• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MINISTRJA GERVALLA NË KËSHILLIN E SIGURIMIT: LE TË FILLOJË EPOKA E RE!*

April 14, 2021 by dgreca

Periudha e raportit aktual të UNMIK-ut përfundoi vetëm një javë para se Kuvendi i ri të zgjidhte qeverinë e re e Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve historike. 

Për herë të parë, në vendet e Ballkanit deri më tani, shumica e popullit votoi për t’u çliruar nga korrupsioni dhe krimi.

Republika e Kosovës po hyn në një epokë të re. Ne jemi në një rrugëtim për të përmbushur vullnetin dhe kërkesën e popullit tonë; përkatësisht ta bëjmë vendin tonë të ri anëtar të plotë dhe të respektuar të familjes së kombeve, ku zotëron sundimi i ligjit, demokracia dhe mundësia e barabartë për të gjithë.

Si Ministre e Jashtme dhe Zëvendës Kryeministre e Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin, që t’ju drejtohem me shumë sinqeritet. 

Do t’i referohem detajeve të raportit pak më pas, por si fillim ështe e rëndësishme të kuptojmë cilësitë e reja të kësaj qeverie dhe qasjen e saj.

Është e qartë se Kosova, si gjithë vendet e tjera, ende po lufton me pandeminë. Këtu do të doja të falenderoja miqtë dhe partnerët tanë, që po na ndihmojnë për të siguruar vaksinat për Kosovën.

Por, në të njëjtën kohë jemi duke përgatitur masat vënë në jetë këtë epokë të re. Kemi të bëjmë me një gamë të gjerë të çështjeve, lënien prapa të një epoke të korruptuar dhe transformimin në një shtet me sundim të vërtetë të ligjit. 

Çështjet e ngutshme fillojnë me reformat në drejtësi dhe vazhdojnë me investimet si dhe krijimin e vendeve të punës – investimet e huaja dhe sundimin e ligjit në vend të korrupsionit; të gjitha këto në një vend me popullsi të re, vitale dhe me vështrim nga Evropa.

Për shumë vite kemi luftuar për këto ndryshime, brenda partive, në OJQ ose si qytetarë. 

Tani njerëzit na kanë besuar këtë ndryshim historik, dhe ne jemi të përkushtuar që ta vëmë në jetë.

Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO – gjë që mund ta kuptoni fare thjesht edhe nga flamujt, që gjenden prapa meje. Për shumë ky është gëzim i madh, e për disa shqetësim. 

Ne po mundohemi gjithashtu, që në një moment të caktuar në të ardhmen, të bëhemi edhe anëtarë të Kombeve të Bashkuara.

Ne po i shtrijmë dorën të gjithëve me mirëbesim, pasi të gjithë jemi të lidhur së bashku në një fat të përbashkët në planetin tonë të vogël dhe të brishtë. 

Me trashëgiminë tonë kulturore prej më shumë se 3000-vjeçare, së bashku me Grekët jemi një nga dy kulturat më të lashta në Evropë.

Vendi ynë i vogël, por shumë i veçantë, nuk ka frikë. Përkundrazi, jemi të gatshëm që të hyjmë në diskutime substanciale dhe serioze edhe me ata që janë përgjegjës për shumicën e konflikteve në dekadat e fundit, e edhe për gjenocidin në Bosnjë dhe Kosovë.

Në këtë qeveri të re të Republikës së Kosovës do të gjeni njerëz të guximshëm, mendjehapur dhe me përvojë ndërkombëtare, të cilët nuk i shmangen as edhe trajtimit të çështjeve të dhimbshme për të gjetur një zgjidhje. 

Ne jemi të hapur, jemi krenarë dhe nuk kemi frikë nga asgjë dhe askush.

Ne jemi pro pajtimit, megjithëse kemi shumë njerëz, që kanë histori të tmerrshme me Serbinë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës është gjykuar si student në një gjykim, që ishte shfaqje politike e orkestruar nga regjimi autoritar serb dhe më pas është keqtrajtuar rëndë në burg për më shumë se dy vite.

Nënkryetarja e sapo zgjedhur e Kuvendit të Kosovës i ka mbijetuar, kur ishte vetëm 13 vjeçare, masakrës së të forcave serbe kundër civilëve, ku nëna e saj, gjyshja, dy vëllezërit më të vegjël dhe të afërmit e tjerë të familjes kishin mbetur të vrarë. Ajo vajzë e pafajshme ishte gjetur me 16 plagë dhe mezi mbijetoi.

Një nga anëtarët e rinj të kuvendit tonë, me më së shumti vota nga populli, është përdhunuar nga ushtarët serbë kur ishte vetëm 16 vjeçe. Ajo mori guximin që të tejkalojë barrën e dhimbshme të të folurit në publik për këto krime. Ajo u jep zë të gjithë 20,000 viktimave të përdhunimit dhe admirohet gjerësisht për bartjen e kësaj barre. Deri më tani, asnjë nga përdhunuesit serbë nuk është mbajtur përgjegjës për të gjitha këto raste.

Raporti aktual i UNMIK-ut, diku nga fundi, prek një temë e cila renditet në mesin e pesë prioriteteve kryesore në vendin tonë. 

Të gjithë këtu kanë një nënë – kolegu im amerikan, homologu im serb, kolegu im norvegjez, homologu im rus, pra të gjithë. Unë jam vetë nënë dhe atë nënë krenare.

Nuk ka asgjë, në kuptimin e plotë të fjalës, asgjë mbi këtë tokë, që është më e dhimbshme, më e tmerrshme dhe më e papërballueshme sesa humbja e fëmijës.

Unë do t’ju ftoja të lexoni dhe të dëgjoni grupin e nënave, që quhet “Nënat e Gjakovës”. 

Këto gra të guximshme, që kanë humbur fëmijët e tyre të pafajshëm nga një fushatë e pamëshirshme dhe vrasëse e regjimit serb, janë tejet të pikëlluara dhe kanë dhimbje. Megjithatë, që prej shumë vitesh, ato qëndrojnë kokëlartë dhe nuk dorëzohen. 

Vazhdimisht ato kërkojnë vetëm t`ju tregohet se ku janë fëmijët e tyre, e asgjë më shumë. Ato janë të vetëdijshme se duhet të presin edhe më të keqen.

Nuk do të duhej të kthehej në problem, që t’ju tregohet këtyre nënave se ku janë varrosur fëmijët e tyre pasi ishin vrarë. 

Prandaj pyetja jonë është: Pse Serbia duket e paaftë të tregojë ndjeshmëri ndaj këtyre nënave, që kërkojnë trupat e fëmijëve të tyre?

Është e rëndësishme të theksohet: Këtu nuk po flasim për ngjarje të shekullit të 19-të. 

Nuk po flasim për krimet brutale, të egra dhe të papërshkrueshme të kryera gjatë Luftës së Parë botërore ose Luftës së Dytë botërore në Ballkan, Evropë dhe në shumë vende të tjera të globit. 

Këtu po flasim për një kujtesë të gjallë. Viktimat, që kanë mbijetuar, shumica janë ende gjallë.

Gjithashtu, shumica e atyre që kanë kryer këto krime të papërshkrueshme, të cilët shkaktuan më shumë se 15,000 vdekje për vetëm disa muaj në vendin tonë të vogël, janë ende gjallë. Ata e shijojnë jetën e tyre në Serbi dhe gjetiu, e shpesh madje përgëzohen për këto masakra.

Për ta vendosur këtë dimension në perspektivë, imagjinoni këto shifra për vendet tuaja. 

Këto viktima do të ishin më shumë se 1,2 milion rusë të vrarë në Rusi në vetëm një vit. Do të thoshte 2,6 milion Amerikanë të vrarë në Amerikë brenda një viti. Do të thotë më shumë se 11,6 milion kinezë të vrarë në Kinë në vetëm një vit.

Bota është duke e parë që vetëm disa nga këta kriminelë lufte po gjykohen dhe në shumicën e rasteve në gjykime që më shumë janë shfaqje ku ata pastrohen nga çfarëdolloj faji. 

Serbia i bën të gjitha këto. Ajo madje nuk pranon, që krimet më të mëdha kundër njerëzimit në tokën evropiane, pas Gjermanisë naziste, janë kryer në emër të Serbisë së Madhe në dekadat e fundit.

Udhëheqësit serbë madje i lavdërojnë kriminelët e luftës dhe akoma refuzojnë të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet ndërkombëtare të Kombeve të bashkuara – madje, kriminelë të dyshuar të luftës, ulen në parlamentin e tyre.

Të gjitha këto shkelje eklatante të normave më themelore të Kombeve të Bashkuara – dhe për më tepër: të njerëzimit – nuk janë diçka ku mund të thuash: ”Thjesht kapërcejini”.

Këtu kemi të bëjmë me vlerat themelore të njerëzimit, kemi të bëjmë me vendin tonë i cili kurrë, asnjëherë,  nuk do të jetë nën kontrollin dhe komandën e atyre që i kanë kryer këto masakra dhe që nuk i pranojnë këto. 

Serbia duhet ta dijë dhe të pranojë se do t’i duhet të paguajë çmimin e mizorive të saj vrastare. 

Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj, të çlirohet nga rrënjët e saj gjenocidale dhe të përpiqet të bëhet një vend evropian, me të vërtetë i civilizuar. 

Serbia ishte mbyllur në të kaluarën – në një të kaluar të errët. Ishte mendësia mesjetare, duke qëndruar në errësirë ​​dhe në të kaluarën, brenda elitave serbe, që edhe e ka shtyrë Serbinë drejt racizmit, dhe në fund fashizmit dhe gjenocidit në vitet 1990.

Vetëm 80 vjet më parë, Gjermania naziste kishte filluar bombardimin e Beogradit dhe kishte bërë gjenocid ndaj serbëve, hebrenjve dhe të tjerëve, përfshirë këtu edhe popullin shqiptar, që u ngrit kundër fashizmit.

Më lejoni të pyes sinqerisht: Çfarë është ajo që i shtyn viktimat e gjenocidit dhe fashizmit, që edhe vetë të bëjnë gjenocid, të përfundojnë në fashizëm dhe nåe fund të mos përballen me përgjegjësitë pas kësaj?

Ne jemi të bindur: Sapo Serbia të njohë faktet dhe nëse adreson historinë e saj të rrezikshme të agresionit dhe destabilizimit të rajonit, nëse ndërpret ndërhyrjet agresive në vendet e saj fqinje, nga Bosnja në Mal të Zi e në Kosovë, ajo ka potencialin të normalizojë sjelljen e saj dhe të bëhet një vend normal, të cilin fqinjët e saj nuk do të kenë nevojë ta konsiderojnë si bombë të kurdisur. Sapo Serbia ta arrijë këtë, ajo do të shndërrohet, nga të qenit kërcënimi më i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon, në një partner ndoshta të ndërlikuar, por jo më të rrezikshëm.

Ne, si vend fqinj, jemi të interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne jemi të interesuar për një Serbi me mendësi evropiane, jo të prapambetur. Ne jemi të interesuar për një dialog të hapur për të kaluarën tonë të përbashkët dhe shpresojmë edhe për të ardhmen tonë të përbashkët.

Zonja dhe zotërinj, ne jemi një vend i vogël, por shumë i veçantë. Ne jemi të vegjël, por qëndrojmë kokëlartë. Ne kemi shumë miq të besueshëm dhe jemi vetë të besueshëm.

Babai im, një disident, një intelektual, një shkrimtar, një muzikant dhe një gazetar, është vrarë nga regjimi i Beogradit, madje edhe në tokë të huaj, në Gjermani, ku ne kishim ikur nga brutaliteti i atij regjimi të Beogradit.

Unë u them fëmijëve të mi se nuk ka të bëjë me serbët në përgjithësi, dhe se duhet bërë dallimi. 

Por, mbi të gjitha, Serbia duhet ta bëjë këtë dallim. Ajo duhet të identifikojë kriminelët e luftës, t’i sjellë para drejtësisë, të bashkëpunojë med Kombet e Bashkuara dhe me ne për të gjetur varrezat masive të atyre që akoma janë të pagjetur, të luftojë fashizmin në Serbi, të ndërpresë lojrat, të vijë në tavolinën e bisedimeve dhe të flasë me seriozitet.

Vetëm atëherë do të mund të gjejmë një zgjidhje historike, jo vetëm për problemet tona bilaterale, por me qëllim të një pajtimi të përgjithshëm në Ballkan.

Bota e di, madje shumica e kundërshtarëve dinë: Pavarësia e Republikës së Kosovës është një punë e mbaruar. 

Sa më parë që Serbia ta pranjë realitetin, aq më shpejt mund të kalojë nga e kaluara e errët në një të ardhme të ndritur.

Ne nga ana jonë qëndrojmë të hapur, pavarësisht të gjitha dëmeve që Serbia i ka shkaktuar popullit tonë, për të zgjatur dorën, për të biseduar dhe për të njohur njëri-tjetrin.

Le të fillojmë një epokë të re.

* Fjalimi i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, 13 Prill 2021

Filed Under: Featured Tagged With: Donika Gervalla, Fjalimi, Keshilli i Sigurimit

Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA) Takon Departamentin e Shtetit Amerikan, Kërkon Ndihmë për Sigurimin e Vaksinave

April 14, 2021 by dgreca

E Mërkure, 14 Prill 2021 – Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA) u takua sot me 5 zyrtarë nga Departamenti i Shtetit pas një kërkese që organizata i bëri Sekretarit Blinkin për ndihmë për të siguruar vaksinat Covid-19 për Kosovën.

Si përfaqësues të Departamentit të Shtetit, të pranishëm në takim ishin: David Kostelancik, Drejtor për Zyrën e Evropës Juglindore, Zyra e Çështjeve Evropiane, Michael Konstantino, Zëvendës Drejtor, Ilan A. Goodman, Zyrtar i Lartë për Zyrën e Kosovës, Wendy Rejan, Zyrtar për Zyrën e Kosovës dhe Malikat Rufai, Zyrtar për Zyrën e Maqedonisë Veriore dhe Zyrtar Mbështetës për Zyrën e Shqipërisë.

Përveç diskutimit mbi bashkëpunimin e mundshëm për të ndihmuar Kosovën në prokurimin e vaksinave, pjesëmarrësit diskutuan edhe çështje të ndryshme me të cilat po përballet Kosova dhe rajoni, përfshirë dialogun, Gjykatën Speciale, vëllezërit Bytyqi, zgjedhjet e ardhshme dhe reformën në Drejtësi në Shqipëri, regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë Veriore, pasivizimin në Preshevë dhe rritjen e paqëndrueshmërisë në Malin e Zi.

Z. Kostelancik falënderoi KPA-në për angazhimin dhe ofroi bashkëpunim në çështje të ndryshme me të cilat po përballet Ballkani.

KPA është një organizatë jofitimprurëse e përkushtuar në promovimin e idealeve të përbashkëta të popullit shqiptar dhe amerikan.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Departamenti i shtetit, Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA)

VLORA NË STUDIMET E KATËR AUTORËVE TË HUAJ

April 14, 2021 by dgreca

Shkruan: MSc. Albert HABAZAJ/

Shkurtore. Natyra ia ka falur me bujari Vlorën Shqipërisë, në pjesën JP të vendit, si një kartolinë Mesdheu, një perlë mesdhetare, sikur ta kishte qëndisur vetë Zoti me dorë të artë! Vërtet është e bukur si nuse bregdeti, por kaq nuk mjafton për interesat që ka paraqitur tek të tjerët në rrjedhat e kohës. Për kontributin e dhënë në luftërat për liri dhe pavarësi Vlorës i është dhënë titulli “Qytet Hero” (1962). Vlora shtrihet në një hapësirë në l.m.d 6 m, që përbën një pozicion gjeostrategjik të favorshëm dhe automatikisht të lakmueshëm prej fqinjve, pushtuesve apo të mëdhenjve.  E banuar qysh në shek. VII p.e.r., ajo që në lashtësi ishte një qytet skelë dhe nyjë e rëndësishme e rrugëve detare dhe tokësore. Përmendet me emrin Aulona nga autorët antikë Lukiani dhe Plotemeu (shek. II të e.r.). Është emër tipi ilir dhe, sipas akad. Shaban Demiraj, emri i Vlorës është ndër të paktët emra gjeografikë të bregdetit lindor të Adriatikut dhe Jonit, që i kanë qëndruar kohës qysh nga periudhat e lashta”. Rilindasi Sami Frashëri shkruan: “Frengjisht e greqisht quhet Avlona, italisht Valona, por emri origjinal në shqip është Vlora”. Kemi vërejtur që në rrjedhat e kohës gjer më sot, Vlorën e kanë dashur dhe e duan shumë, e kanë lakmuar dhe e lakmojnë shumë, e kanë urryer dhe e urrejnë jo pak… Pse? Kushdo nga ne, natyrshëm kërkon të gjurmojë në kujtesën e shkruar apo gojore, në shkrimet e historianëve, dëshmitarëve, udhëpërshkruesve, antropologëve apo studiuesve të tjerë, vendas a të huaj. Po ndalojmë telegrafisht tek përshkrimet që i bëjnë Vlorës sonë katër autorë të huaj:

Johannes Georg von Hahn, (1811-1869), albanolog gjerman, diplomat në shërbim të Austrisë, i cili, qysh në vitin 1834, kur ra në kontakt me shqiptarët dhe filloi të mësonte shqip e deri sa mbylli sytë iu përkushtua fuqishëm Çështjes Shqiptare me histori, etnografi, gjuhësi folkor, statistikë etj,, aqsa  mendimi i tij u shërbeu përfaqësueseve të Rilindejs Shqiptare për kërkesat e tyre: të njiheshin shqiptarët si një popull më vete, me të drejtat e tyre dhe me rrugë historike të veçantë. Ai njihet si dijetari më i shumanshëm e më i thelluar i kohës së vet në fushën e studimeve shqiptare, konsiderohet si dekan i studimeve shqiptare të shek. XIX dhe babai i albanologjisë në kuptimin shkencor të fjalës. Në vëllimin e parë të veprës madhore “Studime shqiptare”, botuar në Jenë, në vitin 1854, ai i kushton Vlorës mbi 20 faqe shqyrtime, që përfshijnë imtësira deri edhe eksportin e vajit, leshit, lëkurëve të qengjit, misrit, valanidhit, kripës, serës, gurëve të strrallit, breshkave, shpendëve, deshëve, peshqëve të kripur, hajvarit dhe gjalpit. Ai shikon te Vlora më shumë pamjen e përparimit, sesa të amullisë, ndërkohë shkruan: “E ashtuquajtuna Arbëni, malsia midis lumit të Gjinokastrës dhe të detit, në veri e kufizueme prej Vjosës, përfaqëson vendbanimin kryesor jugor të kastës luftarake turko-shqipare dhe Vlona mund të quhet si kryeqendra e saj. Këtu ka qenë vatra e mirëfilltë e kryengritjeve të ndryshme të drejtuara kundër risive.. Si të ishte një gjeograf dhe meteorolog i devotshëm, Hahn u bën edhe një shërbim të vyer njerëzve të detit, dashamirësve, turistëve, lundërtarëve, tregtarëve dhe detarëve të rinj apo të panjohur me këto vise “Asnjë pikë në të gjithë bregun shqiptar nuk asht i pershtatshëm për nji vendqendrim flote si gjini i Vlonës, sepse ka nji pozitë gjeografike të mirë, asht i sigurtë, i gjanë dhe mund të furnizohet lehtë me ushqime… Gjini i Vlonës u shërben si strehë të gjitha anijeve, të cilat i zen furtuna në kanalin e Otrantos ose luftojnë me erna të kundërta…Kur fryn nji shirok i fortë, skela e Vlonës, që gjindet kundrejt kepit të Karaburunit, asht e rrezikshme për anijet e vogla. Këtyne u duhet me u tërhekë në brendësinë e gjinit, në Pasha Liman, të cilët italianët e quajnë Gjini i Raguzës; ky gjindet 10 mila në jug-perëndim të Vlonës. Atje ka qenë dikur qyteti i vjetër  Orikum, megjithëqë sot s’ka ma gjurma. Si duket, muret  e vjetra  janë mbulue me baltë dhe vendasit thonë se kur deti asht i qetë, shifen në ujë teprica muresh. Ai e quan skelë kryesore të rajonit dhe më tej shkruan … “i gjithë eksporti i Vlonës, që asht dy herë ma i madh se importi, shkon në Trieshe me vaporë austriakë dhe të huaj”. Hahn shkruan edhe për Kaninën që del në Mesjetë në vendin e qytetetve të vjetër të Bylisit, Aulonës dhe Orikumit dhe tregon interes për fortesën e Kaninës, e cila sipas tij, qe ndërtuar mbi rrënoja ndërtimesh helene, ku gjatë hulumtimeve janë gjendur vërte blloqe katërkëndëshe guri të Antikitetit. “Nga kodra e kështjellës hapet nji pamje e gjanë përmbi tokë dhe det; nga ana e detit prej aty duket krejt gjini, gjuhza e tokës, ishulli i Sazanit dhe pjesërisht edhe përvijimet e bregdetit ët rrafshët deri në Durrës, nga ana e tokës duket fusha e Myzeqesë, e rrethuem nga unaza madhështore e maleve, ku spikasin sidomos, për bukurinë e tyne, maja e Tomorit dhe e Kudhësit”. Në pjesën historike, ku trajton edhe luftrat e Skënderbeut dhe fatin e shqiptarëve pas vdekjes së tij, autori shkruan: “Turqit në fillim pushtuen vetëm fushat dhe vendet ku kishte rrugë, bile disa krahina malore mbetën krejt të lira dhe vetëm kur u kthyen në fenë muhamedane u banë të turqve. Madje, disa krahina të krishtena malore janë sot më vete. Njana prej tyne asht Himara, e cila përfshin pjesën ma të madhe të Akrokeraunies. Himariotët e mbrojtën lirinë e tyne me gjak dhe përballuen sulmet e Bajazidit II më 1492 dhe Sulejmanit më 1537 dhe fituen fermane nga sulltanët, në bazë të të cilave rronin të lirë dhe pa dhanë taksa nëpër malet e tyne, vetëm se ishin të detyrue me shkue në luftë kur i kërkonte Sulltani. Këto privilegje i hoqi Ali Pasha, i cili Himarën e shtiu në dorë ma shumë me dredhi sesa me trimëni”

Një ndër historianët dhe specialistët më të mirë të Mesjetës Evropiane, Jacques Le Goff (1924 -2014) shkruan: “Gjeografia nuk ekziston pa historinë, por edhe historia nuk shpjegohet pa gjeografinë. Historia e Adriatikut fillon në lashtësinë e hershme me origjinalitetin e saj detar, sipas ritmit të popullsive që vijnë nga brendësia dhe nga jashtë. Historia e tij është histori e një deti, e brigjeve, qyteteve bregdetare, anijeve të tregtisë, peizazhesh që shkojnë nga Alpet deri në zemër të Mesdheut”. Këtë thënie po e përshtas për Vlorën: Historia e Vlorës fillon në lashtësinë e hershme me trinitetin e saj origjinal: detar, fushor dhe malor, sipas ritmit të popullsive që vijnë nga brendësia (krahinat e Vlorës) dhe nga jashtë (krahinat e tjera të vendit, pse jo dhe nga jashtë Shqipërie. Historia e saj është histori e dy deteve dhe lumenjve, e ishullit dhe gadishullit, e brigjeve dhe qyteteve bregdetare, anijeve të tregtisë dhe peizazheve që shkojnë nga këmbët e zvërnecit deri në vargmalet Akrokeraune me kryemajë malin e Çikës e përkarshi Këndrevicën. Ta ngushtojmë në lokalitet vështrimin e autorëve të huaj për Vlorën:

Adriatiku përbën një gji të pellgut mesdhetar, që në pikën më të ngushtë ka kanalin e Otrantos 72 km/ 49 milje i gjerë (distanca nga porti i Vlorës në Otranto), që është një grykëderdhje shtratgjerë. Fati i detit Jon është i lidhur me atë të Adriatikut. Kanali i Otrantos paraqet interes strategjik: fuqitë kryesore bregdetare janë përpjekur sa e sa herë që t’i mbajnë nën sundim të dyja brigjet e e tij. Këtej vjen dhe vlera e ishujve që qëndrojnë si roje në dalje të kanalit. Pierre Canabes shkruan: “I ndoshur pranë brigjeve shqiptare, ku [Kanali i Otrantos, shën. im-A.H] e kyç Gjirin  Vlorës, ishulli i Sazanit, një shkrep i ngushtë pa ndonjë liman për të qenë, mori rëndësi vetëm në  shekullin XX, kur pas vitit 1920, Italia e ktheu në vegël të synimeve të saj ballkanike, si dhe më vonë, nga viti 1945 deri më 1960, kur marina ruse dislokoi atje disa nëndetëse”

Peter Bartl, (Cottbus, Gjermani, 1938 –) është studiues dhe historian gjerman, specialist i historisë shqiptare, njihet si një ndër studiuesit më seriozë e më të rëndësishëm të albanologjisë. Pas studimit të historisë së Europës Lindore, sllavistikës dhe turkologjisë, ka botuar një sërë studimesh historike rreth Europës Juglindore e më ngushtë Shqipërisë. Në vitet 1980-2004, ishte profesor për historinë e Europës Juglindore e Lindore në Universitetin e Munihut. Këtu drejtoi edhe Institutin e Shqipërisë, qendër studimore me bibliotekë të pasur që i kushtohej tërësisht vendit tonë. Vepra e tij e fundit është vepra madhore me disa vëllime “Albania sacra: Relacione të vizitave baritore prej Shqipërisë”. Vepra parashikohet të përshfijë pesë vëllime dhe paraqesin mundin e punës sëë tij shumëvjeçare në hulumtimin e përgatitjen e një serie të gjatë dokumentesh që hedhin dritë mbi periudha  dhe problemem të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Ndër të tjera, në monografinë “Shqiptarët: nga Mesjeta  deri në ditët tona” historiani gjerman shkruan: “Vlora (Valona). Paraardhëse e qytetit-port të sotëm ka qenë Aulona, e vendosur pak më në veriperëndim të Vlorës (vendbanimi dëshmohet të paktën që nga shekulli i 4-t p.e.s). emir Vlorë, si edhe italisht Valona dhe turqisht Avlonya, kanë rrjedhur nga Aulon. Duke i mbetur Bizantit gjatë ndarjes së perandorisë […], Vlora përmendet si seli peshkopale që në shekullin e 5-të. E pushtuar nga normanët në vitin 1081 dhe 1107, pas vitit 1204 Vlora përfshihet në despotatin e Epirit; në 1272 në Mbretërinë Anzhu të Shqipërisë; në 1343 i takon serbëve dhe në 1378 është në zotërim të Balshës. Në 1417 qyteti pushtohet nga turqit. Vlora u bë skela kryesore e Shqipërisë turke dhe pikënisje edhe e ekspeditës turke drejt Italisë në 1480. Reth viti 1537 turqit ndërtuan një kështjellë për sigurimin e qytetit, mbeturinat e së cilës u rrafshuan në 1906. Në 28.11.1912 në Vlorë u shpall pavarësia e Shqipërisë dhe u krijua një qeveri e përkohshme; për këtë arsye Vlora mund të quhet kryeqyteti i parë i Shqipërisë. Nga dhjetori i vitit 1914 e deri në gusht 1920 Vlora qe e pushtuar nga italianët. Ndër përmendoret janë ruajtur xhamia e Muradijes, [në Vlorë i thonë Xhamia e Plumbit (kryesorja tek stacioni autobuzit, Shkolla nr.1. Shën im. A.H] (mesi i shekullit të 16-të), shtëpia ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, [Sarajet e Vlorajve apo e Xhemil Beut. Shën im. A.H] si dhe një teqe bektashinjsh në kodrën Kusbaba (sot restorant)”. Po ashtu objekt kulti ka qenë Xhamia e Tabakëve (tek sheshi përballë Bashkisë, para ish – hotelit të Kinezëve), po ashtu sot është është Xhamia e Neshat Pashait, ose Xhamia e Kuqe (ku ka qenë konsullata italiane).

Duke shfletuar monografinë “Pena të arta franceze për shqiptarët (1332-2007)”, një antologji voluminoze me 764 faqe, që ka një shtrirje të gjerë kohore prej gati shtatë shekujsh, ku 120 autorëv francezë, ndër penat më të ndritura të letrave të Francës, dëshmojnë për virtytin, dinjitetin, krenarinë dhe fisnikërinë shqiptare ndër kohëra, krahas dhembjes, mjerimit dhe tragjikes që i ka shoqëruar, vështrimi u përqëndrua tek shkrimi i dijetarit Jean Claude Faveyrial [Zhan Klod Favejrial (1817-1893)].  Favejrial është i pari dijetar që ka shkruar historinë e Shqipërisë në shek. XIX ka qenë prift në Kongregacionin e Misionit Lazarist, u dërgua si misionar në Ballkanin e Jugut, ku kaloi një gjysmë shekull të jetës së tij. Studioi në thellësi historinë  e etnive të ndryshme evropiane dhe u bë mik i madh i vllehëve dhe shqiptarëve. Çeli shkolla në Berat, Korçë e Prizren. Dha mësim për gjuhën frënge e filozofinë. Vepra e tij “Historia e Shqipërisë” është zbukuar nga studiuesi i mirënjohur albanologu Robert Elsie. Shkrimi në fjalë i Zh. K. Favejrial titullohet “Grurë nga Vlora për popullin e varfër të Parisit”. Po sjellim për të interesuarit, dashamirësit dhe ndjekësit tanë disa fragmente: “Në vitet 1730-1740, sikurse dhe në epoka të tjera, pati në Shqipërinë Jugore, e veçanërisht në Thesproti, rrëmuja të mëdha dhe një anarki të pafund. Dhe kjo për dy arsye kryesore: politika venedikase dhe patriotizmi. Për të mbrojtur sa më mirë zotërimet  e veta ishullore dhe kontinentale, Korfuzin, Pargën, Buthrinton e Prevezën, Venediku jo vetëm nxiste kundërshtimin ndaj qeverisë turke, por furnizonte edhe armë, barut e municione të tjera të dollojshme për rebelët… Pukëvili na mëson se megjithë ndalimet e Portës, eksportoheshin nga Durazzo e Avlona me grurë, thekër, tërshërë e mil gjashtëdhjetë deri në njëqind anije tregtare, anije të destinuara një pjesë për Francën, të tjerat për Spanjën… Në vitin 1741, Z. Boulle, konsull i Francës në Avlonë, nisi nga ky port një sasi të madhe gruri që ndihmoi lehtësimin e urisë në Parisin e mbërthyer nga skamja. Por më pas, ai ra viktimë e dështimeve dhe falimentimeve. Duke mos mundur të shlyejë borxhet, atij iu desh të bëhej turk. Por me letrat që dërgonte nga Tenedo më 1762, shohim se ai është penduar. Si mbërriti në Kostandionopojë, shleu me gjakun  etij atë skandal fatkeq që kish shkaktuar. Më 1754, Mustafa Pasha hakmerret ndaj të krishterëve të Janinës për humbjet që i kishin shkaktuar suljotët”. Këto shënime të autorëve të huaj, personalitete të kohës që kanë jetuar dhe më vijimësi na njohin me këndvështrimin e tyre real për Vlorën tonë, si pjesë e së tërës Shqipëri. Ato s’kanë nevojë për komente, veç duhen mirëlexuar, sepse mesazhet që duhet të marrim ne janë të fuqishme, frymëzimtare e besimmbushur në asetet vlonjate e shqiptare (jo vetëm natyrore, tokësore e nëntokësore, por edhe burimet e pasura njerëzore në të gjitha fushat e jetesës sonë sotmërisht dhe për nesër.

Filed Under: Histori Tagged With: Kater autore te huaj, MSc.Albert Habazaj, Vlora

NJË VLERËSIM NGA INDIA PËR LIBRIN E AUTORIT GËZIM ALPION “NENË TEREZA-SHENJTËRESHA DHE KOMBI I SAJ”

April 14, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

“Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam murgeshë Katolike. Për nga thirrja, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e shqiptuara nga Nënë Tereza, e cila jetën e saj ia përkushtoi të varfërve, anë e mbanë botës.

Vitin që kaloi, shtëpia botuese britanike “Bloomsbury”, ka botuar librin në anglisht, me titull “Mother Teresa –The Saint and her Nation”, ose “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, të autorit dhe akademikut, Dr. Gëzim Alpion. Profesori Alpion jep mësim në Universitetin e Birmingham-it në Departamentin e Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë të këtij universiteti, ndër më të njohurit në botë. I specializuar në disa fusha akademike, Dr. Alpion, gjatë viteve, e ka dalluar veten si autori më i njohur, në gjuhën anglisht, i jetës dhe veprimtarisë së Shën Nënë Terezës dhe është, njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë Terezën”.  Libri i tij i fundit “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, është vlerësuar nga shumë ekspertë të fushës dhe akademikë botërorë dhe është pritur jashtzakonisht mirë edhe nga lexuesit e shumtë në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në shumë vende të botës ku anglishtja përdoret si gjuhë zyrtare ose gjysëm zyrtare, përfshir nën-kontinentin indian.  

Vlerësimi më i fundit që më ra në dorë kohët e fundit vjen, pikërisht, nga India. Në të vërtetë, ishte në Kalkuta të Indisë, ku Nenë Tereza filloi dhe ku zhvilloi veprimtarinë e saj me mmotrat e urdhërit që ajo themeloi, “Missionaries of Charity”, me misonin për tu kujdesur për më të varfërit, për të uriturit, për të sëmurët dhe të pastrehuarit, sakatët, të verbërit dhe për të gjithë ata persona që, për një arsye ose për një tjetër, i ka përjashtuar shoqëria ku ata jetojnë.  Ose siç shprehej vet Nënë Tereza për misionin e saj, për tu kujdesur për, “më të varfërit e të varfërve” në botë.  Por para se të ç’vendosej në Kalkuta, Nenë Tereza ka udhëtuar për në Darjeeling të Bengalit Verior për një takim vjetor shpirtëror të Kuvendit të saj, një udhëtim ky që ajo thenë se kishte ndjerë atë që e ka cilësuar si, “thirrja brenda thirrjes”.  “Një thirrje që ajo e ka konsideruar si një kërkesë nga Jezusi për të dalë nga Kuvendi me qëllim për t’u kujdesur për më të varfërit e shoqërisë”. Prandaj, është me vend që vlerësimi më i fundit i veprës së Dr. Gëzim Alpion vjen, pikërisht, nga qyteti Darjeeling i shtetit Bengali Perëndimor të Indisë, atje ku Nenë Tereza, në shtator të vitit 1946, iu përgjigj “thirrjes brenda thirrjes” dhe vendosi  që jetën e saj t’ia kushtonte kujdesit për “më të varfërit e të varfërve”, jo vetëm në Indi, por gjatë dekadave të ardhëshme, veprimtaria e Nenë Terezës dhe motrave të saja, u përhap edhe në disa vende anë e mbanë e botës.  

Autori i vlerësimit më të fundit të librit, “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, të autorit Dr. Gëzim Alpion, botuar kohët e fundit nga Shtëpia botuese Bloomsbury (me zyra në Londër, Nju Jork, Nju Deli dhe Sidni), është Paul Cheruthottupuram, që njihet me emërin C.C. Paul, i cili aktualisht jeton dhe vepron në qytetin Darjeeling të Bengalit Perëndimor.

                                                 C.M. Paul

C.M. Paul, përveç rolit të tij fetar si prift i Urdhërit Katolik Salezian të themeluesit Don Bosko, gjatë karierës së tij ai ka shërbyer edhe në detyra të ndryshme, përfshirë gazetarinë dhe ka pasur raste të shumta që ai ka bashkpunuar edhe me Nenë Terezen, në veprimtarinë e saj në shërbimin e pa kursyer ndaj të varfërve. Në kapacitetin e tij edhe si gazetar dhe themelues i radio-televizionit salezian në Darjeeling, C.C. Paul ka mbledhur materiale dhe dokumentacion mbi “Mbulimin e veprimtarisë së Nenë Terezës në gazetat e Kalkutës nga viti 1946-1962”, për të hedhur dritë mbi veprimtarinë bamirëse të Nenë Terezës në atë periudhë në Kalkutë. 

Në vlerësimin e tij të librit të Profesorit “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, Gëzim Alpion, C.C. Paul shkruan se për një banor si unë i qytetit Darjeeling — një qytet ky aq i lidhur ngusht me “thirrjen brenda një thirrjeje” të murgeshës shqiptare – libri i fundit mbi Nenë Terezën, “ofron  një lexim interesant, pasi jep informacione të panjohura deri më tani për Shënjtëreshën”, Nenë Terezën, shkruan C.M. Paul.  Ai e cilëson Dr. Gëzim Alpion-in si, “ndoshta akademikun dhe ekspertin më autoritativ mbi jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës, i cili argumenton”, shton prifti Indian, “se jeta e Nenë Terezës dhe historia e Kombit të saj, sidomos kur është fjala për marrëdhëniet e bashk-kombasve të saj me katolicizmin, janë të ndërlidhura njëra me tjetrën.  Është hera e parë”, vazhdon autori indian, “që një autor që shkruan për jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës përpiqet t’i nterpretojë traumat, sfidat dhe sukeseset e saja, të këtij personi due kësaj misionarje duke eksploruar influencën, deri më tani të injoruar, të trashëgimisë së saj etnokulturore dhe shpirtërore”, në jetën dhe veprimtarinë e nenë Terezës. 

Libri prej 284 faqesh kushtuar Nenë Terezës– botuar nga Shtëpia botuese Bloomsbury, dega e Indisë — përqendrohet, sipas C.M. Paul, edhe në ndërlidhjet që ekzistojnë midis individit dhe shoqërisë, në kryqëzimin midis biografisë dhe historisë, si dhe në transformimin e sfidave personale të Nenë Terezës në një subjekt debatesh dhe diskutimesh publike.

Materiali i librit është i organizuar në tre pjesë dhe ndahet në 15 kapituj, gjithsejt. Kapitulli i parë trajton pyetjen se, “Kush janë Shqiptarët e Nenë Terezës?”, një ekspoze, thotë autori në vlerësimin e tij, “të historisë së Atdheut të murgeshës, nga periudha e Ilirëve e deri në periudhën post-moderne”.  Pjesa e dytë e librit ka të bejë me “Rrënjët Shqiptare të Nenë Terezës dhe vitet e saja kur ka jetuar në Shkup”, që sipas C.M. Paul, “materiali meriton lëvdata, pasi pjesa më e madhe e të dhënave dhe analizave duket se janë publikuar për herë të parë”, në librin e Profesor Gëzim Alpion.

Pjesa e tretë e librit të Dr. Gëzim Alpion për Nenë Terezen botuar në anglisht vitin që kaloi, trajton “Marrëdhëniet e Nenë Terezës dhe të Kombit Shqiptar edhe me Selinë e Shenjtë (Vatikanin), ku flitet për personalitetin e murgeshës shqiptare, veprimtarinë dhe trashëgiminë e saj parë nga dy kend-veshtrime: roli i rëndësishëm që ka luajtur Vatikani në jetën e Nenë Terezës dhe në përspektivën e dytë, në librin e tij, Dr. Alpion vlerëson marrëdhëniet e saja me vendlindjen dhe me njerëzit me të cilët ka kaluar jetën e fëmijërisë në Shkup – një histori kjo prej vitit 1910 e deri në kalimin në amëshim të Nenë Terezës, në vitin 1997. 

Në artikullin vlerësues të librit të Profesor Gëzim Alpion, “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj” – shkrim i botuar kohët e fundit në median indiane, të priftit salezian nga India, C.M. Paul – informohen lexuesit në gjuhën anglisht se në kapitullin e fundit të librit, krahasohen kontrastet midis Nenë Terezës dhe heroit legjendar të Kombit shqiptar Gjergj Kastrotit-Skenderbe, dy personaliteteve më të njohura shqiptare ç’prej shekullit të 15-të, thuhet në këtë vlerësim.

C.M.Paul vlerëson më në fund veprën e Dr. Gëzim Alpion, “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, botuar në anglisht nga Shtëpia botuese, Bloomsbury India 2020, si “një libër origjinal, i kuptueshëm, i mirë studiuar…libër i cili me siguri do të bëhet një vepër udhërrëfyese për trashëgiminë, për jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës”, në përgjithësi, përfundon C.M. Paul vlerësimin e tij të veprës së autorit anglo-shqiptar, Dr. Gëzim Alpion, Profesorit të njohur të Universitetit britanik, Birmingham.

Frank Shkreli

                         Mother TeresaLibri mbresëlenës në anglisht “Nenë Tereza: Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, me autor Dr. Gëzim Alpion i Universitetit Birmigham në Angli

Autori i librit “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, Profesor Dr. Gëzim Alpion duke folur për jetën dhe veërimtarinë e Nenë Terezës  

Nga një takim (via Zoom) tetorin që kaloi, organizuar nga Kryetari i Shoqatës Anglo-Shqiptare në Londër, Z. Stepehen Nash, në mbledhjen vjetore të kësaj shoqate, në të cilën folësi kryesor ishte Prof. Dr. Gëzim Alpion, i ftuar i posaçëm, për të ligjëruar mbi librin e tij më të ri, kushtuar Nënë Terezës. Biseda e Prof. Alpion titullohej: “Nga Shkupi në Kalkuta: Udha e Nënë Terezës drejt Shenjtërisë”, (“From Skopje to Calcutta: Mother Teresa’s path to sainthood”).

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Gezim Alpion, Nene Tereza

Fjala flet ndryshe

April 14, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Mbulesë e gjerë dhe ata që e mbajnë torturohen nga frika se po të hiqet, ajo që fshihet nën ’të, do të shkatërrojë sistemin e tyre. Artistët thonë se natyra është mënjanuar; studiuesit nuk kanë ideal. Ata i rëndojnë fjalës së sinqertë me shaka për të ngritur veten; qeshin kur flasin dhe ndryshojnë temën. Fakti është se gjithçka që ka të bëjë me lirinë, e kështu me radhë, është zhdukur. Personat praktikë dhe komodë i shtypin ata që kanë pretendime, ose që mendojnë ndryshe, dhe pushteti mbetet për heroizmin dhe vetëflijimin si ushqim për propagandën e tyre. Shprehja  “Ik sot për të luftuar një ditë tjetër”, si koncept është shuar.
Asnjë poet nuk guxon murmuritje bukurie jashtë nga zona e rimave. Ashtu si asnjë klerik nuk guxon të sugjerojë një Providencë e cila kritikon kombin kur sheh se ka zgjedhur rrugë të keqe. Shqipëria është ishull vullkan i zhurmshëm i fatit, i vlerave materiale, i tarifave e taksave të larta dhe ligjeve që rëndojnë, tregjeve të gllabëruara dhe çmimeve pa vlera. Të gjitha në mungesë të qëllimeve më të larta, të dashurisë së pastër të dijes dhe dorëzimit ndaj natyrës; ekziston shtypja e imagjinatës dhe mendimit; kemi “faktik” në vend të “natyrshëm”; dhe shpenzime pa shije; art dhe vetëkënaqësi; shpërblim për cilindo që krijon një pengesë më shumë për të ndërhyrë midis njeriut dhe sendeve.  Kështu fjala degradohet; poezia bëhet udhëzues i rimuar turistësh. Dhe bibliotekat e vargjeve që shtypen marrin këtë karakter vendor. Në sa vëllime duhet të qëmtojmë para se të mbushemi, të mësojmë, të përtërihemi? Kërkojmë mrekullinë, bukurinë, që nuk mund ta prodhomë në asnjë mulli, që nuk mund të japë llogari; bukurinë, prodhimin e së cilës e mbajtën sekret poetët e mëdhenj; nuk dihet ku e gjetën. 
Është humbur nga sytë fakti që poezia ekziston që shpirti të flasë, dhe se asnjë pasuri e përshkrimit ose e zbukurimit është risi derisa të arrihet. Prandaj, poetët fare fare të vjetër u vunë veshin vargjeve dhe më pak konsideronin gjykimin. Fjalët e tyre të çojnë te burimi. Dhe lexuesi do të thoshte: Për Zotin, nëse fjalët nga shpirti do të ishin si të kalemxhinjve,
Shkrimi do të kishte më shumë ligësi. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Fjala, Ndryshe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 115
  • 116
  • 117
  • 118
  • 119
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT