


Artisti Lekë Negri flet për Diellin e Vatrës në New York: Nga karriera artistike te arti si mjet për ndryshime shoqërore dhe për bashkimin e komuniteteve. Nga arti e muzika shqiptare në Amerikë te roli i Bandës Muzikore Vatra në historinë e muzikës shqiptare. Me artistin Lekë Negri bisedoi Editori i Diellit Sokol Paja.
ARTI DHE MUZIKA SI ZHVILLIM DHE EMANCIPIM KULTUROR
Muzika ka një rol të madh në një shoqëri, siç e ka patur prej mijëra vjetësh. Ajo ka formësuar kulturat dhe shoqëritë në mbarë botën, të transmetuara brez pas brezi. Të gjithë e kanë një marrëdhënie personale me muzikën, efektet e saj në kulturën përreth nesh mund të mos jenë menjëherë të dukshme. Ndikimi i muzikës në shoqëri është i gjerë dhe i rrënjosur thellë në historinë tonë. Muzika është një aspekt thelbësor i të gjitha qytetërimeve njerëzore dhe ka fuqinë të ndikojë emocionalisht, moralisht dhe kulturalisht në shoqëri. Kur njerëzit e një kulture shkëmbejnë muzikë me njëri-tjetrin, ata fitojnë njohuri të vlefshme për një mënyrë tjetër jetese. Të mësosh se si muzika dhe lidhja shoqërore janë të lidhura është veçanërisht e rëndësishme në kohë konflikti kur linjat e tjera të komunikimit rezultojnë të jenë sfiduese. Në mbarë botën, muzika po përdoret si një mjet për ndryshime shoqërore dhe për bashkimin e komuniteteve.
KONTRIBUTI I BANDËS MUZIKORE VATRA NË HISTORINË E MUZIKËS SHQIPTARE
Krijuesi i bandës muzikore kombëtare Vatra, Thoma Nasi ka bërë një punë kolosale dhe ka dhënë një kontribut të madh kombëtar jo thjeshtë si themeluesi i saj, por më pas si i pari dirigjent i bandës muzikore presidenciale të Shqipërisë në vitin 1925 me Presidentin e asaj kohe e më pas mbretin Ahmet Zogu, dhe roli i rëndësishëm dhe krijimtaria e tij e cila u bë pjesë e rizgjimit kombëtar përmes muzikës. Që në vitet 1920 banda muzikore Vatra interpretonte muzikë klasike të autorëve klasikë Hendel, Mozart Bethoven, e Schubert po edhe muzikë të repertorit kombëtar si himni vlora vlora, hymni kombëtar gjithashtu dhe krijime të vetë Thoma Nasit.
AKTIVITETET ARTISTIKE TË LEKË NEGRIT NË SHQIPËRI, EUROPË DHE USA.
Institucionet muzikore me të cilat kam bashkëpunuar gjatë viteve janë disa nga më të mëdhatë në Shqipëri dhe në Europë, veçanërisht duke përfshirë Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë si solist dhe Orkestrën simfonike të RTSH-së, orkestrës Filarmonike të Sarajevës, ku interpretoja si trombe e parë dhe e dytë. Daljet e rregullta në televizionin kombëtar dhe kanalet kryesore televizive si ‘Klan’ dhe ‘Top Channel’ më kanë bërë një emër të njohur. Kam shkëlqyer si trombist në Festivalet Ndërkombëtare të Operës “Marije Kraja”, ndërsa kam punuar me dirigjentë të shquar si Ermir Krantja, Jacopo Sipari, Martin André, Leonardo Quadrini, Sinopoli, Cuhng etj. Përveç arritjeve të shumta simfonike duke u shfaqur në shfaqjet dhe rrjetet Top Channel , kam zgjeruar repertorin tim artistik duke bashkëpunuar me grupe të njohura pop, jazz dhe blues, duke përfshirë grupin origjinal ‘Blues Brothers’, duke regjistruar me saksofonistin Lou Marini dhe kitaristin Steve Cropper. Në botën e kinemasë, kam bashkëpunuar me performancën time e të përbashkët muzikore me klarinetistin Fatos Qerimi, në regjistrimin e muzikës për filmin “Letra në erë” të vitit 2003, me regji të Edmond Budinës. Kam organizuar edhe aktivitete të shumta bamirësie për Caritasin Shqiptar, duke bashkëpunuar ngushtë me sopranon e famshme Ermonela Jaho dhe baritonin Gëzim Myshketa, koncerte në Torino e Romë me orkestren e Rai dhe koncerte jazz ne Montreux Jazz festival dhe Jazz Tirana, kam marrë çmime mirënjohje për kontributin artistik në qytetet Tiranë Durrës e Shkodër. Në Shtetet e bashkuara të Amerikës kam luajtur me të famshmin trompistin Chris Botti fitues çmimesh Grammy Award dhe australianin Timmy trumpet i cili është i famshëm në skenat ndërkombëtare duke luajtur nuanca jazz në elemente kercimi. Gjithashtu bashkëpunim me trompistët e medhenj jazz James Morrison dhe Wynton Marsalis. Një projekt i rëndësishëm gjithashtu është nje koncert në Shqipëri me Chris Botti në shtator 2023.
AMERIKA SI SFIDË E JASHTËZAKONSHME PËR ARTISTËT SHQIPTARË
Shqiptarët gjithnjë e më shumë shkëlqejnë në çdo fushë, kudo nëpër botë. Amerika është e madhe, Amerika është e vështirë, Amerika është një sfidë e jashtëzakonshme! Por nëse vjen këtu, duhet ta dashurosh me ndryshimet e veta, me diferencat e veta dhe me vështirësitë e veta. Vetëm duke e dashuruar, do të kuptosh të mirat që ky vend ka, pasi është vendi i mundësive. Është një vend ku realizohen ëndrrat, vetëm të kesh dëshirën, të punosh fort dhe të mos ankohesh. Mos ta kthesh kokën mbrapa dhe të mendosh se kush ke qenë, por mbaje kokën përpara dhe krijo atë njeriun e ri! Dashurinë për Shqipërinë mos ta harrosh, ta trashëgosh në breza dhe do të ndihesh një shqiptaro-amerikan i plotësuar.
KONTRIBUTI TEK VATRA
Si anëtar i Vatrës kam marrë pjesë në koncertin e madh në inagurimin i rrugës Gjergj Kastriot Skënderbeu ne Maj 2022 në Bronx dhe koncertet e nëntorit. Do jem në mbështetje të Vatrës e komunitetit shqiptar në të gjitha aktivitetet kulturore dhe artistike në shërbim të komunitetit tone dhe çështjes kombëtare.