
Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/
Vazhdimisht botën e ka munduar dhe e mundon pyetja, Perse Amerika? SHBA gjatë shekullit të kaluar ka qënë vendi më i prirur drejt ndërkombtarizimit të të gjitha marredhenieve njerëzore publike e private, që gjithesesi nuk kanë rrjedhur me zhvillim linear. Ato ishin shteti dominues i Versajës dhe lideri përcaktues i paqes së Versajës ishte presidenti amerikan Willson. Presidenti, Willson solli mbas Luftes se Parë Botërore frymën e re politike amerikane në një mjedis të vjetëruar konservator nacionalist Evropian dhe prej një opinioni të papërgatitur amerikan. Sikundër Presidenti Ruzvelt synonte mbas Luftës së Dyte Botërore të shtrinte parimet e vlerat demokratike të politikes amerikane në ngritjen e një sistemi bashkëpunimi ndërkombëtar. Ai shpresoi derisa vdiq se mund të realizohej bashkëpunimi i “të mëdhenjve për drejtimin e punëve të botes” në mënyrë kolektive e përmes multilateralizmit, duke përfshire edhe Bashkimin Sovjetik. Pamëvarsisht me uljet dhe ngritjet e veta, kjo po ndodh aktualisht.
Mbarimi i Luftes së Ftohte dhe klima e marredhenieve nderkombetare, veç të tjerash kanë ekzpozuar tej mase SHBA ndaj rreziqeve të ndryshme si violinë e parë, e superfuqi, pikë referimi e shprese për shumicen e popujve, por edhe burim mërish e urrejtjeje për një kategori të caktuar njerezore. Për realizimin e qellimeve të tyre terroriste, autorët kanë shfrytezuar të gjitha mundesite e lehtesimit që krijon Perendimi për shkak të globalizimit të jetës shoqerore dhe pranisë së teknologjive shumë të sofistikuara në fushen e komunikimit. Ka ndikuar këtu dhe vetëkënaqesia e amerikaneve, në lidhje me mentalitetin e tyre të të qënit superfuqi e padiskutueshme, bumi ekonomik.
Amerika vazhdon ta thellojë diferencën e saj ekonomike me BE. Me ritmet aktuale të rritjes së ekonomisë dhe të popullsisë së saj, ekonomia e SHBA është sot rreth 25% më e madhe se ekonomia e të gjitha vëndeve të eurozonës të marra së bashku, dhe me këto ritme, ndoshta mund të jetë dy herë më e madhe se ekonomia evropiane brenda 15 viteve të ardhshëm. Po kështu, ndryshe nga periudha e Luftës së Ftohtë, situata e sigurisë në Evropë, sado e rëndësishme që është ajo, “nuk dominon më konsideratat strategjike amerikane”, arsye kjo për të cilën Washingtoni është i lirë të riformulojë dhe rishprehë tendencat themelore të kulturës së tij strategjike, duke bërë strategji edhe pa Evropën. Amerika është një komb i veçantë për shkak se, siç ka vënë në dukje filozofi Leo Strauss, Amerika është i vetmi vënd në botë i cili “është themeluar në kundërshtim të hapur me principet makiaveliste”. Filozofi amerikan Daniel Boorstin ka shkruar se, në dallim nga vizioni pesimist që evropianët shfaqin mbi botën dhe të ardhmen e tyre, “Amerika ka qenë një vend i ëndrrave. Një vend, në të cilin aspiratat e njerëzve të ardhur nga shoqëri ku sundojnë të pasurit, aristokratët, të kaluarat ideologjike mund të arrijnë gjithçka që më parë u dukej e paarritshme. Këtu ata janë përpjekur të realizojnë ëndërrën e tyre”. Ndërsa sot, Amerika është fuqia kryesore ekonomike e planetit, është arsenali i tij i demokracisë dhe qendra e kulturës së përbashkët të njerëzimit. Ajo është një forcë për demokracinë dhe drejtësinë në botë. Ajo është gjithashtu vendi më bujar në botë. Amerikanët japin dy herë më shumë ndihma bamirësie se sa europianët, fakt ky që mund ta habisë shumicën e europianëve.
Amerikanët janë më të prirur për të menduar me kokën e tyre dhe për t’u besuar gjykimeve të veta. Ata, në përgjithësi, ndikohen më pak nga mendimi i autoriteteve dhe i “ekspertëve”. Besojnë sinqerisht në aftësitë e tyre individuale për t’i përmirësuar gjërat. Ata kanë qenë dhe janë më optimistë për të ardhmen e tyre sesa evropianët dhe, në përgjithësi, besojnë se privacionet e sotme janë të mirat e së nesërmes.
Europianët mund të kenë më tepër “sens historik” se sa amerikanët, por Amerika ka diçka tjetër me rëndësi, besimin në të ardhmen. Të suksesshme kanë qenë dhe mbeten vetëm ato shoqëri, të cilat konsideratat dhe preferencat e tyre politike dhe ekonomike të sotme i kanë vënë dhe i vënë në shërbim të interesave të së ardhmes. Pikërisht e tillë ka qenë dhe mbetet Amerika.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20-të dhe fillimit të shekullit 21-të, ajo e ka aplikuar këtë parim qytetërues më mirë se çdo shoqëri tjetër moderne. Madje, pikërisht për këtë shkak, Amerika ka qenë dhe është në gjëndje të luajë rolin e lidershipit botëror, duke përcaktuar drejtimet themelore të zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor në kohën e sotme. Vetëm hyrja e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore, fshehtas në vitin 1940 dhe haptas pas sulmit të japonezëve në Pearl Harbour në dhjetor 1941, ndryshe nga situata në 1917-n, bëri që fitorja e aleatëve të sigurohej kundër boshtit të fuqive të Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë. Kur ky konflikt botëror më në fund përfundoi në 1945, elitat ekonomike, politike dhe intelektuale të SHBA-së morën dy vendime themelore për rendin botëror të pasluftës. Ata donin të rindërtonin, për të dytën herë një sistem botëror tregtar liberal-kapitalist, të mbështetur nga sisteme politike demokratike parlamentare.
Për këtë mund të sjellim në vëmëndje kontributin amerikan për Planin Marshall dhe ndihmën për Francën, Japoninë dhe Gjermaninë pas Luftës së II Botërore. Gjithashtu, strategjia amerikane e Luftës së Ftohtë dhe rreziku që ajo mori mbi vete nga mundësia e një sulmi bërthamor për të mbrojtur Europën Perëndimore kanë qenë të jashtëzakonshme, një rast i pashembullt në histori. Nuk mund të mohohet se motivet e një strategjie të tillë kishin të bënin me interesat për forcimin e sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Sot aktiviteti ekonomik botëror është bërë tërësisht global, kapitalist dhe i drejtuar nga ekonomia amerikane, kjo nuk ka të bëjë aspak me “arrogancën” amerikane, siç mendojnë shumë njerëz. Në të kundërt, aleatët janë rimëkëmbur ekonomikisht në atë shkallë, saqë vëndet e Evropës Perëndimore dhe Japonia janë shndërruar në rivalë tregtarë seriozë të SHBA.
Amerikanët asnjëherë nuk kanë pranuar të jetojnë në status quo, ajo gjithnjë ka qënë dhe mbetet një katalizator për ndryshimin e shoqërisë dhe të marredhënieve njerëzore.
Në sistemin dypolar të pas Luftës së II Botërore, dy polet e tij, SHBA dhe BS nuk ishin të barazvlefshëm. SHBA ishte që nga fillimi i Luftës së Ftohtë dhe mbeti deri në fund të saj superfuqi kryesore. Amerika ishte bërë me kohë, të paktën qysh nga fillimi i shekullit 20-të, fuqia ekonomike dhe ushtarake dominuese e botës. Superioriteti i saj ekonomik dhe ushtarak u evidentua qartë qysh gjatë Luftës së II Botërore, kur prodhimi industrial ushtarak i SHBA e kaloi atë të të gjitha vëndeve të tjera pjesemarrëse në luftë.
Ndërsa për Evropën Perëndimore Lufta e Ftohtë ishte një luftë kontinentale, e cila kishte të bënte me mbrojtjen e gjysmës perëndimore të kontinentit evropian nga rreziku sovjetik, nga këndvështrimi i interesave amerikane, ajo ishte një luftë e vërtetë globale, një front i së cilës ishte në Europë.
Për afro gjysëm shekulli Evropa u zhvillua e mbrojtur nën ombrellën amerikane. Çdo hap drejt integrimit ekonomik dhe politik të Evropës duke filluar me Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut më 1957 u hodh nën hijen dhe nën mbrojtjen e fuqisë amerikane dhe të NATO-s.
Ndërsa luftrat e Ballkanit të pas Luftës së Ftohtë dhe tani Lufta 1-vjeçare në Ukranië, nxorën në pah mungesën e unitetit në radhët e Evropës dhe dobësinë e saj, pasi ajo nuk kishte as vullnetin dhe as aftësinë që të vendoste paqe dhe stabilitet në gadishullin e saj Jug-Lindor dhe sot kaloi viti dhe nuk është në gjëndje të vendos paqen në Ukrainë. SHBA ishin dhe mbeten, siç treguan qartë ngjarjet në Bosnje dhe Kosovë, (ku 80% e potencialit ushtarak të përdorur nga NATO në Kosovë ishin të SHBA), një aktor shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e krizave dhe rivendosjen e stabilitetit në këtë rajon të rëndësishëm të Evropës. Mendoj dhe besoj që me këtë vullnet Amerika do vendos paqen edhe ne Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe do të vazhdojnë të mbeten edhe në shekullin e 21-të e vetmja superfuqi, me të cilën sot dhe për disa dhjetëvjëçarë të tjerë nuk do të mund të krahasohet asnjë fuqi tjetër e madhe, në asnjë nga dimensionet që përbëjnë elementët bazë të pushtetit të një fuqie globale.
Mjafton të përmendim disa fakte për të treguar këtë. Amerika shpenzon sot më shumë se të gjitha vëndet e botës të marra së bashku. Ekonomia e saj, e llogaritur në GDP (13.245 triliardë USD), është tre herë më e madhe se ajo e fuqisë së dytë që vjen pas saj, Japonisë, 4.6 herë më e madhe se ekonomia e Gjermanisë, 5 herë më e madhe se ekonomia e Kinës, ose pothuajse e barabartë me ekonominë e të 27 vëndeve të Bashkimit Evropian të marra së bashku.
SHBA sot renditet vendi i tretë në botë për numrin e popullsisë (pas Kinës dhe Indisë.) Është i vetmi ndër gjithë vëndet e industrializuara të Perëndimit, që ka një dinamizëm pozitiv të popullsisë. Aktualisht SHBA ka një popullsi mbi dy herë më të madhe se Japonia, mbi tre herë më të madhe se Gjermania dhe pesë herë më të madhe se Franca, Italia apo Britania.
Sipas parashikimeve të bëra nga zyra e statistikave të shteteve të bashkuara (U.S. Census Bureau), në vitin 2050 popullsia e SHBA do të arrijë afërsisht 420 milionë (nga 333 milionë që është sot.Vetëm në vitin 2022, që është edhe viti i pandemis globale, popullësia u shtua me 1.3 miljon, rritja më e madhe që nga 2007.) Duke mbajtur parasysh rënien drastike të popullsisë pothuajse në të gjitha vëndet e BE, në mes të shekullit 21-të Amerika parashikohet të ketë një popullsi më të madhe se ajo e 27 vëndeve të BE-së së sotme, të marë së bashku.
Sipas parashikimeve zyrtare, në vitin 2040 mosha mesatare e popullsisë së Amerikës do të jetë 30 vjeç.
Në mardhëniet e saj me Amerikën, Evropa duket se ka vetëm tre opsione: ose të ndahet prej saj, ose ta kritikojë atë, ose t’i qëndrojë besnike asaj.
New York Mars 2023