


Alessio Marrari
Zyra e Shtypit – Albania Fashion Week
Përkthimi në shqip: Arjentina Kola/
Epokë e re: ku tradita dhe inovacioni global bashkohen për të ridizenjuar të ardhmen e modës shqiptare.
Në zemër të Ballkanit, Shqipëria po përgatitet të përjetojë një moment historik që do ta vendosë në hartën botërore të modës: Albania Fashion Week. Ky event synon të bëhet një traditë vjetore me ndikim të madh ndërkombëtar. Eventi feston jo vetëm modën, por edhe kulturën, artin dhe trashëgiminë shqiptare, duke e pozicionuar Tiranën si një kryeqytet të ri të modës në nivel global. Në qendër të kësaj nisme është Gentiana Dervishi, një profesioniste me një karrierë të gjatë në botën e modës, Presidente e Shoqatës APS Showteam, e cila ka sjellë përvojën e saj të gjerë ndërkombëtare, të fituar me GX Fashion Week Milan|Paris, për të krijuar një projekt revolucionar. Me origjinë nga Maminasi, në rrethin e Durrësit, ajo ka kthyer lidhjen e saj me vendlindjen në një mundësi për të ngritur skenën e modës shqiptare, duke kombinuar traditën me inovacionin. Nën udhëheqjen e saj, eventi nuk kufizohet vetëm në festimin e bukurisë dhe stilit, por synon të transformojë Shqipërinë në një pikë referimi për industrinë krijuese botërore. Java e Modës nuk do të jetë vetëm një pasarelë sfilatash, por një event i plotë që bashkon modën, artin dhe kulturën shqiptare.
Ndër momentet kulmore të eventit do të jenë sfilatat e modës, ku stilistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë do të prezantojnë krijimet e tyre, duke ndërthurur ndikimet lokale me tendencat globale, për një përvojë që feston modën si shprehje të identitetit kulturor. Gjithashtu, eventi do t’u japë hapësirë traditave artizanale, si qëndisjet dhe punimet me dorë, që dëshmojnë trashëgiminë kulturore të vendit. Konferencat dhe seminarët do të eksplorojnë marrëdhënien midis kulturës dhe industrisë globale të modës, duke ofruar një mundësi unike dialogu dhe mësimi. Media globale, VIP dhe profesionistë të modës do t’i bashkohen eventit, duke krijuar mundësi për rritjen dhe prezantimin e talenteve shqiptare dhe për një lidhje ndërkombëtare në këtë sektor. Ky nuk do të jetë vetëm një rast për të promovuar modën, por edhe një motor ndryshimi social.
Eventi do të dallojë për angazhimin e tij ndaj inkluzivitetit dhe diversitetit, duke krijuar mundësi për talente që vijnë nga kontekste të pafavorizuara dhe duke nisur programe mentorimi e fuqizimi për gratë. Parashikohet gjithashtu që t’u jepet një dukshmëri e konsiderueshme stilistëve të rinj, të cilët do të kenë mundësinë të shfaqin punën dhe artin e tyre në një kontekst ndërkombëtar. Angazhimi për qëndrueshmëri do të jetë një tjetër pikë fokale e eventit, me konferenca të dedikuara për modën e qëndrueshme dhe punëtori mbi teknikat tradicionale artizanale, që promovojnë një qasje të ndërgjegjshme ndaj modës dhe dizajnit. Java e Modës në Shqipëri do të ketë gjithashtu një ndikim të rëndësishëm ekonomik. Eventi do të përfaqësojë një mundësi për të nxitur industrinë tekstile lokale, për të tërhequr investime ndërkombëtare dhe për të krijuar vende të reja pune. Fluksi i vizitorëve dhe pjesëmarrësve do të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë lokale, me një rëndësi të veçantë për turizmin, gastronominë dhe sektorë të tjerë ekonomikë që do të përfitojnë nga prania e publikut ndërkombëtar.
Ndër objektivat kryesore do të jetë amplifikimi i promovimit të talenteve vendës, duke krijuar një hapësirë ku stilistët dhe dizajnerët shqiptarë të mund të dalin në shfaqje dhe të lidhen me emra të njohur të industrisë globale. Eventi synon të bëhet një takim i përhershëm në kalendarin ndërkombëtar të modës, duke ngritur profilin e Shqipërisë në botë dhe duke pozicionuar Tiranën si një destinacion të ri për modën, artin dhe kulturën. Objektiva të tjera thelbësore përfshijnë vlerësimin e trashëgimisë kulturore të vendit, e cila do të jetë në qendër të shumë prej aktiviteteve të propozuara, si dhe forcimin e sektorit të modës shqiptare, duke krijuar ura bashkëpunimi midis vendit dhe platformave ndërkombëtare të këtij sektori. Një hap epokal për të ardhmen e një vendi që shikon me pasion dhe vendosmëri potencialin e tij në panoramën botërore të modës, duke u konfirmuar i pari në shpejtësinë e zgjerimit ekonomik dhe teknologjik.