• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Humori i lig i një reforme me gjyqtarë

August 2, 2018 by dgreca

2 Ilir-Levonja-300x298Nga ILIR Levonja/

Kur një nga anëtarët e komisionit shqipton atë frazën magjike se e kalon apo jo Vetingun, iks apo ypsilon gjyqtar, me siguri ndonjë Kasem diku në provincë fërkon barkun. Dhe thotë, ptu, ptu rracë e poshtër, shiko sa ka vjedhur etj. Kjo e gjitha sipas ca hamëndësimeve në shtyp, me një fjalë pavarësisht pakënaqësive të opozitës për një kolaps të plot institucional, populli është i kënaqur. Sidomos kur shqiptohen shifrat e apartamenteve, rekordi deri më sot është 27, pra një gjyqtar ka 27 apartamente rreth e rrotull Tiranës Durrësit, Kavajës e Vlorës… Apo kur shqiptohet shifra e milionave në eurove, shifër që afërmendsh nuk mund të justifikohet me të ardhurat a pagën që merr një gjyqtar. Ky është një opinion i shtypit, e gjen sot kudo në të gjitha webet, mjaft t’i hedhësh një sy. Ka një numër të tërë kalemxhinjsh që i gëzohen gëzimit të Kasemëve të provincës, atyre që quhen popull. Nga ana e tij edhe Rama tregon me gishtin e syve se janë në rrugën e duhur. Ne e dimë mirë se në atë kulturën tonë të mbrapshtë, të rryshfetit, çfarë do lloj krimi, çfarë do lloj veprimi antiligjor, është plotësisht i sheshueshëm mjafton të japësh ca para. Dhe po nuk i patëm, do luajmë të gjithë miqtë, i kemi ku s’i kemi deri sa të gjejmë paratë e honorarit. E themi dhe me mburrje…, i derdha xhixhet unë atij, pa ma nxorri djalin etj. 

Nuk e diskutoj që është zakoni më i keq i yni dhe një zot e di se kur do ta heqim, por kjo puna e gjyqtarëve o ti Kasem i provincës, Kasem popull, është maja ajsbergut. Maja e çibanit kombëtar që ti, unë, ai, mendojmë se do na shpëtoj shëndetin me pastrimin e drejtësisë. Në fakt është reforma më e pa sinqertë dhe shuplakë për ne që u jemi vërsulur me qjef pervers këtyre emrave që lënë drejtësinë. Ka bërë e vepruar në bazë të kulturës sonë. Kanë kërkuar i keni dhënë (mund të mos kishit dhënë)… arsyet janë të shumta. Keni mbuluar krimin, kanë mbuluar krimin, kemi mundur vetveten. Kaq…Kanë falsifikuar letra, vërtetime, kanë mbajtur me hatër, atë punë kanë ata. Dhe normalisht një sakrificë ligjore, ka haraç. Reforma në drejtësi është këmbëngulje e Perëndimit, madje me paratë e tyre, duke marrur parasysh edhe kolapsin institucional. Më pakta e mundshmja që edhe Amerika e madhe mundi të bëj… iu drejtua dikasterit të ligjit, me shpresë të vënies në punë të institucionit. Pasi afërmendsh asnjë nga faktorët politikë nuk do votonte nisjen e një pastrimi nga politika përshembull a pushtete të tjera, përfshi këtu edhe median vizive dhe të shkruar. Asesi nuk do pranonin dhe asesi nuk do vepronin. Jo më shumë se dje, një senator amerikan me rrënjë nga arbëreshët Joe di Guardi, i thoshte një televizioni shqiptar në Kosovë, se që nga 91 kur ai kish zbritur në Tiranë të lobonte për demokracinë, e deri më sot, si në Shqipëri dhe pjesën e epërme të saj, Kosovë, kishte vetëm një arritje…, milionat marramendëse të faktorit politik dhe ekzekutivit. Dhe me të drejtë, pasi sot shqiptarët krahasojnë një shëtitore buzë detit, atë në Vlorë me atë të Rio de Janeros…, Ashtu dhe senatori lobues, kumtonte se vërtetë niveli i krahasueshmërisë së Shqipërisë dhe Kosovës është plotësisht me atë të Brazilit të sotshëm, ku 5% e shoqërisë janë miliarderë dhe 95% të varfër, kasemër, popull. Me mijra Kasemër qeshin dhe fërkojnë barkun kur del nga salla me ngërdheshje një gjyqtar i rrëzuar, fërkojnë barkun i qeshen Ramës, reformave. Pa e kuptuar asnjëherë se reforma të tilla, çikërrima janë vetëm një humor i lig i zgjatjes së tranzicionit shqiptar. Mendoni sikur të kishit filluar me politikën, ulni Ramën aty, të parin… i takon se është kryeministri i vendit. Ulni dhe të tjerët me radhë, Berishën, Metën… ulni dhe këta shtypistat që kanë nisur ta quajnë si reformë që po kënaq popullin. Ulini dhe shikojini se a i justifikojnë ato makinat e shtrenjta me të ardhurat. Dhe ajo që është më e rëndësishme, pyesni veten… përshembull kaq është reforma. Iks apo Ypsilon gjyqtar hiqet nga puna, i hiqet liçensa etj. Po me paratë çfarë do bëhet, deri sa themi që fituar në mënyrë korruptive? Çfarë do bëjmë me ‘to… se ju griu barkut interesi i përqindjeve të 3 p-ve. Një pyetje që kërkon zgjidhje të menjëhershme, jo qejf o qejf që hoqën Gjonin.

Filed Under: Politike Tagged With: Humori i lig, i një reforme me gjyqtarë, Ilir Levonja

SHKENCËTARI PA VARR

August 2, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 KRIMINELET E MBYTEN DHE E LANE  EDHE  PA VARR…/

1 ate bernard PalajAT BERNARDIN PALAJ O.F.M. (1894 – 1946)/

  • 2 GUSHT 2018 EDHE NJË USHTAR I ATDHEUT DHE I FESË MA SHUMË !
  • 2 GUSHT 1918U shugurue Meshtar At Bernardin Palaj O.F.M. (1894 – 1946)

EDHE NJË DIJETAR FILLON ME DALTUE ME PENË NDER ALPET TONA…/

1944 Per Françeskanët e Shqipnisë, hapi vetem gropa varrimi pa emen dhe Kryq…

Pranë Spitalit të Shkodres ishte edhe konvikti “Malet Tona”, një ndertesë që shpejtë u kthye në hetuesi, se i duhej Sigurimit të shtetit me kenë pranë Spitalit per “autopsi”…

Në vitin 1946 asht arrestue edhe një shkodranë që per fat ka jetue deri në vitin 1999, kur shumica e Martirëve tanë e kishin mbyllë jeten e vet. Ky ishte Loro Vata, nder Burrat e nderuem per qendresen nder tortura dhe në vuejtjet e pafund nder kampet e shfarosjes.

Njëtjeter vlerë e Loros që ndoshta, nder shumë të tjerë edhe mungonte, ishte saktësia e ruejtjes së ngjarjeve në kujtesen e Tij, që kur fliste të dukej sikur po lexon kujtime…

Pata fatin e madh me u njoh afer me Loron mbas vitit 1992, kur unë porsa kishe fillue me shkrue per vitet e paharrueshme të diktaturës komuniste dhe “luftës së kllasave”.

Një ditë u takueme tek Dugajt’ e Reja, dhe u ulëm me Loron me pi nga një kafe tek klubi poshtë shtëpisë Plevneshëve. Loro filloi nga 1946, pak ditë mbas arrestimit kur Loro Vata dergohet në hetuesinë tek konvikti “Malet tona”. Aty merrej në pyetje nga një katil i njohun i hetuesisë, Fadil Kapisyzi. Qelia ku ishte i pranguem Loro, ishte pranë dhomës ku Fadili, merrte në pyetje edhe të arrestuemit tjerë. Në krahun tjeter Fadili i kishte vue pranë Loros një zonjë shkodrane, së ciles i kishin pushkatue burrin dhe këte po e torturonin me e dënue. Kjo ishte zonja Bedrije Ashikja, e motra e Ahmet Ashikes. 

Shpesh Bedrijen vinte dhe e merrte hetuesi Dul Rrjolli, dhe e vente me pastrue zyret.Loro po më tregonte per ditët e para të Dhjetorit 1946, kur Bedrija mbasi mora fshisen dhe koven e ujit shkoi tek dhoma e Fadilit me e pastrue zyren e tij.  Dy kriminelat, Fadili me Dulin kishin dalë perpara ndertesës dhe po pinin cigare.

… Nuk kishin kalue pak minuta mbasi Bedrija po pastronte dhomen e Fadilit, u ndigjue një virrmë e fortë, që u këput pa u kuptue pse… As nuk mund të merrej me mend! 
Shumë shpejtë nuk vonoi pak kohë dhe mërrijti Dul Rrjolli, i cili mbasi e pyeti Bedrijen: “Pse e preke thesin, a të thashë, se mbas derës mos pastro… moj e poshter.., moj…” dhe ai vazhdoi, tue terhjekë rrëshanë Bedrijen, që nuk i ndigjohej fare zani, por tue e sha me fjalorin e njohun të tyne, eci derisa e holli në qeli… Mërrijti aty edhe Fadili, dhe vazhdoi edhe ai si Duli. Në fund Fadili e porositi me nervozitet Bedrijen:  “Guxo e tregoi kujt se shka ke pa, se edhe ty do të kalbi në një gropë me te, moj ..!” 

Loro tregoi se atë natë ishe i sigurtë se i pergjojnë, prandej, as nuk i kishte dhanë asnjë sinjal Bedrijes per me marrë vesht shka ngjau atëditë, në zyren e torturave të Fadilit… 

Të nesermen heret më zgjoi vetë Bedrija: “Loro, a e di shka ka ngja dje në zyre të hetues Fadilit?” – Unë, i pergjegja jo! Po në të vertetë, gjatë natës, veshtrova nga oborri dhe, aty nga e vona, disa roje hapne një gropë, dhe hollen aty një thes ngjyrë kafe të mbyllët mu tek qerrshija brinjë murit të hetuesisë… Kuptova se dikush kishte vdekë në tortura! 
Bedrija i kishte tregue Loros, se: “Gjatë torturave me korrent elektrik, Fadilit dhe Dulit u ka mbetë i vdekun në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë e kishin ba si thes në zhgunin e vet ngjyrë kafe. Unë pa dijtë gja, tue pastrue mbasdere, kur e pashë vrrita dhe nga tmerri më ka ra të fikët… Ka ardhë Duli dhe më ka hjedhë ujë, e mbas pak kam ardhë në vete. Gjithë diten jam qenë e tmerrueme, as nuk më ka kalue buka…

Një tmerr me e pa Fratin e shkretë ashtu..!!”

***

E mbytja e At Bernardin Palaj në torturë, vazhdon mos me u shkrue si ishte e verteta! 

Keni “harrue” sa vjet janë ba tue tregue përralla me mbret e tetanoz…

E sa mija e mija Martirë t’ Atdheut janë të mbuluem me përralla e rrena…

HIQNI DORË NGA MASHTRIMET !  Kerkoni të verteten!

Nuk ua hiqni dekoratat “Heronjve” Vrasës dhe Tradhëtarë! I mbrojnë bijt’ e tyne…

…E, kur pat pyet Dulin një shok i veti: “Çka po bani në këte popull kështu, o Dul!?”

Ai u pat pergjegjë: “Kur ishim fëmijë, nder mejtepe, nga Hoxhallarët e patme ndigjue fjalen Zot! Po këta që po rriten që as nuk e kanë ndigjue as, nuk e dijnë Atë Emen?

Mendoni se çka do të bajnë këta mbi këte Popull…”

Koha po i verteton të gjitha parashikimet!

            Melbourne Gusht 2018.

Filed Under: Histori Tagged With: AT BERNARDIN PALAJ O.F.M, Fritz radovani, shkencetari pa parr

Akademia kushtuar dom Anton Kçirës nga Shoqata “Trojet e Arbrit”

August 2, 2018 by dgreca

 

2-Leonora-Laçi-250x274Nga Leonora Laçi/Sekretare e Përgjithshme e Shoqates Trojet e Arbrit, studiuese/1 akdemi1 Ish ambasad LaukaGjakovë, 1 gusht 2018- Në Sallen e Konferencave në Hotel Metropol-Gjakovë u mbajt akademia kushtuar dom Anton Kçira si dhe u promovua libri i dytë që i është kushtuar atij, organizatore ishte Shoqata I.Gj. Trojet e Arbrit, dhe ishte i treti organizim brenda pak ditesh që kjo shoqatë zhvilloi, pas Prizrenit dhe Lezhës i erdh radha Gjakovës2 akademi

Gjakoven po e vizitoja për herë të parë, është vendlindja e dom Anton Kçirës, vendi i heronjve real dhe atyre jo real. Pashë pak nga të gjitha; pak Shkodër, pak Prizren etj. 1 tomaTema bosht ishte- “Dom Anton Kçira Ambasador i shqiptareve ne SHBA”. Shoqata Trojet e Arbrit nen kryesine e Mrsc. Nue Oroshit dhe keshillit organizator, pa harruar dhe bashkthemeluesit prof.dr. Muhamet Shatri, e veprimtarin, sekretarin e Lidhjes se III Shqiptare te Prizrenit,kontribuesin, studiuesin Tome Mrijaj i ardhur nga ShBA.

Sesioni filloi me himnin kombëtar e u ndoq nga poema e Kapedan Markut e Ernest Koliqi, fjalen e hapjes e mbajti prof.dr. Muhamet Shatri, ku përshendeti mysafirët e  studiuesit si dhe z. Tomë Jakun nga ShBA, u ndal tek rendësia e ketij sesioni dhe bëri nje apel të hapur, citoj-“ Guxoj të them ketu perpara jush të nderuar pjesëmarres, se ato që mohojnë këto figura madhore kombetare e njerëzore, me vlera që rrezatojnë në mbarë boten, e kanë humbur rrugen e shqiptarisë. Ne duhet ta kemi të qartë se pa terësinë e të gjitha feve te popullit tonë, do të zhbehet edhe shqiptaria. Prandaj, duhet të luftojmë me ngulm që fara e keqe, sidomos ajo e perskajshmërisë islamike, të mos mbijë dhe të mos leshoj rrenjë në trojet etnike”.

Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre perfaqësues të  klerit katolik si; Mons. Rrok Gjonlleshaj, Arqipeshkvi i Tivarit, mons. Zef Gashi, ipeshkv në pension, mons. Hilë Kabashi, ka qenë administrator i kishës katolik në Shqipërinë e Jugut, aktualisht në pension në Gjakovë, dom Nikë Ukgjini – studiues, famullitar i kishës së dom Ndre Mjeda, Kukel- Bushat, Shkoder etj. Patëm nderin të kishim dhe ish- ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë z. Islam Lauka ku tha mes te tjerave:-“ Më vjen mire që i bëhet sesion dom Anton Kçirës në të gjallë të tij, ne kemi nevojë për orientues si dom Antoni, pasi sesione i janë bërë vetëm figurave madhore si: Nane Terezes, Ismail Kadares etj. Dhe kjo tregon rendësin e madhe të tij.

Ndërsa mons. Hilë Kabashi vuri theksin se:-“ Harresa është nje armik i madh dhe këto takime janë për tu mos harruar personi dhe vepra e tij”.

Ndërsa pader Nue Kajtazi famullitar i kishës së Gjakovës, tha:- Mirë se keni ardh në Gjakovë, Gjakova flet shqip dhe do te flas gjithmonë shqip, ndryshe nga qytete të tjera që po përzijnë gjuhë tjera, psh;Prizreni. Dom Antonin e njoh, ai është një figurë që duhet hulumtuar e ne shqiptarët kemi të mirat dhe të këqijat tona, brenda natës të shpallim shenjt, e brenda natës të shpallim djall, brenda natës të shpallim hero, e brenda natës të shpallim armik. Shqiptaret sot nuk ia dinë vlerën dom Antonit, por në të ardhmen kanë me qenë krenar për te”.

Keto ishin pak nga fjalet e mbajtura të mysafirëve.

Pastaj filloi pjesa shkencore ku pati rreth 20 kumtesa nga studiues të ndryshëm nga mbarë trojet etnike dhe diaspora si; dr. Besim Morina, Eugjen Merlika,Tome Mrijaj, Pjeter Nikolla, dr. Riza Sadiku, dom Albert Jaku, Fatmir Minguli, Franc Llesh Grishaj, Leonora Laçi, Pal Canaj, Anton Antoni, Mhill Velaj, Mikel Gojani, Klajd Kapinova, Arben Çokaj, Krist Gjinaj, Lekë Mrijaj, Gjon Fran Ivezaj, Nue Oroshi, dr.Sali Haxhiu etj.

Referimet e mbajtura sollen mjaft të reja për veprimtarinë e dom Antonit në Kosovë por dhe diaspor, disa nga kumtesat ishin përshypje nga librat ; “ Don Anton Kçira në jubileun e 50 vjetorit te meshtarise” me autor Tomë Mrijaj& Klajd Kapinova dhe “Dom Anton Kçira sherbestar i Zotit e i Atdheut” po nga keto dy autor.

Dom Antoni ndërtoi jo vetëm një vend kulti në Detroit( ShBA), por Shqipërinë në miniaturë duke i ndihmuar shqiptarët të mos humbnin traditat e zakonet e tyre për t’ja përcjellë ato dhe fëmijëve. Kisha e Shën Palit u bë model për nga rregullat strikte jo vetëm për të respektuar rregullat kishtare por dhe shtëpinë e Zotit, Dom Antoni minimizoi hakmarrjen dhe ktheu besimtarët shqiptarë në kishë. Ai krijoi ura lidhese dhe nxiti bashkejetesen fetate ku bashkëpunoi pa dallim me klerin mysliman në dobi të çështjeve të përbashkëta. Dom Anton Kçira nuk u kursye për shqiptarët e diasporës, dhe  akademia pati këtë synim;nderimin e aktivitetit te tij, ndonëse nuk e bëri për të marrë vlerësime por e ndjeu si detyrë kombëtare.

Arrijmë në përfundim se Kisha e Shen Palit në Detroit u mishirua me emrin e Dom Antonit dhe ishin të pandashem në rrugetimin e tyre, Dom Anton Kçira- Kisha Shen Palit.

Ajo qe duhet theksuar nga ky sesion është se popullit që ai i ka sherbyer e ka shpallur Ambasador i komunitetit në SHBA, dhe ai nuk ka nevoje per dekorata nga institucionet shteterore te Shqiperise e Kosoves pasi de facto ai i ka fituar dekoratat, ka fituar zemrat, simpatine dhe respektin e atyre qe i ka udhehequr ne rrugetimin shpirteror.

Sikurse institucionet fetare shqiptare të kishin nga një Dom Anton, me mire do t’i kishin punet. Dom Antoni në Gjakovë njohu komunizmin sllav, e në Detroit atë sllav dhe shqiptar. Kur punon fort dhe armiqt e dashakeqasit janë të shumtë, por në fund askush nuk mund ta mohojë kontributin e Dom Antonit ne komunitetin shqiptar ne SHBA por dhe mbeshtetjen e pakursyer te tij ndaj çeshtjeve te ndjeshme e problemeve të Shqipërise dhe Kosovës.

Ai e la vepren, detyra jone eshte ta evidentojme dhe t’i japim meritat qe i ka.

Ky sesion i treti shkencor u përmbyll me sukses ashtu si dhe të tjerat para tij me fjalen e mbylljes nga prof. Riza Sadiku- studiues i mërgatës shqiptare të SHBA, ku nder te tjera tha:-“ të tilla sesione shkencore për personalitete të dalluar kombëtar, duhet të organizohen edhe ne te ardhmen sepse opinioni i gjere shqiptar nuk eshte sa duhet i informuar me veprimtarine e tyre kombetare, të cilët terë jetën ia kushtuan afirmimit dhe ndërkombtarizimit të çështjes mbarëkombetare, në veçanti të Kosoves, siç është rasti edhe me figuren emblematike dhe personalitetin e dom Anton Kçirës, personalitete te tilla te anatemuara dhe margjinalizuara nga sistemet komuniste ka shumë populli shqiptar, nxjerrja në dritë e veprimtarisë kombetare të personaliteteve të mirefillta te kombit shqiptar, jo vetem qe eshte obligim moral dhe njerezor por me veprimtarë të tillë të devotshëm pasurojnë dhe historinë e popullit shqiptar”. Profesor Riza vazhdoi fjalen më tej-“ Falenderoj Kryetarin  e palodhur te Shoqates Trojet e Arbrit magjister Nue Oroshin, sekretaren e shoqates zonjushen Leonora Laçi dhe ne veçanti perfaqesuesin dhe koordinatorin e mergatës shqiptare nga ShBA  z. Tome Mrijaj, i cili për 15 vite e mbanë timonin e organizimit dhe financimit të sesioneve te tilla shkencore – përmbyll fjalën prof. dr Riza Sadiku.

Dom Antoni ishte i pranishem dhe pershendeti klerikët katolik dhe organizatoret e sesionit shkencor, duke i falenderuar përzemersisht, ku iu dha dhurate simbolike Gjergj Kastrioti, në emer të Shoqatës  nga kryetari  Nue Oroshi.

Kështu edhe ketij sesioni i erdh fundi për t’ i lenë radhen botimit të kumtesave, diskutimeve për sesionet e ardhshme dhe projekteve ambicioze.

Filed Under: Politike Tagged With: Akademi, Dom Anton Kçira, gjakove, Leonora Laci

Duke e kujtuar me përmallim Llesh Luket Grishajn

August 2, 2018 by dgreca

Duke e kujtuar me përmallim të njohurin tim të para 67 viteve “ Llesh Luket Grishajn “/

1 Mergim KorcaShkruar nga : Mërgim Korça /

1 Llesh Luket Grishaj

Me kalimin e viteve sa vjen edhe njeriu fillon e familjarizohet me faktin e quajtur “vdekje” e doemos kjo shfaqje natyrisht vjen e lidhet me ngjarjen me të cilën ballafaqohemi dëndur e më dëndur … me kalimin e viteve !  Mirëpo kësaj gjëndjeje pa as më të voglën mëdyshje që, kur na paraqitet, duhet të jemi edhe të përgatitur se si t’i përgjigjemi. Duke menduar se të shkruarët rreth personit që ma krijoi këtë gjëndje shpirtërore do të ma lehtësonte situatën në fjalë dhe se kishte me qenë një farë rrugëdalje, pa një e pa dy po ulem e të hedh në letër ç’ndjeva unë sot, kur dje e putha në ballë Lleshin (tashmë të ndjerë) dhe ai as që i hapi sytë … kurse sot, i biri i Tij Franzi më dhá lajmin mortór !

Nga që i ndjeri ishte “puro Gegë”, lexuesi i këtyre rradhëve, po qé Toskë, të më falë për përjashtimin që po i bëj me këtë rast gjuhës t’ime Atërore !

Jena kênë njoftë me Lleshin e ndjémë jo pak por plot 67 vjete të shkueme kur na mobilizuene ushtárë në Repartin e Mallkuem të Punës q’e ndërtoi te i quejtuni Rrapi Trish të gjith’atê zonë kazermash ushtarake !

Kje nji rast’i çuditshëm sepse në fillim kur porsa kishim ardhë ushtarë të rij te Komanda qi kishim në rrugën e Durrësit, dikund përkarshí me fundin e ish aeroportit të Tiranës, kjé nji ushtár’i vjetër me të cillin kisha shoqní qysh në Gjimnazin e Shkodrës, Kastriot Bajraktari, (i cilli ishte njêni prej bijsh të nënkolonelit Mul Delísë, Bajraktarit të Hotit si edhe Malcisë së Madhe), qi më njofti me të ndjémin Llesh Grishaj qi ishte mobilizue e kishte ardhë ushtarë bashkë me mue prej Shkodre. Kah Kastriotin e njifshem si djalë shum të mirë e ky ma rekomandoi Lleshin, nuk kishjem si mos t’i besojshem e qysh në muejin Dhetuer të vjetës 1951 e kena pasë lidhë miqësínë me tê !  E përpá u zgjatë rreth kësaj ndodhíje … qysh atëherë, (merreni me mênd lexues të nderuem), se sa të shtrêjt’e kena ruejtë miqësínë me Lleshin e ndjémë edhe përgjatë ktyne 27 vjeteve qi kena banue s’bashkut këtu në Michigan-in e Shteteve të Bashkueme të Amerikës !  E kuptoj mâ se mirfílli se për nji lexues moshe të ré âsht e vështirë me u kuptue ky pohim qi vijon, ndërsa për nji person i cilli e ka jetue thuejse gjysë shekullin e diktaturës kuqe, aj din m’e ndjekë hap mbas hapi se shka kam me diftue. Përgjatë asaj qi u quejt m’njênën ânë DIKTATURË E PROLETARIATIT  e në tjetrën ânë, po prej të njajtve drejtues komunistë të vêndit, DEMOKRACÍ POPULLORE, ku vêhet shêja e barazimit mjedis dy cillsorve diametralisht të kundërt njêni prej tjetrit edhe qindrimi i atyne q’e kishin në dorë Shqipnínë ishte i njajti :  masa extreme lufte kundrejt prindve t’onë ndên parullën LUFTË KLASASH  e, m’ânë tjetër po i njajti qindrim edhe kundra nesh 18-vjeçarve qi na mobilizojshin n’ushtrí por në vêndin e armëve edhe stërvitjes ushtarake na nepshin ka nji kazëm e lopatë e na bâjshin me u rraskapítë në punë krahu tue punue në gropa gëlqereje si edhe sheshe pregaditjeje betoni !

Nuk ishte rastësí por në Repartin tonë të Punës ishte me né, Lleshin edhe mue, edhe i ndjémi tashmâ Alfred Marashi, i biri i komandantit me êmën Llesh Marashit i cilli e kishte pasë bashkpuntuer të afërt në Janarin e vjetës 1945 në atê e cilla âsht quejtë kryengritja e parë kundrakomuniste në të gjithë kampin e ashtuquejtun KOMUNIST TË LINDJES, Lukét Grishajn prej mahallës Grishajve, e pra Babën e Lleshit ! Me pak fjalë Reparti i jonë i Punës ishte i mbushun me djelm familjesh sa Atdhetáre e gjithashtu edhe të ndérshme daç gjytetare e gjithashtu edhe fshatare !

Për pa dashtë m’e mërzítë lexuesin e nderuem të ktyne rreshtave due me i kujtue nji ndodhí të mbrâmjes organizueme te Kisha e Shën Palit me 30 Tetuer të vjetës 2004 prej Revistës Kuvendi. Un kisha marrë me vedi nji shok t’êmin ushtríje i cilli kishte pasë ardhë te e bija prej Tirane edhe i quejtun Nasi Hobdari. Në sallë kishte ardhë edhe Sami Zëmblaku, nji shok tjetër ushtrije.  E nisun prej faktit se në nji tavolinë tjetër kje ulë Llesh Grishaj i cilli kur na pa se po u afrojshim drejtë Tij u çue në kâmbë, na u afrue edhe na dha dorën por … pa e njoftë askënd veç meje.  I drejtohem dhe i thom Lleshit “… Si âsht kênë quejtë komandanti yt Llesh në ushtrí ? Mbas nji çasti hutimi Aj gjegjet … Hamit Deda.  E dha gjegjen Lleshi por i shikjon tashmâ me habí dy burrat e panjoftun. I kthehem Nasit  me po at pyetje edhe Aj më gjegjet … Hamit Deda.  Edhe Samiu të njajtin êmën pohoi me gjegjen e Tij. E kur edhe un shtova po at êmën si komandant në Repartin e Punës, asnjêni prej lexuesve të ktyne radhëve nuk ka se si m’e përfytyrue emocionin me t’cillin u përqafuene Lleshi me Nasin si edhe me Samiun !  Ishim njoftë kur ishim kênë 18-vjeçarë e kishim kalue s’bashkut  sa e sa episode prej t’cillve disa edhe tragjikë e mandej … jeta na kishte ndá !  Doemos mbasi u ulme tashmâ katër pleq, gjithsecilli mori me diftue ndonji ndodhí të kohës dikurshme kur ishim ushtarë.  Me kët rasë un jam kah ndalem edhe diftoj nji kujtim t’cillin na e rikujtoi Lleshi.  Nji ditë kishte ardhë m’e inspektue repartin tonë ushtarak n/koloneli Petrit Dumja. Të tân’e mbajshim mênd, Ishte e Dile e na kishim tri orë qi ishim rreshtue në pritje. U ul Petrit Dumja prej kalit e tue ecë para repartit u drejtonte pyetje ushtarve si I kishin êmnat. Në nji farë çasti u ndal para nji ushtari shum të gjat’e të pashëm e mbasi aj iu gjegj se quhej Dodë Miri, nenkoloneli i tha : … ee e dd di ti sss ss se tty  tt t ta kam vvv vrarë bb babanë ee edhe xh xh xhaxhanë ?  E Doda iu gjegj :  E si nuk e ditkam un ?  Po jo vetëm babë edhe axhë, po ti na ke vrá nândë mashkuj t’konakut shoku nënkolonel  e na kurr s’kem se si me të harrue ty !  E un jam kah shtoj se na i kujtueme shum episode mes nji mallëngjimi të thêllë e mâ e madhja âsht se kujtimet e përjetueme u tokojshin katër djelmve të rij … kurse përballë njênitjetrit ishim tashmâ katër pleq !

Tue dashtë mos me u zgjatë shum,  jam kah theksoj se në ksí rasash, si i ka ndodhë Familjes Nderueme Grishaj  mbrâmë mbas mjesnáte, cilli kishte me kênë qindrimi mâ i përshtatshëm ndaj atyne t’cillt i ka përfshîe ky mort?

Shyqyr Zotit, Lleshi jon’i dashtun ka nji rreth të gjânë bijsh’edhe nipash e mesash t’cillt, njêni me tjetrin në ksí ráse kanë m’e ndáe dhimjen e ktij morti q’i ka gjetë !  Kurse un, si trashëgimí të miqsísë t’ême me Lleshin kam detyrë jo t’kollájtë, tue kênë se vetë Lleshi më ka miqsue ka herë me t’birin Franzin, me t’cillin pavarsísht diferencës moshore e cilla na ndán … i jam shum i detyruem, por i lutem Zotit të Madh të më ndihmojnë qi i gjindun përballë humnérës t’cillën jeta e hapi papritun para tij, s’parit e kryesisht n’asnji mënyrë mos të mundohem qi t’ju përgjigjem pyetjeve të tija, kjo sepse vetë vdekja âsht nji mister të cillit gjithsecilli i gjegjet në mënyrë të ndryshme.  E rândësishme mêndoj se âsht me i qindrue afër, m’e ndigjue, me i kênë mâ shum se kurr MIK E ME IA DIFTUE KËT MIQËSÍ SEPSE PIKËRISHT KJO MIQËSÍ ASHT E VETMJA GJA E CILLA MBETET !   

Kam me u dhânë fund ktyne rreshtave me nji ftesë lexuesve t’cillt kanë me shkue e me ua paraqítë familjarve të Lleshit ndjémë ngushllimet në banesën e tyne familjare.  Dy hapa para shkallëve të hymjes të ndalen e t’a lexojnë nji pohim të gdhêndun në gur i cilli i drejtohet të ndjémes ish bashk-shortes Lleshit ku shprehet skâjshëm me shum ndjenja njerzore respekti për ish Zojën e asaj shpíje !  E s’bashkut me kët ftésë leximi, due m’e urue çiftin Grishaj t’u jenë bashkue shpirtat n’Amshimin e Bekuem !

****

NJOFTIM MORTOR

Familja Grishaj lajmeron se miqte, te afermit, Komunitetin se  Llesh Lukete Grishaj nderroi jete ne moshen 85 vjecare,me 1 Gusht 2018,ne Shelby Township,Michigan.Djali Franzi me familje dhe me djemte e axhave qesin hatrin te enjten me date 2 Gusht ne Wujek Calcaterra 25 Mile Van Dyke prej ores 2-9.Mesha e Drites do mbahet diten e Premte, me date 3 Gusht ne 10 am ne Kishen Katolike Shqiptare te Shen Palit.Ceremonia e varrimit do jete pas meshes ne Resurrection cemetery 17 Mile Garfield.

PS:Llesh Grishaj eshte babai i Vatranit Franz Grishaj dhe xhaxhai i Alfons Grishaj

*Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA dhe Gazeta “DIELLI” i percjellin ngushellimet me te thella Familjes Grishaj.

Filed Under: Featured Tagged With: duke kujtua, Llesh luket Grishajr, Mergim Korca

Qeskat e lejuara dhe shpirti i katranosur

August 2, 2018 by dgreca

Bisedë e pautorizuar me një profesor mjedisi/

Nga Xhevair Lleshi/

1-xhevair-lleshi-zyre-300x167

AM38GT Man looking at bill in grocery store. Image shot 2007. Exact date unknown.

3 plastiv bagsMë erdhi një letër në shtëpi. Në letër shtrohej një pyetje: A del plumbi me plumb? Po. Jo. Po qeskat a luftohen me qeska? Po. Jo.S’kërkonin përgjigje, por një kryq tek PO ose JO. Dhe siç e kam zakon e ruajta letrën. Ku nuk u shkon mendja qerratenjve! Janë vërtet specialistë, siç thoshte Arbnori i gjorë. Kjo letër më ngacmoi shumë. Ndërkaq jo rastësisht takoj një profesor të nderuar mjedisi, jo atë me emër ishulli ku mund t’ju shkojë mendja, por ama një prej miqve të mi, i cili veç të tjerash, si luftëtar i orëve të para të mbrojtjes së mjedisit, është edhe biznesmen i talentuar. Edhe unë kam marrë një letër si kjo, por s’i kushtova vëmendje. Si? Edhe ti? Thashë se mos qe vetëm për mua. Më shkrehe fare or mik! Por mos harro se për këtë ti mund të më thuash nja dy gjëra: Pyetja e vë gishtin në plagë, që e keqja të shërohet. Unë kështu e kuptoj. Se vërtet tek ne çfarë nuk hyn, i zi e i bardhë, lloj-lloj qeske. Dhe pisllëk, ndotje e madhe. Erdhi edhe presidentja kroate që të na thoshte se na bëtë pis more të uruar! Edhe unë ashtu mendoj, po e them ndryshe, më thotë profesori i dëgjuar, diçka që është e pranueshme, se ti e di që nuk jam radikal, domethënë lë shtigje për korrigjim. Me dy fjalë or mik: Deri tani kanë qenë njëqind fabrika për qeskat, tani mbyllen 99 dhe mbetet vetëm njëra prej tyre. Shitje e detyruar. Mjedisi i bërë pis kryesisht nga qeskat duhet pastruar po me qeska! Ka abuzim thua? Jo mo ç’ne! Kush tha, po ka ca gjëra… këtë ta dish. Tani ti bëj si të duash. Por mos u hiq aq entuziast. Se botë është kjo, ka edhe momente, s’i dihet! Ja, unë me këtë luftë që bëj, jam tani kaq popullor, por ama e ruaj masën, hajt, dhe ki kujdes…

Fjalë në përgjithësi. Por s’do mend që deri sa ngelet në treg vetëm një prodhues qeskash ky është monopolizim me brirë! Ju doni të dini se sa fitohet? E ku bëhet hesap! Të gjithë tregtizat, krejt biznesi i madh dhe ai i vogël janë të detyruar të marrin këtë lloj qeske, se me të fitojnë të gjithë (!) dhe nuk bëhet pis Shqipëria jonë turistike! Pastaj, pse mo, për pesëdhjetë qindarka apo për pesë lekë bëheni ju. Në Tiranë (ama vetëm në Tiranë!) shiten 500 mijë qeska në ditë! Hiçgjë! (Profesori i nderuar tundte kokën. Duket po i pëlqente ironia ime. Po s’tha gjë. Sepse kujtova mos më përvishej për qentë dhe macet, për miellin dhe frutat apo perimet, për qumshtin dhe mishin… Kështu që iu ktheva arsyetimit tim të pakmëparshëm.)

Ç’kemi zotëri? Ç’na kini katranosur me këto qeskat, mo? Ju mori me qafë etja për fitime! Bëni mo, si të gjithë ne! Nuk shohim gjë, i mbajmë sytë mbyllur. Se jemi të bedenave ne, të valleve, po pse jo edhe të dantellave… Jo, mo, firaun, s’dëgjon njeri nga ai vesh! Se njerëz jemi, paçka moshës, na vete ajo e uruar mendje edhe tek e dashura, s’na dalin përpara vetëm të metat. I kini vënë lupën qeverisë dhe gjithë hallin e kini që ajo të kapet gafil! Po si more, bukurosh, sado që je me këtë bandillin e mjedisit, nuk kujtohesh të shkruash njëherë mirë, si? A është kjo qeveri që po u jep falas librat fëmijëve të fillores? Po. Ke të drejtë. Si paskam të drejtë!? Kam si jo. Se edhe botuesit shpëtojnë nga shtypi i librave çdo vit, edhe fëmijët shpëtojnë nga të mësuarit. E di apo jo? Derdimen! Shtatanik! Njeri që u bie kot borive! Si thua ti, po dhamë urdhër ne, ka ndonjë fëmijë që mos të dorëzojë librin fringo të ri, akull fare, si e ka marrë ditën e parë? Jo trepor duhet ndrequr, dhjetëvjet duhet bërë! Fundja fëmijët s’mësojnë që s’mësojnë, ç’u duhen librat!…

Hane Shan, hane Bagdad! Ku më rreh mua ku të vete mendja ty. Kam ardhur për qeskat, unë, usta! Ka korrupsion, ka punë të pisët, apo jo! Se edhe në kohën e E.Hoxhës ktheheshin librat, dorëzoheshin në fund të vitit shkollor, por kryesisht për të prodhuar letër, se ktheheshin copë-copë, s’i binte në mend njeriu të mësonte me to. Ai i madhi mjafton të japë urdhër, ë? Të tjerat i rregullojmë ne! E pse jemi ne? Ja kështu or mik. U largova nga profesori. Ah! Po ky pse ka pranuar ta marrë titullin? Mos është nga ata që e kanë blerë? Se unë i di nja tetëqind që e kanë blerë! Profesorë me lopatë!

More bandill po për ato palo qeska po e bën gjithë këtë hata? Çudi e madhe! Ja shko, tregtizë më tregtizë a do gjesh këtë mall? Se vetëm ky është i riciklueshëm. Të tjerat, pëf, nuk bëjnë! Ta thotë lali ty! Se tani ke ku të shkosh, të mbash leksione, të presin universitetet dhe akademitë më të njohura të botës (se ato të Shqipërisë janë ku e ku më lart!), po edhe ti vetë si njeri, je i ndjeshëm, i dhimbshëm, punë 5lekshi është. Do thuash ti 5 herë 500 mijë sa bëjnë. Hiç gjë: dy milionë e 500 mijë. Një fjalë goje. Po të reja, mo, të reja. Se kanë ikur nga 1965a mbi gjysmë shekulli dhe  mbete po ai, s’di që s’di të bësh llogari! Derdimen. Nuk mësove as nga ambientalistët, pa le!

Po ka dhe nga ata gjytyrymë që i kërkojnë këto qeska. Nuk janë fjala vjen si shitësja e famshme ku bën pazar edhe ministrja e mbrojtjes, e de, e, ajo është, e sotmja, dhe kurrë njëherë nuk jep kupon tatimor. Kërkoja ti kërkoja, po kujt, se? Një të përveshur të bën shitësja jonë me tërë atë supermarket e me biznes të vogël që s’di ku t’i mbash këmbët pastaj. Edhe me qeskat e njëjta do të të gjejë. Pa le, na bëke edhe llogari! Tru lesh!

Po shikoja nga dritarja me një brengë sfilitëse, me një melankoli të çuditshme që herë–herë më rrëqethte me gjithsej, më bënë të psherëtija për qeskat po se po, po edhe për kuptonin tatimor (ah po, e dini ju që qeskat speciale nuk futen në kupon, edhe pse lekët të mbahen! Kjo do të thotë se qeskat tona s’ka kupon që i nxë!) që doemos na ka zili. Po, po, ai na ka zili. Ai edhe librat e shkollës fillore! Po për to le të flasim një herë tjetër…

 

Tiranë, më 1 gusht, Dita e Qeskave të Reja Plastike

 

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe shpirti i katranosur, Qeskat e lejuara, Xhevair Lleshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1320
  • 1321
  • 1322
  • 1323
  • 1324
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT