetave, të dominuar nga mitet, propaganda dhe shpjegimi i ngjarjeve historike përmes interesit ditor të politikës, si dhe nga portale me individë të paformuar që përmes reklamës padijen e injorancën e shesin si vlerë, detyra e studiuesve është të refuzojnë konformitetin me këtë mjedis, dhe me durim, kurajë, integritet dhe konsistencë të ofrojnë fakte, dokumente, teza dhe qasje analize në kohë e retrospektivë, botime serioze dhe profesionale. Natyrisht ato janë dhe mund të jenë edhe në të ardhmen e afërt pakicë numerike dhe pakicë mendimi në hapësirën publike, në debatin publik, në aksesin për diskutim dhe aksesin për formim, por janë aty, mbeten aty në biblioteka dhe librari; sot, nesër dhe në ditët kur do të vijnë gjenerata të reja, gjithnjë për njerëzit që duan të lexojnë, të kuptojnë, të reflektojnë, të debatojnë dhe të refuzojnë si mitet fiktive ashtu edhe formimin e deformuar përmes turmave dhe keqpërdoruesve të saj. Edhe në Shqipëri me siguri do të ketë një ditë kur idetë, ngjarjet historike, gjetjet dhe tezat do të debatohen midis ekspertëve të fushës. Larg apo afër, është çështje maturimi, formimi dhe kulture, jo çështje kullash, portalesh dhe aftësisë për të pasur akses publik apo për të bërtitur.

Tingëllon moraliste? Imagjinoni të keni në tavolinë gjithçka ju duhet, – të gjitha letrat, burimet, dokumentet, emrat, botimet, arkivat tona e të huaja që lidhen me të një ngjarje të caktuar, dhe pastaj të hapësh TV apo FB dhe të shohësh marrina me shumicë, sesi deformohen ngjarje të tilla; sesi individë të paformuar dhe të painformuar ftohen të bëjnë ekspertin dhe ku në garën e turmës secili ka “të vërtetën e vet“, të cilën tenton me forcë tua imponojë të gjithëve si të vërtetë të vetme; sesi e shkuara lexohet jashtë kohës dhe kontekstit nga komoditeti apo interesi i të sotmes, me sa lehtësi krijohen mite e skenarë imagjinarë, me sa lehtësi ato përsëriten çdo vit duke u pasuruar me imagjinatë të re në marrëzinë dhe padijen e tyre, dhe duke u përsëritur, sa efektiv dhe i rrezikshëm bëhet kultura e dominimit të turmës ashtu si sistemi i deformuar dhe abuziv me ngjarjet, faktet dhe të vërtetat.

Meqenëse jemi në fundin e muajit qershor dhe në prag të 2 korrikut, (1990) për ata pak individë që ende lexojnë dhe që kanë interes më të thelluar në ato ngjarje me siguri botimi im monografik sjell një kontribut modest profesional dhe siç më thonë ata kolegë që e kanë lexuar, nuk do t’ju zhgënjejë. Nuk është reklamë (sepse nuk kam ndonjë përfitim financiar) dhe për autorët leximi i librave të tij është edhe sfidë (ri)vlerësimi, por është respekt ndaj leximit dhe ftesë për kuriozitet, arsye dhe mundësi për ikje nga pushteti i turmave në rrugë, mediat sociale, TV apo nivelet e larta politike.

P.S. Edhe kete pervjetor ambasada gjermane do te organizoje nje debat te hapur mbi korrikun ’90, (ku me kenaqesi kam pranuar te jem pjese e panelit), – gjithashtu edhe ISKK organizon nje tryeze me kete fokus, ku gjithashtu me kenaqesi jam pjese e panelit.

Filed Under: Ekonomi

“POROSIA E KULLËS” LIBRI ME AUTOR DR. PASHKO R. CAMAJ U PËRURUA NË NJË TAKIM LETRAR TË ORGANIZUAR NË FAKULTETIN E EDUKIMIT DHE FILOLOGJISË

June 28, 2025 by s p

Universiteti “Fan S. Noli” – Korçë/

📖Në Universitetin “Fan S. Noli” u përurua libri i autorit, dr. Pashko R. Camaj me titull “Porosia e kullës”, në një takim letrar të organizuar nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Onufri”.

🎓Takimin e hapi përgjegjësi i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, prof. as. dr. Eris Rusi, i cili u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve në takim: pedagogë dhe studentë të FEF, poetë, shkrimtarë e dashamirës të librit, si dhe të ftuar të tjerë. Ai i njohu ata me dr. Camajn jo vetëm si autor i librit, por edhe si sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra” në New York, SHBA.

✴ Në fjalën e saj, dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho theksoi se nëpërmjet porosisë së Kullës, malësorët dhe shqiptaro-amerikanët në përgjithësi të mund të ruajnë trashëgiminë dhe amanetin shekullor të brezave arbërorë edhe në Amerikën e largët. Ajo tha se ky libër emocionues është një rrëfim mbresëlënës i jetës së autorit. Realizimi i ëndrrës amerikane dhe malli, dashuria e dhimbja për atdheun e të parëve.

✴ Vlerësime për librin përcolli edhe drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Onufri”, z. Bujar Hudhri, i cili u ndal edhe në disa momente të veçanta nga puna me autorin, duke e çmuar për talentin dhe modestinë që e karakterizon.

✴ Më pas, pedagogu, dr. Ilir Shyta u ndal në disa momente të veçanta të këtij libri me përmbledhje tregimesh të vërteta mbi përvojat që autori, motrat, vëllezërit dhe të afërmit e tij kanë kaluar nga fëmijëria e deri në ditët e sotme.

🙏Falënderime të sinqerta përcolli për këtë organizim edhe vetë autori dr. Pashko R. Camaj, i cili në këtë takim u nderua edhe me dy vlerësime të veçanta. Një vlerësim nga Klubi i Shkrimtarëve “Bota e re”, Korçë, si dhe nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë, ku Dekania i dorëzoi atij Certifikatën e Vlerësimit me këtë motivacion: “Në vlerësim të kontributit të tij të vyer profesional dhe angazhimit të plodhur publik, që kanë ndihmuar në rritjen e vlerave të komunitetit shqiptar në SHBA. Si sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, dr. Camaj ka dëshmuar përkushtim të veçantë ndaj ruajtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare në Diasporë”.

✴ Takimi vijoi me diskutime nga të pranishmit, të cilët treguan interes për shkrimin e këtij libri dhe rrëfimet e autorit, duke sjellë edhe momente nga jeta e përvojat e tyre larg atdheut.

🤝Autori, dr. Pashko R. Camaj dhe drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Onufri”, z. Bujar Hudhri zhvilluan më pas një takim edhe me rektorin e Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Lorenc Ekonomi, ku diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në të tjera veprimtari.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT