• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2025

DASHURIA E ZJARRTË PËRBALLË MORALIT DHE DINJITETIT 

July 28, 2025 by s p

KOSTA NAKE/

Kjo poemë liriko-epike është një nga stolitë e letrave shqipe të fillimit të shekullit ’20 në Shqipëri, e shkruar me varg 8-rrokësh dhe me rimë të përputhur që e bën të perceptohet si bashkësi distikësh.

Tema e poemës është bibliko-kuranike, me ngjarje të lashtësisë që fokusohen te dy personazhe kryesorë: Jusufi – një nga 12 djemtë e Jakubit dhe Zelihaja – bashkëshortja e Azizit, ministër në pallatin mbretëror në Misir. Poema fillon me ëndrrën e Jusufit ku i shfaqet njëmbëdhjetë yje, dielli dhe hëna. I ati e këshilloi ta mbajë të fshehtë, po Jusufi ia tregon njërit prej vëllezërve. 

“Po dolli nga buzët fjala

Meret vesh dhe zjen mëhalla…” (f.14)

Numri i djemve mund të jetë nga dy e lart, por zgjedhja e numrit dymbëdhjetë ka të bëjë me një konceptim teologjik dhe shkencor të lëvizjes periodike dhe qarkullimit natyror. Njëmbëdhjetë djemtë e tjerë të Jakubit janë të pakënaqur me të atin që e mban më afër Jusufin, prandaj ka një marrëveshje vëllazërore të tyre për të goditur të privilegjuarin. Pse ka ndodhur ky diferencim që bie në sy dhe kthehet në problem serioz? Sepse Jusufit i vdiq e ëma kur ai ishte vetëm dy vjeç dhe u rrit nën kujdesin e hallës. Po ky fakt, sado i dhimbshëm, i përket të shkuarës dhe nuk u thotë asgjë vëllezërve të tjerë. Propozimet e tyre në takimin e fshehtë janë të ndryshme: (Jusufi) do tërkuzën (= ta varim), ta lemë në shkretëtirë, (f.15), t’i hiqet shpata (=ta vrasim), të gjejmë një pus te fellë. (f.16) Mbeti propozimi i fundit. Ia mbushën mendjen babait për ta marrë me vete Jusufin në lojërat e tyre larg shtëpisë, e hodhën në pus ku mbijetoi për tri ditë pa gjumë, kurse të atit i treguan këmishën e përgjakur si dëshmi e përfundimit në gojën e ujkut. 

“Sheh këmishën pa cënuar

Kupëtoj ç’kanë punuar.” (f.24)

Në kontekstin fetar, Jusufi u mor në mbrojtje nga Xhebrail Emini duke i ofruar aty brenda një gur si mjet shpëtimi. Një karvan ndalon për të pirë ujë dhe Jusufi kapet pas kovës që përdorën udhëtarët. Po vëllezërit rishfaqen aty si xhelatë të viktimës dhe Maliqi, një nga shpëtimtarët, ua ble vëllezërve për një zollotë. Kur arrijnë në Misir, Jusufi tërheq vëmendjen e egjiptianëve me bukurinë e vet dhe për marrjen e tij ofrohen torba me florinj. Po është Zelihaja që do ta dërgojë të shoqin ta marrë për një barrë me florinj. Zelihaja e merr si shërbëtor, por e do si një dashnor, kurse ministri Aziz e merr si skllav dhe e trajton si oborrtar

Letërsia botërore, duke filluar nga Helena e Trojës, e ka patur bukurinë e femrës si shkak të dueleve mes mëtuesve që marrin përmasa të paparashikueshme, deri te luftra midis popujve. Këtu ndodh e kundërta: Zelihaja, edhe pse është e martuar, e dashuron çmendurisht, kurse Baziaja, një tjetër vajzë bukuroshe vetëflijohet për të, pa përmendur vajzat e tjera të oborrit mbretëror që janë të gatshme të bëhen pjesë e haremit të tij. Është një artificë artistike që refuzimin e Jusufit e kthen në një akt të lartësimit moral, të shpalosjes së dinjitetit njerëzor dhe durimit islam. Dinjiteti ka në thelb vlerën e çdo qenieje njerëzore, pavarësisht nga origjina, rrethanat, mundësitë vetjake. Ai e mbron njeriun e ndjeshëm nga viktimizimi dhe kërkon që të tjerët ta trajtojnë me etikë, respekt dhe ndershmëri. Mund të përdorim dhe shprehjen “qëndrim dinjitoz” dhe kjo mund të karakterizojë jo vetëm individin, por edhe grupin dhe aparatin shtetëror që prodhon ligjshmëri, të drejta njerëzore dhe drejtësi shoqërore. Në këtë vështrim, poema ka vlera edhe për sot. Zjarri i dashurisë që është si diell për njerëzimin, befas ndesh një korracë morale që mbron të mirën përballë të keqes, të drejtën përballë të gabuarës; zjarri duhet të kalojë përmes një filtri që rregullon marrëdhëniet mes njerëzve. 

Historia e Jusufit dhe Zelihasë ka qenë objekt i veprave letrare persiane, arabe dhe turke, mes tyre Firdeusi i famshëm i “Shahnameja”. Dashuria e zjarrtë e Zelihasë për Jusufin përkon me temat e dashurisë platonike, dashuri që kulmon me akuzë ndaj të dashurit që nuk jepet dhe përfundon në burg. Para se ta sillte Hafiz Ali Korça me këtë poemë, raportin që krijohet mes dashurisë dhe moralit e ka sjellë Pjetër Budi me thënien e bukur “të mos zilepnjësh gruan e tjetrit”, thënie që ngazëlloi kolegët e mi 40 vjet më parë pasuniversitarë kur ua thashë.

“Në gjumë m’është rëfyer

Zemër shpirt m’i ka rëmbyer, 

Për të po më dredhin ethet,

Për të zemra po më ngjethet.

Për të sytë gjith më qajnë,

Për të bëj kujen dhe vajnë.

Për të s’më hahet s’më pihet,

Për të s’më flihet s’më flihet… 

Më dogji shpirtin më piku

Më rëmbeu zemrën dhe iku.

Më s’e kam veten në dorë

S’fle tër natën, mas oborë…

Me ato flokët e tija

Janë lidhur ment e mija.” (f.29)

Një pikë tjetër kulmore është kërkesa e Zelihasë për vajzat e oborrit mbretëror që të bëjnë gjithçka për ta futur në mëkat Jusufin:

“Helmë në ju dhëntë, ta pini!” (f.49)

Shfrimi i ndjenjave të dashurisë ka karakter lirik subjektiv dhe nota dhimbjeje. Edhe peizazhi është shoqërues i atmosferës lirike.

“Qe një kopsht i bukur shumë

I shkonte përmes një lumë…

Javitur shkëmbenj me gurë,

Stolisur me lloje drurë,

Kishte çelur e gjethuar

Me trëndafilë rrethuar…

Sipër zoqtë ligjërojnë,

Përposh bimrat gjelbërojnë…

Pjergullat krahët lëshuar

Drurët i kanë gushuar…

Kërcente ujët përpjetë

Pej kollonit si shigjetë…” (f.48)

Mjediset e brendshme të pallatit po ashtu krijojnë imazhe të ngjashme me ato të natyrës:

(Dhoma) “e shtatë fort zbukuruar

Me kafshë, me zogjër shkruar,

Me lloje lule e drurë

Qëndisur tavan e murë,

Me një mjeshtëri të gjallë

Parajsi jashtë kish dalë.” (f.55)

Linja e dashurisë së Zelihasë pasohet me një degëzim tjetër domethënës: atë të Baziasë, një tjetër vajze të bukur, që “i ra në kokë rebeshi” me Jusufin pa e parë, vetëm nga ato që kish dëgjuar. Nëse refuzimi i Zelihasë mbështetej mbi një kod moral – mirënjohja ndaj bashkëshortit të saj që nga skllav e ngriti lart si të barabartë, për Bazianë nuk kishte asnjë pengesë dhe refuzimi i Jusufit ka pasoja tragjike, e bën vajzën të vetësakrifikohet.

“Plaçka, enë, shtresa, drithë,

Elmas, florinj, ç’pati gjithë

Nëpër të varfërit tërë

I ndau, s’mbajti gjilpërë…

Binte përmi pluhrat flinte

E kokën mi gurt e vinte…

Falej, lutej goc e mjerë,

Gjersa vdiq s’dolli njëherë…” (36)

Dashuritë e mëdha, prodhojnë drama dhe tragjedi të mëdha. Zelihaja dha urdhër të ngrihet një pallat për Jusufin dhe, kur të dy hyjnë në shtatë oda, ajo “i heth derës katinarë” për t’u fshehur nga sytë e botës, për të bërë që baruti të rrijë “tok me zjarrë”, “se po mori vesh Arizi/m’i nxjer petkat ngaj kurizi”. Por edhe ky investim është i padobishëm përballë durimit islam. Zelihaja humb edhe mundësinë e fundit për t’u lëshuar nga kuvlija e dashurisë, e etur për të si “një që për ujë zhuritet”. Jusufi largohet këmishëgrisur dhe të dy ndodhen befas para Azizit. Zelihaja kthehet në grua agresive dhe e akuzon të dashurin për të dalë nga situata e vështirë, rrjedhimisht bën që në sytë e Azizit Jusufi të kthehej nga ata njerëz që “ha kripën e shëmp kripaniknë/ si ngrohet fëlliq kllaniknë.” Po ka një detaj shpëtues te këmisha e grisur që një grua nga fisi i Zelihasë ia zbuloi Azizit:

“Përpara në qëntë çarë,

Zelihaja është e larë.

Prapa grisur po të jetë,

Fajnë djali do ta ketë.” (f.68)

Jusufi përfundon në burg për të mbyllur skandalin. Atje bëhet zbërthyes i ëndrrave. Aristoteli, duke patur parasysh pasojat negative në raportet njerëzore ka thënë: “Njeriu ideal duron aksidentet e jetës me dinjitet duke bërë më të mirën e rrethanave.” Pas njëmbëdhjetë vitesh shpjegon ëndrrën e mbretit me shtatë qe të majmë që dalin nga deti dhe pas tyre shtatë të dobët, shtatë kallinj të gjelbër dhe shtatë të thatë – bollëku dhe skamja, lulëzimi i natyrës dhe thatësira e madhe. Numri shtatë shfaqet edhe te numri i dhomave që porosit Zelihaja për pallatin e Jusufit. Në Islam numri 7 ka kuptim simbolik, përfaqëson plotësinë, pafundësinë dhe rregullin hyjnor.  Shtata është pjesë e Haxhit me rrotullimin shtatë herë rreth Qabesë. Xhehnemi ka shtatë porta. Zbërthimi i ëndrrës së mbretit, jo vetëm e liron Jusufin nga burgu, por e vë atë në krye të punëve të mbretërisë për të siguruar ushqim për vitet e urgjisë që do vinin. Ndërkohë ministri Aziz largohet nga oborri mbretëror dhe familja e tij merr rrokullimën, Zelihaja varfërohet ekonomikisht dhe plaket fizikisht.

“Se ç’punon, ah, mokr’ e qjellit

Gjith i bije ndryshe fyellit. (f.89)

Zelihaja ra në gjendjen e Baziasë: ngrihej natën si bufi, hiqej zvarrë si gjarpri, u verbua së qari, u zverdh si fije bari, vinte plithar në vend të jastëkut, flinte jo vetëm përdhe, por edhe pa rrogoz. Por Zoti kishte rezervuar një fat të ndryshëm për të. Ajo gjen forca dhe del para Jusufit, kur ai kalëron aty pranë. Siç fali vëllezërit, Jusufi fali dhe Zelihanë, madje dashuria dhe kujdesi që tregoi për të, ia rikthyen asaj tiparet e rinisë. Fati ishte parashkruar dhe ishte shfaqur në ëndrrat e Zelihasë, por vjen dhe zbulimi i papritur: martesa e saj me Azizin ishte e pakonsumuar, Azizi nuk ishte në gjendje të bënte pjesën e vet për lindjen e fëmijëve dhe ajo kishte mbetur e virgjër. Tashmë s’kishte asnjë pengesë që Jusufi të martohej me Zelihanë.

“Njerës nuk m’u nqasnë kurrë,

Me elmas ta shponin gurë.” (99)

Pastaj ngjarjet përsëriten në kahe të kundërt:

“Çudi e madhe ka ngjarë

 një nat’ e ka ngarë,

Ajo ngaj duart i iku

I ra pas e rroku miku,

Këmishës dorën ja shtiri,

Së mjerës ju gris pëqiri.” (101)

Skenat erotike ia lënë vendin kthimit në problemet e vendit dhe të familjes. Vitet e zisë së bukës sollën vëllezërit e Jusufit në Misir për të kërkuar ndihmë, pa e ditur sa lart ishte ngjitur vëllai i tyre i mohuar. Përballë xhelozisë së vëllezërve kemi tolerancën e Jusufit, mëshirën dhe mirëkuptimin. Nga takimi me vëllezërit Jusufi mëson se paska dhe një vëlla të vogël që ka mbuluar plagën e vjetër të babait dhe u vuri kusht që ta sillnin vëllanë e vogël, Benjaminin, për të përfituar ndihmë në vazhdimësi. Është Benjamini që mëson i pari se ndodhet para vëllait të humbur. Pastaj rizbulohet ajo që ndodhi 30 vite më parë mes vëllezërve. Në një nga udhëtimet e radhës drejt Misirit, ata sjellin një letër nga i ati ku zbulohet origjina me shpjegim biblik e kuranor. Futet në skenë një Judë dhe këmisha e përgjakur që Jakubi e njeh nga era se është e të birit. Është momenti kur duhet deklaruar përkatësia fetare.

“Jusufnë, – tha, – qysh e latë?”

“Është, – thanë, – mbret i lartë.”

“Rëfeni, si e ka fenë?”

“Fenë e ka islam…” (f.119)

Jakubi plak shkon për vizitë në Misir tek Jusufi mbret, një takim mallëngjyes.

“Buçet kujeja e vaji

Lott’ u venë si shi maji.” (f.120)

Vitet rrjedhin si lumi. Pas 24 vitesh të qëndrimit tek i biri, Jakubi duhet ta lërë këtë jetë. 23 vjet pas të atit, është radha e Jusufit të largohet si elegji e bukur me atë kërkesën prekëse për Zelihanë:

“Sillmani ta shoh njëherë

Se do mbetet fort e mjerë.” (f.123)

 Skena e fundit për Jusufin:

“Xhibrili i jep një mollë.

Mollës buzët pa lëshuar

Drita që kur paske shuar.” (f.123)

Vdekja e Jusufit ishte e papërballueshme për Zelihanë, i shkaktoi një traumë të rëndë dhe një gjendje përhumbjeje të dhimbshme:

“Ç’ke që s’del e bukur hënë?

Ç’pate djellë, pse u zure?” (f.124)

Derisa vjen çasti i fundit edhe për të:

“Lot prej gjaku gjith i derdhej,

S’hante, s’pinte, ligej, zverdhej.” (f.125)

Fundi i lumtur i të dyja linjave: dashuria vëllazërore dhe dashuria burrë – grua, është në përputhje me moralin shoqëror dhe gjendet edhe te përrallat e të gjithë popujve; shoqëruar me një linjë ndodhish që përligjin rrjedhën e papritur të ngjarjeve. Metaforat dhe krahasimet, hiperbolat dhe enumeracionet që janë si qëndisma mbi subjekt, jo vetëm krijojnë atmosferë e mjedise, por edhe marrin ushqim prej tyre: dielli, hëna, qielli dhe yjet nga njëra anë dhe leksiku i mjedisit shtëpiak dhe botës së kafshëve nga ana tjetër janë brumi i përpunuar në magjen poetike.

Prej rënkimit dridhen malet, (f.36) Jam balt’ e këpucës tënde, (f.44) Se ç’punon ah mokr’ e qjellit, (f.89) Jusufi atje kur zbriti/Pandehnë se djelli ndriti, (f.27) Kush më sheh digjet si eshkë, (f.50), Merimaga ngrehu tendë/Si bujku që heq parmendë, (f.64) E nveshn, e ngjeshnë, e krehnë, (f.22) Kali i tij kur hingëllonte,/Mali edhe fusha lonte. (f.91) etj.

Poema ul siparin me vdekje të njëpasnjëshme të figurave kryesore si një deklarim për fatin e përbashkët të atyre që lindin dhe e dorëzojnë në duart e Zotit. Goditja që mori feja nga diktatura ateiste e proletariatit dhe mungesa e një mjedisi shqiptar në poemë e mbajtën atë të mbyllur në kasafortën e heshtjes.

(Poema “Jusufi me Zelihanë a më e bukura e ngjarjeve”, (1896)

Hafiz Ali Korça, Vepra 3, Shkup 2006)

Filed Under: LETERSI

TA KUJTOJMË ME NDERIM PROFESORIN DEMOKRAT ARSHI PIPA

July 28, 2025 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

In memoriam/

U mbushën 105 vjet nga lindja dhe 28 vjet nga vdekja e profesor Arshi Pipës, njërit nga tre disidentët më të shquar të ish vendeve komuniste, sikurse e kanë cilësuar. Intelektual me profil të spikatur atdhetar, ai ishte kundërshtari më i madh ndaj çdo diktature në përgjithësi dhe asaj komuniste në veçanti. Nuk e kishte vetëm nga librat urrejtjen për atë sistem gjakatar, por e kishte provuar hakmarrjen barbare të atij sistemi mbi kurrizin e vet dhe të familjes së tij. Bir i një juristi me ide përparimtare nga Libohova për të cilat kishte kryer edhe burgimin, vendlindja e tij qe Shkodra, qyteti me kulturën e njohur dhe prirjet më evropiane e demokratike i Shqipërisë. Shkollën fillore dhe atë të mesmen, Arshiu i kreu pranë Kuvendit Jezuit, ku dhe dolën në pah prirjet e tij letrare qysh kur ishte 16 vjeç. Studimet e mëtejshme i vazhdon në Firencen e historisë dhe artit magjik, ku pasi përfundon Universitetin, laureohet doktor në Filizofi. I mahnitur pas “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligierit dhe lirikave të tij novatore, si dhe nga vepra e poetit dhe historianit Francesco Petrarca, ai përvetëson disa gjuhë të huaja dhe bëhet adhurues i holandezit me origjinë hebreje Baruch Spinoza, Berklit etj. Por krahas admirimit për gjithçka të mirë kishte trashëguar Italia, ai kuptoi shpejt se ku donte ta shpinte atë doktrina fashiste të cilën e urren dhe e lufton së bashku me vëllanë e tij, avokatin me emër Myzafer Pipa. Pas çlirimit të vendit, ai gjithashtu kupton demagogjinë e sistemit që partia komuniste me Enver Hoxhën në krye po instalonin në atdheun e tij dhe nuk e fsheh mospajtimin me të, gjersa në vitin 1946 e arrestojnë së bashku me të vëllanë i cili pak më parë kishte qenë i internuar nga fashistët në Ventotene dhe më pas në Prishtinë nga nazistët gjermanë. Krimi i këtij të fundit kishte qenë se duke kryer detyrën e tij si avokat, ai kishte marrë përsipër mbrojtjen në gjyqin special të “armiqve të popullit”, pjesëmarrës në grupin e deputetëve. Në pohimet e Koçi Xoxes e Vaskë Kolecit, kur u erdhi vetë radha për të dalë në gjyq, deklarohen torturat çnjerëzore që u përdorën ndaj tij derisa vdiq. Arshiun 26 vjeçar e dënojnë me 11 vjet burgim. Në burg, Arshiu shkruan poezi plot brengë e dhimbje në letra cigaresh dhe i nxjerr ato me anën e rojës së burgut, njeriut të ndershëm Hasan Gjozaj të cilit i mbetet mirënjohës, për t`ua dhënë motrave të cilat përjetuan gjithashtu egërsinë e regjimit. Koha e vuajtjes së dënimit në kënetën famëkeqe të Maliqit, torturat dhe mizoritë që ai pa dhe provoi atje, janë përshkruar me art dantesk te “Libri (i tij) i burgut”. Ja si shkruan ai këtu: “Na shkulin thonjt me danë, ndër plagët krypë, / na këllasin e na shtyjnë / n`gërmaz me grushta, e uj kur bajm me lypë / qeshin e na pështyjnë. / na lagin dimnit qelat, elektrikun / na venë ndër veshë e gojë, / e deri ndër turpe… E qeshin tue na fikun cigaret n`sy për lojë.” Si mbaron afati i dënimit, dhe sheh se për të nuk ka asnjë perspektivë, Arshiu gjen mundësinë dhe në vitin 1958 largohet nga Shqipëria dhe përfundon në SH.B.A. vend ku demokracia krijonte mundësi të reja. Këtu, ai pas përpjekjeve të pareshtura, caktohet për të dhënë mësim në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe pastaj në Universitetin e Minasotës ku jep lëndën e tij të preferuar, atë të letërsisë italiane. Bie në sy erudicioni i tij i jashtëzakonshëm në disa fusha si gjuhësi, letërsi, filozofi, sociologji, publicistikë etj. dhe në këto vite shkruan e boton veç librit të sipërpërmendur edhe një mori veprash të tjera që e bënë mjaft të njohur si “Lundërtarë”, “Rusha”, “Meridiana”, “Kritika letrare”, “Montale dhe Dante”, “Jeronim De Rada”, “Letërsia shqipe: perspektiva sociale”, “Letërsia bashkëkohore shqiptare”, “Vargu popullor shqiptar”, “Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste”, “Shqipëria staliniste. Aspekte ideopolitike”, “Studime mbi Kosovën”, “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare”, “Fan Noli si një nga figurat kombëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare”, “Humanistët italo – shqiptarë”, libri i shkruar në burg qysh në 1955 “Skica e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun” (italisht) etj. I palodhur, si studiues dhe polemist i pakompromis, ai ka marrë pjesë aktive në shumë simpoziume e takime shkencore, dhe ka botuar një sërë artikujsh me shumë vlerë në revista të ndryshme si në Amerikë ashtu edhe në Evropë. I djegur nga malli e dashuria për atdheun e tij, me përmbysjen e komunizmit, Arshiu , tani i renditur krahas Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, erdhi në Shqipëri, ku pa se ëndrra e tij ishte bërë realitet. U çmall me njerëzit e tij të dashur, motrat e tij të shtrenjta, Bukurushin, Nedretin dhe burrat e tyre, intelektualë të mrekullueshëm, të ndjerët shkrimtarë Bardhyl Shehu dhe Uran Kalakulla i cili kishte kaluar plot 21 vjet në burgferrin shqiptar të asaj kohe së bashku me të respektuarin demokrat Pjetër Arbnorin.  Në moshën 77 vjeçare profesor Arshi Pipa, tani i vlerësuar në vendin e tij, ndërron jetë në Washigton. Besimi i tij te demokracia, neveria e hapur ndaj diktaturës, urretja për barbarinë komuniste, guximi qytetar për t`i shprehur bindjet e veta, karaktei i tij i pathyer, mosnjohja e asnjë kompromisi me të keqen, etja e pashuar për dije, vullnet për të krijuar sa më shumë, dashuria për vendin e tij, ishin tiparet kryesore të këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Nuk e di në ç`rrethana filozofi materialist anglez Tomas Hobsi të cilin dua të besoj se vetë ai nuk do ta ketë pasur dhe aq për zemër, pati thënë se “Çdo njeri është i rëndësishëm pasi vdes”, por di se vepra e tij shumëplanëshe dhe përherë në shërbim të kulturës tonë, e bënë Arshi Pipën jo vetëm të rëndësishëm, por edhe të pavdekshëm. Se fjala dhe mendimi i tij, nuk lindën thjesht nga talenti, por edhe pse, sikurse thotë vetë: “Ndër gropa burgjesh shkrye për gurë e baltë; / mbërthye qelash ndër pranga, / nga gjoksi i shtypun shungullon ma e naltë / kur del prej s`thelli kanga.” Se ai gjithmonë ka pasur bindjen e Tomas Fulerit se “E sotmja është nxënësja e të djeshmes.”

Filed Under: Histori

Presidentja dhe Kushtetuta përballë një Kuvendi të Pa-konstituar

July 28, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

I. Konteksti kushtetues: Fundi i afatit dhe fillimi i krizës institucionale

Më 26 korrik 2025 përfundoi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 9 shkurtit. Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit 60-ditor të paraparë në nenin 66 të Kushtetutës nuk përfaqëson thjesht një krizë politike – ai përbën një boshllëk serioz kushtetues, i cili e paralizon funksionimin demokratik dhe institucional të shtetit. Ky realitet imponon nevojën për veprime urgjente, të mençura, të përgjegjshme dhe plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

II. Çka ndodhi konkretisht?

Për më shumë se katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, deputetët e Kuvendit të ri nuk arritën të përmbushin aktin themeltar të konstituimit – zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Seanca e fundit, e mbajtur më 26 korrik 2025, përfundoi pa ndonjë vendim konkret, ndërkohë që disa deputetë tentuan të lënë të hapur idenë se ajo seancë mund të “vazhdohet” në një datë të mëvonshme. Kjo është një keqinterpretim i rëndë dhe krejtësisht i papranueshëm i normave kushtetuese.

As Kushtetuta, as Ligji për Kuvendin nuk njohin një të drejtë për “vazhdim të seancës konstituive” përtej afatit të përcaktuar kushtetues. Përkundrazi, çdo përpjekje për të ndërmarrë veprime pas skadimit të afatit është juridikisht e pavlefshme dhe politikisht e papërgjegjshme. Deputetët që tentojnë të veprojnë në kundërshtim me këtë afat bien ndesh me rendin kushtetues dhe shkelin obligimin solemn të dhënë me betim publik.

III. Ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese: Masa mbrojtëse dhe ndalimi i veprimeve të mëtejme

Në kushtet e përshkallëzimit të krizës institucionale dhe vakumit kushtetues, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ndërhyri me vendosmëri, duke miratuar një masë të përkohshme mbrojtëse, me fuqi të menjëhershme dhe detyruese për të gjithë aktorët institucionalë.

Kjo masë ndalon në mënyrë të qartë dhe taksative:

-Thirrjen e ndonjë seance të mëtejshme për konstituimin e Kuvendit;

-Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit ose të ndonjë organi tjetër të tij;

-Miratimin e ndonjë akti apo vendimi parlamentar pas datës 26 korrik;

-Çdo pretendim se “procesi është ende në zhvillim”.

Çdo veprim që shkel këtë masë përbën cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe mund të pasohet me konsekuenca juridike, përfshirë përgjegjësinë individuale për shkelje të Kushtetutës.

IV. Presidentja e Republikës: Garante e rendit kushtetues

Në këtë situatë të paprecedentë, Presidentja e Republikës ka rol kushtetues të pazëvendësueshëm. Neni 84 i Kushtetutës përcakton qartë se Presidentja është garantuese e funksionimit të institucioneve kushtetuese dhe e rendit kushtetues në tërësi. Ky detyrim nuk është simbolik, ceremonial apo deklarativ – është një kompetencë e drejtpërdrejtë dhe obligim i prerë kushtetues.

Nëse Gjykata Kushtetuese, më 8 gusht 2025, konstaton përfundimisht dështimin e procesit të konstituimit, atëherë Presidentja është e autorizuar dhe e detyruar të:

  1. Shpërndajë Kuvendin e pa-konstituar;
  2. Shpallë zgjedhje të reja parlamentare, në afatet që përcakton Ligji për Zgjedhjet;
  3. Garantojë vazhdimësinë e institucioneve dhe stabilitetin kushtetues të vendit.

Çdo hezitim, zvarritje apo neglizhencë në marrjen e këtyre veprimeve do të përbënte shkelje të betimit kushtetues të Presidentes, e cila ka deklaruar solemnitet për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të ligjshmërisë.

V. Të ndalohen keqinterpretimet dhe manipulimet politike

Për të shmangur konfuzionin dhe mashtrimin publik, është thelbësore që:

-Të sqarohet qartë se nuk ka bazë ligjore për konstituim të vonuar;

-Nuk ekziston asnjë e drejtë për “vazhdimin” e seancës pas skadimit të afatit kushtetues;

-Deputetët që tentojnë të ushtrojnë funksione jashtë afatit, nuk përfaqësojnë më vullnetin legjitim të sovranit, por ndjekin qëllime politike të papajtueshme me parimet e shtetit të së drejtës;

-Zbatimi i Kushtetutës nuk është çështje vullneti, por detyrim juridik dhe moral – dhe asnjë kompromis politik nuk mund të mbivendoset mbi normat themelore të shtetit.

VI. Shteti i së drejtës nuk duhet t’i nënshtrohet vullnetit politik

Sistemi kushtetues i Kosovës bazohet në:

-Ndarjen dhe balancimin e pushteteve;

-Funksionimin e rregullt dhe demokratik të institucioneve;

-Respektimin e detyrueshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Këto parime janë të panegociueshme dhe nuk mund të cenohen nga asnjë aktor, përfshirë partitë politike apo individë të caktuar që veprojnë në funksion të interesave të pushtetit dhe jo të shtetit.

Nëse e shkelim Kushtetutën për të ruajtur pushtetin, atëherë kemi humbur edhe vetë shtetin.

VII. Thirrje për veprim institucional dhe qytetar

Sot, më shumë se kurrë, kërkohet:

-Integritet dhe vendosmëri nga Presidentja e Republikës;

-Zbatim i pakushtëzuar i masës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese;

-Vetëpërmbajtje dhe përulësi nga deputetët e Kuvendit;

-Përgjegjësi dhe qartësi nga media dhe shoqëria civile;

-Maturim dhe largpamësi nga të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë.

Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë ruajtjen e legjitimitetit të shtetit dhe besimin e qytetarëve në rendin demokratik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kosova është republikë parlamentare dhe shtet i së drejtës – askush nuk është mbi Kushtetutën

Filed Under: Opinion

AMERIKA (2025) FESTOI 249-VJETORIN E PAVARËSISË, LIRISË DHE DEMOKRACISË

July 28, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

 A person standing at a podium with a flag behind him

AI-generated content may be incorrect.Edhe amerikanët, përfshirë shqiptaro-amerikanët, duhet të zgjohen, në këtë ditë të Pavarësisë dhe të dëgjonë fjalët e Ronald Reaganit se, “Liria nuk është kurrë më larg se një brez nga zhdukja…” Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Lirisë e të Demokracisë!

A flag flying in front of a building

AI-generated content may be incorrect.

Të nderuar miq! Ju uroj të gjithëve 4 Korrikun! Amerika sot po feston 249-vjetorin e Pavarësisë të lirisë e demokracisë — në përgatitje për të festuar vitin që vjen 250-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Presidenti Ronald Reagan ka paralajmëruar bashkatdhetarët e tij kur ishte gjallë se “Liria nuk është kurrë më larg se një brez nga zhdukja”: “Freedom is never more than one generation away from extinction. We didn’t pass it to our children in the bloodstream. It must be fought for, protected, and handed on for them to do the

same, or one day we will spend our sunset years telling our children and our children’s children what it was once like in the United States where men were 

free.”  Sa me vend ky paralajmërim i Presidentit Ronald Reagan.

50-vjet më parë, si student i ardhur rishtas në këtë vend në Nju Jork, si refugjat politik jam përballuar me një frymë socialiste-komuniste në bankat e shkollës, një frymë që promovohej nga profesorët e mi. Merreni me mend, si student i arratisur nga komunizmi, i ardhur në Amerikë në vitin 1970 për të gëzuar lirinë e demokracinë amerikane, të dëgjoja lavde dhe merita të komunizmit e socializmit, si alternativa për demokracinë amerikane. Në atë kohë u mundova të shpjegoja përvojën time nën komunizëm me disa shkrime modeste dhe argument, të cilët qëndrojnë edhe sot e kësaj dite, si më poshtë. “Nuk e di nëse sot 50-vjet më vonë është një përputhje rasti apo një përsëritje e historisë.

Por për fat të keq, ja ku jemi sot, në 249-vjetorin (në prak të 250-vjetorit) të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara — një kërcënim tjetër ndaj lirisë dhe demokracisë amerikane. Në qytetin më të madh të Amerikës në Nju Jork qëndrën kryesore të kapitalizmit dhe të financave në botë ngre kryet e shëmtuar një kandidat për kryetar bashkie që haptazi e deklaron veten socialist-demokrat, i cili fitoi zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate amerikane kohët e fundit duke promovuar qëndrime politike radikale që nëse fiton në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor, politikat e tija të prononcuara, do të shkatërrojnë qytetin e Nju Jorkut, nga ai që e njohim sot. Kemi të bëjmë me një të ri 33-vjeçar i papërvojë politiko-ekonomike një djalosh i lindur në Ugandën e Idi Aminit — Kasapit të Ugandës — i quajtur Zohran Mamdani, “socialist-demokrat”, që disa e quajnë komunist e që është bërë shtetas amerikan vetëm 7 vite më parë. Siç duket një gënjeshtar i pa identitet, që sipas gazetës Nju Jork Tajms në të kaluarën, herë është deklaruar me origjinë indiane e herë si zezak e herë të tjera afrikano-amerikan. Faji, natyrisht, është i votuesve të Partisë Demokrate në Nju Jork që votuan për një socialist, plani i të cilit është të falimentojë, financiarisht, Nju Jorkun me politikat e tija socialisto-komuniste.

Edhe amerikanët, përfshirë shqiptaro-amerikanët, duhet të zgjohen, në këtë ditë të Pavarësisë dhe të dëgjojnë fjalët e Ronald Reaganit se, “Liria nuk është kurrë më larg se një brez nga zhdukja…”, Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Lirisë e të Demokracisë!

Frank Shkreli

A newspaper with text on it

AI-generated content may be incorrect.
A close-up of a newspaper

AI-generated content may be incorrect.

Filed Under: Fejton

COUNTRY LIFE (1940) / FYTYRA E SHQIPËRISË, ATY KU LINDJA BASHKOHET ME PERËNDIMIN, MESJETA ME MODERNEN (RRËFIM)

July 28, 2025 by s p


Tregu i Gjirokastrës, ku në krye shihet Bashkia, mbrojtja e fundit e Bersaglierëve. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Tregu i Gjirokastrës, ku në krye shihet Bashkia, mbrojtja e fundit e Bersaglierëve. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Korrik 2025

“Country Life” ka botuar, të shtunën e 28 dhjetorit 1940, në faqet n°560 – 562, rrëfimin e udhëtimit asokohe në Shqipëri të autorit britanik Jan Gordon, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Fytyra e Shqipërisë

Ku lindja bashkohet me perëndimin, mesjeta me modernen.

Nga Jan Gordon

Tregu i Gjirokastrës, ku në krye shihet Bashkia, mbrojtja e fundit e Bersaglierëve. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Tregu i Gjirokastrës, ku në krye shihet Bashkia, mbrojtja e fundit e Bersaglierëve. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Shqipëria është një vend me kontraste të jashtëzakonshme. Një e treta e popullsisë është po aq e dëshpëruar dhe e prekur nga malaria sa çdo komunitet tjetër në Evropë, ndërsa një e treta përfshin malësorë aq të ashpër dhe agresivë sa nuk mund të gjenden kudo. Është një vend ku, nën një sistem tërësisht modern të ndriçimit elektrik, zakonet mund të jenë ende ato të shekullit të 12-të, ku gratë që veshin këpucë, shputat e të cilave janë të prera nga copa gomash të vjetra makinash, duke lënë gjurmë “Dunlop” ose “Michelin” në baltë ndërsa lëvizin, veshin funde, prototipet e të cilave mund të gjenden në figurinat prej qeramike të periudhës minoane. Vetëm dje, të qëlloje fqinjin pas shpine nga një kaçubë ishte shpesh një detyrë familjare (në emër të një hakmarrjeje), ndërsa një vajzë e vogël, pavarësisht moshës së saj, që ecte me guxim ofronte mbrojtje shumë më të vlefshme sesa pushka e saj e famshme, rripi i fishekëve dhe thika e saj. Dëgjuam një gjykatës t’i kërkonte një falje pothuajse të përulur një vrasësi famëkeq që e dënoi me vdekje. Pastaj na kërkoi të shkonim në shtëpinë e tij për të admiruar punimet e sofistikuara të qëndisjes që ai prodhonte në kohën e tij të lirë.

Është një vend ku, nganjëherë, të mbetesh një beqare e deklaruar është më e nderuar sesa të jesh një grua e martuar, sepse në malet veriore një virgjëreshe të betuar i lejohen të gjitha privilegjet e një burri, përveç atij që nuk mund ta arrijë, domethënë, mustaqet, rritja e mustaqeve është një krenari dhe preokupim mashkullor, shpesh i kultivuar me gjithë zellësinë e një kinezi që rrit thonjtë e gishtave, dhe me një efekt të ngjashëm të ekzagjeruar dhe të paqëndrueshëm.

Koka e një prijësi malësor mysliman. Vizatim nga Cora J. Gordon. — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Koka e një prijësi malësor mysliman. Vizatim nga Cora J. Gordon. — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Këtu, fshatrat shpesh banohen pothuajse ekskluzivisht nga gratë, burrat janë jashtë vendit, qoftë në Amerikë apo Turqi, duke fituar paratë që kanë paguar për shtëpitë e ndërtuara dhe të dekoruara në mënyrë madhështore. Edhe këtu, do të ishte një fyerje për pronarin e një ferme që t’i ofrohej të paguante dhomën, ushqimin dhe mëngjesin, por të mos rrëshqitësh një shumë të mjaftueshme në dorën e gruas më të re të martuar në shtëpi do të ishte mashtrim.

Feja nuk ka rëndësi për shumicën e shqiptarëve ; myslimanët shkojnë në festat e krishtera dhe të krishterët te myslimanët. Kemi parë një kishë të krishterë të ndërtuar nga një zdrukthëtar mysliman, në të cilën ai kishte përzier kryqin me gjysmëhënën, ndërsa në male ka fshatra të quajtura “gjysmë-gjysmë”, në të cilat të dy fetë praktikohen njëkohësisht, fshatarët kanë emra të krishterë dhe myslimanë dhe i mbajnë të dy grupet e festave. Është një vend ku mesazhet e dërguara me zë të lartë nga njëri burrë te tjetri përmes maleve me një kod sekret mund ta kalojnë telegrafin me shumë orë diferencë, ku dadoja (nëna), duke dalë për të bërë pazarin, vendos foshnjën me djep dhe gjithçka tjetër mbi kokë dhe pastaj duket se i harron të gjitha, ku nëse je konservator është më mirë që partneri yt të jetë liberal dhe atëherë të paktën njëri prej jush ndoshta do të dalë nga burgu për të vazhduar biznesin. Është një vend ku në përgjithësi nuk ka asgjë midis rrugëve më të bukura dhe dredha-dredha moderne që shkenca ushtarake italiane ka qenë në gjendje të ndërtojë dhe shtigjeve të pjerrëta për mushka që shpesh kufizohen mes buzëve të greminave të rrezikshme.

Dhe këto rrugë të bukura janë padyshim kryesisht përgjegjëse për rrënimin italian. Në hartën e vogël të botuar në shtypin e përditshëm, mund të shihen praktikisht të gjitha rrugët e Shqipërisë. Në këto rrugë të mëdha mund të shtysh tanke, armë të rënda, kamionë dhe furnizime, por përmes maleve të egra, të rrezikshme, por jo të paarritshme, mund të përparosh vetëm me mushka vendase, njohuri të thella lokale dhe një trup të ngurtësuar ndaj ashpërsisë së klimës dhe kushteve ushqimore. Dhe njeriun që mund të zotërojë malet e Shqipërisë.

Përmeti, çati prej rreshpe. Cora J. Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Përmeti, çati prej rreshpe. Cora J. Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Majat e maleve dhe vende të tilla si Përmeti, një fshat i çuditshëm i fshehur nën çati prej argjili të trashë, i ndërtuar në shpatet e vargmalit të pjerrët të Nemerçkës, Këlcyra që shtrihet në fund të një gryke të egër dhe të pjerrët, rruga për në Berat, që përshkon Mallakastrën dhe rrëzën e Tomorit, dhe madje edhe kështjella e vjetër e madhe turke e Gjirokastrës (në shqip, Gjinokastër), duke u bërë e papërshtatshme për t’u mbajtur, u evakuua si rezultat.

Këndi i kalasë dhe urës së Beratit. Pjesa më e madhe e transportit italian pa dyshim po e përdor këtë urë. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Këndi i kalasë dhe urës së Beratit. Pjesa më e madhe e transportit italian pa dyshim po e përdor këtë urë. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Në kushte të tilla luftimi, zakoni dhe praktika janë avantazhe të mëdha. Supozohet se shqiptarët janë kryesisht pasardhës të fiseve të lashta ilire para-greke. Edhe pse malësorët grekë janë me origjinë etnike shumë të ndryshme, ata megjithatë kanë asimiluar shumë tipare lokale, duke përfshirë një shpërfillje për lodhjen dhe urinë. Shpesh, kur kalonim natën në një fermë malore shqiptare, darka, një dhi që duhej të sillej posaçërisht nga malet, e përgatitur dhe gatuar më pas për ne, nuk servirej para mesnatës, megjithëse kishim qenë gjithë ditën në shale (kalërim). Nuk ofrohej asnjë meze paraprake dhe çdo shenjë lodhjeje, urie apo padurimi duhej të fshihej me shumë kujdes.

Dhoma e ndenjes, distrikti (rrethi) i Përmetit. Vini re komodinat (arkat) e nuses dhe një gardërobë amerikane. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Dhoma e ndenjes, distrikti (rrethi) i Përmetit. Vini re komodinat (arkat) e nuses dhe një gardërobë amerikane. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Një grua malsore nuk do të hezitonte fare të marshonte gjashtë ditë — tre vajtje, tre ardhje — ndoshta me foshnjën dhe djepin e lidhur në shpinë, deri në tregun më të afërt për të shitur një shportë me vezë për të blerë kripë. 

Marketingu i kujdestareve (dadove). Cora J. Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Marketingu i kujdestareve (dadove). Cora J. Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Mushkat e malit shkuan më larg dhe u ngjitën më shumë, me më pak ushqim se çdo kafshë tjetër me të cilën kemi udhëtuar. Burrat e ushqyer nga tradita të tilla, të përballur me italianët — shumë prej të cilëve ndoshta vinin nga fushat dhe u mposhtën nga një vend ku edhe qentë mund të jenë më të rrezikshëm për të huajt sesa ujqërit që vazhdojnë të plaçkitin kopetë e barinjve — duhet të gëzojnë një epërsi të pallogaritshme. Duket se vetëm numrat, rraskapitja totale apo vështirësitë e zgjatjes së linjave të komunikimit mund të ndalojnë grekët. Sapo të arrijnë në fusha — që shtrihen disa kilometra në brendësi nga Vlora deri në Liqenin e Shkodrës në veri — kushtet do të ndryshojnë ; mekanizmat italianë do të luajnë një rol më të madh dhe mund të parandalojnë dëbimin e italianëve nga vendi.

Muret e vjetra veneciane të Durrësit, mjaft të dëmtuara nga tërmetet. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Muret e vjetra veneciane të Durrësit, mjaft të dëmtuara nga tërmetet. Jan Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Ndërkohë, qytetërimi i çuditshëm gjysmëmesjetar që është kapur fort në këtë cep të pavarur të Ballkanit do të zhduket nga gurët e mullirit të luftës. Shtëpitë e gdhendura dhe të praruara bukur të Gjirokastrës dhe të vendit përreth po digjen ose po shkatërrohen nga bombat dhe nuk mund të zëvendësohen.

Gjirokastra, tregu, xhamia dhe cepi i kështjellës së vjetër turke. Cora J. Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562
Gjirokastra, tregu, xhamia dhe cepi i kështjellës së vjetër turke. Cora J. Gordon — Burimi : Country Life, 28 dhjetor 1940, f.560 – 562

Kisha unike, e pikturuar, gjysmë nëntokësore e Përmetit ndoshta është rrënuar, fiset dhe komunitetet pothuajse patriarkale do të shpërndahen dhe në Shqipëri, si në pjesën tjetër të botës, do të lindë një rend i ri. Megjithatë, shkatërrimi i këtij cepi të paimitueshëm do të thotë për Evropën humbjen e diçkaje unike në sjelljet dhe zakonet bashkëkohore.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT