• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VEHBI ADEMI- Njeriu i mirë mbetet i gjallë në memorjen e njerëzve

May 2, 2019 by dgreca

Nga Pertefe LEKA/
Të flasësh për Vehbi Ademin duhet, të lexohen  kujtimet  e miqëve,shokëve,familjarëve , farefisit,  të shkruhet një libër I tërë nga jeta e tij,sepse kishte një modesti  që  kurrë nuk e ekspozonte  veten para të tjerëve  edhe pse sporti ia  kishte shfaqur  cilësitë dalluese në publik.Ishte djali I  madh I Fasli Ademit, pronarit të fabrikës së cigareve “Taraboshi “ Shkodër. Flitesh shume mirë në Shkodër për  Fasliagen ( kështu e thërrisnin  të gjithë ) si njeri I ndershëm.E kishte filluar punën më një çark, mjet që grinte duhanin, dhe me  punë  të vazhdueshme kishte  shtuar  fitimet.Fama  e cigareve Taraboshi  po rritej dita ditës edhe  jashtë Shqipërisë, kështu  po rritej edhe numri i punëtorëve. Përmendesh në Shkodër  marrëdhënia  e mirë  që kishte  me të punësuarit  sidomos  kur rriti numrin e shegertëve. Trajtimi  që iu bënte  atyre ishte  njerëzor, jo siç  jemi mësuar  ne  të themi  për shfrytëzimin kapitalist. Kam takuar rastësisht një  zotni I cili mori pjesë në përcjelljen e fundit të  hallës time, Hatixhes, Zonja e Fasli Ademit.Ai mezi  e përmbante emocionin duke shprehur , mirënjohje  të thellë, për Znj. Hatixhen e Fasliagen.  “Ne nuk ishim  vetëm shegertat e fabrikës “Taraboshi”ne trajtoheshim  si fëmijët e tyre.Edhe pse paguheshim  rregullisht, për  çdo Bajram na blinin  veshje të reja, që nga kostumi deri të këpucët, për festen e Flamurit na jepnin dhurata”. Fasliaga  ishte  I  përmendur  në bamirësi  sidomos  në familjet më fëmijë jetim. Ai  ishte  kontribues edhe në  jeten  shoqërore sidomos për sportet. Fasli Ademi bënte  pjesë në Keshillin Bashkiak  të qytetit  në Shkodër. Në foto mund të shikoni  Fasli Ademin në  krah  të Kryetarit të Bashkisë Shkodër, Zenel Prodani,( foto e vitit 1931.) Njihej  si  intelektual përparimtar,aktivist  shoqëror, administrator I zoti , njeriu I punës së ndershme .Ishte familjarë I përkushtuar  edhe pse jetonin  bashkë  më vëllezër,siç ishte   edhe  Firma Taraboshi “ Fasli Ademi e  Vllazen ” , kishin harmoni  dhe korrektësi në pronën e përbashkët.Kështu  ishte edhe  e shoqja, Hatixhja,një grua e rrallë,zemër gjerë, punëtore e duar artë  edhe pse jetonte në   kushte shumë  të mira  ekonomike, ishte e thjeshtë dhe  në shtëpi punonte njësoj më gratë që I kishin marrë për ndihmë në familje për rritjen e fëmijëve. Në këte mjedis  vëllazërie të mirëkuptuar u rrit Vehbia, më tri motrat Kicin ,Zenin, Lilin dhe vëlla Bërhanin .Vdekja e të jatit në vitin 1941, dhe më pas periudha e luftës dhe diktatura  komuniste  sollën  ndryshime të mëdha në familjen e tyre si në çdo familje shkodrane dhe në tërë Shqipërinë.I jati e la 10 vjeç dhe pasuria  po menaxhohej nga të rinjtë,  nipërit  e tij ,një pjesë e të cilëve ishin lidhur më  lëvizjen. Pasuria po shkatërrohej deri të   sendet e çmuara  personale të nanës së Vehbisë, e cila   mbeti trokë më 5 jetimët.Mbas  luftës  filluan konfiskimet  the familja mbeti  pa të ardhura.Megjithëse në kushte të veshtira  Vehbia e vazhdoi shkollimin  në Gjimnazin  e Shkodrës( bashkëstudenti në periudhën e matures, Luan Leka,tregon për Vehbinë se kishte prirje në shkencat ekzakte,sidomos në matematikë  ishte ndër të parët e klasës) Aftësitë   e tij për të bërë çdo punë dhe talenti i tij për sportin e inkuadruan shpejt në skuadra shumë të njohura të  vendit, si Vllaznia ,Partizani ..Kështu u bë një figurë e njohur dhe  kryesore e basketbollit shkodranë dhe mbarë  kombëtar.Një nga emrat më të spikatur të lojrave më dorë,si në voliboll,basketboll dhe si trajner. Kur e kerkuan për të kryer shërbimin ushtarak, e mori menjëherë Klubi Sportiv Partizani, ku  qëndroi   atje edhe tre vite pas sherbimit  ushtarak. Fanela e Partizanit,  të cilën e mbajti për pesë vite,  ia shfaqi më shumë cilësitë e rralla sportive ku përmendeshin gjuajtjet anësore  më precizion të Ademit . Ndeshja nderkombëtare jashtë shtetit, në Rumani, e cilësoi si lojtarin më të suksesshëm  në fushë.Pas kthimit nga Tirana, vazhdoi më skuadrën Vllaznia  në Shkodër, deri në mbyllje të karrierës së tij sportive në vitin 1963.Ai nuk u shkëput nga sporti, vazhdoi të jetë në krye të ekipit të të rinjve  “Vllaznia” si tranier,  ku  dha  gjithë eksperiencën e tij më të mirë, duke nxjerrë  sportistë  cilësorë si Valter Kalaja, Zyhdi Çoba…. Si artist eshtë i njohur  në pikturë, skulpturë,gedhendje e skalitje të drurit.Ai ishte arkitekt,elektriçist, mobilier, …….. .Mbaj mend një bust, skulpturë, që ia dedikoi të vëllait,Bërhanit,një pikturë  që bëri në kopshtin  tonë, ku kishte shumë  lloj pemësh frutore dhe dekorative.Unë e ruaj më shumë kujdes dhuratën e Vehbisë  që   bëri  për  martesën time,një  elektrik,punim prej druni ,në formën e një maçoku, me dy llampushka në sy, ku ndezeshin  e fikeshin  më një çelës.Gjithë kompozimi, punimi i drurit dhe pajisjet elektrike ishin prej  duarve  të arta  të Vehbisë. Gjithë qenien e tij e përshkonte një humanizëm  që e përcillte  më buzëqeshje,më humor,  më dashamirësi.Një shokut të tij  të ngushtë ,Sadi Boriçit  pas një sëmundje të gjatë i prenë kemben  në pjesën e poshtme I shqetësuar për  shokun  e vet, vinte e vizitonte  dhe diçka  mendonte për të bërë për te.Një ditë erdhi dhe ia tha idenë  dajës vet ( Jahja Domnori)të  cilin  e respektonte  shumë. Si vizituan bahçen u ndalen te plepi dhe  duke diskutuar ,  I tha, se kam ndërmend të përdor  drurin e plepit sepse është  dru I lehte  për t’i bërë këmben  Sadit. Im atë   e vlerësoi shumë  xhestin e tij njerëzor, (sepse edhe Sadin e donte sikur ta kishte nipin e vet) por kur këmba e drurit doli si origjinale deri edhe më qimet e ngjitura, im atë mbeti pa fjalë duke thënë se Vehbia  asht artist I madh….Në shumë ekspozita të kohës,dërgonte punimet e veta  po nuk i dëgjohej emri si artist .Mbaj mend  një porosi që I erdhi nga Tirana. Gedhendi  një  tabaka  më gota  të  vogla prej druri, e kishte holluar aqë shumë drurin sa të dukeshin se janë  bërë prej qelqi.Kur I erdhën vlerësimet  nga  organizatorët   ndër të  tjerë  ishte edhe nga një specialist kinez, I cili ishte mahnitur nga  ai  perfeksion në dru,që ata mbahen për punime të holla në miniaturë.Sa të tilla punime janë të shpërndara pa  emrin  e tij dhe si “shpërblim” pati prerjen e dy gishtave të parë të dorës.Megjithë angazhimeve që kishte jashtë shtëpisë,respektin dhe dashurinë që kishte për Nanen  Hatixhe e tregoi edhe më shumë kur ajo u paralizue.Vehbia më të vëllanë Berhanin,beqarë në ate kohë,  ia bënin të gjitha shërbimet  deri  edhe larjen e rrobave.Me këte  përkushtim  ndaj  nënës u bënë të mirënjohur si vëllezrit Ademi. Martesa me zonjën Kydrete,  nga  familjet e nderuara  e të  persekutuara  të Shkodrës  antikomuniste i solli dy vajza Voltana dhe Jetmira ku e tregoi veten në lartësinë e duhur si bashkëshort  e baba, por ama  baba artist. Nuk mund ta harroj biçikletën veturë të Vebisë. Koshi përpara me dy vende të mbuluara  dhe më  dritare për vogëlushet,  pjesa mbrapa për zonjën e tij, gjithë familja qarkullonte më një  mjet  që  fantazia e tij e kishte bërë multifunksional. Kushdo mund të pyesi,ku e gjente kohën për të bërë gjithë këto  mrekulli, atij nuk I mjaftonte  dita por  punonte deri  në orët e vona.Them se Shkodranët kanë detyrim të madh ndaj këtij njeriu artist e human siç e ka cilësuar Prof.Dr.Qemal Shalësi më shumë  dashamirësi.
Per njeriun dhe sportistin e mire VEHBI  ADEMI:

“ E kam njohur Vehbine si volejbollist e basketbollist në fushat sportive, por  më shumë nga Burhani,  vëllai  i tij i vogël, me të cilin luaja basketboll me Partizanin.
Vehbiu megjithëse, nuk cilësohej si “Ylli” i Vllaznisë i Partizanit kishte fituar admirimin  e bashkëlojtarëve,  sportdashësve  dhe pse jo,  edhe te kundërshtarëve te tijë.
Dhe kjo falë talentit  të tij  të  padiskutueshem, cilësive të veçanta fiziko-teknike, punës së madhe gjatë procesit  stërvitor, pasionit dhe përkushtimit të madh, në pjesën më të bukur  të  jetës së tij.
Burhani,(vëllai i tij)me tregonte se, që në vegjëli  i pelqente  të vraponte e të garonte me. moshatarët,  por më shumë ishte i dashuruar me topin e volejbollit dhe të basketbollit, i mbështetur   gjithnjë nga familja e tij.  Burhani e pati më të lehtë sepse shembullin e kishte pranë.
Kam dëgjuar më parë fjalët më të mira  për   Vehbinë  nga shokët e miqtë e tij si  Xhorxhi  Kono, Andon Kona, Petrit Murzaku, e  të tjerë.  Kam   dëgjuar  edhe  më  shumë,  kur se bashku me Korab Llazanin, Sekretar i Përgjithshëm  i Federates Basketbollit, vajtëm në shkodër në varrimin e tijë.
Kishte ndërtuar në familje një harmoni të plotë si familjar i përkryer që ishte; mbante një rregjim  sportiv  e jetësor të përkryer,  armik i duhanit  e pijeve alkolike. Në shoqëri ishte korrekt dhe thonte gjithnjë të vërtetën, sepse ishte vërtetë i tillë.Ishte djalë dhe burrë punëtor dhe serioz.  por njëherësh edhe me një sens të spikatur 
humori të bartur nga humori i njohur shkodran, por edhe nga ai sportiv.
Sportistët nuk janë  të  mbyllur në guaskën e tyre, por janë interesant kanë nevojë për humor e shaka.
Po e ilustroj me një shembull të dëgjuar:  Në një ndeshje volejbolli Shkodra-Tirana,  kishte aq shumë tifozë sa që kishin hypur edhe në dy pemë dhe që papritur rrëzohen për  tokë.
Loja ndërpritet, lojtarët e dy ekipeve vërsulen të ndihmojnë, fatmirësisht  më dëmtime  të vogla. Vehbiu u ndodh para një të  dëmtuari  i cili i tha : Ti Vehbi  e ke fajin që me ato pritjet e vështira dhe gjuajtjet e bukura, na I more mendtë  dhe na rrëzove  për tokë.
Një  rast  tjetër të  paharruar  për  mua personalisht ishte ndërhyrja e tij: Ja se si   ndodhi
Isha i ri në moshë dhe i ri si  arbitër  basketbolli,  në   Shkodër  gjykoja ndeshjen  Shkodra -Partizani. Ishte një ndeshje e fortë dhe e vështirë, fitoi  Shkodra.
Sa mbaroi loja më afrohen disa lojtarë të “Partizanit” dhe më akuzojnë për njëanshmëri.
Çuditërisht, më gjindet pranë Vehbiu  dhe polemizon me to, me një ton të butë,  miqësor dhe bindës duke u  thënë atyre : Unë   kam luajtur vetë me Partizanin, nuk e kishim zakon  të bënim fjalë  me  arbitrat, por ju jeni mësuar të fitoni gjithnjë dhe ju duket çudi se si humbët, s’ka faj  Arbitri, mësohuni të pranoni  humbjen dhe të mësoni  edhe nga kundërshtari.
Një  kujtime i paharruar ishte kur punoja në Federatën e Lojërave me Dorë,si Sekretar i Përgjithshëm. Në një ndeshje  ndërkombëtare basketbolli  kishte ardhë edhe një personalitet i madh i Basketbollit Evropian si  vëzhgues.Personi shoqërues “u mburr” se do t’i  bënte një dhuratë  të paparë, dhe e mbajti fjalën. Dhuratën ia dorëzova unë (Q.Shalesi). Kur e hapi doli një kuti, brenda së cilës ishte një maket i fushës së basketbollit.U çudit Ai dhe ne të gjithë. Ate e kishte  punuar në dru  Vehbi Ademi i cili fisnikërinë e tij e tregoi edhe duke mos marre shpërblimin që i takonte. “ Prof.Dr.Qemal Shalsi.
Edhe pse Vehbia  kaloi vështirësi në jetë, kishte një natyrë që kurrë nuk ankohej, gjithmonë buzagas. Kur ishte në fillimet e veta sportive,dhe ekonomija në familje ishte  e  dobët   nana  Hatixhja I thoshte “ djali  i nanës a luhet më top,pa mbushë barkun mirë ” Ai  I përgjigjesh më të qeshur “mos u ban merak se kur djersitem pi  ujë” .Kështu  ishte edhe Berhani, I vëllai, përveç sportit dhe mesuesisë I hanin duart për rregullime dhe meremetime në shtëpi.   Si vëllezër kishin marrëdhënie të ngrohta  dhe  në harmoni edhe me motrat.Edhe ata  duararta  si vëllezrit  edhe pse iu perkushtuan arsimit, .  nuk  pushonin, bënin qëndisje,rrobaqepesi,thurje e punime trikosh…Të gjithë e krijonin të bukurën,  çfarë u shihte syri ua bënte dora.Në se një ditë do të shkruhet biografia e kësaj familje më emër të mirë, më tolerancë  fetare të dallueshme , do të  duhen vetem kujtimet e njerëzve që   të tregojnë se  ku ndodhen punimet e këtyre  talenteve  të gjithanshem. Çdo gjë e dorëzuar prej tyre ka firmë kolektive   dhe jo firmën   e tyre, se ashtu e donte koha, ishin bijtë  e një tregtari të ndershëm.Këte traditë ndoqen edhe  femijët e tyre. Marr shkas nga ky  shkrim të përmend vajzën e Vehbisë ,Voltanen,violinistën e shkollës Preng Jakova,e cila  përveç shkollimit të lartë në informatikë   në U.T.  dhe       Masterit në  Universitetin.     ”Zoja e Keshillit te Mire“ angazhohet në politikë  me P.D. duke pasur një ngritje  graduale, deri Deputete në Parlamentin Shqiptar. Njihet  si  politikane e pakomprometuar.Ajo  në vazhdimësi të traditave familjare njihet si Zonja me karakter të fortë,e drejtë për drejtë, e guximshme e me kurajo. Duke qenë  korrekte në detyrë  mban në zemër krenarinë për Qytetin që e lindi e rriti  dhe që  po i sherben  më devotshmëri.Karrikën në të cilën u ul gjyshi I saj,Fasli  Ademi, në Bashkinë e Shkodrës nuk e mori si trashëgimi por  nga meritat e saj formuese e  kontribuese.
 

Filed Under: Histori Tagged With: Pertefe Leka-Vehbi ADEMI

MEDIA PËR DEMOKRACINË

May 2, 2019 by dgreca

GAZETARIA DHE ZGJEDHJET NË  KOHËRA TË PËRHAPJES SË INFORMACIONIT FALS/

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit./

Nga Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë/

Kjo është tema e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit sivjet që shënohet me 3 maj. Çdo vit, anë e mbanë botës, kjo ditë i kushtohet lirisë së shtypit dhe parimeve bazë të saj. Është një ditë e shpallur si e tillë, në mbështetje të lirisë së shtypit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në vitin 1993. OKB-ja ka mandatuar organizatën UNESCO që kjo datë të shënohet çdo vit, për t’i kujtuar mbarë botës se liria e shtypit është e pazëvendësueshme për demokracinë, dhe për respektimin e të drejtave themelore të njeriut, pa dallim. Si një ent i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, organizata UNESCO, ka si mision të saj të veçantë, “Promovimin e përhapjes së lirisë së fjalës dhe ideve, nëpërmjet fjalës së shkruar dhe imazheve, në mbështetje të medias së pavarur dhe të sigurisë fizike dhe profesionale të gazetarëve.”

Kjo ditë shërben gjithashtu si një rast për të informuar qytetarët mbi shkeljet e lirisë së shtypit – duke u kujtuar atyre se në shumë vende të botës censurohen botimet, gjobiten dhe mbyllen gazetat e revistat, ndërkohë që gazetarët, redaktorët dhe botuesit e tyre sulmohen, kërcënohen, burgosen e madje edhe vriten, si përfundim i profesionit të tyre. Qëllimi i kësaj dite botërore, në mbrojtje të lirisë së shtypit, është edhe për të inkurajuar nisma të reja në mbështetje të lirisë së medias dhe në përgjithësi për të vlerësuar gjëndjen e lirisë së shtypit në botë.

3 Maji, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO-s, shërben gjithashtu si një kujtesë për qeveritë e ndryshme, që të respektojnë lirinë e shtypit, duke zbatuar angazhimet e tyre që kanë marrë përsipër, ndaj lirisë së medias në vendet e tyre, bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare që ato kanë nënshkruar. Por, kjo datë është gjithashtu edhe një ditë reflektimi edhe për vetë gazetarët dhe profesionistë të tjerë të kësaj fushe, mbi çështje të lirisë së shtypit, me të cilat përballen në kryerjen e detyrës së tyre, përfshirë ushtrimin e etikës profesionale të gazetarëve.

Dita Botërore këtë vit do të shënohet, përveç të tjerash, edhe me një konferencë ndërkombëtare që po mbahet në Adis Abeba të Etiopisë, e që do të përqëndrohet në rolin e medias në zhvillimin e lirë të zgjedhjeve dhe rolit të saj në mbështetje të demokracisë në përgjithësi. Përveç kësaj konference ndërkombëtare, në këtë ditë do organizohen anë e mbanë botës edhe programe të ndryshme kombëtare dhe rajonale, për të theksuar rëndësinë e lirisë së shtypit dhe zbatimit të parimeve bazë të ushtrimit të fjalës së lirë për të gjithë. Njëkohësisht, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është edhe një rast për të vlerësuar gjendjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës, për të mbrojtur median në përgjithësi nga sulmet ndaj pavarësisë së saj nga qeveritë autoritare dhe grupe të tjera, në bashkëpunim me qeveritë, dhe për të kujtuar sakrificën dhe për të nderuar gazetarët, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Themelorja e mandatit dhënë UNESCO-s nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është mbështetja ndaj lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës, duke besuar se këto liri – si pjesë e lirive bazë të njeriut — ashtu si dhe pavarësia dhe pluralizmi në fushën e medias, janë thelbi i demokracisë së vërtetë, i mirëkuptimit të përbashkët dhe i sigurimit të paqes, në shoqëri dhe në botë.

Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, për vitin 2019, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Z. Antonio Guterres u shpreh se, “Liria e shtypit është jetike për paqen, drejtësinë, për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik dhe ekonomik, si dhe për mbrojtjen e të drejtave bazë të njeriut. Asnjë demokraci nuk është e plotë” shtoi ai, “nëqoftëse nuk ka informacion transparent dhe të besueshëm. Informacioni i lirë, objektiv dhe i paanshëm, “Është gurthemeli për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe mjeti për të mbajtur udhëheqësit qeveritarë, përgjegjës për veprimet os mos veprimet e tyre”, ka thënë ai në mesazhin e tij, duke theksuar më tej se, “Kjo është e vërtetë, veçanërisht, gjatë fushatave zgjedhore” që sivjet është edhe fokusi i Ditës Botërore të Lirisë së shtypit, nënvijoi kryetari i OKB-së. “Faktet dhe jo gënjeshtrat duhet të udhëheqin votuesit kur zgjedhin përfaqësuesit e tyre…”, theksoi Z. Guterres, ndërsa shprehu shqetësimin e tij të thellë, në lidhje me sulmet dhe dhunën që ushtrohet ndaj gazetarëve, anë e mbanë botës. Sipas UNESCO-s, tha udhëheqësi i OKB-së, pothuajse 100 gazetarë janë vrarë gjatë vitit 2018 dhe me qindra të tjerë janë burgosur, ndërsa nga viti 1994 e deri më 2018 janë vrarë gjithsejt 1307 gazetarë. Kur përfaqësuesit e medias bëhen objekt i dhunës, atëherë shoqëritë në përgjithësi e pësojnë rëndë nga sulmet që i bëhen lirisë së fjalës, përfundoi ai mesazhin e tij, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Antonio Guterres

Audrey Azoulay

Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay në mesazhin e saj me këtë rast e cilësoi lirinë e shtypit si gurthemelin e shoqërive demokratike. “Të gjitha shtetet, të gjitha kombet fuqizohen nga përhapja e lirë e informacionit, nga debati dhe shkëmbimi i lirë i opinioneve. Në një kohë mosbesimi dhe përpjekjesh për të sulmuar shtypin dhe gazetarinë, është e domosdoshme që të garantojmë shprehjen e lirë të mendimeve, nepërmjet shkëmbimit të lirë të ideve dhe informacionit, bazuar në të vërtetat”, është shprehur zyrtarja e lartë e UNESCO-s, në mesazhin që shpërndau në emër të entit që ajo udhëheq.

Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, unë dua të kujtoj njërin prej dekanëve më të njohur të gazetarisë amerikane, të ndjerin Edward R. Murrow, një gazetar me integritet dhe influencë, i njohur jo vetëm në Amerikë, por anë e mbanë botës, si mbrojtës i fakteve dhe i të vërtetës në ushtrimin e gazetarisë. Për një kohë, ai ka kryesuar Entin Amerikan të Informacionit, (USIA) pjesë e të cilit ishte edhe Zëri i Amerikës (VOA), ku kam pasur nderin dhe privilegjin të punoja për 30 vjet. Fjalët dhe shkrimet e tija i konsideronim si udhëzuese dhe frymëzuese në punën tonë të përditshme: “Tradita amerikane dhe etika amerikane kërkojnë prej nesh që të jemi të drejtë dhe të themi të vërtetën. Por, arsyeja më kryesore për këtë është se e vërteta është propaganda më e mirë dhe gënjeshtrat janë propaganda më e keqe”, është shprehur ai. “Që të bindim të tjerët, ne duhet të jemi të besueshëm, e po të duam të jemi të besueshëm, atëherë duhet të themi e të shkruajmë të vërtetën”, ka thënë Edward Murrow, i cili gjithmonë insistonte se platforma e gazetarisë duhej të ishte, pa përjashtim dhe në të gjitha rrethanat, objektive dhe e paanshme.

Në mesashin e saj, Drejtoresha e UNESCO-s Audrey Azoulay, u bëri thirrje shteteve anëtare të organizatës që ajo kryeson si dhe shoqërisë civile dhe organizatave profesionale të medias, anë e mbanë botës, që të festojnë lirinë e shtypit dhe të drejtën për të qenë të mirë-informuar, pasi sipas saj, liria e shtypit dhe e vërteta e informacionit, janë jetike për zhvillimin normal të çdo shoqërie demokratike.

“Ne nuk mund të trillojmë lajme të mira për të justifikuar praktikat e këqija (qeveritare)”. Edward R. Murrow

“Një komb delesh do të ketë së shpejti një qeveri ujqërish”. Edward R. Murror

“Asnjë udhëheqës autoritar nuk mund të terrorizojë një komb, por nëqoftëse të gjithë jemi bashkëpunëtorë të tij, atëherë një gjë e tillë është e mundur”. Edward R. Murrow

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-Media dhe Demokracia

KOMUNITET- NJOFTIM MORTOR-

May 2, 2019 by dgreca

– KA NDËRRUAR JETË NË NJU JORK EJËLL PREÇ GJINI(ZAGREDA) /1925-2019-/

Familja Zagreda dhe miqtë e saj kanë njoftuar komunitetin se ka ndërruar jetë me 1 Maj 2019 EJËLL PREÇ GJINI(ZAGREDA). Shërbimet Funerale për të ndjerin do të organizohen ditën e Shtunë me 4 Maj 2019 nga ora 2 .P.M.- 9 .P.M. në Farenga Brothers, që ndodhet në adresën:
920 Allerton Avenue, Bronx, NY 10469.
Sipas dëshirës së Tij në të gjallë, varrimi do të bëhet në Vendlindje, ditën e Martë me 7 Maj , 2019 në fshatin Reç, Ulqin.
I ndjeri la në pikëllim djemtë: Kola dhe Gjergji, Vajzat Roza, Victoria dhe Mrika, 15 nipa e mbesa, 19 stërnipa e stërmbesa dhe familjen e gjerë Zagreda.
Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta DIELLI i përcjell familjarëve ngushëllime!

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ejell Prec Gjini-Zagreda

Vatra dhe Dielli, Autoriteti më i Lartë moral i Botës Shqiptare

May 2, 2019 by dgreca

– Ne, jemi sot më të vendosur se kurrë ndonjëherë më parë që të lexojmë me përgjegjësi të lartë qytetare mesazhin e etërve tanë Nolit e Konicës, për të mbajtur me çdo kusht peshën e rëndë që na ka vënë historia mbi shpinë për të dërguar çështjen shqiptare drejt destinacionit të zgjidhjes së plotë. Dhe në këtë drejtim Vatra dhe Dielli janë autoriteti më i lartë moral i botës shqiptare….

NGA DRITAN MISHTO*

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,

I Nderuar z. Editor i Diellit, Dalip Greca dhe Editore e Seksionit Anglisht znj. Rafaela Prifti,

Të nderuar z. Harris, Drejtor në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Dr. Elez Biberaj, Drejtor në Zërin e Amerikës, Prof. Nicholas Pano si edhe ju studiues shkencorë, profesorë dhe lektorë,

Të nderuar Anëtarë të Kryesisë së Vatrës, Anëtarë të Këshillit të Vatrës dhe Kryetarë të Degëve,

Të nderuar përfaqësues të Organizatave të Komunitetit,

Të dashur vatranë dhe bashkëatdhetarë kudo që ndodheni.

Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të Amërikës VATRA të deklaroj të hapur Sesion Shkencor kushtuar 110 vjetorit të Gazetës Dielli.

Ne jemi të lumtur që sot Gazeta Dielli feston këtë përvjetor me madhështi dhe me një respekt të padiskutueshëm ndër lexuesit bashkëkohorë, madhështi e respekt të cilin jo vetëm simotrat e saj të shuara gjatë rrugës së vështirë të jetës, por edhe gazeta të kombeve të tjera do ta kishin zili.

Dua që në emër të Federatës VATRA të kujtoj me respektin dhe mirënjohjen më të madhe editorët ndër vite të Gazetës sonë: Fan Noli, Faik Konica, Efthim Natsi, Paskal Aleksi, Kristo Floqi, Kristo Dako, Dennis Kamburi, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Loni Kristo, Andon Frashëri, Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Andrea Elia, Nelo Drizari, Peter Çiko, Qerim Panariti, Peter Prifti, Bilal Xhaferri, Athanas Gegaj, Xhevat Kallajxhi, Eduard Liço, Arshi Pipa dhe Anton Çefa. 

Përpara një viti u nda nga jeta Presidenti i Nderit i Federatës VATRA z. Agim Karagjozi, të cilit i takon merita e madhe e ribotimit të Diellit në cikël të pandërprerë periodik dhe përzgjedhja e Editorit tonë z. Dalip Greca, të cilit në emër të Kryesisë së Federatës VATRA dua t’i shpreh publikisht respektin dhe mirenjohjen më të madhe që me një punë tej çdo parashikimi arriti ta mbajë Gazetën Dielli në nivelin e një tempull të vërtetë të mendimit bashkëkohor shqiptar.

Unë jam shumë krenar dhe i lumtur që pas Kuvendit Historik të vitit 2017 dhe ngritjes së Federatës sonë në një stad të lartë tashmë, ne kemi edhe Editoren e Seksionit Anglisht znj. Rafaela Prifti të cilën e falenderoj publikisht për punën e saj të shkëlqyer.

Të dashur bashkëkombas,

Ne, jemi sot më të vendosur se kurrë ndonjëherë më parë që të lexojmë me përgjegjësi të lartë qytetare mesazhin e etërve tanë Nolit e Konicës, për të mbajtur me çdo kusht peshën e rëndë që na ka vënë historia mbi shpinë për të dërguar çështjen shqiptare drejt destinacionit të zgjidhjes së plotë. Dhe në këtë drejtim Vatra dhe Dielli janë autoriteti më i lartë moral i botës shqiptare.

Ne të ecim përpara me ritëm të shpejtë sepse gara jonë nuk është me të shkuarën apo edhe me atë çfarë ne vetë po bëjmë, por gara jonë është me atë që koha na kërkon të bëjmë. Dhe nuk jemi këtu sot për vehten tonë, por jemi këtu që fëmijët tanë të mos maten me punët tona, por me kërkesat e kohës që ata do të jetojnë. Unë, si kryetar i Federatës VATRA, Editori, Kryesia, Këshilli dhe anëtarësia jemi të vendosur dhe të palëndur në objektivat tona.

Së fundi, edhe njëherë, i shpreh këtij auditori falenderimet më të sinqerta për pjesëmarrjen tuaj këtu dhe jam i bindur në suksesin e këtij sesioni shkencor dhe se produkti i tij është një bazë e fortë për Diellin e nesërm.

Rroftë Gazeta Dielli

Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA

Zoti Bekoftë shqiptarët kudo që ndodhen

Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës

* Përshëndetja e Kryetarit të Vatrës, z. Dritan Mishto në Seminarin kushtuar 110 vjetorit të themelimit të Gazetës”DIELLI”, 6 prill 2019.-Botoi Dielli ne Prind-Prill 2019

Filed Under: Emigracion Tagged With: Dritan Mishto-Fjalimi-6 Prill 2019

KOSOVA PËRKUJTOI 20 VJETORIN E RËNIES SË HEROIT AGIM SELMANAJ

May 1, 2019 by dgreca

20 VJET NGA RENIA E HEROIT AGIM SELMANAJ

Kryeministri Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Agim Selmanaj-


Gllogjan, 1 maj 2019- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, bëne homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Agim Selmanaj.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, para të pranishëmve të shumtë, deputetë, kryetarë komunash dhe përfaqësues tjerë të shoqërisë, tha se, ka nderin që sot t’i bashkohet homazheve aty ku pushon Agimi dhe dëshmorët e heronjtë e tjerë të Kosovës. 
“Bëhet fjalë për një familje, që ndër breza iu kushtuan lirisë. Këtu kemi babën, axhallarët, të cilët ishin të burgosur politikë, ishin në luftë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, Agimi ishte që në ditët e para të luftës dhe në njësitet e para në Gllogjan.

Lavdi për Agimin, lavdi të gjithë të rënëve për liri!

Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se, në këto ditë, anekënd Kosovës, janë duke përkujtuar dhe nderuar dhimbjen dhe sakrificën e të rënëve të Kosovës, që ranë në altarin e lirisë.
“Jemi sot këtu, në Gllogjanin e lirisë, në Gllogjanin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gllogjanin e Luanit, Shkëlzenit e të dhjetëra dëshmorëve të tjerë, për të kujtuar një hero të Kosovës, një djalë të ri, Agim Selmanaj. Agimi nuk ishte më shumë se 20 vjeçar dhe në vend që të merrte mjetet e mësimnxënies, atij iu desh që të merrte në duar armët e lirisë. Sepse kjo ishte thirrja e atdheut. Në vend që të gëzonte jetën, ai u desh të jepte jetën për lirinë e Kosovës. Ky është çmimi i sakrificës sonë, ky është çmimi i shtetit tonë”, theksoi kryeparlamentari Veseli. 

Ai shtoi se të gjallëve sot, kjo sakrificë, si amanet i këtyre njerëzve, dëshmorëve e të rënëve si Agimi, nuk i lë që për asnjë hap, për asnjë milimetër të lëvizin prapa. 

 “Ta ruajmë këtë shtet të cilin e kemi sot dhe të punojmë edhe më shumë, duke e dashur atë, duke punuar ndershmërisht, duke punuar më shumë, që ta zhvillojmë, duke u dhënë mundësi bashkëmoshatarëve të Agimit, sot 20 vjeçarë, të kenë perspektivë edhe më të mirë në shtetin e vet, në tokën e vet. Të gjithë bashkëluftëtarët duhet të ndihen krenarë me veprën e tyre dhe të punojnë më shumë për vendin”, tha kryeparlamentari Veseli.  ​
Në emër të familjes së Heroit Agim Selmanaj, foli deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rasim Selmanaj, i cili falënderoi të gjithë për nderimin që po i bëjnë Heroit, por edhe gjithë familjes.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1029
  • 1030
  • 1031
  • 1032
  • 1033
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT