Zef Ujkaj/
Ja si shprehet Themistokli Pollo (patriot nga kolonia e shqiptarëve të Amerikës, i cili bashkë me shumë bashkatdhetarë të tjerë iu bashkangjit vullnetarisht Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911 dhe më vonë Kryengritjes së Përgjithshme një vit më vonë, në luftën për liri e pavarësi të Shqipnisë):
“Kishte hyrë marsi i vitit 1912. Ishte koha kur duhej vepruar, duheshin rrëmbyer armët e duhej filluar kryengritja e re kundër zgjedhës turke. Sali Hoxha, Gore Dindi dhe unë ndodheshim në Podgorië dhe po bënim pregatitjet e fundit per t’u nisur për në atdhe. Para se të largoheshim shtruam një drekë në të cilën ftuam Dedë Gjo Lulin me të dy djemtë e tij. Ne kishim dëgjuar shumë për këtë trim nga Troboini. Në takimet që kishim pasur me të Dedë Gjo Luli na kishte bërë për vehte. Ne e konsideruam njerinë më të përshtatshëm për t’i dorëzuar një amanet të shënjte: flamurin shiptar që kisha sjellë nga Amerika. (Në një vend tjetër autori shprehet, citoj: “Këtë flamur te kuq me shkabën e zezë dykrenore e kisha porositur në Amerikë për 100 dollarë dhe e mbaja me vehte për ta ngritur në tokën e lirë të atdheut.”) Gjatë periudhës kur ne do të bënim jetën e kaçakut nëpër male e nëpër pyje nuk mund ta terhiqnim me vete flamurin. Me atë rast ne vendosëm t’i kërkonim Dedë Gjo Lulit edhe ndihmë për t’u hedhur ne Malësi.
Dorëzimi i flamurit u bë me një ceremoni të thjeshtë, por prekëse. U ngritëm të gjithë në këmbë. Unë i tregova Dedë Gjo Lulit se me ç’sakrifica është blerë ai flamur, i thashë se ne do të shkonim në athe për të luftuar kundër turqvet e se flamurin, atë simbol të Shipërise së lirë ja dorezonim atij, patriotit të shquar, me porosinë që t’ja jepte qeverisë shiptare, kur të çlirohej Shipëria.
Pastaj, Sali Hoxha, Gore Dindi dhe unë u gjunjëzuam dhe e puthëm flamurin. Dedë Gjo Luli e mori në dorë flamurin dhe na u përgjegj përafërsisht kështu: «këtë flamur do ta ruaj si sytë e ballit. Porosinë që më dhatë do ta plotësoj: flamurin do t’ja dorëzoj qeverisë së parë të Shipërisë së lirë. Në qoftë se unë nuk do të jem gjallë amanetin do ta plotesojnë djemt e mi.»
Më vonë mora vesh se Dedë Gjo Luli ja dorëzoi këtë flamur Themistokli Gërmenjit. Ky flamur valoi në ndërtesat qeveritare të Vlorës së lirë me 1913…”