Nga Dritan DEMIRAJ, Ph.D/Këto ditë “Timonieri i ripjelljes” prezantoi ekipin që do të përballet me sfidat e qeverisjes për të dalë nga katrahura që me sjelljen eksperimentale institucionale qeverisëse e ka katandisur sot Shqipërinë si “Kolumbia ballkanike”. “Mbijetesa e qeverisë” apo “qarkullimi i qeverisë” sipas konceptit të autokratit Rama, janë manovra për të zgjatur sundimin e tij duke çuar në paqëndrueshmëri politike Shqipërinë dhe duke bërë një regres ekonomik e politik të paparë ndonjëherë.Ndryshimet pavarësisht se ishin të imponuara nga “tërmetet” e lëvizjeve studentore, qytetare dhe denoncimeve të vazhdueshme të opozitës, bënë që ti bashkangjiten çdo shqiptarë i djathtë, i majtë apo i angazhuar politikisht.Këto ndryshimeve nga “Matriarku” i “Matrioshave ruse” nuk mund të sjellë largimin nga zullumet, hajdutëria, korrupsioni, krimi, trafiqet e drogës dhe pastrimin e parave, por do të përqëndrohen më mirë në dorën e matriakut dhe oligarkëve pasi “matrioshat” i përdor më mirë, ndërkohë që sistemi i drejtimit është i njëjtë, pra shkurtimisht siç thotë populli “hoqi Lenën e vuri Prenën”!Shqipëria pret të hapen negociatat me BE, të cilat kërkojnë personalitete dhe ekspertë me eksperiencë në diplomaci, pasi do të negociohen 35 kapituj. Por, këto nuk mund ti bëjnë “matriushkat dhe bebushët” e zgjedhur apo akoma më keq Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme “balerina” Mimi!!Timonieri ka personalizuar pushtetin dhe personalizimi i pushtetit të çon në sisteme të deformuara demokratike. Kjo qeverisje po e kthen Shqipërinë në klientelizëm, paaftësi dhe demagogji si dhe një vatër që eksporton një pjesë të krimit të organizuar në Evropë.Shqipëria me këto drejtues mediokër dhe krejtësish të paaftë, me edukim intelektual e profesional gjysmak si dhe mashtrues dhe vjedhës diplomash, duke u paraqitur si “koka të mencuara” dhe duke u prezantuar me “hanëmet” e Vezirit si “Dr”.Mimi Kotelja, “Dr”. Gjylameti, “Dr”.Manastirliu, “Dr”.Palla etj…, por që në fakt janë vetëm një “Sekt pink dylberash”, servilash, hipokritësh dhe lëpirësash. Ky lloj sekti matrapazësh e mercenarësh, nuk njohin nënë e babë, familje pasi kanë filluar të ndryshojnë dhe gjini, komb e atdhe, vetëm për para!. Këta kanë humbur dinjitetin njerëzor dhe kombëtar! Në fakt qeverisja e “ripjelljes” vazhdon të pjellë vetëm hajdutë mashtruesa, narçistë, nihilistë, injorantë, hipokritë, fodullë dhe “doktorë”.Gjatë gjithë historisë, protestat e studentëve janë bërë një element kryesor për ndryshimet shoqërore në mbarë botën. Ata studentë që protestojnë sot, mbështeten nga një histori e gjatë dhe e shquar dhe nga këta aktivistëve dolën njerëz të shquar. Nuk ka asnjë dyshim se revoltat studentore janë simbol i revoltës të të gjithë grupeve sociale si protesta e kuksianëve, minatorëve, naftëtarëve, banorëve të “Astirit”, banorëve të unazës dhe shqiptarëve të diasporës, ku padyshim shkaktari dhe përgjegjësi kryesor i kësaj gjendje qeverisëse është “timonieri” dhe “guzhinieri i tepsisë” së bashku me “dylberat/et” që kishte dhe ka pranë vetes. Sot ai ka shumë frikë, se nuk ka kujt t’ja lerë “bunkerin” e Surrelit, nuk është i sigurt nëse do të mund të gëzojë paratë e vjedhura e të fshehura në llogaritë off-shore, nuk ka siguri nëse “miqtë” e tij Gjiknuri, Ahmetaj, Beqaj, Nikolla, Kodheli, Tahiri, Xhafa, Sejdini, Xhuxhi Dako, etj do ti japin statusin e azilantit pasi ja kanë zënë radhën.Prej vitesh Shqipëria është shndërruar një ndër vendet më të korruptuara në planet dhe këtë po e thonë me zë të lartë përveç opozitës dhe liderit të saj zotit Lulzim Basha çdo media dhe qeveri perëndimore. Kjo qeveri ka dhënë me koncesion (PPP) të gjitha pronat, shërbimet jetike dhe pasuritë publike, pra pothuajse e ka dhënë shtetin me qera dhjetëravjecare. Sipas raporteve vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit çdo vit vidhet më shumë se 1/3 e buxhetit të shtetit shqiptar. Vendi po shkon në një drejtim të dyshimtë, në mënyrë të krijojë sa më shumë pushtet “timonieri” gjithmonë në kurriz të shtetit dhe shtetasve të tij. Timonieri ka demotivuar, destrukturuar dhe e ka shkatërruar të gjithë administratën publike. Ka larguar dhe frikësuar të gjithë njerëzit e ndershëm, profesionistë, të aftë, arsimuar, diplomuar dhe të kualifikuar, të gjithë artistët me dinjitet, të gjithë juristët e aftë, gjykatësit e prokurorët e ndershëm, mjekët, infermierët, gazetarët e ndershëm, të gjithë oficerët e ushtrisë e të policisë si dhe ka bërë që me politikat e pashpresa të largohen me qindra mijëra nga shqiptarët më të mirë e arsimuar në vende të tjera dhe të strehojë në Shqipëri emigrantë të botës së tretë dhe vetëm me një qëllim, që t’i qeverisur më lehtë.Shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të kundërshtojnë me të gjitha format demokratike kundër kësaj propagande të fuqishme me orkestrim nga “ERTV & Endri” për të fituar statusin e qytetarit të lirë ku sistemi demokratik ta garanton dhe jo sistemi autokratik i “ripjelljes”. Në masën që hapësira për shprehje politike mbyllet nën autokracinë, qytetarët përballen me një zgjedhje të pakëndshme ndërmjet pranimit politik dhe protestës së dhunshme, me të gjitha rreziqet që mund t’i bëjnë këto opsione. Zhvendosja e regjimeve autokratike nga poshtë ka të ngjarë vetëm nëse lëvizjet sociale krijojnë organizata të forta dhe të qëndrueshme politike. Kështu që, rreziku i vetëm për një regjim autokratik vjen nga demokratët e mundshëm e opozitat e ndershme e me platforma të qarta qeverisëse, jo nga rebelët apo revolucionarët, të cilët do të rrëzonin një diktaturë dhe do ta zëvendësonin atë me një tjetër qeverisje të majtë, pasi doktrinat e të majtës janë vetëm për nënshtrim dhe varfëri.Shqiptarë të ndershëm të të gjitha grupeve sociale apo politike si dhe çdo shqiptar i diasporës, të cilët duan një Shqipëri demokratike më të mirëqeverisur, duhet të marrin frenat e drejtimit të vendit dhe të mos e lënë Shqipërinë të shkojë drejt sistemeve autokratike.DD, Ph. D
NJË URIM, NJË FALËNDERIM DHE NJË DËSHIRË PËR VITIN E RI

Nga Frank Shkreli/
Urimet e mia më të përzemërta për Vitin e Ri 2019 shokëve, miqve, kolegëve dhe bashkëpuntorve të mi, të afërt dhe të largët, sidomos lexuesve të nderuar të shkrimeve të mia modeste, në përgjithësi – në gazetat dhe portalet anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, të cilat me botimin e tyre, më kanë mundësuar shprehjen e lirë të mendimeve të mia në faqet e tyre të përditshme, në një hapësirë mediatike ku edhe është numri më i madh i lexuesve. Uroj një Vit të Ri për të gjithë, një vit në të cilin të gjithë ne shpresojmë të realizojmë ëndërrat dhe qëllimet e parealizuara deri tashti, si individ dhe si shoqëri, kudo që jetojmë. E bëj këtë urim, veçanërisht, për vëllëzërit dhe motrat tona anë e mbanë trojeve shqiptare, të cilët edhe pas pothuaj 30-vjet post-komunizëm dhe 10-vjet pavarësi e Kosovës, duket sikur endërrat e tyre për liri dhe demokraci të vërtetë për Kombin shqiptar dhe për integrimin e tij të plotë në proceset euro-atlantike, mbeten vetëm aq – endërra, endërra të pa realizuara, të pa arrijtura. Ju uroj lexuesve kudo dhe Kombit tonë në përgjithësi, që Viti i Ri 2019 të jetë një vit ndryshimesh për më mirë, një ndryshim të vërtetë të ri drejtimesh në strategjinë e politikës kombëtare, si dhe në përcaktimin e objektivave të reja për përmirësimin e jetës së përditshme, ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve, me një angazhim serioz nga klasa politike shqiptare, për realizimin e tyre.
Në prak të Vitit të Ri, fatkeqsisht, është vështirë të shihet se si mund të ndodhë një gjë e tillë. Nëqoftse viti që kaloi plot sfida, është një tregues i ngjarjeve të ardhëshme, Viti i Ri mund të jetë edhe më problematik për Shqipërinë dhe për Kosovën, me këto politika të papërgjegjëshme dhe përçarëse që po ndiqen, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
U shprehi falënderimet dhe mirënjohjen time kuptimplotë të gjithë atyre zonjave dhe zotërive zemërbardhë e mendjendritur – kolegë e kolege, miq e dashamirë dhe lexues të rregullt – të cilët me komentet e tyre më japin kurajë dhe më nxisin të vazhdoj të shpreh mendimet e mia në faqet e shtypit – mendime të cilat shpesh mund të duken si ndryshe nga shumica e opinioneve që botohen në median shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë. Kjo ndoshta nuk duhet të konsiderohet si një meritë e imja, por e fatit tim që kam jetuar dhe punuar për pothuaj një gjysëm shekulli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e rrethanave të tjera të jetës. Unë nuk e harroj kurrë brezin e patriotëve shqiptarë – shumica e të cilëve nuk janë më — që u detyruan të largoheshin nga Atdheu pas ardhjes në fuqi të komunizmit, me të cilët kam pas fatin të njihesha dhe të cilët spikaten në mua rëndësinë e ruajtjes së traditave stërgjyshore dhe lartësimin e shpirtit origjinal të shqiptarit ndër shekuj.
Megjithse larg vendlindjes për një periudhë gjysëm shekullore – në një mjedis krejt tjetër kulturor dhe gjuhësor — jam përpjekur mbrenda mundësive të mia modeste, që ndër të tjera, të pasqyroj dhe të vlerësoj traditat, si dhe përfaqsues të atyre traditave stërgjyshore shpesh të anashkaluar e harruar dhe trashëgiminë tonë autotoktone, që po sulmohen dhe po përvetësohen çdo ditë nga armiqët e shqiptarëve, ndërkohë që nuk po mbrohen nga ata që e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të mbrojnë dhe të kultivojnë identitetin, kulturën, trashëgiminë dhe autoktoninë mija vjeçare të shqiptarëve në trojet e veta.
Shpreh edhe njëherë, falënderimet e mia më të përzemërta lexuesve për vlerësimet e tyre të vazhdueshme. Me këto parime shpresoj që – për derisa të më japë Zoti jetë e shëndet — edhe në Vitin e Ri të vazhdoj të frymëzojë miqë dhe dashamirë, por mbi të gjithë lexuesit e rregullt të cilët bujarisht dhe me fisnikëri ndjekin rregullisht shkrimet e mia modeste.
Në fillim të këtij shekulli mendonim se më në fund, me shembjen e komunizmit dhe me arritjen e pavarësisë së Kosovës – shekulli XXI do të ishte më në fund, “Shekulli i Shqiptarëve”. Gjithnjë presim më kot të shohim ndonjë shenjë të kësaj ëndërre. Prandaj dëshira ime e sinqert – ashtu si edhe në vitet e kaluara — edhe në prak të Vitit të Ri 2019, është sa vjetër aq edhe aktuale, e përmbledhur me një thënje të At Anton Harapit, duke dëshiruar që sidomos klasa aktuale politike të mbledh mendët dhe t’u tregojë shqiptarëve, jo vetëm shqiptarëve, por edhe “Miqëve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët t’a bëjnë dhe t’a mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare.” Çdo gjë tjetër, më pak se ky realizim i dëshirës time dhe të një pjese dërmuese të shqiptarëve vullnet-mirë kudo në botë, është e papranueshme!
Problemet dhe sfidat e shqiptarëve – të mbrendshme dhe të jashtme — nuk mund të zgjidhen me formula të të tjerëve, që mund t’u përshtaten interesave të tyre dhe miqëve të tyre, në kundërshtim me interesat kombëtare të shqiptarëve.
Urimet më të përzemërta të gjithëve për një vit të mbarë për fatet e KOMBIT, si dhe për ju dhe familjet tuaja.
URIMI I PRESIDENTIT META PËR VITIN E RI-2019
‘GËZUAR VITIN E RI!’, PRESIDENTI META: UROJ QË VITI 2019 TË REALIZOJË HAPJEN E NEGOCIATAVE ME BE-NË/

Presidenti i vendit, Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale ka bërë një urim për të gjithë shqiptarët me rastin e ndërrimit të viteve.
Në urimin e tij, Meta i ka bërë thirrje që lënë pas të gjitha vështirësitë dhe konfliktet e vazhdueshme për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, më shumë përkushtim dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira e të bukura për suksese të përbashkëta.
“Të dashur motra e vëllezër shqiptarë! Sot, në ditën e fundit të vitit 2018 uroj sinqerisht të lemë pas të gjitha vështirësitë, pamundësitë e ndasitë, konfliktet e vazhdueshme dhe rraskapitëse të vitit që po mbaron, për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, të shëndetshëm e të gjithanshëm mes nesh, për të na sjellë të gjithëve, më shumë përkushtim dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira e të bukura, më shumë vullnet, forcë e përgjegjësi, më shumë energji, mençuri dhe besim për të qenë së bashku në sfidat tona dhe më shumë vizion e përpjekje për suksese të përbashkëta.
Uroj që Viti 2019 të realizojë dëshirën e madhe të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe të na sjellë më pranë ëndrrën e bukur të të rinjve dhe të gjithë shqiptarëve, “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, duke na ftuar, gjithë secilin prej nesh, të dhurojmë më shumë dashuri për njëri-tjetrin, fëmijët tanë, prindërit e të afërmit, fqinjët e miqtë tanë, për familjen shoqërinë e vendin tonë të mrekullueshëm!
Gëzuar Vitin e Ri 2019! Ju uroj shëndet, gëzim e hare, paqe, shpresë e mirëqenie, dashurie e mirësi për njëri-tjetrin! Le të na shoqërojnë këto urime e ndjenja pozitive për gjatë gjithë vitit që po troket!”
MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË
Në përfundim të Vitit Historik 2008 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe njohjes nga 53 shtete, dhe më të fuqishmet në botë, po presim gëzuar Vitin e Ri 2009 të pritjesë së anëtarësimit të shtetit tonë të ri në OKB dhe të jubileut të 10-vjetorit të paqes e lirisë në Kosovë – të hyrjes së NATO-s, forcës më të madhe planetare.
Në Ditën e Lirisë e të Paqes, më 12 qershor 1999, kur NATO-ja hyri e nisi marshin fitimtar e çlirimtar në tokën e Kosovës për t’iu dhënë fund krimeve të tmerrshme e gjenocidit, nga kolona e tankeve të para, ku isha me ushtrinë e Aleancës Veriatlantike e gazetarë nga gjithë bota, atë mëngjes të gëzimit të madh shqiptar kemi qeshur me një grafit çmendie të shkruar nga forcat që po dëboheshin pas humbjes së luftës kundër lirisë, në një shpatull mali në Grykën e Kaçanikut: “Serbija do Tokio”.
Shkarravina, që përkthyer shqip thoshte “Serbija deri në Tokio” më rikujtoi grafitet “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna” dhe britmat “ikni përtej…” të atyre që me dhunën më të egër dëbuan më se një milion shqiptarë nga Kosova.
Ata me operacionin “patkoi” kishin dashur ta zhbënin Kosovën, që duke vrarë e dëbuar shqiptarët, duke ua djegur e rrënuar shtëpitë, qytetet e fshatrat, të zhvendosnin kufirin shqiptaro-serb edhe përtej Bjeshkëve të Nemuna, siç e kishin zhvendosur para më shumë se një shekulli përgjakshëm nga Molla e Kuqe e kujtesës sonë historike.
Ata edhe më tej duan t’ua vënë flakën kufijve të Kosovës si në 19 shkurtin e 2008-tës në veri, duan të copëtojnë hartën e vendit që deshën ta zhbëjnë me gjenocid dhe tokëdjegie.
Ata edhe më tej shohin ëndrra të pamundshme, tash më 9 dhjetor 2008, kur në ditën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë Kosovën, në veri të urës mbi limin Ibër në Mitrovicë pashë grafitin që përkthyer shqip thoshte “këtu është Serbi”.
Por, edhe ata të gjithë do ta kuptojnë, shumë prej tyre e kanë kuptuar, se ka ikur përgjithmonë koha e pretendimeve dhe e ëndrrave të këqija kundër Kosovës, se Kosova është shtet.
Le të jetë 2009-ta edhe viti i vetëdijësimit e besimit edhe të asaj pjese të vogël të shtetasve të Kosovës që janë kundër këtij shteti, se Kosova është edhe shtëpia e atdheu i tyre, i lirisë, paqes, mirëqenies, prosperitetit e garancive për të gjithë, i demokracisë, standardeve dhe ecjes drejt integrimeve euroatlantike.
Le të jetë 2009-ta viti i vetëdijësimit përfundimtar edhe të fqinjit tonë verior që ka mbetur i vetmi fqinj kundër shtetit të Kosovës, se kufijtë e Kosovës janë të vendosur e të garantuar edhe ndërkombëtarisht dhe se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik.
Shtet që rrezaton paqe, stabilitet e demokraci dhe që i ofron fqinjësi të mirë e bashkëpunim edhe shtetit nga i cili pret edhe kërkimfaljen për krimet e gjenocidin.
Grafitet, pretendimet e ëndrrat e këqija “Serbia deri në Tokio”, “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, “Kufiri në mes të Mitrovicës” e të tjera si këto e të kohëve që shkaktuan edhe tragjedi njerëzore le të mbesin përmendore të marrëzisë e të shkuarës, apo më mirë sikur të ishte e mundur le t’i fshijë përgjithmonë e bardha dëborë e dimrit që do të shkrijë derisa shkojmë drejt Vitit të Ri 2009 e pranverës së re, drejt kohëve të mira që vijnë për të gjithë.
(RILINDJA, 30 Dhjetor 2008)
SHËNIM I SOTËM, 30 DHJETOR 2018: RILINDJA DO RIDALË…
Shkrimi-editoriali MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË është botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja pikërisht para 10 viteve – në 30 dhjetor 2008, vitin historik të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja nuk u ndal edhe kur u mbyll me dëbim dhunëshëm, kundërligjshëm e padrejtësisht, nga shtëpia e saj – Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002 nga administrata e UNMIK-ut.
Në ngjarje historike të lirisë e pavarësisë Rilindja vazhdoi të jetë histori e Kosovës duke dalë me numra specialë e të jashtëzakonshëm, edhe protestues, të kohëpakohshëm.
Numri i parë i pas dëbimit – i jashtëzakonshëm i gazetës Rilindja ka dalë në 5 mars 2002 me raportime për zgjedhjen e presidentit e qeverisë në seancën e një dite më parë të Kuvendit të Kosovës të zgjedhjeve të para në liri.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja ishte i ëndërres dhe i të ardhmes: KOSOVA SHTET NË OKB. Dy nga titujt tjerë në ballinë: 53 SHTETE NJOHËN SHTETIN E KOSOVËS dhe VITI 2009 I SHQIPËRISË NË NATO.
Në kalendarin e gazetës Rilindja për Vitin 2009 ishte piktuara ekskluzive, e autorit Veli Blakçori: Molla e Kuqe. Te ajo mollë, sipas kujteses historike të shqiptarëve, ishte kufiri shqiptaro-serb para dëbimit të përgjakshëm të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit e Toplica, para mëse 130 vjetëve (sa ishin në vitin e daljes së atij numri të gazetës Rilindja). Molla e Kuqe është si një mesazh atyre që duan të vendosin kufi në Mitrovicë, se nëse ndryshon kufiri – dihet ku ishte…
Në 2019-tën, në 21 Shkurt, bëhen 17 vjet nga dëbimi i kundërligjshëm dhe i padrejtë i gazetës Rilindja – detyrimisht mbyllja e të përditshmes së parë shqiptare në Kosovë, e cila ka nisë të dalë para 74 viteve, në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
Kaluan plot 10 vjet nga numri i fundit i jashtëzakonshëm e protestues i 30 dhjetorit 2008 i gazetës Rilindja e të drejtës së shkelur dhe pa sundim ligji në rastin e saj…Prandaj, gazeta Rilindja në këtë ndërrim motesh pritet të ridel simbolikisht (botim digjital) për PROTESTË dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim…
Rilindja duhet të ridalë e privatizuar, duke pasur edhe shembullin e gazetave tjera në rajon që kishin status të njejtë si ndërmarrje shoqërore, e që vazhdojnë të dalin të privatizuara…
Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni i OKB i pas luftës në Kosovë.
Behlul Jashari
Kryeredaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)
Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunshëm
ÇMIMI NDËRKOMBËTAR “ATJON ZHITI” SHKON NE ARGJENTINE
ÇMIMI NDËRKOMBËTAR “ATJON ZHITI” I JEPET POETES NGA ARGJENTINA SUSANA /ROBERTS/
VENDIMI:IWA BOGDANI Themelon Çmimin Ndërkombëtar “Atjon V. Zhiti”/
Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve IWA BOGDANI, me qendrat në Bruksel dhe Prishtinë, merr vendimin N-109, 27/11/18, që të themelohet “Çmimi Ndërkombëtar Atjon Zhiti”. Ky çmim jepet çdo vit me motivacionin “për pasionin dhe sinqeritetin artistik në krijimtari” , IWA BOGDANI, Prishtinë 2018…
* * *
Juria sivjet vendosi që ky çmim t’i ipet poetes Susana Roberts nga Argjentina. Poetja Roberts e pranoi çmimin duke falenderuar dhe, siç siç tha ajo, ishte çmimi i parë që merrte nga një vend në Ballkan, ndërkaq ndihej e lumtur për këtë vlerësim, “që ky çmim mban emrin e një të riu, i cili ishte një talent i lindur, ku pata mundësinë të lexoj pak nga ai, por vërejta se Atjon Zhiti ishte një mençurak dhe i urtë. Ishte edhe djali i një të përsekutuari nga regjimi Komunist në Shqipëri Visar Zhiti” Ajo më tej shtoj se “do ta ruaj ketë çmim si një gjë tepër e veçantë dhe do ta bashkëndjejë me prindërit e tij, praninë e dhimbëshme të këtij talenti”
Kush është Atjon V. Zhiti?
“19 vjeçari i përhershëm”, Atjon V. Zhiti, siç e quan gjenerata e tij, student i filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano (Itali), veprimtar dhe anëtari më i ri i PEN-Clubit Italian, po kështu dhe anëtar i Paralmentit Rinor Europian, që dinte të jepte shumë dashuri e vrull ndër shokët e shoqet e miqtë, pëlqente artet, filozofinë dhe sportet, gjuhët e huaja dhe shkencat politike dhe “buzëqeshte çiltërsisht”, gjë që ata që e kanë njohur, ia quajnë “vepër”, duke mbetur kështu dhe ideali shpirtëror i tyre. – Lindi në qytetin e Vlorës (Shqipëri), në 30 gusht 1995 dhe u rrit më shumë në Romë (Itali), ku prindërit punonin si diplomatë.
– Kur ishte 3 vjeç e gjysmë një viziatim I tij për “Nënë Teerzen” iu botua në një album dhe shkruajtën gazetat në Vatikani dhe në Shqipëri. Hapi një “ekspozitë fëminore” në shtëpi në Romë dhe më pas një tjetër në Vlorë, në kopshtin e shtëpisë së gjyshit, ku vizatimet e tij u varën pemëve. – Shkollën fillore e nisi në Tiranë, në shkollën katolike “Ylber”.
– Arsimin 9 vjeçar e kreu në Romë në shkollën e muzikës “Giuseppe Sinopoli”, mësoi flautin dhe dha disa koncerte me orkestren e shkollës.
– Nisi studimet në liceun e njohur klasik të Romës “Giulio Cesare”, ku krahas italishtes dhe anglishtes, që i njihte mirë, studio dhe greqishten e vjetër dhe latinishten. – Kishte passion dhe muzeumet, i vizitoi të gjithë më të rëndësishmit në Romë e Vatikan, por dhe në qytete të tjera, Tiranë e Korçë, Vlorë, Krujë, Shkodër, etj, por dhe në, Firence, Venecia, Paris e deri në Chicago, SHBA.
– Merrej me sporte, me not, kanotazh, tenis dhe shah.
– Përfundoi gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë dhe bëri kurse kualifikimi për gjuhët spanjisht, frengjisht e gjermanisht.
– Fiton një bursë për të vazhduar studimet për Filozofi në Itali, ku pranohet si antar i PEN Clubit Italian, ndërkohë bëhet dhe anëtar i Parlamentit Europian Rinor duke përfaqësuar Shqipërinë në disa Konferenca si në Spanjë, Letoni, etj.
Krahas shkrimtarëve në Shqipëri dhe Kosovë, njihet me poetë të njohur nga bota, Sebastiano Grasso, Mario Luzi, Adonis, Hermann Nitsch, Jevtushenko, nobelistin Derek Walcott, etj dhe e tërheqin përkthimet.
Ndërkohë bën dhe piktura si një adoleshent, një pjesë e të cilave vendosen dhe në ballina librash të ndryshëm.
– Në vitin e dytë universitar nis botimet e eseve të para të tij filozofike në Shqipëri dhe Kosovë dhe në median shqiptare në diasporë, Itali, Zvicër, Angli, SHBA…
– Më pas del libri i parë me ese e shkrime të Aton V. Zhitit, “Për atë që dua(m)”, botim i UETPRESS, 2015, me jehonë në lexues dhe në media.
– Hapet ekspozita me piktura të tij “Një kuti me xiëllonja”, 2015, në Universitetin “Polis”, Tiranë, nën kujdesin e kritikut të njohur të artit, Gëzim Qendro.
– Botohet Albumi “Opera Atjon”, 2017, në shqip dhe italisht me vizatimet dhe pikturat e tij, të feminisë dhe adoleshencës, përgatitut nga kritiku i artit dhe botuesi Gëzim Tafa. Albumi ka patur jehonë brenda dhe jashtë vendit.
– Dalin librat me tregime “Valixhja e shqyer” dhe me poezi “Të rritesh nga dashuria” me ilustrime të Atjonit si bashkautor.
– Koncert për Atjonin në Romë, 2017, me violin dhe pianoforte, “Jehonë dhe butësi,, dialog mes tingujve dhe një ëngjëlli”. Festali Ndërkombëtar i Filmit “Giffoni” jep çdo vit çmimin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mire të jurisë, ku Atjoni bënte pjesë.
– Një rruge në Tiranë i është vendosur nga Bashkia e Kryeqytetit emri: “RRUGA E ATJONIT”
Kanë thënë për Atjonin:
Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…
Helena dhe Ismail Kadare, shkrimtarë
Nuk kam takuar një të ri kaq të mire, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…
Robert Elsie, albanalog i njohur
Atjoni e iluminonte poezinë, sepse ai vetë ishte pothuajse një poemë magjike.
Adonis
poet i njohur, jeton në Francë
Libri i Atjonit – testament i Tij… si Ungjilli për bashkëmoshatarët e tij, fari ndriçues i brezit të tij…
Eugjen Merlika studiues
E njoha Atjonin. Ai jetoi me optimizëm dhe i përkushtuar për artin dhe jetën… Mbetet një shenjë që simbolizon shpresën dhe gjallërinë rinore.
Jeton Kelmendi
Profesor Universitar, President i
“International Writers Assosaciation ‘Pjetër Bogdani’”
FITUESJA
SUSANA ROBERT
– poete dhe shkrimtare, përkthyese dhe veprimtare për kulturën
paqes, nga Argjentina.
Jeton në Trelew- Chubut, Argjentinë.
Është Dr. Litt. Honoris Causa,WAAC-2009. Vital Anëtar WAAC. Ca. EEUU.
Ambasador i Paqes, “Mil Milennia.org- Pea.org- (Senati i Argjentinës (Unesco Unicef).
Zv/Drejtore. IFLAC- Argjentinë dhe Amerikën Latine / Anëtar Nderi Shoqata e Harmonisë Globale-Rusi / Anëtar SELAE: Shoqata Evropiane e Shkrimtarëve dhe Artistëve / Ambasadore Universale e Paqes /Rrethi i Ambasadorëve-Gjenevë-Zvicër.
Anëtare e Asociacionit Botëror Ekologjik Etik të “Noosphera-Rusi” (NEEWA)
Në Presidiumin e Anëtarëve WFSC (Forumi Botëror i Kulturës Shpirtërore) -Kazakhstan.
Ambasadore Ndërkombëtare e Kulturës – SIPEA.
Ambasadore “The Love Foundation” -Tampa-Florida-SHBA.
Poezia e saj është botuar në shumë vende të botës, është pjesëmarëse në shumë Kongrese Botërore, Kombëtare dhe Ndërkombëtare.
Është nderuar me çmimin e parë për përkthimin nga “lPCRT-China”. Ka marrë çmime kombëtare e ndërkombëtare si çmimet “SADE”, çmimin e parë në anglisht WAAC, WCP Trujillo-Peru 2014, dhënë nga Qeveria e Prov. Del Chubut-Argjentinë gjatë 2013-2016. Çmimi “Grand Master Award” për Mjeshtret e Mëdha të Zonjëve të Botës në Senatin e Argjentinës, Nation- CABA. 2018. Është nderuar nga Shoqata Ndërkulturore e Indisë me çmimin ndërkombëtar “Sahitya Shree”, etj.
Ka “Medaljen e Paqes” nga Fondacioni “Salvador Allende”, org – Kili 2010. Çmimi Asolapo Arg. Çmimi Ndërkombëtar.
Poezia e saj është në future shumë antologji botërore në gjuhët spanjisht dhe anglisht.
Ka botuar në gazetat, përveçse në Argjentinë, në Peru, Rusi, Spanjë, Greqi, Kazakistan, Uzbekistan, Belgjikë, Indi, etj.
Është bashkautore e shumë librave dhe antologjive.
Disa nga titujt e librave të saj dy gjuhësh janë: Rostros / Faces. El vuelo del Ave / Zogu i fluturimit. Art dhe virtyt në evolucionin e njeriut – në frëngjisht, Epub-France-Alter Editions, etj.
NGA LETRA E SAJ
Faleminderit nga zemra për këto botime dhe faleminderit i nderuari Jeton Kelmendi për këtë urë kulturore, me suksesin deri në Argjentinë…
Është një nder i madh që jam laureate e këtij çmimi, “Atjon Zhiti”, që më jep më shumë forcë në rrugën time, ku lidhem me fëmijë e të rinj me të cilët flasim dhe veprojmë për paqen dhe për “kulturën e Shpirtit” që bashkon njerëz anembanë globit. Bekime juve dhe të gjithë anëtarve!… Mirënjohje dhe adhurim nga vendi jugor i Argjentinës.
Susana Roberts
Dr Litt Honoris Causa-WAAC
Ambassador of Peace-Mil Milennia.org. Senate of Argentine Nation(Unesco-Unicef).
Vice Dir. Iflac Argentina and Latinamerica.
Honory Member Global Harmony Association.
5 POEZI
nga Susana Roberts
VEPËR ARTI
Si merr formë një vepër e vyer arti?
Ç’bëhet me fishkëllimat që oshëtijnë në bregun tim
me ritëm rëre dhe kolibrash?
Po me lutjet
si të hapen dritare në një ditë të re?
Si ia del kjo jehonë drithëruese
në heshtjen e shoqërisë me ty?
Si ta njohësh ritmin tënd dhe ritmin
e punës tënde nëpërmjet kujtesës
me kaq shumë liri lindjesh
dhe shpresash të vdekura?
Si ta bëj lidhjen
e gjakut në venat e mia
për të arrijmë një dritë të re
mes vëllezërve?
Do të jetë mrekulli
ndërtimi së bashku i asaj cope
të madhe arti me simfoninë e dashurisë
mbi të gjithë tokën.
E GJITHA BLU
Ti ke derdhur të gjithë blunë
Mbi sytë e mi
Ashtu si ëmbëlsia e mjaltit
Që helmon jasminët
Lagështia është penduese e dashurisë
folja po takohet
me infinitin e oqeanit
Unë shkruaj Paqe kur shkruaj dhimbje
me zjarr dhe ajër
ngjeshur në grushtin tim
drita po rritet
Ashtu si një luftë e fortë
Brenda urisë nën lëkurën time
Ardhur nga shpatullat e mia
Dhe duhet që unë të jem
Flaka e trupit tend.
PËR ÇFARË PO MENDON
Për çfarë po mendon?
Kockat e mia të vetmuara
penjët në lakuriqësinë e nënndarjes së pambukut
Për çfarë po mendon?
Mishin tim dhe bebëzat e syve të mi
këngën e endacakut të artë
në rrugët e ëndrrave të mia
Për çfarë po mendon?
Nëse nesër unë vdes, djali im
sot është e Shtunë
thirrja jote shmang hijet
Nëse nuk mendon ndonjëherë
unë do të shkoj në park
ku mosha ime
po pret për më shumë lexime
Do të shkoj
ta ndjej veten të përqafuar
nga lumi me ngazëllimet e tij
ndërsa perëndimi i diellit përgatit ujërat
të kokolepsen me disa tregime pasditeje
midis dëllinjave
Pastaj ndoshta
Unë dehem
me dritat që zbehen te bankëzat
vetmi-qeta në pikturën e tharë
me konturet e figurave vjeshtore.
DUKE TË KËRKUAR TY
Oh! Jeta e trupit tim dhe forca ime, e gjitha ti, shpirti dhe zemra, oh! Ti je zemra dhe shpirti im! E gjitha ti je bërë me gjithë qenien time, prandaj ti je i gjithë unë. Unë s’kam bërë asgjë te ty, kjo është arsyeja pse unë jam ti i gjithë.
Rumi
Përshkova shumë shekuj
me sytë e lagësht
me lotët e fëmijës
të rërës dhe erës
Unë u deha
prej dashurisë tënde të besueshme
shtypur në mua
Emri yt
deri në kujtesë hyjnore
ti e di të gjithë këtë
në kohë të pakufizuar
formash të pamundura
ti i di kush je
dhe ti nuk më njeh mua
me çfarë emri duhet të të kërkoj
në këtë vend shenjash
kur unë puth largësinë
e madhe
nga lotët e mi deri në shtëpinë tënde?
humba
në thirrjet e erës
prapa perdeve
ku dridhet gjaku
dhe ne jemi vërtet
copëza të një puzzle
të lyer me butësi të egër
të njëjtë me fluturimin e zjarrit
kur të emëroj ty dhe ti më emëron mua
në boshtin shpirtëror te Universit.
FRUTA TË ARTË
Në agim të kohëve
Në botën time qiellore
M’u dorëzua një shenjë e çuditshme
në pëllëmbë të dorës
Pashë një kopsht të harlisur
Me fruta të artë
Ky është sekreti
Dhuratat që mua më mahnisin
E papritura në kërkimet e gjera
Për të gjetur njerëz me shpirt të jashtëzakonshëm
Këto kushte tani na përkasin ne
në çdo horizont
ku vëllazëria është e bekuar.
Përktjeu nga anglishtja: Dardan Shkreli

