U bënë disa javë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është vënë përballë opinionit publik shqiptar dhe i vetëm lufton me marrëzi për implementimin e prijektit serbo-rus të ndarjes së Kosovës dhe ndryshimit të kufijve midis të dy shteteve. Por ajo që e ka tronditur atë është përballja me kundërshtimin e prerë të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Përballja e parë e Berishës me idetë e ndryshimit të kufijve nga ana e zotit Thaçi dhe zotit Vuçiq me këmbim territoresh, apo korrigjim të kufirit ekzistues midis Kosovës dhe Serbisë ishte si ndeshje “gladiatorësh”! Që në fillim Dr. Berisha e etiketoi Thaçin si “argat të Beogradit”! Ndërsa presidenti i Kosovës nuk vonoi pak orë për t’iu kundërvënë liderit historik shqiptar me akuza dhe fabrikime të tilla për “bashkëpunimin e ish-Presidentit shqiptar e Sllobodan Milosheviçin”. Thaçi foli si triumfator, edhe pse në përgjigje të kritikës së ashpër të Berishës. Por asnjëri nuk përmendi emrin e njëri-tjetrit. Pavarësisht kësaj çdokush e pati të qartë se për kë është fjala! Ndërkaq zoti Berisha krahas kundërshtisë përsëriti se akuzat e zotit Thaçi ishin sajesa të qëllimshme të Beogradit dhe se këto sajesa po I përdor kundër tij presidenti i Kosovës! Por që në fillim u bë e qartë se me përfshirjen e Berishës në debatin për kufijtë Hashim Thaçi do të ishte i dështuar. Reagimi i vendosur dhe njëkohësisht i matur i Sali Berishës pati dy efekte: Në planin e brendshëm shërbeu për të homogjenizuar qëndrimet politike të Kosovës kundër idesë së çmendur të Hashim Thaçit për ndryshim kufijsh. Ndërsa në planin e jashtëm Perendimi, sidomos Gjermania dhe Britania e Madhe, por edhe shumë liderë amerikanë, kuptuan se ndryshimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të shkaktonte vetëm efektin zingjir në Ballkan, por edhe një konflikt brendashqiptar. Konflikti në politikën shqiptare në Kosovë, Shqipëri e gjetkë është kështu ashtu i ashpër. Po të lejohej dhe aplikimi i tezës beogradase të Thaçit për ndryshimin e kufijve, ky konflikt rrezikonte dhe rrezikon destabilizimin e Kosovës. Destabilizimi i Kosovës është automatikisht destabilizm i Ballkanit. Prandaj dhe në Berlin e Londër kundështitë e Berishës u lexuan si pashmangshmëri e konfliktit. Ndonëse këto dy kryeqytete ishin skeptike për idetë e Thaçit dhe Vuçiq, dalja në skenë e Sali Berishës i bëri përfundimmisht ato kundërshtare të vendosura të idesë së dy presidentëve të të dy vendeve në konflikt. Ndërkaq në tryezat politike të Europës u shtrua edhe një llogari tjetër: Kush ishin dy iniciatorët dhe protagonistët e ndarjes së Kosovës? Ishin dhe mbeten dy presidentët e të dy vendeve. Po këto dy vende janë demokraci parlamentare?! Atëherë doli abstraksioni: Nëse i lejojmë presidentët e demokracive parlamentare të imponohen deri te çeshtja e territoreve, përligjet kështu antidemokracia, shteti autokratik, ndërkohë që këto vende tentojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian?! Ndaj në Europën e qytetëruar nuk u gjend asnjë arësye të rërzohej kundërshtia e Berishës dhe e kritikëve të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës për idetë e ndryshimit të kufijve të Kosovës në favor të Serbisë. Duke ndjerë këtë ngërç, zoti Thaçi hodhi idenë se marrëveshja do të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe nëse nuk miratohet, atëherë ajo bëhet e pavlefshme… Hileja ishte dhe mbetet në prag të derës! “Na lejoni të diskutojmë, të vendosim, të nënshkruajmë një marrëveshje e pastaj ju zihuni dhe vrituni në betejën për ta miratuar ose jo atë”! Pikërisht këtë mënyrë të imponimit të idesë, me konflikt të brendshëm në Kosovë e jashtë saj, mënjanon edhe qëndrimi i prerë dhe i vendosur i Sali Berishës. Por Hashim Thaçi e kuptoi se përballja me Berishën e rrëzon përtokë atë. Në fakt duket se në këtë aventurë të jetë shtyrë për të shkuar në fundin e karrierës së vet politike. Atëherë u frikësua dhe filloi të thotë se “unë nuk e kam përmendur Berishën”! Qëllimi ishte jo shmangja e reagimeve të ish-kryeministrit të Shqipërisë, por “një ujdi” me të. Ndaj angazhoi “forcat speciale” të ndërjetësimit me kallauz Baton Haxhiun, me qëllim aranzhimin e një takimi të tij me Hashim Thaçin. Doktori nuk pranoi, pavarësisht ofertave të shumta e në disa drejtime. Batoni dhe Hashimi dëshmuan në këtë rast se nuk e njohin Doktor Berishën. Ata bënë çmos, kërkuan ndjesë për reagimet antiBerishë dhe u përulën me një AMAN të madh, vetëm që TV-të ta jepnin presidentin e Kosovës në krah të Sali Berishës! Takimet e Albin Kurtit, Behgjet Pacollit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt me zotin Berisha do të fshiheshin nga kujtesa, nëse Hashim Thaçi do të arrinte të ulej në zyrën e Doktorit! Prandaj ky i fundit e refuzoi kategorikisht një takim të tillë. Ndërkaq pati dhe një arësye tjetër pse Berisha refuzoi takimin me Thaçin: Presidenti i Kosovës donte të shkonte në zyrën e Sali Berishës për ta legjitimuar idenë e tij absurde të ndarjes së Kosovës. Nuk po shkonte aty që t’i thoshte publikut shqiptar” “Më falni! Unë gabova! U bëra spiker i Aleksandër Vuçiq! Nuk para ndonjë qëllim të keq, por u mashtrova! Heq dorë nga udhëheqja e negociatave e kjo nënkupton se heq dorë dhe nga çdo përpjekje për korrigjim apo ndryshim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë”! Jo, Hashim Thaçi donte të shkonte në katin X të Coin-it si misonar i Aleksandër Vuçiq e në këto kushte kompromisi ishte i pamundur. Po ashtu një shtrëngim duarsh midis tyre! Më së fundi duhet thënë se Sali Berisha ka meritën e padiskutueshme për atë që ai imponoi: E bëri të pamundur misionin antishqiptar të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq! Tirane, 19.09.2018
Sukses i Oficerit të FSK në SHBA
-Kapiteni i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Fatmir Lami, shpallet më i miri në Universitetin Ushtarak për Logjistikë në Fort Lee, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
FORT LEE, 18 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/Oficeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, kapiteni Fatmir Lami, pjesëtar i Batalionit të Logjistikës në BMO-së, ka marrë pjesë, nga data 28 shkurt 2018 e deri më 14 shtator 2018, në Kursin e Karrierës për Kapiten për Logjistikë, (LOGC3) 18-004, në Universitetin Ushtarak të Logjistikës (Army Logistics University) në Fort Lee, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kurs kanë marrë pjesë oficerë të ushtrive nga Kosova, Japonia, Egjipti, Brazili, Greqia, Jordania, Turqia, Arabia Saudite, Estonia dhe Letonia. Në mesin e përfaqësuesve të këtyre vendeve, kapiteni i FSK-së, Fatmir Lami shpallet oficeri më i mirë ndërkombëtar në mesin e 13 oficerëve pjesëmarrës nga këto shtete të botës, ndërsa në nivel të përgjithshëm prej 119 pjesëmarrësve, Fatmiri zuri vendin e shtatë.
Edhe ky sukses tregon se pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës janë shumë të përkushtuar dhe me motivim të lartë. Kudo ku ata po marrin pjesë, si në trajnime apo stërvitje ushtarake nëpër universitete ushtarake jashtë vendit, po tregohen më të mirët, qoftë në gara individuale, qoftë në ato kolektive.
Kapiteni Fatmir Lami ka diplomuar më 12 shtator në Universitetin Ushtarak për Logjistikë në Fort Lee, SHBA. Ai u shpreh se është i gatshëm që përvojën e fituar në SHBA ta zbatojë në praktikë në Logjistikën e FSK-së./b.j/
Kosovë-Kuvendi mblidhet për marrëveshje ndërkombëtare
-Mblidhet Kryesia e Kuvendit për kërkesën e opozitës për seancë të jashtëzakonshme nesër – në 20 shtator 2018/

-Seanca u kërkua për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat duhen dy të tretat e votave – të së paku 80 deputetëve të parlamentit 120 anëtarësh/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 19 Shtator 2018/ Kryesia e Kuvendit të Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare në një mbledhje të mbajtur sot rreth mesditës shqyrtoi kërkesën e opozitës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme nesër, 20 shtator 2018 në ora 14:00, për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat duhen dy të tretat e votave – të së paku 80 deputetëve të parlamentit 120 anëtarësh.
Në axhendë ishte votimi i tre projektligjeve: Për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian; për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”; për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në “ERASMUS +” Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport.Duke pas parasysh mosfunksionimin normal të Kuvendit të Kosovës, opozita – grupet parlamentare të LDK-së, LVV-së e PSD-së dhe 2 deputetët e pavaruar të Alternativës në një deklaratë njoftuan se, “duke pasur gjithnjë për qëllim mirëqenien e qytetarëve të vendit të cilët do të përfitojnë nga ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në mes të BE-së dhe Kosovës dhe duke respektuar partneritetin e Kosovës me BE-në, kanë dorëzuar dje kërkesën me të cilën kërkojnë thirrjen e seancës së jashtëzakonshme në të cilën kërkohet të ratifikohen këto marrëveshje ndërkombëtare”.“Gjithashtu duke ditur se asistencat e BE-së në procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës e posaçërisht asistenca në përmbushjen e obligimeve të dala nga MSA-ja, siç janë asistencat që rrjedhin nga ratifikimi i Marrëveshjes së IPA-së që sjell 48 milionë euro për Kosovën, Programi “ Evropa për qytetarët” i cili mundëson Kosovës qasje në mëse 17 programe të BE-së, si dhe asistenca në platformat mbështetëse të IT dhe mbështetja në reformën e politikave për arsim dhe rini që parasheh Programi “ Erasmus +”, deputetët e nënshkruar vlersojnë se ratifikimi i tyre duhet të ndodh sa më parë. Seanca është kërkuar të mbahet me datë 20.09.2018 në ora 14.00”, thekson deklarata.
Në Kuvendin e Kosovës, në fillimin e sesionit vjeshtor, as maxhoranca as opozita nuk i kishin numrat për kuorum në dy seancat e jashtëzakonshme të ftuara lidhur me dialogun me Serbinë, njëra me kërkesë të qeverisë e tjetra me kërkesë të opozitës. Maxhoranca dhe opozita bojkotonin njëra-tjetrën, ndërsa deputetët e Listës Serbe i bojkotonin të dyjat.Kuvendi i Kosovës nisi sesionin vjeshtor pasi ishin ftuar dy seanca të jashtëzakonshme për t’u mbajtur brenda ditës së martë të 4 shtatorit, ku rikthehet debati për dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel, me të cilin u përmbyll sesioni vjeshtor me një seancë të papërfunduar në 30 korrik.
Gjatë ditës së hënë të 3 shtatorit, seancat e jashtëzakonshme për ditën e martë u ftuan në dy mbledhje të Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, njëra e mbajtur pasdite pas një kërkese të javës paraprake nga opozita e tjetra në mbrëmje pas kërkesës së qeverisë që u mbledh pasditen e po të hënës.Jo sipas renditjes së kërkesave, fillimisht u ftua nga ora 9:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në axhëndë: “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.
Ndërsa, për në orën 10:00, ishte ftuar seanca e jashtëzakonshme poashtu me vetëm një pikë në axhendë: “Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.Por, seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga qeveria vetëm nisi dhe pas disa shtyrjeve nuk përfundoi në mungesë kuorumi. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli paralajmëroi se seanca do të vazhdojë në momentin kur do të ketë numër të mjaftueshëm të deputetëve.
Pas kësaj, po ashtu, për shkak të mungesës së kuorumit, edhe pas shtyrjeve as nuk ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e kërkuar nga opozita.Në seancën e 13 shtatorit me 40 pika në axhendë po që nuk përfundoi përsëri shkaku i mungesave të kuorumit, opozita duke u larguar nga salla plenare ka paralajmëruar se nuk do marrë pjesë në seancat e Kuvendit derisa të mbahet seanca e jashtëzakonshme që e ka kërkuar. Në 29 gusht 2018 Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e mbështetur edhe nga dy partitë tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, dorëzoi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, siç theksoi, për të shprehur qëndrimin institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës.“Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush”, ka theksuar opozita duke paralajmëruar “seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit para datës 7 shtator 2018”.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e pasditës së 3 shtatorit ka emëruar ekipin negociator në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.Në këtë dialog, qeveria e Republikës së Kosovës do të përfaqësohet me këtë ekip negociator: Zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate – kryesues, Enver Hoxhaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës – zëvendëskryesues, Behxhet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re – anëtar, Dardan Gashi (nuk përfaqëson ndonjë parti) – anëtar, si dhe dy anëtarë të tjerë- ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe Avni Arifi – shef i kabinetit të kryeministrit, i cili në mbledhjen e qeverisë në 12 janar 2018 u emërua shef i delegacionit kosovar në bisedimet teknike Kosovë-Serbi në Bruksel.Qeveria e Kosovës në komunikatën nga mbledhja për emërimin e ekipit negociator theksonte edhe se, po ashtu në këtë ekip rezervohen vendet për përfaqësuesit e opozitës: Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Socialdemokrate, si dhe për ekspertë nga shoqëria civile.Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar se ky është një ekip përfaqësues politik i koalicionit qeverisës, por edhe një ekip që do të prezantojë përgjegjësitë qeveritare.Ai paralajmëroi se, ky vendim i qeverisë do të dërgohet në Kuvendin e Republikën e Kosovës për aprovim. Në lidhje me këtë kryeministri tha se do të kërkojë nga Kuvendi një seancë urgjente për diskutimin dhe aprovimin e ekipit dhe platformës së negociatave të Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në 30 korrik 2018 Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.Propozuesi, që është një nga partitë opozitare – PSD, shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.Në dialogun Kosovë-Serbi në Beuksel një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial ishte paralajmëruar për të premtën e 7 shtatorit, por sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, presidenti i Serbisë, Aleksanadar Vuçiç nuk ka pranuar të takojë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vazhduar dialogun drejt normalizimit të marrëdhënieve. Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur para më shumë se 10 viteve, në 17 shkurt 2008.Në Bruksel, kryesuar nga Bashkimi Evropian, bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë, fillimisht kryeministror në 30 ruande nga
19 tetori 2012, pastaj me pjesëmarrje të presidentëve e kryeministrave në dy raunde në 24 janar e 1 shkurt 2017, e më pas në pesë raunde me takime të presidentëve – në 3 korrik e 31 gusht 2017 dhe 23 mars, 24 qershor e 18 korrik 2018, kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011.
FRYMA E FJALËS SË LIRË
Përshëndetje dhe falënderimet e mia të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj. Një falënderim i veçantë u shkon folësve për fjalët e tyre fisnike.
E ndjejë veten tepër të nderuar me pjesëmarrjen tuaj në këtë bashkbisedim vëllazëror. Me disa prej jush, kam pas nderin dhe privilegjin të takohem, kryesisht, në rrethana zyrtare, por edhe shoqërisht, gjatë 30-viteve të periudhës post-komuniste, këtu në Tiranë, në Washington ose në Nju Jork, duke filluar nga marsi e prilli i vitit 1991, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteteve të Bashkuara.
Fillimisht, më lejoni të falënderoj, në mënyrë të veçantë, dy individë, miq dhe kolegë të mij të ngushtë, të cilët kanë mundësuar këtë bashkbisedim vëllazëror sot me ju dhe të cilët njëherazi edhe kanë sponsorizuar botimin e tre vëllimeve të librit, “Demokracia nuk pret”: Botuesin e gazetës Telegraf, Z. Agim Çiraku dhe Kryeredaktorin e kësaj gazete, Z. Engjëll Musai.
Në të vërtetë, po të mos ishte gazeta Telegraf dhe udhëheqsit e saj, nuk besoj se do të isha sot këtu para jush. Ishin Ëngjëlli dhe Agimi ata të cilët para më shumë se 10-vitesh më ftuan të bashkpunoja me gazetën Telegraf.
Ata më kanë inkurajuar dhe më kanë mbështetur pa ndërprerje dhe pa rezerva, megjithë pikëpamjet e mia politike që shpesh mund të jenë ndryshe nga ato që mbizotërojnë në hapësirat e gazetarisë shqiptare.
Ishte gjithashtu ideja e Agimit dhe Engjëll që shkrimet e mia, të botuara rregullisht në gazetën Telegraf, të përmblidheshin në këto tre vëllime që kemi përpara. Vëllimi i parë, “Demokracia Nuk Pret” — është botuar para një viti nga Shtëpia botuese, Morava — të cilën gjithashtu e falënderoj sinqerisht edhe për botimin e vëllimeve II dhe III.
Agimi dhe Engjelli më kanë dhënë absolutisht dorë të lirë dhe pavarësi të plotë në përzgjedhjen e subjekteve si dhe përmbajtjen e lëndës. I falënderoj nga zemra dhe u jam mirënjohës për gjithmonë, për miqësinë, respektin dhe kujdesin që kanë treguar ndaj meje.
Siç e dini shumë prej jush, unë, kam punuar pranë Zërit të Amerikës për 30-vjetë, ku bashkë me shumë kolegë gjatë viteve, jemi përpjekur të japim kontributin tonë modest në shërbim të zhvillimeve demokratike të Atdheut të parëve tanë dhe të forcimit të marrëdhënieve midis dy kombeve tona mike. Në Zërin e Amerikës, për më shumë se 7 dekada të ekzistencës së tij – u përpoqëm t’a bëjmë këtë me fuqinë e fjalës së lirë, në shërbim të së vërtetës.
Është në këtë frymë të fjalës së lirë, të vërtetës dhe objektivitetit, që jam përpjekur të shkruaj edhe për gazetën Telegraf dhe media të tjera edhe pasi kam dalë në pension nga Zëri i Amerikës, përfshirë shkrimet e përmbledhura në këto tre vëllime të “Demokracia nuk pret”.
Gjithë jetën jam munduar t’i paraqes mendimet e mia në frymën e vëllazërimit, pa urrejtje, pa sharje e pa ofendime ndaj askujt dhe gjithmonë duke ndejtur larg përçarjeve të momentit, por duke u munduar njëkohsisht të pasqyroj virtytet më të shëndosha të kombit tonë, në një frymë të promovimit të dialogut dhe të mirëkuptimit midis shqiptarëve.
Ata që mund të kenë ndjekur shkrimet e mia modeste, kanë venë re se në ‘to jam përpjekur të pasqyroj dhe të promovoj, ndër të tjera, dëshirën e shumicës së shqiptarëve për integrim të plotë në strukturat politike, ekonomike dhe ushtarake euro-atlantike — si një komb që ndien thellësisht, në palcën e tij, nevojën e lartësimit moral dhe qytetar, duke theksuar se ai në vetvete, i ka të gjitha aftësitë dhe mundësitë për t’u rreshtuar me kombet më të përparuara.
Por, duhet të jemi të sinqert me veten dhe me tjerët se shqiptarët i ka penguar diçka që të zenë vendin e tyre aty ku u takon, me kombet e tjera, se pranvera e demokracisë shqiptare, si në Shqipëri, në Kosovë, ashtu edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, nuk ka çelë ende lulet që prisnim dikur e për të cilat presim gjithnjë. Prandaj kemi ruajtur gjithnjë titullin, “Demokracia nuk pret” për të tre vëllimet – një titull që në të vërtetë është sugjeruar nga miku im, Dr. Halim Kosova. Shqiptarët kurrë më parë në historinë e tyre nuk kanë qenë më të lirë se janë sot, por zhvillimi i demokracisë së vërtetë është diçka tjetër. 30-vjetë më parë, Shqipërinë e donim si e gjithë Evropa.Është e drejtë e secilit prej nesh që të interpretojmë, të analizojmë dhe të gjykojmë tranzicionin politik post-komunist, pasi këtë na e mundëson kjo demokraci, sado e brishtë, cilido qoftë mendimi ynë për zhvillimin e saj të deritanishëm. Edhe unë jam munduar që në shkrimet e mia – në mënyrën më modeste — të them fjalën time – megjithse larg gjeografikisht, me Shqipërinë, me Kosovën dhe me trojet tona në përgjithësi, por shumë afër me zemër — dhe për këtë mundësi gjej rastin të falënderoj edhe lexuesit për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.Përveç zhvillimeve demokratike në trojet shqiptare, ndër subjektet e tjera që jam përpjekur të trajtojë shpesh janë edhe marrëdhëniet historike dhe rëndësia e tyre, midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit shqiptar. Jam munduar gjithashtu të kujtoj edhe personalitete të njohura politike dhe intelektuale, jo vetëm të diasporës shqiptare, por edhe të tjerë, anë e mbanë trojeve shqiptare, të cilët ish-regjimi komunist i kishte përjashtuar nga historia, por të cilët, ma merrë mendja mua, se duhen vlerësuar për kontributin e çmueshëm të tyre, në historinë e Kombit shqiptar.Kam venë në dukje gjithashtu edhe veprimtarinë e personaliteteve moderne të politikës amerikane dhe rolin e tyre në historinë e re e të vjetër të shqiptarëve — dhe mbështetjen e tyre të sinqert për të drejtat bazë të njeriut për shqiptarët në trojet e veta. Miqë të Kombit shqiptar pra, të cilët janë shquar me dekada, sidomos për ndihmesën e tyre historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por njëkohësisht edhe si promovues të forcimit të marrëdhënieve midis dy kombeve tona dhe të integrimit të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike.
Lidhjet shqiptaro-amerikane, për të cilat kam shkruar një numër artikujsh gjatë viteve, janë aq të vjetra sa është edhe diaspora shqiptare atje. Ato kanë filluar në vitet e para të shekullit të kaluar, në kohën e kolosëve të Federatës Pan-Shqiptare VATRA, Fan Nolit dhe Faik Konicës. Atëherë, si edhe më vonë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri si dhe para dhe gjatë luftës në Kosovë — komuniteti shqiptaro-amerikan, ka luajtur dhe vazhdon të luaj rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare në Amerikë –pa dallim orientimesh politike — i ka konsideruar dhe i konsideron ato gjithmonë si të pa zevëndsueshme për interesat jetike të Kombit shqiptar.Një subjekt tjetër që jam përpjekur të trajtoj, nga koha në kohë, janë edhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe se si ato prekin interesat shqiptare, sidomos këtu në hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Jam munduar të jap alarmin për shtimin në rritje e sipër të përhapjes së influencës së Rusisë së Putinit dhe të Turqisë së Erdoganit në trojet shqiptare. Në atë mënyrën time, kam paralajmëruar edhe mbi rrezikun e flirtimit të autoriteteve të larta shqiptare me udhëheqsit autoritarë të këtyre vendeve, si diçka që nuk është në interesin afat gjatë të Kombit shqiptar.
Të drejtat e njeriut në përgjithësi, liria e shtypit dhe liria e fjalës në veçanti, jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë popujt e botës, janë një subjekt që më ka interesuar gjithë karierën time. Viktimat e komunizmit ndërkombetar dhe të atij shqiptar si dhe të drejtat e tyre, atëherë dhe sot, janë diçka që i kam pasur gjithmonë afër zemrës.
Për të gjitha këto subjekte, në mënyrën time modeste, në shkrimet e mia kam pasqyruar mendimet dhe qëndrimet e mia personale por edhe të atyre të cilëve, për arsye të rrethanave historike nuk u është dhënë mundësia as e drejta të flasin për veten dhe të shprehin lirisht mendimet e tyre.
Por, në shkrimet e mia, mos u mundoni të gjeni promovimin e ideve ose të qëndrimeve të shumicës, ose pakicës politike, ose preferencat e të fuqishëmve dhe të autoriteteve qeveritare, të cilës do palë qoftë, sepse nuk do t’i gjeni në shkrimet e mia. Objektivi im gjithmonë ka qenë dhe është, për të mos qenë kritik ose pesimist, vetëm për hir të qenët kritik, por me qëllim për të qenë gjithmonë i qartë në mendime, ndërtues dhe jo shkatërrues me fjalë as me vepra.
Prandaj, ashtu siç përpiqem të përfundoj shumicën e shkrimeve të mia me një frymë ndërtuese, më lejoni ta mbyll këtë bisedë me një notë optimiste. Nga njëherë gjatë këtij tranzicioni të tej-zgjatur, shumë vetave u duket, ndoshta me të drejtë, sikur dielli ynë i demokracisë së vërtetë të ketë humbur rrugën në vranësirat e jetës politike shqiptare, ose të pakën ai diell të ketë devijuar nga rruga që duhej të ndiqte në jetën tonë post-komuniste. Por, megjithë vështirsitë, me të cilat përballen sot shqiptarët, si popull dhe si komb, dhe megjithë kritikat e mia ndaj klasës politike të këtyre 28-vjet post komunizëm, gjithmonë qëllim-mira, e që mund t’i keni lexuar ndonjëherë edhe në shkrimet e mia modeste, sidomos ndaj disa fenomeneve politike shqiptare — unë jam i bindur se dielli i demokracisë shqiptare nuk e ka humbur rrugën, as nepër “vranësirat” politike të këtij tranzicioni, por mendoj se, mbi të gjitha, me besim në vetvete, nodnëse me shumë sfida përpara, ky diell do udhëheq botën e re shqiptare drejtë një të ardhme më të bukur për fatin e Kombit.
Rrethanat dhe sfidat e sotëme politike, ekonomike, shoqërore e të tjera, me të cilat përballet Kombi shqiptar, mund të duken të ndërlikuara, nganjëherë të rënda dhe kaotike për fisin shqiptar, siç janë mungesa e bashkpunimit dhe dialogut politik, pështjellimi i ideve, dhe grindjet e kacafytjet politike midis partive politike dhe përfaqsuesve të tyre në kuvendin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Por, Ernest Koliqi, në kohën e tij, të gjitha këto probleme dhe sfida i ka cilësuar si, “Dëshmi e një gjallënie të pashueshme në gjakun arbnuer – që shërbejnë si shkas farzues e gratçuer n’errësi të nenvetëdijes së Kombit, të cilat njëkohësisht sajojnë fytyrën e re të tij, në pasqyrë të moteve të reja.”
Një fytyrë e re në pasqyrën e moteve të reja për Kombin Shqiptar, është lutja dhe shpresa ime dhe e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën Kombit të vet, por Demokracia nuk pret gjithmonë, siç sugjeron edhe titulli i tre vëllimeve që kemi përpara.
Por, megjithë sfidat me të cilat përballen shqiptarët sot, ia vlen të jemi optimist për një të ardhme më të mirë e më të bukur, sidomos në këtë vit kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbe – se Kombi shqiptar do të dalë ngadhnjyes mbi të gjitha sfidat me të cilat përballet sot. Shkrimtari Ismail Kadare, me rastin e Shënjtërimit të Nënë Terezës ka thënë: “Gjergj Kastrioti, simbol i vullnetit tonë për liri dhe qytetërim evropian, libri i Gjon Buzukut, mëshirimi i etjes së shqiptarëve për kulturë dhe dritë, dhe Nënë Tereza — mëshirimi ynë i madh i harmonisë, përdëllimit dhe dashurisë për popujt dhe njerëzimin mbarë — janë vlerat tona morale ato që do të na shoqërojnë përherë në rrugëtimin tonë të madh”, drejt moteve të reja.
Ju falënderoj nga zemra për pjesemarrjen, respektin dhe për durimin. Zoti qoftë gjithmonë me Shqiptarët!
*FJALA ME RASTIN E PROMOVIMIT TË TRE VËLLIMEVE:
DEMOKRACIA NUK PRET
Tiranë, 11 shtator 2018
VATRA NGUSHËLLOI FAMILJEN BUNGO
Mbrëmjen e së Martës, 18 Shtator 2018, Komuniteti Shqiptar i Nju Jork-ut me rrethina zhvilloi homazhe pranë arkivolit me trupin e të ndjerit Makensen Bungo, i cili u nda nga jeta në një spital të Nju Jorkut, ditën e Shtunë me 15 Shtator.
Arkivoli me trupin e të ndjerit ishte vendosur në Shtëpinë Mortore: N. F. Walker Funeral Home, që ndodhet në adresën :
2039 Merrick Ave Merrick NY 11566-3434
Një grup vatranësh me Kryetarin Mishto, i cili shoqërohej nga anëtari i kryesisë Zef Balaj, anëtari i Këshillit të Vatrës studiuesi Idriz Lamaj, editori i Dielli , i paraqitën ngushëllimet bashkëshortes znj.Eglantine Bungo, djalit Dritan dhe zonjës së tij Brunilda e fëmijëve të tyre si dhe miqëve dhe të afërmve. Ngushëllime familjes i përcolli edhe bashkqytetari i të ndjerit z. Petraq Mishto, babai i krytearit tëVatrës, i cili e ka njohur nga afër familjen Bungo dhe të ndjerin.
Varimi do te behet me 19 Shtator 2018 ne oren 11 AM në adresën:
Greenfield Cemetery
650 Nassau Road Uniondale NY 11553-2779
I pushoftë shpirti në Paqe Makensenit!




