• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Amerikan Joe Biden uron Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani

April 20, 2021 by dgreca

-Presidentja Osmani pranon letër nga Presidenti Biden: Partneriteti ynë është i rrënjosur në vlera të përbashkëta/

 -Presidenti Biden ka theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike/

PRISHTINË, 20 Prill 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili e ka uruar në emër të popullit amerikan për zgjedhjen në krye të shtetit.

Presidenti Biden ka përmendur marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve dhe partneritetin e gjatë të rrënjosur në vlerat e përbashkëta, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën. Në këtë kontekst, Presidenti amerikan ka përmendur të birin e tij Beau, i cili ka shërbyer në Kosovën në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane, siç thuhet në letër për “avancimin e paqes, si dhe sundimit të rendit e ligjit”.

Më tej në letër, Presidenti Biden ka theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike. Presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së Presidentes Osmani që SHBA-të të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë.

Në letrën e Presidentit Biden theksohet, gjithashtu se ShBA-të, mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë. “ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Presidentit Biden dërguar Presidentes Osmani.

Filed Under: Featured Tagged With: leter, Presidenti Bide

Romani i ri i Grigor Banushit

April 20, 2021 by dgreca

Nga Meri LALAJ/ Rrallë, ndoshta aspak, kur hyjmë nëpër librari mund të shohim se po i bëhet reklamë një autori shqiptar apo librave të tij. Libraritë janë të përmbytura me libra të autorëve të huaj të përkthyer në gjuhën shqipe. Deri diku është e kuptueshme uria që kemi pasur për të lexuar shkrimtarët e huaj të ndaluar për gjysmë shekulli në vendin tonë. Veçse tani, gjërat kanë ndryshuar sepse lundrojmë në një oqean librash të huaj. Po autorët shqiptarë ku janë? Librat e tyre ndonjëherë janë të strukur nëpër zgëqe si diçka e dorës së dytë. Për shkrimtarët nga Kosova apo Maqedonia e Veriut ka një lloj heshtjeje nuk përmenden, kështu lexuesi brenda kufijve të Shqipërisë njihet fare pak ose aspak me librat e Mehmet Krajës, Luan Starovës apo Kim Mehmetit e të tjerë. 

Kohët e fundit kam lexuar një autor kenian dhe një norvegjez, të cilët nuk më lanë fort mbresa. Këtë e them sepse më pas lexova romanin “Zërat e natës” të autorit dhe mikut tim, Grigor Banushi, ky roman është i shtati në radhë shkruar nga autori (i kam lexuar edhe romanet e tjerë). Në të gjithë këta libra, autori përshkruan me vërtetësi Shqipërinë e viteve të diktaturës dhe të viteve të mëpastajme. 

Kam lexuar thuajse të gjithë librat e autorëve, të cilët kanë përshkruar jetën nëpër burgjet komuniste apo internimet kështu mund të përmend At Zef Pllumin, Pjetër Arbnorin, Visar Zhitin, Maks Velon e shumë të tjerë, por habia ime është sepse Grigor Banushi nuk ka qenë as në burg, as në internim dhe përshkruan me hollësi ato vise. Kjo është mjeshtëria e shkrimtarit. 

Në qendër të romanit përshkruhet jeta e një familjes shqiptare: burri shqiptar dhe gruaja e huaj, (një nga ato 1200 fatzeza, të cilat për hir të dashurisë erdhën të jetonin në Shqipëri). Këtë temë autori e kap fort dhe e shtjellon më së miri duke përshkruar personazhet dhe vendet ku marrin shkas ngjarjet. Në mendje të mbetet Jana, mikja e ngushtë e autorit, (romani është mbështetur edhe mbi ngjarje dhe personazhe të vërtetë), së cilës i bien mbi kokë të gjitha fatkeqësitë e familjes, po ashtu po veçoj figurën e urryer të spiunit të Sigurimit Gaz Kërri e përshkruar në të gjithë ndohtësinë e saj. Aftësia zhbiruese e shkrimtarit në vërtetimet kriminalistike apo njohuritë teknologjike të kohës në të cilën po jetojmë janë për t’u admiruar. Romani është i ngjeshur me ngjarje rrëqethëse që mbajnë ngrehur kureshtjen e lexuesit. Romanin e përshkon që nga kryeja deri në fund një gjuhë e pasur, e rrjedhshme dhe e gjallë. Ky është një roman shkruar me shpirt për të mos harruar kurrë të kaluarën nën regjimin komunist. Për mendimin tim ky libër ia meriton të bëhet film. Shumë urime dhe suksese Grigor Banushi!  

Filed Under: LETERSI Tagged With: MERI LALAJ

KUJTESË PËR ATA QË DO TË VOTOJNË PËR NDRYSHIMIN, KUNDËR KRIMIT

April 20, 2021 by dgreca

VILSON BLLOSHMI GENC LEKA

Nga Agim Xh. Dëshnica

Ju që do të shkoni të votoni për ndryshimin kundër krimit, ndaluni pak pranë përmendores së Gencit e Vilsonit, hidhni do lule e kujtoni me nderim dy djemtë e pafajshëm, poetët demokratë të  lirisë,  të pushkatuar,  pasardhës të denjë të mësuesve atdhetarë.

 Si çdo ditë, në mëngjes herët, pas natës së 17 korrikut 1977, gra e vajza me drapër në dorë, tek zbrisnin, për në arat e kooperativës së Bërzheshtës mbi  Librazhd, s’kishin dëgjuar krisma armësh në mesnatë,  as nuk dinin se në hijen e malit të Zgarës, ishin pushkatuar dy mësuesit e rinj, Genc Leka e Vilson Blloshmi! Kur kujtohen të dy poetët, shpaloset faqe maleve, bukuria e blertë e Librazhdit, dëgjohet jehona e poezive të paharruara, këngët si vaje të Bërzeshtës, isot e kabatë për vallen e vdekjes me dridhma shtatesh të Rrajcës në livadhet e përzhitura nga vapa e korrikut.

Në rrjedhën e kohës nga brezi në brez, kujtesa e ngjarjeve tragjike, mbart pamje nga të  vërtetat e hidhura. Historia e trishtuar e viteve  pas luftës, flet sesi  komisarët me yll të kuq në ballë, tjetërsuan jetën, me vrasje e burgosje në qytet e fshat, rrëmbyen tokat e bukës, pronat, shtëpitë, hotelet, teatrot. kinematë e dyqanet, rrënuan e mbyllën xhami, kisha e teqe. Nga shtati i masakruar i poetit Dom Lazer Shantoja, pas sharrimit mizor të gjymtyrëve, u pushkatua çfarë kishte mbetur gjallë.. Më pas vijoi pushkatimi i poetëve Manush Peshkëpia, Trifon Xhagjika, i muzikantit të ri Gramoz Omari. Nëpër burgje, humbën jetën nga torturat poetët e shkrimtarët Vinçenc Prennushi, Bernardin Palaj, romancieri i parë shqiptar Ndoc Nikaj, dramaturgu klasik Et’hem Haxhiademi e shumë të tjerë. Aso kohe Lidhja e shkrimtarëve, botonte poemat “Enverit” “Me ty Stalin!”, “Strategu i fitoreve Stalini” etj. Pas pushkatimit pa gjyq të 21 burrave fisnikë dhe dijetares Sabiha Kasimati pranë Urës së Beshirit, një turmë e zhurmëshme, u mblodh para Legatës Sovjetike duke brohoritur për Stalinin, Enverin e Bashkimin Sovjetik.

Një përfytyrim i rrejshëm rreket të tregojë, edhe sot, sikur në atë sistem të çoroditur, gjthçka shkonte vaj. Veçse në orë të caktuara ditën, madje, edhe natën qytetarët mbanin radhë për bukë, kos e me raste për një a dy pula, të heshtur e të përulur para shitësit në dyqanet e shtetit. Një filozof gjerman shkruante: ” edhe populli gabon, madje është fajtor, meriton qeverinë që mban mbi shpinë.” Shtetëzim, burgim e pushkatim-fjalë tmerri. Vendim për shembje ndërtesash monumentale-çmenduri  sekretarësh  në komitetet e partisë në qendër e në rrethe. Për të ndalur sadopak dorën e tyre rrënimtare, studiuesit më në zë, botonin hera-herë shkrime  për formimin  e kombit  shqiptar, për kulturën, vlerat etnografike e nd֝ërtimore. E megjithatë zjarri i luftës kundër feve, kanuneve e zakoneve, të trashëguar brez pas brezi, mbahej i ndezur nga poetët e shkrimtarët real.socalistë, të cilët ngrinin lavde për një të krisur me emrin Enver, mburrnin heronjtë e sigurimit të cilët për të mbuluar dështimet në ekonomi, me porosi të partisë, sajonin grupe armiqsh e sabotatorësh.

 Në vitet 70, kur ekonomia e përqendruar po tronditej në themel, partia vendosi përsëri, të vriste njerëz. Ndaj si ujku në pergjim priste rastin te kapte gjahun e parë. Nisi me poetët, shkrimtarët dhe artistët e lirisë në burgje, kampe pune, e miniera.  Në vitin e zi 1977, u dënuan në kundërshtim me ligjet,   dy poetët  e rinj, me fat tragjik, Genc Leka 32 vjeç e Vilson Blloshmi 29 vjeç, për vargjet, ëndërrimet e  shpresat e tyre djaloshare. Këta poetë të mohuar, e të pambrojtur nga askush, u rrezikuan jo vetëm nga dëshmitarët e rremë, por edhe nga ekspertët e letërsisë, për realizimin e skenarit vrastar me “grupin e sabotatorëve” në Kooperativën e Bërzheshtës. Skenari fillonte me një mushkë të mbytur, diku në punë e sipër. Në vijim u sajuan akuzat:  “zjarrvënës e vjedhës”. Sipas partisë e sigurimit ato “akte sabotimi synonin rrëzimin e pushetit popullor!!”

Për dënimin e tyre, u hartua një plan i gjerë masash nga Komiteti i Partisë së Librazhdit me urdhër të sekretarit të parë, druvarit Sotir Koçollari, bashkë me gjykatën, prokurorinë, hetuesinë, drejtorinë e policisë etj. U ngarkua një lukuni hetuesish me detyra të veçanta me kryehetuesin kriminel, Selim Çaka në krye. Në akuzën e sajuar u renditën shpifje nga më të ndryshmet: “krim e sabotim  në bujqësi, axhitacion e propaganda.” Të gjitha bashkë morën pamjen e një litari të përgjakur nga historia tragjike e fisit të blloshmëve me zanafillë nga lufta vëllavrasëse e vitit 1944, zgjatimi hakmarrës në kohë paqeje, shpallja “kulak”, një nofkë e ngjashme me emrin skllav e së fundi, caktimi i “grupit të tetë sabotatorëve.” Në përfundim u dënuan me pushkatim dy më të rinjtë, Genci e Vilsoni “kryetarë e udhëheqës grupi.”, “Fajet”  e “krimet” e tyre më të rënda, ishin krijimi i poezive dhe përkthimet  nga Volteri, Viktor Hygo, Edgar Po, Alfred De Myse, Bodler, Rembo, Shatobrian, Maksim Gorki etj. A ka ligj në botë për vrasje  poetësh, të cilët krijojnë poezi e kënaqen vetë me to? Dokumente për dënimin e tyre ishin ditaret, fletoret e shënimeve dhe letërkëmbimi me të afërmit e dashur, ku poetët shkruanin poezitë, mendimet  për letërsinë, artin e kulturën. Hetuesit pa shkollën përkatëse shqyenin sytë dhe me anën e torturave shtazarake përpiqeshin t’i detyronin të pandehurit, të pranonin “fajet, krimet dhe veprimtarinë armiqësore.” Pengësë e pakalueshme, për ata, që morën përsipër detyrën e caktuar nga sekretari i parë i Komiteti të Partisë, ishte vetëm një, Vilsoni i paharruar që mbante emrin e nderuar të presidentit shpëtimtar amerikan. Hetuesit-xhelatë, me britma e sharje, ua përplasnin kokën nga muri në mur, i qëllonin me grushta e shkelma, ku të mundnin. Vilsonit ia thyhen  krahun, por ai qendroi i patundur, shkëmb-vigan. Të tjerët, gjatë torturave të padurueshme, u lëkundën, pranuan disa nga fajet e paqena.

Krejt ndryshe janë zhvilluar ngjarjet në kohën e Monarkisë së përfolur, me Migjenin mësues në shkollat e shtetit, kur poeti  i trishimit, botonte lirshëm poezi e shkrime kritike, si “Hidhet e përdridhet” (me nënkuptime kundër Mbretit.), “Poema e Mjerimit”, “Molla e Ndalueme,” “Legjenda e Misrit.“ “Bukën tonë falna Zot”, ndërsa poetët mësues  Gencin e Vilsonin, i vranë për krijime të pabotuara.

 Ne fillimet e demokracisë, njërëz të politikës e të kulturës, u munduan më kot të shfajsoheshin me frikën e diktaturës, heshtën  për librat e botuar dikur, por për çudi, as sot nuk po e marrin veten, përpiqen të harrohet gjithçka nga e kaluara me shprehje të tilla “se ashtu ishin ligjet në monizëm.” Ndërkohë të tjerët për pak desh u fshinë nga kujtesa e kombit. Gjithsesi, ndihen të qetë në ndërgjegje ndaj shkruajnë  për të vërtetat e asaj kohe të mallkuar, kur ndalohej mendimi ndryshe, kur vriteshin poetët e lirisë për vargje kushtuar natyrës e dashurisë njerëzore.

Siç ndodh zakonisht me poetët, në moshë të re, me anën e poezive, Genci e Vilsoni shprehnin gjendjen  shpirtërore ndaj fatit të mbrapsht, për humbjen e të drejtave studimore, mendimin e heshtur kundër padrejtësive: largimi nga arsimi, në minierë e bujqësi, punëtorë në pyje dhe ushtri. Ajo lojë hetuesish, ishte në kundërshtim me faktet  e ekspertizës  ekonomike  e juridike. Megjithatë tërë ato fakte pafajësije, u fshinë me vendosmëri nga sekretari i parë i cili kryente verbërisht detyrat e caktuara nga lartë, sipas parimit komunist: “të vrasim njerëz për të mbajtur pushtetin.”

 Kjo detyre u plotësua, edhe me ndihmën e njerëzve të kulturës nga Tirana. Faktet janë kokëfortë, nuk merren me nderime ndaj askujt, qofshin dhe profesorë, të cilët nuk mundën të mbronin poetët me argumentin e fuqishëm, se poezitë, as ishin botuar as të shperndara dorazi.. Gazetarja Çuli e tmerruar nga sigurimi, tejkaloi detyrat duke qëmtuar, edhe me hamendje vargjet e Gencit kushtuar dashurisë. Prof. Xhaxhiu bëri çmos t’i komentonte përkthime e krijimet si punime adoleshentësh. Ndërsa N.Jorgaqi për poezitë“ Vjeshtë”, “Rrethi i hënës”, “Harabelat”,  gjykon: “Vilsoni ka thënë se që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të studiosh dhe në gjuhë të huaj. Ai ka bërë përkthime nga autorë dekadentë, si: Lamartin, Shatobrian, Rembo, Bodler etj. Ka nxjerrë shënime me përmbajtje reaksionare si “s’ka gjë më të bukur se ajo që nuk shërben për asgjë”, ka nxjerrë citime nga Gorki “nuk ka njeri më egoist se i sëmuri”, ose nga Naim Frashëri “mos u bëj mjaltë se të hanë mizat” – citime që i shërbejnë ideologjisë së tij”. Bara më e rëndë ra mbi mësuesin e poetin K. Petriti, me poezinë e Vilsonit  “Saharaja”. Sado, u orvat me disa e trajtime, me jo, të paqarta apo të errëta, nuk mundi t’ia dilte mbanë për shkak të hetuesve të egër, të cilët me klithma, kërcënonin, se për idealin komunist mund të hidhnin në erë, malet dhe vetë Shqipërinë.

Pra, ishin, vetëm dy nga ekspertët të cilët duke kryer detyrën e letrarit bashkëkohor, shqyrtuan poezitë intime e përkthimet e bukura të poetëve. Ishin ata të dy, që poshtëruan veten me fyerjet ndaj poetëve të mëdhej europianë e kësisoj lehtësuan punën e hetuesve për dënimin e Gencit e Vilsonit.

Dokumenti i vendimit të jashtëligjshëm, me vdekje, u miratua nga kryetari i Gjykatës së lartë, Aranit Çela dhe Kolegji i Apelit, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor, nuk e pranoi lutjen për faljen e jetës. I fundit, ministri i brendshëm, urdhëroi me shkrim policinë e Librazhdit për ekzekutimin larg qytetit. Qarkullon dhe një dëshmi nga një pjesëtar i togës së pushkatimit. Në moshë të thyer, i munduar nga ankthi i padurueshëm i heshtjes, si në një rrëfim, ai tregon për çastet e fundit të jetës së dy poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi. Para pushkatimit, kryehetuesi kriminel, iu qas buzëgas Vilsonit. Mesa kuptohej pas torturave ç’njerzore ai kërkoi poshtërimin e tij, edhe në çastet e fundit të jetës, bashkëpunimin me organet e sigurimit. Kundërshtimi këmbëngulës i poetit të lirisë, qe i menjëhershëm. Pas pak u dha komanda, ”zjarr!” Gjithçka mbaroi. Krismat në hijen  e malit të Zgarës u përzihen me zhurmën e rrjedhës së Shkumbinit e jehonën maleve, ku poetët të pandarë ndrijnë si yje lart në qiell, ndërsa vepra e tyre e bukur jeton në mendjen e zerat e rinisë. 

Kur diktatori i pashpirt, u zhduk nën dhe, degjohej gaz-hidhët në festivale, kënga e vdekur, “Lule për xhaxhin Enver” nga barinjëtë e dhive, “bilbila me lule mbi qeleshe…”Një nga këngëtarët-vallëtarë nga Librazhdi, mban emrin Taulant Balla. Sot ai eshtë një prej mashtruesve të koruptuar e gënjeshtar i gjobitur nëpër gjyqe. Ndërkohë, edhe shërbëtor besnik i kryeminitrit në ikje Rama. Për çudi vetëm aty nga viti 2017, shkrimtari  i realizmit socialist, Ismail Kadare, u bë i gjallë tepër vonë, me parthënien në librin “Genci  e Vilsoni”, botuar nga Sadik Bejko për dy poetët e pushkatuar në 1977. 

I pyetur disa vite më parë  Kadare ishte përgjigjur, se për vrasjen e dy poeteve.  qe njohur nga një shkrim i historianit Uran Butka!

 Nxënësit në shkolla, kudo në Shqipëri, presin të kthehen mësuesit e vërtetë, të mësojnë, si krijohen poezitë e lirisë.  Tashmë poetët, Genci e Vilsoni,  ligjërisht janë jo vetëm të pafajshëm e Martirë të Demokracisë, por  Nderi i Librazhdit, e Nderi  i Kombit.

Dy nga  poezitë e dënuara të Gencit:

KUJTIMI YT

“Kujtimi yt më hodhi këtë natë

Në thellësinë e brengave pa fund…

( Ah! ëndërr e kaltër,  këputur për mes)

Dhe nis mendimi  rrugën më të gjatë.

Shtegun e blertë kur nuk e gjen gjëkund

Vezulluar  prapa mbrëmjes e çdo mëngjes.”

  POEZIA E FUNDIT

“O hënë pse dole, moj kaq e trishtuar

Mos vallë për mua po mban zi?

…

Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,

Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?

Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar

Dhe pse sot po shkruaj  të fundmen poezi

.

Nga dosja e Vilsonit:

 Në dosjen e Vilsonit u gjetën  shënime  me shqipe të pasur, arsyetime të thella, ligjërime prej shkrimtari, me vlerë për ata që studiojnë gjuhen e letërsinë shqipe:

“Në vitin 1966 mbrojta shkollën e mesme pedagogjike. Ishim 208 maturantë. Nga të 208-ët vetëm unë u ndava: nuk m’u dha e drejta për të ushtruar profesionin si arsimtar. Me sa duket, kjo lidhej me të kaluarën jo të mirë të familjes sime. Në vitin 1972 kam shkruar një poezi. E kam bërë në ditët kur po hapej viti i ri shkollor; isha i dëshpëruar, mbasi me kohë kisha kërkuar që të ushtroja profesionin si arsimtar dhe kjo e drejtë nuk më jepej. Në ato rrethana kam shkruar poezinë:

“Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë

Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur

Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.”

Jam thyer para dëshirë sime, para dëshpërimit tim. Kohët shkonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. U bëra pesimist. Nuk jam llogaritur mes njerëzve dhe shokëve me të cilët bashkë mbaruam shkollën, por u llogarita midis klasave të vdekura, mes njerëzve të vdekur. Në poezinë më sipër unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit.

Shënimet në ditarin tim japin mbresa nga jeta e përditshme, shprehje të nxjerra nga studimi i autorëve të ndryshëm të letërsisë së huaj, ngjarje dhe ndodhi të jetës sime, të jetës shoqërore. Me shprehjen se njerëzit mbajnë ndonjëherë emra falsë, dua të them se njerëzit ndryshe hiqen e ndryshe janë. E kam shkruar këtë si vlerë njohëse për njeriun, ose dhe për ndonjë njeri konkret.

Ndryshe nga shokët e mi të shkollës, të cilët kanë disa vjet që e ushtrojnë profesionin e mësuesit jeta ime është monotone, e mërzitshme dhe pa asnjë gëzim. Ata janë arsimtarë, unë punoj në minierë. Ky trajtim nuk më pëlqen dhe më duket i padrejtë. Perspektiva ime është e një njeriu të pafat në jetë. Ç’farë kam bërë? I ri jam, forcat nuk më mungojnë, por nuk kam qetësi, ndërgjegjja nuk më lë të qetë. Kulmi i dëshpërimit arrin atje ku unë them më mirë të mos kisha lindur sesa linda në një jetë që më vret e më brengos. Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit, unë mërzitem shpesh. Në jetën e përditshme e kam për natyrë që të mos i bëj keq askujt. Gjithmonë vrisja mendjen: ç’do bëhej më vonë, madje, duke qenë i brengosur, rrija zgjuar, i mërzitur, i dëshpëruar, sa arrija ta bashkoj mbrëmjen me mëngjesin…”

Pra, në dëshpërim  e sipër poeti përfytyronte veten në një botë të ngjashme me Saharanë:

 Saharaja, larg është Saharaja,

Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja

Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë në mënt’ e sajë…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë,

.Saharaja nuk ka miq e shokë
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe natën nuk shkon mirë.

Natës s’i pëlqen në Sahara,

S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;

Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;

Shkretëtirës shket e shkrepë
Kur hynë dielli e kur hesht thëllimi
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë…”

                    ———–

Nga Viktor Hygo:

                    EKSTAZE 

Një natë plot me yje, pranë dallgëve isha vetë.

As dhe një re në qiell, as dhe një vel mbi det.

Më larg nga bota jonë vështrimi zhytej thellë.

Dhe pyjet mbarë, dhe malet, natyra pa mbarim

Sikur po pyesnin ngjanin, me të turbullt murmurimë

Dallgët e detit, zjarret edhe qiell.

Edhe të lartë yje, legjiona me mijë

Me zë të lartë e të ulët me mijëra harmoni   

Thoshin duke përkulur  atë kurorë të zjarrtë.

Dhe dallgët blu  q’asnjë s’mund, t’i drejtojë, t’i ndalë,

 Thoshin duke mbështjellë shkumën mbi shkulm e vale:

Ky është Zoti, Zoti i lartë.

                            * * *

Në kujtim e peng nderimi, shkruesi i këtyre rradhëve u ka kushtuar poezinë “Dy yje mbi hijen e malit.”

DY  YJE  MBI  HIJEN  E  MALIT*

Në hijen e malit, në përvëlim korriku,

shkretëtira bijtë e nënave mbuloi,

bylbylat  e pyjeve, poetët e freskisë rinore,

poetët e bukur të qiellit, guximtarët e lirisë.

Me klithma  e flakë vrastare

në terr mizor,

shkretëtira e tërbuar mori hak,

kundër ajrit, kundër lirisë,

kundër dritës,

kundër ëndrrave, kundër këngëve.

Heshtja e thellë sundoi

veç një çast!

Jehona  e dhimbjes së malit

fluturoi gjithkund!

S’është aq lehtë  të vrasësh poetët

në hijen e malit,

s’është aq  lehtë të vrasësh poetët,

të ndalësh rrjedhat e mendimit,

të zhdukësh shpirtin, të fikësh ditën,

s’është aq lehtë  të vrasësh poetët,

krimin ta fshehësh nën dhe!..

Nga zemra e tyre,

këngët e gjakosura, thirrjet për liri,

me flatrat e shqipes,

kryengritëse u ngritën lart,

murlanin e fjetur zgjuan,

zëmërimin ndaj tiranisë.

U rrafshuan dunat e sfilitjes,

në shkretëtirë  zhegu  u shua,

pluhuri gri  u tret.

U tund piramida në themel,

muret e ngujimit ranë.

Fryma e kohës i shkundi retë ujëplota,

u zbut dheu, ngriti kryet bari i njomë,

plasën gonxhet, shpërhyen lulet,

mbi blerim e hijeshi.

Frymë e kohës me psherëtimë,

tymin shpërndan nga hija e malit,

gjurmë krimi, njolla gjaku zbulon.

Në oborre shkollash,

vështrojnë ndër lot malin e trishtuar,

rrëzimin e gjetheve në vjeshtë.

Pse vonojnë mësuesit,

pse s’po vijnë poetët

Genci e Vilsoni?

Shkumbini shkumëzon

dredhon ndër  gurë e kthesa,

zëra valësh zhurmërojnë,

kërkohen poetët.

Oshëtima nga hija e malit

çohet  në qiell.

Dilni e shihni,

mbi  rrethin e hënës

vezullues dy yje  të qetë,

dy yje të bukur,

dy yjet e ndritur të zgjimit

             ——-

Filed Under: Ekonomi, Politike

Avioni i parë 93 vjet më parë në Kastriot të Dibres

April 19, 2021 by dgreca

Nga Pertefe Leka/ 93 vjet më parë zbriti  për herë të parë  në fushën e Kastriotit  Aeroplani  i  Shoqërisë Italiane .Në këte udhëtim të parë pati shansin të ishte pasagjer Im Atë,i cili e përshkruan mbërritjen  në Kastriot pa asnjë ceremoni.Ishte koha  kur gjithë qytetet e mëdha të Shqipërisë kishin fusha e aviacionit ku plotësoheshin  udhëtimet e brendshme me shpejtësi, p.sh.Itinerari  nga Tirana në Kastriot bëhej për 27 min.Duke shfletuar ditarin e mësuesit Jahja Domnori për aktivitetin e tij në Zonen e Kastriotit 1928-31, mësojmë konsideratat  e tij për dibranët të cilët në moment kardinale flasin me një gjuhë.

Ishin maturantët e parë të Gjimnazit të Shtetit ,Shkodër,dega pedagogjike,që morën bekimin e Drejtorit të kësaj shkollë Prof.Dr. Mirash Ivanaj, I cili I entuziazmuar nga  ky eveniment u shpreh: “Të jetë fatlume  e me fillim të mbarë ky hap me të cilin fillon Indipendenca  edhe në fushën Arsimore të Kombit Shqiptarë “  Pa asnjë hezitim  iu përgjigjen  kësaj thirrje  mësuesit e rinj Jahja Domnori, Refik Shpuza …të cilët u emëruan mësues në Kastriot  në vitin shkollor 1928. Datë kjo që  përkon  me procesin e ndryshimeve  në sistemin shkollor.Profesioni  si mësues të rinj i ngarkonte me përgjegjësi  dhe detyra te rëndesishme për të realizuar  kërkesat e kohës.Qeveria po merrte të gjitha masat e duhura  që të ndërtohej një sistem kombëtar.Për këte duhej të kapërceje  mbi një sërë shkollash  që kishin influencat  dhe qëllimet e veta.Kjo ndërrmarrje e qeverisë së Zogut  nuk qe e lehtë  për të unifikuar programet mësimore.Ndër të tjera,kishte për objektiv futjen e një rrjeti  të tërë shkollash fillore në tërë vendin, mbi bazën e sistemit me konvikt, për të gjithë ata fëmijë që banonin në zonat e largëta dhe nuk mund të përshkonin çdo ditë rrugën për të ndjekur mësimet.Me 8 dhjetor 1922,ministri i arsimit,Rexhep Mitrovica i drejtohej  kryeministrisë nevojën për hapjen e shkollave të reja,  por ndër të tjera theksonte:”Na kishim me qenë të mendjes që të ngrihen  dy internate, nji në Dibër e tjetri në Kosovë.. sepse deputetet  e Dibrës e të Kosovës na luten dita ditës të mirren në kujdes si krahina të harrueme e të qituna mbas shpine…”

Dibranët të njohur si arsimdashës,fillimisht, shkollat i hapen në shtëpitë e atyre, që kishin mundësi t’i përballonin. 

Në procesin e reformimit të sistemit arsimor  1922-1928  Qeveria  pati si prioritet hapjen e shkollave shtetërore dhe me programe të unifikuara.Kështu, Prefektura e Dibrës  me shkresën nr.345 datë 19.11.1925 kërkonte që ndërtesa për zyra komune në Kastriot të vihej në dispozicion të Internatit “Dibra” të Kastriotit.

Drejtori i parë i këtij Internati  ishte Haki Sharofi (mësues i përkushtuar, patriot, publicist, poet, fetar modern,demokrat i flaktë) i cili me 2 dhjetor 1923 emërohet drejtor në internatin e Peshkopisë,fillimisht i hapur në shtëpinë e Shehat Shehut.  

Nën drejtimin e Haki Sharofit internati “Dibra” i Kastriotit u bë një nga shkollat më në zë të vendit .Pas shumë  peripecishë ,(sepse H.Sharofi luftoi me armë në dorë  me Elez Isufin,  në ngjarjet e vitit 1924…) ai pati shumë  largime  nga puna dhe transferime.Por rikthehet përsëri në  Internatin Kastrioti në vitin shkollor 1927-1928 vetëm për një vit shkollor  dhe prej andej e transferuan në Internatin “Kosova” të Krumës.

Kështu në vitin shkollor 1928 -1929  drejtor  i  internatit  u emërua  Sali Morina i cili  krijoi nje kolektiv  me mësues nga  Shkodra, Jahja Domnori, Refik Shpuza,Abdulla Çanga dhe nga Normalja e Elbasanit Mustafa Shqerra. etj 

Mësuesi,Jahja Domnori,u emërua  mësues  dhe ekonomat pasi  kishte eksperiencë në këtë drejtim.

Të gjithë së bashku  me drejtorin në krye kIshin një kolektiv të harmonizuar, si në punë dhe në marrëdhëniet shoqërore.

Me 8 dhjetor 1928  zbriti për herë të parë në fushën e Kastriotit aeroplani i shoqërisë italiane Adria aereo Llojd….Udhëtimi Tiranë-Kastriot bëhej për 27 minuta. Mësuesi Jahja Domnori e kujtonte me shumë emocion udhëtimin me avion që zbriste në fushën  e Kastriotit.Ai udhëtoi me kushuririn e vet Q. Domnori të cilin e mori ta shkollonte dhe  të kujdesej për shendetin e tij.

Ekipi i mësuesve në atë shkollë me konvikt  punonte në harmoni të plotë me njëri tjetrin dhe me familjet dibrane,e sidomos me 8 familjet  e njohura që ishin të përmendura për mikëpritje,dhe arsimdashës.

Një foto,e marrur nga arkivi i familjes  së J.D.  ku janë  djemtë  e Internatit” Dibra “ në shtëpinë e Cen Elezit, (njihej  si burre trim,i urtë,luftëtar i paepur për të drejtat e shqiptarëve,demokrat, pikë për pikë si i jati ,Elez Isufi.Kjo foto  e dëshmon më së miri këte bashkëveprim të patriotëve  dibranë me shkollën.

Atë vit, mësuesi jahja Domnori përjetoi një ngjarje të ngjashme me ate që kishte kryer vetë në 28 Nëntorin e vitit 1927.

Mesuesi Haki Sharofi, figura e të cilit ishte akoma e pranishme në Internatin e Dibrës, sepse nuk harrohej shpejt kontributi i tij si drejtor dhe mësues në këte shkollë,bëri një xhest të admirueshëm,në festen e flamurit.

Në festën e 28 Nëntorit 1928, kur po bëhej gati ngritja e flamurit shqiptar, disa per t’i bërë qejfin  shoqërive italiane donin të ngrinin në të njëjten kohë edhe flamuri Italian, por mësuesi patriot Haki Sharofi  u shkëput nga turma dhe doli përpara Prefektit duke i thënë: “Na nuk lejojmë që krahas flamurit shqiptar të ngrihet edhe flamuri Italian, Shqipëria ka vetëm një flamur për të cilin është derdhur gjak,flamuri me shkaben dykrenare”.

Të njëjtën gjë kishte bërë edhe mësuesi Jahja Domnori,një  vit  më parë, me 28 Nëntor 1927. Ai së bashku me shokët , Agustin Shestani,(nga Kraja) Jahja Baçen J.Kazazi….kishin vendosor të hiqnin flamurin Italian nga banka e shtetit në Shkodër, sepse ngrihej në të djathtë, ndërsa flamuri shqiptar në të majtë.Kjo qe me pasoja sepse në momentin kur po e tërhiqnin flamurin Italian, policia i arrestoi studentët  e aksionit,me ata edhe J.Domnorin.

Këto ishin  mësuesit patriot, që me  guximin dhe qëndrimin e tyre atdhetar, bëheshin shembull  për brezin e ri,në ruajtjen e simboleve kombëtare.

Nga shënimet e mësuesit  Jahja Domnori “Jeta ime”mësojmë  disa të dhëna nga aktiviteti i tij në ate shkollë, ku qëndroi 1928 – 1931, “Si ekonomat i kam kursyer shtetit  500 napolona ari, 

Ministria e Arsimit,në kontrollin rutinë, nga inspektori i Arsimit të Elbasanit Baki Sinella, pasi i verifikoi tabelat e përditshme një për një, konstatoi se ushqimi kishte dalë konform me rregulloren e M.Arsimit.”J.D.

“Atëhere që të mos digjej kredija, shkruan mësuesi-ekonomist,kam ble 150 krevate hekuri,ku zëvendësova krevatet prej druri.Me kujdesin e mësuesit të shkollës sonë Mustafa Shqerra,blemë në Elbasan edhe velenxa leshi,rregulluam dritaret etj.”J.D

Sekreti i këtij kursimi,ishte sepse blerjet e ushqimeve bëheshin direkt nga ekonomisti, Jahja Domnori dhe jo me ndërmjetësinë e të tjerëve. Ky qëndrim korrekt ndaj parave të shtetit kishte vlerë, por edhe  një shembull i vyer për sot, ku të korruptuarit shpërdorojnë dhe grabisin paratë e shtetit.

Nga situata e përgjithshme  në Dibër Jahja Domnori shkruan: “Sa kam shkuar në Kastriot më ka rënë në sy se populli ishin të gjithë me armë.Atëhere  në Dibër  kishin influencë 8 shtëpi.

Në Sllovë shtëpia e Elez Isufit.Në Reç e Dardhë Dervish Luzha, në Maqellarë Dine Begu,në Kandër, Murat Kaloshi e me radhë Dine Dema, Dan Cami. Në Muhren e Vjetër Dine Hoxha që ishte mjaft i ditur dhe Sulë Shehu që ishte kryetar bashkije….

                 Këto familje ishin lidhur me njera tjetrën  me martesa: Murat Kaloshi kishte dhënë e marrë me shtëpinë e Elez Isufit. Për të birin, Dan,kishte marrë vajzën e Sulë Shehut.Pavarësisht  këtyre lidhjeve, kishte mosmarrëveshje  te cilat e shqetësonin qeverinë 

Në fundin e majit 1929, mbreti Zog, ju drejtoi një mesazh me anë të Muharrem Bajraktarit, i cili zbriti me aeroplan dhe erdhi në shkollën tonë. Prej këndej shkoi te Murat Kaloshi i cili e shoqëroi me nja 20 vetë. Të nesërmen të gjithë  majorat  u mblodhën në Peshkopi me njerëzit e vet.

Mbledhja u hap pranë Kazermave, por mungonte Dine Hoxha. Ndër të tjera i deleguari theksoi : Përfaqësuesit e këtyre shtëpive të merren vesh me të deleguemin tonë e të zgjidhin çdo mosmarrëveshje  se për hatër të 8 shtëpive nuk mund të shkatërrojmë një prefekturë e për hatër të një prefekture nuk mund të zhgatërrojme Shqipninë” Zog ……Ja  disa nga pasojat e konflikteve …

Ne ate periudhë Prefekt ishte Fehmi Tepelena, shumë i aftë në detyrë, i cili tue pasë një administratë jo të favorshme  për të kryer detyrat dhe zbatuar ligjet vrau veten. Po ashtu edhe Asim Borshi që ishte kryetar Gjyqi  u hodh ne Dri.Dibranët e shpëtuan dhe e sollën në shkollën tonë, kur mbas do kohe erdhën dhe e morën me aeroplan dhe e dërguan në Tiranë. Ma vonë e emëruan Kryetar Gjyqi në Shkodër.

                  Mbas vdekjes së Fehmi Tepelenës zv.prefekt u bë Daut Kombi i  cili kishte edhe postin si komandant xhandërmarije.

Sa mori detyrën e re edhe ne arsimtarëve na dha 14  pushkë  të  gjata së bashku me xhandërmarinë që kishim në shkollë.Unë si ekonomat duhej të kujdesesha edhe për 20 irredentistë dibranë që i kishin familjet në Jugosllavi.

            Me familjet tona nuk kishim kontakt, vendi ishte i izoluar, por mikëpritja e Murat Kaloshit dhe  e familjeve shumë  bujare dibrane, na e zbuste largësinë që kishim me të afërmit  tonë.

Ndër  figurat e përmendura ishte edhe ajo e Fiqiri Dines,si ushtarak vizionar, nacionalist  i ndershëm,me kulturë përendimore) “…Këte emër  e  kisha ndigjue , kur ai ishte qarkkomandant në Shkodër në vitin 1920. Atëhere im atë më dërgoi(një për shtëpi) në Luftën e Koplikut. Isha vetëm 15 vjeç, kur forcat Jugosllave donin të aneksonin krahinat e veriut. Ishte  edhe organizimi ushtarak i këtij biri të Maqellarës që zmbrapste çetnikët serb sa herë që shkelnin kufirin në qarkun e Shkodrës.”J.D.

 Një person shumë i nderuar në kujtimet e  mësuesit Jahja Domnorit ka qenë Z.Ramiz Trepçi, pronar i Hotelit “Durimi”në Peshkopi, tek i cili, sa herë strehohej  kur shkonte me shërbime në Peshkopi  gjente ngrohtësi si në familje.Ai nuk e harroi kurrë këte njeri shpirtmadh, e arsimdashës  për të cilin shkruante: “Sa herë  vononin rrogat e arsimtarëve,kur unë shkoja për t’i tërhequr  në Peshkopi,Ai kurrë nuk  më linte të kthehesha bosh  për në Kastriot,por  m’i jepte lekët  nga fitimet e tij,të cilat  kur ia ktheja,nuk pranonte kamatë  për vonesën  ” J.D. 

Ky qëndrim burrëror me besë dhe atdhetari,  forconte miqësi  afatgjata dhe i shërbente mbarëvajtjes së punëve shtetërore, duke u bërë  kështu  një rregullator i padukshëm  mes njerëzve, por frytdhënës. Kur vinte puna për të kontribue për  shkollimin e fëmijëve  dhe çështje madhore kombëtare  gjithë  dibranët pa përjashtim  ishin të gatshëm  të  bashkoheshin me urtësi në kuvende,  aty s’përfilleshin armët e inatet mes tyre, por në shërbim të të ardhmes së përbashkët.

 Ndër të tjera shkruan: “Përveç punës si mësues u përpoqa të mbledh edhe proverba dhe legjenda sidomos për Skenderbeun të cilin e quanin Skendëre.Flitej shumë për Pusin e Skenderbeut  në  Kukel apo për Gropën afër Muhrit që e kishte ba kama e Skenderbeut  kur ka kapërcye  Drinin.etj “J.D.

  Për dijeni, të  gjitha botimet  në mbledhjen e folklorit,jo vetem në Dibër,por edhe në vende të tjera ku ka punuarJ.D. ia dërgonte  Institutit të Folklorit, personalisht  Qemal Haxhihasanit në Tiranë.Kështu që  në nuk disponojmë një kopje të këtyre regjistrimeve.Mësuesi Jahja Domnori pas 17 vjetësh 1945 u emërue mësues në Allejbegi  dhe udhëtimin e bënte me kamiona të rastit dhe nga Maqellara për në Fshat do ta bënte në kembë, kur e zinte nata ishte i detyruar të ndalte diku ,ishin  po beglerët e Maqellarës  edhe pse me djalë të pushkatuem që ia hapnin derën …..vazhdon  ditari “Jeta Ime “i Mësuesit Shkodranë J.Domnori…..

Filed Under: Fejton Tagged With: 93 vjet, Avioni i pare, Kastriot, Pertefe Leka

VATRA NË SHQIPËRI,VIZITA NIS NGA SHKODRA

April 19, 2021 by dgreca

Homazhe tek varri i Eduard Grishaj, vëllait të nënkryetarit të Vatrës Alfons Grishaj-

Një delegacion i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” i kryesuar nga Kryetari z. Elmi Berisha, ka udhëtuarnë fundjavë drejt Shqipërisë në mbështetje të proceseve demokratike në Javën e Provës së Madhe për konsolidimin e Demokracisë së brishtë shqiptare, që për tre dekada zvarritet në tranzicionin e tejzgjatur, si në asnjë vend tjetër të ish Lindjes komuniste.

       Vizita filloi nga qyteti i Shkodrës, ku delegacioni i Vatrës shkoi fillimisht në varrezat e qytetit, ku prehet Eduard Grishaj, vëllai i nënkryetarit të Vatrës, Z. Alfons Grisha.Studiuesi i njohur, Eduard Grishaj,mik i Vatrës,humbi jetën në një aksident të rëndë mbrëmjen e së Mërkurës, 17 Mars 2021. Në emër të Vatrës u vendos një kurorë me lule.

      Në përbërje të delegacionit të Vatrës bëjnë pjesë: nënkryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” Dr. Pashko Camaj, Anton Raja-anëtar i kryesisë së Vatrës, Mondi Rakaj-anëtar i kryesisë dhe kryetar i degës në Michigan, anëtari i këshillit të përgjithshëm të Vatrës, Kolonel Dritan Demiraj. Me delegacionin e Vatrës ishte në Shkodër dhe drejtori ekzekutiv i Rrjetit Global të Bizneseve të Diaspores Shqiptare Dr. Naim Dedushaj.

Nesër, e Martë 20 Prill me delegacionin e Vatrës bashkohet edhe sekretarja Nazo Veliu.I planifikuar për këtë vizitë ishte dhe kryeredaktori i Diellit, Dalip Greca, por për arsye vetiake, ai u tërhoq.  I urojmë sukses delegacionit të Vatrës, që i rikthehet një praktike shumëvjecare.

 Shprehim keqardhjen që Diaspora u shmang nga zgjedhjet e 25 Prillit, por asaj askush nuk mund t’ia mohojë  kontributin Kombëtar. (Dielli)…

Filed Under: Featured Tagged With: Eduard Grishaj, Vatra ne Shkoder

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT