
Zija Vukaj/
Qenia njerëzore ka pasur gjithmonë frikë nga errësira. Njeriu nuk është kafshë nate; nuk ka qenë kurrë, edhe pse përgjatë shekujve e ka zbutur pak a shumë natën dhe errësirën, ka mbetur një qenie dite, i siguruar nga drita, ndriçimi dhe ngjyrat e gjalla. Qysh në lashtësi poetët, duke ndjekur shembullin e Orfeut, i kanë kënduar natës “nënë e zotave dhe e njerëzve, zanafillë e të gjitha gjërave të krijuara”, por vdekatarët e zakonshëm kanë pasur prej saj shumë kohë frikë: frikë nga errësira e nga rreziqet që fshihen në të, frikë nga qeniet që jetojnë e veprojnë në errësirë, frikë nga kafshët dhe shpendët që e kanë trupin të mbuluar me lëkurë ose pupla me ngjyrën e errësisrës, frikë nga nata, burim ankthesh e humbjesh. Nuk është nevoja të kërkojmë arketipe për të kuptuar se këto frikëra vijnë nga larg, nga shumë larg, nga epokat kur njeriu nuk dinte akoma si ta adminstronte zjarrin dhe me të, dritën.
Përgjithësisht nuk i kam dhënë kurrë rëndësi idesë së një simbolizmi universal të ngjyrave, pavarësisht nga koha dhe hapësira e të gjitha qytetërimeve. Përkundrazi, kam nënvizuar gjithmonë aspektin ngushtësisht kulturor të problemeve që lidhen me ngjyrën e, për pasojë, pamundësinë e historianëve për të luajtur me epokat dhe hapësirat gjeografike. Megjithatë ekzistojnë- jam i detyruar t’i njoh- disa pika referimi kromatike që takohen pothuajse në të gjitha shoqëritë. Janë shembuj të paktë në numër: zjarri dhe gjaku për të kuqen, vegjetacioni për të gjelbrën, drita për të bardhën, nata për të zezën. Një natë e dyvlershme, madje e dykuptimtë, por gjithmonë dhe gjithkund shqetësuese e shkatërruese mbarsëse dhe inkurajuese.
Nuk do të nënvizohet kurrë mjaftueshëm deri në ç’pikë pasja dhe administrimi i zjarrit, duke filluar rreth 500 000 vjet para Krishtit, ka krijuar një kthesë themelore për historinë e njerëzimit. Është kontrolli i zjarrit nga ana e “Homo erectus-it”, që ka bërë dallimin e qenies njerëzore nga kafsha. I vënë nën zgjedhë, i zbutur, i prodhuar sipas vullnetit, zjarri jo vetëm ka shërbyer për të ngrohur njeriun, për të gatuar ushqimet e për të ndërtuar altarët e parë të tij, por ka përftuar mbi të gjitha, burimin e dritës. Frika e madhe nga errësirat ka filluar të fashitet e bashkë me të tmerri i natës dhe nga ajo çfarë lidhet me vendet e errëta apo nëntokësore. E zeza nuk ishte më krejtësisht e zezë.
Më vonë, duke filluar nga paleoliti i epërm, kur përdorimi i zjarrit ndryshon, bëhet edhe mundësi, për të bërë pigmente artificiale duke shkrumbuar bimë apo minerale. Më i lashti i këtyre pigmenteve me sa duket është e zeza e karbonit, e arritur përmes djegies së llojeve të ndryshme të drurit, lëvore, rrënjë, lëvozhga apo boçe. Sipas lëndës dhe të shkallës së shkrumbimit, ngyresa e të zezës së arritur është pak a shumë e ndritshme, pak a shumë e fortë. Veprime të ngjashme u lejuan artistëve të paleolitit të pasuronin paletën, të kufizuar deri në atë moment vetëm me ngjyrat e marra nga natyra. Në gamën e të zezave, këta artistë dinë tashmë të prodhojnë vetë pigmente e tyre dhe të ndryshojnë ngjyresat. Më vonë mësojnë të djegin kockën, fildishin e bririn e kaprojve për të arritur të zeza më të bukura. Pastaj përqendrohen mbi mineralet: të kruara, të thërrmuara, të oksiduara, të përziera me lëndë lidhëse, ata përdorin lëndë të reja ngjyrosëse, më të qëndrueshme dhe jo më të ndritshme. Për të zezat oksidi i manganezit ka prirje të zëvendësojë apo të përfshihet në karbonet bimorë. Është përdorur me shumicë në Lasco (Lascaux) rreth 15.000 vjet para Krishtit për të pikturuar pjesën më të madhe të kafshëve të bestiareve pjellore të shpellave, ku spikat demi i famshëm i zi. Por të zezat e karbonit jo për këtë u zhdukën. Kështu ndonja një mijë vjet më pas, në shpellën Niaux (Ariège), i famshmi “sallon i zi”, i shtrirë më shumë se 700 m nga hyrja, tregon piktura murale në një gjendje të shkëlqyer ruajtjeje që paraqesin tipa të ndryshëm kafshësh të zeza (bizonë, kuaj, stambekë, kaproj, madje edhe peshq) dhe pigmenti i përdorur është vetëm karboni i drurit, megjithëse këto piktura, më të vona se ato të Laskosë, janë të 12.000 apo të 13.000 vjet para Krishtit.
Përgjatë mijëvjeçarëve, skaleta e ngjyrave dhe numri i pigmenteve vazhdon të pasurohet.
Qytetërimi egjiptian prodhon një numër të madh dhe shumë janë të reja. Për sa i përket të zezave, gjithsesi oksidi i manganezit e sidomos e zeza e karbonit zënë gjithnjë vendin e parë. Edhe boja, e shpikur më parë, përdor të zezën e karbonit apo ajo e llambës (e zezë e tymtë) përzier me ujë që i shtohet ngjitësi shtazor ose goma arabike. Përsa u përket ngjyrave gri, deri atëherë praktikisht të panjohura, shfaqen në Egjipt, ku zënë një vend të rëndësishëm në pikturën e përmortshme. U ralizuan përmes një përzierjeje karboni bimor dhe të bardhës së plumbit.
Në disa rajone të Lindjes së Afërme këtyre materialeve të ndryshme u shtohet e zeza e bitumit, pigment shumë i fortë që shfaqet në tokat e pasura me naftë. Më në perëndim, në Greqi e në Romë, piktorët përdorin me bollëk të zezën e tymtë, sidomos për sipërfaqet e vogla dhe mxorën nga disa karbone ca të zeza të mahnitshme. Më e kërkuara ishte e zeza e hardhive, realizuar duke karbonizuar shermendet e hardhive shumë të thata që i japin ngjyrës një aspekt të thellë dhe reflekse të kaltëreme, sidomos të dashura për romanët. Natyrisht e zeza e fildishit ka famën e të qenit akoma më e bukur, por çmimi i saj i lartë e kufizon përdorimin e saj. Për sa u përket pastaj tokave natyralisht të zeza apo të errëta, të pasura me oksid manganezi, vazhdojnë t’u japin piktorëve pjesën më të madhe të pigmenteve në përdorim në gamën e të zezave dhe të ngjyrave errëta. Kushtojnë relativisht shtrenjtë, sepse shpesh vijnë nga larg (nga Spanja apo Galia, për shembull) dhe efektet kromatike që prodhojnë janë më të errëta se ato të të zezave bimore dhe të zezave të llambës.
Teknikat janë më pak të zhvilluara kur është fjala për ngjyrosjet. Megjithëse shfaqen shumë shpejt, bëhen një veprimtari shoqërore vetëm në neolit, kur njeriu bëhet sedentar dhe zhvillon në shkallë të madhe prodhimin e tekstilit. Ngjyrosja kërkon një njohje të specializuar: lëndët ngjyruese të nxjerra nga bimët apo nga kafshët nuk mund të përdoren më njëlloj, duhen veçuar, çliruar nga papastërtitë, duhen bërë kimikisht vepruese, pastaj duhen depërtuar në fibrat e endjeve e të tentohet të nguliten fort. Të gjitha këto veprime janë të gjata e të ndërlikuara. Është gama e të kuqeve (garancë, e kermeztë, mureks), në të cilat ngjyrosjet kanë arritur më parë se në të tjerat rezultatet më të mira. Dhe kështu ka qenë për disa mijëra vjeçarë. Përkundrazi, ngjyrosaj me të zezë ka qenë për shumë kohë një ushtrim i vështirë, së paku në Perëndim.



