• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gruaja e parë shqiptare që studioi Shkencat Politike

September 18, 2018 by dgreca

1 Shaqe Çoba

E para nga gratë shqiptare që studioi Shkenca Politike në Firencë gjatë shekullit XIX.
Shaqe Çoba (Shkodër, 1875 – 1954) qe e para grua intelektuale shqiptare që u përpoq për çështjen e ngritjes së grave të klasës së lartë.
U lind në Shkodër, ishte e bija e Zef Shirokës dhe halla e poetit rilindas, Filip Shiroka. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa të mesmen në një kuvend në Zagreb, ku mesoi italishten, gjermanishten dhe serbo-kroatishten. Më 1904 shkoi në Itali që të vijonte shkollimin e lartë, në Venecia. Atje u takua me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Ndoc Çobën, të cilit i la mbresë formimi i Shaqes dhe i kërkoi dorën familjes së saj.
Më 3 gusht të vitit 1920 themeloi komitetin “Gruaja Shqiptare”, me kryetare nderi Habibe Bekteshin, sekretare Paulina Lekën dhe llogaritare Albina Ashikun. Komiteti pati si qëllim nistor mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ushtrisë Shqiptare që po përballej me mësymjet serbe në Koplik. “Gruaja shqiptare” mblidhte fonde në qytet e krahinë dhe ua shpërndante ushtarëve, vullnetarëve dhe familjeve që u kishte mbetur ndonjë dëshmor në luftë. Për të informuar publikun lidhur me punën e bërë nga «Gruaja Shqiptare», nga nëntori i vitit 1920 deri në korrik të 1921 komiteti botoi edhe revistën «Gruaja shqyptare». Në vitet 1925 – 1939 ishte nënkryetare e degës së Shoqërisë «Gruaja Shqyptare» për Shkodrën.
Mori pjesë në luftë bashkë me të shoqin, Ndoc Çobën. Pas luftës u dënua për qëndrimin kundër pushtetit komunist. / Albanian Women – Instagram / KultPlus.com

Filed Under: Histori Tagged With: Gruaja e parë shqiptare, që studioi, Shaqe Çoba, Shkencat Politike

Kumti perëndimor në prozën e Avdulla Kënaçit

September 18, 2018 by dgreca

1 avdulla KenaçiNga Çerçiz Loloçi/

Pas një përvoje tepër të gjatë si gazetar, skenarist, drejtues i emisioneve televizive, pikërisht në periudhën kur ka hequr dorë përfundimisht nga detyrimet punësore Avdulla Kënaçi vjen përpara lexuesve me përmbledhjen e parë në prozë “Enigma e një nate” ku përfshihen 19 tregime, nën siglën e botimeve ‘Barleti’.

Fillimisht duhet pohuar se ai të befason me mënyrën se si i shtjellon rrëfenjat e tij ku në qendër ka njerëz të zakonshëm që kanë përbrenda veti e cilësi të jashtëzakonshme. Tema e emigrimit është pothuaj e pranishme në shumicën e prozave të tij, por në secilën prej tyre ai mundohet të skalitë karaktere të pangjashëm që kanë së brendshmi mesazhin e së mirës, të bukurës, të dashurisë që nuk njeh moshë dhe të punës që sjell lumturi.

Tregimi i parë “Dita e parë përtej oqeanit” zbulon zigzaket e jetës së Gurien Strokës që ndahet tragjikisht nga gruaja e vet e bukur Nirvana, por sërish i buzëqesh fati teksa emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një jetë të re.

Tregimi pasues “Misteri i një nate në Frankfurt” fokusohet në një tjetër personazh interesant, arkeologen dhe profesoren e Fakultetit Histori-Filologji që shkon për një konferencë ndërkombëtare në Kanada, por që zbulon edhe një botë tjetër interesante si femër e hijshme dhe me integritet.

Tregimi i tretë “Tartufi modern” rrëfen krizën në një familje shqiptare në Kanada, që mes shumë peripecish ishin larguar nga Shqipëria, kishin ndërtuar një jetë tjetër dhe befas ishin goditur nga një akt tradhtie të gruas së Niko Vasilit me nxënësin e prapambetur që zhvillonte kurse jashtë mësimit me vajzën e tyre.

“Kushërira e gruas” përshkruan tjetërsimin e njeriut nga diktatura në demokraci, i cili zbulohet gjatë përgatitjes së një dokumentari televiziv në Itali. Ludmilla, që dikur mburrej për martesën e saj me sërën e lartë, tashmë kërkon të jetë sërish në plan të parë por me mënyra të tjera të shtirjes, hipokrizisë dhe mashtrimit.

Përballja e dy gazetarive, ajo nën diktaturë në Shqipëria dhe ajo në liri në Francë përshkruhet me pak penelata në tregimin emocionues “Një gazetare franceze në Sarandë”. Në këtë prozë të shkurtër autori duket sikur bën një mea cupla për atë çfarë shkroi ai në gazetën qëndrore dhe si e kërkonte të vërtetën dhe shkrimin realist kolegia franceze.

Analizë më vete kërkojnë tregimet “Portreti për Krishtlindje”, “Flautistja”, “Sekreti i Aidës”, “Mallkimi” etj ku për autorin nuk ka tema tabu, nuk përpiqet të fshehë problemet, dashuritë dhe humbjet që shoqërojnë jetën njerëzore.

Tema e dashurisë është gjithashtu e pranishme në prozën e Avdulla Kënaçit, por autori bën kujdes që të mos jetë përsëritës nga rrëfimi në rrëfim, të sjellë diçka të re në secilën prej tyre, të gjejë të veçantën, të bukurën, të papërsëritshmen.

Dashuria për viset shqiptare, admirimi për lashtësinë dhe të qënit shqiptar vjen natyrshëm në tregimet e kësaj përmbledhje, vokaconi perëndimor pulson në krejt vëllimin përkundër nostalgjive të shumë kolegëve të tij që, megjithëse kanë kohë që gjendet përgjithmonë në perëndim, jetojnë ende me marshet e parakalimeve, “me Shqipërinë-shkëmb graniti buzë Adriatikut të kaltër” dhe me marëzi e butafori të tjera të sistemit që lamë pas.

Avdulla Kënaçi ka një mënyrë të vetën në procedimin e tregimit, ai e bën lexuesin pjesë të ngjarjes, të rrëfimit, të aventurës, e fton të bashkohet me të dhe ai bëhet një me protagonistët që dashuron autori dhe përbuz karakteret e tjera që janë të pranishëm në mjediset tona, brenda dhe jashtë vendit.

Tregimet kanë freski, detaje, përshkrime të bukura dhe jo gjithmonë kanë fundin e pritur; madje autori i ka shpëtuar mjeshtërisht publicistikës e raportimit, çka është shpesh e mirëkuptueshme nga përvoja e gjatë në gazetari.

Fotografia e Unioni i Gazetareve Shqiptare

Filed Under: Analiza Tagged With: Avdulla Kenaci, Çerçin Loloçi, Enigma

DHUNA DHE DINJITETI

September 18, 2018 by dgreca

Eugjen-Merlika-2008V-1( Duke lexuar romanin “Këneta e vdekjes” të Makensen Bungos)/

Nga Eugjen MERLIKA/

“Njëri do të përdorte dhunën për të shpërbërë njeriun, ndërsa tjetri do të përdorte durimin për të ruajtur personalitetin. Ishin përballë dy forca të kundërta: dhuna dhe dinjiteti.”

Në këto fjali, që vijnë në përfundim të arsyetimit mbi një  ngjarje që shënon një nga pikat kulmore të romanit “Këneta e vdekjes” të autorit Makensen Bungo, mund të përmblidhet i gjithë kuptimi i tij. Shkurtimisht është shprehur një koncept tepër i gjërë, që kalon shumë caqet e veprës e bëhet sinonim i thelbit të një periudhe historike, të cilën autori i librit dhe brezi i tij e jetuan në gjithë intensitetin e saj. Romani pasqyron jetën e përditëshme në një kamp pune të detyruar, në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist, në Shqipërinë e pas luftës së dytë botërore. Ngjarjet zhvillohen në Vloçisht, ndofta më famëkeqi i kampeve të punës, më mizori, më i eturi për gjak e jetë njerëzish. I vendosur diku, në buzë të kënetës së Maliqit, përballë fshatit me të njëjtin emër, për disa muaj u kthye në një përbindësh të llahtarshëm që çdo ditë bluante trupat dhe shpirtërat e banorëve fatkeqë të tij. Një nga përfaqësuesit më të përkryer të terrorit të kuq shqiptar ishte krejtësisht i shkëputur nga takimet me botën që e rrethonte, ishte një ishull torturash, dhimbjesh e vdekjeje.

Autori i veprës, atëhere djalosh idealist, i dënuar nga gjyqi komunist si “armik i popullit” dhe i dërguar së bashku me shokët e tij normalistë në kampin e shfarosjes, na paraqet me një vërtetësi rrënqethëse mjediset, ngjarjet, personazhet që lëvizin në atë mikrobotë të errët e që shkruajnë në kujtesën e tyre “historinë” e saj. Mbas më shumë se katër dhjetëvjeçarësh ato bëma dalin nga kafazi i blinduar i kujtesës e derdhen në letër, nëpërmjet një pende që i ka vënë vetes një qëllim të shenjtë: të dëshmojë tragjeditë e një kampi shfarosjeje, një “gulagu” në stil të njohur bolshevik, të nderojë kujtimin e atyre dhjetra të rënëve në të, të mbushë një zbrazësirë në njohjen e së vërtetës historike, të masakruar për gjysëm qindvjete.

Në këto synime fisnike duket se udhëhiqet nga mësimet e princit të Danimarkës, kur ai shprehet se “ qëllimi i artit në të gjitha kohët ka qenë t’i tregojë fytyrën e vet virytit, pikturën e vet poshtërsisë…”. “Këneta e vdekjes” është një roman i shkurtër, një vepër arti në gjininë e saj të re në moshë. Eshtë pjellë e dhjetë viteve të fundit, kur shembja e sistemit diktatorial komunist solli domosdoshmërinë e paraqitjes së tij në dritën e vërtetë. Letërsia zyrtare e profesioniste, që kishte qënë zëdhënëse e tij, nuk u tregua e gatëshme t’i paraprijë këtij proçesi. U desh që viktimat e terrorit, që arritën të mbijetojnë mbas kalvarit të gjatë të ndëshkimit proletar, të marrin pendat e t’i venë në shërbim të kujtesës së drobitur nga pesha e viteve dhe vuajtjet fizike e shpirtërore. Kështu lindi një rrymë e re, nje farë neorealizmi i vonë, që kishte si objektiv fotografimin e një realiteti tashmë të tejkaluar nga ngjarjet, por të pranishëm në të gjitha qelizat e jetës së Vendit dhe të banorëve të tij. Kështu panë dritën “ Burgjet e mija”, “Rrno për me tregue”, “Shpellja e vrasjes”, “Këneta e vdekjes”, “Rrugèt e ferrit” e plot libra të tjerë që u bënë si fenerë ndriçues të skutave të errëta të së vërtetës së një regjimi, që e bazoi qënien e tij mbi mashtrimin, padijen e krimin.

Mendoj se në këtë pikëpamje romani i zotit Makensen Bungo meriton një vëmëndje të veçantë për objektivitetin që e karakterizon. Lexuesi ka përshtypjen se shikon një film dokumentar, të xhiruar prej së largu nga një person i tretë, vëzhgues i paanshëm i ngjarjeve që “rrënqethin erën”. Episodet e romanit ndjekin njëri tjetrin në një harmoni të plotë, personazhet lëvizin natyrshëm në përputhje me historinë e tyre, bindjet, formimin moral. Autori hyn në thellësi të ngjarjeve e psikologjisë së tyre, i shmanget retorikës së tepërt, por mundohet të kalojë nën rrezet e gjykimit gjithshka vrojton. Ai është i vetëdijshëm se është i pranishëm në një skenë tragjedish pa fund të shkaktuara nga një regjim mizor, se në këtë skenë zhvillohet në vazhdimësi lufta e përjetëshme ndërmjet së mirës e së keqes.

Në qendër të romanit është historia e pesë të rinjve, shokë shkolle në Normalen e Elbasanit, pjestarë të një organizate jo komuniste me emrin “Shqipëria e lirë”, të arrestuar e të dënuar me pesë, katër e dy vjet burg. Janë të gjithë me ide liberale, në kundërshtim me ideologjinë e regjimit në fuqi, ëndërrojnë një Atdhe të lirë, një popull të përparuar, të bashkuar e të begatë në kufijtë e tij natyrorë. I kanë qëndruar dhunës së hetuesisë e kurtheve të saj. Gjykata ka dënuar me vdekje një nga pjestarët e grupit dhe me burgim të përjetshëm një tjetër. Pesë të tjerët caktohen në kampin e Vloçishtit, për të punuar në tharjen e kënetës së Maliqit, që do të trumbetohej më vonë si një “dhuratë” e vyer e partisë për popullin e Korçës. Ajo kënetë, që do të gëlltiste në llurbën e saj lulen e rinisë intelektuale të Vendit, do të mbetej e “pavdekëshme” në sajë të një romani, që do t’ju servirte shqiptarëve për një kohë të gjatë  një nga mashtrimet e zakonshme të regjimit.

Sopoti, Vullneti, Ahmeti, Hasani dhe Sala vijnë në kënetë nga burgu i Elbasanit e aty gjejnë të tjerë të dënuar nga vende të tjera si Tirana, Korça etj. Kanë në anën e tyre vrullin e rinisë, forcën e karakterit, vetëdijen e gjendjes, ngrohtësinë e çiltërsinë e shoqërisë mes njëri tjetrit, besimin në drejtësinë e idealit dhe në të ardhmen e popullit të tyre. Gjejnë një mjedis mbytës, në të cilin çdo ditë ju duhet të përballohen me punën e rëndë, ushqimin krejtësisht të pamjaftueshëm, kushtet higjenike shkatërruese, shqetësimet për familjet me të cilat kanë humbur çdo lidhje e mbi të gjitha me mizorinë e pashembullt të personelit të kampit. Para të burgosurve ngrihet si një mal misioni i qëndresës. Eshtë një luftë e pabarabartë mes një grushti banditësh që trupëzojnë krimin e kthyer në institucion dhe njëmijë e pesëqind burrave të ndryshëm nga mosha, formimi, niveli, por të ngjajshëm nga fatkeqësia, idealet e karakteri.

Komandant Tasi, togeri, kapterr Zeneli, rreshter Hitoja, tetar Aliu, polic Skënderi janë në garë të vazhdueshme me njëri tjetrin kush shpik torturën më të dhimbëshme për t’a provuar mbi banorët e detyruar të kampit. Ata përfaqësojnë majën e diamantit të “pushtetit të popullit”, partizanët që dolën maleve për “lirinë” e Atdheut. Janë ushtarët më besnikë të revolucionit që do t’i sillte Shqipërisë barazinë, mirëqënien e përparimin. Në të vërtetë janë kampionë të mizorisë, të mungesës së çdo parimi njerëzor, të padijes. Janë automatë të dhunës më të egër, lloje bishash me fytyra njerëzish, xhelatë për të cilët jeta e njeriut nuk ka as vlerën e një pike uji. Janë ata e të ngjajshmit e tyre, me verbërinë e sadizmin që ju shkon për shtat, garancia e sistemit, shtylla kryesore mbi të cilën mbështetet ai. Janë ata ose shokët e tyre “heronjtë e heshtur”, për të cilët një letërsi e tërë shkroi një mori veprash, duke i lartësuar deri në madhështi…

Për ta të burgosurit nuk janë njerëz, nuk janë shqiptarë, nuk janë vëllezër të një gjaku e të një gjuhe, por armiq “jashtëtokësorë” që kërcënojnë “qytetërimin” e tyre. Për ta dhe ata që i mësojnë ata quhen derra të ndyrë, reaksionarë të poshtër, qelbësira, dhelpra plaka, qena, kriminelë, vrasësa, ndyrësira, caristë. Simbas komandantit të kampit, që ishte një gjysëm analfabet me dy klasë shkollë, vëllai i një udhëheqësi të lartë të partisë: “…që të gjithë janë armiq populli. Këta na burgosën, këta na torturuan, na dogjën, na vranë. Njëzet e tetë mijë dëshmorët këta i kanë vrarë. Këta e dogjën dhe e bënë shkrumb e hi Shqipërinë. Këta do t’i paguajnë krimet e tyre. Këtu do t’a lenë lëkurën këta reaksionarë…”

Duke patur këto bindje, këta udhëzime, këtë urrejtje, vetëkuptohet se çfarë trajtimi i është bërë të dënuarve. Episodet e torturave të përshkruara në libër janë të shumta, zbulojnë një egërsi të pashoqe. Rrahjet me shkop, zhytjet në llucë, mbytjet, dënimet pa bukë, fyerjet, vrasjet janë bërë praktikë e përditëshme. Torturat janë në përpjestim me karakterin e të burgosurvet, me personalitetin e tyre, me vendosmërinë për të mos u përkulur. Në këtë drejtim “shpikjet” e policëve në plotfuqinë e tyre pasurojnë rezervën e madhe të torturave “Prodhim Shqipërie”. Kështu përshkruhet pështyrja nga ana e gjithë të dënuarve të njërit prej tyre, më parë të rrahur e të masakruar nga policët, zhytja në baltë deri në grykë e tregëtarëve korçarë, detyrimi peqinasve për të ngrënë bishtat e cigareve e për të rrahur njëri tjetrin, rrahja për vdekje deri në çastin e fundit të një babai në sytë e të birit, lënia në diell lakuriq mbasi ishte zhytur në llurbën e trashë e deri tek mbajtja varur e njeriut në një shtyllë për gjashtë ditë e netë me rradhë. Duket se strumbullari i këtij mjedisi të zi është kapterr Zeneli, për të cilin autori shkruan: “ Gëzimi i atij përbindëshi ishin torturat dhe lumturia për të ishin vuajtjet që u shkaktonte njerëzve. Ai nuk e kuptonte jetën pa dhunë dhe nuk ndiente qetësi, po të mos kishte torturuar, të paktën një njeri në ditë.”

Në qendër të kampit ishte një barakë që mbante emrin “bibliotekë”, ishte vendi i tmerrit ku kapterr Zeneli dhe kolegët e tij “edukonin” nëpërmjet hurit të burgosurit. Emërtimi është maska që fsheh të vërtetën, si “riedukimi” që mbulon shfarosjen. Këto janë aftësitë dhe meritat e një sistemi që, nëpërmjet fasadës së propagandës, ka bërë përkrahës dhe idhtarë në të gjithë botën. Ka prej tyre që ende sot nuk dijnë apo nuk duan të pranojnë se ç’fshihej mbas asaj fasade.

“Këneta e vdekjes” është një pjesë e vogël e atij realiteti që qe diktatura e proletariatit në Shqipëri, një nga më të errëtat e tij. Autori është i vetëdijshëm për të por ka meritën të mos bjerë në prehërin e dëshpërimit. Mesazhi i romanit është optimist, jeta vazhdon dhe nëse forcat e së keqes e të vdekjes duket se kanë epërsinë. Njerëzit nuk arrijnë të zvetënohen shpirtërisht, siç dëshiron diktatura. Ata vuajnë, pësojnë tortura, në ndonjë rast edhe thyhen, në ndonjë tjetër, me një dinjitet të admirueshëm arrijnë deri në vetëflijim, por në përgjithësi qëndrojnë. Eshtë kjo qëndresë filli i padukshëm që përshkon gjithë veprën, siç ka përshkuar jetët e shumë shqiptarëve në këtë gjysëm qindvjete provash të jashtzakonshme. Eshtë kjo qëndresë që autorin e bën të jetë krenar për shokët e vuajtjeve e për popullin e tij, sepse populli nuk mund të njëjtësohet me një grup kriminelësh që koha i solli mbi krye dhe as me veglat e verbëra të tyre.

Qëndresa ndaj dhunës ishte shumëplanëshe. Ajo fillonte me sytë e përlotur të nënave, grave e bijave që shikonin nga larg bijtë, burrat, baballarët, vëllezërit që, të lidhur me zinxhirë, niseshin për rrugë të largëta. Gruaja shqiptare qe, në këtë provë madhore, heroina e vërtetë e kohës e meriton një pjedistal të lartë. Ajo, femra shqiptare, e nëpërkëmbur nga një mendësi prapanike e trashëguar nga pesëqindvjetori osman, tregoi se qe forca e vërtetë jetësore e kësaj shoqërie. Qe ajo që mori përsipër barrën e familjeve pa meshkuj, të rritjes së fëmijëve pa baballarë, të rrugëve me trasta në dorë për t’i çuar pakë shpresë e pak ushqim të hequr nga goja e fëmijëve të afërmëve të dënuar anekënd Shqipërisë. Qe ajo që i qëndroi trysnive nga më të ndryshmet, në të cilat e vinte një sistem që kishte si synim shprishjen morale e gjymtimin fizik të asaj pjese të popullsisë që nuk mund të bëhej e kuqe. Qenë gra shqiptare ato që pësuan burgjet e interrnimet pa fund, të filluara në lulen e moshës e të përfunduara në pleqëri. Ato përballuan punën e rëndë e privacionet pa mbarim në emër të një koncepti nderi e dinjiteti, që prindër të një tjetër kohe ua kishin futur në gjak.

Atyre që njëjtësojnë dukuri të sotme të mbrapshta të një pakice shqiptarësh me popullin tonë, duhet t’u tregojmë me zë të lartë se cila është në të vërtetë gruaja shqiptare, çfarë provash kaloi ajo në të “uruarin komunizëm”. Ja vlen të kujtojmë bashkë me autorin:

“Ç’kanë pësuar këto nëna!

Nuk harrohet llahtaria e tyre, kur u sollën rrobat e djemve nga birucat, të llangosura me gjak! Nuk krahasohet dëshpërimi i tyre, kur mësuan se sa u dënuan djemtë e tyre të pafajshëm! U demaskuan në lagje. I shanë, i përbuzën, i lanë pa punë, i internuan. I përqafuan djemtë vetëm në ëndërrime. U harruan edhe zërin djemve të tyre. Nga vuajtjet u thinjën para kohe; nga tmerret u rrudhën në moshë të re. Çdo thinjë një vuajtje; çdo rrudhë një tmerr. Në çastet e fundit, në agoni, këtyre nënave u mbetën sytë nga dera, duke vështruar se mos vinin djemtë, për t’i parë për herë të fundit. Por ata ishin larg, shumë larg: në Spaç, në Burrel, në Bulqizë, në Ballsh.”.

Qëndresa na shpaloset në roman jo vetëm nëpërmjet durimit të torturave të përditëshme, të urisë, morrave, fyerjeve, shkopinjve, lodhjes, por dhe të mbrojtjes së botës së brëndshme e përbërësve të saj, të respektit ndaj vetes, ndaj shokut, ndaj kujtimeve, ndaj familjarëve, ndaj vlerave të vërteta që i japin kuptimin fjalës “njeri”. Kështu si qirij në errësirën e batakut të mizorisë ndriçojnë dashuria e Sopotit për vajzën mësuese, amaneti i Daut Burmës “ u thuaj djemve të mi se nuk i kam turpëruar asnjëherë… që për mua të mos e mbajnë kokën poshtë”, mbarimi i at Josifit, misionar i fjalës së Krishtit që deri në frymën e fundit ngjallte shpresën në shembjen e regjimit, solidariteti mes njeri tjetrit, ndarja e racionit të bukës apo çajit me shokët e dënuar, ndërgjegja e vrarë e Salës, dorëzimi fshehtas i pakos shokut, etj.

Qëndresa ndaj së keqes nuk është cilësi vetëm e të dënuarve. Për autorin bota është komplekse e ky vizion e bën të dalë nga skemat manikeiste të të parit të realitetit bardh e zi dhe i jep forcë e vërtetësi mesazhit të romanit. Një nga figurat më të goditura e më tërheqëse, ndaj të cilit ja vlen të ndalemi, është ajo e gjeometrit. Eshtë një djalë rreth tridhjet vjeç, që ka qënë partizan e që është bir dëshmori. Eshtë i ngarkuar të drejtojë teknikisht punimet e Vloçishtit. Dikur i ka besuar idesë se komunizmi do të shërojë plagët e njerëzimit e do të sjellë përparimin e Shqipërisë. Idealizmi i tij hyn në krizë kur sheh dhe kupton të vërtetën. Socializmi i tij me “fytyrë njerëzore” thërmohet nën shkopinjtë e policëve mbi trupat e të dënuarve. Sinqeriteti i natyrës së tij nuk mund të pranojë kompromisin e detyrueshëm të të bërit shurdh e qorr. “ Ne luftojmë që të gjithë shqiptarët të jetojnë në paqe si vëllezër” i tingëllojnë ende në veshë fjalët e komisarit kur ishte partizan. Por para syve të tij tetar Aliu i kishte futur thonjtë në fyt një plaku të burgosur, derisa e le të vdekur përtokë gjithë qejf se tashmë kishte “një armik më pak”. Në një rast tjetër arrin t’i ndalojë dorën policit që kërkon të godasë përsëri Sokolin e shtrirë për tokë pa ndjenja nga rrahja. Dyshimi për ndershmërinë e motiveve të luftës, i le vëndin shkëputjes mendore e ideale prej tyre dhe mjedisit që i ka kultivuar e në të cilin është dhe familja e tij. “ Gjeometrit ju kujtuan Vullneti që e pështynë, Sopoti që e torturuan, Ahmeti që e futën në llurbë. Psherëtiu thellë. Në fytyrën e tij u duk një keqardhje e madhe. Tha ngadalë: pse për këto luftuam ne?” (Thonë se të njëjtën shprehje e pati thënë një ish gjeneral e luftëtar i Spanjës, në plenumin e famshëm të Tiranës më 1956, duke treguar fustanin e Nexhmije Hoxhës që ishte ulur pranë tij.)

Shkëputja bëhet fillimisht në familje, në bisedat e ndezura me vëllanë. Megjithëse autori nuk na e thotë drejt për së drejti, ndofta aty nis dhe rrëzimi i tij. Besnikëria ndaj partisë, në kodet e saj,  detyronte paditjen qoftë dhe të vëllait, kur ai nuk është i një mëndje me të. Drama është e fortë por dhe këtu fiton ideja  e qëndresës dhe e ruajtjes me çdo kusht të dinjitetit, qoftë dhe me humbje të mëdha vetiake. Gjeometër Petraqi mbetet njeri, shpreh atë që mendon duke përfunduar i dënuar në rrjeshtat e atyre që do të gërmojnë kanalin e tharjes së kënetës. Eshtë një Andrej Taganov në ton të ulët që, së bashku me polic Tafilin, i cili nuk pranon të vrasë të burgosurin që gabimisht i është drejtuar rrethimit, bëjnë pjesë në atë masë jo të paktë shqiptarësh që u zhgënjyen nga socializmi enverian. Shënjat më të vogla të këtij zhgënjimi patën për pasoja nxjerrjen jashtë rradhëve e jo rrallë përndjekjen politike.

Dukuria e daljes jashtë rradhëve është e pranishme dhe në kahun tjetër. Figurat e Myqeremit, të Salës e ndonjë tjetri dëshmojnë një të vërtetë të provuar: pati dhe nga ata që për arsye të ndryshme, të dhunës, mungesës së karakterit, të dobësive, kushteve familjare, ndjenjave etj., u vunë në shërbim të shtypësve e punuan kundër shokëve të vuajtjeve. Nuk është vetëm dukuri shqiptare, por përpjestimet e saj tek ne lenë gojën e hidhur. Autori i romanit nuk e paraqet në përmasa shqetësuese dukurinë, por ai i referohet një periudhe kohore të shkurtër e të largët. Me kalimin e kohës ajo u bë më e plotë e më e dukëshme, duke lënë pasoja të rënda në marrëdhëniet mes njerëzve deri në ditët tona.

Sado i veçuar nga Vendi e bota kampi i Vloçishtit, ashtu si gjithë Shqipëria, nuk mund të mos pësonte pasojat e ndryshimeve që ndodhnin në majën e piramidës e që lidheshin me zhvillimet e kampit socialist. Ishte viti 1948, kur Informbyroja bëri të njohur raporti e saj, që i ve “vulën e zezë” Titos dhe udhëheqjes jugosllave, të cilët kanë meritën të parët të kërkojnë pavarësinë e mendimit dhe të veprimit nga Moska. Regjimi hoxhist, pagëzuar që në lindje nga të dërguarit e marshallit, që për shtatë vjet kishte qenë në rolin e shërbëtorit të tij  besnik, pëson një tërmet të fuqishëm. Ministri i brendshëm dhe sekretar organizativ i partisë, së bashku me pasuesit e tij, përfundojnë në hekura. Paniku kapi efektivat e Ministrisë së brendshme, ndërmjet të cilëve dhe xhelatët e Vloçishtit, që mundohen të japin përshtypjen se do të ndryshojnë qëndrimin ndaj viktimave të përditëshme të tyre.

“Të burgosurve iu shtuan shpresat se liria nuk ishte më e largët. Ajo kishte filluar të trokiste lehtë dhe ata sikur e shihnin tani në të gjithë bukurinë e saj. Në këtë kamp ata të burgosur vetëm shpresa e lirisë i mbante gjallë, vetëm ajo ua mbante lart moralin. Ata ishin të sigurt se një ditë liria do t’u vinte, do t’i buzëqeshte, do t’i përqafonte; shpresa e lirisë herë zgjohej, herë dremiste në ndërgjegjen e tyre, po kurrë nuk shuhej. Tani ajo u zgjua…”

U duk sikur ajri ndryshoi e të dënuarit filluan të mendojnë për kthimin në shtëpitë e tyre. Por kjo frymë nuk zgjati shumë e dhuna rifilloi kursin e saj. Sa herë në atë gjysëm qindvjete u ndërsjelltuan shpresat me zhgënjimet. Pothuajse gjithmonë këto ndryshime humori përkonin me çaste të ashtuquajtura “solemne” të historisë së Partisë-Shtet, si prishje marrëdhëniesh me vëllezërit e mëdhenj, kongrese apo vdekje të çudiçme drejtuesish të lartë. Në të gjitha këto çaste secili bënte llogarinë në vetvete mbi atë që kishte për të dhënë apo për të marrë, nëse ndryshimi do të sillte një kohë tjetër, mbasi komunizmi i kishte kthyer shqiptarët në huazues krimesh e huajtës dhimbjesh. Në bisedat e të burgosurve shpalosej mëdyshja e veprimit të mundshëm në çastin kur xhelatët do të humbnin pushtetin. Mjegulla e hakmarrjes turbullonte shpirtërat e Zenelit me shokë që ishin të vetëdijshëm se sa thellë kishin hyrë në llumin e krimeve.

“ Kapterr Zeneli e humbi trimërinë e mëparëshme… Nuk u bërtiste të burgosurve si më parë….Kishte filluar të mos qëllonte më.. Nuk dënonte më kot. Nuk linte më njeri pa drekë. Kishte hequr dorë nga torturat në bibliotekë. Po e vriste ndërgjegja, apo i lindi frika e hakmarrjes?..”

Zenelët do të kuptonin se sa shpirtmëdhenj ishin viktimat e dhunës së tyre vetëm atëhere kur dielli i tyre perëndoi e kur asnjërit prej tyre nuk i hyri as ferra në këmbë prej tyre. Por dhe atëhere,

në poshtërsinë e tyre, nuk patën kurajon t’a njohin këtë fakt e të kërkonin faljen, për të vdekur të pajtuar me ndërgjegjen e tyre të krimbur ose më mirë të paqenë… Ndërsa Sopoti me shokë lirinë e donin për të shpëtuar nga ferri, në të cilin vegjetonin, për t’u kthyer në familjet, për të bërë një jetë normale, për të shkruar e për të luftuar” …që kjo ideologji shkatërruese të shfaroset nga vendi ynë dhe në Shqipëri të vendoset një demokraci e vërtetë.”

Mjerisht, për ta ato ditë ishin tepër të largëta, ndërsa ju desh të përballonin tragjeditë e vdekjes së shokëve. Vullneti, i dërmuar nga ndëshkimet pa arsye, viktimë e poshtërsisë së karakterit të një të burgosuri spiun që, për inate vetiake, shkarkonte mbi të gjithë mërinë e dhunën e komandës. Nuk mundi më të përballojë fizikisht e psiqikisht të keqen. Bota ju errësua në lulen e rinisë, sythet e shpresës u venitën, nëna dhe motra e vogël që prisnin në shtëpi nuk patën fuqi t’i forconin durimin e qëndresës. Kështu një natë të vonë, ndërsa shokët flinin, në vetmi, i ngushëlluar vetëm nga tymi i duhanit, ai mori vendimin fatal. Ju drejtua telave të rrethimit, nga ku breshëria e plumbave të  “guardianit të revolucionit” do t’a niste për në botën e përtejme.

Tepër i trishtueshëm është dhe rasti i Salës. Ndërgjegja e vrarë për pozitën e vet prej spiuni të komandës fiton mbi përfitimet që i vijnë nga ai shërbim. Ai e quan të padenjë jetën e tij e, në vetvete vendos t’a ndërpresë atë. Kapitulli i veprës, që përshkruan tragjedinë e tij, ndër më të bukurit e më prekësit e romanit, titullohet “Martesa”. Ajo na sjell ndër mënd një këngë popullore të kurbetit: “ Në të pyettë nëna për mua Thoni djali t’u martua Në të pyettë se ç’nuse muar Mori dy plumba në kraharuar…” Para martesës, siç e quan me qesëndi ai vdekjen, ndjeu nevojën  të takojë shokët, me të cilët marrëdhëniet ishin ftohur mbas ndryshimit të tij. Vetëdija e fajit, e poshtërimit, e shkeljes së parimeve, të idealit, të besës shkaktojnë dhimbje të papërballueshme. Para se të paraqitet në gjyqin më të lartë Sala ndjen nevojën e brëndshme të rrëfehet me shokët. Kështu ai thyen akullin e shkon e ulet në mes të Sopotit e Hasanit, shokëve të shkollës, të hetuesisë, të gjyqit. Ju flet atyre me zemër në dorë:”…Por dijeni, ama, se këtë punë të ndyrë unë kurrë nuk e kam bërë me dëshirë, por vetëm nga e keqja, nga vuajtjet, nga tmerri. Unë nuk rezistova dot. U përkula, u mposhta, u zhyta në llumin e turpit….Por dijeni mirë se për ju nuk kam thënë asnjë fjalë të keqe, asnjë, asnjëherë. Edhe më kanë frikësuar për ju, edhe më kanë rrahur, edhe më kanë torturuar, por nga goja ime nuk ka dalë ndonjë fjalë për ju. Asnjë. Për të tjerët kam thënë, por jo ndonjë fjalë që t’i rëndonte, kurrë, në asnjë rast. Këtë e di Zoti që është lart në qiell…”

Sala i penduar, gjykatës i paashëm e i rreptë i vetvetes, kërkon faljen e shokëve. Burrëria shqiptare e njerëzore ndoshta sugjeron këtë zgjidhje si më të mirën e gjykimeve mbi këto plagë të hapura që na ka lënë ende një e shkuar e dhimbëshme e shpesh e turpëshme. Shokët e falin, e quajnë përsëri shok, e fusin në gjirin e tyre. Për të ky gjest është shelbues dhe e bën që të shkojë  i qetë drejt “ nuses shumë të bukur, yll e hënë, të veshur me të bardha”,  drejt së panjohurës “ nga s’na u kthye kurrë udhëtari”. Eshtë një skenë tragjike, e denjë për penelin e një Goje: Sala hedh hapat drejt telave, shokët të shtangur i luten të kthehen, ndërsa ai vazhdon duke kënduar “ këngën e mjellmës”. “ Unë kurrë s’kam qënë i poshtër. Kurrë! Të lig e të poshtër më bëri komunizmi. Vëllezër! Kurrë mos e harroni komunizmin ! Kurrë!” Eshtë porosia e fundit e një njeriu, të cilin regjimi në të cilin jetoi, i shkatërroi gjithshka, i vrau respektin për veten, i mori jetën në lulen e moshës. Mesazhi i kësaj skene është tepër i fortë. Ai i ngjan një simfonie bethoveniane që nuk njeh kufij kohe e hapësire, që hyn thellë në shpirt e bën të mendosh gjatë mbi thelbin e saj.

“Mallkimi i nënës” titullohet kapitulli i fundit i romanit. Éshtë meritë e autorit që, nga ana emocionale dhe artistike, romani shkon në rritje. “Një tis dëbore po shtretëzohej edhe mbi kënetë. Ata punonin në mes të kënetës së ngrirë si fantazma dhe në kamp ecnin ngadalë, të heshtur, të raskapitur, si hije në muzg. Të moshuarit filluan të lenë amanetet e fundit…”

Në këtë pjesë jepet bukur ideja e një diçkaje që shkon drejt fundit. Afrimi i dimrit bën të pamundur vazhdimin e punimeve. Të burgosurit gëzohen kur marrin vesh se do të kthehen në burg, në dhomat e paajrosura e të qelbura. Atje nuk do të kenë për detyrë normën e përditëshme, as për dënim të përditshëm shkopinjtë e policëve. Por fytyrat e tyre nuk e shprehin gëzimin. Shikimet e tyre treten lart në qiell, madhështinë e të cilit do t’a dëshërojnë, e poshtë nën tokë ku duan të përshëndeten me shokët e mbetur përjetë aty, në baltën e kënetës.

Ata, të rënët e baltrave të Maliqit, ishin kurbanët që duhej t’i thereshin tharjes së kënetës, siç ishin të tjerë që u flijuan në të tjera kampe, në të tjera “vepra të socializmit”. Numuri i tyre është i panjohur, siç janë të panjohura dhe varret e tyre, siç është e panjohur për pjesën më të madhe të shqiptarëve dhe historia e tyre.

  • I lamë në këtë kënetë, por jo për t’i harruar.
  • Me siguri do të vijë një ditë që ata do të kujtohen.
  • Dhe populli do të ngrejë një memorial.

Se sa profetike ishin këto parashikime të shokëve që mbijetuan mund të vërtetohet nga fakti

se asnjë përmendore nuk u ngrit për ta, asnjë rrugë apo shkollë në Shqipëri nuk mban emrin e tyre. Ata mbetën “armiq” siç mbetën “heronj” varrmihësit e tyre. Shqipëria zyrtare “demokratike” e njehsoi historinë e tyre me disa letra… pa vlerë. Madje dhe Europa tërthorazi na thotë se kujtimi i tyre nuk i shërbeka ecjes përpara, mbasi kujtesa historike duhet të funksionojë, por për viktimat e nazifashizmit…

Ata mbetën në kujtesën e shokëve, të bashkëvuajtësve, të familiarëve, por dhe në kujtesën e Kombit, mbasi Kombi është i përjetshëm. Kësaj kujtese i shërben dhe romani i zotit Makensen Bungo, që përfundon me një mallkim, me mallkimin e një nëne, e nënës së Vullnetit, që nuk u kthye me shokët në burg, që mbeti larg, përtej urës së Qabesë të Shqipërisë komuniste.

Romani ja ka arritur qëllimit në tërësinë e tij. Ai e ka realizuar porosinë e Hamletit. Lexuesi ngulit në mëndje një të vërtetë të hidhur , të trishtuar, por gjithmonë një të vërtetë, larg paçavureve të një tjetër “Kënete”, që mund të quhet një manual i përsosur dizinformimi. Jam i mendimit se përkthimi e botimi në gjuhë të huaja do të ishte mjaft i dobishëm. “Këneta e vdekjes” , me stilin e saj realist e dinjitoz, do të shërbente për të shpërndarë mjegullnajën e mashtrimit që mbulon të vërtetën e një epoke. Më duket e udhës të falënderojmë shkrimtarin për punën e tij të lëvdueshme e të urojmë që sa më shumë vepra të këtij lloji të shohin dritën në letrat shqipe.

                                                                                                                                                Maj 2002

 

Filed Under: Analiza Tagged With: DHUNA DHE DINJITETI, Eugen Merlika, Keneta e Vdekjes, Makensen Bungo

Le ta heqim qafe Serbinë një herë e mirë!

September 18, 2018 by dgreca

Letër e hapur e Avokatit shqiptar në Nju Jork z. Sokol Braha-ish sekretar i Misionit Shqiptar pranë OKB(për Kosovën), drejtuar Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës/

1 avokati BrahaTë nderuar z. President dhe z. Kryeministër,

Ju uroj shëndet të mirë dhe fatmirësi në detyrat tuaja.

Kjo letër që po ju drejtoj juve nuk është në të mirën time personale pasi e di se këto që do të shkruaj më poshtë nuk pëlqehen nga shumica e klientëve të mi.  Por, si shqiptar, si stërnip në Kosovë, dhe si një ish-diplomat i cili ka punuar për çështjen e Kosovës në një kohë, e ndiej si detyrim që t’i themhapur ato çfarë mendoj për bisedimet Kosovë-Serbi. Unë e mbështes idenë për korrigjimin e kufijve me Serbinë.  Një marrëveshje për kufijtë e rinj mes dy shteteve dhe me garancinëndërkombëtare të BE është e vetmja mënyrë për ta hequr qafe kontrollin Serb të Kosovës.  Ja argumentet e mia.

Për mendimin tim, Kosova duhet të ketë 3 objektiva strategjikë në dialogun me Serbinë:

  • Forcimi i sigurisë kombëtare
  • Ndalimi i përpjekjeve të Serbisë për izolimin e Kosovës
  • Hapja e perspektivës së Kosovës për bashkimin me Shqipërinë.

Realizimi i sejcilit nga këto objektiva nuk mund të bëhet pa heqjen qafe të kontrollit Serb të Kosovës.

1.

Forcimi iSigurisë kombëtare nuk do të jetë realitet për aq kohë sa Serbia–një vend kufitar dhe me pretendime territoriale — nuk e njeh Kosovën. Prandaj, njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pika kryesore e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.  Po flitet për forma inferioretë njohjes si “njohje e nënkuptuar” “njohje në fakt” etj…  Mos pranoni asnjë nga këto!  Serbia e ka njohur Kosovën ne fakt (de facto) me kohë përderisa ka pranuar të bëjë bisedimeme të apo të ulet në të njëjtën tryezë në forumet rajonale.  E vetmja njohje që duhet të pranoni është njohja ligjore, de jure, e qartë, pa kushte.

Por, njohja në vetvete nuk çon nësigurinë kombëtare.  Përderisa një grusht Serbëshnga veriu kontrollojnë Kushtetutën (nuk bëjmë një ndryshim kushtetues pa pëlqimin e tyre);kontrollojnë forimimin e Qeverisë në Kosovë (për shkak të luftës politikemes partive shqiptare, ne nuk mund të kemi një Qeveri në Kosovëpa bekimin e deputetëve Serbë).  Serbia e ka përdorurveriun si Kalin e Trojës, për të kontrolluar dhe dominuar jetën politike të Kosovës.  Kosova nuk është e pavarur pasipa pëlqimin e Serbëve nuk mund të bëjë asgjë substanciale në aspektin e brendëshëm apo atë ndërkombëtar.  Ne dëbuam një qeveritar Serb të paskrupull dhe Serbia ngriti avionë luftarakë në qiell!  Me fjalë të tjera, Serbët e veriut janë dora e zgjatur e Beogradit.  Le ta presim këtë dorë!  Shkëputja e veriut nga Kosova siguron pavarësinë e vërtetë të Kosovës.

As gjeneratat e ardhshme politike Serbe në Beograd nuk do të heqindorë nga kontrolli iKosovës përmes veriut.  Pra, koha nuk do ta shërojë problemin tonë, kontrollin Serb të Kosovës. Pse?  Sepse, ne çdo katër vjet, kohe zgjedhjesh, problemi i  Kosovës (apo të drejtat e Serbëve në Kosovë) do të jenë objekt ifushatës zgjedhore në Serbi.  Si rrjedhoje, trysnia politike atje do te reflektohet tek udhëheqësit Serbë në veriun e Kosovës dhe kjo do të ketë pasoja në qëndrimin e tyre në proçeset politike në Kosovë.  Pra, ne mbetemi peng iSerbëve, peng ipolitikës së brendshme të Serbisë.  Edhe kur Serbia te jetë anëtare e BE, në çdo katër vjet fushatat atje do te ndizen, dhe Kosova do të jetë në zemër të fushatave –kuptohet për vota bëhet kjo.  Por, do të jetë një problem real.

As dhënia e autonomisë së gjërë për veriun nuk e zgjidh këtë problem. Përkundrazi, ja rrit më shumë, ligjërisht, rolin faktorit serb për kontrollin e Kosovës.  Aq më keq mundësia e një republike si ajo e Bosnjës që do ta bënte Kosovën një shtet jofunksional, përgjithmonë.  Ju të dy e keni në dorë që mos t’ua lini hijen Serbe gjeneratave të ardhshme shqiptare të Kosovës.

Kundërshtuesit e idesë së kufijve të rinj me Serbinë deri tani nuk kanë paraqitur asnjë argument të besueshëm që ka të bëjë me interest e shqiptareve.  Asnjë.  Përkundrazi, ata shqetësohen për fatin e Bosnjës dhe Maqedonisë.  Madje arrijnë të thonë edhe të pavërtetën e madhe se ndryshimi ikufijve është indaluar.  Apo teza tjetër qesharake se ndryshimiikufijve e dobëson sovranitetin e Kosovës.  Aspak fare!  Në të drejtën ndërkombëtare ndalohet ndryshimi ikufijve me dhunë.  Nuk ndalohet ndryshimi ikufijve në mënyrë paqësore, siç parashikohet ndryshimi ikufijve me Serbinë.  Po kështu, marrëveshja per kufijtë e rinj veçse është tregues isovranitetit të Kosovës, si një shtet që është ilirë të bëjë marrëveshje të tilla.  Shtetet josovrane nuk janë në gjendje të bëjnë marrëveshje me shtete te tjera, aq më tepër për ndryshim kufijsh.  Pra, mos bini në grackën e të tjerëve, mos u gënjeni nga deklarimet e të huajve apo të bashkëkombësve tanë –pavarësisht nga emir imadh që kanë.

Po thonë disa se juve nuk e keni te drejtën kushtetuese të bëni marrëveshje për ndryshim kufijsh.  Kushtetuta ju lejon juve dhe Qeverisë të përfaqësoni Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare.  Marrëveshja për kufijtë duhet të pranohet me miratim përkatës në Kuvend ose me referendum, me të gjitha atributet e një ndryshimi kushtetues.  Të gjitha kushtetutat moderne të shteteve sanksionojnë se kufijtë janë të paprekshëm, të pandryshueshëm apo fraza të tjera si këto. Por, në praktikë, ka pasur dhe do të ketë ndryshim kufijsh: janë shpërbërë shtete (shihni ish-BRSS, Cekosllovakia) – me marrëveshje; janë bashkuar shtete (dy Gjermanitë) – me marrëveshje.  Në të gjitha këto raste, kushtetutat respektive kanë sanksionuar shtetin në kufijtë përkatës.  Përsëri, duke deklaruar se kufijtë janë të pacenueshëm etj… Pra, nuk ka ndonjë shkelje të kushtetutës.  Por, populli duhet sqaruar për këto paraprakisht dhe kështu politikanët hileqare të mos kenë mundësinë të operojnë me djallëzi, thjeshtë për qëllime politike sa për të sabotuar Qeverinë.

Sa për Bosnjën apo Maqedoninë, le të kujdesen të tjerët për fatin e tyre!  Në rast se Serbët në Bosnje duan të shkëputen dhe të bashkohen me Serbinë, pse Europa demokratike dëshiron t’indalojë?  Shkëputja e Serbëve nga Bosnja ijep përfundimisht atij vendi lirinë. Serbët, ose më qartë, hija e tyre, po imerr frymën atij vendi.  Po Shqiptarët e Maqedonisë?  Pse Europa shqetësohet për Maqedoninë?  Sepse e di Europa se Shqiptarët në atë shtet trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, madje në disa aspekte fare si shtetas të huaj (mori gati dy dekada të flasin nëgjuhën e nënësnë parlament, u desh gjakderdhje per një universitet). Pra, nuk është ndryshimi ikufijve Kosovë-Serbi që do të sjellë probleme. Janë problemet e ngrira, ato që Europa ika ngrirë, që përbëjnë rrezikun e vërtetë.  Mos më besoni mua.  Thjeshtë kujtoni parullat bombastike në kohën e pavarësisë së Kosovës, kur thuhej se po hapet “Kutia e Pandorës” me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e njohu ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.  U mbush shtypi, u lodhën analistët e huaj (njëlloj si tani) duke alarmuar se po merr fund Bota, do tëketë luftëra etnike, ndërshtetërore etj… për pavarësi.  Nuk ndodhi asgjë!  Le të jemi të zgjuar, dhe të mos biem viktimë e britmave të tyre, përsëri, me daullet e vjetratë “rrezikut”.

Ndryshimin e kufijve shikojeni edhe në planin moral.  Në rast se Serbët e veriut nuk duan të rrinë me Shqiptarët, kush jemi ne që t’imbajmë me zor nën “zgjedhën” tonë?  A nuk vuajtëm ne për gati një shekull sepse u mbajtëm me zor nën zgjedhën Serbe?  Ne jemi njerëzit e Nënë Terezës, Shenjtores!  Në rast se Serbët e veriut duan të bashkohen me Serbiën, le t’u themi Po. Me këtë ata që na japin leksione për vlerat demokratike, multietnike etj…, do ta marrin mësimin tonë të thjeshtë. Përderisa Shqiptarët në Luginë duan të bashkohen me Kosovën, kush jemi ne që të mos ipranojmë?  Kush është Serbia që t’u thote Jo?

Unë mendoj se vizioni juaj z. President Thaqi është vizion historik, afatgjatë, i drejtë dhe pragmatik.  Lutem që z. Kryeministër Haradinaj ta përqafojë këtë vizion.  Unë jam ibindur se z. Haradinaj e di fort mirë se çfarë është në të mirën e Shqiptarëve.  Zoti Haradinaj, unë ju adhuroj si luftëtar ilavdishëm iKosovës, dhe si udhëheqës politik icili vë interesat e vendit para interesave personale dhe partiake.  Ju bëj thirrje të bashkoheni, publikisht, në vizionin e Presidentit!  Dilni të dy bashkë në këtë!

Marrëdhëniet e mira me Serbinë që mund të bëhen realitet në rast se arrihet vendosja e kufijve të rinj është bazë afatgjate për sigurinë e Kosovës.  Nuk duhet të kemi iluzione se NATO apo ndonjë tjetër do të mbrojë Kosovënpa afat, do të garantojë sigurinë e brendshme apo ndërkombëtare të Kosovës, pa afat.  Strukturat ndërkombëtare të sigurisë, siç janë NATO, ndryshojnë me kalimin e kohës.  Dhe, sidmos aftësia e tyre për veprim varet nga faktorët e brendshëm politikë të shteteve anëtare.  Po kështu, faktorë të tjerë ndërkombëtarë ndryshojnë: shihni se si po fuqizohet Rusia, shihni sipo fuqizohet Kina, shihni si po fuqizohet elementi nacionalist në Europë dhe në SHBA –në dëm të ndihmës ndërkombëtare për të tjerët.  Edhe BE do të dobësohet ose do ët transformohet në një organizatë më të decentralizuar dhe do të preokupohet me valën e emigracionit nga Lindja e Mesme dhe gjetkë.  Kosova do të bjerë si prioritet.  Pra, duhet të mendojmë për të ardhmen.

Marrëdhëniet e mira me Serbinë do të sjellin dobësimin e ndikimit të Rusisë në qëndrimet ndërkombëtare të Serbisë.  Sepse Serbia nuk do të ketë më nevojë për një mik të madh.  Një Serbi pa problememe fqinjët dhe anëtare e BE, nuk do të ketë nevojë për Nënën Rusi.  Ky do të jetë një përfitim për gjithë rajonin e Ballkanit.

Tani është koha më e përshtatshme dhe ndoshta shansi ivetëm historik që Kosova të marrë lëshime maksimale nga Serbia.  Sepse për hir të anëtarësimit të saj në BE, Serbia ështëe detyruar të bëjë marrëveshje me Kosovën për normailizmin e marrëdhënieve mes dy shteteve.  Pra, mos pranoni asnjë njohje tjetër, përveç njohjes se shprehur, pa ekuivoke dhe pa kushte!

2.

Heqja e izolimit ndërkombëtar të Kosovës.  Njohja e Kosovës nga Serbia nuk do të ishte efikas në rast se ai shtet vazhdon përpjekjet sistematike (lobimi) kundër njohjes së Kosovës nga shtete të tjera, kundër anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.  Në marrëvshjenSerbi-Kosovë, me garantimin (nënshkrimin) e BE, të shkruhet qartë se Serbia nuk do të bëhet pengesë për njohjen e Kosovës nga shtete të tjera, nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e sistemit të OKB-së, nuk do të vendosë veton për pranimin e Kosovës në BE.  Mos bëni asnjë lëshim në këtë!  Serbia do të duhet të pranojë dhe e pranon këtë në Marrëveshje.  Njohja e Kosovës nga Serbia do t’ihapë rrugë një valenjohjesh nga shumë shtete që nuk e bëjnë një gjë të tillë thjeshtë për shkak të presionit Serb.

Nuk duhet mbivlerësuar rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në OKB.  Është diçka e dëshirueshme dhe të jetë në objektivin tonëafatgjatë.  Do të realizohet me kohë jo tani.  Sic dihet, anëtarësimi në OKB nuk është garanci për ekzistencën e një shteti. Por, në përgjithesi shihet si një konsolidim i pavarësisë së një vendi. Për anëtarësim të Kosovës në OKB duhet të mënjanohet vetoja e Rusisë (nënkuptoj se Kina do të qëndrojë jashtë këtij problem Europian, pra, nuk parashikoj veto Kineze).  Duke zgjidhur njëhere e mirë problemin me Shqiptarëtdhe duke u bërë anëtare nëBE, Serbia do tëketë shumë pak ose aspk nevojëpër Rusinë.  Dhe udhqëheqësit Serbë e dinë se Rusia ka interesat e saj, politika e saj a jashtme nuk përckatohet nga interesat e Serbisë.  Por, të paktën, nga ana praktike, Rusia nuk do të jetë në gjendje që t’ikërkojë koncensione Serbisë me kushtin që ajo (Rusia) të mbajë një qëndrim pro-Serb lidhur me Kosovën.  Sepse nuk do të ketë më qëndrim proSerb; vetë Serbia ka hequr dorë nga Kosova; të dyja këto vende do të jenë në BE; Shqiptarët dhe Serbët do tëvendosin marrëdhënie model tëshkëlqyera shumëshpejt.  Përkundrazi, mbajtja e veriut nën juridiksionin e Kosovës do të vazhdojë të ushqejë nevojën e Serbisë për mbështjetje ruse, pra edhe rolin e Rusisë për veto në OKB.

Pra, me më shumë rëndësi do të jetë pranimi si detyrim ligjor iSerbisë se nuk do të vendosë veton për anëtaresimin e Kosovës në BE dhe se nuk do të bëhet pengesë për njohjen e Kosovës nga shtete të tjera.

3.

Hapja e perspektivës së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Bashkimi kombëtar nuk është më vetëm një aspiratë e Rilindasve apo një dëshirë folklorike.  Në këtë shekull janë krijuar të gjitha kushtet që kjo të bëhet realitet.  Por për aq kohë sa Serbët e veriut të jenë nënjuridiksionin e Kosovës, nuk kabashkim.  Të paktën, nuk ka bashkim në mënyrë paqësore. Në rast se sot bëhet bashkimi iKosovës me Shqipërinë, të nesërmen Serbët e veriut do të deklarojnë bashkimin me Serbinë.  Dhe bota, përfshirë edhe miqtë tanë,do të jetëme Serbët.  Mos të kemi iluzione për këtë.

Pyetja shtrohet, a e duam ne bashkimin.  Besoj se shumica e kombit shqiptar e dëshiron bashkimin kombëtar.  Do të jetë jo vetëm bashkim shpirtëror, por do të bashkohen burimet natyrore, njerezore dhe financiare.  Do te rritet mundësia e kombit për përparim dhe përfitim në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare.  Tregu shqiptar do të zgjerohet dhe do të bëhet i lakmueshëm.  Mundësitë tona prodhuese të brendshme do të zgjerohen.  Bashkimi është një e drejtë e jona natyrore dhe do të jetë një ngjarje e mirë për ne.   Me një shtet të fortë shqiptar në Ballkan do të stabilizohet rajoni për shekuj me rradhë në të ardhmen.  Rusia do ta ketë të vështirë të luajë rol destablizuespa një Serbi që ja ka nevojën.  Serbët në një Serbi të madhe më në fund do t’ikthejnë sytë nga vetjadhe do të reformohen si komb.  Pra, nuk do të ketë probleme sigurie në Ballkan.

Dihet se bashkimi iShqipërisë me Kosovën përbën një problem politik për udhëheqësit në të dyja anët e kufirit.  Një Shqipëri e madhe do ta prishë spektrin politik të partive, do t’ua prishë rehatinë politikanëve dhe grupeve të interesit.  Një politikan nga Peja icili dëshiron të zgjidhet në poste qendrore tani do të duhet të flasë dhe të premtojë të mira për një qytetar nga Elbasani apo Saranda.  Anasjelltas, një politikan nga Vlora me ambicje kombëtare do të bëjë fushatë për të fituar zemrat e votuesve nga Podujeva apo Kaçaniku.  Pra, ju prishet rehatia politikanëve.  Ku janë ata politikanë të cilët kanë folur me zë të lartë për bashkim kombëtar, por tani po dalin kundër idesë së shkëmbimit të territoreve!  Këtu, unë lavdëroj Presidentin Thaqi, icili e di se pozita drejtuese e tij dhe e partisë së tij lekundet ne një Shqipëri etnike.  Por, pavarësisht kësaj, ju z. President keni vendosur të mbani një qëndrim që është në të mirën afatgjatë të kombit tonë.  Ndonëse nuk flisni hapur për bashkimin, ju jeni për zgjidhjen e problemeve territorialeme Serbinë.  Ju përgëzoj! Punoni të dy bashke, z. President dhe z. Kryeministër!

Të nderuar z. President dhe z. Kryeministër,

Shkëmbimi iterritoreve është një proçes idhimbshëm në praktikë sepse prek direkt jetën e mijëra njerëzve: Shqiptarë dhe Serbë.  Do të ketë lëvizje të popullsisë.  Për këtë, mendoj se duhet që t’ikërkohet garanci financiare BE që të financojë lëvizjen e popullsisë aty ku është e nevojshme.  Nuk besoj se çdo shqiptar që mbetet në pjesën nënjuridiksion të Serbisë të dëshirojë të zhvendoset dhe të bjerë në juridiksionin e Kosovës; por shumë do të duan, sidomos në fshatra ose qytetet të përziera etnikisht. Për ata të cilët duan të zhvendosen, të dy qeveritë dhe BE duhet të caktojnë fond të përshtatshëm financiar dhe logjistikë institucionalepër ta bërë me sa më pak dhimbje.

Lëvizjet e popullsisë nuk janë të panjohura.  Portë mos dramatizohet problemi si diçka tragjike apo katastrofike.  Nëjetën e sotme ka lëvizje masive të popullsisë për arësye të fatkeqësive natyrore, ka lëvizje për shkak të urdhërit të qeverisë, për shkak të luftërave civile, per arësye ekonomike.  Ne e dimë vuajtjen e popullit Shqiptar të Kosovës në kohën e luftëskuru dëbua me forcë nga trojet e të parëvenën kërcënimin për shfarosje totale.  Rikthimi masiv në Kosovë ishte një çudi për të huajt, por jo për ne.  Sot popullsia e Kosovës është stabilizuar, rindërtimi ivendit të shkatërruar u bë.  Shpërngulje masive në kohë paqeje kemi pasur edhe në anën tjetër të kufirit, në Shqipëriku unë linda dhe u rrita.  Për shembull,me ngritjen e hidrocentraleve nëlumin Drin, u permbyten sasi te mëdha toke, dhjetra fshatra si dhe qyteti iKukësit.  Mijëra banorë lanë shtëpitë dhe tokat e të parëve, lanë rehatinë, dhe u detyruan me urdhër qeverie (qeveria komuniste atëherë) të vendosennë vendbanime të reja të ndërtuara posaçërisht për këtë.  Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri filluan konfliktet e tokës.  Këta banorë të shpërngulur për shkak të përmbytjeve tani iu nënshtruan një presioni të ridhe u detyruan përsëri të shpërngulen.  Me mijëra ikën nga zonat veriore, sidomos Kukes dhe Pukë, dhe u vendosën në zonën e Durrësit.  Tepër idhimbshëm ka qenë ky proçes, por pas dy dekadash, popullsia është stabilizuar, dhe jeta vazhdon si kudotjetër në Shqipëri.  Unë jam njëri prej atyre qëmëshpërngulënnga një fshat shumë ibukur dhe ishëndetshëm në breg të Drinit të Zi dhe më sollën në një fshat të ri afër qytetit të Kukësit; dhe 10 vjet më vonë u detyruam të lëvizim përsëri për në Shqipërinë e Mesme.  Askujt nuk ja dëshiroj këtë!  Por, kur të ndodhë, uroj që lëvizja e njerëzve të jetë me sa më pak dhimbje.  Pra, udhqëheqës të Kosovës, tregohuni zemërmirë dhe të dhembshur për vuajtjet që do të sjellë shkëmbimi iterritoreve për një pjesë të popullsisë shqiptare.  Por mos u ligështoni.  Insistoni në mbështetjen e BE që projektet e ndërtimit dhe të infrastrukturës të financohen nga BE.  Nuk është shumë e madhebuxhetore për BE.  Sa për juve, si udhëheqës të popullit ju keni për detyrë që dhurata e BE të mos keqpërdoret.  Ndaloni korrupsionin kategorikisht!

Shumë po flitet se shkëputja e veriut do ta lërë Kosovën të varfër sepse do t’iheqë shumë burime natyrore dhe do ta dëmtojë mbijetesën ekonomike të vendit. Unë nuk jam ekonomist dhe nuk pretendoj të di shumë gjëra për pasuritë e Kosovës.  Por e di se ka plot 20 vjet që nga lufta me 1998 që Kosova nu ka qenë në gjendje të shfrytëzojë më efikasitet pasuritë e saj.  Dhe kjo është kryesisht për shkak të konfliktit të ngrirë në veri dhe reflektimi i këtij konflikti në marrëdhëniet me Serbinë.  Po kështu,e di se nuk ka ndonjë shpresë për ndonjë përfitim nga këto pasurinëntokësore dhe mbitokësorepo të vazhdojë kjo situatë politike në Veri,ku autoriteti qendror njihet vetëm në letër dhe jo në fakt.  Dhe, unë po ashtu e di se mirëqenia ekonomike në një shtet nuk varet së pari nga burimet natyrore por nga qeverisja dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të një shteti. Si shembull, mos shihni larg, thjeshtë drejtoni sytë nga Shqipëria jonë: është nga vendet më të pasura me burime minerare, ujore, pyjore (këto të masakruar shumë nga njeriu), me popullsi të re, me nje vijë bregdetare për t’ja pasur zili gjithë bota.  Atëherem, pse jemi më të varfërit në Europë?  Pra, le të mos hipnotizohemi.  Të shohim përpara.  Kosova ka burime të mjaftueshme për jetë të begatë; ka popullsi të re dhe tepër dinamike dhe të përparuar, do t’ihapen tregjet europiane me marrëdhëniet e reja me Serbinë.  Gjërat do të jenë shumë më mirë.

Kuptohet, duke pasur parasysh se tani është koha që tëmarrimpërfitimet maksimale nga një marrëveshje Kosovë-Serbi, ju duhet të këmbëngulni në rregullimin e disa aspekteve që kanë të bëjnë me pasuritë.  Mund të flitet për ndonjë kompensim financiar, përshfrytëzim të përbashkët të pasurive ujore etj…. Me njohjen recirpoke, me zgjidhjen e pretendimeve territorialetë Serbisë, marrëdhëniet do të përmirësohen në atë masë sa do të jetë krejtësisht e mundur që të ketë përfitime për ne edhe në aspektin e burimeve natyrore.

Të dashur miq,

Ju keni pranuar të bëni bisedime me udhëheqësit e Serbisë, një gjë shumë e mirë.  Por, me këtë ju keni pranuar që të tregoni mirëkuptim për pozitën e palës tjetër, dhe të bëni lëshime.  Përndryshe, bisedimet nuk kanë kuptim.  Nuk ka bisedime me përfitim të njëanshëm, me një palë fituese dhe palë të mundur.  Bisedime të tilla janë me rezultate afatshkurtëra dhe të paqëndrueshme. Historia është e mbushur me shembuj të dështimit të marrëveshjeve sepse kanë qenë të padrejta, osefare të njëanshme,të pabalancuara.

Udhëheqësit Serbë të rinj apo të vjetër e dinë fort mirë se marrja e veriut të Kosovës sjell humbjen përfundimtare të kontrollit Serb të Kosovës, apo “humbjen e Kosovës”siç thonë Serbët.  Ata e dinë se nuk do të mund të kontrollojnë më miratimin e ligjeve në Kosovë; nuk do të mund të pengojnë më krijimin e ushtrisë së Kosovës;e dinë se nuk do të mund të bllokojnë ndryshimet kushtetuese në vend;nuk mund të bllokojnë formimin e qeverisë në Kosovë;nuk mund të bllokojnë integrimin e Kosovës në BE dhe NATO.  Me shkëputjen e Veriut, Serbisë iikën “Kali i Trojës” nëpërmjet të cilit ajo ka arritur t’ibëjë të gjitha këto në këto 19 vitet e fundit. Me marrjen e veriut, Serbia humb Kosovën.

Mirëpo, udhëheqja Serbe është e detyruar ta bëjë këtë gabim të madh strategjik, pra heqjen dorë nga kontrolli iKosovës për shkak të synimit të tyre më madhor: integrimi në BE, dhe bashkimi itrojeve Serbe.  Një ëndërr folklorike e Serbëve por që do të bëhet realitet.  Udhëheqja Serbe do të trumpetojë këtë arritje për të justifikuar heqjen dorë nga Kosova.  Ata e kanë të vështirë të pranojnë Kosovën shtetnë ligjet e tyre, pa marrë diçka.  Ata e dine se njohja e Kosovës pa marrë diçka nga ne është një dënim me vdekje për ta.  Me fjalë të tjera, udhëheqësit e Serbisë po vënë jetën e tyre në rrezik duke punuar për njohjen e Kosovës.  Uroj që këto fjalë që them të jenë fare pa bazë dhe të mos bëhen realitet kurrë!  Unë ju dëshiroj jetë të gjatë atyre, dhe i çmoj për përgjegjësinë dhe guximin që kanë.  Pra, udhqëheqësit e Serbisë janë në një pozitë tepër të vështirë, shumë më të vështirë se pozita në të cilën jeni jutë dy.  Dhe këtë ju duhet ta dini dhe ta kuptoni, sepse keni pranuar të bisedoni me ta.

Të dy juve keni kryer shërbime të mëdha për Kosovën, në atë masë që e keni siguruar vendin tuaj të lartë në historinë tonë kombëtare.  Të dy ju keni rrezikuar jetën, lirinë, dhe familjen për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Prandaj, të dy ju jeni në pozitën më të mirë që ta konsolidoni Kosovën përgjenerata të tëra.  Ju e keni në dorë tani ta hiqni qafe Serbinë një herë e mirë.  Mos u lini barrë gjeneratave të ardhshme pengmbajtjen e Kosovës nga Serbia.  Do të krijoni mundësinë e bashkimit të kombit me shumë pak lëshime.  Bashkohuni të dy, mos të keni përçarje për këtë qëndrim!  Tregohuni të guximshëm! Punoni më shumë për ta sqaruar popullin për drejtësinë e vizionit tuaj!

Me respekt,

Sokol Braha

17 shtator 2018

Neë York, NY

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Le ta heqim qafe Serbinë, një herë e mirë!, Sokol Braha

TRIUMF I SHQIPONJAVE NË FINALE

September 18, 2018 by dgreca

Shkruan: Sabit Abdyli/1 zelandaFutboll, Zelandë e Re/
2 ZelandaEkipi futbollistik “Shqiponja”  në finale për kupën e  qytetit të Auckland-it fitoi me rezultat bindës 2 me 0.  Shqiponjat gjatë gjithë ndeshjes dominuan, por vetëm në pjesën e dytë arritën te avancojnë nga penalltia pas ndërhyrjes së palejueshme të portierit kundërshtar. Pas golit të avantazhit ekipi i West Wanderers u përpoq me të gjitha forcat për ta barazuar rezultatin,  por ndërhyrjet e mbrojtësve e portierit të shqiponjave ditën ta mbrojnë të paprekur rrjetin e portës së tyre. Në minutat e fundit me një aksion të koordinuar mirë shqiponjat shënuan për herë të dytë.
Në fund të ndeshjes në praninë e shikuesve dhe organizatorëve kapitenit të ekipit “Shqiponja”, Erzen Zekës ju dorëzua kupa. Për angazhimin në lojë, përgjegjësinë ndaj emrit të ekipit, disiplinës e fitores së merituar shqiponjat  u duartrokitën e përgëzuan nga simpatizantët shqiptarë dhe të pranishmit tjerë të ardhur nga gjitha anët e qytetit. Organizatorët për lojtar më të mirë të kësaj finale shpallën  Rrezon Cakin.


Ekipi futbollistik “Shqiponja”, ne foto ne kembe nga e majta:
Paul Benei, Miro Major, Erzen Zeka, Ideal Huskaj, Ervin Zeka, Josh Fisher, Alban Salihu,
Ulur: Rrezon Caki, Endrit Jonuzi, Edon Jonuzi, Yll Fejzullahu, Yll Caki, Shkelzen Polisi


 Ekipet finaliste “Shqiponja” – “West Wandereres”

Kupa ne duar te kapitenit te ekipit “Shqiponja” Erzen Zekes

                                                 Keshillat e fundit per vazhdimin e pjeses se dyte te lojes

Filed Under: Sport Tagged With: Sabit Abdyli, Triumfi i shqiponjave, Zelande e Re

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1267
  • 1268
  • 1269
  • 1270
  • 1271
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT