• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët duan të jenë pjesë e vendimmarrjes për emrin e ri

February 10, 2018 by dgreca

1 shqiptaret maqedoni1

Bisedimet për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, kanë shtuar zërat në mesin e shqiptarëve se edhe ata duan të jenë pjesë e mbylljes së këtij problemi, apo që zgjidhja e mundshme të reflektojë karakterin shumetnik të Maqedonisë.

Forumi i intelektualëve shqiptarë, vlerëson se çdo zgjidhje që mund arrihet, nuk do të jetë e vlefshme për shqiptarët nëse nuk pasqyron realitetin në Maqedoni, si shtet ku jetojnë dy bashkësi të mëdha etnike, maqedonasit shqiptarët.

“Pa një marrëveshje ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, çdo vendim, çdo emërtim i vendit do të jetë i pavlefshëm për arsye se praktika na ka mësuar që të mendojmë kështu. Në vitin 1991, shqiptarët nuk u përfillën as për Kushtetutën, as për flamurin, as për pavarësinë, e as për asgjë tjetër, prandaj ajo edhe e solli luftën e vitit 2001”.

“Pra, patjetër emri i Maqedonisë duhet të përfshijë realitetin pasi një emër ku përmenden vetëm maqedonasit dhe injorohen shqiptarët, unë besoj se do të jetë bazë për një situatë kofliktuoze në të ardhmen”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shpëtim Pollozhani, një nga drejtuesit e Forumit Shqiptar, duke bërë të ditur se ky mekanizëm së shpejti do të dalë edhe më një propozim konkret për emrin e ri të Maqedonisë.

Pollozhani për këtë anashkalim të shqiptarëve, fajëson BDI-në, partinë politike shqiptare në qeveri, e cila, sipas tij, ka marrë rolin e të nënshtruarit në qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev.

Bisedimet për çështjen e emrit deri më tani janë zhvilluar mes grupeve negociuese të të dy vendeve, ndërsa tani mes vet ministrave të Punëve të Jashtme, të cilët më pas për rrjedhën e bisedimeve apo qëndrimet e palës tjetër, do t’i informojnë drejtuesit më të lartë shtetërorë.

Në këto bisedime konsultuese përveç BDI-së, nuk merr pjesë opozita shqiptare, e cila gjithashtu ka reaguar për mospërfshirjen e saj, ndërsa ka bërë të ditur se do të kundërshtojë çdo zgjidhje që mund të jetë me ndonjë emërtim sllav.

“Ne si Aleancë për Shqiptarët, jemi kundër tendencave për sllavizmin e emrit, ashtu siç e kemi thënë që jemi kundër emrit sllavo Maqedoni. Gjithashtu, jemi kundër propozimit që dëgjohet në qarqet diplomatike rreth idesë që të përdoren emra me përcaktim gjeografik të shkruar vetëm në gjuhën maqedonase si “Gorna Makedonija”. Ne e kundërshtojmë këtë, sepse edhe kjo paraqet tendencë për sllavizëm dhe përvetësim të emirit”, deklaron Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët në opozitë.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim në Qeveri, thonë se shqiptarët janë pjesë e zgjidhjes së kontestit dhe se emri i ri duhet të pasqyrojë realitetin. Por, Bujar Osmani zëvendëskryeministër për çështje evropiane, gjatë vizitës së fundit në Beograd ka deklaruar për mediet se për këtë parti më me rëndësi është që të gjendet një zgjidhje pasi kjo do të zhbllokonte procesin euro- integrues.

“Unë mendoj që shqiptarët janë shumë të interesuar se si do të quhet Maqedonia. Emri i Maqedonisë duhet të reflektojë realitetin demografik në vend dhe prandaj ne jemi pjesë e këtyre bisedimeve. Por, për ne është shumë me rëndësi të zgjidhet, të mbyllet kjo çështje, për shkak se po bllokon integrimin në NATO dhe për ne NATO-ja është si të jesh apo të mos jesh. Është çështje ekzistenciale për shtetin, është çështje ekzistenciale për popujt që jetojnë brenda, përfshi këtu edhe shqiptarët”, ka deklaruar Osmani.

Kryeministri Zoran Zaev së fundi ka deklaruar se qeveria që ai drejton pranon një zgjidhje për emrin me përcaktim gjeografik, ndërsa si emra të mundshëm për zgjidhje përmenden Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia (Shkupi).

Bisedimet pritet të intensifikohen nga java e ardhshme, ndërsa Qeveria nuk e përjashton mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje deri nga fundi i marsit. Në rast të ngecjes së negociatave pritet përfshirja në to e diplomatëve të lartë perëndimorë.Zgjidhja e kontestit 25-vjeçar do të nënkuptonte edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe zhbllokimin e procesin të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Filed Under: Featured Tagged With: -GREQIA KËRCËNON SHQIPTARËT, e emiri, Greqi, macedoni, prese, shqiptaret

DUKE KUJTUAR EDITORIN E DIELLIT BAHRI OMARI

February 10, 2018 by dgreca

BAHRI OMARI, “NDERI I KOMBIT SHQIPTAR’’/

4 Bahri Omari

Nga Luan Çipi, në përvjetorin e lindjes/

 Bahri Omari u lind në 10 Shkurt të vitit 1889 në qytetin e Gjirokastrës dhe ishte biri i Iljazit dhe Rehos, që formonin një familje të nderuar qytetare gjirokastrite në gjendje të mirë ekonomike dhe me tradita të lashta atdhetarie.

U shkollua në vendlindje dhe më tej, në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mülkiye-i-Sehahané” për Shkencat Politike-Administrative, në Stamboll.

Në moshën 25 vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës. Në këtë funksion, në vitet 1913-14, pati nderin të organizoj dhe udhëheq çetat patriotike kundër andartëve të pushtimit grek të Shqipërisë së jugut, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Në vitin 1915 Bahri Omari, emigroi në ShBA, ku shpejt doli në krye të djalërisë shqiptar përparimtar atje dhe shpejt u bë drejtor i gazetës “Dielli” të Federatës  Atdhetare Pan-Shqiptare “Vatra”.

Në vitin 1919 ai u kthye i ftuar në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë, në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës, duke i qëndruar përballë me sukses në prefekturën e Gjirokastrës, partisë së Myfit bej Libohovës. Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi e redaktoi organin e saj, “Shekulli”. Janë të njohura qëndrimet e tij të spikatura, plot dashuri e adhurim për kosovarët dhe çamët. Bahri Omari shprehet në artikujt e “Diellit”: “Një Shqipëri e coptuar, pa zëmrën e saj Çamërinë dhe Janinën, pa kryen e saj Kosovën e Gjakovën, s’mundet të ketë jetë të gjatë midis fqinjëve të saj lakmues.”

Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Bari Omari, si kundërshtar i tij, u detyrua të lëvizi me fanolistët nëpër Evropë. Gjatë kësaj kohe u formua dhe “Bashkimi Kombëtar”, ku ai aderoi ndër të parët. U vendos në Bari të Italisë për një kohë të gjatë dhe qëndroi atje deri në vitin 1939, kur u kthye në Tiranë dhe atje  i ndjekur dhe  i përgjuar nga italianët.

Me mjaft interes dhe kuriozitet kundrohen nga opinioni, marrëdhëniet me kunatin e tij, Enver Hoxhën, (20 vjeç më të ri) ku spikat kujdesi dhe përpjekjet e vazhdueshme të Bahri Omarit për edukimin, shkollimin dhe punësimin e nxjerrjen në jetën normale të tij. Këtu përfshihen për një periudhë të gjatë, ndërhyrja ndër miqtë e mbetur në Shqipëri, për t’i siguruar atij bursë studimi në Francë.

Në vitin 1942 Bahri Omari u bë anëtar i organizatës së Balli Kombëtar. Enver Hoxha vazhdonte të strehohej shpesh në shtëpinë e tij në Tiranë. Kunati i kujdesshëm, vazhdoi ta ndihmojë shumë Enver Hoxhën ekonomikisht edhe gjatë kësaj periudhe, ashtu siç e kishte ndihmuar edhe më parë, gjatë studimeve dhe punësimit të tij në perëndim.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, Bahri Omari, u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, për periudhën shkurt – qershor 1944.

Ky ishte shkaku që në muajin prill të vitit 1945, Gjyqi Special me prokuror po gjirokastritin (ish toger të Zogut) Bedri Spahiu dhe kryetar, (teneqexhiun fillorist) Koçi Xoxe, e dënoi me vdekje bujarin e ditur, Bahri Iljaz Omarin, për fajin politik “se ishte me Ballin Kombëtar dhe kishte punuar 5 muaj si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në Qeverinë pro Gjermane të Rexhep Mitrovicës dhe për akuza të tjera ordinere”, pa asnjë fakt personal veprimi kriminal. Thjesht se ai e mendonte të dobishëm bashkëpunimin e përkohshëm me pushtuesin “rrugë kalues” (edhe pse duke gabuar) duke e quajtur këtë si më “të mirin” veprim për  vendin e vet, për ta pasur atdheun me kufi të plota, duke përfshirë Kosovën dhe Çamërinë. Ai, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë të kohës (përfshirë dhe kreun e tyre,  nacionalistin e provuar, Mitat Frashërin), u lidhën me boshtin Italo-Gjermano-Japonez, dhe të ndërgjegjshëm e si antikomunist të vendosur, mendonin që aleanca me Ruso-Anglezo-Amerikanët, do rrezikonte copëtimin dhe ndofta deri asgjësimin e Kombit Shqiptar.

Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë, seancat transmetoheshin edhe nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. U ekzekutua ditën e nesërme dhe trupi u hodh  në një hendek tek “Kodra e Priftit” në Tiranë.

Mendoj, veç të tjerave, se nuk duhet harruar një fakt historik, (që do më ngelej peng, po mos ta përmendja): Italia Fashiste e hoqi fare postin përfaqësues të Ministrit të Jashtëm Shqiptar. “Kuislingët” pro Gjerman, e krijuan atë. Kjo, është e vërteta, është një  shfaqje pavarësie e krenarie shqiptare. Nga ana tjetër, nuk u lidh asnjë pakt zyrtarisht me Gjermanët dhe, “Qeveritarët” Shqiptar, refuzuan dhe ndaluan të dërgonin në luftë forca ushtarake në ndihmë të frontit, me gjithë kërkesat e përsëritura  të gjermanëve.

Duhet të theksoheshin me rastin e gjykimit, virtytet e larta të publicistit, atdhetarit dhe politikanit demokrat Bari Omari dhe sidomos guximi dhe trimëria e tij, që spikati sidomos para pushkatimit, në moshën 56 vjeçare, kur, pa iu trembur syri, u thirri shokëve: “Ktheni ballin nga pushkët! Ne nuk jemi tradhtarë”.

Dhe në këto momente madhështie kulmore trimërie, (po të përjashtojmë 5 muajt kur vërtetë gaboi deri në faj), gjithkujt i del para syve me admirim, jeta e tij plot përpjekje, atdhetari e deri heroizëm, si publicist, nëpunës shteti, deputet e politikan demokrat, që veproi gjithë jetës me qytetari e në luftë parimore:

Në Parlamentin Shqiptar ai ishte pjesëtar i opozitës, krahas personaliteteve të njohura si Fan S.Noli, Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina si edhe më të rinjve: Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra. U shqua si pjesëmarrës në diskutime për çështje të rëndësishme, siç qenë plotësimet kushtetuese të Lushnjës, që njihen si ”Statuti i zgjeruar i Lushnjës” dhe ku, ndër të tjera, dilte në mbrojtje të laicitetit të shtetit shqiptar. Vlen të përmendet veprimtaria e tij aktive parlamentare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të të drejtave të grave. Gjithashtu kujdesi për pavarësinë e parlamentit, ku mbahet mend këmbëngulja e tij me postulatet: “Mjerë ai shtet që ligjet i bazon në ambicionet politike”, ose “Parlamenti nuk duhet të shndërrohet në gjykatë”, dhe “Qeveria duhet të marrë informata…që nëpunësit që emëron të mos kenë kryer krime”. E të tjera ndërhyrje parimore demokratike që vlejnë si model edhe për ditët tona. E tillë është p.sh., vërejtja që bën për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit. Ose porosia për lirinë e shtypit, që: “Gazetarët duhet të kenë të drejtë të kritikojnë qeverinë.”  dhe shumë ndërhyrje të tjera që e dëshmojnë si shembull të njeriut të ditur e të deputetit, që është vërtet në shërbim të interesave të elektoratit dhe që evidentojnë veçanërisht kompetencën e tij në fushën e administratës publike, për të cilën ishte diplomuar.

Bahri Omari dallohej edhe për mendimin e tij të pavarur e origjinal, kur del në disa raste edhe kundër mendimit të kolegëve të tij të opozitës, ndërsa u qëndron besnik deri në fund parimeve që mbronte opozita demokratike me vendosmëri. Vlen të vihet në dukje se, sikurse pjesa më e madhe e deputetëve të kohës, ai dallohej për etikën e lartë në debatet parlamentare, shpeshherë të nxehta, pa kaluar asnjëherë në fyerje ndaj kundërshtarëve, çka mungon sot dhe duhet të jetë shembull e mësim i mirë për çdo parlamentar.

Pa dyshim një periudhë e vështirë e jetës së Bahri Omarit ishte Shqipëria e fillim viteve 1944, kohë kur desh të zgjidhte mes pushtimit nazist dhe Shqipërisë komuniste. Ajo zgjedhje e vështirë vuri në mëdyshje shumë burra shteti. Ishte nga një anë pushtuesi, që sillte bashkimin e tokave shqiptare dhe për kundrejt, “aleatët”, pro grek e sllav, nga rrezikohej deri cungimi e mohimi i krejt Shqipërisë. Një shqetësim tjetër imediat ishte frika nga komunizmi për Shqipërinë, një regjim që s’kishte sjellë rezultatet e pritura gjetiu. Nga ana tjetër ballas ishte mendimi se, duke mos zhvilluar luftën e duhur ndaj pushtimit nazist, pas lufte, Shqipëria rrezikonte shpërbërjen si shtet i pavarur.

Sidoqoftë, pjesëmarrja në anën e kundërt, pra në Organizatën e Ballit Kombëtar, që bashkëpunoi me Gjermanët, si edhe pranimi i funksionit si këshilltar shtetëror dhe për më tepër, ministër gjatë pushtimi gjerman, i kushtuan shtrenjtë Bahri Omarit. Këtu mendoj se ndikoi për keq dhe lidhja familjare me Enver Hoxhën, i cili vuri pandehmën e shpikur se, ndërhyrja për t’i shpëtuar jetën të kunatit, ishte “kurth ndaj tij për ta denigruar politikisht”!

Askush nuk e mendonte dhe nuk do kërkonte deri dënimin me vdekje të Bahri Omarit. Një dënim simbolik, si i përfshirë në disa pikëpamje me kundërshtarin politik po, por kurrsesi jo dënim kapital. Edhe vet babai i diktatorit, Mulla Halili, mbajti qëndrim të prerë dhe e dënoi deri me mohim të përkohshëm birin e tij, gati indiferent e mosmirënjohës. Dënimi kapital i Bahri Omarit ishte një ekstremitet i paligjshëm i një trupi gjykues inkopetent, tendencioz dhe partiak, që nuk kishte asnjë jurist në përbërjen e tij. Gjyqi patjetër duhet të kishte marrë parasysh kontributin e tij në shërbim të vendit, si deputet i parlamentit të parë shqiptar, si publicist i njohur atdhetar, si veprimtar i shquar te shoqëria VATRA e  shqiptarëve të Amerikës, si politikan i ndershëm e demokrat,  të merrte parasysh se postin e ministrit e mori në një kohë kur kjo ishte një sakrificë me rrezik e pa asnjë përfitim vetjak dhe së fundi, duhet të vlerësonte ndihmën që i dha lëvizjes kundër pushtuesit dhe vetë kreut të kësaj lëvizjeje. Një shtet ligjor nuk do ta ekzekutonte, por shteti shqiptar i pas 1944-ës, jo vetëm që nuk ishte as demokratik, mandej as i ligjshëm e deri atëherë, as i votuar e as i zgjedhur.

Kaluan mbi 73 vjet nga koha e pushkatimit prej komunistëve të atdhetarit Bahri Omari dhe ende gjëmon në vesh thirrja dhe profecia e tij prej trimi: “Ne, nuk jemi tradhtarë! Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Erdhi shpejt koha që ai burrë i shquar i kombit, deputet, publicist dhe demokrat përparimtar, vatëran i Amerikës, u rigjykua nga historia dhe nga ish Presidenti i Republikës, (që ishte edhe jurist në arsimim dhe njëkohësisht kreu e përfaqësuesi i drejtimit legjislativ të vendit) u shpall “Nderi i Kombit”,  çka është njësoj si të jetë falur, rilindur e nderuar në shkallë kombëtare. Dhe kjo, gëzoi dhe qetësoi shumë shqiptarë!

Tiranë, më 10 Shkurt 2018

Filed Under: Vatra Tagged With: 129 vjet, Bahri Omari, Luan Cipi, nga Dita e lindes

PUSHTIMI I SHQIPERISE, REAGIMI SUEDEZ

February 10, 2018 by dgreca

PRILL 1939 / REAGIMET E SHTYPIT SUEDEZ MBI PUSHTIMIN E SHQIPËRISË NGA ITALIA FASHISTE/

1 auren B

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Shkurt 2018/

Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar, të dielën e 9 prillit 1939, në faqen n°2, reagimet e shtypit suedez mbi pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.Aurenc Bebja, nëpërmjet faqes së tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë, për lexuesin shqiptar, reagimet e “Stockholms Tidningen”, “Dagens Nyheter” dhe “Social Demokraten” :“Shqetësimet suedeze Flitet në Stokholm :

Duke komentuar ngjarjet në Shqipëri, i gjithë shtypi vë në dukje, me zemërim dhe shqetësim, se në një kohë të shkurtër tre shtete të pavarura janë sulmuar brutalisht.Pa dyshim, shkruan “Stockholms Tidningen”, gazetë liberale, Suedia nuk është Shqipëria. Por Evropa, në cilën Suedia bën pjesë, ka ndryshuar në mënyrë dramatike.

Gazeta liberale, “Dagens Nyheter”, deklaron se Italia ka kopjuar në mënyrë servile, për Shqipërinë, proçedurat hitleriane ndaj austriakëve dhe çekëve. Sipas kësaj gazete, “pushtimi i Shqipërisë kërcënon të minojë të gjithë mbështetjen e kërkuar nga Z. Chamberlain në Ballkan për sistemin e tij të ri të sigurisë dhe për të arritur këtë rezultat Italia nuk ka hezituar të shkelë marrëveshjen me Anglinë.”

Nën titullin : “Musolini feston të premten e shenjtë”, Social Demokraten shpërthen egërsisht ndaj bombardimeve të qyteteve shqiptare, “gjë që dëshmon – thotë ajo – se sa e rëndësishme është për popujt e pavarur, si Spanja, të jenë të kujdesshëm ndaj sigurisë së miqësisë fashiste.”

Gazeta nuk u jep asnjë rëndësi shpjegimeve zyrtare të Romës se pushtimi i Shqipërisë është diktuar nga shqetësimet e sigurisë. Ajo beson se Shqipëria do të shërbejë si bazë për veprime të mëtejshme kundër Jugosllavisë dhe pjesës tjetër të Ballkanit.”

Filed Under: Komente Tagged With: Arena Bebja, Pushtimi i Shqiperise, shtypi suedez

11 SHKURT 1945 – 2018: JALTA DHE SHQIPNIA …

February 10, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1 Jalta

  • “MOJ SHQYPNI,  E  MJERA  SHQYPNI,/

  KUSH  TË  KA  QITË  ME  KRYE  N’ HI ?”/

                                          Vaso Pash’ SHKODRANI (1880)/

Gjithë Bota i kishte ngulë sytë tek Jalta, prej ku pritej Liria, Drejtësia dhe Demokracia!

Ruzvelti, Çerçilli dhe Stalini ishin që me daten 4 Shkurt 1945 kokë në kokë tue bisedue.

Askush nuk dinte se shka po vendoset atje! Pritej Paqa!.. Kjo ishte e sigurt!

Partia Komuniste Jugosllave kishte formue Partinë Komuniste në Shqipni që në 1941, dhe në drejtimin e saj kishte gjetë një terrorist gjinokastrit të quejtun Enver Hoxha, me të gjitha tiparet e duhuna per ata tue fillue nga tradhtia e Atdheut, e deri tek vllavrasja.

Me 29 Nandor 1944 partizanët “çlirimtarë” zhigatën edhe Flamurin e Kastriotit me yllin e kuq komunist të Jugosllavisë titiste, dhe e vendosën në unazen e kompanjelit Kishës së Fretenve në Shkoder… Parashikimet e pleqve të dijtun filluen me dalë!

Nder rrugët e Shkodres ndigjohej kanga e rinisë komuniste: “Bijt’ e Stalinit jemi ne!”

Vendimet e konferencave të Teheranit (1943) dhe të Jaltës (1945) dikund u “dyllosen”!

Ruzvelti i ShBA aty kishte dyllosë edhe mbi 300 letra të shkrueme me doren e tij prej një paralitiku të mësheftë, të cilat, fillonin kështu: “I dashur shoku Stalin!”… Besoj, se ky rresht i shpjegon të gjitha ato letra që sollen robninë dhe terrorin stalinist në Europen e robnueme komuniste nga Siberia e largët aziatike e deri tek lumi Elba, në zemer të kontinentit vjeter, ku gjithshka monumentale shekullore u rrokullis deri në vitin 1991…

Mu në zemer t’ Europës, një nga shtetet ma të vjetra të Ballkanit, Shqipnia e Gjergj Kastriotit… “Dikur e permendun nder librat e vjeter të historisë”, nuk zehet me gojë!

Harresë…, apo dashakeqje?! Ma shumë se gjithshka urrejtje!..

Jalta 1945…

Ja dhe dokumenti i urrejtjes shekullore: “Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste. Pesë vendet e tjera, që më vonë u bënë satelitë sovjetikë: Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia dhe Rumania patën qeveri koalicioni, në të cilat komunistët ishin më të fuqishem.”

“… Kominformi quajti ‘demokraci të reja’ Jugosllavinë, Poloninë, Çekosllovakinë dhe Shqipërinë…” Henry Kissinger “Diplomacia” faqe 443.

“Si rezultat , Bashkimi Sovjetik pati mundësi ta kthente pushtimin ushtarak në një rrjet regjimesh satelite” H. Kissinger, faqe 441.

Ruzvelti deklaroi: “Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barren e rindertimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit.” H. Kissinger, fq. 396.

Europa Lindore e Qendrore dhe Ballkani asnjëherë nuk mujten me u shkëputë nga politika dhe okupacioni ushtarak i Bashkimit Sovjetik, pa vullnetin e tij. Qeverisja dhe diktaturat ishin të kontrollueme dhe shpesh të imponueme nga paktet formale sovjetike.

Shqipnia u shkëput nga BS se Byroja Politike kerkoi me ruejtë kolltukët e vet… Por, kjo shkëputje kishte adresen e bashkpunimit vrastarë nepermjet Kinës komuniste…

Kur stafeten e qeverisjes e mori diktatori Ramiz Alia, qendrimin e tij e mbështeti pa asnjë mëdyshje edhe Nexhmije Hoxha, të cilët së bashku hapne “pusin e demokracisë”, të rrethuem me vrasje e barbarizma nder piramida, vjedhje dhe shperdorime, demokrat të balsamosun, agjenta sllavokomunistë, polumbarë në Detin Jon, vorreza boshe greke, shpartallues të qendresës kufitare nder Malet e Veriut, Ambasada pa Ambasador… Dhe, pakte e antarsime në “Konferenca Islamike”, me votime të hapta antiamerikane…  

E mbi grumbujt e gurve të daltuem t’ oxhakve t’ shembun të shtëpijave historike të Luigj Gurakuqit, At Gjergj Fishtës, Osman Kazazit dhe Prekë Calit me Trimat legjendarë…

Një za i fuqishem ushtoi:

      “MOJ  SHQYPNI,  E  MJERA  SHQYPNI,

  KUSH  TË  KA  QITË  ME  KRYE  N’ HI ?”

            Melbourne, 10 Shkurt 2018.

Filed Under: Analiza Tagged With: 11 SHKURT 1945 – 2018: JALTA, DHE SHQIPNIA ..., Fritz radovani

QYTEZA DASARET

February 10, 2018 by dgreca

Si u zbulua  qyteza  dasarete në kodrinën e fshatit Lin të Pogradecit?/
1 Qyteza

Nga Gëzim Llojdia*/

1.Në 22 shtator 1968  një arkeolog   i vit lindjes 1921 ,diplomuar në Universitetin e Padovës një nga katër themeluesit e arkeologjisë shqiptare, (H.Ceka,F.Prendi,S.Islami,)quhej Skënder Anamali shkruan një artikull te gazeta :”Drita”  duke sjell disa të dhëna  për një qytezë  dasarete në kodrinën e fshatit Lin të Pogradecit.Anamali shkruan se kush ka udhëtuar dhe udhëton në drejtim të Pogradecit, duke ardhur nga Elbasani, porsa fillon të  zbresë nga Qafthana,  do të tërhiqet nga panorama që hapet para tij dhe në mënyrë’ të veçante nga fshati Lir me shtëpitë e struktura nën faqet,shkëmbore të një gadishulli të vogël mbi liqen. Pa  dyshim që asnjërit nga udhëtarët nuk i ka vajtur mendja se në kodrën mbi këtë fshat,  gjithashtu mjaft  shkëmbore kane  banuar  njerëz  këtu  e 3000 vjet më parë, se aty, dikur, kish një qytezë të dasareteve ilire. S.Anamali  thotë, se duke kërkuar, të dije diçka për dasaretet në burimet e shkruara të lashta, ai do të mësojë shume pak gjera,  sepse,  sikurse edhe për iliret e tjerë, ata kane shume pak njoftime. Për të ditur me shumë u duhet drejtuar të dhënave të arkeologjisë,  nqs   ka   të   tilla. Dhe  në  kodrën e  Linit gërmimet arkeologjike nxorën ne drite materiale mjaft interesante përqytezën dasarete.

2.Gërmimet arkeologjike  në zonën e Linit  filluan pas zbulimit të disa mozaikëve. Arkeologët shqiptarë  kishin ndërmarrë  udhëtime eksplorimi  dhe gërmime nëpër shumë qendra ilire  duke sjell si rezultate zbulime të mëdha  në disa qytete ilire. S.Anamali thotë se :në kodrën e Linit arkeologët erdhën e ngulen kazmat pas zbulimit të disa mozaikëve nga punonjësit e muzeut të Pogradecit dhe bashkëpunëtoret e tij, gjurmonjës të apasionuar të lashtësive ilire në këtë krahine.

Si gjithmonë gërmimet sjellin befasia të reja.Toka jonë ruan në brendi të vetë margaritarë. Mirëpo vet arkeologu  e pranon këtë fakt duke thanë se :Gërmimet i tejkaluan parashikimet. Në qytezën dasa­rete të Linit, emrin e lashtë të së cilës tani për tani nuk e dimë, gjetjet arkeologjike treguan se jeta ka filluar herët, aty nga fundi i kohës së bronzit, domethënë ne gjysmën e dytë të mijëvjeçarit te II p.e.s.

Kultura materiale e banorëve të parë ishte po ajo, që arkeologet kishin zbuluar disa vjet më parë në banimet bashkëkohëse të Maliqit e të Trenit, në rrethin e Korçes. Banorët e qytezës së Li­nit nuk patën nevojë të rrethojnë me mure vendbanimin e tyre. Kodra shkëmbore me faqet e saj, që binin thikë mbi liqen, ishte e mbrojtur shumë mirë nga natyra  për rreth saj kishte toka për kulturat bujqësore, për rritjen e gjësë së gjallë dhe një liqen të pasur me peshk. Vështirë  është, ende pas një fushate gërmimi, të thuhet sa i intensive ka qenë jeta në të kaluarën në këtë qytezë dasarete. Por materiali arkeologjik, i zbuluar në gërmimet, tregoi se në këtë qyte­ze jeta ka vazhduar gjatë, deri në mesjetën e hershme. Madje në  këtë kohë ose nga fundi i kohës së lashtë  gjithmonë përsa vërehet nga gjetjet arkeologjike, ajo ka qenë  një qendër e rëndësishme në këtë krahine.Dy nga monumentet e zbuluara në gërmime i përkasin kësaj kohe, shek. V-VI të e. S.

 E para, është një godinë kulti,një bazilikë dhe e dyta,jo shume larg së parës,një ndërtesë banimi.

3.Çfarë janë mozaikët dhe cfarë vlere artistike përmbajnë ata?Megjithëse të rrënuara dhe të prishura keq, ato janë’ me shume interes për ndërtimin e tyre, në mënyrë të veçantë bazilika, për dyshemetë, e saj me mozaik. Mozaikët e zbuluar në kodrën e Linit kanë një vlerë  të  madhe artistike.  Aty janë gjetur tetë dysheme me mozaik. Piktori mozaicist   i frymëzuar nga natyra  përreth  dhe në përputhje me botëkuptimin  me kërkesat e artit  të asaj kohe  ka krijuar një kompleks  të mrekullueshëm mozaikësh  duke i dhen çdo ambienti një  vizatim e një kombinim të bukur e origjinal motivesh e ngjyrash. Aty gjejmë të gërshetuara, pa u përsëritur në mënyrë mekanike, fi­gura gjeometrike, kryesisht në di­sa korniza anësore e praqe, por tash, ornamente bimore, bisqe hardhie e vesh rrushi, shpezë e fruta të ndryshme. Duke i parë të gjitha këto, të krijohet përshtypja sikur e gjithë natyra për rreth, vreshtat, kopshtet me molle, dardhë e qershi, shpendët shtëpiake dhe kafshët e bimët e liqenit, janë futur në mozaikë. Ata kana qëndrime të ndryshme nganjëherë shu­më të natyrshme dhe nuk të  lodhin duke i shikuar, sepse lidhen harmonishëm midis tyre.Në anënë  qendrore të  bazilikës piktori mozaicist ka krijuar diçka të veçante, një kompozim të lirë e të shkëputur nga simetria dhe rregulli, që ka ndjekur në ambientet e tjera. Ai ka zgjedhë si temë, botën ujore. Në këtë mozaikë shume te bukur,  ka përveç kubikeve të zakonshëm me ngjyrë të bardhë, të kuqe, të zezë, të hirtë, të verdhë e të gjelbër, ngjyra këto jo aq të forta sepse të  tillë qenë gurët nga u prenë’ kubiket, mjeshtri i panjohur vendas ka përdorur me shumë aftësi edhe kubike prej brumi qelqi për ngjyra të tilla si e zeza dhe  e  gjelberta e fortë, për ngjyrën blu të detit dhe mermerin për ngjyrën e bardhe. Ky mozaik kaq i bukur mjerisht është gjetur shu­me i dëmtuar, i prishur më keq se të tjerët. Ka mbetur diçka nga korniza anësore me figura bletësh, ku është përdorur ngjyra e kuqe me nuancat e saj dhe ndonjë frag­ment me figura peshqish, si pllashicat e krapi te përhapura midis resmjesh, bimesh të tjera ujore dhe rrjetash dekorative, të gjitha të dhëna shumë të gjalla. Në gërmime u gjetën edhe disa detaje e fragmente arkitektonike. Midis tyre ka fragmente shtyllash, bazamente e kapitele dhe pjesë të një kornize, të cilat tregojnë se kjo godinë ka pasur gjithashtu një paraqitje të jashtme të bukur. Duke folur për bazilikat e Linit,arkeologu thotë se Bazilika e Linit dhe godinat e tje­ra ekzistuan edhe më vonë, deri sa u prishën nga një zjarr i fuqishëm. Gjurmë të këtij zjarri ose të djegies, u gjetën mbi mozaikë, e për rreth tyre. Jo shumë larg godinës u gjetën me shumicë edhe grurë  e urov i djegur. Mjaft të qarta qenë  gjurmët e djegies në godinën e banimit, ku gjatë gërmimit u konstatua dhe u pa se si kishte rënë  çatia pas djegies. Tjegullat shihen ende si kanë rënë nëpër dhomat e ndryshme  ashtu sikur qëndronin  dikur.Ne vendimin për tu shpallur zonë e mbrotjtur vitit 2017,thuhet:“Mozaiku, u zbulua nga gërmimet në vitin 1969 që janë bërë në Lin të Pogradecit. Gërmimet treguan për një vendbanim ilir, që i përket epokës së hekurit dhe vijnë deri në mesjetën e hershme. Nga mozaikët e zbuluar në këtë vend, bie në sy pasuria nga një dekor i larmishëm zoomorf, bimor e gjeometrik, me vlera të shquara artistike. Mozaikët nga ana artistike ngjajnë me stilin e një treve të gjerë ballkanike, që përfshinte qytete si Dyrrahu, Stobi, Tesaloniku, etj”, (Ëikipedia).

4.Ku shtriheshin dasaretët?Qyteza e Linit,thotë Anamali  u përkiste, si shumë  të tjera të kësaj treve, ilire dasarete.Histori shkruesit e lashtë i përmendin dasaretet për të parën herë në lidhje me ngjarjet e fundit të shek. III p.e. s, luftat maqedono-romake e iliro-maqedone. Duke qenë në një krahine me rëndësi strategjike, në kufirin midis Ilirisë e  Maqedonisë, dasaretet u përfshinë më parë në  mbretërinë e enkelejve, banorët fqinjë të tyre dhe mevonë deri sa u bënë të pavarur në mbretërinë e maqedoneve. Në burimet e shkruara përmenden edhe emrat e një tok qyteteve dasarete dhe mi­dis tyre, rreth liqenit Lyhnid, qytetet Enkelana, Keraka, Sationa, Bojoja dhe Lyhnidi. Njeri nga këto emra mund t‘i takoje qytezës së Li­nit. Dasaretet nuk kanë qenë një fis ilir i prapambetur dhe viset e banuara prej tyre, nuk kanë qenë të  varfra, sikurse ka shkruar ndonjë his­torian i huaj. Kërkimet arkeologjike kanë zbuluar një tok rrënoja qytezash të lashta, bile me shume se sa është numri i qyteteve që përmendin burimet e lashta. Janë zbu­luar edhe një tok banime të  hapta deri në  viset e thella të  malësisë së Mokrës, cka tregon për një popullsi mjaft të dendur. Gërmimet arkeolo­gjike në trevën e banuar nga dasa­retet kanë dhënë edhe diçka me tepër. Në këto vise janë zbuluar në Maliq e në Tren vendbanime prehistorike me shume rëndësi për etno-gjenezën e ilireve.Tashme, në sajë të  zbulimeve të  bëra në  këto dy vendbanime prehistorike, problemi i origjinës ose i prejardhjes së ilireve ka hyrë në rrugën e zgjidhjes së drejtë të tij. Në këto dy vendbani­me iliret i gjejmë të  formuar si etnos më vehte, qysh në  fillim të  periudhës së bronxit, domethënë në fillim tëmijëvjeçarit të II p.e. s. Ata vazhdojnë të banojnë, në këto vise pa ndërprerje deri në ditët tona, por, sikurse dihet, duke marrë në mesjetë emrin arbëreshë.

Për mesjetën e hershme në këtë treve, janë me interes gjetjet e bëra në qytezën e Linit dhe të Pogradecit ku këtë vit u bë një sondazh i vogël. Ende sot në këto dy vende dëgjohen toponimet Zagradje e Pogradec. Të dy toponimet janë sllave dhe lidhen me fjalën grad e gradec që do të thotë qytezë ose kala. Por dy qytezat e Linit e të Pogradecit megjithëse u quajtën me këto emra nuk u përkasin sllavëve , sikur është shprehur ndonjë dijetar, por banorëve vendas, dasareteve ilire, banorë të lashtë të kësaj krahine. Sllavet, kur u dyndën ose i pushtuan viset e Ilirisë së jugut, nuk i gjetën të braktisura qytezat ilire, por të  banuara dhe me një ekonomi e kulturë të përparuar. Ata, jo vetëm që nuk i ngritën këto kala, por sikurse është rasti i Linit, duhet menduar se qenë bullgaret ,kur invaduan këto vise, ata që e dogjën  atë. Edhe njëherë pra të  dhënat arkeologjike provojnë se shqiptaret ashtu si paraardhësit  e tyre ilire janë autoktonë vendas,banorë të vazhdueshëm të truallit të tyre.Ato tregojnë gjithashtu se nuk ka asnjë mbështetje arkeologjike  teza e vjetruar  por e nxjerrë në dritë përsëri  nga historianët se sllavë kur u dyndën në Shqipëri, i gjetën krahinat tona të pabanuara  dhe se shqiptarët erdhën më vonë duke zbritur nga Ballkani qendror.

*Autori ka drejtuar parqet arkeologjike të Amantia dhe Orikut.

Filed Under: Histori Tagged With: Dasaret, Gezim Llojdia, Qyteza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1552
  • 1553
  • 1554
  • 1555
  • 1556
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT