• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipërinë nuk e rrezikon kryeministri…

February 24, 2019 by dgreca

Shqipërinë nuk e rrezikon kryeministri, por egoja e Edi Ramës!/1-enver-BytyciNga Enver Bytyçi/

Në marsin e vitit të kaluar ndodhi protesta e kukësianëve! Atë ditë Edi Rama ishte në Vlorë. Erdhi me vrap në Tiranë dhe në deklaratën e parë bëri cubin! Denoncoi djegjen e katër kabinave dhe tha se ato kushtonin 15 milion dollarë amerikanë. (Katër kabina 2x1m – 15 milionë dollar?!) Arrestoi në mesnatë qytetarë të pafajshëm. E më në fund bëri gjithashtu viktimën. “Mund të kemi gabuar”! “Nuk jemi konsultuar”! “Na falni, njerëz jemi dhe gabojmë”!

Këtë ritual e vazhdoi sa herë ai u vu para akuzës së qytetarëve. Sidomos me studentët. Teknika e komunikimit me publikun nuk ndryshoi. Herë presion, herë tërheqje, herë tjetër diversion, po jo pak manipulim e thirrje të vazhdueshme për t’i përçarë ata! Ditën që u zhvillua protesta në Tiranë, më 16 shkurt, Edi Rama organizoi një antimiting me karrike dhe zyrtarë shteti në Vlorë. Pas kësaj u shfaq herë më arrogancë e herë si viktimë, me qëllim që ta shmangte efektin e kësaj proteste. Të njëjtën lëvizje bën gjithashtu këto ditët e pas 21 shkurtit.

Ky është Edi Rama. I paplotësuar në jetë sipas fantazisë së tij, i frustruar dhe cmirxhi për suksesin e tjerëve, i inatosur në kulm me dështimin dhe i mllefosur vazhdimisht me ata që Ia njohin veset, dështimet, prapësitë, Edi Rama nuk heq dorë nga fantasia e tij për t’u bërë i famshëm, i pasur e për të sunduar me forcë mizat e dheut e jo vetëm njerëzit! Ai ishte gati 30 vjeç kur blloku u shkatërrua dhe shihte me inat jetën e bllokmenëve byroistë, duke mallkkuar veten pse nuk ishte si ata. Në rininë e vet luajti basketboll. Por nuk u plotësua asnjëherë, sepse kishte shumë talente më të mëdha se vetja, ndërkohë që brenda subkoshiencës së tij zhvillohej xhelozia dhe egoja për të qenë me çdo kusht njëshi. Më tej nuk mundi të shquhet as si piktor. Dhe për të plotësuar veten, shfrytëzoi postin e kryeministrit të vinte një kosh basketbolli në zyrë dhe të zhgarraviste në tavolinën e punës kryeministrore. Thirri në ndihmë pushtetin, me qëllim që të marrë famën e talenteve, të cilat nuk mundi asnjëherë t’i arrinte.

Jeta e Edi Ramës, formimi i tij, ambicja, xhelozia, smira, e kanë bërë atë manipulator klasi, arrogant, aktor viktimizues në kërcënim, intrgant par excellent, mjeshtër i përçarjes dhe mashtrimit si dhe maestro në format këcënuese të frikësimit. Ne nuk kemi kryeministër Edi Ramën, por egon e Edi Ramës, atë që quhet subkoshienca e tij. Kështu që ne jemi bërë kavie eksperimentale në duart e tij. Laboratori i egos së Ramës bën kërkime shkencore të llojit: – Deri ku mund të durojnë shqiptarët, në çfarë temterature “u ngrihet atyre” dhe në cilin moment duhet Rama të bëjë një tërheqje mashtruese taktike.

Egoja në subkoshiencën e Ramës është e kushtëzuar nga edukimi dhe kultura që ka marrë. Uni i tij shfaqet sidomos përmes aktit të hakmarrjes. Diskursi politik i Edi Ramës dallon për agresivitet të tejskajshëm. Metoda e imponimit prepotent e me mendjemadhësi është tipar i shfaqjeve egoiste të pashembullta në politikën shqiptare. Modeli i reagimit të kryeministrit tonë si me kundëshshtarët politikë, me bashkëpunëtorët, me studentët me qytetarët në rrjetet sociale e në takime publike është modeli i një prepotenti shalatan, që vetëm një kryeministri e politikani nuk i shkon.

Në këtë kuptim mund të thuhet se opozita e qytetarët shqiptarë nuk përballen me Edi Ramën, por me subkoshiencën e Edi Ramës me Egon (unin) e tij. I frustruar nga një e shkuar e padëshirueshme për të, ai ka projektuar në kokën e tij një të ardhme me lavdi e pasuri të pafund. Lavdinë e sheh te pushteti, ndërsa pasurinë tashmë e ka pa hesap. Ikja nga pushteti ende pa i pastruar paratë e krimit e të korrupsionit e bën këtë pasuri variabël. Kësisoj ai ndjehet i kërcënuar. Tri herë u ndje gafil. Me kukësianët, me studentët dhe tani me dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës e protestat e mëdha qytetare. Në të tri rastet u xhindos, pastaj bëri sikur reflektoi për çitjanet, më pas përsëri shkoi te vetja dhe u xhindos, madje duke kërcënuar. Është kjo pikërisht ajo që në psikologji quhet luftë e egos për mbijetesë, ose përpjekje e saj për t’u mbrojtur e për t’u bërë akoma më e madhe. (Eckhart Tolle. Eine neue Erde (Beëustseinsprung anstelle von Selbstzerstoerung) Arkanna Verlag Muenchen, 2003, faqe 76)

Sipas Tolle egoistët kanë nevojë të përdorin fyerjet e etiketimet, si budalla, maskara, kurvë, idiot, madje me egërsi dhe përmes çirrjeve, me qëllim që të shfryjnë dufin e tyre kundër të tjerëve. Përmes këtyre metodave njerëzit egoistë ndjehen triumfatorë dhe lumturohen kur denigrojnë të tjerët! Kjo karakteristikë është dhe mbetet tipari dalluies i egoistit Edi Rama! Kësisoj ai i ka ndërtuar raportet e tij me të gjithë segmentet e shoqërisë shqiptare, madje dhe ato me Kosovën. Kur bën “të pafajshmin” deklarohet se “Ky jam unë. Reagoj si të më vijë”! Në fakt edhe kur kërcet dhëmbët, kur harton projektet e vjedhjeve të mëdha, kur ideoi kanabizimin e vendit, kur liron banditët nga burgjet, kur jep fletë-porosinë e kokainës kolumbiane në tailerin e bananeve, kur urdhëron blerjen dhe vjedhjen e votave, kur projekton institucione të kapura nga krimi dhe kriminelët, atij “I vjen ashtu të reagojë”! E në këto raste ai nuk është kryeministri i vendit, është egoja e Edi Ramës.

Edi Rama ka një ego pa kufij, pa limite. Eshtë një përjashtim i species njerëzore, e cila përmbahet për shkak të disa parimeve. Edi Ramën e sundon egoja e tij çdo moment, sepse ai nuk ka asnjë parim. Egoja kujdeset vetëm për veteveten. Ndërsa njeriu dëshiron që të bashkëjetojë me mjedisin që e rrethon. Kësisoj egoja shfaqet si një shpirt inhumaniteti. Njeriu shquhet për shpirtin njerëzor. Inhummaniteti i egos së Edi Ramës në qeverisjen e Tiranës dhe të Shqipërisë është i pashembullt. Përveçse me bashkëpunëtorët e tij të implikuar me krimin, si Tahiri, Ndoka, Frroku, Lloshi, Dako, Gjiknuri, egoja e Edi Ramës nuk ndjen për askënd tjetër. Egoja e tij prodhon në çdo fjalë të komunikimit energjinë më negative të mundshme. Për pasojë njerëzit e humbën shpresën te kryeministri që që u premtoi “parajsën”. Në këto vite kanë ikur gati 500 mijë. Dhe 70 % e shqiptarëve duan të ikin nga ky vend. Mijëra kryefamiljarë u dënuan nga egoja e kryeministrit me burg për 20 euro energji të papaguar, ndërsa 5 milionët e shpërblyen Elisën me postin e ministres! Shumë prej tyre u vetëvranë, sepse nuk e duruan egon e Edi Ramës, fyerjen e tij.

Prej këtej shkojmë te ajo që Eckhart Tolle e quan ego patologjike. Se Edi Rama vuan nga sëmundja e egos patologjike, nëse i referohemi përcaktimeve të Tolle, kjo nuk ka më asnjë dyshim. Sipas psikologut të shquar, egoja patologjike shfaqet në formën e gënjeshtrës, me të cilën njeriu kërkon të vlerësohet. Në fakt kryeministri ynë thjesht vetëvlerësohet. Ego e shtyn atë që gjithnjë të ketë e të jetë më shumë. Në mungesë të aftësive e të realizimeve ky kryeministër u vu në kërkim të imazhit, vendosi standardin e gënjeshtrës në vend të suksesit! Suksesin imagjinar ai e gjeti te fantasia ose te një realitet fiktiv. Ne e kemi parë sesi na shfaqet me paraqitje bombastike e vetëlavdëruese për suksese imagjinare të shfaqura në ekrane si projekte e që shiten si vepra të tij. Ne e shohim Edi Ramën si fiksohet te vetëvetja.

Trajtimi i vetëvetes si askush tjetër në historinë e pluralizmit e madje të shtetit shqiptar ka bërë që Edi Rama të shfaqet më shumë si i sëmurë mendor, sesa njeri normal. Këtë lloj fenomeni Eckhart Tolle e quan skicofreni, ose paranojë për shkak të bartjes së tepruar të egos. (Libër i cituar më lart faqe 139). Sipas Tolle, elementët e kësaj skicofrenie janë mendjemadhësia, ndjenja e frikës, bindja se persona ose grupe të caktuara bëjnë komplot, për pasojë vendosja e kontrollit personal mbi gjthçka e mbi këdo. Dhe ja një shembull I freskët: – Kryeministri deklarohej para dy ditësh se “Berisha është penduar që nuk e ka likuiduar atë kur ishte në opozitë”! I deklarohej kësisoj një media italiane, ndërkohë që para disa javësh thoshte se “divergjencat e brendshme nuk i proklamoj jashtë vendit”! Kjo dëshmon për haluçinacione të tejskajshme, paranoja të shfrenuara dhe frikën e komplotit, karakteristika këto për diktatorët e sidomos për ish-diktatorin shqiptar, Hoxha!

Si përfundim mund të thuhet se Shqipërinë nuk e rrezikon kryeministri, por Edi Rama, subkoshienca e tij, egoja e tij, sipas të cilit të gjithë tjerët janë mace të zeza dhe shtriga, vetëm ai është “më i miri”, ndërkohë që njerëzit shohin të kundërtën. Kështu raporti me të drejtën dhe të padrejtën trajtohet nga Edi Rama pa vënë në funksion logjikën, ligjin, balancën dhe ekuilibrin njerëzor të sjelljes kolektive.

Fatmirësisht vërehet se egoja e Edi Ramës ende nuk është shndërruar në një ego kolektive, çka në një vend si yni, kjo do të krijonte shumë probleme. Në të vërtetë ai ka bërë e bën të gjitha përpjekjet që ta përçajë shoqërinë shqiptare, që ndjekësit e tij të ushqehen me paranojën e armikut të brendshëm. Nëse do ta arrinte këtë, përballja e sotme e opozitës me Edi Ramën mund ta çonte vendin në luftë civile. Fatmirësisht ka ende shpresa. Por opozita dhe shoqëria shqiptare duhet të mbajnë parasysh faktin se përballë tyre nuk kanë kryeministrin e Shqipërisë, ata përballen me egon deri në skicofreni të Edi Ramës. Prandaj kreu i ekzekutivit shqiptar është dhe mbetet i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm.

Tiranë, më 23.02.2019

Filed Under: Politike Tagged With: Egersia e Edi Rames, Enver Bytyci

Et’hem Haxhiademi e Gabriele d’Annunzio,Fate të skajshme…

February 23, 2019 by dgreca

Et’hem Haxhiademi e Salvatore d’Annunzio,Fate të skajshme…… andej Burreli – këtej “Il Vittoriale degli Italiani”./

D'AnnunzioEt'hem Haxhiademi1 Mauzoleu Da'nnunzio 800x6002 varri haxhiademitIl Vittoriale degli italianiLyra 1939

D’Annunzio, Ethem Haxhiademi- Mauzoleu d’A’nnunzioi-Ethem Haxhiademi -Mauzoleu d’A’nnunzio- Varri i Haxhiademit- Ballina e librit te d’Annunzio-s Alcyone 1903-Ballina e vellimit te Haxhiademit “Lyra”/

1 Shpendi

Nga Shpend Sollaku Noé/

Ia kisha borxh një sarkofagu bosh këto rreshta. Ia kisha premtuar një mermeri të nxehtë si tehu i thikës. Fjalët që do të vija në tezgjahun e mendjes ia kisha thënë vetes qindra herë. Nëse nuk do t’i hidhja mbi letër edhe kësaj here, rrezikoja të më mbeteshin në grykë, të më linin pa oksigjen, të më përplasnin përtokë.

Epilepsia akute e ndjenjave më errësoi shikimin edhe njëherë këto ditë, ndërsa përhumbesha nëpër tronditjet që mund të shkaktojë vetëm një madhështi si ajo në Gardone Riviera, e quajtur “Il Vittoriale degli Italiani”; e ideuar më shumë për vetveten prej një poeti të madh: Gabriele  d’Annunzio. Mauzoleu është realizuar pas vdekjes së poetit prej arkitektit Maroni. Është një mauzole atipik, i frymëzuar prej traditës etrusko-romake. Tre rrathët në mermer Botticcino vënë në pah fitoret e të të përulurve, të artizanëve – maja e diamantë i të cilëve janë poetët – dhe të heronjve. Në qendër të tij është vendosur qivuri i poetit të madh.

Gjithkush, edhe ai që nuk është vizitor i ri, mbetet gojëhapur duke filluar që nga Hyrja Monumentale në Vittoriale. Pastaj nuk ka sesi të mos admirojë Amfiteatrin veror, të frymëzuar prej atij antik të Pompeit. Po ajo e quajtura Prioria, shtëpia e preferuar në të cilën d’Annunzio kishte studion dhe ku dha frymën e fundit? Si mund ta lerë indiferent brendësia e saj me bibliotekën prej 30 mije vëllimesh, me vizatime të Mikelanxhelos, me sende që i përkisnin Napoloeon Bonapartit, pëfshirë edhe maskën që iu vu mbi fytyrë pas vdekjes perandorit francez? Harrohet anija luftarake “Puglia”, ngjitur e betonizuar në shpat të kodrës? Po avioni gjuajtës S.V.A. me të cilin d’Annunzio fluturoi mbi Vjenë për të sfiduar Austro-Hungarinë? Po kopshtet, frutorja dhe limonishtja? Po muzeu d’Annunzio Hero? Po ai d’Annunzio Sekret?

Ia kam zili poetit të madh gjithë këtë qytezë metafizike parajsore, por jo për vete. Me sa duket unë, Shpend Sollaku Noé, i lindur në Lushnje, as që kam për të pasur një varr në atdhe. Por prania ime mes kësaj mrekullie më shtyn së pari të mendoj fate të tjerë, edhe më tragjikë se i imi. Risqe në dukje të largët, qindra e qindra kilometra që këtej.

Sarkofagu i parë që bën të më zënë ngërçet e shpirtit është diku andej, në viset e Shqipërisë së mesme, në një qytet që ka lidhje edhe me historinë e jetës time, por sidomos me poetin e vyer që së fundi jam duke njohur më shumë. Mbi pllakën vertikale të mermerit të errët, nën foton eliptike lexohet: Et’hem Haxhiademi, 8 –  3 – 1902; 16 – 3 – 1965. Mbi rrasën horizontale – vargjet e tij prej vëllimit “Lyra”: Qëndro gjersa të marrësh frymë i lirë… Mbi mermer mungon vendlindja: Elbasan. Por këtë janë të shumtë tashmë ata që e dinë. Mungon edhe vendvdekja: Burgu i Burrelit. Por këtë ndoshta janë të pakët ata që e dinë.

Nuk është shkruar as edhe që sarkofagu është bosh, pasi eshtrat nuk i janë kthyer kurrë familjes.

Edhe këtë hidhësi historike janë shumë të pakët ata që e dinë. Apo të shumtë ata që e kanë harruar. Pasi përdhosja e vdekjes së tij nuk mund të ketë patur një autor të vetëm.

Eh Gabriele  d’Annunzio, ç’më bëre, duke më shpuar shpirtin me njëmijë gjilpëra, ndërsa padashur më sjell ndërmend bashkëkombësin tim, atë të kthyerin në ajër, në copëzë qielli, të paktën derisa t’i gjenden eshtrat, nëse është shkruar që ajo ditë të na vijë.

Edhe ti, poet i Vittoriale-s, ke lindur dhe je shuar në mars, ashtu si kolegu yt i Elbasanit. Kur ti botoje “ Libri sekret i Gabriele  D’annunzio-s”, Et’hemi sillte në dritë vëllimin “Lyra”. Atbotë kishte hedhur mbi letër edhe pjesën dërmuese të tragjedive. Ti ishe ndërkaq një korifè, ai imponohej edhe me perlën e tij poetike. Që të dy ishit të brezit të “poetëve të mallkuar”, siç do t’ju kishte klasifikuar P. Verlaine.

Ashtu si ty, edhe Eth’emi ynë mund ta kish lidhur krijimtarinë me atë brez të mëdhenjsh që quheshin J. Joyce, L. Pirandello, R. Musil, G. Ungaretti, E. Montale, A. Moravia. Nëse nuk do të kish menduar t’i shërbente Shqipërisë, por do të kish zgjedhur jetën në Berlin apo Vjenë, edhe Haxhiademi ynë sipas  mjaft gjasave do të ish studiuar si avanguardistët futuristë, dadaistë, surrealistë, ekspresionistë. Këta të fundit vuanin plagët e shoqërisë dhe vetpërfshiheshin tek të mallkuarit. I mallkuari i vërtetë historikisht mbeti vetëm ai që e pagoi shtrenjtë nacionalizmin e tij dhe dashurinë për artin: punëtori i pendës Et’hem Haxhiademi.

Ti, Gabriele , jetoje në Itali; Et’hemi atje ku horizonti verbohet, jo fort përballë Peskarës tënde. Midis jush – një det rënkimesh. Kishe dëgjuar ndonjëherë nga bashkëluftëtarët e tu për Lushnjen, Gabriele ? Mes atyre baltrave e njohu jetën e drejtpërdrejtë poeti ynë. Ndërkaq ti, i zhgënjyer nga përvoja e Rjekës, ishe tërhequr në vilën e vetmuar princërore të Cargnacco-s.

Ty, pas vdekjes, nuk t’u kërkua ndonjëherë llogari pse kishe qenë ekstremist i djathtë, pse pastaj u ktheve në ekstremist të majtë; pse kishe qenë nacionalist, pse irredentist, pse interventist. Poetit tonë të urtë i kushtoi shtrenjtë përkushtimi në shërbimin ndaj shtetit amë. Ndërsa për ty, carissimo d’Annunzio, filluan të zhvendosin mermeret nga Botticcino për të të lartësuar përjetë përballë Liqenit të Gardës, Et’hemi ynë i kishte shkruar tashmë të gjashtë tragjeditë e tija të mëdha. Ty, i dashur Gabriele , ato vepra do të të kishin siguruar lavdinë, edhe sikur të mos kishe shkruar diçka tjetër. Haxhiademit, për fatin e tij dhe tonë të keq si edhe për krim kombtëar, nuk arritën as t’i anullonin fletën e arrestimit.

Të kujtohet, Gabriele , kur i shkruaje autoriteteve më të larta për të t’i falur borxhet? Sepse shteti, sipas teje, duhej t’i paguante borxhet private të poetit, që mjeshtrit të pamort të mos i prishej niveli i asaj jetese që i mbante gjallë talentin. Edhe mbretit i dërgove njoftim, pasi ti ishe poet. Dhe mbretërit lindin prej nënës njerëzore, poetët e vërtetë prej perëndive. Ata vijnë aq rrallë në këtë botë, sa duhej të ishte detyrë e shtetit dhe e shoqërise që jo vetmë t’i mbante me bukë, por edhe t’u krijonte kushtet për të shkruar. Humbja e një poeti është më e pazëvendësueshme për një popull sesa humbja e një mbreti.

Ej, Salvato’, sipas këtij këndvështrimi ngjani shumë me Et’hemin, e di? Shih se çfarë shkruante poeti ynë: “…Artisti apo shkrimtari shqiptar, qi ti banjë ballë nevojavet të jetës, duhet mâ përpara të merret me ndonji punë qi ep bukë si ç’flitet këtu në Shqipni, dhe për mjeshtërin qi i flet zemra të punojë nëpër orë pushimi ose të lanjë mangut gjumin e natës”.

E sheh or mik, sa pak kërkonte i shkreti poet shqiptar? E dhimbshme deri në asgjësim dëshira e tij.

Ndërkaq ti jo vetëm punove il lirë përgjatë gjithë kohës për pasionet e tua më të mëdha, por nuk i le gjë mangut edhe dëfrimeve të shfrenuara. Me sa zero duhet t’i numëroj dashnoret e tua? Ti, për t’u ushqyer me luks, thonë se u bëre edhe aktor porno. Tani kritika sugjeron si të vertetë faktin se ke qenë ti që luaje “Frate foco”.  Ndërkaq poetit nga Elbasani as që i shkonte ndërmend të tradhëtonte gruan Burbuqe, as edhe më pas, në ëndrat që e shpinin përtej zgarës së hekurt.

T’i nuk kurseje kurrë as edhe per kokainën, që e quaje “pluhuri i çmendur”.

Et’hem Haxhiademi, pas shufrave fatale të burgut, i kërkonte familjes vetëm pak tokla sheqeri, sepse i forconin kujtesën. Priste ditën të flakte prangat, prandaj edhe kërkonte të fiksonte në raftet e kujtesës gjithçka që ia ndalonin të shkruante brenda mureve me diell të vdekur.

Siç e vërteton tek poema jote “Maia”, jeta jote, caro d’Annunzio, u jetua sa për dhjetëmijë jetë. Ajo e elbasanlliut tonë nuk arriti të jetë as edhe një e tërë, por u shua pas 18 vjetësh në qelitë e terrorrit kuqalash. Zyrtarisht zemra e tij nuk i rezistoi më errësirës. Në qelitë – pronë edhe të helmit tinëzar.

Dëgjomë mua, vëlla Gabriele , ti ke qenë me fat qëkur kishe lindur në Itali, ti ke qenë me fat edhe pas vdekjes, kur Italia jote, me dashjen e të mëdhenjve, hyri nën sqetullën amerikane. Haxhiademi nuk e pati atë rrësk. Vendi i tij ra nën thundrën mesozoike të Stalinit. Sikur të kish ndodhur edhe me popullin tënd ajo gjëmë, “Vittoriali” yt do të ish kthyer së paku në një repart ushtarak; eshtrat e tua – sot krenare në majë të mauzoleut – do të ishin bërë kërruarëse dhembësh për peshqit Luccio të liqenit të Gardës.

Përpara teje edhe unë them se, ashtu si ty, jam krenar që i përkas vendit tim. Por Haxhiademi, që ti nuk mund ta shohësh, më zë prej mënge: Çfarë? Si mund të jesh krenar? Sipas cilës mënyre, asaj të Konicës, apo asaj të Çajupit? Mua aresyeja më shtyn drejt Konicës, por shpirti im, përdreq, ështe i dobët: ai citon edhe në gjumë Çajupin. Pastaj, Et’hem, ja, sapo të zesh vendin e merituar me vepra në Panteonin Kombëtar, atëherë edhe ti do ta besoh se ata që të zhvatën lirinë dhe jetën, janë hequr vërtet qafesh, që më në fund as unë nuk gjendem më në qelinë tënde, duke qëmtuar një gjurmë të helmit, një copëz vegle të harruar të torturave, apo të paktën ca faqe të shpëtuara të veprave që shkrove apo përktheve në atë burg mesjetar.

Eh, Gabriele  i dashur. Gurët e tu të çmuar, që i fale kulturës italiane, tashmë bota mund edhe t’i ketë në shtëpi, edhe mund t’i prekë duke vizituar “Vittoriale”-n. Mund edhe t’i kunsultojë on line. Bashkëkohësi yt Haxhiademi mbeti qysh atëhere – në ditën e akullt të 25 janarit, në vitin e egër ‘47 – si një minierë diamantesh që sapo kish filluar të shrytëzohej, mbi të cilën, ata që i trëmbeshin verbimit prej tij, hodhën dinamit për t’ia mbyllyr hyrjen. Akoma presim ta hapim atë xehe të çmuar. Por ne jemi Shqipëri, ku këmbët kanë akoma të lidhura tek kyçet gjylet e rënda të luftës së klasave. Ne hiqemi zvarrë, nuk ecim, aq më pak nuk fluturojmë, ashtu si të pëlqente ty të bëje, mbi qiejt e Vjenës, Gabriele . E dije që edhe Et’hemi ynë  e ka pasur në zemër Vjenën? Eh, atje kish studiuar, për drejtësi, por si shumë të tjerë që vunë atdheun në plan të parë, preferoi baltën e ëmbël si mjalta. Kishte shumë të meta të tjera, Haxhiademi ynë; njihte rrjedhshëm italishten, gjermanishten, latinishten, anglishten, frëngjishten, greqishten e vjetër e të re. Pse jo edhe turqishten. Kish lexuar në origjinal Homerin, Shakespeare-in, Goethe-n. Virgilio-n, Corneille-n e sa të tjerë. Pastaj kish pas qenë shumë i dhënë në respektimin e rregullave të punës dhe shoqërisë,  besnik i familjes, vetmohues në artin e të shkruarit. Tamam për të punuar në Lushnjen e vitit 1928, nuk thua? I padenjë për të vazhduar të japë letërsi në Normalen e Elbasanit, sidomos kur në pushtet erdhën anormalët. I papërshtatshëm edhe për t’u bërë element i qendrueshëm i tabelës së acideve titisto-staliniste.

Nuk kam më forca për ta vazhduar këtë shkrim, i dashur Gabriele . Të më falësh edhe ti, i perkryeri portret i dhimbjes – Et’hem Haxhiademi. Po ndihem sikur të jem epileptik në këto çaste. Kam humbur ekulibrin dhe nuk mund të qëndroj as edhe ulur. Bota po më rrotullohet. Alektrokardiograma po më çmendet. Kush e di sesa është ngjitur presioni i gjakut në damarë. Zhiva po shpërthen termometrin nën sqetull. Sytë, sidoqoftë, nuk i kam të lagur. Loti i fundit nuk më kujtohet qëkur është derdhur dhe gjendrat e mia tashmë janë shterpa. Lotin e shpirtit nuk mund të ma shihni. Mbërthejeni shikimin me kujdes mbi pikat, presjet, pikëpyetjet, pikëçuditëset, dy pikat, pikëpresjet… Janë të gjitha njollëza gjaku, të rrjedhura në qelinë e zezë të Burrelit, në vitin tragjik 1965, kur rruazat e kuqe reshtën së renduri në venat e Et’hem Haxhiademit të madh.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ETHEM HAXHIADEMI, Fate të skajshme, Gabriele Annuzio, Shpend Sollaku Noe'

Paralajmërimi i At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm!

February 22, 2019 by dgreca

Paralajmërimin për rrezikun e brendshëm, At Gjergj Fishta e ka bërë me shkrimin e titulluar, “Rreziku i Përbrendshëm” në revistën e famshme françeskane të fillim shekullit të kaluar, “Hylli i Dritës”, numër 1 e vitit 1921. Megjithëse artikulli është shkruar para 98 vjetëve, aktualiteti i fjalëve dhe paralajmërimi i At Gjergj Fishtës drejtuar klasës së atëhershme politike, mbi rrezikun e brendshëm që i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarëve, aktualisht dhe fatkeqësisht tingëllon aktual si një kambanë kushtrimi që bie edhe sot për shqiptarët dhe autoritetet politike të dy shteteve – Shqipëri e Kosovë, pothuaj një shekull më vonë. At Gjergj Fishta e njihte mirë fizionominë e shqiptarit. Ai nuk i kursente fjalët dhe nuk shkruante për të siguruar mbështetje politike nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore të rastit ose të kohës, as për interesa personale ose politike dhe as nuk kishte për qëllim që me shkrimet e tija të argëtonte, “Damat e kalorësit e oborreve princore”, siç është shprehur dikur në një shënim, At Viktor Volaj, një mësim ky edhe për medien e sotme shqiptare.

Fishta konsideronte se “rreziku i brendshëm” i vinte kombit jo nga “armiqtë e brendshëm” siç i cilësonte regjimi komunist kundërshtarët e vet politikë. Jo, për At Gjergj Fishtën, rreziku i brendshëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët ishin, “vagabondat, sallahanat, rrugaçat…këta njerëz, këta mikrobe të kombit”, siç i cilësonte ai, të cilët “po munden sot me shpresue se hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar”. Mbi të gjitha, me këtë paralajmërim si edhe me të gjitha shkrimet e tija – pa marrë parasysh se ç’mendojnë për të dhe për veprën e tij pseudo-historianët shqiptarë dhe nostalgjikët e sotëm të Enverit – At Gjergj Fishta synonte gjithmonë mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar dhe të avancimit të imazhit dhe të shpirtit të tij heroik e fisnik, në botë.  Frati i maleve paralajmëronte shqiptarët për ato që ai i konsideronte si rreziqe që i kanoseshin kombit shqiptar nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Megjithëse për shqiptarët “modernë” dhe për klasën e sotme politike, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, At Gjergj Fishta mund të konsiderohet shumë i largët dhe i pa konsekuenca për historinë dhe aktualitetin e sotëm shqiptar, unë u them, se e kini gabim.  Në sytë e vrojtuesve të paanshëm, mendimet dhe paralajmërimi i Fishtës janë aq aktuale sot, sa ishin pothuaj edhe një shekull më parë, pasi duket sikur, fatkeqësisht, një shekull më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë pikëpamje. Sidomos kur të merret parasysh gjendja aktuale në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë grindjet politike dhe luftën për pushtet, korrupsionin, drogën, trafiqet e lloj-llojshme, mbrojtjen e interesave personale dhe familjare në punët e shtetit dhe të bizneseve nga ana e pushtetarëve, e të tjera që historikisht, nuk e paraqet klasën e sotme politike shqiptare në dritën më të mirë që mund të jetë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë.  Fatkeqësisht, shqiptarët nuk kanë mësuar aspak nga gabimet e së kaluarës, përfshirë periudhën historike dhe hallet për të cilat ka shkruar Gjergj Fishta, pothuaj një shekull më parë.

Interesat personale dhe partiake sot po shkatërrojnë harmoninë e brendshme shoqërore të botës shqiptare dhe po nxisin armiqtë e kombit që të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare kurdo që shohin një rast të volitshëm dhe derën e hapur për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore kundër interesave shqiptare. Gjendja politike aktuale në Shqipëri, sidomos në prag të zgjedhjeve të qershorit dhe situata e brishtë e brendshme dhe e jashtme e Kosovës, kërkon prej atyre që ia duan të mirën kombit shqiptar e, sidomos nga ta që sot kanë në dorë fatin e kombit, që t’i vihet vesh paralajmërimit shekullor të At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm! Dallimet e theksuara shoqërore në fushën politike dhe ekonomike, ku një segment i vogël i shoqërisë që kontrollon politikën dhe ekonominë, favorizohet mbi të tjerët – sidomos në një shoqëri të varfër siç është bota shqiptare – përbëjnë një rrezik për të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por edhe në marrëdhënie me të tjerët. Por, me një harmoni të brendshme politike dhe ekonomike, kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, sado serioze qofshin ato, do të mund të përballen më lehtë me bashkimin e shqiptarëve rreth një platforme të përbashkët interesash kombëtare që duhet të qëndrojnë mbi të gjitha interesat e tjera politike dhe ekonomike. Në paralajmërimin për rrezikun e brendshëm nga At Gjergj Fishta në revistën e famshme françeskane, “Hylli i Dritës”, të vitit 1921, Poeti i Kombit, me një perspektivë historike të tijën, shkruan, nëse para fitimit të pavarësisë, shqiptarët ishin, “Të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, deri shpresën e kishin bjerrë shqyptarët, se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme; e prandej shumica e madhe e tyne s’pat as të nxetë as të ftoftë, kur u thamë se kishte Shqypni.  Por, qe, sot koha na dha arsye. Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë, a ma tepër ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia ashtë, e se ashtë e lirë dhe e pamvarun”.

Fishta shkruante se, “Ideali ynë përsa i përket pamvarsisë dhe lirisë së kombit shqyptar u realizue”, duke shtuar se “Shteti shqyptar leu”, por njëkohsisht shtron pyetjen: “Po mirë: por a jeton? A rritet? kombi shqiptar.  Ai shprehet se, aty për aty, nuk dukej të kishte ndonjë kërcnim të menjëhershëm nga jashtë ndaj Shqipërisë së re të pavarur, por paralajmëron se për të shuar jetën e re të pavarësisë së shtetit të ri shqiptar, nuk ishte e nevojshme që rreziku të vijë, patjetër, nga jashtë. “Shumë herë ai rrezik vjen tue u pjekë e tue u nugë shi përbrenda tejzave mbi të cilat bulon jeta. Njato mikrobe të helmatosuna, qi vërvisin përbrenda gjakut të nji limfatiku, janë nji për nji të rrezikshëm për jetë të njeriut sa nji zhigjetë a nji plumb që të përshkohet nëpër trup të tij…” Prandaj, Fishta bën thirrje se, “Duhet pra që na, si edhe të gjithë njata që kanë për zemër Shqypninë edhe dijnë çka asht liria e vërtetë, çka asht atdheu, t’i mbledhin mendtë tok mbi nji çashtje kaq me randësi e mos të përkundena në nji optimizëm të pa arsyeshëm, tue mahitë vendin e popullin me fjalë entuziazmi. Kombi s’do rrejtë; asht mëkat me e rrejtë kombin! Kombit i duhen çilë sytë e i duhen çilë sytë me kohë, kur të shifet se jeta e tij ashtë në rrezik, kështu që me kohë të mund të marrë ato masa që vendi e mendoret t’ia këshillojnë me i përdorue për të shpëtue jetën e vet.”  Fishta paralajmëron, siç shprehet, me fjalën e të moçmit se, “lëngatës i do ba ballë që në fillim, pse vonë e vonë mandej ka për t’iu gjetë bari”.

“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar Fishta dhe vazhdon se nëse duam të shohim se “Çfarë rreziku mund ti kërcënohet atdheut nga s’përmbrendi…simbas parimeve të etikës së popujve të qytetnuem” duhet të shohim, “natyrën e pëmbrendshme të autoritetit dhe rregullat simbas të cilave duhe përdorue financat e shtetit, e mandej të ndajmë elementin ma të rrezikshëm për autoritetin dhe financat…”

Fishta i shikon ata që i quan “sundimtarë” të shtetit, qofshin ata “princë, bajraktarë, pashë a beg”, jo si të preferuarit e shoqërisë me privilegje, të drejta e pasuri, në krahasim me njerëzit e thjeshtë, por si të barabartë me të gjithë të tjerët, sepse “gjaku i gjithë njerëzve ashtë një.”   Si rrjedhim, ai paralajmëron në artikullin e Hyllit të Dritës se, “Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnjë të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…”

“Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë”, paralajmëron Gjergj Fishta dhe pohon se, “ Elementi ma i rrezikshëm a, ma mirë me thanë, rreziku ma i madh i Shqypnisë janë vagabondat: njata shqyptarë që, pa mujtë me përfitue kurrë nji mendim të shëndoshë në mendje të vet, s’janë të zotët me i rreshtue dy shkrola bashkë pa gabim; që për atdhe filluen me u kapë së parit, a m’atëherë kur banë rrush e kumlla gjanë e të parëve të vet e ma s’u mbet asnji dysh…Njerëz rrugaça, njerëz shakllabana e të pa kurrfarë njerëzie e mirërritjeje, të pa kurrfarë mësimi të vlefshëm, që gjithë jetën e vet s’qenë të zotët me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shtëpi, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nën dorë, të harlisun nga mendja, të përdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; ku mbillen, s’korren; ku bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pakrye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të ri, gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni…”

 “…Qe, pra, se kush janë rreziku ma i madh i Shqypnisë: vagabondat, sallahanat, rrugaçat. Por, megjithkëte, këta njerëz, këta mikrobe të kombit, jo veç se po kanë sy e faqe me lypë, por edhe po munden sot me shpresue të hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar. Po a përnjimend se, për me ushqye e me majtë këta njerëz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e dugajave e të sokaqeve, bulku ynë do ta mbajë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve të vështira? E po ku jemi na, o Zot? A përnjimend se edhe kuptimi i burrënisë asht harrue në këte dhe, që njerëzve kaq të poshtër po u delka me u ushqye me djersë – me gjak – të kombit shqyptar…?

“Shqyptarë! A vagabondat jashta pune e jashta Shqypnie, ase ndryshe kemi sharrue me t’egër e me të butë”, përfundon porosinë dhe paralajmërimin At Gjergj Fishta në vitin 1921. Fatkeqësisht, paralajmërimi i Fishtës nuk u mor parasysh në kohën e tij, as më vonë. Por ia vlen që sot, pothuaj 100-vjet më vonë, kjo kambanë kushtrimi të dëgjohet nga “sundimtarët” e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare që është një thirrje për bashkim me qëllim për të mënjanuar përsëritjen e historisë së 100-viteve të kaluara të shqiptarëve, ashtu që siç ka thënë At Gjergj Fishta, “lëngatës” të rrezikut të brendshëm, t’i bëhet ballë që në fillim, para se të jetë tepër vonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, porosia e At Gjergj Fishtes

“Ëndërrimtari dhe qaramani” Rilindas!

February 22, 2019 by dgreca

dritan-demiraj-1-300x300

Nga Dritan DEMIRAJ/

Diktatura shpesh është e papritur. Politikat e këqija ekonomike dhe politike mund të shkaktojnë kriza që kanë pasoja të rrezikshme politike. Politikanët zakonisht kërkojnë fuqi arbitrare për t’u marrë me një emergjencë kombëtare dhe rivendosjen e rendit, edhe pse problemet themelore zakonisht shkaktohen nga politikat e këqija të qeverisë. Diktatorët aspirant ndonjëherë, i nxjerrin qëllimet e tyre me dëshirën e dukshme për të shkatërruar kundërshtarët. Nuk ka mënyrë të besueshme për të parandaluar njerëzit e këqinj ose të paaftë që të fitojnë pushtet.

Kryeministri i Republikës “Mariuana” Edi Rama, në konferencën për shtyp mbrëmë, la të kuptohet se e vetmja rrugë bashkëpunimi me opozitën ishte ulja në një tryezë dialogu dhe jo zgjedhjet e parakohshme e një qeveri tranzitore e kërkuar nga opozita.
“Jam zgjedhur kryeministër i Shqipërisë 2 herë pas zgjedhjeve nën një qeveri të përbashkët me opozitën ….. ju dhamë të gjitha portofolet që kërkuat…. ” theksoi “EDrama”. Ai tha se qeveria tashmë do shërbejë me më shumë përulësi, ndërsa ka moto bashkëpunimin.

Po i kujtojë këtij sharlatani politik, megalomania, nihilisti, demagogu dhe aspirantit për diktator, unë si ish-Ministër i Brendshëm teknik, gjatë asaj periudhe kohore kam vënë të gjithë potencialin tim profesional, moral dhe etik në interes të zbatimit të misionit të funksionit shtetëror dhe të demokracisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo detyrë njëkohësisht më dha mundësinë të njoh vulgaritetin, arrogancën, kriminalitetin, hajdutërinë, moralin, perversitetin dhe paaftësinë qeverisëse të “sektit politik pink”.

Ju dhe strukturat (vartësit tuaj) nuk bashkëpunuat qoftë dhe një sekondë për të dëgjuar mendimet dhe propozimet për heqjen, shkarkimin dhe dënimin e të gjithë baronëve të drogës dhe krimit që ishin te veshur me uniformën e policit dhe punonin në strukturat e Policisë së shtetit. Kam ndjekur dhe zbatuar praktikat ligjore dhe më pas kam kërkuar shkarkimin e disa Shefave të Komisariateve si të Pukës, Dibrës, Malsisë së Madhe dhe Gramshit të cilët ishin militant të mirëfilltë të PS si dhe mbështesnin dhe bashkëpunonin me elementë kriminal duke shpërndarë lekë dhe duke bërë presion mbi popullin, etj. Ka patur raste që kam marrë pjesë edhe vetë për arrestimin e elementëve kriminalë, prishjen e fushave me kanabis, pasi strukturat policore fatkeqësisht nuk arrinin të bënin arrestimin për arsye të lidhjes dhe suportit politik që u jepej nga nivelet e larta drejtuese policore apo politike (tashme të vërtetuara me zë dhe figurë).

Këto shkelje flagrante nuk u ndëshkuan kurrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi ai ishte garanti kryesor ku e kishe besuar fitoren e “tepsisë” dhe hashashizimit të vendit!
Këto denoncime i kam bërë dhe në mediat vendase dhe të huaja si “Zëri i Amerikës”, Deutsche Welle, etj por ju nuk patët interesimin më të vogël dhe jo më të merrje masa per ti luftiar!

Sot fatkeqësisht nuk dëshiroja të të shikojë si “qeraman”, pasi rolin e “viktimizimit” mund ta keni përvetësuar që në rininë tuaj, falë studimeve në Akademinë e Arteve, ku na paraqitesh si “djali i mirë” dhe modest! Por në fakt duhet të jepni përgjigje për rritjen e numrit të shqiptarëve që duan të lënë vendin dhe zëvendësimin e tyre me “viktima” humane, duke “pasuruar kolorin e racave njerëzore” në Shqipëri, pasi i ke më të lehtë për t’i bindur dhe nënshtruar dhe për të arritur ambicjet tuaja si “diktatoruc ëndërrimtar” lindor!

Ju u thoni njerëzve se duhet të duroni të këqijat e qeverisjes së rilindjes, pasi janë të durueshme, se ne po vjedhim më pak si thoshte i “famozi” Shalësi dhe se e keqja është opozita, kjo është trishtuese! Por kur një tren i gjatë abuzimi dhe uzurpimi, despotizmi absolut qeverisës është e drejta e opozitës dhe e popullit opozitar, të hedhin një qeveri në “kazanin rilindas” të gjithë këto sharlatanë.

Ju keni penguar administrimin e drejtësisë, duke manipuluar një reformë që e keni kthyer në gjueti shtrigash për kundërshtarët tuaj duke u bërë mbrojtës i vjedhjeve dhe gjynaheve të bashkëpuntorëve tuaj.

Ju erdhët në pushtet me propagandën e të parëve tuaj se do të kishte drejtësi shoqërore, barazi për të gjithë qytetarët, rritje të vendeve të punës dhe pune të ndershme, investime të huaja, etj ( jo skllevër në plantacionet e drogës), ku padrejtësia dhe shfrytëzimi do të dënoheshin, etj…., por çfarë keni bërë? vetëm kaos, korrupsion, drejtësi për të nxjerrë nga burgu kriminelët!!!

Ju erdhët si ëndërrimtar i çuditshëm i ëndrrave të pamundura! Ëndrrat e bukura të Ramës, njeriut “demokratik”, u kthyen në ankthe të imponuara nga Rama, njeriu diktatorial. Zotërimi i fuqisë absolute, orekset e njeriut diktatorial rriten në mënyrë eksponenciale dhe ai vendos të shuaj ato që shfaqin moderim më të madh.

Shqipëria po shkon drejt një sistemi kontrolli të plotë shtetëror, drejt një sistemi diktatorial, i orientur krejtësisht nga lindja ku çdo familje po bëhet e varur nga shteti në pothuajse çdo aspekt të jetës. Shqipëria po bëhet subjekt i një eksperimenti politik të udhëhequr nga politikanë “Sorosian”, e cila do të sjellë rrezultate trishtuese.
Një kryeministër, karakteri i të cilit është i dyzuar dhe me nuanca tirani, nuk mund të jetë më Kryeministri i një populli tashmë të lirë që nga viti 1991.

Çohu shqiptarë prej gjumit çohu..

 

Filed Under: Politike Tagged With: “Ëndërrimtari, dhe qaramani” Rilindas!, Dritan demiraj

100 VJET NGA MASAKRA NË SHTUPEQ E KATUNDET E TJERË TË RUGOVËS

February 22, 2019 by dgreca

U SHËNUA 100-VJETORI I MASAKRËS SË MALIT TË ZI DHE TË SER­BISË NË SHTUPEQ  DHE NË KATUNDE TË TJERA TË RUGOVËS, MË 1919/

1 masak shtupeq1 shaqiri 1

Nga Zymer U. Neziri/

Në Pejë, në universitetin ‘’Haxhi Zeka’’, në bashkorganizim me Klubin e Intele­ktua­lëve të Ru­go­vës në Prishtinë, u mbajt simpozium shkencor në këtë 100-vjetor, më 15 shkurt 2019, për njërën ndër masakrat më mëdha të asaj kohe. Ku­mtuan studiues të përmendur, shumica nga qendrat tona uni­v­ersitare: dr. sc. Arben Arifi, Prishtinë, prof. Binak Ulaj, Plavë e Guci, prof. as. dr. Elinda Dibra (Ra­ma­dani), Shkodër, prof. dr. Fatmira Musaj, Tiranë, prof. as. dr. Fitim Rifati, Prishtinë, prof. dr. Hakif Bajrami, Prishtinë, prof. dr. Haki Kasumi, Prishtinë, prof. dr. Isamedin Azizi, Shkup, prof. dr. Limon Rushiti, Prishtinë, prof. as. dr. Luan Tetaj, Prishtinë, prof. dr. Lush Culaj, Prishtinë, akad. prof. dr. Marenglen Verli, Tiranë, dr. sc. Mark Palnikaj, Tiranë, dr. sci. Nail Draga, Ulqin, mr. sc. Nikollë Loka, Tiranë, prof. dr. Dom Nikë Ukgjini, Shkodër, dr. sci. Qerim Lita, Shkup, prof. Rexhep Dedushaj, Plavë e Guci, prof. as. dr. Rudina Mita, Elbasan, prof. dr. Shyqyri Hysi, Gjir­okastër, prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, Prishtinë. Pos kumtesave të lexuara, me interes ishin edhe diskutimet.

Në sallën e mbushur përplot janë shpërndarë libri Shku­r­torja e kumtesave me programin e sim­po­ziumit dhe libri Ditt e trishtimit… të Zef Mark Harapit, përgatiutr për shtyp nga dom Nikë Ukgjini, ribotim i ‘’Dukagjinit’’, dhuratë për nevojat e shënimit të këtij përvjetori. U shpërnda edhe dokumenti i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, pjesa për Shtupeqin e Vogël dhe për Shtupeqin e Madh, me emrat e 433 dëshmorëve e martirëve të masakruar, të vrarë ose të djegur të gjallë nëpër shtëpia dhe në Hanin e Isuf Veselit, më 16 shkurt 1919. Mosha e tyre është nga fëmija një vjeç (djali i Shabanit, Sh. i Madh) e deri te plaku 101 vjeç (gruaja e Ibishit, Sh. i Madh). Ndër ta është edhe bajraktari i Bajrakut të Shtupeqit të Vogël, Mehmet Shabi – Pepënikaj, i plagosur gjatë luftimeve, i zënë rob në Lipë dhe i pushkatuar bashkë me ndi­h­mësin e tij, Bekë Hyseni – Nilënikaj. Por, ka aty edhe disa emra personash që kanë shpëtuar, pra, janë shënuar ga­bi­misht, mirëpo ka edhe emra që mungojnë. Dokumenti i KMKK-së, dt. 8 shkurt-25 shkurt 1919, është do­rë­zuar në Lidhjen e Kombeve, më 21 dhjetor 1921, me të dhëna për këto dy katunde dhe për katundet e tjera të Rugovës, si dhe për Plavën, Gucinë, Pejën, Gjakovën, Rozhajën. Versioni i tashëm, i botuar në rev. Dy Drina’’, pjesa për Shtupeqin e Vogël dhe për Shtupeqin e Madh, me emrat e 433 dëshmorëve e martirëve të masakruar, të vrarë ose të djegur të gjallë, është i për­k­thyer nga frëngjishtja dhe është përgatitur për shtyp nga Kujtim Nuro.

Të pra­ni­shmit i përshëndetën prorektori, prof. dr. Afrim Se­limaj, dhe kryetari i KD të Klubit, prof. dr. Ali Muriqi. Në mbrëmje, në teatrin ’’Istref Begolli’’, në praninë e personaliteteve të njo­hura, u mbajt aka­­demi përkujtimore, me drejtues prof. dr. Jeton Kelmendin, sekretar i Klubit, ku folën ministri Shyqyri Bytyqi, kryesuesi i Kuvendit, Islam Husaj, koma­n­danti Salih B. Lajçi, prorektori Afrim Se­limaj dhe Zymer U. Neziri, hartues i projektit. La mbresa të forta AFA ’’Ru­gova’’ me këngë e me valle të njohura epike, kurse Fatos M. La­jçi shfaqi një film dokumentar.

Të ne­sër­men, kumtuesit vunë kurora pranë pllakave përkujtimore në Shtu­peq dhe u thanë fjalë rasti nga Ramiz Beqir Nikçi, Avdi Hysë Halili dhe Haxhë Zenel Nikçi.

Kjo ishte një përpjekje për të larë borxh ndaj atyre rugovasve që u masa­k­ruan nga Serbia dhe Ma­li i Zi vetëm pse ishin shqiptarë. Kjo është po ashtu përpjekje për ndriçi­min e mëtejshëm të historisë më të re të krimeve të Malit të Zi dhe të Serbisë mbi popullin shqi­ptar. Por, më krye­so­rja është që me këtë simpozium shkencor t’ia kuj­tojmë brezit tonë të ri rru­gëtimin e për­gjakshëm të të parëve tanë nën robëri, nga viti 1912 deri në qershor 1999, kur Ru­gova e Pe­ja gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Koso­vës përsëri janë masakruar, janë plaç­kitur e janë dje­­gur nga Mali i Zi e Ser­bia. Mirëpo, deri më sot ato nuk kanë kërkuar falje për kri­met, nuk i kanë kthyer eshtrat e të pagje­tu­rve, as nuk i kanë paguar dëmet e shkaktuara, ndo­nëse luftën e kanë humbur. Madje, Mal­in e Zi e kanë shpërblyer 80 deputetë shqiptarë me afër një të tretën e te­rr­itorit të krahinës së Rugovës, më 21 mars 2018, në Kuvendin e Republikës së Kosovës!

Për kumtuesit u ndanë certifikata, kurse mirënjohje u dhanë për ata që e ndihmuan realizimin e projektit me punë dhe me mjete financiare. Kumtesat do të botohen. Do të botohet edhe një vë­llim me dokumente. Në qershor planifikohet vë­nia e gur­themeleve të dy qendrave për­kuj­timore për periudhën e robërisë dhe të qendresës, 1912-1999, në Shtupeq të Vogël dhe në Shtu­peq të Madh.

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjet, E KATUNDET E TJERË, NGA MASAKRA NË SHTUPEQ, TË RUGOVËS, Zymer U. Neziri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1091
  • 1092
  • 1093
  • 1094
  • 1095
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT