Më dt/ 20. gusht, 2024, në Obiliq-Kastriot u mbajt Konferenca Shkencore Ndërkombëtare: “Lufta e Dytë e Kosovës (1448)”, organizuar nga Komuna e Obiliqit-Kastriotit, Instituti Albanologjik-Prishtinë, Instituti i Historisë “Ali Hadri”-Prishtinë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup. Në konferencë morën pjesë 19 studiues nga Kosova dhe nga jashtë saj.
Qëllimi i kësaj konference ishte të sillen prurje dhe interpretime të reja rreth Luftës se dytë të Kosovës dhe realizimi i idesë për ngritje e një obelisku madhështor në komunën e Obiliqit për ngjarjen në fjalë, Gjergj Kastriotin e Janosh Huniadin.
Në fillim të konferencës u mbajtën fjalët përshëndetëse. Fjala e përshëndetëse, u mbajt nga Lulëzim Lajçi, drejtor i Institutit Albanologjik. Xhafer Gashi, Kryetar i Komunës së Obiliqit – Kastriotit; Skender Asani, drejtori i Institutit pre Trashigimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe studiuesi, Dom Nikë Ukgjini.
FJALA PËRSHËNDETËSE: DOM NIKË UKGJINI
Të nderuara autoritete lokale, të nderuar studiues dhe ju pjesëmarrës! Kam kënaqësi që fillim të kësaj Konference, të rëndësishëm, të ju drejtohem me disa fjalë mendje dhe zemre. Mendja ma thotë se organizimi i kësaj konference të zgjeruar studimore është një domosdoshmëri, nevojë, për ta rikujtuar, plotësuar dhe ri interpretuar më mirë e më saktë, këtë betejë të historisë sonë, e cila pothuajse, ishte në rrezik mykjeje në sirtarët e arkivave më të rëndësishme evropiane, si dhe në mendjen të disave të brezave të rij. Zemra ma do, sepse sa më tepër që të dëgjojmë e lexojmë, për këto ngjarjeve, aq më tepër në neve zgjohen ndjenjat të trashëgimisë së brezave arbërorë dje dhe sot. Beteja e parë e Kosovës e vitit 1389, ka mbetur nga historiografia e sotme ende si një foshnje jetime dhe si ngjarje historike e mjegulluar, në krahasim më Betejën e dytë të Kosovës e vitit 1448, e cila sipas burimeve historike konsiderohet si betejë shumë e njohur e ndodhur diku për rreth e qark qytetit ku jemi bashkuar.
Fushë Kastrioti (Obiliq) më 16-19 tetor 1448, ishte bërë fushë mejdan midis aleancës të një pjesë të Evropës papnore të udhëhequr nga Janosh Huniadi dhe ushtrisë osmane në krye me sulltan Muratin II,, e ku Arbrit më në krye me Skënderbeun që ndodheshin në anën e aleancës evropiane, gjatë udhëtimit për në këtë pjesë fushore, “qenë penguar, si dhe shumë herë të tjera nga mbreti serb, i Shën Savës, Gjuraq Brankoviq, i cili nuk lejoj të kalonte nëpër zotërimet e tij” , thekson, në kroniken e tij, viti 1893, Jezuiti polak, Marcin Czerminski,
Sidoqoftë nga mesi i shek. XV, Kosova kishte tërhequr vëmendjen e aspiruesve të luftërave kundër osmanë në krye me, Janosh Huniadin dhe Gjergj Kastriotin. Kosova në betejën e dytë, thekson dom Ndoc Nikaj, në librin e tij, Historija e Shqypnis, botuar në Bruksel në vitin 1902,” fq. 191, ishte bërë një lufte arene e përgjakshme, në mes ushtrisë e Sulltan Muratit e asaj të krishterë në krye me Huniadin, ku nga të dyja palët patën humbje të mëdha në jetë njerëzish. Territori i Kosovës që në dokumentet e kohës, të Imz., Andre Bogdanit, thirrej Dardani, shihet qartë së në kuptimin gjeografik, ishte pikë-ndeshja kryesore e forcave të mëdha luftarake të ndodhura në mes të Perandorisë Osmane dhe forcave të mëdha katolike të një pjesë të Evropës. Në këtë rast, në mesin e aleancës, forcat e mëdha arbërore patën një rol të jashtëzakonshëm për pengimin e depërtimit të pushtuesve osman, nga ky krah për në Evropën papate.
Figura më emëblematike e shek. XV, në Ballkan, por edhe në Evropë, padyshim është ajo e Gjergj Kastriotit, të cilin pararendësit tanë e mbuluan me lavdërime më tepër se çdo hero tjetër të asaj epoke. Ai më zgjuarsinë e guximin përmes luftës 25 vjeçare kundër turqve, bëri që heroizmi arbërorë për herë të parë të jetë i njohur në tërë Evropën.
Albanologu më i shquara i shek. XX, Giuseppe Valentini në studimet e tij, për Gjergj Kastriotin duke i shprehur admirimin thotë: “Edhe mos të kishte qenë Skënderbeu ngadhënjyes në njih seri luftimesh, të vishtira, por gjithmonë i thyem, në 25 vjet qëndrese kundra Turqve, prape se prape admirimi i em e i çdo Evropiani të ndritur, do i’shte ai qi asht”… “prandaj, jeta e vepra e tij, vazhdoi të jetojë edhe me pas, në historinë e letërsinë shqiptare dhe evropiane”.
Më virtytet të larta njerëzore e ushtarake, Skënderbeu,- sipas Valentinit,- është heroi që bashkoi perëndimin nëpërmjet Papatit si emërues përbashkimit për tërë mbretëritë Evropiane, qoftë për ato shtete ballkanike që i takonin Kishës Lindore si: Greqia, Bullgaria e Serbia. Me të drejtë papët e Kuries Romake e shpallën “Athleta Christi” e “Defensor fidei”, duke e ngritur Skënderbeun në piedestal 6 shekuj më parë, e shumë më pas, më 18 janar të vitit 1968, Papa Pali i VI-të, e shpalli Skënderbeun si modelin që duhej ndërtuar Evropa e viteve 60-të.
Duke u kufizuar vetëm në botime librash që flasin kryesisht mbi Skënderbeun nga viti 1500-1900. “Janë rreth 100 të tilla, 10 në shqip, 10 në latinisht e të tjerat në gjuhë të ndryshme evropiane”,- do shprehej Valentini.
G. Valentinit me anën e “Aktet Shqiptare –Venedikase” të botuara në 25 vëllime në gjuhen latine, për periudhën e historisë para dhe të kohës së Skënderbeut, me kritere të rrepta shkencore, u ofron studiuesve një histori të imët, dokumentacion shterues e të mjaftueshëm, për ndërtimin e realitetit të betejave, kur veproi Skënderbeu. Por, mbi Betejën e dytë të Kosovës dhe në përgjithësi për luftën Osmano – Arbërore/., padyshim që janë të rëndësishme edhe kronikat – dokumentet , osmane, ato arabe, bizantine, sllave, e ato të tjera perëndimore. Me këto raste është e natyrshme të këtë edhe kundërthënie mes vete për ngjarjet e të se kaluarës. Për ketë arsye, një rrugëdalje e zgjuar është mbajtja e konferencave studimore të kohëpaskohshme të niveleve të ndryshme, kombëtare e ndërkombëtare, që e vërteta të behët mjet çlirimi shpirtërore e moral, për të gjithë. Arbërorët të vendosur në mes të dy kulturave, të Orientit dhe Perëndimit, ka një mundësi pasurimi kulturor të dyfishtë. Por, njëherësh rrezikon të kanoset në transformimin e një kulture të tipit turko – mysliman dhe të ngërthehet në prangat e vjetra të tipit bizantin, gjë që do të sillte zbrazëtinë dhe thyerjen e saj, veçanërisht në shekujt e fundit.