
Nga Alfons Grishaj/Persekutorët komunistë e quanin arratisjen “Tradhëti e lartë ndaj atdheut”. Ata dënuan politikisht dhjetra qytetarë madje edhe kur tentativa për të lënë atdheun konsistonte vetëm në një bisedë. Pa harruar pasojat që pësonin familjarët e të arratisurve me dëbime e internime. Sot, kjo sentencë bajate e amorale tingëllon qesharake! Balta, shpifjet e turpshme shoqëronin çdo person që guxonte të vepronte ndryshe apo të arratisej nga burgu i madh Shqipëri! Asnjë nga maskarenjtëpushtetarë komunistë nuk e dinin çfarë do të thoshte braktisje e atdheut me barrën e shpifjeve dhe dhunës mbi kurriz. Njëherë e një kohë, Bajron, në librin e tij “Çilde Harold’s Piligrimage”, tek “Kënga e Lamtumirës”, përshkruan arratinë e vet, kështu:
With thee, my bark, I ‘ll swiftly go
Athwart the foaming brine;
Nor care what land thou bear’st me to,
So not again to mine.
Pra, merrmë, o lundër, dhe vrapo
Në detin plot buçim;
Dhe shpjermë në çdo vend që do,
Veç jo më në dheun tim. (SL)
Dimë që me qindra e mijëra shqiptarë u larguan nga pushtimet e të huajve dhe komunizmi, po largimeve të sotme… nuk di si t’ua vë emrin…, vetëm: Spastrim Modern!
Mediat e sotme sollën në fokusin e opinionit arratisjen e Agron Tufës, shkrimtar, pedagog dhe Drejtor i Institutit të Studimit dhe të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri. Me vonesë, inteligjenca e lirë, që duhej të kishte reaguar që në çastin e parë kur kërcënimet ndaj Tufës u bënë të njohura, po i bën në emër të solidarizmit njerëzor një mbrojtje natyrale, pa mbërritur, duhet ta themi, që ky reagim të ngrihet në nivelin e aksionit në mbrojtje të lirisë, ndërkohë që nga fronti i vjetër, vazhdon e njëjta mendësi kriminale… Monstrat e Partisë në pushtet, bretkosat e inkuizicionit modern… vazhdojnë korin e kënetës… kolerës dhe malarjes. Çfarë nuk janë duke thënë kundër Agronit, i cili, u mundua të punonte si intelektual i paindoktrinuar nga shkolla e PP-së, të ndërtonte një jetë akademike të merituar perëndimore dhe, si një qytetar me memorje dhe Drejtor i ISKK, denoncoi ashpër krimet e komunizmit.
Nuk mund të them se ai ishte gjithnjë i saktë, ashtu si kundër rasteve me Naum Priftin, Vatrën apo Zef Balën që u arratis nga atdheu kur ishte ende fëmijë… Nuk ka rëndësi për çfarë iku Zefi, por mbi shpinën foshnjore të Zefit do të rëndonte (deri në vitin 90)… akuza “Tradhëti e lartë ndaj atdheut!”. E pra, ky patriot filantrop së bashku me gruan e tij Lina dhe fëmijët e mrekullueshëm janë një shembull model në mërgatën patriotike shqiptare në Amerikë dhe botë, çfarë le të nënkuptojë… se ne, “zografisësit”, para se të pikturojmë “portrete”, duhet të marrim informacionet nga burime të ndryshme, të besuara dhe jo informacione nga burime me energji negative.
Gabimet e Agronit janë njerëzore, ndoshta sepse tradita polemike në Shqipëri e ngarkuar me pasion ndikon fuqishëm mbi intelektualët tanë, por duhet theksuar se në ushtrimin e funksionit si drejtues i ISKK ai pati vazhdimisht të drejtë! U mundua të bëhej amaneti i të persekutuarve në Shqipëri, dhe kur shihte kriminelë e spiunë tek krekoseshin pa kërkuar falje, i denonconte hapur sipas stilit perëndimor. Denoncimet e Agronit tërbuan bretkosat e vjetra që bartën helmin e urrejtjes dhe injorancës deri në shekullin e sotëm…, prandaj ata e kërcënuan: “O me ne, ose i vdekur!”.
Rasti i Agronit nuk është unik, por vazhim i politikës spastruese të kundërshtarve politik në Shqipëri. Shumë intelektualë janë larguar nga vendi për shkaqe politike edhe pse Shqipëria njihet sot si një vend i lirë dhe demokratik. Sepse neokomunistët e kanë më të lehtë të qeverisin popullin e hipnotizuar pa opozitë…, pa tregues real, pa standarte demokratike, pa këmbana shenjtëruese, pa fe! Shkurt! Me ideologji dhe praktikë bolshevike kriminale… pa shpirt e nder!