• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sa shumë Sex-Skandale

April 9, 2018 by dgreca

1 andon Deda 2

nga Andon Dede, Nju York/

Paraprakisht të biem dakord apo të sqarojmë vetë temën: është fjala për skandale që kanë të bëjnë me seksin, pra që janë evidentuar përmes denoncimeve apo zbuluar nga mediat në rrugë të ndryshme, në një kohë që veprimtaritë e lidhura me këto lloj marrëdhëniesh, të ligjëshme apo të paligjshme, të moralshme apo të pamoralshme, vazhdojnë normalisht si më parë. Pse e them këtë? Se ligje, udhëzime e rregulla për shkelje të tilla, kanë ekzistuar e janë në veprim edhe sot e kësaj dite, pa as më të voglin ndryshim. Unë kam punuar vetë në administratën amerikane, nëpunës në Bashkinë e Nju Yorkut, dhe ligjet e rregullat që lidhen me këtë problem të bëhen të njohura qysh kur fillon punën e nënshkuran kontratën. Përveç kësaj, herë pas here, na dërgoheshin kujtesa/memorandume për të qënë sa më të kujdesshëm në marrëdhëniet me njeri tjetrin, për sa më sipër. E bëra këtë parantezë, për të theksuar edhe një herë atë që thashë më lart, se rregullat e ligjet kanë qënë e janë po ato dhe nuk ka ndryshuar gjë, siç mund ta ketë perceptuar gabimisht dikush. Problemi, pra, shtrohet: sa shumë Seks-Skandale që janë zbuluar e po zbulohen, pavarësisht se ato absolutisht nuk japin pasqyrën e vërtetë të realitetit. Presidenti Trump e shpalli prillin si muajin e luftës kundër ngacmimeve seksuale por, për mendimin tim, nuk ka për të sjellë asgjë të re. Për më tepër që në adresë të vetë presidentit vazhdojnë akuza e thashetheme për skandale të tilla që lidhen me të, para e gjatë presidencës.

Për nga mënyra se si po zhvillohet dhe sidomos nga psikoza e përgjithëshme që ka krijuar, fushata e filluar muaj më parë e që po vazhdon akoma, me too/edhe mua, sado qesharake të duket, më kujton fushatat e dikurshme të Diktaturës tek ne, si fjala vjen, ato të luftës kundër besimeve fetare e zakoneve prapanike, për emancipimin e gruas, e sidomos ajo që u zhvillua pas shkrimit të “ZP”-së, “Kur flet klasa, nuk flet burokratizmi”. Në atë kohë, me përjashtime të vogla, të gjithë gdhiheshin e ngryseshin me lepurin në bark se mos iu dilte emri në listat e qarkullimit, pa as më të voglin motiv bindës, por thjesht se pushtetarëve iu duhej një psikozë e tillë, për ta mbajtur popullin të nënshtruar. Mjerë ata që i zinte lapsi.

Vimë tek tema që nisëm. Thashë, pra, që dhe këtu në Amerikë apo dhe shumë më gjerë, është krijuar e njëjta psikozë. “Tani ke frikë edhe të bisedosh për tema të tilla me koleget e punës, thoshte dikush, pak ditë më parë, jo më t’i hedhësh dorën e ta përqafosh miqësisht”. “Valët goditëse” të akuzave për përdhunime apo dhe thjesht ngacmime seksuale nuk kursejnë asnjë, në të gjitha fushat e jetës  e të veprimtarive njerëzore, si në politikë, media, arte, sporte, administratë e kudo. Çdo ditë dalin emra të rinj të abuzuesve e viktimave, intervista e diskutime të gjata, në tërë mediat e shkruara e elektronike. Është folur e po flitet aq shumë sa e ke vështirë në mos të pamundur të thuash diçka të re. Megjithatë, marr guximin që përmes këtyre rreshtave të shpreh disa opinione apo përjetime vetjake për skandalet e mësipërme, me shpresën apo dëshirën e mirë se mbase arrij të hedh mbi to një këndvështrim sadopak të veçantë.

*  *    *

Të jem i sinqertë me lexuesin, unë nuk u habita nga gjithë sa ka ndodhur, duke pasur parasysh si përvojën në vendin tonë apo dhe këtu në Amerikë e më gjerë. Ajo që më befasoi këtu ishte diçka tjetër: qëndrimi që u mbajt ndaj atyre që u akuzuan, cilëtdo qofshin ata. Po të kthehem pas në kohë, më duhet të pohoj se habia më e madhe imja ka qënë që në vitet e para të ardhjes këtu, me skandalin e Klintonit. “O Zot, thosha me vete, si ka mundësi të përfshihet në një skandal të tillë njeriu më i fuqishëm i botës?!” Jo se nuk dija se ç’kishin bërë dhe shumë nga para-ardhësit e tij, (mjafton të kujtojmë Kenedin), por pse ai qe treguar aq naiv sa t’iu jepte rast të tjerëve për ta goditur kur i kishte të gjitha mundësitë ta kalonte pa u lagur, si plot të tjerë. Ndodhi që në ata muaj nuk kisha filluar akoma punë dhe pata kohë ta ndjek direkt në televizion gjithçka që lidhej me atë skandal, përfshi dhe impiçmentin/gjykimin e famshëm në Senat. Më bënte përshtypje edhe qëndrimi partiak i kongresmenëve dhe senatorëve, me ndonjë përjashtim të vogël. Po kështu, më la pa mend edhe skandali me ish-guveranatorin e Nju Yorkut, Spicer, që kishte qënë më parë Prokuror i këtij shteti dhe iu kishte kallur datën magnatëve të Uoll Street-it, të cilët bënë festë kur morën vesh skandalin e tij. Me që punoja në Daun Taun, një mëngjez mu desh të kaloja pranë këtyre zyrave dhe shoh poshtë monumentit të Uashingtonit një pankartë të madhe, krahas shumë të tjerave, ku me shkrim dore nuk linin sharje pa thënë për të, gjë që më kujtoi gjithashtu fletë-rrufetë/dacibaot tona. I treti skandal i madh që më ka lënë mbresa qe ai me D.S.Khan, ish-drejtorin e FMN-së. Rastësisht atë e pata parë po ato ditë në televizion, në presidiumin e një forumi botëror, me ekonomistë e funksionarë të rëndësishëm. Kur e dëgjova lajmin sikur nuk e besova; “mbase është fjala për ndonjë tjetër”, thashë me vete. Të nesërmen, kur doli i arrestuar, i parruar e me një xhup të zakonshëm, para trupit gjykues, u shtanga. Veç, mbas habisë së parë, nisa të arsyetoj për forcën e ligjit këtu, para të cilit janë të gjithë të barabartë, përndryshe, ish-kandidati për president i Francës, nuk do të përfundonte në qelitë e policisë së Nju Yorkut. Ndërkohë, skandalet vazhdonin, në nivele të ndryshme. Vetëm përmendja e tyre do shkonte shumë gjatë, por të kthehemi tek situata e sotme, që nisi me denoncimin nga disa aktore për producentin e njohur të Hollivudit, Venstein. Ai paskej qënë vërtet një përbindësh, me ç’po shohim në listat që po shtohen përditë; ka spekulluar poshtërsisht me pushtetin që i jepte jo vetëm posti që mbante por dhe milionat që zotëronte. Veç një gjë guxoj ta them përsëri: mirë ai që paskej qënë i tillë, po tërë kjo mori viktimash pse nuk e denoncoi me kohë maniakun e përbindshëm, por pritën e pritën deri sa nuk mbante më ujë pilafi?! Kjo ka vlerë dhe për shumë skandale të tjera që dolën e vazhdojnë të dalin pas tij, ndonëse, për shumicën e tyre, është fjala për episode të ndodhura dhjetra vite më parë. Denoncimi në kohë jo vetëm do t’i bënte ato më të besueshme por do të parandalonte e do ta lehtësonte edhe keqbërësin. Nga heshtja e tyre nuk e pësuan vetëm ato por një rreth shumë më i gjerë. Jo vetëm kaq, por le ta shtyjmë bisturinë edhe pak më thellë. Shumë syresh, siç e pohojnë dhe vetë apo e lënë të nënkuptohet, e kanë toleruar abuzimin me të apo dhe me të tjerë, në këmbim të favoreve që kanë përfituar. Sikur të më jepej rasti, do t’ju thosha këtyre zonjave apo zonjusheve, se ky veprim i tyre është as më shumë e as më pak por prostitucion i pastër. Ndryshimi mes tyre dhe atyre të rrugës, është vetëm formal se në përmbajtje është po ai: paret që marrin ato hallexhesha buzë trotuareve, këto të fundit i konvertojnë në favore nga më të ndryshmet. Në një këndvështrim gjakftohtë e racional, këto të fundit janë edhe më të papranueshme e pse jo, edhe më të dënueshme se të parat, me që, veç mëkatit janë dhe me dy fytyra, nga që përpiqen ta shesin veten si të ndershme në mos edhe puritane, kur në fakt, edhe këto, njëlloj si të parat, i kanë nxjerrë hiret e tyre në treg. Unë as i gjykoj e as i paragjykoj të dy kategoritë, puna e tyre, por këto të dytat të mos përpiqen të na shiten ndryshe nga ç’janë, siç lexojmë e dëgjojmë në intervistat që japin.  Mëkati i tyre kështu shumëfishohet.

*  *   *

Habi, pse jo dhe keqardhje, shkaktuan tek unë goditjet që morën disa personalitete tepër të njohura të Medias, sidomos tre prej tyre, që pa diskutim, përbënin tre ikona në televizionet amerikane: Bill O’Reilly, Charlie Rose dhe Matt Lauer, sidomos për dy të parët që i kam ndjekur më shumë. Jam i bindur se nuk jam i vetmi në këto që po them, madje dhe vetë kolegët/et e tyre të punës, ishin të dubluar/a në qëndrimet që mbajtën, bile dhe vetë presidenti Trump. Siç shprehemi në këto raste, unë vdekjen e dija por që mund të pushoheshin nga puna Bill O’Reilly e Charlie Rose, këtë s’e mendoja kurrë. Për 16 vjet me radhë, sa vazhdoi, emisioni i përditëshëm “O’Reilly Factor” ka shënuar shikueshmërinë më të lartë në llojin e vet, ndërsa intervistat dhe bisedat e Charlie Rose ishin ndër më të ndjekurat, jashtë çdo dyshimi.

Mund të vazhdoja edhe më tej në përsiatjet e mija, madje edhe duke e spostuar fokusin andej nga anët tona ku, mëkate të tilla, mbase jo aq shumë për fajin tonë, i gjen më bollëk por, me që e ndjej se u zgjata, le ta lëmë këtë për ndonjë shkrim tjetër.

Nju York, 7 prill 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Sa shumë, Sex-Skandale

KONSULLJA E PËRGJITHSHME E KOSOVËS NGUSHËLLOI KRYETARIN E VATRËS

April 9, 2018 by dgreca

2 Teuta2 Letra ok.jpgKonsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, përmes ambasadores Teuta Sahtaçija dhe ekipit të saj ka vlerësuar kontributin e Ing. Agim Karagjozit në Vatër e Komunitetin Shqiptar të Amerikës; ka vlerësuar lidhjen e thellë shpirtërore të Tij me Identitetin Kombëtar shqiptar dhe dedikimin e përkushtimin për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Ambasadorja ishte e pranishme në ceremonitë funerale dhe ngushëlloi Familjen dhe Vatrën.

Konsullja e Përgjithshme e Kosvës ka ngushëlluar Vatrën edhe  përmes një Letre ngushëlluse, dërguar kryetarit të Vatrës, z. Dritan Mishto.

Në Letër shkruhet:

Nju Jork, 4 Prill 2018;

Z.Dritan Mishto

Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA

I nderuar z. Mishto, në emrin tim personal dhe në emër të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta me rastin e vdekjes së z. Agim Karagjozi.

President Nderi i Vatrës, Ish Kryetar i Federatës Panshqiptare VATRA për dy dekada, Inxhinier Agim Karagjozi, do të mbahet mend për shpirtin atdhedashës, që shërbeu si frymëzim për anëtarët e Vatrës dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan si dhe për lidhjen e thellë shpirtërore me identitetin kombëtar shqiptar, dhe dedikimin dhe përkushtimin për pavarësinë e Kosovës.

Ju lutem pranoni edhe një herë ngushëllimet tona të sinqerta.

Me respekt

Ambasadore:Teuta Sahatçija

***

MESAZH NGUSHELLIMI EDHE NGA ISH KONSULLI I PERGJITHSHEM, Z. BEKIM SEJDIU

Një mesazh ngushëllues ka mbërritur në Vatër edhe nga ish Konsulli i përgjithshëm i Kosovës z. Bekim Sejdiu(Tash në Gjykatën Kushtetuse të Republikës së Kosovës).

Në mesazhin ngushëllues shkruhet:

Te dashur Dritan dhe Dalip;

Me dhembje mesova lajmin per ndarjen nga jeta te ish-Kryetarit te Federates Panshqiptare VATRA, veprimtarit e atedhetarit, Agim Karagjozi.

Ne keto momente pikellimi, deshiroj te shpreh ngushellimet me te thella per ju dhe te gjithe vatranet.

Me vdekjen e ztr. Agaim Karagjozi, diaspora shqiptare ne SHBA humbi nje figure emblematike te saj, ndersa kombi shqiptar mbeti pa nje prej bijeve te devotshem, qe nje jete te tere ia kushtoj ceshtjes kombetare.

Shprehe besimin tim te patundur se, ne Kosove dhe kudo tjeter ku jetojne shqiptaret, emri i Agim Karagjozit do mbetet i cmuar dhe do kujtohet perhere me respektin me te thelle.

I juaji;

Bekim Sejdiu

Judge

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

USTAVNI SUD REPUBLIKE KOSOVO

CONSTITUTIONAL COURT OF THE REPUBLIC OF KOSOVO

Filed Under: Vatra Tagged With: dritan Mishto, Leter Ngushellimi, Teuta Sahatqija

Të njohësh lirinë

April 9, 2018 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

1 astrit LULUSHI

Njeriu që lindi e vdiq në robëri ose diktaturë, kuptohet, iku pa e njohur lirinë. Sa vdiqën të tillë?! Por kombi është ndryshe nga njeriu i vetëm. Një shoqëri, një komb, që lind dhe ende nuk e njeh lirinë, e ka të pamundur ta kuptojë atë. Gjithashtu, i mungon mundësia të kuptojë sa liri ka humbur. Fakti është se këtë koncept nuk e njeh, prandaj as nuk e di nëse ka humbur apo ka fituar. Por as që do t’ia dijë, sepse, si në rast zgjedhjesh, fitoren dhe humbjen, e trajton njësoj.

Vendi ka ecur pa bërë qoftë edhe një hap përpara, që, për nga mendësia, i ngjan një banke të amortizuar. Ashtu i ka ndërtuar edhe institucionet. Sa herë është hapur një shteg, diçka ka stisur, dhe përsëri është mbështjellë e ngatërruar në lëmshin vet. Edhe të huajt nuk është se asnjë s’e ka dashur, madje e kanë ndihmuar, por ai vetë i ka përzënë e fajësuar, kur këta janë përpjekur të zgjidhin fillin e tij.

Vendi ka ngecur në vorbullën e vet. I ngjan njeriut në fazën e parë, pa përvojë, pa asgjë, përballë stepës pafund e mundësive pa anë. Dhe ai mundohet të kapet pas së shkuarës me pyll të erret e të dendur. Por edhe këtë e ka rrjepur, aq shumë e ka përdorur, për të justifikuar çdo gjë, dhe gabimet e veta. Jeton në grup, në komunitet pak a shumë të organizuar sipas traditës, a thua se ka pasur ndonjë traditë siç e kërkon koha sot. Jeton në një rajon me kufinj të caktuar, por i ndarë nga ligjet dhe partitë e veta, në bazë fisesh, klanesh të gjitha deri diku të lidhura, duke krijuar nyje, si në spango, të cilat nuk e lejojnë të shtrihet. Liria konsiston në dëshirën për të zotëruar veten, thoshte Sokrati. Dmth., se njeriu nuk është i varfër, jo sepse ka shumë, por sepse ka nevojë për pak, dhe të ardhurat e tjera shkojnë për kulturë, art, qeverisje e përparim të vendit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Të njohësh lirinë

Kosova 10 vjet me Kushtetutën e Pavarësisë

April 9, 2018 by dgreca

 

-Neni 1 i Kushtetutës Republikën e Kosovës e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”/

1 Kushtetuta Kos1 Iliaz RamajliSONY DSC1 Kushtet 9 prill 2004

-Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 9 Prill 2018/  Kosova para 10 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 qershor.

Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Ndërsa zhvillimet më të rëndësishme brenda dhjetë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 10 vjetorin e Kushtetutës Pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën  në mars të vitit 1989 dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990, shpalli Deklaratën e pavarësisë në 2 korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator 1991 u organizua edhe edhe referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992.

Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.Prej vitit 2001 deri para 10 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.Kosova është e lirë nga 12 qershori i vitit 1999 i hyrjes së trupave të para të NATO-s në ndërhyrjen shpëtimtare për popullin kosovar.Dita e Kushtetutës, 9 prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 e të  shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit po të atij viti.

PRESIDENTI THAÇI: DEKADA E PARË E KUSHTETUTËS SË SHTETIT TË KOSOVËS

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi: Kushtetuta e Republikës së Kosovës sot shënon dekadën e parë. Si udhërrëfyes për krijimin dhe forcimin e shtetit, ajo pasqyron më së miri përpjekjet shekullore për liri, barazi e drejtësi dhe dëshmon vendosmërinë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në paqe të qëndrueshme. Asnjëherë nuk do të ndalemi së punuari për të forcuar shtetin, duke respektuar të drejtat e liritë e çdo qytetari dhe duke garantuar barazinë e tyre para ligjit.

KRYEMINISTRI HARADINAJ URON DITËN E KUSHTETUTËS SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS 

Prishtinë, 9 prill 2018– Me rastin e dhjetëvjetorit të hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, ka uruar qytetarët e Republikës së Kosovës

Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj:

Pas çlirimit të Kosovës, shpalljes së Pavarësisë, themelimi i Kushtetutës së vendit është ndër datat më të rëndësishme të kalendarit tonë shtetëror. Me 9 Prill të vitit 2008, Kosova vendosi themelet e saj të konsolidimit si shtet, duke e funksionalizuar aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e saj.
Një dekadë më parë, përmes këtij dokumenti, u vulos Kosova jonë si vend i pavarur, me qytetarë të lirë me të drejta të barabarta per secilin, në frymën e pakufizuar demokratike.

Dekada e parë e Kushtetutës së vendit, krahas qenësimit tonë si shtet juridik, ka përjetuar edhe sfidat e saj. Këto sfida, na tregojnë edhe vlerat tona demokratike si shoqëri kur ne kemi pranuar këto parime kushtetuese si parime udhëheqëse të Kosovës.
Sot, ky bazament ligjor shpërfaqë vlerat më të larta të demokracisë tonë.
Përvjetori i sivjem, i shtyllës kryesore ligjore të vendit, na gjenë me plot detyra. Na gjenë me punë, me suksese të numëruara por edhe sfida për t’i tejkaluar e që na bëjnë më të fortë. Por, mbi të gjitha, ky jubile na gjenë më të sigurtë se kurrë, për rrugën tonë Euro-atlantike dhe miqësinë e përhershme me SHBA-të.
Urime 9 Prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!

Ramush Haradinaj

Kryeministër i Republikës së Kosovës

Raportim i para 10 viteve-9 prill 2008: PËRMBLEDHJE – KUSHTETUTA FUQIZON SHTETIN E PAVARUR, SOVRAN, DEMOKRATIK, UNIK DHE TË PANDASHËM TË KOSOVËS

PRISHTINË, 9 prill /ATSH-B.Jashari/ – Kuvendi i Kosovës i mbledhur sot në një seancë solemne të jashtëzakonshme, ashtu si kur shpalli pavarësinë para më pak se dy muajsh, miratoi njëzëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që, siç u tha, fuqizon shtetin më të ri në botë si të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm.
“Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit.
Gjithçka ishte unanime në këtë seancë, që nga fillimi i saj, kur ishin të pranishëm në sallë 103 deputetë, të cilët aprovuan të vetmen pikë të rendit të ditës: Miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith, trupi diplomatik në Kosovë, si dhe përfaqësues të arsimit, shkencës, artit e të fesë, hapi punimet pak pas orës 10:00, nën drejtimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.
“Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të hap punimet e kësaj seance të jashtëzakonshme dhe solemne të Kuvendit për miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.
“Kushtetuta jonë sanksionon shkallë të lartë të idealizmit të një shoqërie të lirë, të hapur, demokratike dhe sovrane. Ajo promovon dhe u garanton të drejta të standardeve të larta komuniteteve pakicë në Kosovë. Që nga sot, të drejtat e komuniteteve nuk janë më thjesht vetëm vullnet i mirë dhe i deklaruar i shumicës, por kategori e përcaktuar kushtetuese dhe partneritet solemn e publik. Ato janë të mbrojtura dhe të pacenueshme”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Më pas, Kuvendit iu drejtuan presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, e kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, të cilët nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës  e vlerësuan një moment tjetër historik pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.
“Në vazhdën e zhvillimeve jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike për Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare nga një numër i madh vendesh të botës demokratike, dita e sotme po kështu shënon një moment të veçantë në përmbylljen e ciklit të shtetndërtimit të Kosovës”, tha presidenti  Sejdiu.
”Kushtetuta, me peshën e saj të veçantë, sa mund të quhet me të drejtë përmbyllje e procesit shtetndërtues të Kosovës, po kaq, në të njëjtën kohë, në bazament të qëndrueshëm formal dhe juridik dhe esencial e fut Kosovën në rrafsh të ri të zhvillimeve shtetërore, politike dhe juridike”, shtoi ai.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës në të njëjtën kohë hap horizontin dhe mundësinë tonë për përballje me sfidat e shumta që do të kapërcehen duke e dëshmuar fuqishëm qëndrueshmërinë e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovë, të cilat edhe në rrugën e deritanishme kanë dëshmuar seriozitetin dhe këmbëngulësinë për veprim të sukseshëm në realizimin e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës ”, theksoi presidenti Sejdiu.
Ai u shpreh optimist se mbi bazën e parimeve të Kushtetutës dhe duke pasur parasysh ndërtimin e gjithë strukturës institucionale përgjegjëse për zbatimin e tyre, “Republika e Kosovës do të kapërcejë më shpejt edhe rrugën drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.
Kryeministri  Hashim Thaçi tha se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është evoluim i historisë së përbashkët të kosovarëve dhe garanton liriëtë dhe të drejtat e të gjithëve. 
“
Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera. Vlerat fondamentale dhe liritë e të gjitha kombeve demokratike janë të mbrojtura me anë të kushtetutës. Prandaj, edhe ne sot kemi vendosur që ta ndjekim rrugën e shteteve të lira dhe demokratike”, u shpreh ai.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është vullneti ynë, është legjitimiteti dhe vula e shtetit të Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.
Kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuqi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene.
“Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, te shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai.
”Sot, në duart tuaja është drafti i Kushtetutës së Republikës se Kosovës si bazë e ndërtimit te sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror në shtetin tonë në të cilën kemi shprehur synimet tona, në emër të popullit të Kosovës, për të ardhmen e vendit tonë të lirë, demokratik dhe paqedashës si shtet i të barabartëve”, është shprehur Kuqi.
“Sovranitetin e Republikës sonë Kushtetuta e përcakton se buron nga populli dhe i takon atij. Ajo garanton integritetin territorial të Kosovës si të pacenueshëm,të patjetërsueshëm dhe të pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e lejuara”, siguroi ai.
”Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi bazën e konceptit të barazisë qytetare dhe e përcaktuar si shoqëri shumetnike, e përbëre nga shqiptarët dhe nga komunitetet e tjera ku qeveriset në mënyre demokratike dhe respektohet plotësisht sundimi i ligjit dhe barazia e qytetarëve para tij”, theksoi Kuqi.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është nënshkruar të hënen pasdite nga Komisioni Kushtetues në një ceremoni zyrtare në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, e ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit e të komunave dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare.
Në dy ditët e para të prillit Komisioni Kushtetues i Kosovës e miratoi me konsenmsus të plotë tekstin final të Projektkushtetuës, ndërsa Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, e certifikoi atë duke vlerësauar se është në përputhje me Paketën Ahtisaari.
Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili është ngritur nga Ekipi i Unitetit,  është zhvilluar debat publik që nga 28 janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 shkurti, dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.
Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi më 15 qershor 2008”./
a.jor.

7 prill 2008: KOSOVË – ILIAZ RAMAJLI, “RINËNSHKRUAN” KUSHTETUTËN E REPUBLIKËS

PRISHTINË, 7 prill 2008-B.Jashari/ Anëtari i Komisionit Kushtuetues, Iliaz Ramajli, ka qenë sot ndër nëshkruesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Për te ky ka qenë një „rinënshkrim“ i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Por, dallimi në kohë e rrethana është i madh sepse tash pavarësia e Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, është jo vetëm deklarim i lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, por edhe rezultat madhor i një procesi ndërkombëtar, dhe është njohur për pak më shumë se një muaj e gjysmë nga 36 shtete, duke përfshirë edhe 7 vendet e G-8-shit.

Iliaz Ramajli ka qenë nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë, të shpallur nga Kuvendi i Kosovës më 2 Korrik 1990 dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, më 7 shtator 1990.

Atëherë ka qenë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.Më vonë Ramajli ka qenë për një kohë shef i Zyrës së Kosovës në Shqipëri.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosova 10 vjet me, Kushtetutën e Pavarësisë

Apel Edi Ramës

April 9, 2018 by dgreca

*Për dijeni Ambasadës së SHBA në Tiranë/

 *Apel Edi Ramës: Largo policinë, liro protestuesit, kërkoji ndjesë Prof.Lori Amy dhe hiq tarifën e Rrugës të Kombit! /  

1 elida Bucpapaj

Nga Elida Buçpapaj/

Edi Rama ka zgjedhur rrugën më fatale për të mposhtur shqiptarët: 1.Duke i varfëruar në atë masë sa ata të ndihen skllevër dhe ai skllavopronar.

2.Duke e poshtëruar elitën kulturore me rroga depersonalizuese, që artistët e Shqipërisë të ndihen si lypsarë dhe ai tutor!

3.Duke i rrënuar tempujt e kulturës shqiptare, që shqiptarët të mbeten pa identitet e të rrënuar, ndërsa ai Neron.

4.Duke e çuar në degradim jetën e pensionistëve, të cilët pas 40 vjet punë dhe kontribute jetojnë si kafshët.

5.Duke eleminuar shtetin social dhe kthyer shtresën në nevojë, qindra mijë qytetarë, në një shtresë vulnerabël në skllavëri të plotë, sepse shteti i Edi Ramës nuk i njeh as detyrimet ndaj tyre dhe as mëshirën për ta!

6.Duke e kthyer policinë, një herë herë nën drejtimin e Sajmir Tahirit, tani nën drejtimin e Fatmir Xhafës, ose në mbështetës të trafikantëve të drogës, ose si mjet për të provokuar dhe shtypur shqiptarët.

Policia e Fatmir Xhafës, një sejmen i Edi Ramës, arrestoi studiuesen amerikane Prof.Lori Amy, kur kjo denoncoi në mes të Tiranës provokimin që policia po i bënte qytetarëve, duke mos i lejuar që ata të ushtronin të drejtën legjitime të protestës. Prof.Lori Amy i kërkoi policisë së Fatmir Xhafës që të kryente me përgjegjshmëri detyrën duke devijuar trafikun. Në përgjigje të kësaj, policia e arrestoi shtetasen Amerikane, që është studiuese, shkrimtare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut!

Kur policia e Edi Ramës e kryen këtë akt barbar ndaj një shtetaseje Amerikane, kur kjo nxjerr në pah rolin destruktiv të policisë shqiptare, merret me mend se çfarë mund të bëjë kjo polici kundër shqiptarëve pa mbrojtje!

Ndalimi i shtetases Amerikane Prof.Lori Amy nga policia në shërbimin e Edi Ramës bëhet vetëm disa ditë mbas vizitës zyrtare të Fatmir Xhafës në SHBA, ku ai u premtoi autoriteteve amerikane se do të kryejë detyrën sikur i takon. Autoritetet Amerikane le të shohin vetë se si e e kryen detyrën Fatmir Xhafa, se kur ndalohet një shtetase amerikane, e cila nuk kreu asnjë shkelje të ligjit, merret me mend se Edi Rama është i gatshëm t’i kthejë shqiptarët në mish për top.

Por Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe qytetarët e saj duhet të jenë të mbrojtur jo vetëm nga çdo agresion i jashtëm, por edhe nga çdo lloj agresioni i brendshëm shtetëror, sikur ky që po ushtron kryeministri i Shqipërisë.

Më 21 janarin e vitit 2011 shqiptarët dhe Perëndimi pa se Edi Rama mund ta djegë Shqipërinë.

Edi Rama në janarin e 2011 organizoi protesta të dhunshme, duke synuar një skenar si të Pranverës Arabe.

Protesta e dhunshme e 21 Janarit 2011 degjeneroi në kaos dhe reagimi i policisë shkaktoi 4 viktima të pafajshme që edhe sot e kësaj dite lypin drejtësi!

Sot Edi Rama si kryeministër u dikton shqiptarëve të paguajnë Rrugën e Kombit me tarifa, kur xhepi i tyre është bosh dhe nuk mund të pagujë asnjë lloj tarife, aq më tepër kur për Rrugën e Kombit shqiptarët e kanë paguar ndërtimin dhe mirëmbajtjen për 31 vjet dhe kjo rrugë prej disa vitesh është fitimprurëse! Rruga e Kombit që ka kushtuar 1.2 miliardë Euro gjatë këtyre 9 viteve në funksion ka nxjerrë 2.4 miliardë fitime, dmth e ka larë pagesën e ndërtimit me një përfitim 1.2 miliardë Euro!

Kjo e nxjerr edhe më në pah agresivitetin kundër banorëve të Kukësit, më të varfërit e Shqipërisë që Edi Rama i dënon me tarifa, burgim dhe izolim, i fut në geto, ua ndalon lëvizjen e lirë brenda Shqipërisë, sepse ata duhet të paguajnë tarifë hyrëse dhe dalëse kur duan të lëvizin brenda Shqipërisë! Banorët e Kukësit e kanë paguar Rrugën e Kombit edhe si taksapagues kur kjo Rrugë u ndërtua, edhe si taksapagues kur Edi Rama ka nënshkruar kontratën konçensionare prej 400 milionë Euro.

Mirëmbajtja me konçension përjashton çdo lloj tarife jo vetëm për banorët e Kukësit, por edhe për shqiptarët brenda territorit të Republikës të Shqipërisë!

Në kontekstin aktual, Edi Rama duhet të heqë dorë menjëherë nga kërcënimet me kërcitjen e dhëmbëve që i ka implantuar disa dhjetra mijëra Euro me parate e taksapaguesave të Shqipërisë.

Edi Rama duhet menjëherë:

1.Të largojë policinë e të lirojë të arrestuarit e Kukësit.

2.Të anullojë tarifën e Rrugës të Kombit.

3.T’i kërkojë ndjesë publike studiueses Amerikane Prof.Lory Ami.

4.Të shkarkojë ministrin e brendshëm Fatmir Xhafa. Nëse e shkarkon Fatmir Xhafën, ia atribuon atij respresionin policor kundër shqiptarëve, nëse nuk e shkarkon, atëhere Edi Rama merr autorësinë e plotë të represionit policor kundër banorëve të Kukësit, protestuesve dhe shtetases Amerikane Lori Amy !

Një thirrje edhe opozitës shqiptare: të mos e përdorë Kukësin apo dramat e Artistëve për qëllime personale, sepse nuk kanë besueshmëri, por t’i mbështesë ata përmes detyrimeve kushtetuese!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Prof.Lori Amy

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1464
  • 1465
  • 1466
  • 1467
  • 1468
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT