Artisti multi-dimensional shënon suksesin e rradhës me realizimin e skenografisë së dramës “Thistles” (Lulegjembi) në teatrin prestigjioz 59E59 në Nju Jork.
Andis Gjoni është artisti i parë dhe i vetëm shqiptar që është vlerësuar deri më sot me çmim në fushën e skenografisë së teatrit ose operas në arenën ndërkombëtare. Ai u vlerësua në vitin 2008 në Festivalin NYMF në Nju Jork me çmimin e dytë si skenografi më i mirë midis 36 skenografëve amerikanë.
Në këtë mbyllje viti ai krijoi skenën e dramës psikologjike të shkruar nga Cyndy Marion, pjesë e cila u prit me interesim nga publiku jo vetëm për kuriozitetin rreth veprës më të re të autores por edhe për faktin që në këtë produksion merrnin pjesë aktorë të afirmuar e me përvojë në skenat e Broadway. Me reagimet e tyre publiku pëlqeu jo vetëm lojën aktoriale por edhe regjinë e Dev Bondarin dhe skenat e realizuara mjeshtërisht nga Andis Gjoni i cili ka mbi 20 vjet bashkëpunime me kompani të ndryshme teatrore ku ka patur rolin e regjisorit në disa produksione si opera “La serva padrona” me operan e Nju Xhersit, “Çifti i hapur” Producers Club, dhe dhjetra krijime në fushën e skenografisë me shfaqje të suksesshme.
Foto: J.R.Hoffman