• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Asgjë nuk është e rastësishme

December 27, 2017 by dgreca

1 alfons 2

In politics, nothing happens by accident. If it happens, you can bet it was planned that way.  (Franklin D.Roosevelt)/

NGA ALFONS GRISHAJ/

Vendosja e një ministri të diktaturës në krye të Parlamentit, ministra të akuzuar për drogë e korupsion, varfëria dhe shtypja  e vegjëlisë puntore, rritja e privilegjeve dhe majmëria shoganëve, janë vetëm disa nga “bëmat” e rilindësve, të cilët, me forcën e kartonit po e çojnë Shqipërinë drejt kolapsit. Rama po teston përditë nervin e opozitës dhe durimin e popullit. Ai ndoshta beson vërtet se vota “pleblishitare” e zgjedhjeve të qershorit ishte meritë personale e tij. Sepse, në shoqërinë tonë, duket sikur ka zënë vend idea që “fitimtarit” i quhet fitore e merituar qoftë kur vjedh votat, qoftë edhe kur kundërshtarët, për shkaqe tashmë të ditura, nuk ngrihen në nivelin e “rivalitetit”. Ai beson gjithashtu, se do ia dalë ta konsumojë mandatin e dytë me plot nge dhe si t’ia dojë qefi, edhe pse si politikan, tashmë me përvojë, duhet ta dijë që është në kuotën më të ulët të mbështetjes në karrierën e tij, gjë që do të shqetësonte çdo politikan perëndimor e do ta nxiste drejt kthesave të ngjitjes. Por, Rama nuk e gëzon vetdijen e politikanit perëndimor.

Këtë e tregoi akti i fundit i shkeljes së Kushtetutës, duke zgjedhur një zonjë (!) në krye të prokurorisë, pa votat e kërkuara ligjërisht. (Le të lëmë mënjanë për një çast, se cila është kjo zonjë, që edhe pse zyrtare e ligjit, pranoi, në rrethanat e një konflikti politik, me ambicjen për një mandat të përkohshëm, të shndërrohej në një instrument ndezës. Me këtë rast vlen të shtrohet moralisht pyetja se ç’garanci ka pavarësia e pushtetit të drejtësisë edhe pas reformës së bujshme…)

Vjedhja e votave të opozitës për të hapur votimin dhe futja e gardistëve me dhunë në parlament rikonfirmoi papërgjegjshmërinë e drejtimit arrogant e banal Rama – Ruçi, të cilët, vunë militantizmin e bodigardëve mbi mandatet e popullit, duke vulosur në këtë mënyrë aktin antikonstitucional të ngjashëm me një grusht shteti. Dhe siç ndodh rëndom në këto raste, Pozita “fajësoi” opozitën për revoltën dhe denoncoi 10 deputetë për ndjekje penale, përfshirë dhe dy zonja… Akuza më e rëndë duket se ra mbi zonjën Kryemadhi, që paska siluruar një këpucë mbi Kokë-Ministrin e Shllavarisë, dhe se paska përdorur një fjalor vulgar ndaj drejtuesve të drogës dhe krimit. Çudi e madhe, pushteti paska fuqi magjike të të emancipojë e të të ngrejë me ashensor nga vulgarizmi në majat e qytetarisë, madje aq lart sa të harrosh sjelljet e tua banale në opozitë. E pra, ata nuk janë aq të largëta në kohë. Përkundrazi, kur sheh se në ç’ mënyrë provokuese sillet qeveria e sotme me opozitën, s’ke si të mos vlerësosh maxhorancën e shkuar për sensin e masës dhe maturinë. Në fakt, një qeveri që mbështeti drogën dhe fitoi në sajë të saj, nuk është për t’u siluruar me këpucë (megjithëse jam kundër dënimeve ekstreme), por për ligjin e Rodrigo Duterte, President i Filipineve (shihe këtë se tejkalon parimet e demokracisë).

Qeveria Shqiptare, si në drejtimin e vendit ashtu dhe në politikën ndërkombëtare është totalisht e çorientuar, dhe këtë e tregoi me votën kundër aleatit strategjik Sh. B. A. në OKB, 129 – 9, 35 abstenime, lidhur me çështjen e Jeruzalemit. Neo-komunistët, harruan votën e Wilsonit, luftën e Klintonit, vendimin e Bushit për hyrjen e Shqipërisë në NATO.

Shqiptarëve të majtë, iu dha rasti vetëm njëherë për të treguar mençuri klasike nacionalistë, por nuk e përdorën. Atyre nuk u intereson e nesërmja e bashkimit të Kombit, por “Internacionalizmi Proletar”. Përfshirja jonë në “lojërat” e diplomacisë është reminishencë e enverizmit megallomanik. Çështja e Izraelit është një çështje e tejzgjatur dhe Sh. B. A. janë të interesuar ta mbyllin njëherë e mirë këtë kapitull duke respektuar në rradhë të parë parimin e vetvendosjes, pastaj dhe historinë e një populli, i cili ka mbijetuar përgjatë diskriminimeve shekullore dhe rreziqeve asgjësuese si rrallë popull tjetër. Dhe këtu ndryshon Amerika me pjesën tjetër të botës: Amerika vepron energjikisht për të zgjidhur konfliktet, pjesa tjetër e botës, kartat e konflikteve të pazgjidhura i mban nëpër valixhet e diplomacisë burokratike, për t’i luajtur në kazinonë e rradhës.

Nikki Haley, theksoi se Amerika nuk do e harrojë votën kundër. Më pas ajo konfirmoi shkurtimin e buxhetit prej 285 milion për OKB, tregues i një ere të re ndaj hipokrizisë së vendeve “mike”, të cilët, e kanë përdorur Amerikën, dhe gjakun e heronjve të saj për t’u çliruar, mbrojtur dhe ringritur ekonomikisht.

Vota kundër Sh. B. A. në OKB, reflektoi nivelin e ulët të diplomacisë së shtetit tonë por diktoi gjithashtu mungesën e koherencës së strukturave drejtuese të tij. Ish-Presidenti Nishani dhe Presidenti i Republikës Meta, e dënuan këtë akt të turpshëm, jo vetëm për qendrimin e gabuar por edhe për faktin se u shmang institucioni i Presidentit. Liderët e Republikës së Kosovës u distancuan nga nga ky akt. Organizata të ndryshme dhe populli shqiptar në përgjithësi e dënoi ashpër qëndrimin e qeverisë Rama.

Deklarata e Vatrës, me kryetar Dritan Mishto, dënoi qeverinë e Tiranës, për aktin e papërgjegjëshem dhe  bëri thirrje shqiptarëve kudo në botë, që  të ndërgjegjësohen për vlerën e lirisë si gjëja më shtrenjtë.

Pas kësaj ngjarje të shëmtuar trashanikët e përfaqësive diplomatike dhe përfaqësuesja e Edi Ramës në OKB, do ta kenë shumë të vështirë për t’u përballur me komunitetin shqiptar (sidomos me nacionalistët) në Amerikë dhe kudo nëpër botë. Nëse ne shqiptarët padallim, brenda vetes kemi pardonuar njëri-tjetrin dhe kemi harruar shumë gjëra, akti i fundit i qeverisë Rama, është i pafalshëm se ka cënuar rëndë ndjenjën kombëtare, besën ndaj mikut më të shtrenjtë të Shqipërisë, Amerika. Çfarë po ndodh, asgjë nuk është e rastësishme…

Ka ardhur koha që krerët e Diasporës me në krye Vatrën, të mblidhen për të ndërtuar një strategji të re për të larguar qeverinë tradhëtare të Tiranës, dhe kjo, jo në emër të ndonjë partie të caktuar, por në emër të interesave historike të popullit të shumëvuajtur shqiptar!!!

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Asgjë, nuk është e rastësishme

Agjencia Kosovare e Privatizimit: 2017-ta, vit me rekorde

December 27, 2017 by dgreca

 1 AKP.JPG

-Dinamika e rritur e punës do vazhdojë edhe në vitin e ri 2018, për të cilin  Agjencia Kosovare e Privatizimit ka 5 objektiva, të parin 12 valë të shitjeve të aseteve përmes likuidimit/

-Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit,  i miratuar nga Qeveria e Kosovës në 10 nëntor 2017,  pritet të miratohet edhe në Kuvend në fillim të 2018-tës/

-Drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit janë përgjigjur edhe në interesimet e korrespondentit në Kosovë të gazetës DIELLI, e që kishin të bënin edhe me gazetën historike e të parën të përditëshme shqiptare të Kosovës  RILINDJA/ 

 1 Hajdari & Jashari.JPG

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 27 Dhjetor 2017/ Agjencia Kosovare e Privatizimit 2017-tën e punës së saj e vlerëson shumë të sukseshme dhe pret të vazhdojë dinamikën e rritur edhe në vitin e ri 2018, për të cilin ka 5 objektiva, të parin 12 valë të shitjeve të aseteve përmes likuidimit.

“Ajo që  e bën këtë vit shumë të sukseshëm është fakti që ne përfundimisht kemi arritur të kthejmë besimin e investitorëve potencialë dhe kjo u dëshmu përgjtë 11 valëve të shitjes që i kemi mbajtur këtë vit”, tha sot drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, në konferencën për shtyp të fundvitit.

Ai bëri të ditur se gjatë këtij viti ishin mëse 1.000 asete të ofruara për shitje, për të cilat Agjencia Kosovare e Privatizimit ka marrë më shumë se 2.000 oferta, numër ky rekord.

“Edhe vlera totale e aseteve të ofruara për shitje në vitin 2017 ka arritur shumë rekorde prej 61 milionë eurosh”, theksoi Hajdari.

Ai tha se me dinamikën e rritur procesi i privatizimit në Kosovë pritet  të finalizohet brenda 7 viteve të ardhëshme.

“Derisa për 15 vite janë privatizuar rreth 45 për qind të të gjitha asteve të ndërmarrjeve shoqrore mbetja tjetër me rreth 55 për qind me këtë dinamikë të shtuar presim të finalizohet për 7 vitet e ardhëshme”, tha drejtori menaxhues i Agjencisë, Ekrem Hajdari.

Ai dhe zëvendësdrejtori Menaxhues për Likuidim, Avni Jashari, presin edhe më shumë mundësi për punë e rezultate me miratimin vitin e ardhëshëm në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të miratuar nga qeveria në  10 nëntor 2017.

“Projektligji me ndryshimet e ofruara ka për qëllim lejimin e investimeve të mjeteve të fondit të privatizimit në letrat me vlerë të emetuara nga qeveria e Republikës së Kosovës”, ka theksuar qeveria. Ndryshimi dhe plotësimi iLigjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit është i rëndësishëm edhe për pagesën e 20 përqindëshit edhe për ish-punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, asetet e të cilave janë  shpronësuar nga qeveria.

Që nga viti 2008, qeveria e Kosovës ende nuk ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore, ndërsa ka marrë më shumë se 700 vendime për shpronësime, mes të cilave të Pallatit 18 katësh ku ishte gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cili është shëndrruar në objekt qeveritar.

Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, ndërsa ish-punëtorët e saj kanë bërë kërkesa për kompensime në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cila i ka mbështetur në vazhdimësi për të drejtat e tyre të ligjëshme, si dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit ritheksuan edhe sot se për asnjë ndërmarrje shoqërore nuk mund të mbyllet procesi i likuidimit pa i paguar fondet e shpronësimit, prej të cilave poashtu pritet të paguhet 20 përqindëshi për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore.

Drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, në konferencën për shtyp, mes tjerash ka theksuar edhe këto shifra e fakte: Në vitin 2017 numri i ndërmarrjeve shoqërore të vendosura në likuidim arrin në 50, numri i kërkesave kreditore të parashtruara është 997 e të shqyrtuara 987. Kanë mbetur vetëm 5 lokale-asete të uzurpuara në veri të Kosovës dhe para përfundimit të vitit bëhet lirimi i tyre. Vetëm në vitin 2017 Agjencia Kosovare e Privatizimit ka identifikuar dhe vënë nën administrim edhe 36 asete të reja që më herët nuk i kishte në regjistrara.

Drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit janë përgjigjur edhe në interesimet e korrespondentit në Kosovë të gazetës DIELLI, të parës gazetë shqiptare në botë – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA,  e që kishin të bënin edhe me gazetën historike e të parën të përditëshme shqiptare të Kosovës  RILINDJA, kryeredaktor i së cilës ishte nga fillimi i vitit 2002 e deri në numrin e fundit.

 Gazeta e përditëshme tradicionale të Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para më shumë se 72 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht para gati 16 vitesh me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para 9 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.

Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin, madje pa asnjë ndërprerje dhe në objektet ku kanë qenë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agjencia Kosovare, Behlul Jashari, e Privatizimit

Lojë fjalësh

December 27, 2017 by dgreca

1 astrit LULUSHI

Astrit Lulushi/

Eshtë sugjeruar se emri Odiseu është me origjinë jo-greke, ndoshta as indo-evropiane, pra me një etimologji të panjohur. Në fenë etruske emri dhe historitë e Odiseut njihen me emrin Utuz, Ushuz ose Udhuz, që është interpretuar si huamarrje nga një formë e mëparshme e emrit Oduze. Kjo teori mendohet të shpjegojë gjithashtu mos ekzistencën e “d” ose “l” në rajon në atë kohë. Odise, Odhise, Udhuz përfaqësojnë të njëjtin emër me të njëjtën kuptim në prejardhje – “Udhëtar” sipas shqipes së sotme apo njeri që udhëton a endet udhëve deri sa të ketë gjetur shtëpinë e tij, njësoj si Odisea pas luftës së Trojës.

Dy mbishkrimet dygjuhëshe u zbuluan në vitet 1920 në pjesën perëndimore të murit lindor të tempullit  te Delphit në Dreros të Kretës. Tekstet janë në alfabetin arkaik dhe datojnë nga fundi i shekullit VII pes. Ato jane me karakter kryesisht fetar dhe u botuan nga Henri Van Effenterre i universitetit të Sorbonës në vitin 1937 dhe 1946 dhe ruheshin në muze në Neapolis, Greqi.

Teksti i parë nuk mund të lexohet lehtë. Me siguri me teknologjinë moderne pjesa greke do të jepte më shumë, por mbishkrimi humbi gjatë okupimit të ishullit në Luftën e Dytë Botërore, dhe pavarësisht nga kërkimet, nuk është gjetur.

Teksti i dytë u botua gjithashtu nga Van Effenterre në vitin 1946. Një pjesë e mirë e tekstit gjithashtu ka humbur,  vetëm një fragment ku përfshihet fjala “tuprmēriēia” ka mbetur. Më1946, Van Effenterre sugjeroi se shprehja “tuprmēriēia” mund të shpjegohet me “i pastër”, si në rastin e sotëm të njeriut të turpshëm sepse është i pastër.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Lojë fjalësh

Shtetësia e Janullatosit, një varr më shumë për Vorio Epirin

December 27, 2017 by dgreca

1-arben-llalla-250x299

Nga Arben Llalla/

Me turravrap publicistët tiranas për pak euro filluan të shprehin simpatinë e tyre për shtetësinë e Anastasit. Janë po ata fytyra që në fillim të viteve ‘90 e shanin, e ofendonin, e akuzonin si oficerë i zbulim dhe kundërzbulimit grek. Por çfarë ndodhi me këta analistë, publicistë apo politikanë? Thjeshtë janë blerë në panairin e kotësive të Ballkanit.

Shqipëria u ka dhënë shtetësinë shqiptare me qindra agjentëve grekë, serbë, rusë, arabë e kështu me radhë, prandaj edhe dhënia e kësaj shtetësie nuk është ndonjë çudi e madhe. Shtetësinë e Shqipërisë më lehtë e fiton një narkoman, vrasës, agjent i vendeve armike të shqiptarëve se sa një atdhedashës shqiptar. Fjala vjen, Gafur Adilit nga Kërçova prej 20 vitesh nuk ju dha shtetësia e Shqipërisë, megjithëse jetonte dhe punonte në Durrës ligjërisht, ndërsa është një kontribues i Çështjes Kombëtare.

Për dhënien e shtetësisë Anastas Janullatosit nuk ka ndodhur mrekullia, as fundi i botës, vetëm gjërat qartësohen se kush i shërben atij dhe këtij vendi. Të paktën Greqia juridikisht është në gjendje luftë me Shqipërinë dhe Ilir Meta i dha shtetësinë një “armiku” që i ka shpallur luftë Shqipërisë qysh më 1941, gjithnjë po ta shohim nga këndvështrimi i Legjistacionit të Greqisë.

Greqia për prishjen e ndërtimeve pa leje në Himarë i hoqi shtetësinë greke kryetarit të bashkisë, Gjergji Goros, ndërsa Ilir Meta për aktivitete antishqiptare në rini dhe aktivitete fetare i jep shtetësinë shqiptare Tasos Gierasimos Janullatos. Pas moshës 33 vjeçare ai njihet si Anastas Gieramos Janullatos. Mbaroi gjimnazin mashkullor në Athinë, më tej shkollën e oficerave zbulim dhe kundërbulimit më 1951-1954, në taktikën për luftën greko-shqiptare. Por, ama në fund të jetës së tij do vdesë si shtetas i vendit armik, për ta luftuar të cilin ai u edukua dhe u stërvit prej disa vitesh.

Ironia më e madhe është se Shqipërisë do i shtohet edhe një varr më shumë i ushtarëve grekë të rënë për “çlirimin” e Vorios Epirus.

Pak rëndësi ka, nëse e mori sot apo dje shtetësinë shqiptare kryepeshkopi Anastas, i cili që këtej e tutje duhet të zgjedhë nëse është pakicë greke apo shqiptar me origjinë greke, por Vangjel Dules ju shtua edhe një votë e sigurt në zgjedhjet e ardhshme.

Sa për Kryepeshkopin e ardhshëm të Shqipërisë mendoj se është paravendosur dhe do jetë Mitropoliti i Korçës At Joani Pelushi.

Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, një varr më shumë, për Vorio Epirin, Shtetësia e Janullatosit

RAFAELA PRIFTI, EDITORE E DIELLIT PER FAQET E ANGLISHTES

December 26, 2017 by dgreca

1 rafaela

Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto, ka firmosur Vendimin për emrimin e gazetares Rafaela Prifti bashkë-editore e Gazetës Dielli, përgjegjëse për faqet në gjuhën angleze.

1 ok Vendimi 5 Rafaela.JPG

Në Vendimin që mban nr. 5 , datë 12 Dhjetor 2017, Shkruhet:

Në zbatim të Kanunores të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA dhe me miratimin e Kryesisë, Vendosa:

1- Znj. Rafaela Prifti emërohet bashkë-ditore e Gazetës DIELLI, përgjegjëse për faqet në gjuhën angleze.

2- Ngarkohet Znj. Rafaela Prifti, që brenda një periudhe 90 ditore të paraqesë në Kryesi një projekt për vizionin e saj sa i përket seksionit të gjuhës angleze në Gazetën Dielli.

Ky  Vendim hyn në fuqi menjëherë.

Kryetari

Dritan Mishto

Filed Under: Vatra Tagged With: EDITORE E DIELLIT, PER FAQET E ANGLISHTES, Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1619
  • 1620
  • 1621
  • 1622
  • 1623
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT