• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVË-POLICIA AKSION NË VERI, ARRESTIME PËR VRASJEN E IVANOVIC

November 23, 2018 by dgreca

-Komunikatat dërguara nga Qeveria, Policia dhe Prokuroria e Shtetit të Kosovës/

Masked police officers carry their weapons as they stand guard in front of a court in Pristina September 17, 2014. Police in Kosovo arrested 15 people on Wednesday, including a number of imams, in the second major operation in weeks to stem the flow of young ethnic Albanians joining Islamist fighters in Iraq and Syria, a police source said. Most of Kosovo's 1.8 million people are ethnic Albanian Muslims and lead largely secular lives.    REUTERS/Hazir Reka (KOSOVO - Tags: POLITICS CRIME LAW CIVIL UNREST) - RTR46L0JPRISHTINË, 23 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Një aksion policor me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pas hetimeve disa mujore, është zhvilluar sot në veri të Kosovës, arrestohen të dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanovic në 16 janar 2018. Në vijim deklaratat e njoftimet e dërguara nga Qeveria, Policia e Prokuroria e Shtetit të Kosovës:

DEKLARATË E QEVERISË SË KOSOVËS

Prishtinë, 23 nëntor 2018- Qeveria e Republikës së Kosovës, deklaron se aksioni policor në veri të Kosovës që ndërlidhet me ndalimin e disa të dyshuarve për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ky veprim policor ishte në pajtim të plotë me ligjin, konform urdhrit të Prokurorisë Speciale, dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik. Qeveria e Kosovës siguron të gjithë qytetarët se shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik.Me këtë rast, Qeveria e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, subjekteve politike, kryetarëve të komunave, posaçërisht atyre në veri dhe organeve të tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.Është më rëndësi që askush të mos bie pre e dezinformatave të ndryshme. Ruajtja e rendit dhe respektimi i ligjit është në interes të të gjithëve në Kosovë.

KOMUNIKATË PËR MEDIA E POLICISË SË KOSOVËS

Policia e Kosovës arreston disa persona të dyshuar, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e vrasjes së O. Ivanoviç

 Prishtinë, 23 nëntor 2018

 Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda nën udhëheqjen e Prokurorit Special të Prokurorisë Speciale të RKS-së, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, sot më 23.11.2018, pas hetimeve disa mujore dhe me urdhëresë të gjykatës, ka kryer kontrolle në katër lokacione në qytetin e Mitrovicës-Veri.

 Në këtë operacion janë arrestuar katër (4) persona, tre (3) prej tyre  që dyshohen se janë të përfshirë në veprën penale ,,Vrasje e rëndë”, kurse një (1) person tjetër është arrestuar sepse ka rezistuar dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kontrollit dhe arrestimit të të dyshuarve për rastin në fjalë.

Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë;

  1. N.S.  viti i lindjes 1976, M/S/K, njëherit zyrtar policor  në Veri të Mitrovicës.
  2. M.R. viti i lindjes 1993, M/S/K;
  3. D.M. viti i lindjes 1970, M/S/K, po ashtu zyrtar policor në Veri të Mitrovicës.
  4. A.C.  viti i lindjes 1965, M/S/K;

Ndërsa personi  i cili  ende mbetet në kërkim policor, pasi nuk është gjetur në lokacionin e tij është;

  1. M.R. viti i lindjes 1978 po ashtu M/S/K;

Policia e Kosovës gjatë kontrollit në këto lokacione po ashtu ka sekuestruar edhe disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin, dëshmi këto të cilat do të procedohen sipas procedurës ligjore.Të gjitha veprimet e mëtutjeshme rreth rastit dhe personave të arrestuar, do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me organet e drejtësisë, gjegjësisht prokurorin kompetent të rastit.

NJOFTIMI NGA ZYRA E KRYEPROKURORIT TË SHTETIT

 Me urdhër të Prokurorisë Speciale arrestohen katër persona në veri të Mitrovicës

Prishtinë, 23 nëntor 2018 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, në orët e hershme të mëngjesit kanë realizuar një aksion në veri të Mitrovicës, ku janë arrestuar katër të dyshimtë se janë të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

 Me  qëllim që të zbatohen procedurat e ligjshme dhe të drejta për sigurimin e provave dhe arrestimin e personave të dyshuar për veprën penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe urdhrit të lëshuar me shkrim nga  Gjykatësi i procedurës  paraprake i Krimeve të Rënda në Prishtinë, janë kontrolluar disa lokale dhe prona në pjesën veriore të Mitrovicës, për shkak  se është vlerësuar se ka gjasa reale se në  këto lokale, shtëpi dhe prona mund të zbulohen dhe konfiskohen prova të rëndësishme për veprën penale.Gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për kontroll, Policia e Kosovës ka gjetur armë pa leje dhe materie tjera që përbëjnë veprën penale, për të cilën ndiqet sipas detyrës zyrtare.

KOMUNIKATË PËR MEDIA E POLICISË SË KOSOVËS E 16 JANAR 2018

 Prishtinë, 16 janar 2018

           Rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të z. Oliver Ivanovic, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij.Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes është në vazhdim e sipër. Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore.

 Gjithashtu, rreth orës 09:15min, në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes.

Për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të Policisë është informuar prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje.Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë.

Filed Under: Kronike Tagged With: arreston, policia e Kosoves, vrasesit e Ivanovicit

Arti i Komunikimit është Bashkëjetesë pa Tensione

November 23, 2018 by dgreca

– Tensionet e brendshme nuk favorizojnë një shtet qe të zhvillohet në rrugë normale. Duhet gjendur rruga e komunikimit me popullin dhe jo arroganca.Jemi popull i vuajtur dhe kërkojmë të jetojmë si njerëz të lirë përpara ligjit.Eshtë i nevojshëm dhe i domosdoshëm një mentalitet i ri bashkombëtar dhe bashkëkohor./

1 shqipe

NGA SHQIPE NEBIAJ/Nju Jork/

Këto 28 vite për Shqipërinë janë një tranzicion i tejzgjatur zhvillimi mbas një izolimi 45 vjeçar.Ka ndryshime që nuk krahasohen me burgun që lamë pas.Por a duhej të ishte më mirë? Po lexoja mbi rikonstruktimin e shteteve në Gjermaninë e mbas luftës së dytë botërore ku Jeffrey Diefendorf ka shkruar shumë libra mbi shkatërrimin e Gjermanisë dhe Japonisë mbas luftës së dytë botërore the mbi rindërtimin e shpejtë të qyteteve të shkatëruara prej saj. Ai jep disa shpjegime mbi menaxhimin e ndërtimeve urbane dhe rikonstruktimin e ndërtesave historike siç ishin më parë.Diefendorf përshkruan qytete të ndryshme që u rindërtuan në mënyrë të ndryshme duke respektuar kulturën historike dhe konfliktet e brendshme.Mbas bombardimit të qytetit të Hamburgut disa mendonin të transformonin atë në rrugë moderne si (easy way).Kjo u kundërshtua nga qytetarët që donin të mbronin indentitetin e qytetit të tyre.Në Munich mbas luftës së dytë botërore ishte planifikuar një arterie urbane përballë bashkisë (City Hall) ku ndodhej një zonë e madhe pedestriane ku njerëzit ishin të kënaqur me atë.Një lëvizje e madhe popullore bëri të mos realizohej plani.Njerëzit detyruan planifikuesit e ndryshimeve që të hapnin ekspozita ku të respektohej dhe zëri i qytetarëve: Ne nuk duam që qytetet të duken të gjithë si New Yorku duam të ruajmë indentitetin e qyteteve tona ishte zëri i tyre.Në qytetin e Cologne, Konrad Adenauren( German statesman who served as the first Chancellor of the Federal Republic of Germany from 1949 to 1963) do të ndryshonte rrugët rreth katedrales por shumica e qytetarëve e kundërshtuan. Po në këtë qytet në një ndërtesë jo shumë e madhe ku kishte qenë udhëheqja e Gestapos( ku ishin vrarë dhe torturuar shumë njerëz) në vitin 1970 u kthye në një muze ku përbëhej nga një arkiv the biblotekë ku njerëzit njiheshin me hororin e Gestapos.Gjermania është vendi që pranoi në mënyrë kolektive përgjegjësitë e regjimit nazist. Të vimë prap te dhimbja jonë. Nuk e kemi patur traditën te kënaqësia e konsesusit por te beteja nder vedi se kush do ti nxjeri syte tjetrit.Uni eshte e keqja kur shqiptaret behen “Kalores” dhe kontrollojnë çdo gjë në favor të egos dhe jo të ligjit.Firmosin ligje por nuk u përmbahen atyre.Përsëritjet e mos respektimit të ligjeve sjell dhe një gjendje rutinë që çorienton shoqërinë në një apati të verbër.Duhen mendje të kthejllta dhe të ditura që të bëjnë të qartë fuqinë e ligjit ku çdo njeri të ndërgjegjsohet për fuqinë e tij.Sa më shumë njerëz të njohin ligjet dhe të drejtat e tyre aq më të pavarur do të jenë në lidhje me integritetin e tyre si qytetarë.Asgjë nuk bëhet me forcë se ajo mban një tension të brendshëm.Tensionet e brendshme nuk favorizojnë një shtet qe të zhvillohet në rrugë normale. Duhet gjendur rruga e komunikimit me popullin dhe jo arroganca.Jemi popull i vuajtur dhe kërkojmë të jetojmë si njerëz të lirë përpara ligjit.Eshtë i nevojshëm dhe i domosdoshëm një mentalitet i ri bashkombëtar dhe bashkëkohor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Arti i Komunikimit është Bashkëjetesë, pa Tensione, Shqipe Nebiaj

KOSOVA NUK DO TË LEJOJË CENIMIN NGA SERBIA

November 23, 2018 by dgreca

-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli: Nuk do të lejojmë cenimin e Kosovës nga Serbia/

1 a Veseli tereza

PRISHTINË, 23 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në një konferencë shypi sot në mesditë ka thënë se vendimet e fundit të shtetit të Kosovës kanë për synim të ndalin destruktivitetin e liderëve institucionalë të Serbisë kundër Kosovës.

Në një konferencë për gazetarë, Kryeparlamentari Veseli theksoi se vendimet e shtetit të Kosovës janë janë legjitime, legale dhe transparente. Vendimet e institucioneve të Kosovës, sipas Veselit, nuk duhet assesi të interpretohen si vendime të drejtuara ndaj një komuniteti të caktuar.“Republika e Serbisë, lidershipi i saj, duhet ta kuptojë se politika e urrejtjes, bllokimit dhe provokimit ndaj Kosovës është duke rrezikuar stabilitetin rajonal. Është kundër frymës së dialogut të proklamuar. Kjo politikë nuk i ndihmon bashkëjetesës mes shqiptarëve, serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë. Ka ardhur koha që të ndalen provokime të tilla”, tha Veseli.Më tutje, Kryeparlamentari Veseli tha se nuk do të lejojnë veprime që mund të shkaktojnë pasiguri ose jo stabilitet në vendin tonë.

 “Nuk do të lejojmë cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nuk do të lejojmë veprime që kërcënojnë shqiptarët, serbët dhe komunitetet tjera në veri të vendit. Nuk do të lejojmë veprime që cenojnë bashkëqytetarët tanë serbë kudo që jetojnë në Kosovë”, tha Veseli.Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë besim në institucionet e Kosovës dhe të mos bien pre e provokimeve dhe gjuhës së urrejtjes.“Kosova është e angazhuar që të zgjidhë problemet me Serbinë në mënyrë konstruktive, përmes dialogut dhe mirëkuptimit. Por, kjo nuk do të thotë se ne do të tolerojmë pafundësisht synimet destruktive ndaj shtetit tonë apo përpjekjet për të tensionuar çdoherë gjendjen në Kosovë. E ardhmja e Kosovës dhe e gjithë rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është e angazhuar që të garantojë stabilitet, sundim të ligjit në çdo pjesë të territorit të vet. Shteti i Kosovës do të respektojë plotësisht obligimet ndërkombëtare që ka marrë. Gjithashtu, institucionet e Kosovës do të funksionojnë dhe veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”, tha kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Filed Under: Politike Tagged With: Cenim, Kadri Veseli, kosova, Serbia

FTESA E ZV. MINISTRIT DHE PRRALLA E EZOPIT

November 23, 2018 by dgreca

2Eugjen-Merlika-2008V-1-204x300

“Njerёzit turpёrohen jo pёr fyerjet qё bёjnё, por pёr ato qё pёsojnё. Prandaj, pёr tё arritur qё tё paudhёt tё turpёrohen, nuk ka rrugё tjetёr veçse t’i shpёrblesh me tё njёjtёn monedhё”/

Giacomo LEOPARDI ( 1798 – 1837), poet e shkrimtar i njohur italian/

Shkruan:Eugjen MERLIKA/ DIELLI/

Nё festimet e pёrvjetorit tё Tiranёs, njё shkak pёr tё shpalosur tё gjitha bёmat e bujshme tё bashkisё sё Tiranёs, edhe se kjo e fundit ishte e rrethar nga qindra qytetarё qё kёrkonin paratё e mundit tё njё jete tё tёrё, tё investuara nё shtёpitё qё i kap plani i prishjes, nё emёr tё Qeverisё pёrshёndeti zv. ministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, i vetmi qeveritar i pranishёm.

Fjala e tij trajtoi tema tё sё shkuarёs, natyrisht me qё kremtohej pёrvjetori i njё ngjarjeje tё saj. Oratori mori pozёn e historianit, duke risjellё nё kujtesёn e dёgjuesve, qё mbanin nё duar portretet e “udhёheqёsit legjendar”, Enver Hoxha, se lufta nacional – çlirimtare kishte qёnё njё “vendim i duhur politik e ushtarak, pёr t’i u bashkuar njё koalicioni tё madh antifashist, me armё nё dorё pёr tё çliruar vendin.” Gjynah qё zv. ministri nuk thotё se kur u krijua ky koalicion e kur kishte filluar lufta. Mbase ai nuk e di se para atij koalicioni kishte qёnё njё tjetёr, me emrin “pakt mos sulmimi”, i nёnёshkruar nё kryeqytetin e Rajhut tё tretё mё 23 gusht 1939, nga ministrat e Jashtёm tё Gjermanisё e tё BS, tё autorizuar nga krerёt e tyre Adolf Hitler dhe Josif Stalin. Ndoshta nuk ёshtё mungesё e tij, mbasi edhe historia zyrtare, dhe ajo e botuar mё 2008, nuk e pёrmend fare kёtё fakt historik tё stёrnjohur nё botё. Madje ai “harron” tё thotё se lufta kishte hedhur hapat e saj tё parё, mbas sulmit tё Gjermanisё kundёr Bashkimit sovjetik e krijimit tё Partisё komuniste shqiptare, nёpёrmjet katalizatorёve jugosllavё, duke tingёlluar qartё si njё pёrpjekje pёr t’i ardhur nё ndihmё mё shumё “atdheut tё socializmit”, simbas urdhёrave tё Moskёs, se sa trojeve tё Arbёrit, tё bashkuara pёr herё tё parё mbas tridhjetё viteve, nё njё administratё tё drejtuar nga Tirana.

Pёrpjekjeve tё komunistёve, gjatё luftёs, pёr tё diskredituar klasёn drejtuese atdhetare, qё kishte si yll polar tё veprimtarisё sё saj, bashkimin e shqiptarёve nё njё shtet tё vetёm, i shtohet mbas tre tё katёrtat e shekullit edhe zv.ministri Koçi, qё shprehet kёshtu: “Ata donin qё, duke bashkёpunuar me fashizmin dhe nazizmin, tё mbanin pushtetin politik duke tradhtuar interesat e vendit. Ata nuk luftuan pёr Shqipёrinё e madhe, por tё merrnin pushtetin, por populli shqiptar nuk i mbёshteti.” Njё interpretim tё tillё tё historisё sё asaj kohe do t’a kishte zili edhe gazeta “Zёri i popullit” e kohёs sё luftёs. Vlen t’i kujtohet zv. ministrit tё painformuar se, gjatё pesё viteve tё qeverisjes nёn pushtim nё Shqipёri, u ndёrruan shtatё kryeministra, fakt ky qё vёrteton jo vetёm se sa e vёshtirё ishte jeta politike e tyre, nё mbrojtjen e shpalosjen e vlerave tё trashёguara kombёtare (shpёtimi i hebrenjve ёshtё shёmbulli mё domethёnёs), por edhe se ata nuk ishin tё ngulitur nё idenё e pushtetit, tё cilin e aspironin me çfarёdo çmimi  kundёrshtarёt e tyre,   kryesisht Enver Hoxha.

Bёn pёrshtypje shprehja “Shqipёri e madhe”, qё pёdor zv. minstri socialist, duke i bёrё jehonё njё koncepti tё propagandёs sё vjetёr e tё re kundёr shqiptare tё politikёs dhe kulturёs serbe. Drejtuesit e kombёtarizmit shqiptar kanё pёrdorur gjithmonё shprehjen “Shqipёri etnike”, kur binte fjala pёr Atdheun e bashkuar nё kufijtё e tij natyrorё, por z. Koçi parapёlqen tё rrjeshtohet me politikanёt e studjuesit serbё, nё terminologjinё e tij tё urrejtjes patologjike.

Madje kjo urrejtje gjen shprehjen mё tё plotё kur ai, nga lartёsia e detyrёs sё tij, si pёrfaqёsues i Qeverisё, pёr mё tepёr nё njё dikaster tё rёndёsishёm, si ai i mbrojtjes, gjen rastin tё ftojё “tё gjithё ata qё janё pasardhёs tё atyre qё bashkёpunuan me fashizmin t’i kёrkojnё falje popullit, qytetarёve tё Tiranёs, se vetёm kёshtu mund tё arrihet ai qё quhet pajtim kombёtar”. Ndoshta, nё historinё e kёtyre viteve tё demokraturёs, Petro Koçi do tё mbahet mёnd pёr kёtё ftesё tё tij nё njё festё pёrkujtimore, mbasi nuk shquhet pёr asgjё tjetёr.

Ky zotёri neokomunist arrin tё kёrkojё diçka qё nuk kanё patur paturpёsinё t’a kёrkonin as krerёt e njohur tё komunizmit shqiptar, kёrkesёn e faljes nga ana e pasardhёsve tё kundёrshtarёve tё tyre politikё. Ёshtё njё paturpёsi, nё kufijtё e zvetёnimit tё plotё intelektual dhe moral, brёnda vёshtrimit mё dogmatik e kriminal tё dukurive njerёzore. Zv. ministri e din mirё se ata pasardhёs, tё cilёve u drejtohet me njё cinizёm skajor deri nё absurditet, janё viktima tё pafajshme e tё panumurta tё shtypjes mё mizore nё gjithё Evropёn komuniste, qё ka ushtruar diktatura e etёrve shpirtёrorё tё tij. Kёto fjalё, qё besoj se janё unike nё historinё e botёs, mbasi askush, sado vrasёs tё ketё qёnё, nё çfarёdo sistemi e nё çfarёdo diktature, nuk ka zbritur kaq poshtё nё honin e zvetёnimit moral, sa qё tё ketё mёtuar kёrkesё faljeje nga ana e viktimave tё krimeve tё tij.

Falje kёrkojnё gjithmonё njerёzit qё ndjehen fajtorё para dikujt pёr paudhёsitё qё mund t’i kenё bёrё. Por njerёz qё, nga djepi e deri nё plakje kanё mbajtur nё qafё kularin e “luftёs sё klasave”, qё janё privuar nga tё gjitha tё drejtat qytetare, qё kanё provuar mbi shpinё dhjetra vitesh burgimi apo kampesh internimi, qё kanё gjetur vdekjen tё zhytur nё llucat e kampit tё Bedenit, apo nё galeritё e minierave tё Spaçit apo Qafё Barit, qё janё rritur pa baballarё e nё sajё tё flijimit sipёrnjerёzor tё nёnave tё tyre, qё kanё qenё gjithё jetёn prè e poshtёrimit dhe fyerjes vetёm nё sajё tё mbiemrit qё mbanin, nuk ka asnjё ligj tё shkruar e tё pashkruar tё botёs sonё qё t’i bёjё tё “kёrkojnё falje” tek xhelatёt e tyre.

Qёndrimi i zv. ministrit tё Qeverisё shqiptare mund tё gjejё shembёlltyra vetёm nё botёn e kafshёve. Nga ajo botё mё vjen ndёrmend njё pёrrallё e mrekullueshme e fabulistit mё nё zё tё botёs sё lashtё, grekut Ezop, qё titullohet “Ujku dhe qёngji”. Pёr ndonjё qё mund t’a ketё harruar margaritarin e grekut tё madh, po e sjell atё tё plotё:

“Njё ujk pa njё qёngj qё pinte ujё pranё njё rrёkeje uji dhe i erdhi dёshira pёr t’a ngrёnё me ndonjё sebep tё mirё. Duke qёnё lart nё kodёr, filloi t’a padisё se ai i ndotёte ujin, kёshtu qё ai nuk mund t’a pinte atё. Qёngji i tha se pёr tё pirё ai vetёm sa vinte buzёn tek uji e se nuk mund t’a turbullonte atё, mbasi ujku ishte mё lart. Me qё i shkoi huq ai shkak ujku atёherё i tha: “Po ti je ai qё vitin qё shkoi ke sharё babain tim!” Qёngji atёherё i shpjegoi se n’atё datё ai nuk kishte lindur ende. “Mirё, pёrfundoi ujku, nёse ti je aq i zoti pёr tё gjetur gjithmonё rrugёdalje, un nuk mund tё rri pa tё ngrёnё.”

Besoj se zv. ministri rrin mirё nё rolin e ujkut, edhe se nuk ka mё mundёsi tё pёrsёrisё nё praktikёn e tij bёmat “zulmё mёdha” tё terrorit tё paraardhёsve tё tij. Por urrejtja, qё mbruan çdo qelizё tё trurit tё tij, nuk mund tё shprehet mё mirё se sa tek pёrpjekja pёr t’i fyer e poshtёruar deri nё pafundёsi viktimat e asaj pёrndjekjeje tё pashembulltё qё qe lufta e klasave nё Shqipёrinё komuniste. Ai poshtёrim bёhet n’emёr tё “pajtimit kombёtar”, i cili pёr tё ёshtё pёrjetёsimi i logjikёs sё luftёs e terrorit, duke i ligjёsuar ato nё kundёrshtim me çdo normё e parim tё moralit njerёzor. Ai parim, qё do tё kёrkonte normalisht kёrkimin falje nga dhunuesi e jo nga i dhunuari, nё mёndjen e çoroditur tё zv. ministrit kthehet pёrmbys e prodhon arsyetime tё denjё vetёm pёr ujkun e Ezopit.

Nuk e di se sa pajtohet mendёsia e tij me vendimin e lёvdueshёm tё Qeverisё, pёr tё nderuar kujtimin e njё atdhetari, duke sjellё eshtrat e tij me ceremoni n’atdhe. Nё logjikёn e tij si edhe tё shumё tё tjerёve edhe Mithat Frashёri ishte njё “kolaboracionist”. Heshtja e kёtyre ditёve kundrejt ftesёs shkandullore tё Petro Koçit, drejtuar pasardhёsve tё ish kundёrshtarёve politikё tё komunizmit, tё martirizuar pёr gjysmё shekulli, pёr tё kёrkuar falje, ёshtё njё miratim i tёrthortё i asaj mendёsie qё gjen shtratin e ngrohtё nё zyrat e larta tё shtetit shqiptar. Nёse ai qёndrim, pёr arsye tё kuptueshme fasade, nuk mund tё jetё pozicioni zyrtar i Qeverisё, ёshtё detyrё e kёsaj tё fundit duke filluar nga kryetari i saj dhe ministrja pёrkatёse tё distancohen haptas nga “ftesa” e turpёshme e vartёsit tё tyre.

Nё çdo Vend tё Evropёs njё ftesё si ajo e zv. ministrit Koçi do tё kishte shkaktuar njё pёshtjellim politik e mediatik, tё pasuar nga njё dorёheqje e menjёherёshme. Tek ne ajo kalon nё pavёmёndjen mё shqetёsuese, edhe se pёrbёn njё fyerje cinike pёr shumё mijra qytetarё tё kёtij Vendi. Nuk ёshtё njё shenjё e mirё, tregon se evolucioni i mendimit ecёn me hapin e kёrmillit, se nuk shkёputemi dot si shoqёri nga mendёsia e regjimit, nga ndarja famёkeqe “ne” dhe “ata”, se ajo mendёsi vazhdon tё ketё idhtarёt e saj jo vetёm nё veteranёt qё manifestojnё me portretet e Enver Hoxhёs, jo vetёm nё komentet analfabete tё hymnizimit tё sё shkuarёs nё internet, por ajo qё ёshtё mё keq, edhe nё instancat e larta tё shtetit.

Nёndor 2018

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Eugjen Merlika, perralla e Ezopit, zv.Ministri

Zonja Mogherini, ju lutem shkoni në shtëpi!

November 23, 2018 by dgreca

1 Bucpapaj Mogherini

Nga Elida Buçpapaj/

Qeveria e Kosovës të mërkurën vendosi masa mbrojtëse prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala e mbështeti menjëherë Kryeministri Ramush Haradinaj.

Po ashtu i menjëhershëm ishte reagimi nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini që kërkoi tërheqjen e menjëhershme e kësaj takse. Mogherini tha se “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja për 100 për qind është shkelje e pastër e CEFTA-s dhe frymës së Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.” Ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nga ana e tij, nënvizoi se për “Një kohë të gjatë Kosova është penguar në transport se CEFTA nuk ka fuksionuar në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Vendimi i qeverisë së Kosovës erdhi një ditë pasi Serbia festoi triumfuese fitoren që kishte arritur lobimi i saj diplomatik për mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ku kanë votuar kundër edhe të paktën tre shtete anëtare të BE-së!

Shefja e diplomacisë së BE-së nuk shprehu asnjë lloj qendrimi kur Kosova, për shkak të ndërhyrjeve të Serbisë, humbi për të tretën herë mundësinë e anëtarësimit në INTERPOL. Ndërsa reagoi sa hap e mbyll sytë kur iu cënuan interesat ekonomike të Serbisë.

Zonja Mogherini, ju i trajtoni serbët si bijtë tuaj të privilegjuar, ndërsa si njerkë shqiptarët, kur do të duhej të ishit Nënë e mirë edhe për serbët edhe për shqiptarët, në të mirë të gjeneratave të reja dhe të integrimit të Kosovës e Serbisë në BE!

Ju jeni një njerkë si tek përralla e Hirushes – Cinderella – apo si Madam Thénardier tek romani Të mjerët e Victor Hygoit!

Kam shkruar përpara disa vitesh se Kosova është si geto në zemër të Europës, sepse ka mbetur e braktisur nga BE-ja, e mashtruar, e nëpërkëmbur, e trajtuar si shtet i dorës së dytë apo të tretë si ato plaçkat që shiten lirë në treg! Ju kujtoj se Srebrenica ka ndodhur nën hundët e indiferencës së zyrtarëve të lartë të llojit tuaj, që nuk meritojnë kurrësesi të jenë në krye të BE-së!

Jeni një burokrate me zemër të akullt, paçka se keni lindur në një vend me plot diell që është pjesë e NATO-s dhe Perëndimit, që ka marrë vendimet deçizive për Kosovën e të ardhmen e saj e rajonit, që padyshim nuk janë zvarritja dhe tërheqja zvarrë e proceseve.

Ju mbani qendrime favorizuese ndaj njërës palë dhe diskriminuese ndaj palës tjetër, pa marrë parasysh se Kosova është shteti viktimë; ju vononi integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE, sepse ushqeni iluzionet mitomane serbe për aneksim të Kosovës që e kallën rajonin në flakë .

Duke vepruar kësisoj, me papërgjegjshmëri për rolin që keni, sikur thotë Ilir Deda, deputeti i Parlamentit të Kosovës, ju e keni humbur krejtësisht kredibilitetin tek institucionet dhe tek Populli i Kosovës! Ja si shkruan deputeti Ilir Deda për ju: “Mogherini kërkon heqjen e menjëhershme të taksës ndaj Serbisë dhe thotë që është në kundërshtim me “frymën” e MSA-së? Eh po ne, dhe jo vetëm ne në Kosovë, qe 5 muaj po kërkojmë që Mogherini të prononcohet kundër ndarjes së Kosovës; të reagojë kundër Serbisë që po punon në mënyrë agresive kundër Kosovës duke e shkelur “frymën” e normalizimit të marrëdhënieve; dhe po, po kërkojmë që BE t’i përmbushë obligimet e saj ndaj Kosovës. Çuditërisht ajo vetëm ka heshtë, mos të them që i ka injoruar këto kërkesa. Kështu e ke kur Mogherini e humbë kredibilitetin”, ka thënë Deda.”

Pa kredibilitet nuk mund të qendroni në postin e Përfaqësueses të Lartë të BE-së!

Sepse keni përfituar vetëm të mirat dhe privilegjet e postit, pa përmbushur detyrimet!

Nuk e keni prishur asnjëherë gjumin për hallet dhe problemet që e shqetësojnë popullin e Kosovës, ndërkohë që hidheni si shigjetë kur Qeveria e Kosovës ndërmer një veprim reaksion – ndaj armiqësisë që tregon hapur qeveria e Serbisë e cila kurorëzoi me shampanjë lobimin e saj për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. Sepse ju e dini se – Ad ogni azione corrisponde una reazione uguale e contraria – ! Pa mendoni sikur ju të mendonit për të mirën shqiptaro-serbe, që të festonin me shampanjë edhe njëra palë dhe tjetra njëherësh!

Ku ishit ju Përfaqësuese e Lartë e BE-së që drejtoni dialogun më absurd në botë, kur i kërkoni vetëm njërës palë të përmbushë detyrime, ndërsa palën tjetër e mbështesni kur i shkel detyrimet më sinjifikative të fqinjësisë të mirë midis dy vendeve!

Si qendroni ju indiferente ndaj lobimit që bëri Serbia për mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në INTERPOL?

E dini ju se çfarë do të thotë dialog? E dini ju se dialogu vendoset mbi themelet e barazisë, reciprocitetit dhe interesit bilataral në respekt të integritetit territorial të seicilit vend! Si mund të ketë dialog kur Serbia lobon kundër shtetit të Kosoves, pavarësia e të cilit u vendos nga Perëndimi që e ka njohur Kosovën shtet, pas një konflikti të egër me viktima të pafajshme, që detyroi një milionë shqiptarë të largohen nga banesat e tyre dhe që përfundoi vetëm me ndërhyrjen e trupave të Aleancës Verio-Atlantike.

Si mund të ketë dialog kur Serbia lobon që shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës të heqin dorë nga kjo njohje?!

A nuk e kuptoni se ky është një proces prapaktheu?

A nuk e kuptoni që ky proces i kthen shqiptarët dhe serbët drejt konfliktit?

Natyrisht që e kuptoni se nuk jani as injorante dhe as analfabete! Jeni vetëm e njëanëshme, në kundërshtim me parimet themelore të humanizmit europian ku mbështetet liria dhe demokracia! Prandaj nuk e meritoni të jeni kryediplomate e BE!

Zonja Përfaqësuese Lartë e BE-së ka ardhur koha të shkoni në shtëpi sepse qendrimet tuaja nuk janë të pavarura ndaj palëve; nuk janë në të mirë të paqes dhe stabilitetit afatgjatë të rajonit; nuk janë në të mirë të pajtimit dhe bashkekzistencës rajonale dhe as të integrimeve të shteteve të Serbisë e Kosovës në BE!

Dialogut bizar që drejtoni ju i kam dedikuar edhe një poezi:

Antidialog

Poezi nga Elida Buçpapaj

Dialog në erë
dialog në ferr
arbitri dirigjon
në Bruksel

ti dhe viktima
sy për sy
në hije dhe diell

dialog në erë
dialog në terr
arbitri dirigjon
në Bruksel

dialog në log
dhëmb për dhëmb
që urat shemb

dialog i qorrtë
dialog i lodhtë
dialog i ngordhtë

ti me dhëmbë çeliku
të implantum
viktima
me dhëmbë
të thymë, të coptum

dialog në terr
viktima në hell
arbitri dirigjon
në Bruksel

viktima vikat
ka hak
ti veshët
me dyll i mbush
Brukseli hepohet
pro teje për fushë

vikama e viktimës
shpirtin përtej e shpon
Brukseli baketën
e dirigjentit
e hedh në hon

edhe pastaj gjithë ovacion
këlthet
rrofte dialogu
dialogu asht mbret!

 

antidialog poezi nga elida buçpapaj

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Haradinaj, kosova, Mogherini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1194
  • 1195
  • 1196
  • 1197
  • 1198
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT