• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2025

TAKIMET E HOTIT TË KUJIT DHE FESTIVALI VII I LAHUTËS 2025

July 21, 2025 by s p

Zymer U. Neziri/

Takimet e sivjetme të Hotit të Kujit u kryen me sukses, pohoi shumë e gëzuar piktorja e njohur, Kaltrina Hoti, e shkolluar në SHBA, dhe e zonja e shtëpisë e kësaj veprimtarie të rëndësishme etnokulturore. Ashtu tha edhe përfaqësuesi i vendit, Ibër Hoti.

Më 10 korrik, në Hotin e Kujit, Komuna e Plavës, jehoi lahuta e Festivalit të shtatë të radhës, “Lahuta, Okarina, Polifonia”, me organizimin e Sokol Plakollit të palodhshëm, nga “Shkabat” e Prishtinës. Kishte lahutarë edhe nga Kelmendi e Rugova: Dinë Sinanaj, Hysen Kurtaj, Asllan Shala, Pretash Nilaj, Xhavit Balidemaj.

U përurua edhe libri studimor i Zymer Ujkan Nezirit, kushtuar  Eposit të Kreshnikëve sot, në pesë shtete të Ballkanit, për të cilin foli prof. dr. Albin Sadiku i Ins. Albanologjik. Autori  i librit tha se epika jonë tashmë ka emër të madh edhe në botën e shkencës në Evropë dhe në qendrat e mëdha studimore, nga Harvardi i famshëm amerikan e deri në Akad. e Shkencave të Kinës.

Ishin të rëndësishme dhe shumë inkurajuese fjalët e ambasadores shqiptare në Podgoricë, znj. Zhaklina Pepa, po edhe të konsullit të Kosovës, z. Ejup Ismajli. U veçua edhe prania e intelektualit të kësaj ane, Binak Ulaj, veteran i Lëvizjes Kombëtare. Aktori Halil Tetaj për të pranishmit u paraqit me vargje të zgjedhura të ” Lahutës së Malcisë” të Gjergj Fishtës. Ishte tejt e rëndësishme edhe prania e ekipeve televizive nga Kosova, RTK dhe Fontana.

Drejtuese e përgjegjshme dhe e suksesshme e Takimeve të Hotit të Kujit ishte studentja  e këtushme, Ledina Haxhaj, pjesëtare e këtij fisi të nderuar të Malësisë së Madhe dhe emër i njohur në historinë e Shqipërisë së Veriut. Me valle të vajzave të Hotit dhe të shoq. “Malësia e Rozhajës”, Tregovishtë, me veprimtarin Ali Daci, u mbyll ky manifestim në trojet e familjeve Haxhaj, Sinanaj, Hysenaj, Mujaj, Mehaj, pasardhës të Dedë Nikës, që dhanë burra të shquar e trima, por sot shumica e tyre jetojnë përmallshëm në mërgim për këto vende me bukuri të rralla të Alpeve Shqiptare. Pritja ishte tejet vëllazërore, krahas drekës dasmore të shtruar për të gjithë pjesëmarrësit e Takimeve.

Filed Under: Reportazh

Unioni Amerikano-Ballkanik, NATO dhe BE: Tre vizione për një qëllim strategjik – paqe, siguri dhe rend demokratik

July 21, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Donald Trump – i vetmi që mund t’i ndalë katrahurat ruso-serbe në Ballkan dhe Kosovë.

1. Ballkani në mes të dy epokave: Perëndimi në tërheqje, Lindja në avancim

Në fillim të shekullit XXI, Ballkani Perëndimor mbeti një nga zonat më delikate dhe të brishta në Evropë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërhyrja vendimtare e NATO-s në Kosovë (1999) dhe vendosja e strukturave ndërkombëtare ndihmuan në vendosjen e paqes. Por paqja nuk ishte e barabartë me zgjidhjen e konflikteve – përkundrazi, ajo i ngrin dhe i zhvendos në një formë të re.

Në dy dekadat e fundit, ndërsa SHBA e orientoi vëmendjen kah Lindja e Mesme dhe Azi-Paqësori, vakuumi strategjik i krijuar në Ballkan u shfrytëzua mjeshtërisht nga Rusia, përmes aleatëve të saj historikë në Serbi dhe entiteteve serbe në Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi. Katastrofa e mundshme për stabilitetin rajonal nuk është thjesht një çështje ballkanike – ajo është një provë e besueshmërisë strategjike të Perëndimit.

2. Trump dhe rikthimi i SHBA në Ballkan: Pragmë, forcë dhe vendosmëri

Në këtë realitet të fragmentuar, Donald Trump ishte lideri i vetëm amerikan që guxoi të trajtojë Ballkanin me një qasje të drejtëpërdrejtë dhe me vizion gjeopolitik. Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, e cila mbështetej në zhvillimin ekonomik dhe njohjen reciproke në planin diplomatik, tregoi një kthesë në politikën e jashtme amerikane ndaj Ballkanit: nga menaxhimi i krizave tek ndërtimi i strukturave të qëndrueshme politike dhe ekonomike.

Trump nuk e shikonte Serbinë si një aleat të besueshëm, por si një shtet me lidhje të forta me Moskën. Ai e kuptoi se Kosova ishte projekti i vetëm i pastër i SHBA në Ballkan, i ndërtuar mbi vlerat e ndërhyrjes humanitare, lirisë dhe vetëvendosjes. Për këtë arsye, ai e riktheu temën e njohjes së Kosovës në agjendën globale dhe e bëri pjesë të marrëveshjes multilaterale të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

3. Model krahasues: Unioni Amerikan-Izraelit si inspirim për Unionin Amerikano-Ballkanik

Për të kuptuar nevojën dhe logjikën e Unionit Amerikano-Ballkanik, mund të referohemi te një model ekzistues i funksionalitetit të lartë strategjik: marrëdhënia SHBA–Izrael. Kjo marrëdhënie, e formalizuar në dekada përmes ndihmës ushtarake, bashkëpunimit ekonomik dhe përkrahjes diplomatike, ka ndihmuar në mbijetesën dhe fuqizimin e Izraelit në një zonë armiqësore dhe shpeshherë në konflikt të përhershëm.

Në mënyrë të ngjashme, Unioni Amerikano-Ballkanik do të mund të:

-Fornizojë me garanci të përhershme sigurie shtetet si Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi;

-Frenojë ambiciet e Serbisë dhe projektet ruso-serbe për krijimin e “botës serbe”;

-Përshpejtojë reformat për integrim euroatlantik nëpërmjet bashkëpunimit me SHBA-në si garant të besueshëm dhe fleksibël;

-Shërbejë si model i ri i bashkëjetesës transatlantike, ku SHBA, NATO dhe BE bashkëpunojnë për stabilitetin e një zone me rëndësi kritike.

4. NATO, BE dhe SHBA: Tri shtylla për një qëllim të vetëm

Koncepti i tre vizioneve strategjike me një qëllim të përbashkët është kyç për të kuptuar rëndësinë e këtij projekti:

-SHBA – garant i sigurisë, mbështetës i aleatëve dhe lider global për demokracinë funksionale;

-NATO – mburoja kolektive e mbrojtjes së tërësisë territoriale dhe paqes afatgjatë;

-BE – motor i zhvillimit institucional, ekonomik dhe demokratizimit të brendshëm të shteteve ballkanike.

Por pa lidershipin e fuqishëm dhe të pakompromis të SHBA-së – dhe në veçanti pa profilin e qartë dhe të padiplomuar por vendimtar të Donald Trump – as NATO dhe as BE nuk mund të funksionojnë si stabilizues të vërtetë në Ballkan.

5. Ballkani ka nevojë për një projekt të madh, jo për një politikë të vogël

Unioni Amerikano-Ballkanik nuk është një ide e thjeshtë teorike. Ai është një nevojë gjeopolitike urgjente dhe një instrument strategjik për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe demokracisë në një rajon ku këto janë ende të kërcënuara. Donald Trump, pavarësisht polemikave, është i vetmi lider perëndimor që e ka treguar me vepra – jo vetëm me fjalë – se mund të sjellë një rendi të ri në Ballkan përmes forcës, interesit kombëtar dhe përkushtimit të qartë ndaj aleatëve.

Prandaj, sot është momenti për të artikuluar me guxim këtë vizion: një Union i Ri Amerikano-Ballkanik, i mbështetur nga NATO dhe i përputhur me vlerat e BE-së, është rruga e vetme për të siguruar të ardhmen e Kosovës, paqen në rajon dhe kufijtë e demokracisë në Evropën Juglindore.

Donald Trump – The Only One Who Can Halt the Russo-Serbian Disruptions in the Balkans and Kosovo

The American-Balkan Union, NATO, and the EU: Three Strategic Visions, One Common Goal – Peace, Security, and Democratic Order

By Prof. Dr. Fejzulla Berisha

1. The Balkans at the Crossroads of Two Epochs: Western Retraction, Eastern Advance

In the early 21st century, the Western Balkans remained one of Europe’s most delicate and fragile geopolitical zones. After the disintegration of Yugoslavia and NATO’s decisive intervention in Kosovo (1999), international structures helped to secure a fragile peace. However, peace did not equate to the resolution of conflicts—it merely froze and displaced them into new forms.

Over the last two decades, as the U.S. shifted its focus to the Middle East and the Indo-Pacific, the resulting strategic vacuum in the Balkans has been exploited by Russia, primarily through its historic ally Serbia and the Serbian entities in Bosnia and Herzegovina and Montenegro. The potential destabilization of the region is not a local issue—it is a test of the West’s strategic credibility.

2. Trump and the U.S. Return to the Balkans: Pragmatism, Power, and Resolve

Amid this fragmented reality, Donald Trump was the only American president to approach the Balkans with directness, geopolitical clarity, and strategic vision. The Washington Agreement of September 4, 2020, focusing on economic normalization and mutual diplomatic recognition, marked a turning point in U.S. policy—shifting from crisis management to the construction of long-term political and economic frameworks.

Trump never regarded Serbia as a trustworthy ally but rather as a state deeply entangled with Moscow. He clearly saw Kosovo as the only clean-cut U.S. project in the region, built on the values of humanitarian intervention, freedom, and self-determination. For this reason, he recentered the issue of Kosovo’s recognition on the global agenda, embedding it within a multi-layered agreement signed at the White House.

3. Comparative Model: The U.S.–Israel Strategic Relationship as a Blueprint

To understand the logic and necessity of the American-Balkan Union, we may turn to an existing high-functionality model: the U.S.–Israel relationship. This strategic alliance, developed over decades through military assistance, economic cooperation, and diplomatic support, has ensured Israel’s survival and development in a hostile and conflict-prone region.

Analogously, an American-Balkan Union could:

-Provide permanent security guarantees to countries like Kosovo, Albania, North Macedonia, and Montenegro;

-Deter Serbia’s ambitions and the Russo-Serbian projects for a “Serbian World”;

/Accelerate Euro-Atlantic reforms by offering an agile and reliable strategic anchor;

-Serve as a new model of transatlantic coexistence, where the U.S., NATO, and the EU cooperate to stabilize a geopolitically critical zone.

4. NATO, the EU, and the U.S.: Three Strategic Pillars for One Unified Goal

The concept of three complementary strategic visions converging on one goal is essential to this new regional order:

-The U.S. – as the guarantor of security and global democratic leadership;

-NATO – as the shield of collective defense and long-term deterrence;

-The EU – as the engine of institutional development, economic progress, and internal democratization.

Yet, without the decisive leadership of the U.S., and specifically without a strong, unapologetic figure like Donald Trump, neither NATO nor the EU alone can stabilize the region. Trump’s assertive approach and focus on results—not bureaucratic delay—could once again restore a strategic balance that has been eroded by indecision and appeasement.

5.The Balkans Need a Grand Project, Not Small Politics

The American-Balkan Union is not a theoretical or emotional concept—it is a geopolitical necessity and a strategic instrument for safeguarding peace, sovereignty, and democracy in a region still threatened by authoritarian encroachment. Donald Trump—regardless of political controversies—is the only Western leader who has shown through action, not words, that he can bring order, clarity, and resolve to the Balkans.

Now is the time to boldly articulate this vision: a New American-Balkan Union, reinforced by NATO and aligned with European values, is the only viable path to secure Kosovo’s future, preserve peace in the Balkans, and defend the outer borders of democracy in Southeastern Europe.

Filed Under: Analiza

Filli i Harold Bloom në poezinë e Natasha Lakos!

July 21, 2025 by s p

Nga Irena Dragoti/

Shpesh nga miqtë e mi jam akuzuar si njeriu që lexon kuturu pra si njeriu që ka frikë se mos” lëndojë” librat, autorët ndaj i lexon ata dhe kur nuk përputhen me shijen e saj. Deri diku e vërtetë mendoj, deri në takimin me vëllimin poetik “ Kundërpërfytyrim” të Natasha Lakos që më bindi se” qëllova në shenjë “.

E cilësuar, “Grande dame” e vargjeve shqiptare nga Robert Elsie, në një kohë kur ajo është në proçes precipitimi, me të takon elitën dhe origjinalitetin.

Shoqëria shqiptare në të cilën Lako ka kontribuar për shumë dekada, ka qenë tejet e privilegjuar duke e patur zëdhënëse të shpirtit të saj , përjetimeve dhe fazave të rritjes për veten e gruan shqiptare në veçanti. Lako kjo poeteshë elitare më ngjan me Varlenin e Komunës së Parisit për rolin e saj emancipues në poezinë e shoqërimë shqipe!

Si ndër poetet e para femër dhe ndër të parat guximtare në tempullin e poezisë moderne shqipe ajo vjen dekadë pas dekade me dimensione të tillë poetikë, që e shndërrojnë krijimtarinë e saj në një shkollë poetike! Si një zë emancipues dhe shpirtëror që tejkaloi konformizmin e letërsisë së kohës, Lako hodhi themelet e modernizmit në poezinë shqipe , duke formësuar tiparet më esenciale të tij.

Diku lexova se është quajtur një lloj “Safoje moderne e letërsisë shqipe” dhe leximi i vëllimit të saj poetik më bindi për këtë!

Në “ Kundërpërfytyrim” e them pa frikë se kam shijuar peshën e poetikës së saj “rebele”, por jo të nxituar!

Poezia e Natasha Lakos është si netët delikate në një ishull mesdhetar!

Sipas Bloom-it, që thotë se çdo poet i mirëfilltë përballet me “ankthin e ndikimit” ose më mirë të thuash sfidën për të krijuar një zë origjinal në prani të hijes së pararendësve të mëdhenj tek Natasha Lako, si një poete që jetonte në një shoqëri të dominuar nga ideologjia dhe patriarkati, qasja ndaj kësaj sfide nuk erdhi përmes revoltës, por me gjuhë të paqtë, introspektit dhe domethënies.

Në këtë sens, pa u përpjekur të “vrasë etërit letrarë” Ajo ndërtoi një univers poetik ndryshe, duke korrigjuar realitetin nga brenda. Natasha Lako sublimoi gjininë dhe guximin në krijimet e saj plot metafora, aliteracione, reteorika pa u vetdekoruar për përvojën që zotëron, por duke evidentuar e mjekuar atë krijim pas krijimi.

Psh tek poezia“INTERVISTË PËR PUTHJEN”më ndjekin reteorikat e saj, se pse puthja në qasjen e saj nuk është akt emocional, por kategori ekonomike, mall, borxh shpirtëror. Një puthje e ngarkuar me barrë shekullore, por që në duart e saj bëhet ikonë moderne e pabarazisë së ndjenjës.

Në këtë poezi Lako ironizon mënyrën burokratike të jetës ku edhe ndjesia intime e puthjes kthehet në “intervistë pune”.

Puthja si një mbetje mitike mijëravjeçare, mbart në vetvete si zjarrin e lashtë, ashtu edhe rrezikun e të dështuarit gjatë “intervistës”.

“…puthja ka ardhur pas pyjeve

të djegura e të përveluara nga zjarri…

Gjuha e poezive të saj përbën një univers më vete po aq sa një tendencë për të kërkuar risinë poetike.

Në poezinë “KËRKOHET URGJENTISHT NJË UNIVERS TJETËR”, ajo shkruan:

“Si t’ia bëj unë me diamantet e syve,

në këtë botë që po vjen.”

Kjo poezi manifestuese tregon qasjen e saj mbi pamjaftueshmërinë e universit që jetojmë, për të mbajtur shpirtin gjallë. Nga estetika autorja kalon në një revolucion simbolik!

“Edhe një çadër e vogël m’i ngatërron mendimet…” thotë autorja”

Vizioni i trupit, femrës, dhe dashurisë vjen si poetikë që nuk trembet nga shenjtët.

Në poezinë” VERSIONI I ROMEOS DHE ZHULIETËS” ajo thotë:

“…Nga ballkoni i gjinjve

do të dal për të vështruar,

Natën që dashnorin tim fsheh…

Diçka në këtë botë duhet korrigjuar

…ajo e shkruan këtë subjekt si akt korrigjimi feminist ndaj mitit të dashurisë romantike. Në vend të tragjedisë, kërkohet logjikë më e ëmbël, më pak romantike, më shumë e barabartë. Lako nuk e rrëzon mitin por rimerr një prej mitologjive më të mëdha dashurore dhe e vendos në një trup të përmbysur gruaje jo thjesht si përmbysje gjinore, por si rishkrim i kanunit. Lako më lejo të mendoj se ti ke lindur në Verona! Të lutem mos më kundërshto!

Në poezinë “MË KA DASHUR VËRTET”, ajo ndërton subjektin poetik si bashkëjetesë e qenësishme me natyrën, kafshët, me “sy të milingonave” për të thënë se kujtesa dhe dashuria nuk ndodhin vetëm në trupin njerëzor. Në stilin e Bloom, kjo poezi do të ishte një riformulim i së munguarës dhe arkitekturë e kujtesës!

E kaluara këtu nuk është nostalgji, por rindërtim i një dashurie që nuk ndodhi, sepse bota ende, nuk ishte ende në gjendje ta perceptojë.

Lako ndërton një mitologji të re femërore, psikologjike, politike dhe shpirtërore, pa përkëdhelur kënd, por duke ripërfytyruar dhe kjo është forca e saj më e madhe në këtë vëllim poetik.

Vjen me tematika sfiduese duke refuzuar abstraksionin e duke i dhënë dimesion mardhënieve njerëzore e trupit.

Në vëllimin”Kundërpërfytyrimi”, Natasha Lako refuzon një botë të ndërtuar mbi premisa patriarkale, duke ofruar një vizion alternativ, mbështetur mbi simfoninë e të pathënës. Orbita e Lakos është ende e panjohur për paraardhësit e saj dhe e paarritshme për pasardhëset e saj!

Poezia e saj vjen si psherëtima të Emily Dickinson brenda mureve të dhomës së saj duke shembur gjithë muret e botës letrare…

Në poezinë:”Mes pyllit” lakonizmi vjen tronditës. Feminiteti demitizohet përmes natyrës.

Pylli nuk është “vend i femrës”, por vend i maskilitetit të shuar, dhe rrëshira simbolizon gjakun që nuk bërtet.

Pylli i Lakos nuk është pylli rus por pylli i perëndimit!

“Halat, si qerpikët, nuk e bëjnë pyllin femër…”

“…pikonte rrëshirë.”

Në këtë poezi femërorja shkrihet me natyrën dhe rrëshira bëhet forma e vetme e komunikimit të heshtur.

Kjo është poezi e zërit të zhveshur nga çdo gjuhë epike.

Poezia”Letër kontinentale” më vjen si nga më metaforiket dhe ulëritëset në dendësi simbolesh. Ajo këndon për gjëra që nuk janë më, si pemë të verbra, gra pa qafë, shami që bartin historinë, shurdhëri qiellore, etj

“…Miq, kemi qenë shokë dhe pastaj kemi ikur në njerëz…”

Ky varg parë nga filli Bloomian është çasti kur poeti zbulon se njerëzimi është më i ulët se shoqëria njerëzore.

Kombinimi i elegjisë dhe groteskut e bën kaq të fuqishme këtë letër që i dërgohet gjithë kontinentit që ka humbur zërin.

Poezia”I shuajnë dritat zanat”mëvjen

si më ironikja dhe më teatralja në libër, duke më lënë në mendje vargun

“Pozat janë gjithmonë të pabesa.”

Lako, në këtë poezi, luhat konceptin e zanave duke ofruar panevojën e krijesave magjike. Kjo poezi më ngjan si keqlexim i epopesë kombëtare, dhe shndërrimit të zanave në figura të pavlera të feminitetit modern, në një realitet që e përjashton çudinë.

Natasha Lako, në këtë vëllim, nuk mendoj se tenton të përshkruajë botën por synon të kundërshtojë mënyrën si na e kanë ofruar atë.

Parë nga fryma e Harold Bloom, Lako nuk është pasardhëse e askujt, veç vetja, duke gdhendur fjalën në gurin e mungesës, duke e bërë atë të lëshojë dritë. Vjen si asteroid në letërsinë shqipe që devijon rrugën për një identitet të paimitueshëm e pangjashëm. Poezia e saj mban distancë kritike nga poezia përreth duke sjellë sfida të të menduarit tek lexuesit. Bart tension, gjuhë të shndritshme, duke sintetizuar stilin individual me atë tradicional! Poezia e Lakos vjen me emocionin misterioz të bukurisë se operetave të krishtlindjes!

Ajo ka transformuar traditën, duke krijuar poeten që ndryshoi botën e fjalës. Askush nuk mund të ketë qasje vetëm estetike ndaj krijimtarisë së Natasha Lakos pa patur atë filozofike e morale.

Poezia nuk është rikrijim i botës, por kundërshti ndaj asaj që na është ofruar si e vetmja mënyrë për ta jetuar atë.”

Natasha Lako e arrin plotësisht këtë me vëllimin e saj poetik duke mbetur dukesha e pafjalë e poezisë shqip!

Filed Under: Fejton

“Navigare Necesse”, në përvjetorin e Arshi Pipës: Reflektime mbi një poezi

July 21, 2025 by s p

Nga Hektor Çiftja

Universiteti Aleksandër Xhuvani, Elbasan

Çdo korrik, admiruesit e kulturës shqiptare përkujtojnë Profesor Arshi Pipën (1920–1997), poet dhe studiues i shquar shqiptaro-amerikan, ndikimi i të cilit shtrihet përtej kufijve gjuhësorë e kulturorë. Arritjet e tij akademike përfshijnë prezantimin e poetit italian Eugenio Montale në qarqet akademike anglishtfolëse, duke e bërë çmimin Nobel të Montales më 1975 një moment krenarie për shqiptarët. Për më tepër, Pipa prezantoi me dinjitet akademik figura të rëndësishme të letërsisë shqiptare si Jeronim De Rada dhe Migjeni në arenën ndërkombëtare përmes veprave si Trilogia Albanica dhe shumë të tjerave.

Megjithatë, në këtë homazh, në vend që të skicoj gjithë ndikimin e tij akademik, zgjodha të reflektoj shkurt mbi nje poezi nga libri i tij Autobiography, një koleksion unik shumëgjuhësh i hartuar më 1988 dhe botuar pas vdekjes në vitin 2000. Kjo poezi paraqitet kryesisht në gjuhën e saj origjinale italiane, pasi variantet në shqip janë tashmë të njohura dhe të studiuara gjerësisht në Shqipëri. Ndërsa ndryshimet midis varianteve shqipe dhe atyre në gjuhë të huaja meritojnë një studim më vete. Ky shkrim modest përkujtimor fokusohet në kremtimin e thelbit të poezive në kontekstin e udhëtimit jetësor dhe letrar të Pipës.

Poezia që vendosa të prezantoj është poezia “Navigare Necesse” e cila vjen nga vëllimi i parë poetik i Pipës, “Lundërtarë”, botuar fillimisht në Tiranë më 1944. Ky version në italisht më vonë u përfshi në antologjinë e tij shumëgjuhëshe “Autobiography”:

“Navigare Necesse

….je regrette L’Europe aux anciens parapets — Rimbaud

“Affidanti a dei legni cavi

sull’infido oceano, incauti,

che cercate sulle voragini,

quali sirene, o argonauti?”

“S’alza il vento, la navicella

balza avanti, scricchiola il pino.

Colma Amore le nostre vele,

e bussola abbiamo il Destino”

Titulli “Navigare Necesse” i referohet drejtpërdrejt shprehjes së njohur latine “Navigare necesse est…” (Të lundrosh është e domosdoshme), e cila historikisht evokon domosdoshmërinë dhe pashmangshmërinë e eksplorimit dhe aventurës. Pipa e pasuron këtë nuancë tematike duke cituar Rimbaud-in: “Je regrette l’Europe aux anciens parapets” (Më mungon Europa me parapetet e saj të lashta), nga Le Bateau Ivre. Ky imazh i anijes që noton duke dëshiruar sigurinë e Europës krijon një tension poetik të reflektuar në vargjet e Pipës, duke shfaqur një zgjedhje ekzistenciale mes sigurisë dhe të panjohurës.

Në poezi, referencat mitologjike e thellojnë këtë kërkim ekzistencial. Vendosja përballë njëra-tjetrës e “sirene, o argonauti?” kontraston rrezikun joshës me kërkimet fisnike, duke iu referuar mitologjisë greke ku sirenat me këngët e tyre joshëse çonin detarët drejt humbjes, ndërsa argonautët heroikë të Jasonit kërkonin arritjet mitologjike me sakrifice. Në këtë mënyrë, Pipa eksploron dualitetin e udhëtimit njerëzor apo artistik, duke theksuar si rreziqet ashtu edhe mundësitë e aventurës në territore të panjohura.

Lundrimi, siç përdoret nga Pipa, funksionon si një metaforë e thellë për përpjekjet jetësore apo kërkimet artistike. Lundërtarët, të përshkruar si “incauti” (të pakujdesshëm apo të guximshëm), përballen me “infido oceano” (oqeanin tradhtar). Megjithatë ata udhëhiqen me besim nga “Amore” (Dashuria) dhe “Destino” (Fati), duke simbolizuar një besim romantiko-heroik te pasioni dhe fati si orientues nëpër pasiguri e rrezik.

Konteksti historik i “Navigare Necesse” e thellon rezonancën e saj. E shkruar në fund të viteve 1930, kur Pipa ishte student i filozofisë në Firence (diplomuar më 1942), poezia pasqyron idealizmin rinor, ndikimet kulturore evropiane dhe pritjen e një bote që së shpejti do përfshihej në luftë. Pas luftës, jeta personale e Pipës u paralelizua dramatikisht me temat e poezisë: ai u përball me persekutimin e regjimit komunist shqiptar, kaloi një dekadë në burg (1946–1956) dhe më vonë emigroi në SHBA. Kështu metafora e lundrimit larg brigjeve të njohura mori një rezonancë të thellë si simbol i ekzilit dhe mbijetesës së tij.

“Navigare Necesse” u shfaq fillimisht në Lundërtarë më 1944 dhe dekada më vonë në Autobiography (Phoenix, 2000). Kjo antologji shumëgjuhëshe pasqyron diversitetin gjeografik, kulturor e emocional të jetës së Pipës. Përfshirja e saj në italisht thekson shpirtin letrar europian, duke përdorur referenca klasike dhe metafora romantike për të theksuar domosdoshmërinë dhe guximin universal të eksplorimit.

Si përfundim, “Navigare Necesse” mishëron në miniaturë universin artistik të Arshi Pipës. Përmes kësaj poezie, ne shohim qartë forcën intelektuale, guximin rinor dhe angazhimin filozofik të tij me fatin. Libri Autobiography shërben si një testament letrar kyç për kuptimin e jetës së tij, duke rrëfyer historinë e tij përmes vargjeve.

Duke vendosur përkrah njëra-tjetrës poezi në shqip, italisht, anglisht e gjuhë të tjera, Pipa kapërceu kufijtë kombëtarë letrarë, duke pasqyruar ekzistencën e tij ndërkulturore. Leximi i poezive të tij na fton të përjetojmë zërin e tij, i cili është sa thellësisht shqiptar aq edhe thellësisht kozmopolit.

Në këtë përvjetor, ne kujtojmë Arshi Pipën jo vetëm për arritjet e tij akademike dhe qëndresën ndaj shtypjes, por edhe për trashëgiminë e tij të fuqishme poetike. Poezitë e tij na kujtojnë se edhe në errësirën më të thellë agimi vjen përsëri, dhembja e mërgimit zbutet nga dashuria dhe dhembshuria fiton mbi mizorinë.

Korrik 2025

Filed Under: LETERSI

Ali Podrimja, bardi i modernizmit në poezinë shqipe

July 21, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

— Një zë poetik që ndërtoi vetëdijen e Kosovës moderne.

Nga fundi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve ’70, letërsia shqipe përjetoi një nga periudhat e saj më delikate. Në Shqipëri, letërsia zyrtare i ishte dorëzuar Realizmit Socialist si ideologji estetike, ndërsa në Kosovë, ndonëse nën trysninë e një federalizmi jugosllav që tentonte të gërryente çdo përpjekje për vetëdije kombëtare, nisi të shpërthente një rrymë poetike ndryshe: moderne në formë, autentike në përmbajtje dhe të ngulitur në dramën ekzistenciale të shqiptarit të Kosovës. Një nga zërat më të shquar të kësaj rryme ishte Ali Podrimja, i cili me vargun e tij të shkurtër, të vrullshëm dhe shpesh dramatik, solli një frymë të re në poezinë shqipe.

Poezitë e tij u shfaqën në Shqipëri për herë të parë në përmbledhjen antologjike “E di një fjalë prej guri” më 1971, krahas poetëve si Azem Shkreli, Esat Mekuli e Din Mehmeti. Kjo përmbledhje përbënte jo vetëm një pasqyrë të nivelit të lartë të krijimtarisë letrare të Kosovës, por edhe një sinjal të qartë se poezia mund të përfaqësojë një ndërgjegje politike dhe kulturore më të thellë sesa propaganda e kohës. Në këtë kontekst, Ali Podrimja shfaqej si “biri i Kosovës”, që dinte t’i jepte zë dhimbjes, mallit, kujtesës, por edhe revoltës së brendshme që buronte nga mohimi historik.

Poema e tij emblemë, “Unë, biri yt Kosovë”, nuk është thjesht një shprehje e dashurisë për vendlindjen, por një akt i njohjes intime të plagëve historike të një kombi. Ai e njeh Kosovën si të ishte vetë trupi i tij: me gjak, me vdekje, me lindje të bardha, me netë të pagjumta. Vargjet e tij shndërrohen në një hartë ndjenjash që lexohen si akte poetike të vetëdijes kombëtare.

Në veprën “Republika”, Platoni kishte përjashtuar poetët nga shteti ideal me arsyetimin se dobësonin shpirtin luftarak të qytetarëve. Historia e letërsisë botërore, por sidomos ajo shqiptare e shekullit XX, ka dëshmuar të kundërtën. Në rastin e Kosovës, pikërisht poetët si Podrimja ishin ata që ruajtën gjallë identitetin shpirtëror të kombit në një kohë kur ai rrezikohej të tretet nën ideologjitë internacionaliste dhe kolonializmin kulturor. Arti i tij nuk ishte thjesht estetikë; ishte mjet rezistence.

Poema “Ankthi” është një kulm i ndjenjës së braktisjes dhe përgjegjësisë njëkohësisht. Aty gërshetohen simbolika mitike dhe konkrete: toka që digjet, skamja që lidh këmbët, zogjtë e ngrirë në ajër — të gjitha këto shndërrohen në metafora të një realiteti të vështirë për t’u përballuar, por të pamundur për t’u mohuar.

Stili i Podrimjes ishte një refuzim i hapur i retorikës së zbrazët. Ai e përmbyste hierarkinë tradicionale të vargut, duke u fokusuar tek fjala si akt i shenjtë. Fjalët e tij janë të kursyera, të ngjeshura, të përzgjedhura me një intensitet që i jep poezisë një dimension etiko-ekzistencial. Tek “Me jetue”, ai i drejtohet të birit, Lumit, me një testament poetik të thjeshtë por të thellë: të jetosh, të ecësh më tej, të mos lehtësosh kurrë veten përballë historisë.

Ky modernizëm formal nuk ishte eksperiment për hir të estetikës, por pasqyrë e fragmentimit të shpirtit shqiptar në një epokë ndarjeje dhe përjashtimi. Poezia e Podrimjes nuk përpiqej të stoliste dhimbjen, por ta shfaqte lakuriq, me tërë tragjikën e saj. Tek “Epika” ai shpall me ton biblik: “Kosova është gjaku im që nuk falet”, një varg që ka hyrë në ndërgjegjen kolektive shqiptare si një stigmë e papërpunueshme.

Poezia “Parisi, vendlindja” e paraqet më së miri dimensionin universal të poezisë së Podrimjes. Ai ndërton një urë mes fshatit të tij të thellë dardan dhe metropolit europian, por nuk dorëzohet përballë shkëlqimit të Parisit. Ai shkon atje me fyellin — simbol i memories dhe identitetit shqiptar — si mjet për të ruajtur qenien e vet dhe për të treguar se moderniteti nuk është harrim, por integrim i kujtesës. Ai nuk do të përkulet para perëndive të krisura të kohës; përkundrazi, përballë klosharëve të natës pariziene, do të ndiejë erën e ftoit të vendlindjes.

Shuarja e Podrimjes në vitin 2012, në një mënyrë të mistershme në Francë, ishte si një simbolikë e fundit poetike: bardët nuk vdesin në vendin e tyre, por në udhëtim — të vetmuar, si yje që bien në një natë të zezë. Por vdekja e tij nuk ishte heshtje. Ai vetë e kishte parashikuar: “Në trupin tim / plaga më e thellë”. Në poezinë “Rënkimi”, ai i drejtohet rrafshit të Dukagjinit me një klithmë që i kapërcen kufijtë e letërsisë: është një klithmë metafizike për një drejtësi të munguar, për një plagë që nuk mbyllet, për një atdhe që nuk mund të ndalet në vaj.

Ali Podrimja nuk ishte vetëm një poet i Kosovës. Ai ishte një poet i Shqipërisë në kuptimin më të thellë të saj: i trungut të ndarë, i fjalës së mohuar, i kujtesës së rrezikuar. Ai ishte bashkëkohës me të gjitha sfidat e shekullit XX, por njëkohësisht përtej tyre: një udhëtar mes gjuhës dhe vetëdijes.

Nëse Homeri rrëfeu epopenë e Trojës, Podrimja rrëfeu epopenë e Kosovës. Në vend të kalorësve, ai kishte metafora. Në vend të shpatave, kishte fjalë. Por plagët ishin po aq të thella.

Prandaj, nëse sot duam të kuptojmë historinë, kulturën dhe identitetin e Kosovës moderne, nuk mund ta bëjmë pa kaluar përmes vargjeve të këtij bardhi modern, që me një trup të pakët e zë të butë, bëri që fjala shqipe të ushtonte në bjeshkët dhe në metrotë e Evropës.

“Ma jep besën, Lum Lumi,

se nuk do të harrojmë vendlindjen.”

— Ali Podrimja

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT