• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË BISEDIME ME SERBINË OSE BASHKË OSE TË DËMTUAR

November 15, 2018 by dgreca

1.-Harry-Bajraktari-potret-240x300  Nga Harry Bajraktari*/

Kosovën tash dhe në muajt e ardhshëm e presin ditë vendimtare rreth bisedimeve politike me Serbinë. Ne ende nuk e kemi një ekip të përbashkët dhe nuk e kemi të qartë se çka po duam me këto negociata para Bashkësisë Ndërkombtare. Duhet të veprojmë me një zë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe askush nuk ka të drejtë të bisedojë pa një vendim të Kuvendit. Këtë e kanë obligim ata që u zgjedhën me votën e popullit. Territori është e panegociueshëm dhe, gjthashtu, disa çështje të tjera që janë në interes jetik të shtetit dhe të qytetarëve tanë. Pra, duhet t’i thuhet qartë Brukselit dhe shteteve aleate të vendit tonë se çka mund e s’ mund të bisedohet me Beogradin. Të gjitha këto duhet të harmonizohen dhe ta kenë miratimin e Kuvendit, si institucion shtetëror i vendim marrjes.

Këto bisedime deri me tash, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Evropiane në Bruksel, nuk dhanë as për së afërmi rezultatet e pritura në zgjidhjen e mospajtimeve që ekzistojnë në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Me serbinë po negociohet më shumë se pesë vite, dhe për një numër çështjesh janë nënshkruar disa marrëveshje nga pala kosovare dhe ajo serbe. Problemi i këtyre marrëveshjeve të arritura, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Evropiane, është  se Beogradi nuk bën implementimin e tyre, përkundër zotimeve që ka dhënë në Bruksel. Në anën tjetër, Serbia edhe pse “bisedon” me Kosovën gjoja për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, ajo për asnjë çast nuk e ndal destukcionin kundër vendit tonë. Mu për këtë Qeveria e Kosovës, si kundërpërgjigje, këto ditë ndërmori një masë për rritjen e taksës ndaj mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia. Beogradi kur është në pyetje problematika e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, gjithnjë nxjerrë pretekse të reja, të pa qena për të gjetur diçka që të refuzojë implementimin e tyre, duke i kushtëzuar ato me çështje të tjera të inskenuara. Edhe tash pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës, thotë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut për derisa nuk tërhiqet Prishtina nga kjo masë.

Është pyetje e thjeshtë: a ka në këtë drejtim diçka që ne mund të kritikojmë vetveten? Mendoj se po. Po kalon një vit, duke pritur formimin e një këshilli apo ekipi të përbashkët negociues, ku do të përfshiheshin përfaqësuesit e të gjitha partive politike në këto bisedime. Kjo pritje duket e kotë, sepse subjektet politike në Kosovë, për fat të keq, zhvillojnë luftë mes veti, në vend se të jenë të bashkuar kundër pretendimeve, qëllimeve dhe djallëzive serbe. Pozitë dhe opozitë kundërshtojnë njëra tjetrën për interesa personale partiake, se sa që marrin në fokus çështjen madhore, siç janë bisedimet me palën serbe.

Për bisedimet me Serbinë duhet të jemi bashkë, ose në të kundërtën, me sy çelë, po shkojmë drejt një rruge qorre në dëm të shtetit dhe të popullit tonë. Por, për këtë çështje përgjegjësia nuk mund të jetë e njëanshme, ajo është e përbashkët, pra e të gjithë subjekteve politike dhe institucioneve shtetërore që morën votën e popullit, duke mos amnestuar askënd nga kreu deri tek i fundit.

Nëse negociatat do të duhej të përfundojnë në vitin e ardhshëm, siç është thënë mes Prishtinës dhe Beogradit, atëherë të ndalemi e të mendojmë, ku jemi ne?!

Në një shkrim të më hershëm kam shfaqur opinionin tim se është i domosdoshëm formimi i një Këshilli të përbashkët ku do të merrnin pjesë Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari dhe të gjithë përfaqësuesit e partive politike shqiptare që janë në parlament. Vetëm me një zë dhe pjesëmarrje të tillë do të jemi të fortë dhe të barabartë në bisedimet me Serbinë në Bruksel. Pra ekipi i Kosovës, i formuar sipas kësaj skeme të përbashkët,garanton siguri dhe besushmëri para qytetarëve të Kosovës, ku Beogradi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në fund të dialogut duhet ta njohë shtetin e Kosovës pa kushte.

Koha po ec e ne duhet të veprojmë, ta zhvillojmë Kosovën dhe, njëherësh, të garantojmë siguri e prosporitet për qytetarët tanë.

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria.

New York, 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: bashke, bisedime me Serbinë, harry bajraktari

Banorët e Kosovës e duan Ushtrinë e SHBA

November 15, 2018 by dgreca

Eksluzive per Diellin/Femra irakiane, pjesë e ushtrisë amerikane flet për misionin e saj në Kosovë/
Nga Sgt. Neysa Canfield /
Për gazetën ”Dielli”- Shefqet Kërcelli/ FORT CARSON, Kolorado – SHBA –

Portret ush1 Ok Ministri Tahiri1 tavol

Në foto Cpl. Hala Kadhem, specialiste furnizimi, Divizioni i 4-të i Këmbësorisë, Colorado Springs, Kolorado. /

Kadhemi, i lindur dhe rritur në Irak, ishte 16 vjeç kur ndodhi pushtimi i Irakut.
Kampi NOVO SELO, Kosovë – E intervistuar nga Sgt Canfield në këtë kamp, Cpl. Hala Kadhem, tregon fillimisht për jetën e saj në Irak gjatë luftës.
…Isha duke marrë bukë për nënën time me bicikletë. Isha vetëm një vajzë trembëdhjetë vjecare. Befas, gjatë kthimit në shtëpi, mu afruan tre burra me mjekër. Ata më kërcënuan duke më thënë:-shko në shtëpi, tek nëna jote dhe mos dil me bicikletë se turpëron familjen.
Që nga ajo moment vajzës nuk ju lejua të ngiste biçikletën e saj ose të luante jashtë … ajo vajzë e re, tashmë është pjesë e ushtrisë amerikane, Capelane{Cpl}. Hala Kadhem.
“Biçikleta për mua ishte një përfaqësim i lirisë sime,” tha Kadhemi. “Që nga ajo ditë unë do të rrija në dhomën time ose do të ndihmoja nënën në kuzhinë. Isha 13 vjeç, por nuk isha më një vajzë e vogël”.
Me kalimin e viteve, ajo e gjeti veten të shkëputur nga shoqet e saj. “Në shkollën e mesme, vajzat flisnin të gjitha për gjetjen e një burri dhe ëndërronin për t’u bërë bashkëshorte dhe nëna”, tha ajo. “Isha e mbërthyer për ditën e lumtur që më flisnin prindërit e mi, kur gratë do kishin më shumë liri për të ndjekur ëndrrat e tyre. Doja të bëhesha një profesore universiteti”.
Këto ëndrra u realizuan në vitin 2003, sipas Kademit.
“Isha 16 vjeç kur ndodhi lufta e Irakut. Shkolla u mbyll dhe nuk ishim në gjendje të përfundonim finalet tona”, tha ajo. “Ishte një fazë e qetë kur filloi lufta, por pak kohë pas fillimit të sulmeve, ishte e frikshme”.
Edhe pse të hutuar e frikësuar, Kadhemi sqaron se, ajo dhe familja e saj, veçanërisht babai, duke qenë një oficer i ushtrisë irakiane, ishin të lumtur për të parë një ndryshim potencial në Irak.
“Familja ime ishte pro luftës, sepse ne ishim kundër dhe të kërkuar nga regjimi i vjetër,” tha Kadhemi. “Ne nuk na lejohej të kishim telefona satelitorë ose celularë, ishim të shkëputur nga ajo që po ndodhte në botë dhe largimi nga Iraku ishte i pamundur, sidomos për një familje me një anëtar ushtarak. Gjithsesi, në fazat e para të luftës në Irak, Kadhemi vazhdoi të përqëndrohej në studimet e saj, mbaroi shkollën e mesme dhe u diplomua në kolegj me një Master në Shkencën Fizike.
“Pas marrjes së masterit punova për Ushtrinë e SHBA në Departamentin e Shtetit. Kam punuar me një grup mbresëlënës nga Kombet e Bashkuara,” thotë Kadhemi. “Kam qenë e interesuar ti bashkohem Ushtrisë Amerikane, kam dashur t’i shërbej Shteteve të Bashkuara dhe të bëhem pjesë e një organizate që do të bënte ndryshime, dhe për mua kjo ishte ushtria amerikane”.
Ndërsa punonte në Ambasadën e SHBA në Bagdad, Irak, Kadhemi mori vizën e saj dhe u transferua në Uashington, D.C.
Në prill të vitit 2015, me mbështetjen e familjes dhe inkurajimin e babait të saj për t’u bashkuar me Ushtrinë, Kadhemi u regjistrua në Ushtrinë e SHBA si specialiste furnizimi.
“Gjatë jetës në Irak, kurrë nuk jam ndjerë i barabartë me burrat, ndërsa në Ushtrinë amerikane u befasova nga kushtet e barabarta për të gjithë, femra dhe meshkuj. “Isha 28 vjeç kur fillova të stërvitem në kurset bazë dhe të avancuar. Fizikisht ishte shumë sfiduese për mua, por unë e kërkova, kështu që e nxisja veten dhe kjo e ka ndryshuar jetën time në masë të madhe”.
Pas përfundimit të trajnimit fillestar, Kadhem u caktua në Skuadrën e 3-të, Regjimentin e 61-të Kalorësisë, Brigada e Dytë e Këmbësorisë, Divizioni i 4-të Fort Carson, Kolorado.
“Ndihem me fat që kam qenë e vendosur në Fort Carson, është një zonë e bukur dhe qendër e madhe”, tha ajo. “Duke qenë në një njësi kalorësie, kjo është një përvojë e tillë mahnitëse dhe unike, ku krenaria dhe historia e njësisë janë me të vërtetë një lloj”.
Mbas emërimit të Kadhemit në këtë repart, drejtuesit vunë në dukje motivimin dhe aftësitë e saj.

“Historia e jetës së Cpl. Kadhem është frymëzuese për të tjerët,” thotë Komandant Sgt. Maji Jasan Weaver, eprori direkt i saj, i regjistruar për Sesionin e 3-të, Cav. Reg. “Ajo është një individ elastik, që ndihmon ata që kanë nevojë për të pasur një jetë të lirë dhe aftësinë për të zgjedhur se si do të jetojnë vetë”.
Weaver, i cili është një rreshter i stafit dhe pjesmarrës në operacione të kundërzbulimit në Bagdad, gjatë luftës së Irakut, tha se përfshirja e Kademit brenda formacionit, i jep atij dhe ushtarëve të tjerë, pjesmarrës në këtë luftë një ndjenje krenarie se, përpjekjet dhe puna e tyre në Irak sollën ndryshim.
“Inkuadrimi i një shtetasi të Irakut ose Afganistanit, si pjesë e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, përforcon qëllimin tonë për clirimin e qytetarëve të shtypur në botë, për të pasur një mundësi për një jetë më të mirë”, tha ai. “Kam nderin dhe krenarinë që të kem një ushtarake, si Cpl. Kadhem, e cila i qëndron besnike idealeve që beson, dhe atyre ushtarakëve që e ndihmuan më parë në fitimin e një jete më të mirë. ”
Që nga shkurti 2018, Kademi ka fituar përvojën e vet në ndihmën e qytetarëve të një vendi tjetër.
Tashmë ajo dhe njësia e saj, është pjesë e Grupit ushtarak shumë-kombësh, në Lindje të Kosovë, si pjesë përbërëse e forcave të NATO-s, për të kryer operacione të sigurisë dhe të ndihmojnë popullatën lokale në vend.
“Puna ime kryesore në këtë detyrë është të siguroj që ata të kenë gjithçka që i nevojitet, por kam pasur rastin të dal me ekipet e monitorimit ndërlidhës dhe të jem e angazhuar në bashkëpunimin me autoritetet lokale”, tha Kadhemi.
Përvoja personale e Kademit, e bëri atë një kandidate të përsosur dhe me vlerë në këtë pozicion pune, sipas Weaver.
“Kadhemi u ofron një perspektivë popullatës lokale, dhe në mjaft raste individë të vecantë i marrim për t’u edukuar në Shtetet e Bashkuara,” tha ai. “Me mendimet dhe pikëpamja e saj, ajo sqaron dhe ushtarët që vendosen këtu për herë të parë, që te kenë një kuptim të qartë se, pse forcat e NATO-s sigurojnë paqe midis dy grupeve kryesore etnike brenda Kosovës”.
Sipas Kadhemit, kjo detyrë kërkon që të jesh gjithmonë syhapur dhe përbën një përvojë unike.
“Qytetarët këtu kanë probleme me papunësinë dhe kufizimet e udhëtimeve për tu lidhur me të tjerët”. Kjo më kujton kohën e fëmijërisë sime në Irak, tha ajo.
“Këtu. kur dëgjoj drejtuesit e shkollës ose një vajzë 15 vjeçare të flasë për faktin se, sa duan të shohin ndihmën e Ushtarëve të SHBA-së dhe sa mirënjohës janë ata që na kanë këtu, është tepër e dobishme. Më kujton saktësisht se pse unë dëshiroja ti bashkohesha Ushtrisë Amerikane në Irak”, nënvizon Cpl Kadhemi.
I kanë ngelur dhe pak vite në kontratën e saj me ushtrinë amerikane. Kadhem tha se, nuk e ka përcaktuar se çfarë do të jetë hapi i saj i ardhshëm, por ajo është mirënjohëse për një eksperiencë kaq mbresëlënëse deri tani.
“Unë shkova nga një vend, ku gratë janë qytetarë të klasës së dytë, në një vend ku udhëheqësit meshkuj më shohin si një individ të lirë dhe më mbajnë në një pozicion të lartë, pavarësisht nga gjinia ime”, tha Kadhemi. “Unë kam qenë me fat që kam burra dhe gra të mrekullueshme gjatë karrierës time, të cilët kanë qenë modeli i jetës sime për gjithë këto vite”, thekson Kapelane Kadhemi.

Filed Under: Histori Tagged With: flet Cpl. Hala Kadhem, qytetaret e Kosoves, Shefqet Kercelli, Ushtria e SHBA

LIGJI ZGJEDHOR DISKRIMINON SHQIPTARËT

November 15, 2018 by dgreca

Diskursi politik/

 LIGJI ZGJEDHOR DISKRIMINON SHQIPTARËT/ 

Formimi i grupit punues për ndryshimet në ligjin zgjedhior në Mal të Zi, paraqet një rast të mirë për të eliminuar defektet e ligjit zgjedhor ekzistues i cili është diskriminues për shqiptarët  nga fakti se   në praktikë kemi pabarazi qytetare  e nacionale të shqiptarëve , që nuk është në favor të demokracisë parlamentare, por të majorizmit të shumicës ndaj pakicës, andaj duhet gjetur një model të qendrueshëm dhe i pranuar për shqiptarët sikurse e kanë disa vende në regjion.

1 Nail Draga.JPG

Shkruan: Dr.Nail  Draga/

Duke marrë parasysh së deri në zgjedhjet e  rregullta parlamentare janë edhe dy vite, ka kohë që diskutohet për ndryshime në ligjin zgjedhor ekzistues në Mal të Zi, kryesisht nga ana e opozitës parlamentare. Andaj duke e trajtuar këtë çështje si të domosdoshmë ditë më parë Kuvendi i Malit të Zi ka formuar grupin punues enkas për  reformën zgjedhore  me 14 anëtarë (7 nga pozita e 7 nga opozita) me  mandat njëvjeçar. Ndonëse kemi të bëjmë me një ligj kompleks i cili trajton një gamë të gjerë çështjesh,  afati kohor prej një viti i këtij grupi punues si duket  i konvenon  më shumti pushtetit aktual, sepse nuk do të jenë në rend të ditës zgjedhjet e parakohshme parlamentare, siç janë paralajmëruar muajve të fundit.

Në kërkim të drejtave të mohuara

Në vend që të drejtat e arritura të mbrohen dhe të avancohen, në Mal të Zi, ndodhë pikërisht e kundërta, ata mohohen sipas vullnetit politik të pushtetit, ku ligji zgjedhor është dëshmi transparente e një konstatimi të tillë.

Pikërisht një dukuri e tillë ka ndodhur me mosrespektimin e Ligjit të pakicave në cilin theksohet së të drejtat e arritura nuk mund të cenohen.Por, pikërisht një ligj i tillë nuk është respektuar me rastin e miratimit të ligjit zgjedhor në vitin 2011, duke iu mohuar shqiptarëve „njësinë e tyre zgjedhore“ e cila jepte pesë deputet.

Ishte një vendim kundër shqiptarëve dhe të arriturave të tyre, ku i detyroj deputetet shqiptarë(4) të lëshojnë seancën e parlamentit në mënyrë demonstrative, sepse ishte një votim kundër barazisë qytetare e nacionale të shqiptarëve. Por, shumicës parlamentare as që i interesonte një qendrim i tillë i shqiptarëve dhe me shumicë votash(DPS-DF) miratoi ligjin e ri zgjedhor, i cili filloi të zbatohet në zgjedhjet vijuese parlamentare(2012).

Ligji i ri zgjedhor shqiptarëve permes partive nacionale iu mundëson maksimalisht të jenë të përfaqësuar me tre deputet. Pra, nga 4 deputet sa kishin nga zgjedhjet e vitit 2009, me këtë ligj të ri iu mundësohet të kenë maksimalisht 3 deputet. Këtu qendron edhe problemi sepse katër deputetet shqiptarë që ishin më parë,  si duket paraqitnin rrezik për pushtetin. Por, nëse  analizohet  ligji zgjedhor ekzistues, del qartë së shqiptarët permes subjekteve të tyre nacionale, nëse bëjnë koalicione  parimore, mund të arrijnë të fitojnë 2 deputet, ndërsa i treti  mbetet si mundësi teorike.

Infektimi me virusin e liderizmit

Pikërisht, nga mos koordinimi i subjekteve politike shqiptare, në sajë të infektimit nga virusi i bajraktarizmit dhe liderizmit  në vend që të dalin në zgjedhje me një apo dy lista zgjedhore ata dolen me 3-4 lista zgjedhore, duke djegur votat dhe mos arritur objektivin e dëshiruar. Dhe një konstatim i tillë u dëshmu në zgjedhjet vijuese në vitin 2012, ku subjektet politike shqiptare  edhe pse  arriten të fitojnë 12.500 vota  fituan vetëm  2 deputet ndërsa  në vitin 2016, kemi një rënie drastike në 9.500 vota dhe u fitu vetëm  1 deputet.

Ishte ky një  zhgënjim i  shqiptarëve, që është rezultat i ligjit zgjedhor  diskriminues  si dhe mos arritjes së kompromisit në mes vet subjekteve nacionale të shqiptarëve, nga del se më së shumti përfitoj DPS-i, që ishte projektuesi i një ligji të tillë zgjedhor. Por, nëse e krahasojmë numrin e votave për një deputet për subjektet tjera në kuvendin e Malit të Zi, del qartë se deputeti shqiptar ka kushtuar më shumë se deputetet e subjekteve të tjera, që është pasojë e ligjit zgjedhor. Pikërisht, këtu qendron  mashtrimi politik me sintagmen e njohur „diskriminimi pozitiv“, që me më vend do të ishte të thuhej diskriminimi ligjor për shqiptarët në këtë mjedis.

Nuk ka dilemë se ky ishte  qellimi i pushtetit, që shqiptarët të jenë të përfaqësuar  sa për sy e faqe,  mundësisht vetëm me një deputet, dhe  ai të jetë nën obrellen e pushtetit. Pra, e tërë loja politike kishte qellimin që të zvoglohet pesha politike e shqiptarëve në parlamentin e Malit të Zi, sepse numri i tyre i lartë ka pasur mundësi të jetë edhe vendimtar  për miratimin e ligjeve të ndryshme.

Ndërsa është e tepërt të thuhet se po ishte numri i deputetëve shqiptarë autentik si në vitin 2009, atëher ata do të ishin vendimtarë për qeverinë aktuale, sepse të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë përfitimit kanë arritur dy subjekte tjera(BS,SD) që në këtë përbërje (2016) janë të përfaqësuar me vetëm nga dy deputet.

Kroacia dhe Kosova  model për Malin e Zi

Pikërisht, gjendja ekzistuese obligon për ndryshime cilësore të ligjit zgjedhor, madje jo duke shpikur diçka të re por duke marrë parasysh përvojen e vendeve tjera. Në këtë aspekt si ma e pranueshme për Malin e Zi mund të jetë modeli zgjedhor i pakicave në Kroaci apo Kosovë.

Kështu Kroacia si anëtare e BE, iu ka kushtuar kujdes të veçantë përfaqësimit të pakicave kombëtare, sepse për to ajo ka mandatet e garantuara. Kështu ligji zgjedhor në Kroaci për serbët ka të garantuar tre mandate, e pakicat tjera së bashku pesë mandate. Madje kësaj here shqiptarët në Kuvendin e Kroacisë janë të përfaqësuar me një deputet, edhe pse ata marrin pjesë me 0.5% nga popullsia e përgjithshme. Nga ana tjetër në Kosovë, ligji zgjedhor avancon pakicat, ku në rastin konkret për serbët janë 10 vende të rezervuara, ndërsa 10 mandate të tjera janë për pakicat tjera.

Nëse krahasojmë pjesëmarrjen e shqiptarëve në popullsinë e përgjithshme në Mal të Zi, statistika zyrtare e paraqet 5%, dhe janë të përfaqësuar me një deputet autentik, ngjajshëm është edhe në Kroaci, ku shqiptarët marrin pjesë me 0.5% e popullsisë së përgjithshme dhe përfaqësohen me një deputet. Dhe nga një e dhënë e tillë del se defekti  parësor  është se kemi të bëjmë me një ligj zgjedhor i cili është diskriminues për shqiptarët në Mal të Zi, sepse nuk janë marrë parasysh të drejtat e arritura, por qendrimi mohues i pushtetit ndaj tyre, për qellime politike.

Andaj, do të ishte e udhës  që ata të cilët me votat e tyre kanë miratuar një ligj të tillë(DPS dhe DF), të inicojnë rikthimin e të drejtave të mohuara, permes  ndryshimit të ligjit zgjedhor. Dhe një mundësi e tillë tani ekziston, por, për një veprim të tillë  konstruktiv  duhet vullnet politik, që për momentin nuk shihet se ekziston, sepse në rend të parë  janë interesat partiake e klaneve të ndryshme e jo ato të qytetarëve në përgjithësi e të shqiptarëve në veçanti.

Për shqiptarët  njësi e veçantë zgjedhore apo mandate të garnatuara

Për të pasur një ligj zgjedhor të qendrueshëm, legjislativi është i obligueshëm të miratojë një ligj i cili do të jetë i pranueshëm edhe për pakicat kombëtare në rastin konkret për shqiptarët, të cilët janë  të diskriminuar nga ligji zgjedhor ekzistues.Një vendim do të eliminonte dilemat të cilat ishin të pranishme në prag të zgjedhjeve parlamentare, siç ishte më parë, apo me arritjen e 0.7% si kusht për të hyrë në garë ne ndarjen e mandateve, përqindje kjo që nuk garantonte në realizimin e mandatit të deputetit. Andaj, duke e parë si jo praktik ligjin zgjedhor ekzistues nga viti 2011, ku subjekti politik i shqiptarëve duhet të fitojë 0.7% për të hyrë në garë për ndarje të deputetëve e jo se e fiton ate,  është e nevojshme ndryshimi i tij, që mos të ndodh si deri më tash ku një mandat i deputetit autentik shqiptarë të jetë dyfish me  i votuar se deputetet  tjerë  në përbërjen parlamentare në Mal të Zi.

Pikërisht, për të eliminuar këtë pabarazi praktike ligjore në llogaritjen e mandatit të deputetëve,   mendoj se ekzistojnë dy mundësi që janë më optimale e ata janë: e para njësia e veçantë zgjedhore dhe e dyta ajo e  mandateve  të garantuara.

Nëse në lidhje me njësinë e veçantë zgjedhore ekziston një përvojë e mjaftueshme sepse ka qenë e aplikuar në praktikë, jo si njësi e dytë zgjedhore por në sajë të vendvotimeve me popullsi shumicë shqiptare nga Ulqini në jug e Rozhaja në veri, ajo duhet të modefikohet e plotësohet me disa vendvotime të reja shqiptare, që në të kaluarën pushteti i ka lënë me qellim jashtë kësaj “njësie zgjedhore”.

Në sajë të numrit të votuesve kjo njësi do të siguronte pesë mandate të deputetëve ku përveç subjekteve politike të shqiptarëve do të kishin mundësi të garonin edhe partitë tjera nga spektri i ashtuquajtur qytetar.Përveç votave nga kjo njësi subjektët konkuruese do të kenin mundësi të marrin vota edhe nga vendvotimet tjera në Mal të Zi, si njësi zgjedhore, pra nuk ekziston kufizimi votave, por e kundërta mundësohet bartja nga vendvotimet e ndryshme.

Ndërsa modeli i mandatëve të garantuara do të ishte zgjidhje juridike, që për të parën here do të definohej në Mal të Zi, që ka të bëjë  në përcaktimin e numrit të deputetëve në sajë të elektoratit votues shqiptarë, që varet nga kompromisi  në  grupin punues dhe votimit nga shumica parlamentare.

Po ashtu nuk duhet harruar faktin  se në ligjin zgjedhor  aktual ekziston sistemi i aksionit afirmativ për pakicat kombëtare, por me prag të ndryshëm për bashkësi të ndryshme kombëtare.  Në këtë aspekt del qartë se  kemi pabarazi praktike, që duhet përpjekur të eliminohet në sajë të mandateve të garantuara, ku në garë  marrin pjesë vetëm subjektet e partive nacionale duke iu garantuar pjesëmarrjen në parlament.

Madje analist të ndryshëm janë të mendimit së Kuvendi i Malit të  Zi i duhet të miratojë një ligj të ri për zgjedhjen e këshilltarëve e të deputetëve, e jo ndryshimin e plotësimin e tij, siç pretendon të realizojë grupi punues  i miratuar kohë me parë, në parlamentin e Malit të Zi.

Punët tona nuk i kryejnë të tjerët

Përvoja e deritashme pluraliste me pushtetin në Mal të Zi, na bën të dyshojmë në seriozitetin e tyre  për ndryshime cilësore  në ligjin zgjedhor, sepse ata do të përpiqen si zakonisht për ndryshime  kozmetike, duke ia përshtatur vetës, e jo për  shqiptarët e popujt e tjerë pakicë në këtë mjedis. Nuk ka dilemë se për ndryshime konkrete në këtë drejtim nevoitet vullneti politik i pushtetit si dhe  angazhimi  maksimal i përfaqësuesëve të shqiptarëve në këtë grup punues.

Pikërisht në lidhje me këtë çështje mediat informuan  se javën që shkoi  në Kuvendin e Malit të Zi(31.10.2018) me ftesë të nënkryetarit të parlamentit G.Nimanbegu është mbajtur takimi i parë i përfaqësuesve të partive shqiptare në Mal të Zi me temë për reformën e ligjit zgjedhor. Në takim  kanë marrë pjesë të gjitha subjektet politike përveç PD e LDSH. Pjesëmarrësit nga takimi i tillë kanë vlerësuar se ligji zgjedhor ekzistues është diskriminues kur ka të bëjë me përfaqësimin autentik te shqiptarëve, sepse nga katër deputet që i kishim në vitin 2011, pas dy cikleve zgjedhore kemi rënë vetëm në një përfaqësues.

Duke marrë parasysh peshën e një ligji të tillë, shqiptarët duhet të jenë unik, duke lënë anash interesat personale, partiake  e klaneve të ndryshme, sepse të drejtat e shqiptarëve nuk janë pronë personale e partiake e askuj, sepse çështja shqiptare iu takon të gjithëve, andaj angazhimi konkret në këtë drejtim me kuadra të dëshmuara me etikë profesionale  duhet të jetë objektiv i përhershëm i të gjith neve, sepse punët tona nuk  na i kryejnë të tjerët.

(Nëntor, 2018)

Filed Under: Analiza Tagged With: DISKRIMINON SHQIPTARËT, DR. NAIL DRAGA, LIGJI ZGJEDHOR

Individ e turmë

November 15, 2018 by dgreca

 1-Astrit-Lulushi-286x300-2
Nga  Astrit Lulushi/*
1 a Lideri
Nëse gjithë njerëzimi minus një është i një mendimi, thotë Stuart Mill, bota nuk do të interesohej fare për heshtjen e një personi. Një shoqëri vërtet civile do të kuptonte rëndësinë e të drejtave të secilit dhe do t’ia siguronte këto të drejta. Por për momentin bota është e mbërthyer me rregullat e turpshme të turmës, rregullat e shumicës e cila shtyhet larg nga e vërteta. Gjithashtu, nëse do të kishte një shoqëri që e kuptonte rëndësinë e të drejtave të secilit individ, atëherë nuk do të kishim nevojë të ruanim të drejtat tona – sjellim këtu fjalët e John Lennon -Imagjino se nuk ka parajsë
Është e lehtë nëse e provon
Nuk ka ferr poshtë nesh
Mbi ne vetëm qiell.
Kjo bën vetëm të duket se bota ka më shumë liri sesa aftësi për të folur përballë turmës që flet me një zë. Çfarë të drejtash ka turma, që individi nuk i ka? Në një demokraci mendimi i shumicës mbizotëron, dhe individi ka të drejtë të bashkohet me individë të tjerë në çështje publike e politike. Mendimi i tij do të dëgjohet, por nuk do të mbizotërojë. Pra, individi nuk ka ato të drejta që shumica nuk ia jep. Ky është edhe thelbi i lirisë dhe përgjegjësisë që vjen me të. Arsyeja që shumë luftojnë e vdesin është Liria – pohimi se të drejtat nuk vijnë nga leja e të tjerëve, se të drejtat janë një aftësi e ardhur që në lindje dhe askujt nuk mund t’i privohet, përveçse si dënim për një krim, vendim që merret nga një juri e përbërë nga njerës si ai – nëse një person thotë se nuk është fajtor, atëherë nuk është. Por ky nuk është rregulli i turmës e cila vepron bazuar në mendime arbitrare.
*Ilustrimi: Karikature nga Medi Belortaja

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Individ e turmë

Mungesa e Ambasadores së Kosovës Nazane Breca në Drekën Presidenciale në Bernë

November 15, 2018 by dgreca

1-elida-bucpapaj-300x130

Nga Elida Buçpapa/

Me 5 Nentor në Schweizerhof Hotel në Bernë u mbajt Dreka Presidenciale, eventi i përvitshëm i organizuar nga APES, Asosacioni i Shtypit të Huaj në Zvicër dhe Liechtenstein, me praninë e presidentit të Konfederatës Helvetike Alain Berset, personaliteteve të larta nga bota e politikës, gazetarisë, diplomacisë, artit dhe kulturës. Merrnin pjesë Ambasadorë dhe diplomatë nga trupi diplomatik në Zvicër, midis tyre Ambasadori i SHBA, Francës, i Indisë, Rusisë etj. I pranishëm në drekën presidenciale ishte edhe Dick Marty, Daniel De Roulet, Guy Mettan, Christian Campiche, Emil Steinberger, Raphaël Domjan si dhe plot figura të shquara të Zvicrës. Eventi i sivjetëm përkoi edhe me 90 vjetorin e APES, organizatë shumë e rëndësishme e shtypit të huaj, që përfaqësohet nga mediumet më me emer të botës, anëtarë prej gati dy dekadash të së cilës janë edhe tre shqiptarë, botuesit e voal.ch – Voice of Albanians dhe ai i Presheva.jone.

E ftuar në Drekën Presidenciale ishte edhe Ambasadorja e Republikës të Kosovës në Bernë, zonja Nazane Breca…

Në shkurt të këtij viti një grup gazetarësh nga APES, midis tyre edhe ne dy editorët e voal.ch, në prag të festimeve të 10 vjetorit të Pavarësisë bëmë një vizitë të suksesshme në Kosovë, me mbështetjen edhe të qeverisë Haradinaj. Aty u takuam me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, të administratës publike, me diplomatë të huaj si dhe me trupat e Swisscoy. Në përgjigje të mikpritjes shqiptare dhe të bashkëpunimit bilateral, presidenti i APES, Jean Musy pati kënaqësinë të ftonte, në emrin e APES, Ambasadoren e Kosoves në drekën presidenciale që organizohet çdo vit, e cila paraprihet me një konferencë shtypi të Presidentit me gazetarët.

Ftesën e parë zyrtare drejtuar Ambasadores të Kosovës, APES e dërgoi sikur gjithë të ftuarve të tjerë në fund të muajit gusht. Por ftesa e parë nuk arriti në Ambasadën e Kosovës! Kur përfaqësues të APES mësuan se ftesa nuk kishte shkuar në destinacion,  e ridërguan në ditët e para të shtatorit, pra dy muaj përpara drekës presidenciale.

Sa për parantezë, shërbimi postal i Zvicrës është i shkëlqyer. Nuk ndodh që ti të dërgosh postë e tjetri të mos e marrë! Posta Zvicerane është më  e mira në botë. Në krahasim me 173 vende, Posta Zvicerane zuri vendin e parë edhe në vitin 2018 duke lënë pas postën e Holandës dhe Japonisë. Për herë të dytë me radhë, Zvicra renditet e para në Indeksin e Zhvillimit Postar të vlerësuara nga Unioni Postar Universal (UPU). A mund të mendohet që të mos arrijnë letrat e dërguar me postën e Zvicrës nëpër Ambasada?! Kurrë!

Personalisht kam një eksperiencë me dy ambasadat, perkatesisht të Kosoves dhe Shqiperise, kur kryetari i atëhershëm i shoqates se shkrimtareve shqiptarë në Zvicer u dergoi ftese per promovimin e njërit prej librave të mi përmes e-mailit  dhe çuditerisht as njëra ambasade dhe as tjerta nuk e kishin marre ftesen përmes Postës Elektronike, sikur edhe zonja Ambasadore nuk e mori ftesen per herën e parë përmes Postës së Zvicrës.

Kur ftesa u ridërgua për herën e dytë, zonja Ambasadore e mirëpriti, por, kërkoi ndjesë për mospraninë e saj meqë kishte një angazhim tjetër!

Pashë për kuriozitet në Facebook faqen e Ambasadës të Kosovës në Bernë dhe vura re se dy aktivitetet më të fundit të zonjës Ambasadore ishte vizita në Ambasadën e Turqisë në Bernë më 30 tetor me rastin e 95 vjetorit të ditës kombëtare dhe më 8 Nëntor në Zyrih takimi me Ambasadoret zonja si përfaqësuese të shteteve të tyre në Zvicër.

Pra nga një hulumtim i sipërfaqshëm nuk rezulton qe zonja Ambasadore të kishte impenjime më datën 5 Nëntor të rrangut të tillë që nuk do të mund t’i anullonte dy muaj përpara për të marrë pjesë në drekën presidenciale në nderin dhe praninë e Presidentit të Konfederatës Helvetike z.Alain Berset.

Duke parë stafin e Ambasadës të Kosovës në Bernë, rezulton të ketë tre  Ministra Këshilltarë, dmth në rrang të zvAmbasadoreve.

Pra nëse zonja Breca ishte kaq e impenjuar, kaq e angazhuar, kaq e zënë, do të ishte shumë normale, që në vendin e saj të dërgonte njërin nga tre  Ministra Këshilltarët.

Ambasada e Kosovës nga Schweizerhof Hoteli ku u mbajt Dreka Presidenciale e APES nuk është me shume se 10 minuta në këmbë larg.

Do të ishte një rast i mirë i diplomatëve të Kosovës për t’u takuar me z.Presidentin Alain Berset dhe me të ftuarit e nderuar.

Natyrisht që mungesa e zonjes Breca nuk u ndje fare, por u ndje niveli i përfaqësimit që lë aq shumë për të dëshiruar.

Kur dolëm nga Schweizerhof Hoteli pas Drekës Presidenciale, Berna shkëlqente nga një diell i ngrohtë vjeshtor, ndërsa nëpër qoshka kishin filluar të shisnin gështenja!

Më mirë të shesësh gështenja, se të përfaqësohet keq një vend si Kosova që ka aq shumë nevojë për një diplomaci të nivelit europian!

Kosova, një vend i varfër, me diplomatë me rroga të larta që nuk dihet se me çfarë merren!

Filed Under: Politike Tagged With: Berne, Dreka Presidenciale, Elida Buçpapaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1198
  • 1199
  • 1200
  • 1201
  • 1202
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT