24 Prill 2022 ora 1 PM do të organizohet “Dita e Lirisë Shqiptare” në një ndër parqet më të bukura të New York-ut, në Kensico Dam Plaza- në Westchester. Veprimtaria e organizuar nga Shoqëria Kulturore-Artistike Kelmendi, Familja Mrnacaj dhe Counti Ekzecutive Westchester si “Dita e Lirisë Shqiptare”, është një aktivitet patriotik, social, kulturor e përkujtimor, që i kushtohet, simbolit të demostrateve antikomuniste Nik Mrnacaj. Kjo ditë simbolike, e kthyer tashmë në Ditë – Kalendar për Lirinë dhe Flamurin shqiptar, sjellë në këtë datë përkujtimore jo vetëm komunitetin shqiptar, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal si dhe të liderëve politik. Kjo ditë e veçantë sjellë në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës qëndresën e nacionalistëve shqiptaro-amerikanë, që nuk i pushuan asnjëherë përpjekjet për ta sensibilizuar Amerikën për persekutimin që ushtronte shteti komunist shqiptar ndaj familjeve nacionaliste shqiptare.