• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

NJË SY I MPREHTË MBI UNIVERS…

June 2, 2025 by s p

Kosta Nake/

Universi Kadarejan nuk mund të kishte përmasat ekzistuese pa dimensionin e studiuesit, një marrëdhënie e ndërsjelltë që ka rezultuar e suksesshme pasi studimet e thella kanë shërbyer si gjenerues veprash artistike dhe veprat artistike patën kërkuar diçka më specifike përtej imagjinatës.

U desh një pyetje drejtuar Kadaresë nga nobelisti guatemalas Miguel Angel Asturias, ambasador në Francë në fillim të viteve ’70: “A ka mjegull Shqipëria? ” dhe përgjigjja: “Po ka mjegull, ka dhe legjenda” që të çelej një portë në laboratorin krijues, u desh edhe një peng i autorit për një takim të dakortësuar, por të parealizuar me nobelistin e “Zotit President” që Kadare të ndalej gjatë te legjendat duke rrokur në kohë e hapësirë një temë të madhe.

A ka vërtet ndonjë lidhje mes mjegullës dhe legjendave? Natyrshëm vjen pyetja: Homeri ka qenë vërtet i verbër, apo kemi një kinse verbëri, një filtër mjegullues, një pëlhurë ndarëse për të mos parë këtë botë dhe për të zhbiruar një pjesë të parrokshme të saj? Autori mendonte se zanafilla e këtij universi me mite për perënditë dhe legjenda për njerëzit qëndron te përralla. Raportin e letërsisë së shkruar me legjendat autori e shikonte si rivalitet mes syrit dhe veshit duke i bërë një prerje vertikale në kohë. Interesante është rruga e mundimshme e shkruesve përballë rapsodëve dhe pastaj për tkurrjen e përrallës. Duke folur për Balzakun autori nënvizonte një risi – mbartjen e personazheve nga vepër te tjetra – gjë që i pati pëlqyer dhe e aplikoi edhe në korpusin e veprave të veta.

Diktaturat e reja ruajtën nga e kaluara elementë mitologjikë, varri si shtatore e parë e thjeshtësuar, Muri i Madh kinez, piramidat e Egjiptit, piramida e Timur Lengut u rishfaqën në trajtën e Murit të Berlinit.

Një kapitull mjaft interesant është ai që rimerr këngën e Gjergj Elez Alisë me zbërthim të ri për figurën e bajlozit, pas të cilit Kadare shikonte një ambasador që vinte kushte të papranueshme në trojet ilire, kurse fjalën “xheza” e çmontoi si dramë fiskaliteti.

Nuk di pse kuçedrën që pushtonte burimet autori e ndryshoi fonetikisht në “kulshedër”, por në përmbajtje edhe këtu deshifrimi është i njëjtë: kërkesa prej dymbëdhjetë djemsh apo vajzash përkon me numrin e muajve gjë që e kthen në një taksë mujore. Që këtu zgjatet një trajektore që kap mbretin Arthur dhe tryezën e rrumbullakët me dymbëdhjetë kalorës, po aq sa Krishti me apostujt e tij.

Në pjesën e dytë të esesë analitike, gjuha shkoi ku dhembte dhëmbi. Ajo rrokje pas legjendave kishte brenda saj demaskimin më therrës të sistemeve diktatoriale, posaçërisht të diktaturës komuniste në Shqipëri, ishte një lloj zbrazje e vrerit të mbledhur me vite. Filloi me eposin e kreshnikëve, monumentin artistik me kostum botëror të krijuar në shqip dhe serbisht, një luftim artistik i përbashkët që e gjejmë edhe te vepra “Tri këngë zie për Kosovën.” Jutbina shikohej si qytet, si kamp ushtarak dhe si kështjellë dhe është rasti i vetëm ku bota ushtarake merr pjesë drejtpërdrejt në përpunimin e ciklit të epeve.

Legjenda e murimit është një krijesë që del edhe përtej kufijve të Ballkanit, por autori u ndal te kalaja e Shkodrës, pasi atje legjenda serbe shfrytëzohet për qëllime politike.

Përpjekjet e diktaturave për krijimin e shenjtorëve, procesioneve, legjendave dhe mistikës së re, autori i gjente që nga revolucioni bolshevik rus. Disa krijues u kthyen në arkitektë duke e ngritur statujën e Leninit sipas imazhit të Krishtit, byroja politike u legjendarizua sipas Olimpit grek dhe tryezës së mbretit Arthur. Në Kinë Maoja u barazua me Zeusin dhe u krijua heroi imcak i tipit Lej Fen. Në Shqipëri letrat anonime u kthyen në mekanizëm foklorik. Më se një herë Kadare rimori vrasjen e ish-kryeministrit shqiptar dhe, fakti që kishte shoqëri me njërin prej djemve të tij, bënte që të regëtinin xixa ndjesish vetjake. Përveç atyre që janë shkruar e thënë, Kadare shtoi edhe një detaj që mund të merret në konsideratë: atë vjeshtë të vitit 1981 ish-kryeministri pati dy gëzime në një ditë: hyrja në shtëpinë e re dhe fejesa e djalit. Mirëpo vila e tij ishte bërë më e mirë se e Njëshit, dhe këtu filloi legjenda: “Kryeministri hyri në shtëpinë e re,/ Por shtëpia ishte ters.” (f.131) Le të pranëvemë këtu fillimin e eposit të kreshnikëve. “Shumë po ndrit nj’ai diell e pas po nxeh.”

Mekanizmi tjetër i diktaturave është futja e frikës së ferrit duke mitologjizuar dhe legjendarizuar burgjet. Burgu ishte ferri për të burgosurit që edhe pas dënimit survejoheshin dhe të gjallët që ishin jashtë tij, jetonin me frikën e ftesës për bashkëpunim, madje me një detajim të formave të kërcënimit.

Kapitulli IX merret me legjendën e flijimit. Fillon nga antikiteti grek me flijimin e së bijës nga Agamemnoni, kalohet te Bibla me gatishmërinë e Abrahamit për të flijuar birin e vet, pastaj vijmë në ditët tona me sistemet diktatoriale: Stalini dërgon të birin në frontin më të egër të luftës dhe e sakrifikon atë edhe kur i ofrohet mundësia e shkëmbimit me robër gjermanë; të njëjtën gjë bëri Mao ce Duni duke e dërguar të birin në luftën e Koresë ku humbi jetën; kurse Enver Hoxha zgjodhi burrin e motrës. Të tre bënë një epokë me mesazhin e njëjtë: Mëshirë nuk do të kishte për askënd! Në mbyllje Kadare iu rikthye ngacmimit fillestar të Asturias duke konkluduar: “Legjendat janë mjegulla jonë,” një vello që e vërteta jonë të mbërrijë tek ne e thyer si nëpër një prizëm.

(Libri “Legjenda e legjendave” i Ismail Kadaresë, Pejë 1996)

Filed Under: ESSE

Dhjetë vjet Lidhje…

June 2, 2025 by s p

Ndue Shabaku/

Me delikatesën sikur po përkujdesej për një të porsalindur, instrumentisti sistemoi në mjetin e rrugëtimit violinën. Mënyra si e shikonte dhe si e vendoste instrumentin në postin që i jepte sigurinë, tregon me çfarë ndjesie artisti ka ardhur nga zemra e Shqipërisë Elbasan në qytetin Brescia të veriut të Italisë. Në Nocciano të rajonit Abruzo u hodh baza e urës së bashkëpunimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali me entet artistike të Elbasanit. Rasti e solli që ata të bashkëpunojnë me ne me rastin e festimit të dhjetëvjetorit të krijimit të Lidhjes. Enkas erdhi një skuadër në dukje e qetë, por me zjarrin shpërthyes brenda. Udhëhiqnin skuadrën Drejtori i Zhvillimit të Kulturës dhe Çështjeve Sociale të Qarkut Elbasan Bledi Gremi, Drejtori i Artit dhe Kulturës së Bashkisë Elbasan, Kliton Kapaj, përfaqësuesit e shoqatës “Kujtesë për vazhdimësi”, Petrit Hodo dhe Xhimi Vila, Drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë, Artur Guni.

U shfaqën të rreshtuar në skenë orkestra e përbërë nga Enriketa Peni, violonë, Adem Balliçi, violinë, Desart Shmili, violinçel, Mirjan Sulovari, fizarmonikë e perkusion, Arbër Çerri, kitarë, Ilirian Zdrava, kitarë, dhe Tzeni Soulkovski. Kapiteni “arrogant” i orkestrës, violinisti virtuoz Zeqir Sulkuqi dirgjoi dhe prezantoi ato që kishin përgatitur për të zbukuruar ditëfestën e 10-vjetorit të krijimit të Lidhjes sonë. Ritmi i gjallë e intensiv i pjesëve orkestrale, me tone sa gazmore, aq shpërthyese rrëmbyen të pranishmit. Vivaldina, Çardash, Zingarela, por edhe të gjitha vallet e pjesët e interpretuara të autorëve të huaj edhe tanët patën impakt të fortë tek spektatori.

Shpesh herë fati të shpërblen aq shumë, sa vihesh në dyshim a e meriton vërtetë mrekullinë. Mrekullinë që të kesh në skenë para syve e në linjë me dëshirat e papërmbajtura këngëtarë të kalibrit si Kastriot Tusha dhe Ulpjana Aliaj. Tenori me bukuri zëri të rrallë, me përgatitje profesionale tepër të kualifikuar, me autoritetin e përmasat e artistit me popullaritet të pallogaritshëm, Kastriot Tusha, solli për ne këngë në italisht dhe në shqip. I dinim të gjithë gati përmendësh këngët dhe u munduam të bashkojmë zërat me të tijin.

Gjithnjë nën shoqërimin e orkestrës tepër simpatike, solemnitetin dhe bukurinë me shije të rrallë artistike solli prania në skenën tonë e sopranos Ulpjana Aliaj. Në momente të alternuara interpretoi me zërin e bukur e talentin kristalin dy fragmente të Baccio dhe Romeo e Xhuljeta. Aq të bukura ishin edhe këngët në duet nga dyshja e ëndrrave tenori Kastriot Tusha dhe sopranoja Ulpjana Aliaj. “Si dukat i vogël je” dhe “Lule Borë”, që janë këngë antologjike në fondin e artë të këngës shqiptare, të interpretuara nga kjo dyshe me vlera të cilësuara, provokojnë përjetime e ndjesi të veçanta tek adhuruesit e këngës. Bukuri e shije u dhanë interpretimeve të tyre vallet e fluturave të shkollës shqipe “Mësonjëtorja” në Brescia.

Një vlerësim të veçantë si Lidhje i atribuojmë kompozitorit të palodhur Aleksandër Kolshi, i cili me profesionalizmin e dinamizmin e tij mundësoi realizimin e koncertit dhe gjithë aktivitetit.

E fillova nga fundi, pasi institucioni i mikut për shqiptarin është shenjtë. Në rastin tonë, nderimet për ta janë gjithmonë pak, sepse dhjetëvjetorin e festuam me një dhjetë me shumë yje.

Para koncertit festiv, u zhvillua një ceremoni tepër e bukur me paradë artistësh, me oratori, me përshëndetje, me fjalime me prezantime e nderime. Ndezi situatën festive këngëtari i famshëm Kastriot Tusha me himnet kombëtare të vendit ku jetojmë dhe kombit tonë. Prezantuesit Mimoza Leskaj, Lori Duka, Andrea Znachetta ftuan të përshëndesin zonjën Anila Pojani, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano. Nga Bashkia e qytetit Elbasan solli përshëndetjet Drejtori i Artit dhe Kulturës, Kliton Kapaj, i cili vlerësoi shumë arritjet artistëve në Itali dhe rëndësia që ka bashkëpunimi për zhvillimin dhe promovimin e artit e kulturës. Me shumë emocion solli kujtimet e tij Presidenti themelues i lidhjes Tonin Nikolli. Fillimet e lëvizjes kulturore, themelimi i Lidhjes dhe ecuria në vite kanë lenë shenja të pashlyera.

– Unë jam një gjethe. Ndërsa zemra e vërtetë e Lidhjes sonë ka qenë dhe është sekretarja historike Lori Duka, – tha poeti i kuotuar, ndoshta, edhe si kalim i stafetës në dorën e rinisë.

Përshëndeti me respekt për lidhjen Ambasadori i Kombit dhe mbartësi i titujve më të lartë që atribuohen nga shteti italian dhe Vatikani, Komendatori Petrit Kozeli. Pati dhe përshëndetje të tjera direkt nga salla dhe me videomesazh. Një sintezë të ngjarjeve kryesore që karakterizuan jetën e Lidhjes, të aktiviteteve të përkohshme e të përhershme, të angazhimeve të anëtarëve, aktivistëve, këshilltarëve, drejtuesve e gjithë artistëve që bashkëpunuan gjatë kësaj dekade, referoi Presidenti i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, Skender Lazaj.

E kush tjetër më shumë se kënga, zbukuron një festë. E kush e nderon festën sa anëtarja e nderit e Lidhjes, sopranoja Anila Gjermeni! Është realiteti më cilësor i Lidhjes sonë. Ajo di të zotërojë plotësisht skenën me zërin e ëmbël, me bukurinë dhe finesën e interpretimit. Ajo di ta përcjellë këngën me mjeshtri dhe të depërtojë tek dëgjuesit. Në gjuhën italiane interpretoi artisti elegant Neptun Gjati. Me zërin tepër të bukur, përcjell tonalitetin e gjallë të këngës italiane. Veçse ka ruajtur prej 600 vjetësh rrënjët e gjuhës arbreshi Mimmo Imbrogno. Me kitarën e tij mitike doli në skenë dhe këndoi dy këngë që publiku i di përmendësh.

Kësaj feste i dhanë dinamizëm, freski e bukuri skuadra e prezantimit. Piktori tiranas Andrea Zanchetta Tufina veç punës së madhe si organizator, angazhimeve për përgatitjen e targetave, me simpatinë e tij i dha ngjyrë e freski prezantimit, duke rreshtuar me mjeshtret e prezantimit, Mimoza e Lori. Fjalë përgëzuese meritojnë edhe Arjeta Previzi e prof.. Rajmonda Mara, që punuan për organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit. Falënderojmë vajzat shqiptare Romina Shoraj e Samira Tafa që fiksuan në foto gjithë aktivitetin.

U ndiem mirë nga prezenca e disa të ftuarve që erdhën për herë të parë. Kemi ndier ngrohtësinë e pjesëmarrjes së shLuljeta CerekupuAssociazione Comunità Albanese in Italiao me Presidenten e re Luljeta Cereku, Associazione Comunità Albanese in Italia, përfaqësuar nga presidenti Ahmet BHaki Mazeqata “Shqiponja”, Reggio Emilia me një skuadër të bukur me president Hasan Bulçarindra Kulturore “Margarita Xhepa”, përfaqësuar nga Drejtori i saj Hasan Bulçari, shoqata “Alba” e përfaqësuar nga sekretari Dedin Paci, Shoqata “Rinia” e përfaqMimoza Selmaniidenti ErioEgla Tejaani, Shoqata “Ura” Centro Culturale ODAkrimtarja Mimoza Selmani dhe prof.Gezim Guga DEdmir Cekrezientro CultAdmir Plakaërfaqësuar nga drejtuesit Gëzim Gezim Guga, Edmir Cekrezi e prof.. Admir Plaka, Shoqata “ArbJasin Dautino, shoqata “ShqiponjaE Valle Camonica, përfaqësuaSilvi Silvanaresidenti Jasin Dauti, shkolla “Mësonjëtorja” përfaqësuar nga mësuesit Silvanaana Tika, Santiliano Aliaj, Amantia Qeveri.

Gjithashtu përshëndesim me adhurim të gjithë pjesëmarrësit në këtë festë të artistëve tanë që investojnë gjithçka për publikun.

Filed Under: Emigracion

Një festë e kulturës dhe bashkimit…

June 2, 2025 by s p

Pjesëmarrja e Shoqatës Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze në WTTT (World of Travel, Trade & Taste).

Shoqata Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze mori pjesë me krenari në edicionin e sivjetshëm të panairit WTTT (World of Travel, Trade & Taste), i cili u mbajt më 30 dhe 31 Maj në Metro Toronto Convention Centre. Ky ishte një rast i shkëlqyer për të përfaqësuar me dinjitet kulturën, traditat dhe shijet shqiptare përmes një stende të pasur dhe një programi plot ngjyra.

Gjatë dy ditëve të aktivitetit, vizitorët patën mundësinë të shijonin produkte tradicionale shqiptare, të njiheshin me zakonet tona kulturore dhe të shikonin një performancë të mrekullueshme të grupit të valleve Fluturimi i Shqipes. Performanca kulmoi me një moment të veçantë kur të pranishmit u ftuan të bashkoheshin në një valle popullore, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe përplot energji pozitive. Ky moment bashkimi tregoi fuqinë e kulturës për të afruar njerëz nga vënde te ndryshme.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe Ambasada e Kosovës në Kanada, të cilat u prezantuan me stendat e tyre dhe u fokusuan në promovimin e bizneseve nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe në zhvillimin e turizmit dhe tregtisë me Kanadanë.

Organizimi i prezantimit të Shoqatës u drejtua dhe koordinua nga bordi i saj aktiv, i cili ishte i përfshirë në çdo aspekt të përgatitjes dhe zbatimit të programit për këto dy ditë. Që nga planifikimi logjistik, kontaktet me bizneset, përgatitja e materialeve promocionale, koordinimi me institucionet, e deri tek mbikëqyrja e aktivitetit në vendngjarje, puna e bordit siguroi që çdo detaj të realizohej me profesionalizëm dhe përkushtim të plotë. Angazhimi i tyre reflektoi një bashkëpunim të mirëorganizuar në shërbim të komunitetit.

Përmes përfshirjes së vullnetarëve, performuesve, partnerëve dhe mbështetësve, Shoqata Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze arriti të krijojë një përvojë autentike dhe të paharrueshme për vizitorët. Kjo pjesëmarrje nuk ishte thjesht një prezantim, por një ftesë për të njohur më thellë shpirtin shqiptar.

Filed Under: Reportazh

NDËRMJET HIJES SË KUJTESËS DHE DRITËS SË SHTETFORMIMIT

June 2, 2025 by s p

(Reflektime mbi arkitekturën kulturore në Maqedoninë e Veriut)/

Prof.dr Skender ASANI

Në rrjedhën e historisë moderne të Ballkanit, ka pasur një përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar shtete të qëndrueshme përmes artikulimit të identiteteve kombëtare gjithëpërfshirëse. Maqedonia e Veriut nuk bën përjashtim nga ky proces, ku formalisht është vendosur një rend shoqëror që promovon barazinë dhe multikulturalizmin. Megjithatë, dallimi ndërmjet realitetit të shkruar në letër dhe asaj që përjetohet në praktikë, në veçanti për etnitë autoktone, mbetet i thellë dhe kompleks.

Në këtë ndërhapësirë mes fjalës së shkruar dhe veprimit konkret, shqiptarët vazhdojnë të përjetojnë një formë të veçantë të përjashtimit kulturor – një proces i qetë, i heshtur, por i vazhdueshëm që mund të karakterizohet si dekulturalizim institucional. Ky proces nuk manifestohet përmes mohimit të drejtpërdrejtë, por përmes mungesës së përfshirjes së barabartë, mungesës së infrastrukturës institucionale, dhe shpeshherë përmes shtrembërimit të vetë rrëfimit historik.

Trevat shqiptare brenda kufijve aktualë të Maqedonisë së Veriut janë ndër më të pasurat për nga trashëgimia kulturore, arkeologjike dhe historike. Këto hapësira nuk janë thjesht vendbanime të tanishme, por dëshmi të një autoktonie të pandërprerë që nga antikiteti. Gjuha e gurëve të lashtë, e toponimisë ilire dhe e kujtesës popullore dëshmon për një vazhdimësi që historia nuk ka mundur ta fshijë. Shqiptarët janë një popull për të cilin flet vetë historia – një popull që e ka ruajtur identitetin e vet kulturor edhe në kushte kur ai nuk është njohur institucionalisht.

Megjithatë, në vend të mbështetjes për kultivimin dhe konservimin e kësaj trashëgimie, shpesh haset e kundërta: mungesa e një muzeu të mirëfilltë të etnokulturës shqiptare, që nuk mund të arsyeetohet me mungesë burimesh, por me mungesë vullneti institucional. Në disa raste, ky fenomen shkon edhe më tej – drejt deformimit, mohimit apo edhe përvetësimit të trashëgimisë materiale shqiptare, veçanërisht asaj me rrënjë ilire dhe arbërore. Ky trajtim selektiv i historisë është jo vetëm problematik nga këndvështrimi kulturor, por rrezikon edhe harmoninë shoqërore.

Ministria e Kulturës, si institucion kyç në ndërtimin e narrativës shtetërore, shpeshherë nuk arrin të përfshijë identitetin kulturor shqiptar si pjesë të mozaikut të përbashkët. Përfaqësimi shqiptar në këtë institucion është minimal dhe shpesh vetëm simbolik. Projektet kulturore shqiptare financohen në mënyrë të pasigurt dhe të pakontrolluar, pa strategji afatgjatë dhe jashtë një kornize të konsoliduar shtetërore. Kjo mungesë e barazisë në qasje ndikon drejtpërdrejt në ndërtimin e një kujtese kolektive gjithëpërfshirëse.

Ironikisht, Marrëveshja e Ohrit, dokumenti që duhej të shënonte një epokë të re të bashkëjetesës ndëretnike, përmban në thelbin e saj parimin e mbrojtjes dhe kultivimit të trashëgimisë kulturore të komuniteteve, përfshirë shqiptarët. Ky parim, i garantuar nga bashkësia ndërkombëtare, është konceptuar si një element stabiliteti dhe respekti të ndërsjellë. Sepse vetëm kur gjuha, historia dhe trashëgimia e një komuniteti trajtohen me dinjitet dhe përfshirje, mund të ndërtohet një shtet që gëzon besimin dhe lojalitetin e të gjithëve.

Për fat të keq, praktikisht ndodh e kundërta. Shqiptarët janë të përjashtuar jo vetëm nga politikat kulturore, por edhe nga vetë infrastruktura e nevojshme për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë së tyre. Ata janë nën-përfaqësuar në buxhetet shtetërore për kulturën, në vendimmarrje dhe në planifikimet strategjike për ndërtimin e identitetit shtetëror. Kjo nuk është më thjesht neglizhencë – është një formë e sofistikuar e etnocidit institucional, që godet thellësisht në themelin shpirtëror të një komuniteti.

Në anën tjetër, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm në institucionet shtetërore. Edhe vetë subjektet politike shqiptare, në mbi tre dekada të pjesëmarrjes së tyre në jetën parlamentare dhe qeverisëse, nuk kanë arritur të artikulojnë dhe zbatojnë një strategji të qëndrueshme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në mënyrë institucionale. Fragmentimi politik, fokusimi në çështje të përkohshme dhe mungesa e një vizioni afatgjatë kanë bërë që edhe kërkesat legjitime të mbeten të paadresuara.

Përballë këtij sfondi të ndërlikuar, është e domosdoshme që të artikulohet një vizion i ri dhe një strategji e qëndrueshme që vendos kulturën shqiptare në thelb të ndërtimit të një shtetësie gjithëpërfshirëse. Kjo kërkon jo vetëm përfaqësim real në institucionet e kulturës dhe përkrahje të barabartë buxhetore, por edhe themelimin e strukturave të posaçme që sigurojnë konservimin, promovimin dhe dokumentimin e trashëgimisë shqiptare. Është koha që të kalohet nga hijet e kujtesës drejt dritës së shtetformimit – ku çdo komunitet, përfshirë shqiptarët, e ndjen veten pjesë të barabartë dhe të nderuar të mozaikut të përbashkët të identitetit shtetëror.

Shkup, 02 qershor 2025

Filed Under: Ekonomi

Kush e shpiku rrotën dhe si e bëri?

June 2, 2025 by s p

Illustration of a shadow of a person standing over a wheel

Nga Cody Cassidy – Përshtatur në shqip për botim: Rafael Floqi/

Qerret – dhe rrotat e tyre – nuk mund të ishin ndërtuar me faza. Ose funksionojnë, ose jo. Dhe ky shpikim u dha njerëzve mundësinë të përhapeshin me shpejtësi në pjesë të mëdha të botës.


Qindra mijëra vjet përpara shpikjes së rrotës, një hominin me fat të keq shkel mbi një gur të lirë apo mbi një trung të paqëndrueshëm dhe – vetëm një çast para se të rrëzohej – zbuloi se një objekt i rrumbullakët e zvogëlon fërkimin me tokën. Kjo përvojë e pashmangshme shpjegon përhapjen universale të rrotulluesve në antikitet: thjesht trungje të vendosura poshtë objekteve të rënda për t’i lëvizur. Egjiptianët dhe mesopotamianët i përdorën për ndërtimin e piramidave dhe transportimin e pajisjeve të rënda; polinezianët për të lëvizur statujat moai në Ishullin e Pashkëve.

Por rrotulluesit ishin joefikasë – duheshin zëvendësuar vazhdimisht dhe fërkimi i bënte të vështira për t’u shtyrë. Zgjidhja gjeniale ishte boshti. Megjithëse rrotulluesit ishin të lashtë, nuk ka prova që dikush, kudo, kishte shpikur sistemin rrotë-bosht përpara një qeramist të zgjuar rreth 6,000 vjet më parë.

Boshti më i vjetër i zbuluar nuk gjendet në një qerre, por në një rrotë qeramike në Mesopotami. Ky është shembulli i parë i njohjes së faktit që qendra e një disku që rrotullohet është e palëvizshme – dhe se kjo mund të përdoret mekanikisht. Një vëzhgim gjenial, pa ndonjë analogji të qartë në natyrë – ndoshta i frymëzuar nga një rruazë që rrotullohej mbi një fill? Boshti u bë kështu një nga përparimet më të mëdha mekanike në historinë njerëzore.

Megjithatë, ndërmjet rrotës së qeramistit dhe një qerreje funksionale kishte një tjetër kapërcim intelektual: përdorimi i dy rrotave të montuara për të lëvizur një objekt. Dhe qerret e para, mesa duket, ishin lodra. Rrotat më të vjetra të njohura gjenden nën figurina të kafshëve prej balte, rreth 5 cm të gjata.

Në korrik 1880, arkeologu Désiré Charnay zbuloi një lodër me rrota në një varr aztek në jug të qytetit të Meksikos: një figurë kojoti me katër rrota, vendosur si kujtim në varrin e një fëmije. Ai shkruan se lodra ishte një kujtim i një “nëne të dashur … që, shekuj më parë, e varrosi me fëmijën e saj të dashur”.

Çuditërisht, shpikja e rrotës si lodër ndodhi në mënyrë të pavarur si në Botën e Vjetër, ashtu edhe në atë të Re. Disa arkeologë janë skeptikë që një shpikje kaq madhështore të ketë lindur nga dëshira për të luajtur, por inxhinierët nuk janë. Ata e konsiderojnë logjike që një shpikje e tillë të jetë testuar fillimisht si model i vogël – një praktikë e zakonshme inxhinierike edhe sot.

Qerret e mëdha u shfaqën rreth 5,400 vjet më parë dhe shumë shpejt u përhapën nga Iraku jugor deri në Gjermani – një fenomen “viral” në një botë ku kulturat ishin zakonisht të izoluara. Sipas antropologut David Anthony, madhësia dhe fuqia e këtyre makinave prej druri ishte mbresëlënëse: “Mund të kenë qenë makineritë më të mëdha që njerëzit kishin parë ndonjëherë.” Të tërhequra nga qe – kafshët më të mëdha të stepave – qerret bënë bujë.

Rrotat e para nuk ishin të njëjta: njëra kishte bosht të fiksuar si në trenat modernë, tjetra rrotullohej lirshëm si në automjetet moderne. Anthony sugjeron se disa ndërtues i kopjuan pa i parë nga afër.

Pasojat shoqërore dhe ekonomike ishin të menjëhershme: bujqit mund të punonin më shumë me më pak njerëz; komunitetet u përhapën përtej lumenjve në stepat e paeksploruara. Qerret ndryshuan ekonominë, stilin e jetesës, luftërat dhe gjuhët. “Vështirë të mbivlerësohet rëndësia e parë e qerres në transportin tokësor,” shkruan Anthony.


Por kush e shpiku këtë mjet? Studiuesit kanë emërtuar shpikësin me emrin Kweklos, apo Kay, një fjalë e rindërtuar nga gjuhëtarët historikë si termi i mundshëm për “rrotë” në Proto-Indo-Europianishten (PIE), që rrjedh nga folja “të rrotullohet”.

Kay mendohet të ketë jetuar rreth 5,400 vjet më parë, ndoshta në rajonin e stepave të larta në jug të Rusisë së sotme. Në një varr të kulturës Yamnaya, është gjetur një njeri i varrosur mbi qerren e tij – ndoshta vetë Kay.

Gjuha e folur nga Yamnaya ishte Proto-Indo-Europianishtja, dhe shumë fjalë për rrotat dhe boshtet janë fjalë autoktone, jo të huazuara. Kjo sugjeron se shpikja ndodhi në një komunitet PIE-folës. Kay ishte fermer, rritës kafshësh, pinte mjaltë të fermentuar, dhe ndoshta mbante rroba prej leshi. Ai adhuroi një perëndi mashkull qiellore, sakrifikonte kuaj e lopë, dhe jetonte në fshatra të vogla pranë lumenjve.

Sipas ADN-së së Yamnaya-ve, Kay kishte sy kafe, flokë të errët (ndoshta të kuq) dhe lëkurë me nuancë ulliri. Ai ishte trupmadh e i muskujve – një burrë fshati që e kishte skalitur trupin me punë të rëndë.

Por as geni, as forca nuk mjaftonin: Kay ishte mjeshtër. Rrota dhe boshti kërkonin precizion. Nëse rrota ishte prerë në formë “sallami” nga një trung, ajo dështonte – fibra e drurit nuk e përballon peshën nga anash. Zgjidhja e Kay-t ishte një rrotë e ndërtuar nga disa dërrasa të prera vertikalisht dhe të bashkuara me kujdes.

Dhe gjithçka duhej të funksiononte menjëherë. Nuk kishte faza eksperimentimi – ose funksiononte, ose jo. Por edhe rrotat e tij nuk do të kishin vlejtur pa qetë. Në mijëvjeçarin IV p.e.s., kultura Maykop në Ukrainë filloi t’i përdorë meshkujt e kastruar të gjedhëve si kafshë pune. Zbutja e tyre ishte e dhunshme, dhe jetët e drejtuesve të qerreve ishin po aq të rënda – shumë prej tyre kanë mbetje kockore me fraktura të shumta.

Kur Kay vendosi qetë përpara qerres së tij druri, 1 metër e gjerë me 2 metra e gjatë, me rrota që rënkonin, ai nuk ndërtoi vetëm një mjet – ai ndryshoi botën. Nga fshatrat e ngjeshur, Yamnayanët nisën të shpërndaheshin në stepat e gjera euroaziatike.

Sot, ndikimi i tyre ndjehet ende. Rreth 45% e popullsisë botërore flet gjuhë që rrjedhin nga PIE – përfshirë anglishten, gjuhët sllave, latine, sanskritishten, dhe gjuhën shqipe.

Dhe ndoshta, ndërsa udhëtonte me qerren e tij, Kay kishte me vete edhe një “pasagjer” të padukshëm: bakterin Yersinia pestis, paraardhësin e murtajës së zezë. ADN e gjetur në dhëmbë 5,000 vjeçarë tregon se Yamnaya mund ta kenë përhapur pa dashje këtë armë biologjike teksa lëviznin drejt Europës.

Qoftë nga sëmundja, qoftë nga ndonjë aksident, Kay vdiq. Por ndryshe nga shumë shpikës të antikitetit, ai mund të jetë kujtuar edhe gjatë jetës së tij. Dhe ndoshta, ai ishte njeriu i parë që u varros mbi shpikjen e vet.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT