• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PASIONI PËR KËNGËN DHE VENDLINDJEN

September 7, 2018 by dgreca

Kopertina

Haxhi Zeneli, ME KËNGË NGA VENDLINDJA NË AMERIKË/

Shkruan: Dr.Nail  Draga*/

     Angazhimi i diasporës shqiptare paraqet faqe të  ndritur në historinë e popullit shqiptarë. Ata krahas obligimeve të tyre nuk kanë kursyer për çështjen kombëtare shqiptare, ku rasti i Kosovës paraqet momentin me transparent në ketë dimension. Jo vetëm qe ndihmuan me mjete financiare, por u angazhuan drejtpërdrejt edhe në luftë përmes batalionit “Atlantiku”.  Ishte kjo një dëshmi e patriotizmit kombëtar e trashëguar brez pas brezi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por, përfaqësues shqiptarë në diasporë kanë arritur edhe rezultate të tjera profesionale duke u bërë shëmbull për të tjerët, ku me punë e pasion arriten rezultate për lakmi.

Në gamën e aktivitetit kulturor ekziston një numër i konsideruar personash dhe shoqatash të ndryshme të cilat më plot dashuri dhe pasion ruajnë dhe kultivojnë muzikën populllore shqiptare. Dëshmi konkrete janë takimet familjare por edhe festivalet e ndryshme. Duhet cekur me këtë rast Ansamblin “Bashkimi Kombëtar” i cili mbledh rreth vetës një numër të konsideruar muzikantësh, këngëtarësh dhe valltaresh. Në gamën e tyre personave qe kanë bërë emër në diasporë është edhe bashkëvendasi ynë Haxhi Zeneli nga Ana e Malit-Ulqin i cili tash 30 vite jeton dhe vepron në Nju Jork të SHBA-ve.

I larguar nga vendlindja e tij jo me dëshirë por në sajë të rrethanave jo të favorshme shoqërore te kohës  u vendos në Nju Jork- SHBA(1985), ku me vete përveç rrobave personale kishte marrë një kasetë me këngë popullore shkodrane. Ishte pasioni për këngën dhe ndjenja se ato këngë do ia heqnin mallin për nënën e tij, vëllëzërit,  vendlindjen dhe këngën shqiptare.

Pas një pune disa vjeçare ai opinionit të gjerë i prezantohet me librin ME KËNGË NGA  VENDLINDJA  NË AMERIKË,  duke sjellur informacione me vlerë për trashegiminë kulturore  në vendlindje dhe mjedisit ku jeton.

Autori dëshmon në vetën e parë si dëshmitarë okularë për disa çështje të trajtuara, por po ashtu ka konsultuar individ të ndryshëm si dhe një literaturë selektive. Të dhënat në këtë botim janë me interes sidomos për brezin e ri të cilët nuk kanë përjetuar masat represive nga pushteti  jugosllav i kohës, e sidomos pas ngjarjeve të marsitt  të vitit 1981 në Kosovë, kur u legalizu fushata antishqiptare. Ishte kjo kohë e mbijetesës dhe e sfidave të mëdha për shqiptarët në Mal të Zi në përgjithësi e në Anë të Malit në veçanti. Ishte koha kur në emër të gjoja separatizmit shqiptar sulmohej çdo gjë ku as  kultura muzikore nuk bënte përjashtim.

Të dhënat e ofruara në këtë botim janë homazh për disa persona të cilët ishin ikonat e muzikës popullore në Anë të Malit e më gjerë  të cilët nuk janë ma në mesin tonë si  Faik Nuzi, Sylo Xhafa, Paulina Mirdita, Nuo Frani etj., të cilët kanë qenë bartësit e muzikës dhe folklorit tonë popullor që ishte në shërbim të identitetit tonë kombëtar. Autori  po ashtu na ofron të dhëna me interes  për personat e angazhuar në artin muzikor, pastaj përmbajtjen e  programit të  koncertëve  si dhe fotografitë e shumta  që nxisin kureshtje të lexuesi. Duhet cekur gjithashtu  edhe angazhimin e  autorit në diasporë kryesisht ne Nju Jork me grupe të ndryshme muzikore, që  dëshmon pasionin e tij  për muziken popullore në mënyrë të vazhdueshme.

Në pjesën e dytë të këtij botimi autori na ofron  prezantimin tekstual të disa këngeve popullore, që më të drejt themi se paraqet një arkiv të veçantë.

Pasi të lexohet ky libër jam i bindur së lexuesit në vendlindje e sidomos ata  në diasporë do të nxiten për të dhënë   kontributin e tyre për  ndodhi  e ngjarje të ndryshme duke pasuruar  çështjet e trajtuara të cilat sa janë personale janë edhe kolektive nga aspekti i identitetit tonë kombëtar, si në vendlindje dhe në diasporë.

Një veprim i tillë do të ishte me vlerë për çështjet që kanë të bëjnë me të kaluarën tonë, identitetin dhe mbijetesën tonë kombëtare!

Çështjet e tilla duhet të theksohen dhe të shënohen sidomos për brezin e ri që nuk i kanë përjetuar, sepse e kaluara nuk ishte e lehtë, se ka qenë vështirë të mbijetohet në rrethana të tilla shoqërore. Sepse ishte  pikërisht  pushteti monist i kohës që i pengonin këngët tona dhe organizimi kulturor  si në vend dhe në diasporë.

Dhe nga një presion i tillë direkt e indirekt shumë të rinjë dhe familjet e tyre u detyruan të emigrojnë në botën e jashtme, duke u larguar nga vendlindja e tyre. Madje ky libër mbanë edhe mesazhin e vendlindjes, sepse ajo është pjesë e pa ndarë e diasporës sonë, që dëshmohet edhe përmes këtij botimi.

Libri në fjalë ka vlera jo vetëm kulturore por edhe kombëtare, andaj si i tillë do të jetë i mirë se ardhur për opinionin  e gjerë. Urojmë qe bashkëvendasit tanë në diasporë të na dhurojnë në të ardhmën botime të ndryshme  duke mbetur përjetësisht pjesë e vendlindjes edhe në vendet ku kanë emigruar.

Nuk ka dilemë se  autori i librit ka kryer një mision të rëndësishëm sa personal poaq edhe moral, duke i dhuruar vendlindjes dhe bashkëvandasve të tij në diasporë një botim i cili pasqyron të kaluarën dhe të tashmën nga dimensioni kulturor, andaj duke qenë libri i parë me një tematikë të tillë  patjetër do të përdorët  si referencë e domosdoshme nga studiuesit e ndryshëm kur do të trajtojnë  çështje të tilla për krahinën etnografike të Anës së Malit  në veçanti apo Ulqinin në përgjithësi.

*(Lexuar më rastin e përurimit të librit më 28.8.2018)

* Haxhi Zeneli, ME KËNGË NGA VENDLINDJA NË AMERIKË, Botoi:Art Club, Ulqin,2017

Filed Under: ESSE Tagged With: DR. NAIL DRAGA, Haxhi Zeneli, ME KËNGË NGA VENDLINDJA NË AMERIKË

Mistere dhe mjegullë…

September 7, 2018 by dgreca

KOPERTINA

…. rreth Hysni Toska, një   personaliteti  i harruar i trevës së Roskovecit, Fier/

Gezim Llojdia

Shkruan: Gëzim Llojdia/

1.Luari është fshati i lindjes së Hysni Toskës. Ai ndodhet në pjesën administrative të bashkisë Roskovec ne qarkun e Fierit. Shtrihet në një lartësi 154 m mbi nivelin e detit dhe kufizohet ne lindje me fshatin Kurjan, ne veri me fshatrat Vidhishte dhe Kuman, në perëndim me fshatin Zharrez dhe ne jug me fshatin Siqece. Sipërfaqja e tij është 1120 ha,thotë autori Nuri Plaku, në një  biografi të gjatë dhe studimore kushtuar personalitet Hysni Toskës. Po të bëjmë një retrospektivë do të shohim se ndarja e parë territoriale, pas shkëputjes nga Perandoria Otomane është bërë në vitin 1923 dhe  Krahina e Roskovecit është inkuadruar si njësi më vete nën emërtimin Komuna “Tregu i Frasherit” në përbërje të Rrethit Qendër  të Qarkut Berat. Popullsia e kësaj krahine në këtë periudhë ka qenë 9413 banorë dhe përfshinte 32 fshatra. Referuar gazetës zyrtare Nr. 21, datë 18.04.1929 në ndarjen territoriale të bërë në vigjilje të shpalljes së Shqipërisë Monarki, në fund të vitit 1928, Krahina e Roskovecit ka vazhduar të përfshihet në Rrethin Qendër të qarkut të Beratit me emërtimin “Komuna “Tregu i Frashërit”.Popullsia e kësaj komune në fund të vitit 1928 ishte 7632 frymë dhe përmblidhte 25 fshatra si më poshtë: Arapaj, Cukalat, Çiflik- Strum, Çomlekaj, Donofrose, Drenovice, Ngjeqar, Hallambrezi, Jagodine, Kuman, Kumaraka, Kurjan, Luar, Marinze, Matke, Pobrat, Rërëz, Roskovec,   Sllanice, Stamatica, Strum, Suk, Velmish, Vidhishte dhe Ngraçie e përfshirë vetëm në ndarjen administrative të vitit 1923. U shënuan të gjithë fshatrat sepse këto vendbanime përbëjnë atë që historikisht është thirrur “Krahina e Roskovecit.

Rrënjët e këtij fisi zgjaten në thellësi të viteve, duke shkuar deri ne periudhën e Ali Pashë Tepelenës. Pikërisht ne këtë periudhe dokumentohet shfaqja e njërit nga pinjollët e këtij fisi dhe pikërisht Hysen Toskës, për të cilin flitet se është stërgjyshi i Hysni Toskës. Madje edhe emri i Hysniut mendohet të jetë  përsëritje e emrit të këtij stërgjyshi. Hysen Toska përmendet nga kronikani grek Panajot Aravantinos, autor i historisë së Ali Pashë Tepelenës, si pjesëtar i grupit, që nënshkruan traktatin me suljotet, i dërguar nga Aliu me 12 dhjetor 1803. Ai është në përbërje të 16 vetëve, me në krye të birin e Aliut,Veli Pashën, pasha i Delvinës. Por pak vjet më vonë dhe pikërisht në lëvizjen e madhe të kryengritjeve kundër reformave të Tanzimatit, që shpërthyen në Shqipërinë e Jugut, hasim një tjetër  pinjoll të fisit Toska. Ky është Nurce Toska nga Buzi i Madh i Tepelenës. Sipas disa të dhënave në kryengritjet anti-osmane të Shqipërisë së Jugut në vitet 1820-1847, dolën 30 udhëheqës popullore. Në listën e këtyre komandanteve figuron edhe Nurce Toska i cili është njeri nga luftëtarët e çetave të Jugut në kryengritjet e Tafil Buzit. Ideja për trajtimin e figurës së Hysni Toskes autorit i ka  lindur gjatë njohjes me veprimtarinë e tij patriotike në arkivin e Muzeut Historik të Fierit. Emrin e tij e kisha dëgjuar me herët, madje që në fëmijëri kur më flisnin me respekt prindërit e mi, të cilët  e  kishin njohur pasi banonim në fshatin Marinez, shumë afër me Luarin. Më vone e kisha dëgjuar edhe nga bashkëfshatarët e mi të moshuar te cilët e përmendnin me gjysmë zëri, por me nderim e respekt të veçantë.

2.Studiuesi dhe drejtori i muzeut historik Fier,N.Plaku  thotë”:Aktiviteti i Hysni Toskës fillon në vitet e para të shek. XX, me angazhimin e tij në lëvizjen anti-osmane te-ë krahinës së Mallakastrës dhe Myzeqesë dhe përfundon në vjeshte të vitit 1943, kur u rrethua nga forcat partizane të grupit “Shpiragu ” në shtëpinë e tij në Berat dhe iu kërkua të dorëzohej, pa iu komunikuar asnjë faj. Duke ditur qëllimin e mbrapshte të kësaj kërkese, ai nuk pranoi të dorëzohej dhe u vetëvra. Pas disa ditësh, forcat partizane i pushkatuan edhe djalin e vetëm 16-vjeçar pa gjyq dhe pa i komunikuar as atij, asnjë faj. Fill pas vrasjes, Hysni Toska u konsiderua “kriminel” dhe u anashkalua nga të gjitha ngjarjet më të  rëndësishme të  kohës. Historiografia shqiptare e periudhës, nuk e ka përmendur thuajse asnjëherë emrin e tij. Mbi të, për dhjetëra vjet me radha ka zotëruar një heshtje e rëndë  varri. Mjaftonte etiketimi “kriminel” nga politika e kohës dhe çdo studiues do ta anashkalonte nga të gjitha ngjarjet e trajtuara, pavarësisht se ai ishte protagonisti kryesor i tyre. Madje, ky opinion ka bërë të lihen në heshtje edhe disa nga figurat dytësore të  kësaj treve, të cilat, në bashkëpunim me të, kanë dhënë kontribute të shquara në ngjarjet më të rëndësishme historike të vendit në gjysmën e parë të shek. XX. Mbas viteve ’90, Hysni Toska u shpall “Martir i Demokracisë”, por mentaliteti i njerëzve të painformuar vazhdonte të ruante ende për të, përshtypjen e erret të një  “kriminelit” shkruan N.Plaku. Në këto kushte,thotë ai  figura e Hysni Toskës kërkonte një punë të lodhshme për ta zbardhur dhe interpretuar në një këndvështrim të ri, mbi bazën e dokumenteve arkivore dhe fakteve reale, të cilat do ta prezantonin atë përpara opinionit shoqëror në mënyrë të plote dhe bindëse.Me një punë studimore ku janë përfshirë të dhëna të rëndësishme autori ka punuar dhe ka sjellë dëshmi për të faktuar  nëse ishte ,kriminelë emërtim i mbartur keqazi dhe shfrytëzuar,  që nga  vjeshta  e vitit 43 ,kur ai e mbylli jetën me vetëvrasje.

3.

Duke hedhur dritë përmbi këtë figurë në fillim N.Plaku  ka botuar një portret me titull “Hysni Toska – Luani i zbutur përgjysmë”. Ku shkrimi u botua në fund të vitit 2005 në buletinin e bashkisë së Fierit me një tirazh prej 2500 kopjesh, të cilat u shpërndanë brenda një kohe shume të  shkurtër. Si u prit ky shkrim dhe çfarë debati hapi ai?N.Plaku thotë: Artikulli hapi “kutinë e Pandores” për nostalgjiket, por ndërkohë, ishte edhe një apel për shumë të tjerë të cilët kishin mendim ndryshe për figurën e Hysni Toskes. Diskutimet qen të shumta e të larmishme dhe pjesa e doktrinuar arriti deri në propozime ekstreme ,thotë studiuesi Nuri Plaku ,për largimin tim nga vendi i punës si person që kërkoja të rehabilitoja “kriminelet e luftës” dhe si i tillë, kisha dalë “jashtë radhëve të duhura.” Kjo e bënte edhe më të vështirë studimin e mëtejshëm të kësaj figure, por gjithsesi kisha bindjen se Hysni Toska ishte një personalitet historik, një figure popullore me rrezatim të fuqishëm, të cilin e kishin mohuar padrejtësisht.

Isha i bindur ,vijon autori N.Plaku, gjithashtu se, nëpërmjet figurës së tij do zbardheshin edhe disa nga ngjarjet historike mjaft të rëndësishme të trevës si: Kuvendi i Sinjes mbajtur më 23 korrik 1912 dhe Kongresi i Fierit mbajtur më 10 gusht 1912 etj, në të cilat ai kishte qen pjesëmarrës aktiv. Këto ngjarje shume të  rëndësishme për Fierin nuk i kisha hasur në asnjë historik të zonës, në asnjë kumtese të arkivuar në arkivin e Muzeut dhe në asnjë libër ,që fliste për historinë e këtij rrethi. Ato përmendeshin në mënyrë sipërfaqësore dhe pa evidentuar asnjë pjesëmarrës fierak. Zbardhja e këtyre ngjarjeve i rikthente Fierit një pjese të  rëndësishme të historisë së periudhës së Pavarësisë, e cila kishte mbetur e erret. Se bashku me rehabilitimin e Hysni Toskes, evokoheshin gjithashtu edhe disa figura të tjera myzeqare kryesisht nga zona e Roskovecit, të cilët kishin qen komandante në forcat e tij, por ishin lënë në heshtje se kishin qene bashkëluftëtare me të. Madje shpesh, në  vend të firmëtarëve të vërtetë të  Sinjes, përmendeshin të  tjerë emra, duke krijuar kështu mëkatin e manipulimit të historisë. Autori thotë ,se disa muaj më  vonë , në shkurt të 2006 e ribotoj artikullin . Tashme reflektimi i opinionit qe edhe më i gjerë. Krahas reaksionit që  zhvillonin nostalgjiket  vlen të përmendet reflektimi dinjitoz i një veterani të LANQ-it, Llazar Bane, i cili, botoi në gazetën “Zëri i Popullit” shkrimin me titull “Hysni Toska, krenari për kombin”. Shkrimi përshkohej nga një frymë reale dhe pendese, sepse Bane kishte marrë pjesë në rrethimin e Hysni Toskës në Berat, ishte plagosur prej tij në këtë rrethim dhe kujtonte me dhimbje thirrjet e dëshpëruara të atij burri, që teksa gjuante partizanët nga këmbët për t’i mbajtur larg, thërriste: “Kam qen e jam patriot!”

4.

Punën, autori e ka filluar duke hulumtuar nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme për të krijuar bazën e të dhënave dokumentare të këtij studimi. Krahas shumë burimeve në  Arkivin Qendror të Shtetit, krahas dokumenteve të ndryshme që i përkasin fondit të Hysni Toskes, gjendet edhe një dorëshkrim i jetës dhe aktivitetit të tij, shkruar nga Lef  Nosi. Ishte fakt mjaft pozitiv, që një rilindës i shquar si Nosi, t’i kushtonte aq shume v’emendje Hysni Toskes. Ai e kishte njohur personalisht Toskën, madje ka bashkëpunuar me të gjatë periudhës së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe Mbretërisë Shqiptare. Në këtë shkrim, Nosi përshkruan momente shumë të rëndësishme të aktivitetit të tij patriotik, të cilat e paraqesin Toskën një luftëtar të rëndësishëm të krahut progresist në të gjitha konfliktet e kohës. Në dokumentet e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës gjenden disa telegrame ,që lidhen me aktivitetin direkt të Hysni Toskës gjatë kësaj periudhe. Të bën përshtypje fakti, që Ismail Qemali kishte besim të plotë të Hysni Toska duke i ngarkuar detyra mjaft të rëndësishme. Madje është shprehur se njerëz të tillë si ai i duheshin Shqipërisë. Ndërsa, ndër shkrimet e shumta vlen të përmendet trajtesa në vargje e poetit vlonjat Shaban Seferi (Vranishti), me titull “Gjakderdhja shqiptare”, që ndodhet në Arkivin e Institutit të Historisë në  Tiranë. Libri është botuar në vitin 1936 dhe autori i këndon me frymëzim të ndjerë poetik  gjithë luftërave, që ka bërë Hysni Toska, trimërisë, guximit dhe besnikërisë së tij ndaj atdheut, duke e portretizuar atë si një hero legjendar. Në krye të kësaj vepre autori ka lënë edhe këtë shënim: “Në  punën, që bëra duke hartuar librin u ruajta shumë dhe nuk vura asnjë shtojce të pa qen, por radhita vetëm ato që kanë ndodhë dhe dëshmohen prej luftëtarëve, që sot rrojnë.”

Duke iu referuar kësaj vepre, prof. dr. Bardhosh Gace shkruan: “Poema “Gjakderdhja patriotike” e poetit dëshmor Shaban Seferi, me pamjet e saj të gjalla rrënimtare, shpalos hap pas hapi jetën, bëmat dhe trimërinë e këtij luftëtari të shquar popullor, i  cili, ashtu si atdhetarë  të  tjerë të kohës së tij, derdhën energjitë e tyre për Lirinë dhe pavarësinë e Atdheut.”Me botimin e disa librave historike, kujtime apo ditarë, nga autorë të emigracionit politik të Luftës së Dytë Botërore, si: Ago Agaj, Xhelal  Staravecka, Eqrem Bej Vlora, Beqir Velo Kanina etj, u zbardh një pjesë e mirë e aktivitetit patriotik të Hysni Toskës.Në shtypin e viteve ’20 të  shekullit të  kaluar, një numër gazetash dhe revistash, brenda dhe jashtë vendit, e përmendin emrin dhe aktivitetin e tij, në shumë rubrika informative dhe ngjarje të rëndësishme, që  ato përshkruajnë. Të tilla janë: gazeta “Liri e Shqipenies” (Selanik), gazeta “Dielli”(Boston), revista “Biblioteka Zëri i Shqipërisë” (Sofje), gazeta “Shqipëri e Re” (Rumani), gazeta e Qeverise se Përkohshme të Vlorës, “Perlindja e Shqypenies”, gazeta “Populli”, “Atdheu”, etj. Në shtypin e viteve ’30 të shekullit të kaluar, gazeta “Minerva”, në Tiranë ka botuar një shkrim në rubrikën :”Të njohim deputetet tonë”, kushtuar figurës së  Hysni Toskës. Gjithashtu, në fondin folklorik të  zonës së Mallakastrës, gjenden disa tekste këngësh historike kushtuar këtij luftëtari, çka tregon se ai ka qen  ,një lider i njohur i lëvizjeve kryengritëse dhe një figure e dashur dhe e rëndësishme për popullin e kësaj treve. Krahas këtyre të  dhënave, ekzistojnë edhe burime folklorike, këngë dhe episode, dëshmi dhe kujtime të  bashkëkohësve, të botuara e të pabotuara, të cilat e pasurojnë akoma me shume figurën e tij. Nga të gjitha këto të  dhëna,  ka rezultuar, se Hysni Toska, gjatë aktivitetit te tij atdhetar, ka qen një luftëtar i përkushtuar dhe besnik deri në vetëflijim për çështjen kombëtare dhe se nuk është përzier në asnjë lloj veprimtarie kriminale shkruan autori Nuri Plaku.  Në vitin 2010, me propozim të Muzeut Historik në Fier, Këshilli bashkiak i këtij qyteti, emërtoi me emrin “Hysni Toska”, njërën nga rrugët e tij. Ndërsa në vitin 2012, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë kombëtare, po me propozim të Muzeut, Këshilli bashkiak i qytetit të Roskovecit, e shpalli “Qytetar nderi të qytetit Roskovec”. Me këto veprime, pak nga pak figura e Hysni Toskës po zë vendin e vet të merituar në shoqërinë e re demokratike.

 

Filed Under: Fejton Tagged With: Gezim Llojdia, Hysni Toska, misterie dhe mjegull

Dështon takimi Thaçi- Vuçiç

September 7, 2018 by dgreca

– Mogherini pret që Thaçi e Vuçiq të takohen në fund të muajit-

1 Moheri delega Kosoves

Ka dështuar mbajtja e takimit ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Shkak i mos mbajtjes së takimit, sipas sqarimit të delegacionit nga Serbia ishte mungesa e lejes nga autoritetet e Kosovës, që presidenti serb Vuçiq, gjatë qëndrimit të planifikuar në Kosovë, të vizitonte edhe Liqenin e Ujmanit.

Në vend të takimit të përbashkët, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka zhvilluar vetëm takime të ndara me të dy presidentët.

Pas këtyre takimeve, Mogherini ka bërë të ditur se takimi i planifikuar do të shtyhet për në fund të këtij muaji. Ajo ka shprehur bindjen se megjithatë, të dy presidentët do të tregohen të përkushtuar në arritjen e marrëveshjes paqësore dhe ligjërisht të obligueshme.

Ndonëse kishte udhëtuar në Bruksel, Presidenti i Serbisë, Aleksanadar Vuçiq nuk ka pranuar të takojë sot presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq tha se sot nuk do të ketë takim, ndërkaq kur do të mbahet takimi i radhës, ai theksoi se nuk e di këtë gjë.

Sipas tij, Vuçiq ka vendosur kështu për shkak të, siç tha ai, “kërcënimeve, sulmeve, shantazheve, si dhe tentimeve që t’i ndalohet vizita në veri të Kosovës dhe te Liqeni i Ujmanit” nga ana e autoritete të Kosovës. Për më shumë, sipas tij, mbetet pikëpyetje nëse bisedimet do të vazhdojnë fare edhe më tej me Prishtinën.

Gjithashtu, Gjuriq ka theksuar se janë të papranueshme tentimet e që të zhvlerësohen bisedimet në Bruksel dhe tentimet, siç ka thënë ai, që Presheva, Mdvegja dhye Bujanoci, të paraqiten si pjesë e territorit të Kosovës.

“Çështje e vetme e pazgjidhur, territori i vetëm për të cilin bisedohet dhe kontestohet është çështja e territorit të Kosovës. Gjithçka tjetër, nuk shërben për asgje tjetër, përveç që ta shembë gjithë procesin”, ka thënë Gjuriq.

Siç ka theksuar ai, presidenti i Serbisë, do t’i drejtohet opinionit të premten në mbrëmje, ku edhe do ta bëjë të ditur nëse do ta realizojë vizitën në Kosovë, të paralajmëruar më herët.

THAÇI: VIZITA E VUÇIQIT SIPAS ITINERARIT TË LEJUAR

Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se në takimin me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini është diskutuar për mundësinë e arritjes së përparimeve. Por, dita e sotme, sipas tij, dëshmon se vështirësitë po shtohen kur është në pyetje arritja e marrëveshjes me Serbinë.

“Gjërat po bëhen edhe më të vështira, sepse mospajtimet po thellohen, kurse dallimet po shfaqen, edhe pse sot kemi diskutuar vetëm përmes zonjës Mogherini. Por, këto dallime të mëdha kanë ndikuar që sot dialogu të zhvillohet vetëm përmes Përfaqësueses së Lartë të BE-së”, tha Thaçi.

Ai tha po ashtu se arritja e marrëveshjes mbetet vetëm si një gjasë teorike, por u shpreh i gatshëm për vazhdimin e dialogut.

“Vështirësitë janë të mëdha, pengesat janë të mëdha dhe dallimet janë shumë të thella, por rrugëtimi dhe dialogu për paqe, stabilitetit e fqinjësi të mirë nuk ka alternativë”, tha presidenti i Kosovës.

Ai rikujtoi se konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka një kohëzgjatje prej një shekulli, kështu që parashikoi proces shumë të vështirë deri te arritja e marrëveshjes paqësore.

I pyetur në lidhje me vendimin e presidentit Vuçiq që sot të mos ketë takim dy palësh me lehtësimin e BE-së, Thaçi tha se nuk e sheh atë si bojkot, por që sot është vendosur që dialogu të zhvillohet përmes takimeve të ndara me Përfaqësuesen, Mogherini.

“Kosova i ka institucionet e veta kredibile. Jemi vend i pavarur e sovran dhe do të respektohet itinerari i lejuar për vizitën e presidentit të Serbisë në territorin e Kosovës. As më pak e as më shumë. Ne respektojmë secilin, nuk dëshirojmë të poshtërojmë askënd, por do të mbrojmë sovranitetin e Kosovës”, tha Thaçi.

GJURIQ: THAÇI PO GËNJEN

Në anën tjetër, Marko Gjuriq ka publikuar një letër të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës ku thuhet se Presidenti Serb Aleksandar Vuciq nuk ka leje për ta vizituar Liqenin e Ujmanit (Gazivodës).

“Ju lutem ta keni parasysh se agjenda e vizitës në Kosovë nuk është aprovuar në tërësi,” thuhet në një e-mail që eshë dërguar nga zyrtarë kosovarë dhe e publikuar në Twitter nga Gjuriq.

“Ne nuk mund t’u përgjigjemi pozitivisht lidhur me vizitën në vendin ku është diga e Gazivodës”.

Gjuriq ka thënë se kjo dëshmi tregon se Presidenti i Kosovës Hashim Thaci është duke gënjyer. “Shihet qartë se Pristina ka ndaluar vizitën në digën e Gazivodës e cila kohëve të fundit është rindërtuar nga shteti i Serbisë.”

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili po qëndron në Bruksel në kuadër të delegacionit të Kosovës atje, tha se autoritetet e Kosovës e kanë miratuar kërkesën e Vuçiqit. Ndërkaq në lidhje me interesimin e tij për të vizituar liqenin e Ujmanit, Pacolli tha se nuk sheh arsye pse insistohet në këtë vizitë, kur aty nuk ka as banorë as diçka që do të ishte në interes. Nëse me të vërtetë insiston që të shkoj te Ujmani, Pacolli tha se Vuçiq duhet ta artikulojë se përse dëshiron të shkoj atje dhe më pas autoritetet e Kosovës do të vendosin.

Përndryshe, tha Pacolli, Prishtina zyrtare i ka lejuar tashmë Vuçiqit këtë vizitë, duke përjashtuar liqenin e Ujmanit.

Sot, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, po qëndrojnë në Bruksel, ku ishte paraparë të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në Bruksel, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha para se të shkonte në takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së Federica Mogherini se procesi definitivisht po hyn në një fazë të re për të arritur deri te një marrëveshje historike të paqes.

***
 “Ky proces i dialogut, negociatave paqësore besoj se do të shënojë progres për Kosovën dhe Serbinë dhe stabilitetin në rajon”, theksoi Thaçi, i cili nuk e kishte ende informacionin se takimi ishte anuluar.

“Jam i vetëdijshëm se do të kemi pengesa për të ecur përpara, por jam i bindur se do të kemi përparim. Kjo gjendje e konfliktit të ngrirë është e paqëndrueshme, duhet të ecim përpara drejt paqes përfundimtare, drejt të ardhmes euro-atlantike të Kosovës, por edhe të ardhmes evropiane të Serbisë, që nënkupton më pak hapësira për ideologji jo perëndimore në Ballkan”, tha Thaçi.

“Në fund, definitivisht, ky dialog dhe marrëveshja përfundimtare ka kuptim kur të ndodhë njohja reciproke midis Kosovës dhe Serbisë që nënkupton edhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, nënvizoi presidenti i Kosovës.

***

Shtetësia në ‘rrezik’

Ndërkaq, i pyetur në lidhje me insistimin e tij që marrëveshja të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit të Kosovës me komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, Thaçi tha se “Kosova është unike në favor të dialogut, Qeveria, Kuvendi, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat janë në favor të dialogut, marrëveshjes paqësore dhe demarkacionit të kufirit që nënkupton edhe përfshirjen e kësaj pjese”.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila po lehtëson edhe këtë takim, ka pritur fillimisht ndaras presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po shoqërohet në Bruksel edhe nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Bashkimit Evropian ka postuar në Twitter pamje nga takimi me delegacionin nga Kosova.

Thaçi ka komentuar shkurt edhe në lidhje me vizitën e pralajmëruar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë dy ditëve të ardhshme.

“Institucionet e Kosovës e kanë marrë vendimin e tyre. Unë e respektoj interesim e përfaqësuesve të Serbisë për të diskutuar me serbët e Kosovës dhe shpresoj që mesazhet e tyre do të jenë në funksion të paqes e stabilitetit në Kosovë dhe rajon”, theksoi Thaçi.

***

Mogherini ka pritur në takim edhe presidentin e Serbisë, Aleksanadar Vuçiq. Edhe ky takim, është konfirmuar përmes rrjetit social Twitter, nga Maja Kocijançiq.

Takimi i paraparë në Bruksel, ka zgjuar interesim të shtuar pas hapjes së një debati politik dhe në media rreth mundësisë që në marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfshihet edhe çështja e ndryshimit të kufirit.

Po ashtu, takimi i presidentit Thaçi me homologun e tij nga Serbia vjen në kohën kur në Kuvendin e Kosovës kishte dy përpjekje, si nga Qeveria ashtu edhe opozita, për ndërhyrje në procesin e negociatave. Qeveria, provoi të formonte një ekip negociator për këtë proces të bisedimeve, përderisa opozita synonte që me anë të rezolutës të sanksiononte deri diku “lirinë” e presidentit Thaçi që në këtë dialog të hapë edhe çështjen e kufirit.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte paralajmëruar, se pas këtij takimi të shtunën dhe të dielën do të qëndronte për një vizitë në Kosovë, për të realizuar takime me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe banorët serb nga Kosova.

Dialogu ndërmjet Kosoëvs dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian ka nisur që nga viti 2011, dhe ka për qëllim normalizimin e raporteve midis dy shteteve.(Kortezi RFL)

Filed Under: Featured Tagged With: Deshton takimi, Mogherini, Thaçi-Vui

PA PROF. NAMIK RESSULIN NUK KA LETERSI SHQIPE

September 7, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1 Namik ResuliPROF.NAMIK RESSULI (1908 – 1985)/

PENA E ARIT E BERATIT…

Ky asht pena e artë e unitetit mendimit letrar, artistik e Atdhetar të Popullit Shqiptar.

Prof. Namik RESSULI asht dijetar i pakufi në fushat e zhvillimit kulturor të popujve. Asht krejt i veçantë per mendimet e sakta në vlersimet letrare të vepres së shkrimtarit. Asht jo vetem njohës i kulturës Europjane Perëndimore, po edhe zbatues i perpiktë i rregullave të saja historike, letrare, shkencore dhe filozofike të kohës moderne. E njoha në 1957 prej një Antologjisë “Rreze Drite” që më dha me e studjue Prof. Gasper Ugashi.

Asht le në Berat me 10 Shtator 1908. Studimet i ka perfundue në Torino t’ Italisë, me një nga profesorat e njohun atje si linguist, Prof. Matteo Bartoli. Në vitet 1930 asht kthye në Shqipni dhe, ka punue profesor në Normalen e Elbasanit. Ishte edhe në Shkoder dhe së fundi në Tiranë. Në 1939 asht profesor i Gjuhës Shqipe në Romë. Vjen në Shqipni në vitet 1940 – 44 dhe asht antar i “Institutit Studimve Shqiptare” në Tiranë. Në 1941 asht bashkautor i dy vllimeve të Antologjisë së Shkrimtarve Shqiptar. Mendimet kritike e shkencore që jep per Shkrimtarët e Veriut dhe, vlersimi që i ban “Lahutës së Malcis” së At Gjergj Fishtës, e vendosë në grupin e Shkrimtarëve të “perjashtuem” të Veriut, nga “Akademia e shkencave të RPSSh”, e formueme nga sllavokomunistët antishqiptar mbas vitit 1944. Prof. Namik Ressuli largohet nga Shqipnia perfundimisht me pushtimin e vitit 1944. Në Itali i kushtohet qendrave të studimeve Shqiptare e, në 1954 boton në Torino revisten “Shpirti Shqiptar”. Një titull që i pershtatej para gjithkujt tjeter vet Autorit të saj.

Nga 1955 – 1971 asht Profesor në “Institutin Oriental” të Napolit, ku vazhdon me ngulm punen shkencore per Gjuhen Shqipe dhe gramatiken e saj. Ribotoi të perfunduem me sukses “Mesharin” e Buzukut, që mbetet nder monumentet shkencore të Gjuhes Shqipe.

Prof. Namik Ressuli me të vertetë e mbylli jeten me 12 Shtator 1985 në Torino…

Po, Ai asht një shkamb që nuk lejon nder shekuj me ra një gur nga Keshtjella e Beratit !

E Pena e artë e Namik Ressulit, i jep shkelqim edhe ma shumë gurve t’ Asaj Kështjelle!

Per Prof. Namik Ressulin brezat e ardhshme nuk do të thonë kurr ishte.., po, AI ASHT !

            Melbourne, Shtator 2018.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Pena e arte, Prof. Namik Resuli

KOSOVA PARA NJЁ ҪASTI HISTORIK

September 7, 2018 by dgreca

“Ёshtё mё e mirё njё paqe e sigurtё se njё fitore e shpresuar”- TITO LIVIO (59 – 17 p.K.), historian i madh latin/1-eugjen-merlikaNGA EUGJEN MERLIKA/

Ka disa javё qё nё botёn shqiptare, pёrfshirё Shqipёrinё, Kosovёn dhe Mёrgatёn shqiptare, vёndin kryesor nё bisedat e pёrsiatjet politike e ka zёnё njё pikёpyetje hamletiane mbi njё projekt sёrbo – kosovaro – shqiptar nё shqyrtim, tё pёrkrahur nga institucionet zyrtare tё BE e, me gjasё, edhe nga ata tё ShBA.

Po t’a zhveshim kёtё rrahje tё gjёrё mendimesh, nё forma vetiake nga pёrfaqёsues tё politikёs dhe tё mediave tё shkruara e pamore, nga termat propagandistike e etiketimet tradicionale tё panevojshme, qё kёpusin qё nё lindje fillin e arsyetimit mbi thelbin e problemit, besoj se do tё arrijmё nё njё trajtim mё objektiv e tё dobishёm tё njё situate e cila na paraqitet pёr herё tё parё mbas 106 vitesh tё mёvehtёsisё shqiptare.

Pikёrisht para 106 vitesh Shqipёria ishte Vendi i fundit nё Ballkan qё kishte mbetur nё kuadrin e Perandorisё Osmane e qё, nё vetvete, gёlonte nga njё diskutim i gjёrё, kryesisht nё rrafshin intelektual dhe administrativ mbi kёrkesat pёr njё pavarёsi tё plotё apo pёr njё autonomi tё zgjeruar, tё kryera nga rrethe atdhetare nё drejtim tё Portёs sё lartё. Kёto kёrkesa mbёshteteshin edhe nё pёrfundimet e fitoreve ushtarake tё kryengritjes shqiptare, qё patёn kurorёzimin e tyre nё marrёveshjen e Shkupit. Por ndёrsa shqiptarёt diskutonin pёr kёtё pёrparёsi tё s’ardhmes sё tyre politike, koalicioni ballkanik, i pёrbёrё nga ushtritё serbe, malazeze, greke e bullgare, mёsyu trevat shqiptare, duke pёrvehtёsuar gati dy tё tretat e Shqipёrisё etnike. Ushtria turke, e dobёsuar nga kryengritjet shqiptare, ndoshta e panxitur mё nga interesat e perandorisё qё ishte nё perёndimin e fuqisё sё saj shekullore, braktisi nё mёshirё tё fatit territoret e Shqipёrisё osmane. Pёrballё kёsaj gjёndjeje katastrofale, qё rrezikonte edhe vetё qёnien e njё Shteti tё shqiptarёve, njё grusht atdhetarёsh tё prirё nga Ismail Qemali, vendosёn krijimin e tё parit Shtet tё bashkuar shqiptar, fatmirёsisht me nxitjen dhe pёrkrahjen e diplomacive tё Vjenёs e tё Romёs.

Nё njё epokё mendёsish perandorake e ndarjeje tё botёs nё shtete koloniale e kolonizuese, me shumё vёshtirёsi u arrit qё tё njihej Shteti shqiptar, nё kufijtё e tij tё cunguar, nё konferencat e Londrёs e tё Versajёs. Historia e kёtyre mё se njёqind viteve pati si fill pёrçues tё saj çёshtjen kombёtare. Nё njё tё tretёn e shekullit qё shkoi, deri nё bashkimin e njё pjese tё madhe tё trojeve shqiptare nё vitet 1941 – 1945, kombi i ndarё e plagёt e dhimbёshme tё tij ishin thelbi i gjithё shqetёsimit e problematikёs sё jetёs shoqёrore, shtetёrore, kulturore e shpirtёrore tё shqiptarёve. Mё 1945, me vendimet e tё mёdhenjve tё botёs mbi gjeopolitikёn e Evropёs sё mbas luftёs dhe bashkёpunimin e komunistёve shqiptarё me kujdestarёt e tyre homologё jugosllavё, çёshtja kombёtare pёsoi njё goditje vdekjeprurёse e pёr gjysmё shekulli, me pёrjashtime tё rralla, doli nga orbita jo vetёm e jetёs politike dhe administrative, por edhe nga ajo e jetёs shpirtёrore e kulturore tё shqiptarёve.

Viti i parafundit i shekullit, me shfaqjen mё tё egёr e mё kriminale tё shovinizmit serb, me pasoja shkatёrruese mbi popullsinё kosovare dhe kundёrveprimin ushtarak humanitar tё Nato-s, hapi njё epokё tё re nё jetёn e kosovarёve. Pavarёsia e shpallur disa vite mё vonё, e njohur nga Perёndimi nё tё dy anёt e Atllantikut, i hapi rrugёn njё etape tjetёr tё jetёs kombёtare tё shqiptarёve, kryesisht atyre tё Kosovёs. Por proçesi i pёrparimit tё Kosovёs e tё integrimit tё saj n’Evropё, pёr shkak tё shemёrive e konjukturave ndёrkombёtare, aftёsisё sё serbёve pёr tё lobuar e pёrkrahjes qё gjejnё nё Fuqi tё mёdha si Rusia dhe Kina e, sё fundi, edhe pёr mangёsi tё theksuara tё klasёs politike kosovare, nuk ecёn me ritmet e duhura. Gjatё viteve tё fundit çёshtja e Ballkanit perёndimor duket se ka marrё mё shumё rёndёsi nё tryezat e diplomacisё sё Bashkimit evropian, i cili ngulmon nё takimet e drejtpёrdrejta mes drejtuesve kryesorё tё Serbisё e tё Kosovёs, qё tё arrijё nё njё marrёveshje tё pranueshme e tё kёnaqёshme pёr vetё popujt e tyre, por edhe nё pёrputhje me parimet kryesore tё Bashkёsisё evropiane, nё tё cilёn dy shtetet synojnё tё hyjnё nё kohё relativisht tё shkurtёra.

Parimi i diplomacisё evropiane, pёrsa i pёrket politikёs sё zgjerimit, duket se ёshtё i lidhur me shmangjen e problemeve tё grindjeve ndёrmjet mёtonjёsve. Nё kёtё kuadёr synimi i tyre sot ёshtё i pёrqёndruar nё shmangien kundёrshtisё serbo – shqiptare si gur themeltar i njё godine harmonie pёr tё gjithё Ballkanin. Nёse ky ёshtё synimi i Evropёs e i ShBA, mendoj se ne e kemi pёr detyrё tё mundohemi me tё gjitha mundёsitё tona pёr tё lehtёsuar sendёrtimin e tij. Ajo gjё ёshtё nё rradhё tё parё nё interesin tonё, mbasi normalizimi i marrёdhёnieve tё Prishtinёs me Beogradin do t’i hapte rrugёn normalizimit botёror tё çёshtjes kosovare, me pasojё arritjen e synimit tё pranimit tё saj nё tё gjithё organizmat ndёrkombёtare, me tё drejta tё plota tё njё shteti sovran.

Pёr tё arritur nё kёtё pikё tё dёshiruar pёr Kosovёn dhe gjithё shqiptarёt duhen shmangur pengesat qё, me ose pa tё drejtё, quhen vendimtare. Kёto njёjtёsohen me problemet e pakicave etnike nё trevat e dy shteteve. Diplomacia bashkёkohore evropiane ka bёrё njё njё kapёrcim tё fuqishёm mbrapa, duke pranuar pёrparёsinё e shteteve etnike nё shmangien e arsyeve tё kundёrshtive dhe vatrave tё tensionit mes shteteve. A nuk ishte kjo teza e herёshme e kombёtarizmit shqiptar? A nuk kemi njё shekull qё ne ngremё lart flamurin e padrejtёsive historike kundrejt nesh, pikёrisht sepse mёsymja e fqinjёve dhe ligjёsimi i saj nga diplomacitё e shteteve tё mёdha ka qёnё njё nga fatkeqёsitё mё tё mёdha tё kombit tonё nё shekullin e shkuar?

Pёr tё sendёrtuar kёtё mundёsi normalizimi duhet bёrё njё ndryshim kufijsh: Mitrovica e veriut, e banuar nga 130.000 serbё me Luginёn e Preshevёs, Bujanovcit e Medvegjes. E para duhet t’i kalohet Serbisё dhe e dyta Kosovёs. Nё kёtё shkёmbim , nga ana ekonomike, del e fituar Serbia, pa dyshim, nё sajё tё pasurisё nёntokёsore qё pёrfaqёson Trepça dhe Mitrovica e veriut. Logjika tregtare e arsyetimit shtyn shumicёn e politikanёve dhe opinionistёve t’a quajnё tё papranueshme kёtё mundёsi, qoftё edhe nё shkёmbim tё njё paqtimi tё vёrtetё mes shqiptarёve tё Kosovёs dhe serbёve, njё paqtim qё nёnkupton njohjen de jurenga serbёt dhe miqtё e tyre tё Kosovёs sё pavarur dhe sovrane. Kёtu shtrohet pyetja: a i a vlen ky flijim i interesit material tё Kosovёs sot, pёr t’ardhmen e saj, tё siguruar nga marrёveshje tё firmosura nё prani e mbikqyrje tё diplomacive perёndimore evropiane dhe amerikane, marrёveshje qё sanksionojnё zyrtarisht njohjen e ndёrsjelltё, hapjen e njё epoke bashkёpunimi tё sinqertё e tё gjithanshёm nё dobi tё integrimit evropian? E nё kёtё rast lind njё tjetёr pyetje: a mund e duhet t’i besojmё serbёve, a mund tё zёvёndёsojmё shprehjen e famёshme tё Virgjilit “Trembiu grekёve dhe kur tё bёjnё njё dhuratё”, duke ndёrruar emrin e grekёve me atё tё serbёve? A duhet tё mbajmё parasysh se nesёr nё vend tё Vuçiçit, qё mendoj se e don marrёveshjen mund tё vijё njё Seshel, apo njё tjetёr dishepull i Millosheviçit, qё t’a hedhё atё nё kosh e tё kёrkojё edhe njё herё tjetёr rishikimin e kufinjve, duke mёtuar kthimin e tyre nё shekullin e shkuar? Kёtu hyn nё veprim fuqia politike e mbikqyrёsve tё asaj marrёveshjeje, qё janё nё gjёndje tё sigurojnё mos realizimin e skenarit tё hamendёsuar mё sipёr, nёse ata na e japin kёtё siguri nuk kemi pse tё ngurojmё. Pёrputhja e interesave tё integrimit n’Evropё pёr tё dy popujt ёshtё njё tjetёr motiv shumё i rёndёsishёm qё mund tё heqё dyshimet e mundёshme nё lidhje me t’ardhmen.

Nёse marrёveshja do tё parashohё qёndrimin e popullsisё shqiptare tё Mitrovicёs nё territorin e Kosovёs dhe bashkimin  e krahinave tё Luginёs me tё, mё duket se ajo mund tё jetё e pranueshme. Sidoqoftё ky mbetet njё problem pёr t’u zgjidhur nga Kosova, populli i saj dhe klasa politike e saj. E kjo bёhet nёpёrmjet njё bisede tё shtruar nё institucionet pёrkatёse, njё lloj “Kuvendi tё Arbёrit”, nё traditёn mё tё mirё tё tij, ku tё peshohen argumentat pro dhe kundёr, pa paragjykime e me gjakftohtёsi, duke lёnё mёnjanё njё pjesё tё mirё tё mllefit qё historia na ka futur nё gjak, si pasojё e njё tё shkuare tё dhimbёshme e me shumё flijime nga ana e jonё. Nё kёtё kuvend duhet tё mbizotёrojё logjika e ftohtё pragmatiste, e projektuar mё shumё nё t’ardhmen se sa e ngulitur nё tё shkuarёn, vetёdijesimi qё çdo sipёrmarrje e madhe, e tillё duhet quajtur edhe kjo e paqtimit me Sёrbinё, kёrkon flinё e vet. Legjenda e Rozafёs mbetet gjithmonё aktuale e ka çfarё tё na mёsojё.

Krijimi i njё grupi pune qё do tё qёndrojё pёrbri kryetarit tё shtetit nё bisedimet e Brukselit mё duket njё nisjativё mjaft e drejtё dhe e dobishme. Por ngulmimi i Presidentit Thaçi pёr tё sendёrtuar marrёveshjen, mё duket se nuk meriton lumin e padive qё i bёhen. Ai duhet tё jetё njё pёrpjekje pёr mirёkuptim, pёr shoshitje tё gjithё elementёve pёrbёrёs tё bisedimeve, pёr tё pёrcaktuar caqet pёrtej tё cilёve nuk mund e nuk duhet tё shkohet. Nё kёtё drejtim duhet tё japё ndihmesёn e vet edhe opozita kosovare, qё nuk duhet tё ngujohet nё bindje tё parafabrikuara e tё flasё jashtё kuvendit, por tё marrё pёrgjegjёsinё e saj, nёpёrmjet ballafaqimit tё hapur me ekipin negociues e me shumicen nё parlament.

Ёshtё njё provё e madhe edhe nё fushёn ndёrkombёtare, njё provim i aftёsisё sonё ndёrtuese qё duhet tё shprehim, i prirjes pёr t’i zgjidhur problemet tona nёpёrmjet marrёveshjesh tё peshuara, tё shoshitura e tё pranuara, jo si detyrim nga njёri apo tjetri, por si njё detyrё qё e ardhmja shtron sot para vullnetit tonё pёr tё punuar pёr tё. Kundёrshtimi paragjykues i pёrhershёm dhe i pabazuar nё logjikёn historike, nuk ёshtё shprehje e kthjelltёsisё sё ideve, mbasi teza se”kufinjtё janё vendosur me luftё” e pёr pasojё logjike, me luftё duhet tё ndryshojnё, jo vetёm nuk ka asnjё dobi pёr t’ardhmen tonё, jo vetёm na kthen mbrapa nё mendёsi tё vjetra e tё tejkaluara nga kohёt, por nuk i pёrgjigjet sё vёrtetёs historike, mbasi pёr ne kanё qenё produkt i vendimeve tё tё mёdhenjve tё botёs qё ligjёsuan pushtime tё cilёve ne nuk qemё nё gjёndje t’u kundёrviheshim e pra “tё luftonim”. Nёse sot, nё sajё tё ndryshimeve tё mёdha tё Evropёs, na jepet mundёsia t’i pёrcaktojmё ata nёpёrmjet bisedimeve ndёrtuese, nuk mё duket se ёshtё rasti t’u bishtnojmё atyre e, aq mё tepёr, t’i hedhim poshtё.

Nuk mё duket bindёs edhe njё qёndrim tjetёr i shprehur kёto ditё, i huajtur nga arsenali i diplomacisё evropiane tё sё shkuarёs, se “ndryshimi i kufinjve pёrbёn njё rrezik pёr pёrballime tё reja nё rajon”. Nё rastin e veçantё tё shqiptarёve me serbёt duhet tё jetё e kundёrta, duhet tё sigurojё njё periudhё harmonie e bashkёpunimi me fqinjёt. Pёrvoja e kёtyre tridhjetё viteve tё fundit n’Evropё tregon se ndryshimet, pasojё e marrёveshjeve paqёsore kanё funksionuar mirё e nuk kanё krijuar asnjё problem. Mjafton tё mbajmё parasysh bashkimin e Gjermanisё dhe ndarjen e Republikёs Ҫeke nga Sllovakia.

Sё fundi mendoj se marrёveshja me Sёrbinё, nё perspektivёn e integrimit evropian, krijon premisat edhe pёr hapa tё mёtejshme nё drejtim tё bashkimit kombёtar, mbasi njё Kosovё e shkёputur nga litari serb i lidhjeve tё sё shkuarёs, ka mundёsi nёse e dёshiron, nёse i pёrgjigjet aspiratave tё shqiptarёve nё tё dy anёt e Drinit, tё kёrkojё mё me lehtёsi bashkimin, aq shumё tё dёshiruar me Shqipёrinё.

Si pёrfundim i kёsaj pёrsiatjeje kundёr rrymёs, desha tё kujtoj njё thёnie tё njё historiani tё madh anglez, Edward Gibbonit: “Shqiptarёt kanё mbrojtur gjithmonё kauzёn e humbur”. Ndoshta kёtё herё kemi rastin tё pёrgёnjeshtrojmё historianin anglez e tё tregojmё se jemi nё gjendje t’a rrokim çastin e volitshёm e tё punojmё pёr interesat e vёrteta tё kombit e, kryesisht, tё fёmijёve e nipave tanё.

Shtator 2018                                                                         Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugen Merlika, kosova, para çastit Historik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1282
  • 1283
  • 1284
  • 1285
  • 1286
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT