• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2025

Një profil pak i panjohur i Pirros, Mbret i Epirit

June 27, 2025 by s p

Kriledjan Çipa/

Përgjithësisht, rreth Pirros mbretit të Epirit nga dinastia molose e Ajakidëve flitet vetëm për veprimtarinë e tij ushtarake, e zhvilluar midis fundit të shek. IV dhe fillimit të shek III p.Kr. Njihen dhe janë të famshme kryesisht luftrat e tij kundër Romakëve dhe Kartagjenasve në Italinë e Jugut, si dhe betejat kundër mbretërisë Maqedonase dhe pretendentëve të ndryshëm për fronin e kësaj mbretërie. Sigurisht, që aktiviteti politiko-ushtarak ka patur ndikim të madh në jetën e bashkëkohësve të tij, për këtë arsye është pasqyruar më shumë, megjithatë ka edhe një aktivitet të gjerë kulturor në jetën e këtij strategu të madh të antikitetit, që e njohim duke lexuar midis reshtash autorët antik ose nëpërmjet të dhënave arkeologjike e epigrafike. Dihet nëpërmjet Plutarhut se Pirrua ishte gjithashtu shkrimtar, që ka shkruajtur disa traktate rreth stratagjemave dhe taktikave luftarake. Krahas tyre ka lënë të shkruajtura dhe kujtimet e tij, të cilat i njohim shumë pak nëpërmjet citimeve nga autorë të ndryshëm antik. Krahas ndërtimit të fortifikimeve, ai ishte një mbret i përkushtuar në ndërtimin e godinave publike me karakter kulturor. Ai ndërtoi teatrin antik dhe stoan në sanktuarin e Dodonës, teatrin në Ambraki dhe teatro në një sërë qytetesh të Ilirisë së Jugut dhe Epirit, që në kohën e tij ishin pjesë e të njëjtit formacion shtetëror. Ndërtoi exnovo qytetet e Antigonesë dhe Berenikes. Dimë që, në qytetin e Ambrakisë një sërë skulpturash, pikturash dhe veprash arti që zbukuronin qytetin, ishin porositur prej tij. Në kryeqytetin botëror të atëhershëm të kulturës, në Athinë, ai gëzonte një respekt publik, për këtë i kishin ngritur një shtatore me portretin e tij.

Filed Under: Histori

Geraldina Apponyi – Zogu, Mbretëresha e shqiptarëve në shtypin e huaj të kohës (1938 – 1968)

June 27, 2025 by s p

Mbretëresha Geraldinë e Shqiptarëve lindi më 6 gusht 1915 në Budapest. Prindërit e saj ishin konti Gyula Apponyi (1873-1924) dhe Gladys Virginia Stewart (1891-1947). Ajo kishte pesë vëllezër e motra (Virginia, Gyula, Sylviane, Patricia dhe Guy).

Bukuroshja hungareze martohet me Mbretin Zog me 27 prill 1938. Më 5 prill 1939, lind djalin e tyre, Mbretin Leka Zog 1. Më 7 prill 1939, Italia fashiste pushton Shqipërinë. Si rrjedhojë, ajo detyrohet të largohet në ekzil së bashku me Familjen Mbretërore, duke kaluar dhe jetuar nëpër disa shtete si Greqia, Turqia, Rumania, Polonia, Lituania, Letonia, Suedia, Norvegjia, Danimarka, Belgjika, Franca, Anglia, Egjipti, Spanja dhe në fund në Afrikë të Jugut, deri sa u kthye përfundimisht në Shqipëri në vitin 2002.

Trëndafili i Bardhë i Hungarisë shuhet më 22 tetor 2002, në moshën 87-vjeçare, në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Geraldina, fillimisht si konteshë dhe më pas si mbretëreshë, ka tërhequr vëmendjen e shtypit të huaj brenda dhe jashtë vendit tonë. E bukur, shtatlartë, elegante, e buzëqeshur, e zgjuar, besnike, me një dashuri të pakufishme dhe të pareshtur për Shqipërinë dhe shqiptarët, ajo është shprehur gjithmonë në mënyrë mjeshtërore para gazetarëve, madje dhe në momentet më të vështira të ekzistencës së saj.

Ky libër, nëpërmjet dhjetëra shkrimeve të përmbledhura në shtypin e shkruar të kohës, ku secili mbart faqen, datën, ditën, vitin e botimit dhe emrin e gazetës apo revistës, dokumenton jetën e saj gjatë periudhës 1938 – 1968.

Aurenc Bebja

Francë

Filed Under: Opinion

BALADË KUSHTUAR  SHKENCTARES SHQIPTARE NË AUSTRI, DR. VLORA MEHMETI-TËRSHANI  

June 27, 2025 by s p

Hazir MEHMETI, Vjenë /

 Nga: “Unë jetoj”, Dr. Vlora Mehmeti – Tërshani 

Kompozitor, Naim Gjoshi:  “Një zemër që pikon”, kënduar nga Kastriot Tusha, teksti i shkruar nga  Darina Prifti, skenografia nga Blerdi Malushi. 

     Historia e këngës “Një zemër që pikon”  është interesante, e prekshme siç ishte vet jeta e personazhit të saj. Personazhi, një emër i njohur e cila tërë jetën ia kushtoi shkencës në dobi të njeriut. Kjo nuk ishte e lehtë. Një trajektore e tillë globale, Vjenë-Japoni- Islandë. Tema specifike e magjistraturës dhe doktoratës e gjeti Vlorën në Japoni. Profesori i njohur me famë botërore Prof. Dr. Yoshinori Asakawa u mahnit me rezultatet e saj. Ai i theu  rregullat e vëna për paraqitje në kongrese shkencore, duke e caktuar Vlorën akoma pa magjistrat, t’i prezanton hulumtimet e saja në kongrese botërore. Kongresi më i njohur, ishte Kongresi Botëror Shkencor i Uashingtonit në qershorin e vitit 2012, Vlora si përfaqësuese e UN të Vjenës ku marrin pjesë pesëqind shkencëtarët më eminent në glob.  
          Tani më, emri i saj u bë i njohur në rrethet shkencore në Japoni, Austri dhe aty ky Vlora paraqitej me kumtesat e saja nga hulumtimet në laboratorët më modern të kohës në Austri dhe Japoni. Me sukses mbaron  magjistraturën dhe pak vite më vonë doktoratën. E gjitha me nota të larta në gjuhën angleze.  Brenda pak viteve, Dr.Vlora Mehmeti prezantoi hulumtimet e saja në dhjetëra kongrese botërore të shkencës.      
    Derisa Vlora punonte  në Institutin Ekogjenetikë dhe Biologji Molekulare në Vjenë, vendos të krijon familje, martohet. Pas disa viteve pune  shëndeti i Vlorës rendohet shpejt. Kontrollimet e para të shoqëruara me hulumtimet laboratorike, tregojnë, se Vlora ishte e infektuar me një virus të rrallë që duhej operuar dhe rrezatuar për ta mundur. Këto rrethana Vlorën e zënë shtatzënë dhe mjekët e preferojnë se do ishte më i sigurt suksesi i rrezatimit nëse fetusi disa mujor largohet, pra duhet larguar.  Pas të gjitha konsultave, Vlora nuk e thyen mendimin e saj, se rrezatimin do ta marr tek pas lindje së fëmijës edhe pse gjasat nga suksesi i tij ishin më të vogla.  Vlora dallohej me qëndrimin e saj dhe merrte përgjegjësinë e saj, nuk pyeste askënd.  Pasi lind Besmiri, një fëmijë i shëndoshë, Vlora hynë në rrezatime të rregullta që zgjasin me javë e muaj. Virusi i  rrallë modifikohej dhe gradualisht shkakton kancer i cili e sulmon mizorisht trupin. Vlora e dinte rrezikun kontaktet me specialistët e fushës ishin të shpeshta. Ai njihte profesorët më eminent në Vjenë dhe jashtë. Në rrethin familjar nuk fliste me askënd, shpesh paraqitej sikur nuk e dinte fare.  Ajo nuk e dëshironte prishjen e lumturisë së të tjerëve. Në një moment befasisht, pa dashje ishe dëgjuar: “unë atëherë do jem në qiell”. Në bisedën e mbushur me të qeshura, dikush e pyeti se çfarë ajo tha, të tregon se nuk është kuptuar. Ajo u mbajt krejt sikur të mos kishte thënë asgjë.
      Lumturia e saj shkëlqente kur ishte me Besmirin, i fliste, qeshte dhe luante në hare.  
Punën nuk e ndërpreu deri në momentet e fundit të jetës. Doktoratën e mbrojti pa e ditur ne se ishte e sëmurë aq rëndë sa nuk do shërohej. Ajo e dinte dhe nuk e humbiste shpresën asnjë herë.  Për çdo ditë lodhej, nuk i hahej as nuk i pihej asgjë.  Në spital kaloi kohë të gjatë në rrezatime dhe terapi të veçanta, e shtrirë në shtrat e rrethuar me gypa të shumtë. Nënën e saj Nexhmijen e donte që ta shoqëronte gjithmonë kur merrte terapi rrezatuese. Ajo e dinte se po vdiste, ne nuk e dinim, nuk donim ta dinim as nuk e besonim, por sikur e ndjenim tragjiken. Një tragjikë mes lumturisë e krenarisë e cila godiste shumë të gjithë në zemër.   
          Përkundër gjendjes tepër të renduar, Vlora nuk ndalej, nuk dorëzohej. Pak kohë nën mbrojtjen e medikamenteve, dilte me Besmirin dhe bashkëshortin e saj  Mag. pharm. Bajram Tërshani. Bajrami një njeri i shkëlqyeshëm nga një familje fisnike kurrë nuk e pushoi mbështetjen për Vlorën deri në frymëmarrjen e saj të fundit. Bajrami ishte fati i jetës së Vlorës, njeri që nuk mund ta gjesh askund. Ishte fati i prindërve të Vlorës, veçan nënës së Vlorës e cila nuk mund ta mendonte jetën larg Besmirit. Vlora lente porosi për Besmirin, të filmuara,  fjali qe tregojnë për shpirtin e saj të madh, për fisnikërinë e saj prej shqiptareje trime e heroine.  Fotografitë në Sallën Solemne flasin shumë. Gjatë manifestimit solemn ku orkestra përcillte çdo hap, Vlora nga skena na përcillte ne aty ku ishim ulur në rendet e para. Kur u lirua na tha: “Pse jeni mërzitur, më duket se ju kam parë të keni qarë” 
    Ishte e vërtetë. I ati dhe e ëma nuk përmbaheshin nga lotët e gëzimit të një suksesi kaq të madh të bijës së tyre, dhe me lot brenge për shëndetin e saj të renduar, kur kujtonin se Vlora ishte fëmija më i shëndosh i tyre nga gjashtë fëmijë që kishin rritur.
Momenti i bukur ishte kur Vlora ishte caktuar nga të gjithë të doktorantët nga shumë vende, të përshëndet në emrin e tyre. Kur Vlora mori mikrofonin, Salla Solemne e UN u dridh nga duartrokitjet. Orkestra solemne lëshoi tinguj të ëmbël sa nuk harrohen kurrë. Në katër gjuhë: latinisht, anglisht, gjermanisht dhe  për herë të parë në gjuhën shqipe, falënderoi rrjedhshëm sa u duk se nuk u ndal jehona asnjëherë. 
        I shpallur përfundimi ceremonial, Dr Vlorën e gjeti në përqafimin e Bajramit e Besmirit me buçatën e luleve të praruara. Kudo që Vlora gjendej, e zbukuronte ambientin, e madhështonte rrethin e shoqërinë. Ajo ishte e vendosur dhe e pa lëkundur në mendime e qëndrime.
          Vlora kur lindi shkëlqeu si nur duke habitur të gjithë, dhe, Vlora u shkëput meteor ndriçues në përjetësi, e pa harruar në veprën e saj madhore.
Rruga e këngës   

Meteor erdhi, meteor shkoi
  Me shoqërinë e gjimnazit takoheshim shpesh gjatë verës dhe bisedonim me  mall për kohën e shkuar, për përjetimet që kishim, për shokët e arrestuar e të rrahur mizorisht, për nxënësit e çka jo tjetër. Me këtyre ngjarjeve takohej edhe rasti i Dr. Vlora Mehmeti Tërshani. Aq sa sukseset e saja kishin mrekulluar ata e ato, po aq dhembje për vdekjen e saj në kulmin e  punës dhe sukseseve të saja.  Në mesin e kolegeve e kolegëve që e patën nxënëse Vlorën në Gjimnaz ishin Prof. Bedri Tahiri dhe Prof. Shaban Krasniqi.  Bedriu shkruan poezi të fuqishme kushtuar Dr.Vlorës e cila ishte moshatare me Vlorën e tij të cilat linden në shtatëdhjetë vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Me Bedriun ishte  biseduar që herët rreth emrit për të dy apo te dyja.
        Profesor Shaban Krasniqi kishte realizuar  projekte shkollore me nxënës të dalluar, kuize, gjuhë dhe e njihte nxënësen e tij Vlorën. Ai i mërzitur shumë tregonte momente të bukur nga kuizi, ku Vlora kishte fituar me grupin e saj.  Profesor Shabani e epte gjuhën angleze, por ishte dhe këngëtar i pasionuar me shumë këngë të realizuara me të cilat u paraqit në festivale të shumta.  Në bisedë e sipër, ai propozoj që Vlora të nxirret në një këngë të bukur të kënduar nga emra të njohur. Këto fjalë i tha këngëtari i pasionuar duke e ngritur figurën e Vlorës lartë.  Aktiviteti i Prof. Shabanit dhe  shoqëria e tij me Naim Gjoshin në disa aktivitete muzikore bëri që  Shabani të informon kompozitorin e madh lidhur me rastin e Dr. Vlora Mehmeti – Tërshani. Pas disa përpjekjeve Naim Gjoshi paraqitet dhe krijon mundësi takimi për të pirë kafe dhe biseduar për rastin.  Për të mos u harruar, udhëtojmë drejt Elbasanit me Shaban Krasniqin. Sapo arritëm para Hotel Grand, në qendër të qytetit, parkuam veturën aty ku ishte rezervuar për ne. Kjo tregonte, se Naim Gjoshin e njihnin të gjithë, i madh e i vogël. Pritja ishte vëllazërore. Naimi banonte aty afër dhe erdhi pa u vonuar. Sapo u ul, porositi kafe, e nisi bisedën e tij rreth takimit tonë.  Ai tregoi në detaje angazhimin e tij, i lindur nga frymëzimi i tij që i kishte dhënë vepra dhe jeta e Vlorës. “Vajza ime, një ditë më pa se sorollatesha jo pak i shqetësuar dhe me pyeti: “Më dukën ca i shqetësuar dhe ju mundon diç? I tregova fill e pe për historinë Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani. Ajo kërceu nga vendi e mërzitur. Ah, çka rrëfyet im at!- qenka në një datëlindje me mua. Oh, sa e dhembshme! Po ti çfarë ke, je i prekur, dukesh”. Nuk munda të flas, u ngjita shkallëve shpejt e shpejt deri në studion time, u ula, hapa pianon dhe rrodhi melodia për katër pesë minuta. Isha i frymëzuar dhe i prekur shumë, e mendova sikur të kishte qenë bija ime e së njëjtës datëlindje.  Arti lind nga shpirti, nuk ka emër tjetër. Unë jam tejet i lumtur nëse kam dhënë diç nga kompozimi im, por mendoj se është një baladë e shkëlqyer. Tekstin e ka shkruar Darina Çoku Prifti, një  e njohur e imja, profesoreshë e cila banon afër meje në përshtatje me mua dhe është një tekst i fuqishëm. Këtë baladë nuk mund ta këndon çdo kush ashtu siç e mendoj dhe dua unë. Andaj, keni vepruar mirë pranuat sugjerimin tim që këtë baladë ta këndon Kastriot Tusha. Ju krijuat mundësinë për këtë dhe jam shumë i lumtur. Pas falënderimit tonë, kompozitori u duk i qetë dhe i gëzuar. Biseda vazhdoi deri vonë kur errësira shpohej nga dritat e fuqishme të reflektorëve.                                                    
    I preferuari ynë që baladës “Një zemër që pikon” t’i jep jetë me zërin e tij magjik ishte tenori Kastriot Tusha. Kastrioti e përqafoj me shumë dëshirë kopozimin me tekstin e bukur dhe të fuqishëm. Takimet tona në Tiranë mbeten të pa harruara, mbi të gjitha bujaria e tij, modestia e tij. Ai, si profesionalist, e pasuroj këngën fuqishëm me pjesë recitali dhe u përfundua në studion time, -tha kompozitori. 
Naimi na ftoj në studion e tij që ta dëgjojmë këngën e realizuar. Shkallët na sollën në katin e dytë ku dallohej veshja izoluese e kërkuar nga natyra e punës. U ulem, ishim shumë kureshtar ta dëgjonim këngë, tekstin e së cilës e dinim. Naimi aktivizoi instrumentet ashtu siç ai di dhe kënga filloi.  Kënga rridhte fuqishëm, ne të emocionuar në vaj e lot u ngritëm në këmbë të përqafuar nga mallëngjimi i melodisë dhe zërit i cili gravonte Vlorën me zërin magjik të tenorit të madhe. Lotët e derdhur në përqafim me Naim Gjoshin dhe Shaban Krasniqin nuk do i harroi kurrë. Sa e ndjeva vetën krenar e të lumtur që vepra e Vlorës na kishte bashkuar me aq emocione, me aq frymëzim sa njeriu gjunjëzohet para fuqisë artistike.  Nuk vonoi dhe dera u hap nga zonja e shtëpisë me tri gota të mbushura me lëngë natyral shege.  Ajo nuk e kishte idenë që ne kishim qarë dhe kishim nevojë për pije. Atë freski, aq të shijshme me lëng shege në ato momente aq të nevojshëm nuk do ta harroj kurrë. Bujaria shqiptare jeton, ajo e pasuron lumturinë e jetës shqiptare brezave. 
Skenografia, klipi i këngës
  Në rrethana pandemike, aktivitet ishin të kufizuara, kështu u deshtë të kaloj më shumë se një vit që të krijohen kushtet për skenografi (klip)  Pas sugjerimeve të shumta të atyre që kishin lidhje me regjisor e aktor që dinin ta punonin pamjet gjatë këndimit, kontaktuam disa prej tyre, në Tiranë njërin prej tyre dhe në Prishtinë disa.  Prapë i pa ndarë me ndihmën e tij Shaban Krasniqi. Dhe, tani më bie ndër mend vendosmërinë e tij deri në përfundimin e plotë të këngës. Nga buron gjithë ajo dashuri, sa koha e harxhuar e tij, kur dihet se koha e tij ka vlerë që nuk matet. Me angazhimin e tij kontaktuam pas disa javësh Blerdi Malushin i cili kishte firmën e tij për bërje të skenave profesionale e quajtur Maximus.  Pas disa takimeve dhe pas mbledhjeve të materialeve u realizua me mjeshtri skena (klipi ) i këngës në studion e TV-21 e drejtuar nga moderatori e këngëtari i njohur Naim Abazi. Pikërisht atë ditë u bë promovimi i këngës “Një zemër që pikon” në emisionin shumë të shikuar ODEON. 
      Falënderim për të gjithë ata që u përpoqën që kënga të realizohet: Shaban Krasniqin, orientuesi dhe këshilluesi profesionist, Naim Gjoshi, kompozitor; Kastriot Tusha, tenor; Darina Çoku Prifti, autore e tekstit dhe Blerdi Malushi, skenografia. Pa harruar këtu të madhin Naim Abazi me zgjuratësinë e tij dhe respektin që tregoi për figurën e shkencëtares Dr.Vlora Mehmeti-Tërshani.     Vlora e stolisur në tinguj.
        

Një takim i frytshëm dhe i pa harruar në rrugën artistike të gdhendjes së figurave me vlera njerëzore e kombëtare siç ishte Dr.Vlora Mehmeti-Tërshani 

 Kastriot Tusha, “Një zemër që pikon” 

       Faleminderit i Madhi Naim Gjoshi për çdo notë partiture të renditur me frymëzim vëllazëror. Ky frymëzim i treguar me nota, ndanë dhembjen me ne. Këto nota dhe ky tekst i shkruar nga Profesoresha, Darina Prifti. Falënderim për tenorin tonë të Madh, Kastriot Tusha i cili me aq emocion e dashuri këndon. Të gjithë aktorët e këngës me lot e shpirt plot dhembje treguan respektin dhe dashurinë ndaj veprës madhore të Dr. Vlora Mehmeti – Tërshani. Ajo ishte e veçantë me sukseset e saja kulmore në hulumtimet e saja shekencore që i dha dimension të ri afirmimit të shqiptarit në shkencat farmaceutike e mikrobiologjike në Austri, Japoni, Islandë… hulumtoi me vullnet e quajtën “luaneshë e shkencës që takohet rrallë”. Respekt!

 Darina Çoku Prifti        

         Një zemër që pikon 

    (kushtuar Dr. Vlora Mehmeti – Tërshani 

Pyet Drenica ku është Vlora, 

Dardania po e kërkon, 

Nga loti shkrihet bora 

Nënëlokja  e vajton.
 

Eh, sa shumë ia ngriti emrin 

Tanë Kosovës e shqiptarisë 

Në qiell e zuri vendin 

Në shkëlqim të përjetësisë. 

Dhe qanë ngadalë një zemër që pikon 

Një ankth e mall që përvëlon. 

         Ku je o dritë, O Vlora ti ku je! 

Me engjëj kuvendon atje mbi re!

Dhembja e nënës qanë dhe gurin, 

Malli i babës, ah sa vret! 

Në gjunjë e ul dhe flamurin 

Dhe fëmija ty të pret.

Krenari që kurrë s’venitesh 

Në çdo brez je monument 

Se, mençurinë e dijen 

Ti e le si testament.

        Dhe qanë ngadalë një zemër që pikon 

Një ankth e mall që përvëlon. 

    Ku je o dritë, o Vlora ti ku je? 

Me engjëj kuvendon atje mbi re 

 “Vlora,

 Ty jo vetëm Dardania, por dhe 

Vjena e mbarë bota ta provuan mençurinë  

O, bijë e shqipes krenare” 

         Ku je o dritë, O Vlora ti ku je 

Me engjëj kuvendon atje mbi re. 

         Në Odeon, në sheshin e mirë e fjalës së bukur ku defilojnë emra nga më të njohurit, gjigantët që në kurrizin e tyre bartin vërtetë piramida krijimtarie të cilat ne na sjellin përvoja nga më interesante në mënyrë që në jetën tonë ta kemi më lehtë për të lëvizur, për të ecur drejt caqeve që synojmë në jetë. Një i tillë është sot me ne dhe kemi fatin e mirë dhe të rrallë i cili vjen me një sebep në spektaklin tuaj Odeon.

Të falënderoj shumë Naim!
U bë kohë pa pasur ftesa dhe nuk kam ardhur një kohë të gjatë këtu, të paktën jo për të kënduar, por për të dhënë një eksperiencë tonën që nga koha kur ishte i madhi Agim Zatriqi, drejtori i Radio Televizionit të Kosovës.  Kështu që unë ju falënderoj për këtë ftesë.                               

      Ne, të falënderojmë edhe për sebepin (shkakun) e madh që na erdhe në këtë emision, në këtë spektakël tonin, duke e treguar Kastriotin e madh që gravon diçka të bukur për jetën e njeriut, se çfarë vendimi duhet të marr në një moment të caktuar të madh të jetës një njeri dhe na erdhe. 
      Të dashur telespektator sapo dëgjuam një këngë të jashtëzakonshme të realizuar prej mjeshtrit në sheshin e fjalës së mirë siç është Odeon. Kështu Odeoni ishte shesh i fjalës së bukur në Pellazgjinë e Ilirinë e vjetër. Kështu i vuri bazat teatri i lashtë dhe në qytet e mëdha nëpër botë është Odeoni.   Është një këngë Kastriot, a mund të na tregoni, kushtuar?
  Po, i dashur Naim. Kënga të cilën sapo e dëgjuam është një këngë kushtuar një personaliteti, akademike, Doktor Vlora Mehmeti-Tërshani e cila ka ndërruar jetë shumë e re. Familja, sidomos i ati, i kishte një marrëdhënie të mrekullueshme me të madhin Naim Gjoshi, kompozitor, dhe vijnë e takohemi në Tiranë për një kafe, më tregon për jetën e vajzës. Vlora vërtetë është një personalitet, një akademike, një shkencëtare e madhe me të cilën nuk krenohet vetëm familja, por e gjithë shqiptaria. Ajo ka mbrojtur në Vjenë, në një nga Institutet më me emër, ka mbrojtur titull me profesor nga Japonia, profesor me titull e emër botëror ( Prof. Dr. Takoshima Asakawa, -poltësimi ynë) dhe siç e pamë nga realizimi i shkëlqyer me aq mjeshtëri nga Blearti, Dhe, unë e përjetova afër, u ndjeva mirë që të jap dhe unë një emocion sikur të isha pjesëtar i familjes, nga se kemi nevojë për këto personalitete.  Kështu që i dashur Naim, u desh oxhaku i juaj që ne ta promovonim këtë këngë. 
  Të lutem!
Sa e bukur është kur të mëdhenjtë që e kanë për detyrë të shtyjnë jetën e njeriut, me e zbërthye jetën e njeriut, kryejnë detyrat e tyre, ashtu sikur Vlora Mehmeti, shkencëtarja e cila mbetet heroinë edhe për shkencën, për dijen dhe për ne që e kemi, se do ta kemi gjithmonë, vepra e saj e mban në mesin tonë gjithmonë. Nuk ka nevojë të kërkojmë kurrfarë modestie në këtë rast kur ju jeni veç gjiganti i skenës, i zërit të bukur dhe kur kjo gravohet (gdhendet) si një përmendore e përjetshme në art.
      Keni të drejtë Naim, ka vlera sepse do jetë shembull për brezin e ri, për shkencëtarët e ri, për këtë brez të mrekullueshëm. Është  mirë dhe me vlerë që t’i rikujtojmë. Sot u ndjeva shumë i emocionuar në shumë aspekte. Sot e pash lotin e nënës së Vlorës, pash lotin e motrave, lotin e mbesës, lotin e vëllait, andaj e shkëputem xhirimin nga se as unë nuk isha vetvetja. Është këngë me shumë emocion dhe do pëlqehet dhe do jetë një emocion për të gjithë ata që do ta dëgjojnë dhe shumë e shumë më i madh për ata që e kanë njohur veprimtarinë e Vlorës.
      Vlora në këngë, Vlora në auditorë, Vlora në shkencë, Vora në zemra, Vlora meteor që ndritë gjithmonë.    

Filed Under: Emigracion

Kosova, rreziku i një Parlamenti të pezulluar

June 26, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi

Në një kohë kur bota gjendet në një situatë gjeopolitike të tensionuar, me konflikte që shpërthejnë në Lindjen e Mesme e me pasigurinë e një lufte të gjatë në Ukrainë, Kosova ndodhet në një bllokadë institucionale të rrezikshme. Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituar, ndërsa elitat politike duket se janë më të përkushtuara për pazare pushteti sesa për fatin e vendit. Pezullimi i këtij institucioni themelor nuk është thjesht një çështje e brendshme politike, por një rrezik real për sovranitetin dhe sigurinë e shtetit.

Ky vakum institucional nxjerr në pah një problem të thellë: mungesën e përgjegjësisë kombëtare dhe strategjisë afatgjatë nga liderët politikë të Kosovës. Në vend që të ndërtojnë struktura të forta shtetërore dhe të zhvillojnë kapacitete diplomatike e ushtarake për t’u përballur me sfidat rajonale, shumë prej tyre shfaqen si oportunistë të pushtetit. Në këtë lojë, humbës është vetë shteti i Kosovës.

Në dallim nga Serbia, e cila ndonëse bart histori të rënda kriminale, vepron me një diplomaci të organizuar dhe agresive, Kosova është ende në proces ndërtimi institucional. Por në vend që kjo të shërbejë si motiv për angazhim dhe mobilizim kombëtar, duket se po shërben si justifikim për apati dhe papërgjegjshmëri. Mungesa e një strategjie të koordinuar me Shqipërinë – shtetin amë që duhej të ishte shtylla diplomatike dhe mbështetëse e saj – e bën Kosovën iu edhe më të pambrojtur ndaj ambicieve hegjemoniste të Serbisë dhe aleatëve të saj.

Kryeministri shqiptar Edi Rama shpesh perceptohet si një figurë e afërt me Beogradin zyrtar, gjë që ka krijuar ndjenja zhgënjimi dhe mosbesimi në Kosovë. Në vend që të qëndrojë krah politikave të Kosovës për konsolidimin e sovranitetit, shpesh është parë si nismëtar i qëndrimeve që dëmtojnë unitetin kombëtar. Kjo përçarje mes Tiranës dhe Prishtinës, në një kohë kur Serbia po mobilizohet në çdo plan për të minuar pavarësinë e Kosovës, është alarmante.

Pikërisht në këtë kontekst, duhet vlerësuar roli i kryeministrit Albin Kurti, i cili – pavarësisht kritikave të brendshme – ka arritur që për herë të parë pas dy dekadash të vendosë sovranitetin e Kosovës në veri të vendit. Kjo përbën një arritje historike, e cila duhej të mbështetej pa mëdyshje nga të gjitha instancat politike brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës. Por përkundrazi, përballja me mungesën e përkrahjes së Tiranës dhe presionet ndërkombëtare e ka vështirësuar më tej këtë betejë të drejtë.

Ndërkohë, situata ndërkombëtare është e mbingarkuar me tensione të tjera. Konflikti Rusi-Ukrainë, konfrontimi SHBA-Iran dhe rritja e tensioneve në Detin e Kinës Jugore e kanë zbritur çështjen e Kosovës në fund të listës së prioriteteve të fuqive të mëdha. Presidenti amerikan Donald Trump – nëse rikthehet në pushtet – pritet të fokusohet tek sfidat me Kinën, tregtinë globale dhe konflikte më të mëdha, ndërsa Kosova mund të mbetet në hije.

Kjo situatë është ideale për Serbinë, e cila ndjek një strategji të qartë të “pritjes së momentit të duhur”. Vuçiq e ka thënë qartë: nëse gjeopolitika i krijon rastin, Serbia nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime të ashpra, qoftë ushtarake apo politike, për të rikthyer kontrollin mbi Kosovën. Kjo mund të ndodhë përmes ndërhyrjes së drejtpërdrejtë, përmes ndarjes territoriale, apo së paku përmes imponimit të Asociacionit të komunave serbe – një projekt që rrezikon të kthehet në një “Republika Sërpska” të re.

Në këtë kontekst, pezullimi i Kuvendit të Kosovës nuk është më vetëm një problem procedural. Ai është një paralajmërim se sistemi politik po dështon ta përmbushë rolin e vet në mbrojtjen e sovranitetit dhe interesit kombëtar. Nëse institucionet nuk funksionojnë, nëse nuk ka një qëndrim të unifikuar të elitës politike, atëherë Kosova rrezikon të bëhet një vend që të tjerët e modelojnë sipas interesave të veta.

Rruga përpara është e qartë, edhe pse e vështirë. Duhet ringritje morale dhe politike. Duhet koordinim i thelluar me Shqipërinë dhe një platformë e përbashkët shqiptare në politikën ndërkombëtare. Duhet diplomaci aktive, por edhe përgatitje ushtarake dhe institucionale për çdo skenar. Mbi të gjitha, duhet lidership që nuk e sheh pushtetin si qëllim, por si mjet për të mbrojtur vendin.  “Demokracia në Kosovë nuk matet vetëm me zgjedhje të lira, por me një parlament që funksionon, që mban qeverinë përgjegjëse dhe që nuk kthehet në strehë pazareve politike.”

“Një parlament joaktiv bëhet një boshllëk i rrezikshëm, i mbushur ose nga burokracia ose nga autokrati.”  Ka pas shkruar një nga baballarët e Amerikës, Thomas Paine 

Kosova është një ëndërr e fituar me gjak dhe sakrificë. Ajo nuk duhet dhe nuk mund të dorëzohet – as për interesa personale, as për pazare të brendshme, as për iluzione diplomatike. 

Kur parlamenti hesht, flet rreziku. Dhe ky rrezik është real.

Filed Under: Rajon

NË NJU JORK DO NDEROHET HEROI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE ISA BOLETINI

June 26, 2025 by s p

“Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipnia”

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

AI-generated content may be incorrect. Ditët e fundit në rrjetët shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork po flitet për njoftimin se një rrugë në Staten Island të Nju Jorkut do të mbartë emrin e njërit prej heronjve më të shquar të Kombit Shqiptar, Isa Boletinit nga Dardania.

Njoftohet se ceremonia e emërtimit të kësaj rruge me emrin e flamurtarit të Dardanisë e të mbarë Shqiptarisë, do të zhvillohet me 7 shtator, 2025 — aty afër rrugës që tanimë mban emërin e bashkombasit dhe bashkpuntorit të Boletinit — Ismail Qemalit në zonën e Staten Island të Nju Jorkut. Ajo zonë është një rreth ku jetojnë shumë shqiptarë nga të gjitha trojet iliro-arbërore, të ardhur atje sidomos gjatë tre dekadave të fundit. Dy rrugë të Amerikës me dy emra kryesorë protagonistësh të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, afër njëra tjetrës në një zonë të Nju Jorkut, simbole të bashkimit dhe krenarisë kombëtare të shqiptarëve të Amerikës, por jo vetëm. 

Emërtimi i rrugës “Isa Boletini” është në radhën e disa emërtimeve të rrugëve të Nju Jorkut dhe Amerikës, gjatë viteve të fundit këtu në Nju Jork. Ia vlen të përmenden rrugët: “Ismail Qemali”, “Nënë Tereza”, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “Fan Noli” — kushtuar, pra, disa prej figurave më të shquara të historisë së shqiptarëve. Atje ku janë përqendruar shumë shqiptarë dhe komunitete të konsiderueshme shqiptaro-amerikanësh – qendra banimi dhe veprimtarish shoqërore dhe ekonomiko-kulturore të shqiptarëve në këtë vend.  Duhet thenë se këto emërtime në kujtim të figurave të mëdha të historisë së Kombit nuk ndodhin vet-vetiu, por janë përfundim i veprimtarisë politike dhe ekonomike të komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe falë angazhimit të tyre në jetën politike vendase, aty ku jetojnë. 

Me këtë rast, nder dhe falënderim shqiptaro-amerikanëve të Staten Island, të përfaqësuar në “Shoqatën Shqiptaro-Amerikane – Staten Island”, për këtë nismë të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan në përgjithsi. Sepse si rezultat i kësaj vepre, emri i Isa Boletinit do të njihet pak më mirë ndër brezat e ardhëshëm të shqiptaro-amerikanëve, por do të nxis gjithashtu edhe kuriozitet edhe në radhët e amerikanëve të asaj zone se kush është ky emër që mbartë ajo rrugë. 

Si përfundim i emërtimit të kësaj rruge në zonën administrative Staten Island, shqiptaro-amerikanët por edhe të tjerët do të njihen me jetën dhe veprimtarinë e Isa Boletinit, njërit prej figurave më të dalluara të Shqiptarëve në shekullin e kaluar. Një atdhetari i cili zë një vend nderi në vargun e fatosave më të lavdishëm të Kombit shqiptar e që gjithashtu – hiç më pak — edhe ata meritojnë nderimin dhe admirimin tonë, kudo që jemi. E kam fjalën për ata, ndër më të mëdhejtë e Kombit, si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Ded Gjon Luli, Ai Pashë Gucia, Haxhi Zeka, e shumë të tjerë. “Emëna që kumbojnë si tinguj burish epike në vesh të gjithë Shqiptarve. Zëmra galdon në lexim të veprimtarisë së tyne që na enthuziazmoi në moshë të ré kur Shqipnija kishte nji veshtrim të vetëm për të gjithë dhe jo aqë veshtrime sa janë trillimet e kaptinave të ndryshme shqiptare”, është shprehur me një rast Ernest Koliqi, në një shkrim për Isa Boletinin.

Pritet që edhe ky rast i emërtimit të rrugës, “Isa Boletini” në Staten Island në shtator, të jetë një moment me për komunitetin shqiptaro-amerikan, një celebrim tjetër i lirisë dhe demokracisë që gëzojmë në këtë vend – në Amerikën tonë të dashur — që na mundëson lirinë dhe të drejtën për të nderuar dhe respektuar heronjët e historisë kombëtare dhe komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, figura të dalluara, siç është Isa Boletini. 

Frank Shkreli

Asije Hoxha: Udhëtimi i Ismail Qemalit për njohjen e shtetit shqiptar ...

Isa Boletini duke puthur Flamurin – krah për krah me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin

               “Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipnia!” Isa Boletini

No alternative text description for this image

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT