• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2025

Shqipërisë i duhet më shumë shpata e Napoleonit… apo shpirti i lirë i Rusoit?

July 22, 2025 by s p

Artan Nati/

Bisedat për Shqipërinë moderne janë bërë si një melodi që dëgjohet gjithkund, në rrugicat e qytetit e në tryezat e diasporës, në shoqata patriotike e kafene lagjesh. Shqiptarët kudo flasin për hallet e vendit, për plagët dhe shpresat, për ëndrrat dhe zhgënjimet. Të gjithë biem dakord për krizën, por rrugëtdaljet janë nga më të ndryshmet. Disa kërkojnë shpëtimin te një “dorë e fortë”, një lider i hekurt, një Napoleon modern që të vendosë rregull me grusht. Ka edhe nga ata që me krenari kujtojnë “prejardhjen shqiptare” të Bonapartit, sikur gjaku të ishte zgjidhja e problemeve. Të tjerë, më realistë, tundin kokën me pesimizëm dhe thonë: “Në këtë vend, të gjithë politikanët janë të korruptuar”. Një mik imi, një mendimtar i nderuar, e sheh burimin e të gjitha të këqijave te mbijetesa e ish-komunistëve dhe manipulimi i ish sigurimsave. Sipas tij, populli s’kishte tjetër rrugë veçse të zgjidhte “të keqen më të vogël”. Një tjetër mik, intelektual elitar ushtarak dhe i arsimuar në perëndim, këmbëngul se gjithçka nis dhe mbaron me kulturën e ligjit. Ndoshta edukimi i tij ushtarak e bën të besojë te transformimi i shpirtit njerëzor bëhet përmes disiplinës dhe rendit, njësoj siç Napoleoni dikur shkundte themelet e Francës dhe gjithë Europës me forcë e zjarr, duke shembur feudalizmin dhe mentalitetin mesjetar.

Por dilema mbetet thelbësore, jo vetëm për Francën e dikurshme, por për Shqipërinë e sotme. A do të kishte qenë i mundur Napoleoni pa Jean-Jacques Rousseau-n? A mund të ngrihet një komb me urdhërat e komandantëve pa kontratën sociale të filozofëve? Pse shqiptarët bredhin nëpër histori me shumë Napoleonë, por rrallë me ndonjë Rousseau në krah? Nëse Shqipëria ka dështuar, a është sepse kemi patur liderë të fortë por pa vizion, pushtetarë pa filozofi, komandantë pa mendimtarë? Apo sepse kemi qenë të mallkuar me politikanë me vizion të errësuar nga egoja për pushtet? Ky është pikërisht qëllimi i këtij shkrimi: Ndoshta mund të kuptojmë nëse fati ynë i keq qëndron te mungesa e Napoleonëve të ndershëm, apo te mungesa e Rousseau-ve që ndriçojnë rrugën e shoqërisë drejt lirisë së vërtetë.

Napoleoni simbolizon forcën e reformës me shpatë, një sistem që funksionon, që vendos rregulla dhe ku ligji triumfon mbi kaosin. Ai është tundimi i shpejtësisë dhe zbatimi i rendit me çdo kusht. Por Rousseau flet me një zë tjetër, më të thellë, duke këmbëngulur se liria është themeli i çdo shoqërie të drejtë, se një shtet që nuk buron nga vullneti i përgjithshëm është vetëm një farsë me shkëlqim të rremë. Rousseau na kujton se pa edukim qytetar, pa respekt për individin dhe pa ndershmëri morale, çdo reformë përfundon në një kurth të ri autoritar. Në këtë udhëtim, ndoshta Shqipërisë i duhen të dyja: fuqia për të ndërtuar institucione dhe zgjuarsia për t’i bërë ato në shërbim të qytetarit. Pa idenë e qytetarit sovran, çdo shtet modern është një kështjellë prej rere. Dhe pa forcën për t’i zbatuar ligjet, çdo demokraci kthehet në anarki. Kush ishte fryma pas shpates së Skënderbeut? Në hijen e betejave dhe lavdisë, qëndronte figura e një prifti, Dom Pal Engjëlli, këshilltar, mik dhe udhërrëfyes shpirtëror. Ai ishte zëri që i kujtonte Heroit të Arbërit se liria fitohet me shpate, por ruhet me shpirt. Marin Barleti do të shkruante për të:”…burrë i pajisur me mendje shumë të lartë dhe me zotësi shumë të rrallë në të folur, me dituri si askush dhe i vaditur me lartësinë e shenjtë dhe humane, si greke, si latine, sidomos i shquar për rreptësi në jetë dhe në zakone, i flaktë për fenë e krishterë, burrë që Skënderbeu e mbante mbi krye për maturinë, kulturën dhe pastërtinë e jetës që e respektonte dhe e dëgjonte si ndonjë orakull gjithë epirotët.

Një krahasim i natyrshëm për “Rousseau-n” e Rilindjes Kombëtare Shqiptare do të ishte Sami Frashëri. Ashtu si Rousseau në Europë, Samiu përpiqej të zgjonte ndjenjën e sovranitetit popullor dhe identitetit kombëtar në një shoqëri të shtypur. Me veprën e tij vizionare “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, ai formuloi një kontratë morale për shqiptarët: çlirimin përmes arsimit, përparimit dhe vetëdijes kombëtare. Në thelb të filozofisë së tij ishte ideja se liria dhe kombi ndërtohen nga brenda, nga ndërgjegjësimi dhe emancipimi i popullit, ashtu si Rousseau thoshte për “volonté générale”, vullneti i përgjithshëm. Pra, në shpirt dhe vizion, Sami Frashëri është më afër rolit të “Rousseau-së” për shqiptarët. Ai nuk ishte vetëm patriot, por një filozof i ringjalljes kombëtare.

Fan Noli shpesh shihet si figura që pasoi frymën e Rilindjes, duke u përpjekur të krijonte një republikë demokratike, ku populli të ishte sovran. Noli bashkoi dimensionin filozofik, politik dhe moral me kërkesën për drejtësi sociale dhe kulturë kombëtare. Përse Noli? Si Rousseau, Noli ishte intelektual i gjithanshëm: filozof, përkthyes, politikan, poet. Ai solli një “ndriçim” në botën shqiptare me modernizimin e gjuhës, përkthimin e klasikëve, dhe me një ndjeshmëri për drejtësinë sociale. Ashtu si Rousseau që kritikonte korrupsionin dhe pabarazinë në Francë, Noli kritikonte prapambetjen, feudokracinë dhe despotizmin në Shqipëri, por gjithmonë me një ideal të thellë për liri, ndriçim dhe moral publik. Faik Konica dhe Fan Noli kanë pasur nuanca “rousseau-iane”: kritikë ndaj mentalitetit primitiv dhe klerikalizmit, promovues të ndriçimit dhe emancipimit. Faik Konica, mjeshtri i ironisë ndriçuese, që përplasi fjalën mbi errësirën e mendjes shqiptare. Ata nuk ngritën thjesht flamurin, por zgjuan ndërgjegjen.

Gjithmonë kemi pasur nevojë për një të keqe të madhe që kërcënonte egzistencën tonë, një forcë të errët kundër së cilës të luftojmë, por a është paranoja jonë vërtet e justifikuar apo jemi thjesht të varur nga adrenalina e katastrofës së afërt? Duket sikur shpesh ne harrojmë se armiku më i madh i joni ështe vetvetja. Është mënyra se si ne veprojmë, se kur ndihemi të pakërcënuar nga jashtë, ne braktisim mendimin Ruso-ian dhe veprojmë si diktatorë, autoritarë dhe e gjejmë armikun, jo te vetja, por te kundështari ynë politik. Ne harrojmë se ne jemi të kundërt në mendime, por të njëjtë në qëllime ndaj atdheut dhe popullit. Ahmet Zogu mund të shihet si figura më e afërt me “Napoleonin”, pasi ai mori pushtetin me forcë, ndërtoi një mbretëri dhe synoi modernizim, megjithëse me shumë kufizime dhe nën ndikimin e Italisë. E meta e madhe ishte mungesa e mendimit filozfik, ndërkohë që Noli dhe Konica ishin Rusoi i vërtetë që kërkonte modernizimi i vendit.

Në historinë e botës, çdo Napoleoni i takon një Rousseau, çdo gjenerali i takon një filozof, çdo udhëheqësi një ideolog… përveç në Shqipëri. Në vitet 90, ndërkohë që Europa kishte Karl Popper-in dhe Habermasin, ne kishim kasetat me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Rousseau shqiptar nuk shkroi kurrë “Kontratën Sociale”, përkundrazi, shoqëria shqiptare nënshkroi kontratën verbale: “Unë do flas, ju do duartrokisni!” Në Shqipëri, historia mori rrugë të shkurtër: fillimisht lideri, pastaj premtimi, së pari pushteti, pastaj arsyeja pse e meriton pushtetin. Nëse Edi Rama mund të shihet si “Napoleoni” i Shqipërisë, një lider autoritar me ambicie të mëdha për të “modernizuar” vendin duke e personalizuar pushtetin, atëherë pyetja për “Rousseau-në” e tij është shumë interesante. Në rastin shqiptar, “Rousseau”-i i Ramës nuk ekziston si figurë klasike. Rama ka përdorur më shumë elementë të stilit spektakolar artistik, estetik urban dhe teknokratik, sesa ndonjë filozofi morale qytetare në kuptimin klasik. Ai nuk ka pasur një “filozof të oborrit” që të artikulojë një doktrinë morale të pushtetit.

A është Kadare si “Rousseau i Shqipërisë?

Kadare e ka konceptuar shpesh rolin e tij si ndërgjegje morale e kombit. Ai ka denoncuar despotizmin, ka eksploruar mitet shqiptare dhe ka kritikuar format primitive të politikës. Por Rousseau nuk ishte vetëm shkrimtar dhe filozof, ai ishte revolucionar teorik, ideolog i barazisë dhe kontratës sociale. Kadare ka qenë më shumë analist i shpirtit kombëtar, sesa reformator politik. Nëse Rousseau kishte një mesazh për revolucion demokratik, Kadare ka shpesh një mesazh për “zhgënjimin e pashmangshëm” të shqiptarëve me vetveten. Ai është më shumë një Volter, se sa një Rousseau.

Shqipëria jeton nën maskë. Demokracia është kthyer në skenografi, sovraniteti në një karikaturë pa jetë. Qytetari nuk zgjedh më, por përkulet para pushtetit të kastës që riciklon veten pas perdeve të votës. Partitë janë kthyer në biznese familjare, shoqëria në peng të një pakice të pangopur. Por fryma e Perëndimit troket, qytetari duhet të zgjohet, të rikthehet si forcë krijuese, si zot i fatit të vet. Demokracia nuk është thjesht kuti votimi, por jetë aktive, referendum, vetëqeverisje, forume, kontroll publik. Vetëm kështu rifitohet dinjiteti.Referendume të shpeshta dhe me fuqi vendimmarrëse. Vetëqeverisje lokale reale, jo fasadë. Forume qytetare ku ligjet diskutohen nga poshtë-lart. Transparencë totale mbi çdo vendim publik. Ekonomia është grabitur, pasuria publike plaçkitur. Autonomia fillon me kontroll qytetar mbi burimet, mbi të ardhmen. Koha për servilizëm ka mbaruar. Vjen koha e qytetarit që pyet, që sfidon, që nuk shet veten. Një brez i ri duhet të lindë: të lirë, të vetëdijshëm, të pa-nënshtruar. Shpresa lind prej tyre. Shqipëria nuk shpëtohet nga liderët, por nga qytetarët që guxojnë të ngrihen. Shqipëri e qytetarëve, jo e klaneve.

Nëse një vend nuk ka një Ruso, si mund ta shpikë atë? Ku ta kërkojë në kohët moderne, kur zërat mbyten nga propaganda dhe ndërgjegjja shitet për pak pushtet? Një komb pa Ruso është një trup pa shpirt, një shoqëri që endet në mjegull, pa busull, pa zë që t’i kujtojë të drejtën për të qenë qytetar dhe jo skllav. Një komb që s’e ka një Ruso, duhet ta krijojë, jo duke kopjuar idhuj, por duke ndërtuar zërin e vet, që sfidon pushtetin dhe ngjall ndërgjegjen. Sepse aty ku nuk ka një filozof të popullit, duhet të lindë një brez që filozofon dhe nuk serviloset. Shqipëria e ka pasur “Ruson” e saj: tek Sami Frashëri, që zgjonte ndërgjegjen kombëtare; tek Fan Noli, që fliste gjuhën e drejtësisë dhe emancipimit; tek Faik Konica, që thumbonte prapambetjen me mendje të hollë; tek Ismail Kadare dhe tek çdo intelektual të ndershëm që sfidon heshtjen dhe konformizmin. Por ne nuk duhet ta kërkojmë këtë “Ruso” vetëm kur kombi kërcënohet. E vërteta na duhet edhe në kohë paqeje, kur jeta politike nuk duhet të jetë fushëbetejë urrejtjeje, por hapësirë bashkëpunimi. Politika nuk duhet të prodhojë armiq, por bashkëpunëtorë, qytetari nuk duhet të shohë tek tjetri një kundërshtar, por një aleat për të ardhmen.

Filed Under: Ekonomi

Ismail Qemal Vlora në librin e Henry Munro-Butler-Johnstone

July 22, 2025 by s p

Në një artikull të botuar 150 vite më parë në Londër, më 23 korrik 1875, në Pall Mall Budget, si dhe në librin e tij “The Eastern Question”, autori dhe politikani britanik i Partisë Konservatore Henry Munro-Butler-Johnstone, paraqet një analizë të thellë dhe mjaft të qartë për situatën politike në Perandorinë Osmane. Ajo që e bën këtë libër veçanërisht të rëndësishëm për historinë tonë, është mënyra sesi ai flet për Ismail Qemal Bej Vlorën, njeriun që më vonë do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Johnstone e përmend Ismail Qemalin si një nga shtetarët më të ndershëm dhe më efikas që kishte parë Lindja, përkrah figurave të njohura si Mid’hat Pasha dhe Ahmet Vefik Efendi (të dy shërbyen për pak kohë si kryeministra). Fjalët e politikanit britanik marrin kuptim akoma sot: “…Dhe është një shenjë shprese për Turqinë fakti që të tre këta burra janë ende gjallë dhe në kulmin e aftësive të tyre mendore. Turqisë nuk i mungojnë burrat e zotë dhe të ndershëm; ajo që i mungon është vullneti i qeverisë për t’i vënë ata në shërbim të vendit…”

Në pak kohë, si guvernator në Tulça (Tulcea, një provincë osmane në Rumaninë e sotme), Ismail Qemali, vetëm 31 vjeç, kishte arritur të sillte mirëqenie dhe të rriste ndjeshëm të ardhurat përmes një administrimi të drejtë dhe transparent. Kjo është një dëshmi historike e jashtëzakonshme për aftësitë shtetformuese të tij, shumë kohë përpara se ai të bëhej lideri i lëvizjes kombëtare shqiptare.

Shkrimi gjithashtu hedh dritë mbi një realitet që shpesh neglizhohet nga historiografia. Problemet në Lindje nuk vinin nga popujt apo nga sistemi në vetvete, por nga korrupsioni dhe paaftësia e administratës qendrore. Këtu merr kuptim thënia, “peshku qelbet nga koka”. Kjo vlen ende si një mësim politik për realitetin e sotëm.

I rëndësishëm është edhe vlerësimi që autori britanik i bën vetë shoqërisë osmane, të bashkuar në ndjenja dhe interesa, por të sabotuar nga një elitë shtetërore që përfaqësonte vetëm vetveten. Në këtë kontekst, figura si Ismail Qemal Vlora shfaqen si përjashtime shpresëdhënëse, të cilat tregojnë se me udhëheqës të drejtë, përparimi ishte i mundur.

Sot, kur hedhim sytë pas në kohë, këto shkrime na shërbejnë si një dëshmi e hershme ndërkombëtare për vizionin, karakterin, integritetin dhe aftësitë e Ismail Qemal Vlorës. Shumë kohë përpara se Shqipëria të bëhej shtet, ai ishte një burrë shteti i njohur dhe i respektuar, përtej kufijve të Perandorisë Osmane.

Për historinë dhe identitetin shqiptar, këto dëshmi janë gurë të çmuar që meritojnë të njihen dhe të promovohen më gjerësisht. Ato na kujtojnë se lidershipi me integritet ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë çelësi i ndryshimit.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Politike

TËRMETI I 1963-s NË SHKUP, NGA RRËNOJAT RILINDI KUJTESA

July 22, 2025 by s p

Eliminimi i objekteve shpirtërore shqiptare nuk ishte i rastësishëm. Ai ishte pjesë e një strategjie të menduar gjatë, e cila përdori termetin si mbulesë për të fshirë nga rrënjët të drejtën historike të shqiptarëve. Kjo nuk ishte vetëm një ndërhyrje urbane ishte një fshirje e kujdesshme e gjurmëve të shpirtit shqiptar dhe një imponim brutal i një arkitekture dhe fryme të huaj, asaj të botës serbe, që nuk kërkonte bashkëjetesë, por triumf mbi kujtesën

Nga Prof.dr.Skender ASANI

Në histori ndodhin ngjarje që tronditin

themelet jo vetëm të qyteteve, por edhe të kujtesës kolektive. Tërmeti i 26 korrikut 1963 në Shkup nuk ishte vetëm një katastrofë natyrore, por një ngjarje që u përdor si justifikim për transformime të thella politike, shoqërore dhe identitare. Për shqiptarët, ky transformim nuk ishte as spontan dhe as teknik, por pjesë e një projekti të mirëmenduar: fshirja e gjurmëve të tyre nga qendra historike e qytetit dhe zëvendësimi i tyre me një identitet tjetër. Pas këtij tërmeti nisi një epokë e zhbërjes urbane dhe shpirtërore, që goditi pikërisht pikat nevralgjike të kujtesës historike shqiptare.

Shkupi, qytet me rrënjë të thella iliro-arbërore, ka qenë gjithmonë një urë takimi qytetërimesh e komunitetesh. Brenda këtij mozaiku, shqiptarët myslimanë dhe katolikë përbënin një shtyllë të jetës urbane dhe kulturore. Por pas tërmetit të vitit 1963, filloi një proces sistematik i zbehjes dhe zhvendosjes së kësaj pranie. Mbi 20 mijë shqiptarë, sipas dokumenteve arkivore, u shpërngulën drejt Turqisë, Kroacisë e Kosovës një eksod i heshtur që ndryshoi rrënjësisht përbërjen demografike të qytetit. Duke u bazuar në dokumentet e Komitetit Qendror të RSM-së, rezulton se mijëra kolonë nga Evropa Juglindore, nga rajone të brendshme të Maqedonisë dhe veçanërisht nga Maqedonia e Egjeut u sollën në Shkup, në kuadër të një strategjie të mirëfilltë për të dominuar hapësirën demografike dhe për të ndryshuar ekuilibrat e mëparshëm etno-kulturorë të qytetit.

Harmonia fetare e shqiptarëve në Shkup, që përshfaqej qartë në sheshin historik ku qëndronin dy objektet e kultit Kisha “Zemra e Krishtit” dhe “Burmali Xhamia” ishte një dëshmi e një bashkëjetese të rrallë dhe të ndritur ndërmjet komuniteteve myslimane dhe katolike. Në këtë qendër të qytetit, në shkollën kombëtare që funksiononte në fund të shekullit XIX dhe në dy dekadat e para të shekullit XX, kultura dhe edukimi zhvilloheshin mbi themele të bashkimit shpirtëror dhe kombëtar, ku fëmijët shqiptarë mësonin dhe rritej me vlera të përbashkëta, duke kënduar këngë kishtare shqipe në korin e kishës dhe duke përjetuar një bashkësi që i tejkalonte dallimet fetare. Por, kjo harmoni e përpiktë dhe ndjenja e përkatësisë së përbashkët i pengonte fuqimisht projektet e dëshiruara për t’i ndarë shqiptarët, duke i shërbyer planeve të ndryshimit të fizionomisë së qytetit dhe shuarjes së kujtesës historike. Tërmeti i vitit 1963, me gjithë shkatërrimin e tij natyror, u shfrytëzua si pretekst për të përfunduar këtë proces, duke rrëzuar dhe fshirë nga faqja e dheut kishën dhe xhaminë, dhe duke realizuar kështu humbjen e dy objekteve të kultit që ishin themelues dhe dëshmitarë të identitetit të fortë shqiptar në Shkup.

Me eliminimin e këtyre shenjave të bashkëjetesës fetare dhe kulturës kombëtare, u përgatit edhe terreni që shqiptarët të diferencoheshin fetarisht, një strategji e cila kishte për qëllim që të dobësonte unitetin e tyre dhe të lehtësonte realizimin e projekteve të tjera që synonin shuarjen e pranisë shqiptare në qendrën historike të qytetit.

Eliminimi i objekteve shpirtërore shqiptare nuk ishte i rastësishëm. Ai ishte pjesë e një strategjie të menduar gjatë, e cila përdori termetin si mbulesë për të fshirë nga rrënjët të drejtën historike të shqiptarëve. Duke rrënuar objektet e kultit kishat, xhamitë, faltoret synohej të dobësohej jo vetëm jeta shpirtërore e komunitetit, por edhe legjitimiteti i tyre historik mbi këtë hapësirë. Sepse aty ku mungon shenja e shenjtë, aty ku nuk ekziston më kulti, kujtesa fillon të venitet, dhe me të edhe e drejta për të qenë.

Rrënimi i Kishës “Zemra e Krishtit”, e cila dikur rrezatonte dritë shpirtërore në zemër të lagjes katolike shqiptare në Shkup, nuk ishte thjesht një humbje fizike, por një plagë e hapur në kujtesën e një populli. Ajo kishë, që mbante në gjirin e saj lutjet, pagëzimet, martesat dhe dhimbjet e një komuniteti të tërë, nuk u lejua kurrë të rilindte mbi themelet e saj të shenjta. Pikërisht aty ishte pagëzuar Gonxhe Bojaxhiu, e cila më vonë do të njihej si Nënë Tereza, dhe po në këtë hapësirë të shenjtë kishte ndjekur shkollën kombëtare, duke kënduar këngë kishtare shqipe në korin e kishës një përqendrim i rrallë i frymës shqiptare, besimit dhe edukatës. Mbi atë truall të shenjtë u manipulua me heshtje të ftohta dhe vendime të paskrupullta, derisa prona u kthye në një send për tregti, vetëm e vetëm që zemra e besimit të mos trokiste më aty. Më tej, mbi pronat e familjeve katolike shqiptare, që formonin shtresën e ndershme dhe punëtore të qytetit, u ndërtuan institucione dhe objekte shtetërore, duke e zëvendësuar një lagje të gjallë me një skenografi të huaj dhe të ftohtë. Kjo nuk ishte vetëm një ndërhyrje urbane ishte një fshirje e kujdesshme e gjurmëve të shpirtit shqiptar dhe një imponim brutal i një arkitekture dhe fryme të huaj, asaj të botës serbe, që nuk kërkonte bashkëjetesë, por triumf mbi kujtesën.

Por ndodhi ajo që mund të quhet një mrekulli historike. Në vitin 1980, gjatë vizitës së saj në Shkup me rastin e shpalljes “Qytetare Nderi”, Nënë Tereza, bijë e këtij qyteti, bashkë me ipeshkvin e Ipeshkvisë Shkup-Prizren dhe kryetarin e qytetit, mbolli tre bredha në vendin ku kishte qenë shtëpia e saj. Ky akt modest në dukje ishte në të vërtetë një gjest simbolik i fuqishëm një shenjë se historia nuk mund të fshihet lehtë, se kujtesa nuk dorëzohet. Ishte një përkujtesë e gjallë, e ngulitur në tokën e zhveshur me qëllim.

Por përpjekjet për të zhbërë kujtesën shqiptare nuk pushuan. Ato hasën gjithsesi në rezistencën e shoqërisë civile dhe ndërgjegjes kolektive, që bashkë me ndihmën e organizatave vendore dhe me presionin e disa kancelarive ndërkombëtare, arritën të ndalin projektin e zhdukjes. Në vendin ku kishte qenë shtëpia e Nënë Terezës, u vendos një pllakë përkujtimore në gjuhën shqipe një akt i thjeshtë, por me peshë të thellë simbolike, që dëshmoi se kujtesa e mohuar mund të rikthehet, nëse popujt nuk heqin dorë nga e vërteta e tyre.

Po kështu, një precedent i hershëm i kësaj politike të zhdukjes ishte rrënimi i “Burmali Xhamisë” në vitin 1924 një objekt i shenjtë dhe një simbol i identitetit shqiptar mysliman në Shkup. Në vitin 1925, mbi themelet e saj, u ngrit “Shtëpia e Oficerëve” jo thjesht një ndërtesë ushtarake, por një simbol triumfi i hegjemonisë serbe pas pushtimit të qytetit në tetor të vitit 1912. Mbi këtë ndërtesë u vendos një pllakë përkujtimore nga vetë Mbreti i SKS – së Aleksandër, me mbishkrimin provokues dhe cinik: “Këtu po varroset çështja shqiptare” një shenjë e hapur e zhdukjes së qëllimshme të kujtesës kolektive shqiptare.

Kur tërmeti i vitit 1963 e rrëzoi këtë ndërtesë, u duk sikur vetë historia po refuzonte këtë ideologji. Por ajo ideologji u rikthye dekada më vonë përmes projektit famëkeq “Shkupi 2014” një fushatë agresive e urbanizimit etnik, që ringjalli monumentet mitologjike, arkitekturën sllave, dhe simbolikën e dominimit të botës serbe mbi këtë qytet. Në këtë projekt u planifikua edhe rindërtimi i Shtëpisë së Oficerëve, duke tentuar kështu të rikthehej simbolikisht vullneti i fshirjes së shenjtërive shqiptare.

Ky rindërtim përkoi me përpjekjet e disa partive politike maqedonase për të degraduar statusin kushtetues të shqiptarëve, si dhe me 100-vjetorin e ngritjes së ndërtesës së parë, duke i dhënë gjithë këtij akti një ngjyrim të qartë politik e ideologjik. Në thelb, ishte një tentativë për të konfirmuar që Shkupi nuk u përket atyre që e kanë themeluar me gjak, kulturë e besim, por një identiteti të importuar dhe të imponuar.

Shkupi nuk është vetëm një qytet, por një fushë betejë mes kujtesës dhe harresës së imponuar. Ndërsa ndërtesat mund të rrënohen, dhe rrugët të ndryshojnë emra, historia nuk shlyhet lehtë për aq kohë sa ekziston ndërgjegjja e një populli. Për sa kohë që kujtohen Burmali Xhamia, Kisha “Zemra e Krishtit”, shtëpia e Nënë Terezës, dhe bredhat që ajo mbolli, për sa kohë që shkruhen e lexohen rrëfime si ky, Shkupi do të mbetet jo vetëm një qytet mbi rrënoja, por një hapësirë ringjalljeje për identitetin shqiptar. Kujtesa nuk është vetëm çështje e së kaluarës ajo është forma më e qëndrueshme e rezistencës për të ardhmen.

Filed Under: Analiza

15 Vjet nga Opinioni i GJND-së për Kosovën: Legjitimim Juridik dhe Triumf Diplomatik i një Rasti Sui Generis

July 22, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

(Ekspert i së Drejtës Publike)/

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e Kombeve të Bashkuara publikoi një nga opinionet më të rëndësishme të epokës bashkëkohore, duke përfunduar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare. Kjo ngjarje shënoi një pikë kulmore në afirmimin juridik ndërkombëtar të subjektivitetit shtetëror të Kosovës, duke ofruar një mbështetje të fuqishme për përpjekjet e saj diplomatike dhe legjitimitetin e saj politik në arenën globale.

Ky opinion ishte rezultat i një kërkese të paraqitur nga Serbia përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 2008, me synimin për të delegjitimuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, vendimi i GJND-së, në vend që të ndihmonte pozicionin serb, konsolidoi themelin juridik të shtetësisë së Kosovës dhe i dha asaj një instrument të fuqishëm diplomatik në raportet ndërkombëtare.

I. Dimensioni Juridik i Opinionit: Verifikim i Ligjshmërisë Ndërkombëtare

Në thelb të opinionit qëndron konstatimi se nuk ka asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare që ndalon shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Ky është një pohim thelbësor, që i dha fund interpretimeve spekulative se akti i pavarësisë së Kosovës ishte në kundërshtim me normat juridike ndërkombëtare.

Gjykata nuk shqyrtoi vetë ligjshmërinë e krijimit të shtetit të Kosovës, por verifikoi ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë në kontekstin e të drejtës ndërkombëtare – një diferencë e rëndësishme konceptuale, që i hap rrugën leximeve të ndryshme, por që në thelb nënkupton lejueshmërinë dhe pranimshmërinë juridike të ndarjes së Kosovës nga Serbia në rrethana të veçanta historike e politike.

II. Kosova si Rast Sui Generis në të Drejtën Ndërkombëtare

Rasti i Kosovës është trajtuar gjerësisht në doktrinën e së drejtës ndërkombëtare si një çështje sui generis, pra me karakter të veçantë dhe të pakrahasueshëm me raste të tjera të ndarjeve shtetërore apo të shpalljeve të njëanshme të pavarësisë.

Ky karakter sui generis buron nga një seri faktorësh të ndërthurur:

-Reprezioni sistematik, spastrimet etnike dhe gjenocidi i kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës nga regjimi serb gjatë dekadës së fundit të shekullit XX;

-Ndërhyrja humanitare ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO më 1999, që e ndaloi katastrofën humanitare dhe instaloi një administratë ndërkombëtare (UNMIK);

-Procesi i gjatë i negociatave ndërkombëtare për statusin, që u finalizua me propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, i cili rekomandoi pavarësinë e mbikëqyrur si zgjidhjen më të drejtë dhe më realiste.

Këto elemente e bëjnë Kosovën një rast që nuk mund të shërbejë si model për rastet e tjera të separatizmit klasik, por që megjithatë shënon një evolucion të dukshëm në të drejtën ndërkombëtare, ku vullneti demokratik, siguria njerëzore dhe drejtësia ndërkombëtare i japin përparësi vetëvendosjes përballë represionit.

III. Diplomacia Pas Opinonit: Konsolidimi Global i Shtetësisë së Kosovës

Pas shpalljes së opinionit, Kosova u përball me një ndryshim të ndjeshëm në raportin me shtetet e botës. Shumë vende që më parë kishin hezituar të merrnin një vendim, filluan ta njohin pavarësinë e Kosovës duke u mbështetur pikërisht në vlerësimin juridik të GJND-së. Kjo ndihmoi në rritjen e njohjeve ndërkombëtare dhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata financiare dhe sportive ndërkombëtare (si FMN, BERZH, FIFA, UEFA, IOC, etj.).

Gjithashtu, opinioni ka shërbyer si armë diplomatike në dialogun me vendet mosnjohëse, duke i zhveshur ato nga argumentet juridike dhe duke i ekspozuar në planin politik dhe moral.

IV. Kontributi i Opinionit në Reformulimin e Doktrinës Ndërkombëtare të Vetëvendosjes

Tradicionalisht, e drejta ndërkombëtare ka njohur vetëvendosjen kryesisht në kontekstin e dekolonizimit. Rasti i Kosovës ka shtrirë këtë parim në kontekste moderne të represionit sistematik dhe të pasojave humanitare, duke i hapur rrugë një interpretimi më të gjerë dhe më njerëzor të vetëvendosjes si parim dinamik në të drejtën ndërkombëtare.

Ky është një zhvillim i rëndësishëm, që e zhvendos rëndesën e rendit ndërkombëtar nga dogmat e sovranitetit absolut në drejtim të parimeve të drejtësisë, sigurisë njerëzore dhe demokracisë ndërkombëtare.

V. Një 15-vjetor me domethënie strategjike

Përvjetori i 15-të i Opinionit të GJND-së duhet të shërbejë jo vetëm si moment reflektimi, por edhe si platformë për një riaktivizim të diplomacisë strategjike të Kosovës, duke vendosur theksin te:

-Ripërsëritja e natyrës “sui generis” të shtetësisë së saj, si element që nuk cenon integritetin e asnjë shteti tjetër;

-Angazhimi i partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti i SHBA-së dhe shteteve të BE-së, për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike;

-Rivitalizimi i përpjekjeve për anëtarësim në OKB, me mbështetje rajonale dhe globale të mbështetur mbi bazën e ligjshmërisë së konfirmuar nga GJND.

Nga E Drejta në Fakt dhe nga Ligjshmëria në Realizim Diplomatik

Opinioni Këshillues i GJND-së i vitit 2010 nuk e krijoi shtetin e Kosovës, por e legjitimoi atë përballë komunitetit ndërkombëtar. Ai i dha Kosovës një status juridik të qartë, mbi të cilin duhet të ndërtohet një arkitekturë e qëndrueshme njohjeje, bashkëpunimi dhe integrimi ndërkombëtar.

Në kontekstin global të sfidave ndaj rendit ndërkombëtar – nga agresionet territoriale e deri te kthimi i logjikës së fuqisë – Kosova duhet të mbetet një model i rrallë i zgjidhjes së drejtë të konflikteve, përmes të drejtës, ndërhyrjes humanitare dhe vullnetit të lirë të qytetarëve. Dhe ky model është e drejtë ta mbajë emrin që i përket: sui generis – një rast i veçantë dhe legjitim për të drejtën dhe për botën.

15 Years Since the ICJ’s Advisory Opinion on Kosovo: Legal Legitimacy and Diplomatic Triumph of a Sui Generis Case

Prof. Dr. Fejzulla Berisha

Expert in Public Law

On 22 July 2010, the International Court of Justice (ICJ) delivered one of the most significant opinions in modern international legal history. The Court concluded that Kosovo’s declaration of independence on 17 February 2008 did not violate international law. This advisory opinion marked a decisive moment in the legal affirmation of Kosovo’s statehood and provided a powerful tool in its pursuit of international diplomatic recognition.

Requested by the UN General Assembly in 2008 at Serbia’s initiative, the advisory opinion aimed to challenge the legitimacy of Kosovo’s independence. However, the outcome backfired on Serbia and instead strengthened Kosovo’s international legal and political standing, serving as a turning point in its trajectory as a sovereign state.

I. The Legal Dimension: Clarifying the Legality under International Law

The core of the ICJ’s opinion is its unambiguous finding that there is no provision in international law that prohibits unilateral declarations of independence. This affirmation dismantled claims that Kosovo’s statehood was unlawful and reinforced the view that Kosovo’s declaration was legally permissible and legitimate within international law.

While the Court did not rule on the legality of Kosovo’s statehood per se, it assessed the legality of the act of declaration within the framework of international law – a crucial conceptual distinction that allowed the Court to validate the declaration without directly addressing recognition or state formation.

II. Kosovo as a Sui Generis Case in International Law

The case of Kosovo has been widely recognized by international legal scholars and diplomatic practitioners as sui generis – a unique, non-precedent-setting situation due to its exceptional historical, political, and humanitarian context.

This sui generis character derives from several interrelated elements:

-Systematic repression and ethnic cleansing carried out by the Serbian regime, culminating in mass atrocities against the Albanian population of Kosovo;

-The humanitarian intervention by NATO in 1999, followed by the establishment of an international civil administration (UNMIK);

-Extensive internationally-mediated negotiations, culminating in the Comprehensive Proposal of UN Special Envoy Martti Ahtisaari, which recommended supervised independence as the only viable and just solution.

These elements make Kosovo’s case inapplicable to classical secessionist scenarios, while affirming it as a just, necessary, and internationally accepted act in light of human rights, peace, and democratic self-determination.

III. Post-Opinion Diplomacy: The Rise of Kosovo’s International Subjectivity

Following the ICJ opinion, Kosovo experienced a significant boost in diplomatic momentum. Countries that had previously hesitated moved toward recognizing Kosovo as a sovereign and independent state, citing the legal clarity offered by the ICJ. This opinion accelerated Kosovo’s membership in international organizations such as the IMF, World Bank, EBRD, FIFA, UEFA, and others.

It also disarmed the legal arguments of non-recognizing states, exposing their positions as purely political rather than based on international legal norms. Kosovo’s diplomacy was thus strengthened with a clear legal narrative grounded in the ICJ’s conclusion.

IV. Redefining Self-Determination in Modern International Law

Traditionally, the right to self-determination was understood mainly in the context of decolonization. However, the Kosovo case, especially through the lens of the ICJ opinion, has expanded the applicability of self-determination to contemporary settings marked by repression, mass human rights violations, and failed governance.

The Kosovo situation illustrates a shift in international legal reasoning, where human dignity, democratic will, and international peace take precedence over rigid interpretations of territorial integrity. It emphasizes a modern human-centric approach to state formation, consistent with the evolution of international law in the 21st century.

V. Fifteen Years Later: A Strategic Milestone, Not Just a Legal Memory

The 15th anniversary of the ICJ advisory opinion is more than a legal commemoration—it is a call to revitalize Kosovo’s diplomatic engagement, using the sui generis character of its case as a cornerstone for broader recognition and integration.

Kosovo’s strategy must include:

-Reasserting its sui generis status as a unique solution to a unique conflict, not replicable elsewhere;

-Strengthening alliances with international partners, especially the United States and key EU states, to support membership in the United Nations and other global institutions;

-Leveraging the ICJ opinion as an unchallenged foundation for international legal legitimacy, while actively working toward universal recognition.

From Legal Validity to Diplomatic Realization

The ICJ opinion did not create the state of Kosovo—it validated and strengthened its existence in the international legal and diplomatic order. It equipped Kosovo with a unique legal shield, essential for defending its right to statehood in an often fragmented and interest-driven global system.

In a time when international law is under attack from authoritarian powers and revisionist agendas, Kosovo stands as a sui generis model of peaceful and just resolution, supported by law, diplomacy, and democratic will.

Fifteen years later, Kosovo’s journey continues—but with the law on its side and the legitimacy of its people’s aspirations fully recognized by the highest legal authority in the world.

Filed Under: Opinion

Robert Lulgjuraj kërkon mbështetjen e komunitetit shqiptar në Michigan në fushatën e tij për Kongresin Amerikan

July 22, 2025 by s p

Robert Lulgjuraj kërkon mbështetjen e komunitetit shqiptar në Michigan në fushatën e tij për Kongresin Amerikan.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT