Ledio Xhoxhi
Historian/
Hapja e Normales së Elbasanit, për përgatitjen e mësuesve të shkollave shqipe, ishte kurorëzimi i përpjekjeve të shumta të patriotëve të Rilindjes sonë për zhvillimin e arsimit dhe për përparimin e kombit shqiptar. Normalja e filloi jetën e vet me 50 nxënës, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe brenda vitit të parë shkollor numri u trefishua. Personeli pedagogjik i Normales përbëhej nga njerëz të shquar në fushën e atdhetarisë dhe të përgatitur nga ana pedagogjike për kohën. Normalja e Elbasanit u shqua për karakterin e saj kombëtar e laik, gjë që u përcaktua si nga përmbajtja e planit mësimor, ashtu edhe nga fryma e bashkimit pa dallim feje e krahine, që përshkonte gjithë procesin mësimor edukativ të saj.
Shkolla Normale e Elbasanit luajti rol vendimtar në përgatitjen e mësuesve për shkollat fillore të vendit. Drejtor i saj, në vitet 1913-1914, 1917-1920, 1922-1929 dhe 1933-1938, ishte Aleksandër Xhuvani (1880-12961). Në vitet 1929-1933, shkollën e drejtoi Ahmet Gashi (1891-1977), në postin e zëvendësdrejtorit. Nga viti shkollor 1925-1926, deri në vitin shkollor 1938-1939, në Normale punuan deri në 20 mësues, midis të cilëve: Simosn Shuteriqi, Veniamin Dashi, Ismail Haxhihyseni, Vasil Qirjaku, Andon Deda, Myrteza Krasta, Ismail Xhaja, Vasil Andoni, Zef Kolombi, Teki Tela, etj.
Pas hapjes e Shkollës Normale të Elbasanit, me gazetën “Shkreptima”, Aleksandër Xhuvani bëri një punë shumë të madhe për të mbrojtur platformën pedagogjike-arsimore të Rilindjes, si dhe çështjen e përgatitjes së mësuesve atdhetarë shqiptar. Veç artikujve, që nga viti 1911 e gjer në fund të jetës së tij, ai botoi, kryesisht, duke u nisur nga interesat shkollore, dy vepra shkencore-pedagogjike: “Fillime të pedagogjisë për shkollat normale e për mësuesit e fillores, pjesa e dytë: Didaktikë e edukatës” (1926), si dhe “Fillime të pedagogjisë, pjesa e parë: Psikologji për shkollat normale e mësuesit e filloreve” (1933). Xhuvani i kushtoi pedagogjisë dhe shkollës libra, studime dhe artikuj të tjerë, siç janë artikujt mbi lëvizjen pedagogjike në botë, mbi shkollat në Athinë dhe në Romën e vjetër, mbi veçoritë dhe zhvillimin e arsimit tonë kombëtar nga Shpallja e Pavarësisë më 1912, mbi organizimin e arsimit tonë fillor etj. Një kapitull të veçantë e shumë të rëndësishëm në trashëgiminë e tij pedagogjike përfaqësojnë tekstet, studimet dhe artikujt mbi mësimin e gjuhës. Prof. Xhuvani është themelues i didaktikës teorike të mësimit të gjuhës shqipe në shkollat tona.
Në gjithë veprimtarinë e vet pedagogjike prof. Xhuvanin e mundoi ideja për figurën e mësuesit, për pastërtinë e tij morale, për cilësinë e dhënies së mësimit etj. Ai mendonte drejt se mësuesi është figura qendrore e shkollës dhe faktori vendimtar për mbarëvajtjen e saj. Prandaj, që me kohë ngriti zërin për ta mbrojtur atë, për të mbrojtur shkollën normale, që ishte i vetmi institucion arsimor për përgatitjen e nxënësve; kritikoi hapur mungesën e interesimit shtetëror për mjete mësimi, për libra ndihmëse dhe vepra për plotësimin e kulturës së mësuesve si dhe amullinë profesionale dhe injorancën e mësuesve, që i shërbenin regjimit antipopullor të kohës.
Për kulturën pedagogjike të mësuesit, Xhuvani shkroi faqe dhe vepra të tëra dhe bëri një propagandë të gjerë. Ai përfitonte nga rasti në çdo artikull pedagogjik për të bërë të njohura në masat e mësuesve me forma të thjeshta e të kuptueshme metodat e të mësuarit, parimet e didaktikës, të rejat e pedagogjisë botërore, burimet e literaturës që duhet të lexojë mësuesi, kërkesat e përgatitjes për mësim etj.
Tek pedagogu ynë shpesh spikasin qëndrime për rëndësinë e mësimit të historisë në shkollë. Ai nënvizon se mësimi na ndihmon për të gjetur shkaqet e ngjarjeve historike dhe pasojat e tyre.
Prof. Aleksandër Xhuvani nuk u tërhoq nga pozitat e veta pedagogjike thellësisht demokratike as gjatë regjimit të Ahmet Zogut. Ai bëri shpesh kritika të hapura në shtyp, madje edhe shumë të guximshme, për gjendjen e mjerueshme të arsimit. Ndërsa nga mesi i viteve ’30 të shekullit XX, Xhuvani nisi t’u shmanget teorive formaliste në pedagogji dhe të përpunonte konceptet realiste dhe materialiste për edukatën, të cilat ia sugjeronte situata e vendit dhe besnikëria ndaj idealeve të popullit të vet. Në këtë kohë nisi të duket sistemi arsimor nazifashist, i cili kishte si bazë shtypjen e personalitetit të njeriut, si dhe instruktimin e verbër të tij për ta bërë pushtues të botës. Në këto vite, duke prekur problemet e edukatës mendore, Xhuvani shprehej me forcë për forcimin e personalitetit të lirë me mendim të pavarur e të aftë për jetën. Më 1938, ai u ngrit me forcë kundër verbalizmit shkollor, si sistem i kalbur i të mësuarit dhe kërkoi stimulimin e aftësive krijuese të personalitetit për ta parë punën e shoqërisë në lëvizje, për të kuptuar nevojat materiale e shpirtërore të saj, për të kryer vepra te dukshme për një të ardhme më të mirë të njerëzimit. Prof. Xhuvani e priti me urrejtje pushtimin fashist. Në këto vite, edhe pse u paralizua politikisht, ai nuk bëri asnjë kompromis në praktikën dhe në teorinë e vet pedagogjike.
Ajo që bie në sy menjëherë porsa lexon çdo shkrim që na ka lënë trashëgim prof.dr. Aleksandër Xhuvani, është patriotizmi i pastër dhe i flaktë i këtij personaliteti të shquar të popullit tonë. Duke ndjekur fillin e veprimtarisë së tij dhe duke e krahasuar veprimtarinë e tij me ngjarjet e kohës, vërehet se kurdoherë ai ka menduar e punuar për të mirën e popullit e të atdheut. Ishin mendime e qëndrime të tilla, të thurura në rrethanat historike të kohës, ato që e shpunë Aleksandër Xhuvanin që të mbante qëndrim pro Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare qysh në fillimet e saj. Ai e përkrahu pa rezerva këtë luftë dhe çdo fitore partizane ishte për të një hap drejt së ardhmes së lirë.
Çlirimi i plotë i vendit e gjeti Aleksandër Xhuvanin në moshën 64-vjeçare. Tërë veprimtaria e pasçlirimit e Xhuvanit vërteton se ai qe një personalitet i shquar i jetës politike e shoqërore të vendit megjithëse veprimtarinë më të shumtë ia kushtoi fushave të arsimit, kulturës e shkencës. Sado i ngarkuar me detyra të larta në organet e pushtetit, Aleksandër Xhuvani nuk pushoi kurrë së lëvruari gjuhën shqipe, duke qenë thellësisht i bindur për rëndësinë politike të këtij problemi. Ai luajti rol me rëndësi për vënien në rrugë të mbarë të punës për hartimin e rregullave të drejtshkrimit si edhe në fusha të tjera të shkencës gjuhësore. Që në vitin 1952, në një sesion shkencor, ai ngulte këmbë për nevojën ë përpunimit të gjuhës letrare kombëtare shqipe duke vënë në bazë të saj dialektin toskë si dialekti më i përpunuar. Si tërë jetën e tij, edhe pas çlirimit ai merret praktikisht me të gjitha degët e nëndegët të shkencës gjuhësore, i bindur, siç ishte, për rëndësinë që ka gjuha për çdo komb e për çdo shtet.