• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

SHQIPJA DHE SHQIPTARËT NË STUDIMET E STUDIUESVE TË HUAJ

June 5, 2025 by s p

Xhelal Zejneli/

Në fillim të shekullit XIX Anglia dhe Franca kishin interesa politike, ekonomike dhe ushtarake në Mesdhe dhe në perandorinë Osmane, duke përfshirë edhe provincën shqiptare të saj. Në atë kohë Rajhu gjerman ende nuk kishte interesa të këtilla ekspansioniste në rajon. Por në “klubin” osman të fuqive evropiane shpejt do të futet Austria. Që nga vitet ‘40 të shekullit XIX edhe Austria do të kishte në Janinë përfaqësuesit e saj konsullorë. 

Studimet rreth Shqipërisë e shqiptarëve hyrën në një fazë të re pas themelimit të pashallëqeve shqiptare – autonome, sidomos të pashallëkut të Janinës, udhëheqësi i të cilit, Ali pashë Tepelena (1740-1822), një nga figurat më madhore dhe më komplekse të kombit shqiptar, synoi jo vetëm autonominë nga Porta, por edhe krijimin e një shteti të pavarur që do të shtrinte sovranitetin e tij mbi të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët. Ekzistenca e pashallëqeve faktikisht autonome i dha një impuls të fuqishëm zgjimit të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve dhe idesë së një shteti kombëtar shqiptar dhe bëri të njohur Shqipërinë si një entitet i veçantë politik brenda Perandorisë Osmane, si një objekt hetimi për Evropën shkencore.

Në pashallëkun e Ali pashë Tepelenës u vendosën për herë të parë përfaqësues diplomatikë të fuqive të mëdha, fillimisht të Francës e të Anglisë, të cilët u morën me problemet shqiptare bashkëkohore dhe të së kaluarës. 

Rreth problemit të prejardhjes së shqiptarëve u shprehën vetëm Pukëvili dhe Liku. Qëndrimet e tyre janë krejtësisht të kundërta. Studiuesi francez, Pukëvil pranon pikëpamjen fantastike të autorëve bizantinë – Laonik Halkokondilit, të teologut, përkatësisht historianit kishtar francez Mishel Le Quien dhe të historianit kishtar Xhuzepe Simone Asemani të mesit të shekullit XVIII, që i bënin shqiptarët të ardhur gjatë mesjetës, i pari nga Alba e Italisë, kurse dy të tjerët – nga Albania e Kaukazit.

Konsull i përgjithshëm i Perandorisë, më pas edhe i Mbretërisë franceze në Janinë dhe në Patra ishte akademiku, diplomati, shkrimtari, fizikani, historiani dhe arkeologu francez Fransua PUKËVIL (François Charles Hugues Laurent Pouqueville, 1770-1838). Ndoqi nga afër veprimtarinë e Ali pashë Tepelenës (1740-1822), themeluesit të pashallëkut faktikisht autonom të Janinës. Njihet si historiani më i rëndësishëm i çerekut të parë të shekullit XIX për pashallëkun e Janinës. Vizitoi edhe një pjesë të madhe të Shqipërisë, duke udhëtuar nga Janina në Shkodër.  Në veprat e Pukëvilit jepen të dhëna të shumta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Është autor i veprave “Voyage de la Grèce” (Udhëtim nëpër Greqi, Paris 1820) dhe “Histoire de la régénération de la Grèce, prej 1740 deri më 1824”) (Historia e ringjalljes së Greqisë, Paris 1825). Në to jep të dhëna të çmueshme për vendin, për shqiptarët dhe për shtresat shoqërore të Shqipërisë së Jugut. Ndonëse ishte armik politik i vezirit të Janinës, provoi më së miri synimet e tij për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Vlerësimet e Pukëvilit për ta nxirë personalitetin e vërtetë të Ali pashë Tepelenës nuk i kanë qëndruar kritikës bashkëkohore dhe asaj të mëvonshme. Vepra e tij përshkohet nga një admirim për grekët dhe nga njëfarë denigrimi për shqiptarët.

Në fillim të shekullit XIX, përfaqësues politik i qeverisë angleze pranë oborrit të sundimtarit të fuqishëm në Shqipërinë Jugore, Ali pashë Tepelenës caktohet ushtaraku anglez Martin Uiljam LIK (Martin William Leake, 14.1.1777 – 6.1.1860). Është autor i dy veprave në gjuhën angleze: “Researches in Greece” (Kërkime në Greqi, 1854) dhe “Travels in Northen Greece” (Udhëtime në Greqinë e Veriut, 1835, në katër vëllime). 

Në veprën e parë, përveç materialeve të ndryshme me karakter ekonomiko-shoqëror dhe politik me interes për Shqipërinë, jep edhe shënime mbi gramatikën shqipe në bazë të një punimi të hartuar nga mësuesi Estra Vithkuqari. Liku jep shënime edhe për një fjalor të gjuhës shqipe. 

Në veprën e dytë sjell materiale përshkruese më të pasura, sidomos për ekonominë, për shoqërinë dhe gjendjen politike të Shqipërisë së Jugut nën sundimin e Ali pashë Tepelenës, si dhe për vendburimet arkeologjike. Liku mbështeti prejardhjen ilire të gjuhës shqipe.

Me punimet e Pukëvilit dhe të Likut bota shkencore evropiane mori në dorë një informacion të pasur për Shqipërinë si dhe nxitje për studimin e këtij vendi dhe të historisë së tij. 

*   *   *

Për qëllime njohëse dhe studimi do të shëtisnin në Shqipëri që nga poeti romantik anglez Xhorxh Gordon Bajroni (George G. Byron, 1788-1824) dhe miku i tij Xhon Kem Hobhaus* (1786-1869) deri te etnografi francez Ami Bue (Ami Boué, 1794-1881) dhe arkeologu francez Leon Hezej (Léon Heuzey, 1831-1922). Në këngën e dytë të poemës së vet “Shtegtimet e Çajld Haroldit” (1812-1818) Bajroni vlerëson traditat burrërore, trimëritë, fisnikërinë dhe mikpritjen e shqiptarëve.

Shënim: Xhon Kem Hobhaus (John Cam Hobhouse, më vonë Lord Broughton, 1786-1869) ka qenë personalitet politik dhe letrar anglez, mik i ngushtë i poetit Xhorxh Gordon Bajron, të cilin e shoqëroi në udhëtimet e tij në Shqipëri, në Greqi dhe në Turqi. Përshkrimin e këtij udhëtimi edha në veprën “A journey through Albania and other provences of Turkey in Europa and Asia…..during the years 1809-1810” (Udhëtim nëpër Shqipëri dhe provinca të tjera të Turqisë në Evropë dhe Azi…..në vitet 1809-1810, Londër 1813, botim i ripunuar më 1855). Udhëtimi i Xhorxh Hobhausit në Shqipëri përfshin jugperëndimin deri në Tepelenë. Midis tjerash, ai shkruan: “Kur banorët e viseve të tjera të Ballkanit pyeten se cilët janë, ata përgjigjen: “jemi muhamedanë” ose “jemi të krishterë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet: “jam shqiptar”. Në fund të librit, Hobhaus boton në anglisht edhe gramatikën shqipe të studiuesit arbëresh Fraçesko da Leçe* (Francesco da Lecce, vdiq më 1718) dhe disa këngë popullore të arbëreshëve të Greqisë, të mbledhura nga vetë ai.

Shënim: Françeskani arbëresh At Françesko da Leçe është autor i veprave “Dittionario italiano-albanese” (Fjalor italisht-shqip, 1702, 228 f.); “Osservazioni grammaticali nella lingua albanese” (Vështrime mbi gramatikën e gjuhës shqipe, Propaganda Fide, Romë 1716).

*   *   *

Populli grek nuk ka asnjë pikë gjaku të grekëve të vjetër – Falmerajer

Më 1855 u botua teza e doktoratës e studiuesit Nikokles në Universitetin e Hajdelbergut në të cilën, nga pozita antishkencore, ai përpiqet të argumentojë pikëpamjen mitike të ardhjes së shqiptarëve nga Albania e Kaukazit në periudhën e mesjetës. 

Punimi i Nikoklesit mori përgjigje shkencore në vitin 1857 nga historiani dhe helenisti apo bizantinisti i shquar austriak i mesit të shekullit XIX, Jakob Filip FALMERAJERI (Jakob Philipp Fallmerayer, 1790-1861), i cili tregoi karakterin antishkencor dhe fantastik të punimit në fjalë. Udhëtoi në vende të Lindjes, në Turqi, në Maqedoni si dhe në Greqi, ku u njoh me popullsinë arbëreshe. Në veprat e tij, për prejardhjen grekëve thotë: “Populli grek nuk ka asnjë pikë gjaku të grekëve të vjetër, është një përzierje shqiptarësh dhe sllavësh, në kulturën e tij popullore nuk ka asnjë gjurmë vazhdimësie të trashëgimit kulturor antik”. Kjo pikëpamje e bëri atë një nga figurat më të luftuar në Greqi. 

Ishte i pari që dëshmoi në mënyrë shkencore praninë e elementit shqiptar në Greqi.  Në veprën e tij në dy vëllime “Geschichte der Halbinsel Morea wahrend des Mittelalters” (Historia e Gadishullit të Moresë gjatë mesjetës, Munih 1830-1836) si dhe “Das albanesische Element in Griechenland” (Elementi shqiptar në Greqi, Munih 1857-1861) përshkruan situatën e studimeve rreth historisë dhe prejardhjes së shqiptarëve, duke na dhënë tablonë në të cilën duket qartë dominimi i pikëpamjes së autoktonisë mbi atë të aloktonisë, një dominim në nivel shkencor të argumentimit. Në to trajton edhe historinë e mërgimit dhe të përhapjes së gjerë të shqiptarëve në trevat greke. Historinë e shqiptarëve në trevat nga u nisën, në kuadrin e Perandorisë Bizantine dhe në ndeshjen e tyre me osmanët, e quan një “tragjedi historike”. 

Falmerajeri zbulon vitalitetin e lartë të popullit shqiptar, qëndresën e tij të jashtëzakonshme ndaj asimilimit kulturor dhe etnik dhe e konsideron popullin shqiptar si një shembull të gjallë të faktit që një popull luftarak është në gjendje të mbijetojë edhe përballë rrebesheve më të egra të historisë. Shqiptarët janë një popull ”fantastikisht liridashës” – thotë ky dijetar i madh. 

*   *   *

Kur më 1835 Uilliam Martin Lik nisi të botonte në Londër veprën e tij “Udhëtime në Greqinë e veriut”, në Frankfurt-mbi-Majn, doli nga shtypi libri i gjuhëtarit dhe albanologut bavarez Jozef Riter fon KSILANDER (Josef Ritter Xylander,1794-1854) “Die Sprache der Albanesen oder Schkipëtaren” (Gjuha e shqiptarëve, 1835), në të cilin duke u mbështetur në 3500 fjalë të shqipes solli argumente themelore në të mirë të prejardhjes së lashtë indoevropiane të saj, duke hedhur poshtë pikëpamjen për prejardhjen tatare ose kaukaziane të saj dhe duke u shprehur se shqipja është bijë e ilirishtes dhe shqiptarët – pasardhës të ilirëve. Ai argumentoi se shqipja nuk ka lindur nga ndonjë përzierje mekanike e gjuhëve romane.
Ksilanderi studimin e gjuhës shqipe arriti që ta vërë në nivelin e gjuhësisë krahasimtare bashkëkohore. Me Ksilanderin përfundon etapa e parë e studimeve gjermane mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Etnografi, natyralisti dhe udhëtari francez Ami BUE (Ami Boué, 1794-1881), gjatë udhëtimeve nëpër Ballkan, vizitoi edhe Shqipërisë. Veprat e tij me interes për Shqipërinë janë “La Turquie d’Europe” (Turqia evropiane, Paris 1840), në katër vëllime; dhe “Recueil d’itinéraires dans la Turquie d’Europe” (Përmbledhje udhëtimesh në Turqinë evropiane, Vjenë 1854) në dy vëllime. Megjithëse ka dhënë disa të vlerësime të diskutueshme, të dhënat e tij kanë vlerë historike njohëse. Në veprën gjeologjike “Esquisse géologique de la Turquie d’Europe” (Përshkrim gjeologjik i Turqisë evropiane, Paris 1840), ndër të tjera ka folur për vendburimin e serës së Selenicës, për ujërat termale të Dibrës e të Fushë-Krujës dhe për gjipsin e Vlorës.   

Një nga themeluesit e shkencës së albanologjisë, babai i albanologjisë Johan Georg fon HAN (Johann Gerge von Hahn, 1811-1869) ka qenë albanolog austriak me prejardhje gjermane, i lindur në Jenë. Gjatë udhëtimit në Shqipëri dhe Greqi, njohu shqiptarë dhe arbëreshë. Emërimi i tij si konsull i Austrisë në Janinë në vitin 1847, i dha atij mundësinë që t’i kushtojë thuajse tërë jetën e tij aktive si studiues i popullit shqiptar nga i cili ishin shkëputur arbëreshët në mesjetë. Hani është autor i veprës monumentale për historinë dhe botën shqiptare në përgjithësi “Albanesische Studien”(Studime shqiptare, Jena, 1954). Përpos veprës së sipërthënë, është autor edhe i veprave “Reise von Belgrad nach Saloniki” (Udhëtim nga Beogradi në Selanik, 1858) dhe “Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar” (Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit, 1867-1869). 

Vëllimet II e III të “Studimeve shqiptare” u kushtohen çështjeve të gjuhës. E shtroi shumë më gjerë se paraardhësit çështjen e prejardhjes së shqiptarëve dhe të shqipes. Shfrytëzoi burimet antike që flisnin për karakterin jogrek të ilirëve, të epirotëve dhe të maqedonasve. Duke ndjekur rrugën e H. Tunmanit shfrytëzoi edhe toponomastikën dhe shpjegoi përmes shqipes shumë toponime ilire. Hani arriti në përfundimin se shqipja është vijuese e drejtpërdrejtë e njërit prej dialekteve të vjetra të ilirishtes dhe u bë një mbrojtës i vendosur i tezës së autoktonisë së shqiptarëve në viset e tyre të sotme. Sipas Hanit, ilirishtja është gjë gjuhë pellazge në kuptimin e gjerë të fjalës. Sipas tij, ilirët ishin një nga degët themelore të popullsisë paleoballkanike, që qëndronte më vete përballë grekëve të vjetër. Mendimi i tij ishte në kundërshti me tezën e përhapur në shek.. XIX se “shqipja lidhej me greqishten si gjuhë motra, për shkak të prejardhje së përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve prej pellazgëve”. Mendimi Hanit u shërbeu rilindësve shqiptarë të cilët kërkonin që shqiptarët të njihen si një popull më vete, me rrugë historike të veçantë.          

Në veprën “Studime shqiptare” Hani thotë: “Meqë shqiptarët nuk janë sllavë dhe nuk lidhen ngushtë me ndonjë nga popujt e tjerë që njohim, meqë burimet fare të pakta që kemi nuk flasin për ndonjë shtegtim tjetër (veç atij sllav), i cili të ishte aq i madh sa të krijonte një popull të madh, duhet pranuar se shqiptarët e sotëm janë banorët e hershëm parasllavë të atij vendi.” Më 1868 Hani boton në Vjenë veprën “Udhëtim nga Beogradi në Selanik”. Ai riformulon pikëpamjen e tij për autoktoninë e shqiptarëve. “Ne mund të pranojmë në mënyrë të padiskutueshme se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve dhe të epirotëve të lashtë” (vepra e cituar, f. 228). Në këtë vepër ai përshkruan vise të banuara nga shqiptarë në Kosovë, Maqedoni e Serbi, njeh prejardhjen dardane të kosovarëve, njeh autoktoninë e shqiptarëve në trevat e banuara prej tyre në Maqedoni në shekullin e kaluar. Argumentimi i autoktonisë së shqiptarëve nga Hani ngjalli një reagim të menjëhershëm nga ana e kundërshtarëve të autoktonisë. 

Në veprën e dytë “Udhëtim nga Beogradi në Selanik” përshkruan trevat lindore të banuara prej shqiptarëve, në një kohë kur ende nuk kishte filluar shpërngulja e tyre nën trysninë e shtetit serb. Në veprën e tretë “Udhëtime nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit” jep material të pasur dhe me vlerë për kushtet e jetesës të popullsisë së malësive, për institucionet juridike-shoqërore dhe për kulturën e saj.

Më 1864 botoi në gjermanisht dy vëllime me përralla greke dhe shqiptare “Griechische und Albanesische Märchen”. Pason vepra “Sagwissenschaftliche Studien” (Studime për gojëdhënat, Jenë 1872, 1876, në dy vëllime). U mor edhe me mitet dhe besimet popullore, me poezitë popullore, me gojëdhënat dhe me përrallat shqiptare. Në fushën e etnologjisë dha i pari një paraqitje të “Ligjit të Maleve”, Kanunit të Malësisë së Madhe. Vërejti “Kanunin e Dukagjinit” për viset veriore dhe “Kanunin e Skënderbeut” për Matin e Dibrën.   

Profesori slloven i Universitetit të Vjenës, akademik në Austri, Franc MIKLOSIÇ (Franz Miklosich, 1813-1891) ka qenë sllavist, ballkanolog dhe albanolog, Ka botuar edhe studime për gjuhën shqipe si “Albanische Forschungen” (Hulumtime shqiptare) I, II. Për shqipen ka shkruar edhe studime të tjera sidomos në “Die slavischen Elemente im Rumänischen” (Elementet sllave në rumanishte). Është autor i veprës “Vergleichende Grammatik der slavischen Sprachen” (Gramatika krahasuese e gjuhëve sllave) në katër vëllime (1852-1875); mbahet si themelues i sllavistikës moderne apo i filologjisë sllave. Ka përkrahur tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe.

*   *   *

Në vitin 1877 në Gjermani del studimi i parë antropologjik për shqiptarët dhe me të bashkë, fillon antropologjia e shqiptarëve. Udhëhapës në këtë degë të albanologjisë do të jetë një figurë e shquar e shkencës së shekullit XIX, patologu dhe antropologu Rudolf VIRHOV (Rudolf Ludwig Carl Virchov,1821-1902) i njohur si themeluesi i patologjisë qelizore. Ai botoi në Berlin punimin “Mbi kraniologjinë e ilirëve”. Shqiptarët, kafkat e të cilëve i pat studiuar, Virhovi i identifikon me ilirët. 

Në vitin 1861, arkeologu dhe natyralist francez Leon HËZEJ (Léon Heuzey, 1831-1922) vizitoi Shqipërinë për të studiuar terrenin ilir dhe maqedonas të përshkruar nga prijësi ushtarak romak, shkrimtar dhe burrë shteti Kaj Jul Cezar (Caius Julius Caesar, 100-44 para K.) në luftën me gjeneralin romak dhe burrin e shtetit, Pompeun (Gnaeus Pompeius Magnus, 106-48 para K.). U kushtoi vëmendje të veçantë qyteteve dhe monumenteve arkeologjike. Zbuloi i pari gërmadhat e Orikut dhe planimetrinë e parë të mureve rrethuese të Apolonisë. Kopjoi të gjitha mbishkrimet greke, latine e bizantine që ndeshi në këtë udhëtim dhe paraqiti në vizatime një tog pjesësh arkitektonike dhe skulpturash nga Apolonia dhe Durrësi. Monumentet më me vlerë historike e artistike, ndër to edhe mbishkrimin e fshatit Arapaj që bën fjalë për ujësjellësin e Dyrrahut (shekulli II) i nisi për në muzeun e Luvrit (Louvre). Bashkë me arkitektin Honore Dome (Pierre Jérôme Honoré Daumet, 1826-1911) botoi dy vëllime me titullin “Mission Archeologique de MacedoineI (Mision arkeologjik në Maqedoni, Paris 1867). Vepra tjetër “Les Operations militaires de Julius Cesar” (Veprimet ushtarake të Jul Cezarit, Paris 1886) në pjesën më të madhe zhvilluar në truallin ilir, ka edhe interes gjeografik e folklorik për gjendjen e trevave përkatëse në shekullin XIX.

*   *   *

Mesapët ishin një fis joitalik që në Italinë Jugore, në pjesën lindore të Gadishullit të  Apenineve, kishin emigruar nga Epiri dhe Iliria. Ata ishin një degëzim i trungut të popullit ilir. Për t’i deshifruar mbishkrimet mesape, dijetarët vendosën ta shfrytëzojnë shqipen. 

Nga mesi i shekullit XIX në historiografinë gjermane dhe atë botërore po ngrihej figura e njërit prej historianëve më të mëdhenj të kohëve moderne, Teodor MOMSEN-it (Theodor Mommsen, 1817-1903). Ky laureat i çmimit “Nobel” është autor i veprës voluminoze “Römisch Geschichte” (Historia e Romës, Lajpcig 1854-1856). Në punimin e vitit 1850 “Dialektet e Italisë së Jugut” ai arriti në përfundimin mbi lidhjet e mesapishtes me ilirishten dhe me shqipen. Në veprën madhore të tij “Historia e Romës”, epirotët e lashtë të prirë nga Pirua ai i mbiquan “shqiptarë të lashtësisë”. Jemi tani në kohën kur gramatikanët e rinj (Junggrammatiker) kishin formuluar ligjet e përgjithshme të evolucionit fonetik të gjuhëve.

Nga fundi i shekullit të XIX HELBIG-u zbuloi se emrat e njerëzve që hasen në mbishkrimet mesape në shumë raste janë thuajse të njëjtë me antroponimet ilire të bregdetit lindor të Adriatikut.

Studiuesi norvegjez Elseus Ssofus BUGE (Elseus Sophus Bugge, 1833-1907) në vitet ‘90 të shekullit XIX botoi punimin “Mesapishtja dhe shqipja“ ku ai, në evolucionin fonetik dhe në leksik, midis gjuhës së mesapëve të lashtë dhe shqipes së sotme zbulon një sërë përputhjesh.

Për shqipen ky moment arrin kulmin me botimin në vitin 1891 të “Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe“ nga albanologu austriak me prejardhje gjermane, një nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog, Gustav MAJER (Gustav Mejer, 1850-1900). Ka qenë profesor i gjuhësisë krahasuese indoevropiane në Universitetin e Gracit. Ndër të tjera, ka botuar veprën monumentale “Etymologisches Wortebuch der albanesischen Sprache” (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, Strasburg 1891) dhe gjashtë vëllime të serisë “Albanesische Studien”, I – VI, (Studime shqiptare, Vjenë 1883-1897). Në vëllimin III trajton temën Fonetika e pjesës indoevropiane të shqipes, që është e para fonetikë historike gjuhës shqipe. Në vëllimin V flet për të folmet shqipe në Greqi. Ka  botuar edhe “Kurzgefasste albanesische Grammatik” (Gramatikë e përmbledhur e shqipes, Lajpcig 1888), Vuri në dukje edhe praninë e një numri jo të vogël fjalësh shqipe në gjuhën greke. Falë punës së tij, faktet eshqipes zunë më shumë vend në gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Majeri përcaktoi shkencërisht se gjuha shqipe vjen nga ilirishtja dhe se ajo zë një vend më vete në rrethin e gjuhëve indoevropiane.  

Historiani çek, profesor në Universitetin e Pragës, e më pas në Vjenë, Konstantin JIREÇEK (1854-1918) është autor i një vargu studimesh për vendet e Ballkanit, ndërmjet tyre disa edhe për Shqipërinë. Bashkë me L. Taloçin dhe M. Shuflajin botoi “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” (Akte dhe diploma që ilustrojnë çështjet e Shqipërisë Mesjetare) vëll. I-II, Vjenë 1913-1916.

Gjuhëtari, ballkanologu dhe albanologu gjerman Gustav VAJGAND (Gustav Weigand, 1860-1930) është i njohur sidomos si studiues i gjuhës rumune. Hartoi atlasin e parë dialektor të rumanishtes*. U mor edhe me studimin e gjuhëve të tjera të Evropës Juglindore, sidomos me gjuhën shqipe dhe me bullgarishten. Dukuritë e përbashkëta të këtyre tri gjuhëve i lidhi me një substrat të përbashkët trak. Ishte përfaqësuesi kryesor i tezës se gjuha shqipe buron nga trakishtja. Këtë tezë e shtroi në artikullin: “A janë shqiptarët pasardhës të ilirëve apo të trakasve” të botuar në vitin 1927. Po atë vit, gjuhëtari Aleksandër Xhuvani (1880-1961) artikullin e përktheu në shqip dhe e botoi në revistën “Dituria”. G. Vajgandi ka botuar një gramatikë të gegërishtes jugore me titull “Albanesische Grammatik im südgegischen Dialekt” (Gramatike e shqipes së gegërishtes jugore, Lajpcig 1913). Kjo gramatikë mbështetet në materialet e të folmeve të Tiranës, të Durrësit dhe të Elbasanit. Përpos shpjegimeve gramatikore, libri përmban edhe ushtrime, copa leximi dhe përralla. Ka botuar edhe një fjalor shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip: “Albanesisch-Deutsches und Deutsch-Albanesisches Wörterbuch”, Lajpcig 1914.

Shënim: Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe është vepër sintetike themelore e dialektologjisë shqiptare që paraqet tiparet gjuhësore të dialekteve të gjuhës shqipe me metodën e gjeografisë gjuhësore dhe gjendjen e studimit të tyre. Vepra përfundoi së hartuari në vitin 1990 nga një grup dialektologësh të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHSH, si: gjuhëtari e dialektologu Jorgji Gjinari (1931-2020) – drejtues shkencor; gjuhëtari Bahri Beci (1936); studiuesi i gjuhës dhe letërsisë shqipe Gjovalin Shkurtaj (1943), studiuesi e dialektologu Xheladin Gosturani (1942-2000). Bashkëpunuan: gjuhëtari Menella Totoni (1935) dhe gjuhëtari Anastas Dodi (Vlorë, 1933 – Filadelfia, 2008). A. Dodi është autor i veprës “Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe”, Tiranë 2004, botuar nga ASH. Vëllimi i parë i “Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe” u botua në vitin 2007 nga departamenti i studimeve të Evropës Lindore në Universitetin e Napolit (Universitä degli Studi di Napoli L’Orientale). 

*  *   *

Me shqipen është marrë filologu, neogramatikani dhe romanisti me prejardhje zvicerane Vilhelm MAJER-LYBKE (Vilhelm Meyer-Lübke, 1861-1936). Është autor i studimit të gjatë “Rumänisch, romanisch, abanesisch”. E ka ripunuar studimin e albanologut austriak Gustav Majerit (Mejer) “Die lateinischen Elemente im Albanesischen” (Elementet latine në shqip). Është autor i veprës madhore “Grammatik der Romanischen Sprachen” (Gramatikë e gjuhëve romane) etj. 

 Një nga themeluesit e arkeologjisë ilire është arkeologu dhe historiani austriak Karl PAÇ (Carl Patsch, 1865-1945). Prej viti 1921 ishte profesor në Universitetin e Vjenës dhe drejtor i Institutit Ballkanik po aty. Rrezen e interesave të tij shkencore e zgjeroi edhe mbi Shqipërinë. Arritjet e hulumtimeve të veta i përfshiu në librin “Das Sandschak Berat in Albanien” (Sanxhaku i Beratit në Shqipëri, Vjenë 1904). Në vitet 1922-1924 punoi në Shqipëri dhe ndihmoi një përpjekjet për ngritjen e një muzeu kombëtar. Botoi në shqip dy libra: “Ilirët” dhe “Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipërisë në kohën e kalueme”, Tiranë 1923, 1925. Mendimi i tij, i shprehur në disa punime, për një nënshtresë trake në trevën e ardianëve e të dardanëve ilirë dhe për përbërjen etnike helene të qyteteve ilire Klos e Bylis, është rrëzuar nga studimet e mëvonshme.  

Për ilirishten dhe shqipen ka shkruar edhe gjuhëtari austriak me prejardhje gjermane, indoevropianisti dhe grecisti i njohur Paul KREÇMER (Paul Kretschmer, 1866-1956). Ka qenë një prej profesorëve të Eqrem Çabejit në Universitetin e Vjenës.   

  Ndihmesë të vyer për historinë e popullit shqiptar ka dhënë historiani rumun me prejardhje shqiptare Nikolla JORGA (Nicolae Iorga, 1871-1940). Në vitet 1915-1916 botoi në Bukuresht, në gjuhë të huaja disa vëllime me titull “Shënime dhe ekstrakte në shërbim të historisë së kryqëzatave të shekullit XV”. Aty jep një material të pasur dokumentar për luftërat kundërosmane të popullit shqiptar gjatë epokës së Gjergj Kastriotit. Në vitin 1915, në Bibliotekën Laurentiane të Firences zbuloi dokumentin e parë të gjuhës shqipe “Formula e pagëzimit” të vitit 1462, shkruar nga kryepeshkopi i Durrësit, bashkëpunëtor dhe këshilltari i Gjergj Kastriotit, Pal Engjëlli (rreth 1417-1470). Në vitin 1915 N. Jorga e botoi Formulën e pagëzimit. Në vitin 1919 botoi veprën “Brève histoire de l’Albanie et du peuple albanaise”), (Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar”, Bukuresht 1919). Më pas botoi veprën “Histori e shteteve të Ballkanit deri më 1924”, Paris 1925) ku çështje të historisë së Shqipërisë zënë një vend të dukshëm. Jorga u vra nga forcat fashiste rumune Garda e Hekurt.

Në fillim të shekullit XX pasuan studime të tjera për shqiptarët, si ato të studiuesit italian Françesko RIBEKO (Francesco Ribezzo, 1875-1952). 

  Gjuhëtari dhe albanologu i shquar austriak me prejardhje çifute Norbert JOKL (Norbert Jokl, 1877-1942) lindi në Bzenec të Moravisë. Më 1907 filloi ta mësonte shqipen si autodidakt. Si kryebibliotekist në Universitetin e Vjenës dha njëkohësisht mësim si pedagog i jashtëm për shqipen, për gjuhët baltike etj. U zhduk nga nazistët më 1942. Më 1972, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së tij, në Insbruk të Austrisë u organizua një konferencë ndërkombëtare. Në të morën pjesë edhe gjuhëtarë shqiptarë. Tërë jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe. Punoi në fushën e etimologjisë dhe të fjalëformimit historik, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera, për fonetikën dhe morfologjinë historike të saj. Si vëllime më vete arriti të botonte vetëm “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë 1911 (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes) dhe “Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin-Lajpcig, 1923 (Gjurmë gjuhësore e historike-kulturore nga lëmi i shqipes). Për shqipen ka edhe studime të tjera. I çoi përpara gjurmimet etimologjike shqiptare, hodhi dritë mbi prejardhjen e shumë fjalëve të shqipes, duke provuar burimin vendës të mjaft elementeve të mbajtura si huazime. 

Mbajti rubrikën e bibliografisë për gjuhën shqipe në organin vjetor ndërkombëtar “Indogermanisches Jahrbuch” (1916-1940), ku paraqiti sistematikisht të gjitha botimet albanologjike të atyre viteve.  

Më 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, vizitoi Shqipërinë. Hulumtoi problemin e burimit të shqipes. I shqyrtoi marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e lashta jogreke të Ballkanit, me ilirishten dhe trakishten. Shtjelloi tezën e tij të prejardhjes së shqipes, duke bërë një sintezë të tezave ilire dhe trake. Mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, po duke e vendosur djepin e parë të tyre në Dardaninë e lashtë, Kosova e sotme.

Gjuhëtari dhe albanologu austriak Maksimilian LAMBERC (Maximilian Lambertz, 1882-1963) studioi dialektet arbëreshe,  ndarjen dialektore të shqipes, folklorin. Gjatë Luftës I Botërore bëri një udhëtim studimi në Shqipëri, mblodhi lëndë folklorike e dialektore dhe mori pjesë në punën e Komisisë Letrare Shqipe*. Ka botuar disa vepra për folklorin. Studime themelore të tij janë “Die Volkspoesie der albaner” (Poezia popullore shqiptare, Sarajevë 1917), “Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde” (Përralla shqiptare dhe tekste të tjera nga folklori shqiptar, Vjenë 1922), “Shqipëria rrëfen”, (1956), studimin për ciklin shqiptar të kreshnikëve “Epika popullore shqiptare”, (1958). Pas vdekjes u botua punimi “Mitologjia shqiptare” (1969). Më 1914, në fushën e sintaksës, botoi një monografi për periudhën hipotetike të shqipes. Pas Luftës II Botërore u vendos në RD Gjermane. Botoi “Fjalor shqip-gjermanisht” (1954), “Antologji shqipe” (1955), “Gramatikë” (1959). Shkroi artikuj dhe recensione për botime gjuhësore dhe letrare shqipe. Përktheu në gjermanisht dhe botoi poemën “Lahuta e malcís” të Gjergj Fishtës (1871-1940), si dhe dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës, 1916-2002).           

   Shënim: Komisia Letrare Shqipe (1916-1918) është komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh që u ngrit në Shkodër më 1916 pranë Drejtorisë së Arsimit me nismën e një grupi intelektualësh shqiptarë dhe me mbështetjen e konsullit të përgjithshëm të Austro-Hungarisë e të Komandës ushtarake austriake në Shkodër, për të zgjidhur probleme të arsimit dhe gjuhës letrare pas Kongresit të Manastirit (1908). Në të morën pjesë Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Hil Mosi, Sotir Peci, Mati Logoreci, Gjergj Pekmezi, Aleksandër Xhuvani, Ndre Mjeda, Ambroz Marlaskaj, Ndue Paluca, Hafiz Ali Korça, Vinçenc Prennushi, Luigj Naraçi, Josif Haxhimima të cilët e vunë punën e KLSh në shërbim të çështjes kombëtare. Kryetar u caktua Gjergj Pekmezi. 

*   *   *

Studiuesi i historisë së gjuhës shqipe Henrik BARIQ (Henrik Barić, Dubrovnik, 1888 – Beograd, 1957) ka qenë gjuhëtar kroat, ballkanolog dhe albanolog. Në vitin 1906 i filloi studimet në Grac dhe në Vjenë. Studioi gjuhësinë e përgjithshme, gramatikën krahasuese, romanistikën dhe sllavistikën. Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Vjenë. Më 1920, docent, më 1923 profesor inordinar, ndërsa më 1930, profesor ordinar në Universitetin e Beogradit. Pas Luftës II Botërore, profesor ordinar edhe në Universitetin e Sarajevës. Në vitet 1923-1926 botoi revistën “Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju“ (Arkivi i lashtësisë, i gjuhës dhe i etnologjisë shqiptare). Është autor i veprave: „Älbanorumänische Studien I“ (Studime rumune-shqiptare, Sarajevë 1919), „Ilirske jezične studije I“ (Studime gjuhësore ilire I, Zagreb 1948), „Poreklo Arbanasa u svetlu jezika“ (Prejardhja e shqiptarëve në dritën e gjuhës, Sarajevë 1954), „Hymje në historinë e gjuhës shqipe“ (Prishtinë 1955), botuar në Sarajevë më 1959 edhe serbisht-kroatisht. Ka botuar edhe një varg artikujsh. Ndërmori një fjalor serokroatisht-shqip nga i cili u botua vetëm pjesa e parë „Rečnik srpskoga ili hrvatskoga i arbanaškoga jezika“, Zagreb 1950. Në shqyrtimet etimologjike të tij, H. Bariqi e shtoi fondin e njohur indoevropian të shqipes dhe trajtoi disa dukuri të fonetikës historike të saj. Trajtoi përkimet gjuhësore ndërmjet shqipes dhe rumanishtes dhe mbështeti tezën trake të prejardhjes së gjuhës shqipe.

Në vitet ‘30 të shekullit XX pasuan studimet e gjuhëtarit gjerman Albreht fon BLUMENTAL (Albrecht von Blumenthal, 1889-1945), kurse në vitet ‘60 të atij shekulli – studimet e O. HAS-it. 

 Historiani kroat Millan SHUFLAJ (Milan Šufflay, 1897-1931) është studiues i historisë mesjetare shqiptare. Pas një udhëtimi në Shqipëri u vra barbarisht nga policia jugosllave. Bashkë me historianin hungarez Ludovik Taloçi (Lajos ose Ludwig Thalloczy, 1854/56-1916) dhe historianin çek Konstantin Jireçek (1854-1918) botoi më 1913 dhe 1918 vëll. I e II të përmbledhjes “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” (Akte dhe diploma që ilustrojnë çështje të Shqipërisë mesjetare, vëll. I-II, Vjenë 1913-1916). Me bashkautorët e mësipërm botoi përmbledhjen me studime “Illyrisch-Albanische Forschungen” (Studime iliro-shqiptare, I-II, Lajpcig 1916). Më 1924 u botua nga Akademia e Shkencave e Vjenës vepra “Städte und Bürgen Albaniens hauptsächlich während des Mittelalters” (Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht gjatë Mesjetës). Pasojnë punimet “Povijest sjevrnih Arbanasa” (Historia e shqiptarëve të Veriut) dhe “Srbi i Arbanasi” (Serbët dhe shqiptarët). Më 1920, me pseudonimin Alba Limi, botoi romanin historik me temë shqiptare Konstantin Balsha”. Historia e shqiptarëve është për të, histori e një entiteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone dhe vazhdimësi të pandërprerë, me aftësi të madhe rigjenerimi. Ajo përfaqëson thelbin autentik të historisë së Ballkanit të lashtë.

Gjuhëtari gjerman, indoevropianist Hans KRAHE (1898-1965) u mor me zbërthimin e venetishtes dhe të ilirishtes, e në mënyrë të veçantë me problemin e gjuhës në kohën parahistorike, kryesisht në bazë të emrave të lashtë të ujërave (hidronimisë). Studioi emrat ilirë të vendeve dhe të njerëzve. Është autor i veprave “Die alten balkanillyrischen geographischen Namen” (Emrat e vjetër gjeografikë të ilirishtes ballkanike, Hajdelberg 1925); “Lexikon altillyrischer Personennamen “ (Fjalor i emrave të vjetër vetjakë ilirë, Hajdelberg 1929); “Die Sprache der Illyrier” (Gjuha e ilirëve, Visbaden 1955). I ndikuar edhe nga teza e “panilirizmit”, e përhapur që nga fundi i shek.. XIX, ai besonte se kishte gjetur mbetje të ilirishtes në të gjithë Evropën, duke arritur në përfundim se këto ishin gjurmë të përhapjes së dikurshme të ilirëve. Ky koncept sot quhet i tejkaluar. Vetë H. Krahe e pati rishikuar këtë tezë në studimin “Vom Illyrischen zum Alteuropäischen” (Nga ilirishtja në evropianishten e vjetër) të vitit 1964. Në të, emrat e diskutueshëm të vendeve ia atribuon një substrati të vjetër indoevropian të përbashkët

Me shqiptarët është marrë edhe historiani, bizantologu gjerman Georg SHTATMYLER (Georg Stadtmüller, 1901-1985). Lidhur me atdheun fillestar të shqiptarëve, ndër studiuesit evropianë ka pasur teza të ndryshme, si: atdheu i parë i shqiptarëve janë brigjet e Jonit dhe të Adriatikut, trekëndëshi Scupi – Astibo –Naissus (Shkupi – Shtipi – Nishi), malet e Shqipërisë, në mënyrë të veçantë të Shqipërisë së veriore etj. Shtatmyleri i vendos shqiptarët në fillim në rrethin e Matit.      

Gjuhëtari italian Karlo TALJAVINI (Carlo Tagliavini, 1903-1982) ishte romanist, ballkanolog e albanolog. Profesor në Universitetin e Padovës, ku mbajti vite me radhë ligjërata për gjuhën e për letërsinë shqipe. Botoi studime dhe artikuj për çështje të dialektologjisë, të leksikologjisë historike, të historisë së gjuhës shqipe dhe të gjuhësisë shqiptare. Prej vitit 1941 mbajti për disa vjet rubrikën bibliografike për albanologjinë dhe ballkanistikën në organin “Indogermanisches Jahrbuch”. Në veprën “L’albanese di Dalmazia” (Shqipja e Dalmacisë, Firence 1937) flet për të folmen shqipe të Borgo Ericos (Arbëneshit) të afër Zarës. Në punimin “Stratificazzione del lessico albanese. Elementi indoeuropei” (Shtresëzimi i leksikut të shqipes. Elementet indoevropiane, Bolonjë 1965) ka dhënë ndihmesë për studimet etimologjike në fushë të shqipes. Hartoi monografinë dialektologjike “Le parlate albanesi di tipo Ghego orientale (Dardania e Macedonia nordocidentale)” (Të folmet shqipe të tipit të gegërishtes lindore. Dardania dhe Maqedonia veriperëndimore, Romë 1942) në të cilën dha edhe disa tipare të të folmeve të Kosovës e të Maqedonisë. Në vëllimin “Stratificazzione del lesicco albanese” (1943, 1965) u botua një pjesë e kursit për gjuhën shqipe të mbajtur prej tij.       

Gjuhëtari rumun, ballkanolog dhe albanolog Haralamb MIHËESKU (Haralambie Mihaescu, 1907-1985) për gjuhën shqipe flet në veprën “Les elements latins de la langue albanaise” (Elementet latine të gjuhës shqipe, 1966). Ka sjellë ndihmesa në kritikën shkencore me recensionet për vepra rreth gjuhës shqipe. Ka marrë pjesë në veprimtari shkencore albanologjike. Ka sjellë argumente për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe autoktoninë e hershme të popullit shqiptar në trevat e tij të sotme.     

Gjuhëtari bullgar, indoevropianist, ballkanolog dhe albanolog Vladimir GEORGIEV (Vladimir Georgiev, 1908-1986) studioi në Sofje filologjinë klasike. Në vitet 1932-1934 kreu një specializim në Vjenë. U mor me probleme të gjuhëve ballkanike, të gjuhësisë indoevropiane dhe të gjuhëve sllave. Në kuadër të studimeve ballkanologjike trajtoi gjendjen gjuhësore të Ballkanit në lashtësi, probleme të etnogjenezës së popujve të Ballkanit sipas të dhënave gjuhësore, lidhjet ndërmjet popujve të lashtë të këtij gadishulli – ilirëve, trakasve dhe grekëve, probleme të substratit ballkanik dhe të lidhjes gjuhësore ballkanike. Mbrojti tezën se në pjesën lindore të këtij gadishulli banonin trakasit në jug dhe dakogetët në veri. Gjuhën shqipe, për nga burimi, e mendonte të afërt me dakomizishten. Është autor i disa veprave studimore. Midis tyre edhe vepra “Introduction to the History of the Indo-European Languages” (Hyrje në historinë e gjuhëve indoevropiane, Sofje 1981). Tregoi interesim për gjuhët e vdekura, si pellazgjishtja, hetitishtja, etruskishtja. 

Në vitin 1963 u themelua Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve për Evropën Juglindore (Association Internationale d’Études du Sud-Est Européen – AIESEE). Sekretariati i Përgjithshëm e ka selinë në Bukuresht. V. Georgiev u zgjodh kryetar i parë i saj.

Gjuhëtari dhe albanologu francez Anri BUASËN (Henri Boissin, 1910-1975) diplomoi për anglishten, për disa gjuhë ballkanike, fino-ugrike dhe më 1949 edhe për shqipen. Me kursin e tij “Hyrje në albanologji” (1949) mund të merret si themelues i mësimit të shqipes në Francë. Degën e shqipes e drejtoi deri në vitin 1968. Me disertacionin “Le dialect guégue parlé à Arbanasi en Dalmatie” (Dialekti gegë që flitet tek arbanasit në Dalmaci) solli ndihmesë të re në studimet dialektore. Vepra kryesore e tij është “Grammaire de l’albanais moderne” (Gramatikë e shqipes së sotme, Paris 1975). Për shqipen dhe letërsinë shqipe ka shkruar një varg artikujsh. Më 1962, mori pjesë në Konferencën e Parë të Studimeve Albanologjike të mbajtur në Tiranë.          

Gjuhëtarja dhe albanologia ruse Agnia Vasilevna DESNICKAJA (1912-1992) studioi për filologji gjermane në Leningrad. Në vitet 1976-1988 drejtoi sektorin e studimeve krahasuese-historike të gjuhëve indoevropiane dhe të gjuhësisë areale. Aty u shfaq interesimi për ballkanistikën, e posaçërisht për gjuhën shqipe. Në vitin 1957, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Leningradit, themeloi degën e gjuhës e të letërsisë shqipe të cilën e drejtoi deri në vitin 1992. Në vitin 1946 vizitoi Shqipërinë. Më 1957 përsëri vjen në Shqipëri, por tani për qëllime studimi. Po këtë vit nisi botimi i punimeve të saj kushtuar gjuhës dhe letërsisë shqipe. Mori pjesë disa herë në veprimtaritë shkencore të mbajtura në Prishtinë në vitet 1974-1986. Në vitin 1990 mori pjesë në kolokuiumin e mbajtur në Tiranë, kushtuar Naim Frashërit. 

A. Desnickaja u mor me një varg fushash të studimeve shqiptare: me historinë e gjuhës, dialektologjinë, huazimet leksikore, strukturën morfologjike, gjuhën letrare dhe gjuhën e folklorit, me lidhjet ballkanike të shqipes, letërsinë shqipe dhe epikën. I përmbahej mendimit për prejardhjen ilire të shqipes. I dha rëndësi rindërtimit të brendshëm të gjendjes së shqipes së vjetër dhe integrimit në indoevropianistikë të këtij vështrimi me të dhëna të reja rreth shqipes. Ka treguar disa tipare të përbashkëta të shqipes me gjuhët gjermane. Është autore e veprës “Albanskyj jazyk i ego dialekty” (Gjuha shqipe dhe dialektet e saj, Prishtinë 1972) dhe e përmbledhjes “Letërsia shqipe dhe gjuha shqipe” (1987). Paraqiti një tezë origjinale për eposin shqiptar, duke pohuar se ai u formua në etapën e fundit të rendit fisnor, por më vonë mori mbishtresa të reja. Në veprën “Istoria vsemirnoj literatury” (Historia e letërsisë botërore). Në këtë vepër me shumë vëllime, letërsinë shqipe e përfshiu me tre krerë, Moskë, vëll. 5, 1988; vëll. 6, 1989; vëll. 7, 1991.

Gjuhëtari amerikan Erik Pret HEMP (Eric Pratt Hamp, 1920/21-2019) është një nga indoevropianistët e sotm më në zë. Është edhe albanolog. Anëtar i jashtëm i ASHSH dhe i ASHK. Është marrë edhe me studimin e shqipes. Ka shkruar një varg artikujsh për etimologjinë e një numri fjalësh të shqipes, për fonetikën historike, për numërorët e shqipes, për vendin e shqipes në familjen e gjuhëve indoevropiane, për marrëdhëniet e shqipes me mesapishten, për tiparet ballkanike të shqipes, për të folmen shqipe të arbëreshëve dhe të arvanitasve. Është autor i studimeve “On the Arvanitika dialects of Attica and Megarit” (Të folmet arvanitase të Atikës dhe të Megaridës, 1961); “The Albanian dialect of Mandres” (E folmja shqipe e Mandrës,1965); “Il sistema fonologico della parlata di Vaccarizzo Albanese” (Sistemi fonologjik i së folmes së Vakaricit, Kozencë-Rende, 1993). Është autor i studimeve “The position of Albanian” (Vendi i shqipes) botuar më 1966 në “Ancient Indo-European dialcts”; “Albanian” (Shqipja) botuar më 1972 në “Current Trends in Linguistics”, vëll. 9.       

 Gjuhëtari kroat Radoslav KATIÇIQ (Radoslav Katičić, Zagreb, 1930 – Vjenë, 2019) është studiues i filologjisë klasike, indoevropianist, sllavist, ballkanolog dhe indolog. Prej vitit 1977 profesor i filologjisë sllave në Universitetin e Vjenës. Në fushën e ballkanologjisë ka shkruar veprën “Ancient Balkan Languages” (Gjuhët e lashta të Ballkanit, 1976), në dy vëllime. Në të, me argumente historiko-gjuhësore dhe onomastike shtjellon tezën e prejardhjes ilire të shqipes. Hapësirën onomastike ilire në lashtësi e ndante në tri zona të mëdha: liburne, panone dhe ilire e mirëfilltë (Illyrii proprie dicti). Është edhe autor i një libri për mitologjinë ilire.   

Me gjuhën shqipe është merrë edhe indoevropianisti amerikan Martin Eduard HULD (Martin Edward Huld, (1950- ), autor “Basic Albanian etymologies” (Etimologjitë themelore të shqipe, 1984, 213 f.).       

*   *   *

Historia dhe gjuha e ilirëve u njoh me një konsensus të kënaqshëm ndërkombëtar si histori dhe gjuhë e paraardhësve të shqiptarëve. Kërkimet në këtë fushë, duke nisur nga fillimi i shekullit XX, formojnë një fushë të veçantë të dijes, të njohur si ilirologji. Prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve si dhe autoktonia e tyre në të gjitha hapësirat shqiptare të Gadishullit Ballkanik, sot është pranuar pothuajse në të gjitha qarqet shkencore të Evropës dhe më gjerë. Prejardhja ilire e shqipes dhe e shqiptarëve përbën ndërgjegje kombëtare për kombin shqiptar.  

LETËRSIA GOJORE SHQIPTARE DHE STUDIUESIT E HUAJ – Përmbledhja më e hershme e letërsisë gojore shqiptare u botua në Gjermani nga Johan georg fon Han në trevëllimshin “Albanesische Studien” (Studime shqiptare, Jenë 1854). Mjeku gjerman Karl Hajnrih Teodor Rajnholt (Karl Heinrich Theodor Reinhold, 1810-1880) shërbeu në flotën greke kur u njoh me folklorin shqiptar nga detarët shqiptarë. Në librin “Noctes Pelasgicae” (Net pellazge, Athinë 1855) botoi një përmbledhje me këngë popullore, rrëfenja dhe fjalë të urta shqiptare, bashkë me një gramatikë të shqipes. Folkloristi italian Xhuzepe Pitre (Guiseppe Pitrè, 1841-1916) në librin “Fiabe, novelle e racconti popolari siciliani” (Përralla, tregime e rrëfenja popullore siciliane, Palermo 1875, katër vëllime) botoi një përmbledhje përrallash popullore nga Sicilia. Konsulli francez Ogyst Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891) që e kishte selinë në Janinë e Selanik, botoi përralla dhe këngë popullore shqiptare në librin “Manuel de la langue chkipe au albanaise” (Doracak i gjuhës shqipe ose albaneze, Paris 1879). Pas dy vjetëve botoi librin “Contes albanais, recueillis et traduits” (Rrëfenja shqiptare, të mbledhura e të përkthyera, Paris 1881). Gjuhëtari çek Jan Urban Jarnik (1848-1923) botoi materiale folklorike shqiptare, ndërto një poezi, dy përralla popullore dhe 53 fjalë të urta nga krahina e Shkodrës në librin “Prispevky ku poznani nareci albanskych” (Ndihmesë për njohjen e dialekteve të shqipes, Pragë 1883). Albanologu austriak Gustav Majeri (Gustav Meyer, 1850-1900) botoi 14 rrëfenja shqiptare në “Albanische Märchen” (Rrëfenja shqiptare, Lajpcig 1884) si dhe një numër rrëfenjash toske si shtojcë e gramatikës së ti shqipes “Kurzgefaßte albanesische Grammatik mit Lesetücken und Glossar” (Gramatikë e shkurtër e shqipes me tekste e fjalor, Lajpcig 1888). Material folklorik botoi edhe në vëllimet V e VI të “Albanesische Studien” të tij (Studime shqiptare, Vjenë 1896-1897). Indoevropianisti danez Holger Pedersen (1867-1954), më 1893 vizitoi Shqipërinë, për të mësuar gjuhën dhe për të mbledhur material gjuhësor. Përmbledhja me 35 përralla popullore shqiptare që i regjistroi në Shqipëri dhe në Korfuz, u botua në librin “Albanesische Texte mit Glossar” (Tekste shqipe me fjalor, Lajpcig 1895).              

Xhelal Zejneli

Filed Under: Histori

Rritja e rrezikut të luftës në Ngushticën e Tajvanit

June 5, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi

China Ramps Up Tensions Around Taiwan

Hyrje: Një konfrontim në horizont

Në fillim të vitit 2024, Tajvani zgjodhi presidentin William Lai, një figurë me orientim të qartë pro pavarësisë, çka e ka tensionuar më tej marrëdhënien tashmë të brishtë me Kinën. Bonny Lin, Jude Blanchette dhe Ryan Hass, tre ekspertë të njohur të politikës kineze dhe sigurisë aziatike, argumenton se rreziku i luftës në Ngushticën e Tajvanit është jo vetëm i pranishëm, por edhe në rritje të shpejtë. Kjo analizë do të shqyrtojë shkaktarët kryesorë të këtij përshkallëzimi, pasojat e mundshme për rajonin dhe rendin ndërkombëtar, si dhe rolin vendimtar të SHBA-së në menaxhimin e krizës.

I. Dilema e status quo-së: Pse po thyhet ekuilibri?

Historikisht, Kina ka ndjekur një qasje të duruar ndaj ribashkimit me Tajvanin, duke përdorur presion ekonomik, diplomatik dhe ushtarak pa kaluar vijën e kuqe të konfliktit të hapur. Megjithatë, me ardhjen në pushtet të presidentit Xi Jinping dhe retorikën më të ashpër të tij për “ribashkim të pashmangshëm”, kjo strategji po evoluon drejt një më të asertive dhe të përballshme ushtarakisht.

Nga ana tjetër, Tajvani ka ndjekur një strategji të zgjuar të “ambiguitetit të pavarësisë” – pa shpallur pavarësi formale, por duke vepruar si shtet de facto i pavarur. Fitorja e William Lai ka thelluar dyshimet e Pekinit se Tajvani po largohet përfundimisht nga koncepti “Një Kinë”. Kina e percepton këtë si një provokim ekzistencial dhe një sfidë për legjitimitetin e Partisë Komuniste, duke e shtyrë të rrisë presionin ushtarak dhe diplomatik.

II. Përgatitjet kineze dhe opsionet e mundshme të luftës

Artikulli thekson se Pekini nuk ka vendosur ende për një datë lufte, por po ndërton kapacitetet për të qenë gati deri në vitin 2027. Strategjitë e mundshme përfshijnë:

  • Bllokadë detare: Një mënyrë më pak e rrezikshme sesa pushtimi, por që do të testonte vullnetin e SHBA-së dhe të aleatëve për të ndërhyrë.
  • Fushatë ajrore dhe raketore: Për të neutralizuar mbrojtjen tajvaneze pa hyrë menjëherë në një pushtim amfib.
  • Ndërhyrje kibernetike dhe destabilizim të brendshëm: Me synim rrëzimin e qeverisë tajvaneze pa përdorur trupa në terren.

Këto opsione janë pjesë e një arsenali kompleks presioni që Pekini po përgatit, duke krijuar një atmosferë të përhershme tensioni dhe pasigurie në rajon.

III. SHBA midis “strategjisë së paqartësisë” dhe angazhimit të qartë

Që nga viti 1979, SHBA ka ndjekur një politikë të paqartësisë strategjike, duke mos e garantuar hapur mbrojtjen e Tajvanit, por as duke e përjashtuar atë. Kjo ka ndihmuar në ruajtjen e status quo-së, por në kontekstin aktual, kjo paqartësi po vihet në provë.

Presidenti Joe Biden ka deklaruar disa herë se SHBA do të mbrojë Tajvanin në rast sulmi, një deklaratë që është përkthyer nga Kina si largim nga paanshmëria e mëparshme. Kjo rrit rrezikun e përllogaritjeve të gabuara – njëra palë mund të besojë se pala tjetër nuk do të reagojë ose do të zmbrapset, duke e çuar konfliktin në përshkallëzim të pakthyeshëm.

IV. Roli i Tajvanit: A është demokracia një barrë apo një forcë?

Autorët analizojnë edhe sfidat e brendshme që ka Tajvani: një shoqëri demokratike me polarizim të madh politik, ku qeveritë mund të ndërrohen dhe ku disa parti janë më të hapura për dialog me Kinën (si Partia Kuomintang). Kjo e bën strategjinë kombëtare më pak koherente në krahasim me vendimet e centralizuara të Pekinit.

Por njëkohësisht, sistemi demokratik është edhe burimi kryesor i legjitimitetit ndërkombëtar të Tajvanit dhe një arsye pse SHBA dhe partnerët liberalë kanë interes për ta mbrojtur si simbol të qëndresës ndaj autoritarizmit.

V. Dilema ndërkombëtare: Cili është çmimi i përballjes me Kinën?

Një luftë në Ngushticën e Tajvanit do të kishte pasoja kolosale për ekonominë botërore. Tajvani është prodhuesi më i madh në botë i çipave gjysmëpërçues (semiconductors), ndërsa një konflikt do të ndërpriste zinxhirët globalë të furnizimit. Një ndërhyrje amerikane mund të përfshijë edhe Japoninë, Korenë e Jugut dhe Australi në konflikt, duke rritur rrezikun e një lufte të madhe rajonale, në mos globale.

Nga ana tjetër, nëse SHBA nuk ndërhyn, kredibiliteti i saj në Indo-Paqësor dhe në të gjithë aleancat e saj do të dëmtohej rëndë, duke i hapur rrugë Kinës për të imponuar një rend të ri autoritar në rajon.

VI. Konkluzion: Mësimet e historisë dhe nevoja për maturi strategjike

Artikulli përmend rrezikun e përllogaritjeve të gabuara – një skenar të ngjashëm me Luftën e Parë Botërore, ku fuqitë e mëdha hynë në luftë jo nga dëshira, por nga mungesa e kanaleve efektive të komunikimit dhe perceptimeve të gabuara për qëllimet e kundërshtarit.

Rrjedhimisht, autorët propozojnë që SHBA, në vend të përshkallëzimit retorik, duhet të forcojë kanalet diplomatike me Kinën, të ndihmojë Tajvanin të ndërtojë një strategji të fortë mbrojtjeje dhe të punojë me aleatët për një qëndrim të përbashkët që ruan status quo-në, por që dekurajon agresionin.

Ngushtica e Tajvanit është kthyer në pikën më të rrezikshme të globit. Në këtë nyje të tensionuar, çdo hap i gabuar mund të çojë në katastrofë. Për të shmangur luftën, nevojitet një përzierje e rrallë e fuqisë së matur, diplomacisë efektive dhe unitetit ndërkombëtar. Artikulli e bën të qartë: lufta nuk është e pashmangshme – por pa veprime të mençura, ajo po bëhet gjithnjë e më e mundshme.

Filed Under: Analiza

SHKOLLA AMERIKANE DYDEGËSHE NË KAVAJË GJATË PERIUDHËS 1926-1939

June 5, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Veprimtaria arsimore amerikane në Shqipëri

Investimi në arsim dhe kulturë ka qenë një nga kontributet më të qëndrueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar vendeve të Europës Juglindore, si pjesë e mbështetjes së tyre për zhvillimin rajonal gjatë shekullit të kaluar dhe në vazhdimësi (Pano, Gjika, 2022: 24–34). Kontaktet e para të amerikanëve me shqiptarët datojnë në periudhën pas reformave të Tanzimatit, përmes themelimit të misioneve ungjillore amerikane në territoret e Perandorisë Osmane. Gjatë këtyre kontakteve, misionarët amerikanë vërejtën me vlerësim etjen dhe dëshirën e shqiptarëve për dije, arsim dhe kulturë. Në fund të shekullit XIX, shumë të rinj shqiptarë përfituan bursa studimi të ofruara nga institucionet amerikane, të cilat u mundësuan atyre të arsimoheshin në kolegje dhe institute prestigjioze në Princeton, Boston dhe Filadelfia, si edhe në shkolla të tjera në rajone më të afërta si Bullgaria dhe Turqia (Pano, Gjika, 2020: 74).

Përpjekjet individuale të amerikanëve në dekadën e parë të shekullit XX u pasuan nga ndërhyrje më të strukturuara dhe institucionale. Në shkurt të vitit 1919, një ekip prej 60 vetash nga Kryqi i Kuq Rinor Amerikan (AYRC) mbërriti në Shqipëri, ku ndërmori një sërë nismash humanitare dhe shëndetësore. Ata hapën spitale dhe ambulanca për trajtimin e tuberkulozit dhe malaries në qytete kryesore si Tirana, Shkodra, Elbasani, Durrësi e të tjerë. Njëkohësisht, ata u angazhuan në përkujdesjen për fëmijët jetimë, duke i strehuar në qendra të veçanta që më pas u transformuan në strehimore shtetërore (Pano, Gjika, 2020: 74).

Në shtator të po atij viti, selia qendrore e AYRC në Uashington dërgoi në Shqipëri përfaqësuesin e saj, O. M. Salisbury, me qëllim vlerësimin e nevojave urgjente të vendit. Gjatë vizitës, Salisbury evidentoi mungesën e plotë të shkollave dhe vlerësoi lart etjen e shqiptarëve për arsim. Ai rekomandoi ofrimin e menjëhershëm të bursave për të rinjtë shqiptarë që dëshironin të studionin në kolegje amerikane në Stamboll, si dhe propozoi themelimin e shkollave të mesme bujqësore dhe profesionale në Shqipëri (Pano, Gjika, 2020: 74).

Një nga projektet që u konkretizua në këtë frymë ishte hapja e Shkollës Amerikane të Kavajës, e njohur më vonë si Instituti Shqiptaro-Amerikan i Kavajës (Dervishi, 2021: 56). Ky institucion arsimor funksiononte me dy degë: një për djem, e përqendruar në bujqësi, dhe një për vajza, me fokus në formimin e mësueseve dhe ekonominë shtëpiake.

Instituti Shqiptaro-Amerikan në Kavajë

Themeluesi i kësaj shkolle ka qenë misionari protestant Dr. Telford Erikson, i cili shërbeu për dymbëdhjetë vjet si përfaqësues i Kryqit të Kuq Rinor Amerikan në Shqipëri dhe më pas, për katërmbëdhjetë vjet të tjera, qëndroi e punoi si individ i pavarur. Për përkushtimin, kontributet dhe dashurinë e dëshmuar ndaj Shqipërisë, Federata e Shqiptarëve të Amerikës dhe Qeveria e Përkohshme e Durrësit e zgjodhën delegat nderi në Konferencën e Paqes në Paris (Krisafi, 2020: 89).

Në vitet 1922–1923, si pjesë e stafit të Legatës Amerikane në Tiranë dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare, Erikson themeloi një shkollë bujqësore për djemtë dhe një shkollë të arteve shtëpiake për vajzat (Krisafi, 2020: 90). Më 8 mars 1922, Kryeministri Ahmet Zogu e njoftoi Eriksonin se i lejohej të zgjidhte një nga fermat më të mira shtetërore për ngritjen e shkollës. Me një marrëveshje qiraje për 25 vjet, qeveria i vuri në dispozicion 300 hektarë tokë në nënprefekturën e Kavajës (Dervishi, 2021: 57).

Shkolla Shqiptaro-Amerikane e Kavajës nisi funksionimin në dy degë: më 20 shtator 1926 u hap dega për vajzat në ndërtesën e një ish-shkolle greke të riparuar sipas standardeve të kohës, ndërsa më 10 tetor 1926 u hap dega bujqësore për djemtë në një godinë të re, ndërtuar me mjete modeste (Dervishi, 2021: 57).

Pas tre vitesh, shkolla hasi vështirësi financiare dhe menaxhimi i saj iu kalua një tjetër bamirësi amerikan, Samuel Irvin. Me vendimin nr. 503, datë 18.06.1929, Qeveria shqiptare ratifikoi një marrëveshje 20-vjeçare sipas së cilës Irvin do të themelonte një kolegj me një klasë përgatitore, gjashtë klasë gjimnazi dhe dy klasë kolegji. Drejtimi dhe stafi pedagogjik do të përbëhej nga amerikanë, dhe mësimi do të zhvillohej në anglisht. Lëndët si shqipja, historia, letërsia dhe gjeografia e Shqipërisë do të mësoheshin nga mësues shqiptarë të caktuar nga Ministria e Arsimit. Programet mësimore miratoheshin nga Ministria dhe shkolla ishte nën mbikëqyrjen e saj (Dervishi, 2021: 57).

Në korrik të vitit 1929 nisën punimet për ndërtimin e godinave, por shumë shpejt fondet u shterruan për shkak të mungesës së donacioneve nga SHBA, në kohën kur kishte nisur kriza ekonomike botërore. Në qershor 1930, Irvin i dërgoi një letër Ambasadës Shqiptare në Uashington, ku hiqte dorë nga të gjitha të drejtat që i ishin dhënë nga qeveria shqiptare.

Në këto kushte, u angazhua një tjetër shoqatë amerikane, “Fondacioni i Lindjes së Afërme”, që ofronte ndihmë për arsimin rural në vende të ndryshme. Në tetor 1930, u nënshkrua një marrëveshje 20-vjeçare me këtë fondacion, përfaqësuar nga Xhejms Bartën dhe Barsli Eiçson, për ngritjen e Institutit Bujqësor Shqiptaro-Amerikan të Kavajës. Qeveria shqiptare i vuri në dispozicion institutit tokat e mëparshme dhe shtoi edhe 50 ha në zonën e Malit të Robit (Dervishi, 2021: 58).

Nxënësit dhe nxënëset përfitonin nga bursa të ndara në mënyrë të barabartë nga qeveria shqiptare dhe vetë institucioni. Programi mësimor dhe administrimi mbeteshin në duart e institutit, duke iu përmbajtur ligjeve në fuqi dhe zakoneve vendore. Mësimi i historisë dhe gjeografisë kryhej nga mësues shqiptarë të emëruar nga Ministria e Arsimit, dhe shkolla i nënshtrohej inspektimit të rregullt shtetëror.

Vendosja e institutit në lokale të reja u kushtëzua nga reforma Ivanaj, që parashikonte kalimin e shkollave private nën kontrollin e Ministrisë së Arsimit. Në këtë kuadër, pranë drejtorit teknik amerikan u vendos edhe një nëndrejtor shqiptar, Ali Cungu.

Kushtet në konviktin e Institutit Shqiptaro-Amerikan të Bujqësisë në Kavajë ishin të mira për kohën. Ndriçimi sigurohej me llampa vajguri të furnizuara nga shoqëria SESA në Durrës. Uji i pijshëm merrej nga një krua pranë institutit, ndërsa për nevojat shtëpiake përdorej ujë i nxjerrë me pompa. Ushqimi shërbehej në një sallë të madhe ngrënieje, ku nxënësit ishin të ndarë në tryeza me nga 9 veta.

Konviktet ishin ndërtesa të reja dhe të pastra, të ndërtuara në formën e odave fshatare. Në çdo ndërtesë banonin 18 nxënës. Shtretërit ishin metalikë, të thjeshtë ose dykatësh, me dyshekë të mbushur me bar. Për kujdesin shëndetësor shërbente një infermieri me dy shtretër, ku punonte doktoresha Zllatkova, e diplomuar në Universitetin e Sofjes. Gjithashtu, kishte edhe farmaci.

Programi mësimor në degën e bujqësisë përfshinte: gjuhën shqipe, anglishten, historinë, gjeografinë, matematikën, fizikën, kiminë, shkencat natyrore dhe lëndët profesionale si bujqësi, kultivimi i bimëve njëvjeçare dhe drunore (pemë të ndryshme, vreshta, ullinj, mana për krimba mëndafshi, pyje), zootekni, veterinari, industria bujqësore (përpunimi i produkteve si tlyeni, djathi, etj.), mekanika bujqësore me përdorimin praktik të makinerive, kontabiliteti tregtar dhe bujqësor, ekonomia rurale dhe patologjitë e bimëve (AQSH, F.195, v.1926, fl.1; Pano, Gjika, 2020:177).

Pjesa praktike e programit përfshinte 50 orë mësimore në javë, nga të cilat 3 ishin për mekanikën bujqësore (teori dhe praktikë), dhe 10 orë për përdorimin e traktorëve dhe motorëve, përveç punës së përditshme në fermën shkollore. Ferma përdorej nga specialistët amerikanë për formimin profesional të nxënësve dhe për të ndihmuar ekonominë shqiptare me kuadro të përgatitur (Pano, Gjika, 2020:177).

Specialiteti i zooteknisë zinte një vend gjithnjë e më të rëndësishëm. Puna kryesore zhvillohej në stallat moderne të tipit amerikan, të ndërtuara me moton: “Më e mira dhe më e bukura në Shqipëri”, me qëllim shtimin e pasurisë blegtorale e bujqësore të vendit (Pano, Gjika, 2020:177).

Në vitin 1938, Instituti dispononte 300 ha tokë. Përveç drithërave, kishte 10 ha jonxhë dhe tërfil për ushqim bagëtish. Në fermë mbaheshin 33 krerë lopë, dema dhe viça të racave Jersey dhe Guernsey, 575 bagëti të imta, 200 pula të racës livorneze dhe kafshë të tjera bujqësore. Një pjesë e mirë e produkteve bujqësore dhe blegtorale për konsumin e shkollës sigurohej nga prodhimi i vetë fermës.

Dega femërore ofronte mësim në: gjuhën shqipe, anglisht, histori, gjeografi, matematikë, shëndetësi, shkenca natyrore dhe lëndë shtëpiake si: qepje, larje, mirëmbajtje të shtëpisë, gatim, rritje foshnjash dhe përkujdesje ndaj të sëmurëve. Përveç punimeve me dorë, mësohej edhe punimi me vegjë dhe përpunimi i pambukut, leshit dhe mëndafshit, të prodhuara në fermën e shkollës.

Qëllimi i degës së bujqësisë ishte të formonte administratorë dhe specialistë të rinj, të aftë për tregun e punës në sektorë si mekanika bujqësore, kontabiliteti dhe zanatet bujqësore. Shkolla kishte një vendndodhje të zgjedhur me kujdes, që të tërhiqte nxënës nga zona të gjera si Myzeqeja dhe Durrësi (Pano, Gjika, 2020:176).

Përmes teknikave të avancuara në bujqësi dhe blegtori, synohej të tregohej përparësia e fermerit të kualifikuar ndaj bujkut tradicional. Shkolla përgatiste teknikë bujqësorë të mirëtrajnuar. Në degën e djemve pranoheshin nxënës me shëndet të plotë, që kishin mbushur moshën 14 vjeç dhe kishin mbaruar arsimin fillor. Pranimi bëhej me çertifikatë shëndetësore dhe dëftesë të arsimit fillor (AQSH, f.195, Viti 1933, D.73.f.9).

Viti shkollor fillonte të hënën e parë pas datës 15 janar dhe përfundonte të shtunën e fundit para datës 15 dhjetor. Përveç festave zyrtare, pushimet përfshinin një muaj në dimër, 10 ditë në pranverë dhe një javë në vjeshtë. Në përfundim të kursit, nxënësit merrnin një dëftesë provizore, e cila zëvendësohej me një dëftesë përfundimtare vetëm pasi vërtetohej zotësia për të ushtruar profesionin (Dervishi, 2021:59).

Dega për vajza e Institutit Shqiptaro-Amerikan të Kavajës kishte si synim përgatitjen e mësueseve dhe amvisave të arsimuara, të afta për t’u përshtatur me një shoqëri shqiptare në proces modernizimi. Vajzat mësonin vlera të rëndësishme, si përkushtimi për t’u shërbyer të tjerëve dhe formimi i një karakteri të fortë. Në këtë degë pranoheshin vajza që kishin mbushur moshën 11 vjeç (Lita, 2004: 119).

Shkolla normale për vajza funksionoi me mësuese kryesisht të huaja, të përgatitura në shkolla pedagogjike amerikane, të cilat zhvilluan një punë të strukturuar dhe serioze. Edhe pse personeli ndërrohej shpesh, disa prej mësueseve më të qëndrueshme ishin: Merverette Smith, Anne Irvin, Busta Mai Taylor dhe Margaret Ewans.

Më vonë, personelit mësimor iu bashkua edhe stafi shqiptar, fillimisht me Sadije Bogdon dhe Angje Qerraxhinë, të pasuara nga Vrisidha Pepo, Bediha Asllani, Afërdita Asllani, Shpresa Hamzarai dhe Marie Çelo (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, 2003: 490). Përveç mësuesve, shkolla kishte edhe 25 punonjës shërbimi, përfshirë mjek, infermier dhe specialistë të fushave të ndryshme të bujqësisë dhe blegtorisë (Dervishi, 2021: 59).

Deri në vitin 1933, dega femërore funksionoi si një institucion pesëvjeçar pedagogjik, me programe të hartuara në SHBA dhe të miratuara nga Ministria e Arsimit. Nga viti 1934 deri në 1937, ajo u kthye në një shkollë dyvjeçare, që përgatiste vajza për punë në ekonomi shtëpiake dhe bujqësi. Megjithatë, edhe ato që përfunduan programin dyvjeçar dolën të afta për profesionin e mësueses, falë formimit cilësor që morën në shkollë (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, 2003: 490).

Në dy vitet e para të funksionimit, shkolla drejtohej nga Telford Erikson, me zëvendësdrejtor amerikanin David McConnell dhe mësues të bujqësisë si Dr. Swoppe dhe Dr. Harold Freeman-Button. Gjatë vitit shkollor 1927–1928, drejtimin e shkollës e mori agronomi i specializuar në hortikulturë, Dr. Kenneth Reeves, ndërsa Dr. Burch Schneider ishte mësues i zooteknikës dhe veterinarisë. Nga viti 1927, Reeves shërbeu si drejtor, ndërsa nëndrejtor ishte Arthur R. Dalamarter – të dy me përgatitje të lartë në bujqësi. Ndërkohë, mësim jepte edhe Dr. Elliot J. Taylor, i specializuar në zooteknikë.

Në vitin 1931, drejtori Reeves u zëvendësua nga Dr. Joseph Beach Bangor, i cili kishte përvojë 14-vjeçare në Armeni dhe Siri, dhe qëndroi në krye të shkollës deri në fund të vitit shkollor 1933–1934. Në tetor të vitit 1934, drejtimin e institutit e mori Dr. Ralf H. Alleen, i cili shërbeu për katër vite shkollore. Gjatë kësaj periudhe, në shkollë dhanë mësim edhe Dr. Merrill Knapp dhe Jones McLean.

Në degën e bujqësisë, gjatë një periudhe 14-vjeçare, u diplomuan 177 agronomë të mesëm. Prej tyre, 65 u punësuan si agjentë bujqësorë në administratën lokale, 48 u angazhuan në administrimin e tokave të tyre, 19 u bënë mësues, dhe 21 vijuan studimet e larta në universitete të Evropës dhe SHBA-ve. Ndërkohë, nga dega normale për vajza, deri në vitin 1930, kishin dalë 90 mësuese të diplomuara (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, 2003: 490).

Instituti Shqiptaro-Amerikan i Kavajës, me staf të kualifikuar amerikan, dha një kontribut të rëndësishëm në formimin e brezit të parë të teknikëve bujqësorë dhe të mësueseve shqiptare të përgatitura profesionalisht, të cilat punuan me përkushtim për zhvillimin dhe modernizimin e vendit.

Filed Under: Rajon

Sindroma Williams: Njerëzit që janë shumë miqësorë

June 4, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi nga libri “Psikologjia e Vetvetes”

Kourtezi Getty images

Njerëzit me Sindromën Williams i trajtojnë të huajt si miqtë e tyre të rinj më të mirë. Tani kjo gjendje po jep të dhëna për të kaluarën tonë evolucionare – dhe çfarë na bën njerëz.

Imagjinoni të ecni në rrugë dhe të ndjeni një dashuri dhe ngrohtësi të madhe për çdo person që keni takuar. Kjo është një përvojë e njohur për njerëzit me Sindromën Williams (SW), një gjendje e rrallë gjenetike që prek afërsisht 1 në 7,500 individë.

Njerëzit me SW, të quajtur shpesh ‘e kundërta e autizmit’, kanë një dëshirë të lindur për të përqafuar dhe për t’u miqësuar me të huajt totalë. Ata janë jashtëzakonisht të dashur, empatikë, bisedues dhe të shoqërueshëm. Ata i trajtojnë të gjithë ata që takojnë si mikun e tyre të ri më të mirë, megjithatë ka një anë negative të të qenit kaq miqësor. Individët shpesh kanë vështirësi të mbajnë miqësi të ngushta dhe janë të prirur ndaj izolimit dhe vetmisë.

Njerëzit me SW janë gjithashtu ndonjëherë shumë të hapur dhe të besueshëm ndaj të huajve, duke mos e kuptuar kur janë në rrezik, duke i lënë ata të prekshëm ndaj abuzimit dhe ngacmimit.

“Është shumë e lehtë për dikë të mashtrojë një person me Sindromën Williams dhe të përfitojë prej tij, sepse ata janë shumë të besueshëm”, thotë Alysson Muotri, profesoreshë e pediatrisë dhe mjekësisë qelizore dhe molekulare në Universitetin e Kalifornisë, San Diego (UCSD). “Ata ia japin veten kujtdo pa paragjykime, gjë që duket si një tipar i bukur, por në fund të fundit ekziston një arsye pse truri i njeriut evoluoi për të qenë paksa dyshues ndaj një personi të ri. Nuk e di nëse ai person është aty për të të lënduar apo për të të dashur, dhe ata [një person me Sindromën Williams] nuk mund ta bëjnë këtë dallim”, thotë ai.

Pak njerëz me Sindromën Williams jetojnë të pavarur si të rritur dhe shumë prej tyre vuajnë nga ankthi i rëndë. Ka edhe probleme shëndetësore që shoqërojnë gjendjen, të tilla si sëmundjet kardiovaskulare, vonesat në zhvillim dhe vështirësitë në të nxënë. Shumë njerëz me Sindromën Williams kanë një IQ më të ulët se mesatarja, për shembull.

Gjatë dekadës së fundit, shkencëtarët kanë mësuar më shumë rreth gjendjes, e cila po ofron një dritare unike se si kanë evoluar disa nga tiparet që na bëjnë njerëz – të tilla si mirësia, besimi dhe mirëdashësia.

Së pari, disa fakte. Njerëzit kanë 46 kromozome, të organizuara në 23 çifte. Gjatë zhvillimit të spermës ose vezës, ndodh një proces i quajtur ‘rekombinim’ ku materiali gjenetik shkëmbehet midis çifteve të kromozomeve që përputhen. Megjithatë, në WS, procesi shkon keq dhe një pjesë e tërë e ADN-së nga një kopje e kromozomit shtatë fshihet aksidentalisht. Si rezultat, njerëzve me WS u mungon një kopje e 25-27 gjeneve.

Serenity Strull/ BBC/ Getty Images

Disa studime të pabotuara sugjerojnë se mizat e frutave që nuk kanë një gjen që mendohet të jetë i përfshirë në Sindromën Williams preferojnë të hanë së bashku (Krediti: Serenity Strull/ BBC/ Getty Images)

Këto gjene shërbejnë për funksione të ndryshme. Për shembull, njëri, ELN, kodon për një proteinë të quajtur elastin, e cila siguron fleksibilitet dhe elasticitet për indet në të gjithë trupin. Mungesa e elastinës bën që muret e arterieve të ngurtësohen, duke çuar në probleme kardiovaskulare gjatë gjithë jetës për njerëzit me Sindromën Williams.

Një tjetër gjen, BAZ1B, ndikon në rritjen e asaj që njihet si qeliza të kreshtës nervore. Këto janë qeliza burimore të cilat përfundimisht formojnë bazën e shumë indeve, duke përfshirë kockat dhe kërcin e fytyrës. Njerëzit me Sindromën Williams kanë karakteristika të dallueshme të fytyrës, të tilla si një hundë e vogël dhe e ngritur, gojë e gjerë dhe mjekër e vogël.

Një gjen social

Megjithatë, përcaktimi i gjenit, ose gjeneve, përgjegjës për rritjen e miqësisë së njerëzve me Sindromën Williams ka rezultuar më i pakapshëm. Një teori është se BAZ1B mund të ketë një rol edhe këtu. Disa qeliza të kreshtës nervore vazhdojnë të formojnë gjëndrat mbiveshkore, të cilat, përmes çlirimit të adrenalinës, janë përgjegjëse për përgjigjen “lufto ose ik”. Është e mundur që njerëzit me më pak qeliza të kreshtës nervore ose të dëmtuara të mund të prodhojnë më pak adrenalinë. Kjo, nga ana tjetër, mund t’i bëjë ata më pak të frikësuar nga të huajt.

Ndërkohë, shkencëtarë të tjerë besojnë se një gjen i quajtur GTF2I mund të jetë përgjegjës. Për shembull, hulumtimet kanë treguar se kafshët individuale që nuk kanë GTF2I kanë tendencë të jenë më sociale sesa anëtarët e tjerë të specieve të tyre. Hulumtime të pabotuara sugjerojnë se mizat e frutave që nuk e kanë gjenin u pëlqen të hanë së bashku. Minjtë pa GTF2I kanë më shumë gjasa t’i afrohen një miu të dytë “të huaj”. Qentë gjithashtu përmbajnë një variant të gjenit GTF2I që mendohet se e bën atë më pak efektiv, gjë që mund të shpjegojë shoqërueshmërinë dhe mirëdashësinë e tyre të dukshme krahasuar me ujqërit. Ndërkohë, njerëzit që kanë një dyfishim të gjenit kanë tendencë të zhvillojnë një formë autizmi të karakterizuar nga fobia sociale.

Megjithatë, mekanizmi i saktë me të cilin GTF2I kontrollon shoqërueshmërinë nuk dihet. Proteina për të cilën kodifikohet GTF2I është një faktor transkriptimi, që do të thotë se ndihmon në rregullimin e shprehjes së shumë gjeneve të tjera. Një teori pohon se profili i personalitetit të individëve me WS mund të lidhet me një dëmtim të mielinës, shtresës izoluese ose ‘mbështjellësit’ që mbështjell nervat, veçanërisht ato në tru dhe palcë kurrizore.

“Ashtu si kablloja elektrike në y…” “Në shtëpinë tonë, e cila është e mbuluar nga një shtresë izoluese plastike, mielina është thelbësore për transmetimin e duhur të sinjaleve elektrike nga një neuron në tjetrin”, thotë Boaz Barak, një profesor i asociuar në Universitetin e Tel Avivit në Izrael.

Barak dhe kolegët e tij treguan së fundmi se jo vetëm që minjtë ishin rritur për të pasur mungesë të GTF2I më socialë, por edhe se neuronet e tyre përmbanin më pak mielinë. Dhënia e një ilaçi që përmirësonte mielinizimin e bëri sjelljen e tyre më të ngjashme me atë të minjve të tjerë.

Individët me Sindromën Williams kanë tipare të mahnitshme nga të cilat njerëzit neurotipikë mund të mësonin – Boaz Barak

Ndërsa mielina përshpejton në mënyrë dramatike shkallën me të cilën sinjalet elektrike mund të udhëtojnë, një shpjegim është se humbja e mielinës mund të çojë në qeliza nervore më të ngadalta dhe të ngadalta. Kjo mund të shpjegojë disa nga vështirësitë njohëse me të cilat përballen njerëzit me Sindromën Williams, si dhe aftësitë e dobëta motorike të lidhura me këtë gjendje.

Megjithatë, Barak beson se kjo gjithashtu mund të prishë komunikimin midis amigdalës, rajonit të vogël në formë arre të trurit që përpunon frikën dhe emocionet, dhe korteksit frontal – një rajon përgjegjës për vendimmarrjen, personalitetin dhe emocionet. Kjo mund të shpjegojë pse njerëzit me Sindromën Williams nuk kanë frikë, ose mos u besoni të huajve.

“Ajo që zbuluam është se kur nuk keni GTF2I, procesi i mielinizimit dëmtohet, duke çuar në komunikim të dobët midis rajoneve të trurit përgjegjëse për frikën dhe atyre që janë përgjegjës për vendimmarrjen sociale”, thotë Barak.

Çuditërisht, një ilaç i miratuar nga FDA i quajtur klemastinë – që përdoret zakonisht për të trajtuar alergjitë – dihet se përmirëson mielinizimin. Meqenëse mostrat e trurit të dhuruara nga njerëzit me Sindromën Williams tregojnë gjithashtu dëmtime në mielinizim, Barak dhe ekipi i tij planifikojnë ta ripërdorin klemastinën si një trajtim të mundshëm për gjendjen. Ata aktualisht po vlerësojnë sigurinë dhe efektivitetin e saj në një provë klinike të fazës 1 – faza e parë e testimit të bërë te njerëzit – që pritet të përfundojë në dhjetor 2025.

“Individët me Sindromën Williams kanë tipare të mahnitshme nga të cilat njerëzit neurotipikë mund të mësojnë, kështu që sjellja e tyre nuk është diçka që duhet ta korrigjojmë domosdoshmërisht”, thotë Barak. “Ne takojmë shumë familje dhe është e zakonshme të dëgjojmë një prind të thotë: ‘Nuk do ta ndryshoja kurrë sa shumë dashuri i jep botës, ose e adhuroj sa miqësore dhe e dashur është ajo’. Megjithatë, ajo që po përpiqemi të bëjmë është të zhvillojmë trajtime të bazuara në ilaçe që tashmë janë në dispozicion për ata që duan t’i përdorin ato”, thotë ai.

Serenity Strull/ BBC/ Getty Images

Një teori se pse njerëzit me Sindromën Williams janë kaq miqësorë është se ata kanë më shumë lidhje nervore që përfshijnë shpërblimin (Krediti: Serenity Strull/ BBC/ Getty Images)

Laboratori i Barakut ka zbuluar gjithashtu se minjtë e rritur me mungesë të gjenit GTF2I gjithashtu kanë mitokondri jofunksionale në neuronet e tyre. Mitokondritë janë termocentralet e pranishme në çdo qelizë që prodhojnë energji që trupi ta përdorë. Mostrat e trurit nga individët me Sindromën Williams tregojnë gjithashtu se mitokondritë e tyre nuk zhvillohen dhe funksionojnë siç duhet.

Ekuilibri specifik [i GTF2I] është ndoshta mjaft i rëndësishëm, pasi të qenit shumë miqësor nuk është një gjë e mirë, por edhe të mos qenit mjaftueshëm miqësor nuk është një gjë e mirë – Alysson Muotri

“Neuronet kanë nevojë për energji për të bërë punën e tyre, dhe ajo që zbuluam është se pa GTF2I, rrjeti i mitokondrive nuk formohet siç duhet”, thotë Barak. “Si rezultat, neuronet kanë vështirësi në përmbushjen e energjisë së tyre nevojat – ata vuajnë nga një ndërprerje e energjisë elektrike.”

Si rezultat i kësaj, substancat toksike grumbullohen brenda neuroneve, duke i penguar ato potencialisht të aktivizohen siç duhet, sipas Barakut.

Ndërkohë, të tjerë kanë sugjeruar që humbja e gjenit GTF2I mund të rrisë nivelet e oksitocinës, të ashtuquajturit “hormon dashurie”, në tru. Hulumtimet tregojnë se njerëzit me WS prodhojnë më shumë oksitocinë dhe kanë më shumë receptorë oksitocine – proteina që njohin dhe lidhen me oksitocinën – sesa kontrollet e shëndetshme.

Muotri, nga ana tjetër, beson se miqësia e shtuar e treguar nga njerëzit me WS mund të shpjegohet me numrin e sinapseve – ose lidhjeve – në trurin e tyre. Në vitin 2016, ekipi i tij mori qeliza burimore nga dhëmbët e qumështit të hedhur të fëmijëve me WS. Qelizat u riprogramuan më pas për të formuar neurone të afta për të formuar lidhje, ashtu si ato që shihen në trurin në zhvillim. Në një ekzaminim të afërt, neuronet e këtyre mini-trunjve të rritur në laborator ishin dukshëm të ndryshme.

“Kishte më shumë sinapse se normalja, kështu që neuronet ishin më të degëzuara dhe bënin më shumë kontakte”, thotë Muotri.

Në studimin e vitit 2016, ekipi shqyrtoi gjithashtu Mostrat post-mortem të marra nga njerëz me WS që kishin dhuruar trurin e tyre për shkencën. U vunë re të njëjtat modele – neuronet e njerëzve me WS ishin më të degëzuara dhe formonin më shumë lidhje me neurone të tjera.

Edhe pse Muotri dhe ekipi i tij ende nuk i kanë zbuluar të gjitha qarqet e përfshira, ai sugjeron se ka të ngjarë që në WS, korteksi frontal të formojë më shumë lidhje me pjesët e trurit të përfshira në shpërblim. “Kur kujtoni dikë ose shihni dikë që ju pëlqen, truri juaj liron dopaminë e cila…” krijon një ndjesi të mirë”, thotë ai.

“Mendoj se njerëzit me Sindromën Williams mund të kenë një çrregullim të këtij neurotransmetuesi. Pra, kur shohin një fytyrë të re, ata menjëherë çlirojnë dopaminë dhe ndihen mirë për këtë.”

Nga ana tjetër, ekipi zbuloi se mini-trurët e rritur duke përdorur qeliza burimore nga fëmijët me autizëm kanë më pak lidhje neuronale.

“Ne treguam se nëse ulni shprehjen e gjenit [GTF2I], krijoni më shumë lidhje, dhe nëse rrisni shprehjen e gjenit, krijoni më pak lidhje – gjë që është e mahnitshme”, thotë Muotri.

Meqenëse tipare si besimi, mirësia dhe miqësia janë kaq të rëndësishme për mbijetesën njerëzore, Muotri beson se evolucioni duhet të mbajë një fren të fortë mbi shprehjen e gjenit GTF2I. Njerëzit janë një specie shoqërore dhe mbijetesa jonë mbështetet në bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Ne duhet të jemi në gjendje t’i besojmë njëri-tjetrit deri në një farë mase.

“Ekuilibri specifik [i GTF2I] është ndoshta mjaft i rëndësishëm, pasi të qenit shumë miqësor nuk është një gjë e mirë, por edhe të mos qenit mjaftueshëm miqësor nuk është një gjë e mirë”, thotë Muotri. “Pra, ajo që ka bërë evolucioni është të akordojë shprehjen e atij gjeni – ka gjetur sasinë e saktë të duhur të socializimit që “të gjithë mund ta tolerojmë.”

* I gjithë përmbajtja brenda kësaj kolone ofrohet vetëm për informacion të përgjithshëm dhe nuk duhet të trajtohet si zëvendësim i këshillës mjekësore të mjekut tuaj ose të ndonjë profesionisti tjetër të kujdesit shëndetësor. BBC nuk është përgjegjëse ose e detyruar për asnjë diagnozë të bërë nga një përdorues bazuar në përmbajtjen e kësaj faqeje interneti. BBC nuk është përgjegjëse për përmbajtjen e asnjë faqeje të jashtme të internetit të listuar, as nuk mbështet ndonjë produkt ose shërbim komercial të përmendur ose të këshilluar në ndonjë nga faqet. Gjithmonë konsultohuni me mjekun tuaj të familjes nëse jeni në ndonjë mënyrë të shqetësuar për shëndetin tuaj.

Filed Under: ESSE

URD (1931) / GAZETARJA RUSO-NORVEGJEZE NINA ARKINA : INTERVISTA IME EKSKLUZIVE ME NËNËN MBRETËRESHË SADIJE DHE PRINCESHAT SHQIPTARE

June 4, 2025 by s p


Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324
Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Qershor 2025

Revista norvegjeze “URD” ka botuar, me 13 qershor 1931, në faqet n°322 — 324, intervistën ekskluzive asokohe të gazetares ruso-norvegjeze Nina Arkina me Nënën mbretëreshë Sadije Zogu dhe princeshat shqiptare (zhvilluar me 2 qershor 1930 sipas fotografive), të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

VIZITA TE NËNA MBRETËRESHË DHE PRINCESHAT E SHQIPËRISË

Nga Nina Arkina

Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324
Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324

Mbreti i ri i Shqipërisë është beqar, dhe ana e pashoqe e oborrit përfaqësohet nga nëna e tij, e cila mban titullin “Nëna Mbretëreshë”, dhe motrat e tij, gjashtë Lartmadhëritë Mbretërore, Princeshat Adile, Nafije, Senije, Myzejen, Ruhije dhe Maxhide. Familja mbretërore shqiptare është myslimane nga përkatësia fetare, prandaj edhe këto emra që tingëllojnë të huaj, shqiptohen me një fortësi dhe ëmbëlsi të papërmbajtshme.

Pallati ku jetojnë Nëna Mbretëreshë dhe princeshat është një ndërtesë e gjatë dykatëshe me një kopsht me hije nga pas dhe roje të rrepta në dy hyrje. Tashmë jashtë pallatit më përshëndet princi i kurorës — duket se ndjej hijen e një drame mbretërore, por fëmija i bukur me tipare të bukura dhe flokë të errët bjondë, i cili përshëndet me një përkulje të çuditshme, është djali i Princeshës Nafije. Ajo ishte martuar me ministrin (ambasadorin) shqiptar në Pragë, Cen bej Kryeziun, i cili u vra në një atentat. Më vonë, ndërsa gjyqi ishte ende në vazhdim, vetë shërbëtori i ministrit shpalli dhe zbatoi dënimin me vdekje për vrasësin e zotit të tij : e qëlloi në përputhje me ligjin e pashkruar shqiptar të gjakmarrjes. Fëmija me flokë të verdhë, i cili është princi i kurorës së vendit derisa vetë mbreti të ketë një trashëgimtar, na ndjek me një vështrim serioz, ndërsa unë dhe oborrtari kryesor i mbretit, Shkëlqesia e Tij Ekrem Libohova, ngjitemi shkallëve të pakta.

Brenda derës hyjmë në një korridor të gjerë të shtruar me gurë me një rresht të gjatë qilimash dhe një rresht dritaresh të hapura, të cilat zhduken në distancë. Këtu më bie në sy edhe një kolltuk i ndërtuar çuditërisht, por nuk e kuptoj menjëherë qëllimin e tij. Një zonjë e moshuar në pritje, e veshur me të zeza, na mirëpret dhe hap derën e një salloni të kuq “Empire” me kolltuqe të mëdha e të rehatshme, qilima orientalë në dysheme dhe një kurorë veneciane mrekullisht të bukur në tavan. Dritaret e shumta në dhomën e madhe kanë perde të kuqe mëndafshi, dhe në murin e veshur me letër-muri, i cili është i motivuar me shqiponja gri në një sfond të kuq të errët, varet portreti i mbretit : një fytyrë bjonde nordike me sy të qetë blu dhe profil shqiponje. Gjatë pak minutave të pritjes, ndërsa shikoj përreth dhomës, Shkëlqesia e Saj më thotë se Nëna Mbretëreshë flet vetëm shqip dhe se ai do të veprojë si përkthyes. Një çast më vonë dera hapet menjëherë dhe një zonjë e vogël, me sy dhe flokë të zinj dhe me një fytyrë të këndshme e të re, hyn brenda.

Kjo është Madhëria e Saj Zonja Sadije, e lindur në vitin 1873 në kryeqytetin e sotëm, Tiranë, bijë e familjes së lashtë udhëheqëse shqiptare Toptani, që nga viti 1908 vejushë me 7 fëmijë pas guvernatorit të Shqipërisë, Xhemal pashë Zogu, dhe që nga viti 1928 — nënë mbretëreshë !

Pas prezantimit, Madhëria e Saj më kërkoi të ulesha përballë saj, ndërsa Kryemarshalli qëndroi në këmbë gjatë gjithë bisedës. Mbretëresha foli dhe tha diçka me një gjuhë të ëmbël dhe të këndshme, asnjë fjalë e së cilës nuk mund të kuptohej. Dhe menjëherë, Shkëlqësia e Tij përktheu në frëngjishten e harlisur :

— Madhëria e Saj ju uron mirëseardhjen në Shqipëri dhe shpreh kënaqësinë e saj që ju ishit kaq e interesuar dhe e guximshme për të ardhur vetëm nga pjesa më veriore e Evropës në Tiranë. Madhëria e Saj shpreson që të mos pendoheni për udhëtimin tuaj dhe që të jeni pritur mirë në Shqipëri.

Tani, ndërsa Shkëlqesia e Tij po merr frymë thellë, është radha ime të flas frëngjisht, dhe ju siguroj se në Shqipëri kam hasur mikpritjen dhe mirësinë më të madhe, si nga Madhëria e Tij Mbreti, ashtu edhe nga të gjithë ata me të cilët kam rënë në kontakt, dhe se Shqipëria, për mua — si një banore e veriut — është një vend mjaft i ri dhe shumë interesant.

Mbretëresha flet sërish dhe marshalli i oborrit përkthen.

— Çfarë përshtypjeje ju ka lënë vendi ynë ?

— Përshtypjet personale që mora, thashë, janë ato të një vendi në zhvillim, me mundësi të mëdha për iniciativë dhe kreativitet personal, dhe një gjë tjetër që më la një përshtypje të fortë : mendoj, nga ajo që pashë me sytë e mi, se këtu në Shqipëri gjenden burrat më mashkullorë, më të pashëm dhe gratë më femërore dhe më simpatike.

Ndërsa Shkëlqesia e Tij përkthen në shqip, unë shikoj Madhërinë e Saj. Ajo është kontrasti më i madh me djalin e saj të gjatë, bjond, mbret. Mbretëresha është e vogël, e ulur në kolltukun e kuq të thellë. Ajo ka veshur një kostum mëndafshi blu të errët me pika të bardha, me fund dhe xhaketë dhe një bluzë mëndafshi të bardhë, të qëndisur me dorë. Ajo ka këpucë të zeza dhe çorape gri mëndafshi. Flokët e saj të zinj janë të mbledhur prapa dhe të lidhur në një nyjë në qafë. Fytyra e saj është e lëmuar dhe me ngjyrë të çelët si në rininë e saj, me tipare të holla e të vogla, dhe sytë e saj — sipas “bon ton” femëror oriental — nuk e shikojnë personin me të cilin po flet, por shikojnë me edukatë anash. Nëna Mbretëreshë konsiderohet një grua shumë e mençur dhe kompetente, si dhe një diplomate e shkëlqyer, siç e konfirmojnë të afërmit e saj personalë. Madhëria e Saj tani e ka urdhëruar Marshallin e Oborrit të thotë :

— Shpresojmë që do të qëndroni në vendin tonë për një kohë të gjatë, në mënyrë që të shihni me sytë tuaj si avantazhet që kemi, ashtu edhe vështirësitë tona. Djali im, Madhëria e Tij Mbreti, po punon shumë dhe me sukses për ndërtimin e vendit, dhe unë besoj se po bëjmë përparim të mirë, por duhet kohë për të ndërtuar një vend, dhe kemi shumë për të përballuar, një klimë të vështirë, shumë pak shkolla, spitale e të ngjashme. Por tani gjithçka po ecën pak nga pak, madje edhe emancipimi i grave po fillon të ndihet.

Mbretëresha buzëqesh dhe i kërkoj Shkëlqesisë sê Tij të pyesë se çfarë mendon Madhëria e Saj për emancipimin e grave dhe “avantazhet dhe bekimet” e tij. Pas disa minutash bisede në shqip, kam përshtypjen se Mbretëresha ngurron ta përdorë gjuhën. Më në fund, Marshalli i Oborrit thotë :

— Madhëria e Saj është e mendimit se emancipimi i grave është i mirë dhe i dobishëm, por se ai ka, si shumë gjëra të tjera në jetë, anët e tij të ndritshme dhe të errëta. Madhëria e Saj beson më tej se edhe nëse emancipimi nxit gra të guximshme si ju, të cilat as nuk kanë frikë nga malaria tepër famëkeqe shqiptare, por që vijnë tek ne si udhëtare nga Veriu, gratë e paemancipuara gjithashtu tregojnë guxim dhe aftësi të mëdha. Madhëria e Saj beson se duhet gjithashtu guxim dhe aftësi për t’iu nënshtruar burrit, për të lindur dhe për të rritur fëmijë në kushte të vështira, ku as klima dhe as uji i pijshëm nuk janë të sigurt, dhe fëmijët duhet të shkëputen nga shtëpia në moshë të re dhe të dërgohen jashtë vendit nëse duan të kenë një arsim të duhur. Madhëria e Saj beson se është guximi dhe aftësia që gratë e paemancipuara shqiptare kanë treguar gjithmonë.

Kur marshalli i oborrit mbaroi përkthimin, shpreh dakordësinë time të plotë me mendimet e Madhërisë së Saj. I kërkoj Shkëlqesisë së Tij të pyesë nëse e kam lodhur shumë Madhërinë e Saj. Gjithashtu ndiej keqardhje të thellë për Marshallin e dashur të Oborrit, i cili ka qëndruar në mes të dhomës për më shumë se gjysmë ore. Mbretëresha e kupton pyetjen time, siç ka gjithashtu shumë të drejtë, se tani kam pasur mjaft shkëmbime shqip-frengjisht dhe thotë se tani marshalli i oborrit do të më çojë te princeshat.

E falënderoj me fjalë mirësjelljeje për “lumturinë dhe gëzimin” që kisha marrë, dhe Madhëria e Saj më përshëndeti duke më uruar një qëndrim të këndshëm në Shqipëri.

Nën përkuljen time të thellë dhe atë, po aq të thellë, të Marshallit të Oborrit, Nëna Mbretëreshë Shqiptare del nga dhoma dhe hapet dera e sallonit anësor — ku janë mbledhur gjashtë Lartmadhëritë Mbretërore.

Marshalli i oborrit prezanton princeshat, dhe unë shtrëngoj duart e tyre, një nga një. Princesha Adile, nënë e fëmijëve gjysmë të rritur, të cilët studiojnë në Gjenevë, ka një fytyrë zemërmirë me sy të ngrohtë. Princesha Nafije, nëna e princit të vogël të kurorës, e veshur me një zi të thellë, jep imazhin në miniaturë të një “Niobe” të pikëlluar. Ajo është shumë e vogël dhe sytë e saj të mëdhenj ngjyrë kafe e ruajnë shprehjen e tyre të trishtuar edhe nën buzëqeshjen zyrtare të mirëseardhjes.

Por Princesha Senije, 27 vjeç, është e gjallë dhe bisedon me të gjithë të tjerët. Ajo e fton të huajin të ulet, i ofron kafe dhe cigare dhe sillet si një mikpritëse e sjellshme. Ajo e zhvillon bisedën me qetësinë e saj të zakonshme. Princesha Senije është motra e preferuar e mbretit, ajo është presidente e Kryqit të Kuq Shqiptar dhe është ajo që është përgjegjëse për përfaqësimin e grave në oborr.

Princesha Senije është 27 vjeç dhe presidente e Kryqit të Kuq Shqiptar. — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.
Princesha Senije është 27 vjeç dhe presidente e Kryqit të Kuq Shqiptar. — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.

Tri princeshat e tjera, Myzejen, Ruhije dhe Maxhide, janë vajza të reja e të adhurueshme të moshës 25, 24 dhe 23 vjeç, të gjitha me flokë kafe dhe bjonde të errët, ndoshta një model flokësh i veçantë “mbretëror shqiptar”, pasi të katër princeshat e pamartuara mbajnë këto flokë me gjatësi mesatare, të cilat u bien butësisht në qafë. Princeshat janë të veshura me fustane të lehta verore dhe mbajnë si bizhuteri një gjerdan me perla rreth qafës dhe një ose dy unaza diamanti. Këto janë — më thanë më vonë — dhurata nga vëllai, Mbreti. Në përgjithësi, mbreti i ri, ende i pamartuar, supozohet t’i dojë nënën dhe motrat e tij me gjithë zemër.

Princesha Myzejen 25-vjeçare — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.
Princesha Myzejen 25-vjeçare — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.
Princesha Ruhije 24-vjeçare — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.
Princesha Ruhije 24-vjeçare — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.
Më e vogla nga princeshat shqiptare, Maxhidja, është një vajzë e adhurueshme 23-vjeçare. — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.
Më e vogla nga princeshat shqiptare, Maxhidja, është një vajzë e adhurueshme 23-vjeçare. — Burimi : Revista norvegjeze “URD”, 13 qershor 1931, faqe n°322 — 324.

Në sallonin e princeshave, biseda zhvillohet në gjermanisht, ndërsa ne pimë kafenë aromatike turke dhe cigare të mira shqiptare. Me cigaret, gjithçka shkon bashkë, kështu që krijohet përshtypja se princeshat janë mësuar të pinë duhan. Biseda sillet rreth qytetit të bukur të Vjenës, ku princeshat kanë jetuar gjatë. Ato kanë qëndruar gjithashtu në Gjermani, Hungari dhe Jugosllavi dhe kanë shumë komente për të bërë nga udhëtimet e tyre, por “Vjena është qyteti më i bukur dhe elegant”, thotë më e reja, Princesha 23-vjeçare Maxhide. Ajo ka tipare të veçanta të fytyrës, është e gjatë dhe e hollë dhe është e vetmja që i ngjan vëllait të saj mbretëror.

Princesha Senije flet për punën e saj si Presidente e Kryqit të Kuq dhe për jetën në oborrin mbretëror në Tiranë.

— Ne jetojmë, thotë Madhëria e mençur mbretërore, ashtu siç mund të jetojnë princeshat shqiptare, domethënë shumë të tërhequra. Motra ime më e madhe ka fëmijë për t’u kujdesur, sepse ata po studiojnë në Gjenevë, dhe të gjithë kemi princin e vogël të çmuar të kurorës për t’u kujdesur dhe për t’u siguruar që ai të mos jetë i llastuar midis kaq shumë tezeve tepër të sjellshme.

Fjalët e fundit thuhen me një vështrim plot dashuri ndaj princit të vogël, i cili ka hyrë me disa lule dhe është ulur me nënën e tij. Shoh gishtat e hollë të nënës-princeshë që kalojnë nëpër flokët e tij të çrregullt e të verdhë.

— Përndryshe, ne do të kujdesemi për çdo bamirësi që mundemi dhe mund të përballojmë, vazhdoi princesha. Duke folur për këtë, duhet të vizitoni ekspozitën tonë të refugjatëve. Atje do të gjeni punime artizanale dhe tapiceri kombëtare shqiptare. Ka një angleze, zonjusha Pennington, e cila është shpirti i kësaj organizate. Është një ekspozitë interesante. Ne ishim në hapje dje, dhe duhet ta shfrytëzoni rastin për ta parë.

Sigurisht që përgjigjem se absolutisht do ta bëj dhe pyes me kujdes se çfarë lloj refugjatësh janë në të vërtetë. Ato më shikojnë me sy të zgurdulluar :

— Çfarë lloj refugjatësh ? Popullsia jonë fshatare shqiptare nga Jugosllavia dhe Greqia. A keni qenë në këto vende ?

— Po, Madhëria Juaj, përgjigjem unë, dhe kam parë turma refugjatësh grekë nga Turqia në Greqi. Edhe atje, organizata bamirëse publike organizon ekspozita të punimeve artizanale të refugjatëve.

Princeshat e reja dëgjojnë me interes dhe në sytë e tyre shprehës, dhimbja e thjeshtë e gruas pasqyrohet për një moment ndaj rendit të pandjeshëm botëror.

Megjithatë, meqenëse dua të di më shumë rreth jetës së oborrit mbretëror në Tiranë, bëj një pyetje të kujdesshme dhe Madhëria e Saj Mbretërore raporton :

— Ne bëjmë një jetë familjare më private, lexojmë shumë, marrim libra të rinj gjermanë, francezë dhe italianë dhe kemi një bibliotekë të madhe. Luajmë shumë muzikë dhe bëjmë ekskursione me makinë. Në verë jetojmë buzë detit në Durrës dhe notojmë.

— A jetojnë madhëritë e tyre mbretërore krejtësisht pa shoqëri ? — i lejoj vetes këtë pyetje.

— Jo tamam, përgjigjet princesha e mençur me një buzëqeshje. Gjatë festivalit “Romasson”, i cili zgjat një muaj të tërë, ne kemi shoqëri dhe argëtohemi pothuajse çdo natë.

— Çdo natë, e përsëris, pak e çorientuar.

— Epo, po, — buzëqeshi princesha. — Agjërojmë gjithë ditën, si myslimanë të mirë që jemi, dhe flemë gjithë ditën. Vishemi vetëm në mbrëmje dhe hamë vaktin e parë kur shfaqet ylli i mbrëmjes. Në orën tetë, gjithmonë kemi një darkë të madhe, me qengj të pjekur në hell dhe gjithmonë me disa të ftuar. Ndonjëherë vjen vëllai ynë, mbreti, kur ka kohë të lirë. Janë edhe ndihmësit e mbretit, gratë e tyre dhe të afërm të tjerë të oborrit. Pas darkës, rrimë zgjuar deri vonë natën duke folur, duke luajtur muzikë dhe duke kënduar… Duhet të vish ti më pas në “Romasson”, — tha princesha duke qeshur, — dhe të hash një qengj në hell me ne.

Gjatë lamtumirës, ndërsa princeshat shënonin emrat e tyre poshtë fotografive që unë do t’i mbaj si kujtim, Madhëria e Saj Mbretërore Ruhije më pyet nëse erdha vërtet në Shqipëri pa njohur asnjë person; a nuk ishte kjo shumë emocionuese ?

E kënaqa kuriozitetin e princeshës së re duke i thënë se e njihja tashmë Ministrin e Punëve të Jashtme, Rauf Fico, se ai e kishte mbrojtur çështjen time tek mbreti dhe më kishte ndihmuar shumë, si me këshillat ashtu edhe me veprimet e tij. Menjëherë, nxora një fotografi amatore të Shkëlqesisë së Tij Fico dhe gruas së tij me kostum kombëtar shqiptar, të cilën e mora si suvenir, dhe deklarova me bindje :

— Shikoni këtë fotografi, Madhëria Juaj Mbretërore, ajo vetëm sa konfirmon faktin se askund tjetër nuk ka burra kaq burrërorë dhe të pashëm dhe gra kaq të adhurueshme femërore, dhe madhëria e re mbretërore e shikon ministrin e jashtëm me kostum dhe fustanellë të bardhë dhe pyet me habi :

— Vërtet mendoni se meshkujt shqiptarë janë kaq të bukur ?

— Po, Madhëria Juaj Mbretërore, unë them se burrat shqiptarë janë raca më e bukur e burrave dhe mendoj se mund të më besoni, sepse kam udhëtuar nëpër katër kontinente dhe tërësisht më janë dashur gjashtë vjet.

— Ju duhet të jeni me fat që jeni në gjendje të udhëtoni kaq shumë, — tha një princeshë e re ëndërrimtare.

Po, Madhëria Juaj Mbretërore, jam shumë e lumtur, por ai që është i lumtur në shtëpi është edhe më i lumtur ! Dhe në gëzimin e përgjithshëm dhe me një “tunjatjeta” të përzemërt, një fjalë që është një nga perlat e leksikut tim të varfër shqip dhe që do të thotë diçka si “jetë të gjatë dhe Zoti qoftë me ju”, i jap lamtumirën Madhërive Mbretërore dhe më shoqëron Marshalli i Oborrit.

Në korridor, shoh sërish kolltukun e çuditshëm, dhe fenomeni shpjegohet : është një karrige dentisti. Lartmadhëritë e tyre Mbretërore nuk shkojnë te dentisti, por e lënë atë të vijë tek ato, dhe kanë instaluar një kabinet dentar të improvizuar në korridor.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT