Lidhjet e tij me gazetën “Dielli” kanë qenë që kur Atjoni nxori esenë e parë dhe vazhdimisht kemi botuar shkrime të tij
Që kur ishte fëmijë, Atjonit i pëlqente të vizatonte diellin, një pllangë të artë dhe kur u rrit ca, nuk vizatonte një diell, por dy-tre në një peizazh, sikur nuk i mjaftonte njëri dhe po i bënte dhe në formën e zemrës…
Atjoni studionte për filozofi në Itali, në Universitetin “Sacro Cuore” të Milanos. Ndërkaq ishte dhe anëtari më i ri i PEN Clubit italian, po kështu dhe anëtar i Parlamentit Rinor Europian, përfaqësonte të rinjtë shqiptarë..
Atjon Zhiti është autor i librit, “Për atë që dua(m)”, (bot. 2015) një përmbledhje me ese, recensa, poezi, intervista e përkthime të një 19 vjeçari, i pritur me dashuri nga lexuesi, sidomos të rinjtë dhe kritika, ku guximi në ide gërshetohet me ëndrrën dhe përkushtimin, që bëjnë të besosh se brezi i ri di të dojë, të kërkojë dhe të presë nga vetja, ku vizioni lidhet me kritikën konstruktive, për të ecur përpara si vend.
Po kështu në Prishtinë enti botues “Bogdani” ka nxjerë librin “Jam Atjoni”, përmbledhje skicash dhe shkrimesh të ndryshme.
Para se të dilte albumi i madh “Opera Atjon” (në shqip dhe italisht, bot. 2017), ku janë riprodhuar të gjithë vizatimet dhe pikturat e tij të fëminisë dhe adoleshencës, me vlerësime nga studiues e kritikë arti nga vendi, më pas dhe nga të huaj, ishin hapur dhe ekspozita me punime të Atonit në mjedise universitare.
Artikuj të Atjonit kanë dalë në shumë media në Shqipëri e Kosovë dhe në diasporë, në Itali, Zvicër, Mbretëria e Bashkuar, SHBA. Pjesë të tyre janë përkthyer dhe në gjuhë të tjera si italisht e rumanisht. Po kështu ka dhe botime të tjera, libra të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit me kopertina dhe ilustime nga Atjon Zhiti. Për “Studentin e përhershëm” siç e quan gjenerata e tij, kanë folur dhe shkruar personalitete të njohur të kulturës shqiptare, por dhe asaj të huaj.
Në Romë, në një nga kishat pranë Piazza “Navona” është dhënë koncerti për violinë dhe piano, kushtuar Atjonit.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Fëmijë “Giffoni” ka dhënë çmimin me emrin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë, ku ai bënte pjesë dhe ishte dalluar në takimet në Shqipëri dhe Itali.
Dhe në letërsi jepet çmimi ndërkombëtar “Atjon Zhiti” nga Shoqata e Shkrimtarëve “Bogdani”, me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel. Ky çmim së pari shkoi në Argjentinë, më pas në Itali dhe së fundmi në Japoni.
Emri i Atjonit është bërë më i njohur dhe më i dashur për të gjithë që e kanë njohur apo lexuar. Ai çeli një rrugë dashurie e dritë për të rinjtë dhe vërtet në Tiranë është emërtuar dhe “Rruga e Atjonit”, ajo në hyrje të Parkut të Madh, që bashkohet me Rrugën “Faik Konica”, të cilin ai e adhuronte.
Në nderim të Atjonit tonë, si ideal dhe frymëzim në këto 10 vjet për gjenratën e tij, po risjellim pjesë nga shkrimet e tij.
– Redaksia –
DO TA RREGULLOJMË BOTËN ME BUZËQESHJE… – kështu na thoshte Atjoni, dëshmon studenti nga Kosova –
Në përurimin e librit “Për atë që dua(m)” të Atjonit në Universitetin Europian të Tiranës, në Aula Magna, të mbushur si kurrë ndonjëherë, me të rinj, intelektualë, shkrimtarë, deputetë, ish të burgosur, të panjohur, vinin të tjerë, s’kishte më vende, rrinin dhe në këmbë, etj, pasi folën emra të njohur për vlerat e librit, mesazhet që përcjell e befasitë, u ngrit në fund dhe një djalë nga salla, vij nga Prishtina, tha, posaçërisht për këtë takim, jam student në Zyrih, Ylli Haziri quhem. “Jam më shumë sesa shok i Atjonit, – vazhdoi ai – jam vëlla i tij. E kam njohur në mbledhjet e Parlamentit Rinor Europian, ai si shqiptar nga Shqipëria dhe unë si shqiptar nga Kosova. Kemi qenë bashkë në Riga e Barcelonë, në Paris e Pragë, në Beograd, Preshevë dhe Prishtinë, në shtëpitë e mia…kam mbresa të pashlyeshme. Atjoni ishte aq sa i mirë, po aq dhe dinjitoz, të përqafonte fuqishëm dhe kishte mendime të fuqishme; i gjithi i çiltër dhe gjithë dashuri. Atjoni kishte dy dashuri të mëdha, – tregoi ndër të tjera, teksa dridhej mes emocionesh të dukshme për shokun e tij, – dashuri për dashurinë, për vajzat si të thuash, dhe dashurinë për atdhe, ku brenda kishte dhe Kosovë. Dhe prekej shpejt…”. Atjoni dinte të bashkonte. Në një nga takimet e Parlamentit Europian të të Rinjve, ai është mes shokëve shqiptarë dhe serbë, ku me njërën dorë po mban të shpalosur flamurin e Republikës së Kosovë dhe me tjetrën atë të Serbisë. Me çiltërsinë e tyre, ata 19 vjeçarë, bënë atë që politika e dy vendeve, por dhe ajo ndërkombëtare, nuk po e realizon dot. Pranuan tjetrin. Fotoja e këtij çasti është vërtet emblematike… Do ta rregullojmë botën me anë të buzëqeshjeve”, na thoshte Atjoni – e përfundoi fjalën e tij studenti nga Kosova… Buzëqeshja e Atjonit mbetet vepër arti, ajo të bënte për vete, që jo vetëm ta doje, por dhe ta besoje Atjonin menjëherë. Ishte ai që këmbëngulte ndër shokë se duhej të studionin, në universitet jashtë sa më shumë, në Europë e Amerikë e të ktheheshin patjetër, se “Atdheun do ta bëjmë ne”, besonte, “më të bukur dhe më të fortë.”
(Nga libri “Jam Atjoni”)
THËNIE PËR ATJONIN TONË
– nga botime të ndryshme –
“…Leximi i shkrimit të Atjonit ka qenë nji eksperiencë që përjetohet rrallë, shumë rrallë, në ditët tona. Dukej sikur zani vjen nga diku larg, shumë larg, dhe na tregon si mendon nji i ri me aftësi të rralla mendimi dhe shprehje, dhe si ndjehet zemra bujare e të rinjëve të pakomprometuem nga ndeshtrashat e jetës “moderne”.
Unë e përjetova edhe si nji “lajmërim” për ne të gjithë që jemi të zanun me problemet (shpesh artificiale) të jetës së vështirë që jetojmë… Sa mendim i thellë, sa gjykim i mprehtë, dhe sa bujari zemre lexohet në atë shkrim.
Përdorimi i dialektit geg ashtE manifestim i deshirës së autorit me qenë sa ma afër viktimës e me përdorue, si shenjë respekti gjuhen e “fshatit” tij.
Sa fisnikëri natyrale; sa ndjenjë miqësore!”
Sami Repishti
Shkrimtar dhe eseist
Lauruar në Sorbonë, jeton në SHBA
“…Nxorra pasazhe nga shkrimi i Atjonit dhe i shkrova me dorë në fletoren time, që t’i kem gjithnjë afër fjalët e Tij të pjekura, idetë e thella e largpamëse, shprehjet plot rrezatim të një intelekti të rrallë e shpirti subtil. Thashë me vete: Kur ikin njerëz si Atjoni, varfërohet planeti e pasurohet Qielli!…”
Ferhat Ymeraga
Kent, Washington State, SHBA
“ …me shkrue gegnisht asht sprovë e njeriut të kulturuem, e njeriut pa paragjykime. Merre me mend, Atjoni djalosh shpalos dijen e tij për gegnishten dhe asht i hapun për pasurimin e gjuhës sonë të shkrueme me visaret e gegnishtes të lana mbas dore prej druvarëve që i prenë nji krah Gjuhës sonë amtare. Kurse, përkundrazi, do gjoja profesorë të paguem mot e jetë prej shtetit, u duket se bahet kiameti me studiue gjuhën e Camajt, të Fishtës, të Koliqit e të tjerëve.
Të mos e zgjas, Atjoni e ka shikimin ma të kthjelltë se gjojaprofesorët dhe e ka gjuhen ma të rrjedhshme se gjuha e drunjtë e disave prej tyne.”
Sami Milloshi
Gazetar, poet, SHBA
“Libri i Atjonit – testament i Tij… si Ungjilli për bashkëmoshatarët e tij, fari ndriçues i brezit të tij.”
Eugjen Merlika
studiues, kritik letrar, Itali.
“Bota është më e varfër pa Atjonin… Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqësi…”
Luan Topçiu
kritik arti, studiues, përkthyes,
Bukuresht, Rumani
“Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…”
Helena dhe Ismail Kadare
shkrimtarë
TË HUAJT PËR ATJONIN:
Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…
Robert Elsie
albanalog kanadez,
Berlin, Gjermani
Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…
Sebastiano Grasso
Poet, President i PEN Clubit, Itali
…një xhevahir krijimtarie… Libri i Atjonit do të vendoset në sektorin e artit në bibliotekën e dikasterit e do të mbetet si dëshmi e një figure që bëri shumë për kulturën në një hark të shkurtër kohe, që na dha shenjën e gjenialitetit të tij.
Kardinal Gianranco Ravasi
Biblist, kritik arti.
Ministër i Kulturës Vatikan
..Atjoni shkëlqente prej poezisë. Dhe vetë është një poezi e magjishme.
Adonis Poet, Paris, Francë
Diej të Atjoni
Rrezet q;e bashkojnë duart
“Vorbull diellore”