• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KU ISHE TI ZOT…..!

December 19, 2017 by dgreca

Nga Pëllumb LAMAJ*/

199520_175478489170849_2054088_n

Kur vdes Zoti çdo gjë është e lejushme- DOSTOEVSKY/

Është Pranverë dhe… edhe ne të harruarit nga Zoti e bota kemi filluar të ndjejmë ardhjen e saj edhe pse ju shëmbëllejmë atyre leprozëve,edhe pse rreth e rrotull shikojmë vetëm tela me gjëmba ,ushtarë që na kanë drejtuar bajonetat, mitrolozët dhe shkëmbenj të copëtuar që duket se do të shkëputen nga çasti në çast e do të na zënë nën vehte në këtë gropë ferri që rrethon kampin.Jemi duke lëvizur si zakonisht në atë pak hapësirë të kampit kur papritur ja behin policë të shumtë duke shoqëruar komandantin e kampit.Pasi qëndrojnë disa minuta duke soditur të burgosurit,na japin urdhër të futemi të gjithë në sallën e kulturës.

                                VDEKJA E DIKTATORIT

Është ora dymbëdhjetë dhe Radio-Televizori shqiptar jep një komunikatë ku njoftohet vdekja e diktatorit…..Ajo ç’ka ndjemë në ato çaste ishte një përzjereje habie,mosbesimi e gëzimi bashkë.Fshehtas filluam të vështrojmë e përshëndesim në heshtje njeri tjetrin dhe kjo heshtje më e madhe se çdo heshtje tjetër,pushtoi sallën….

Ndërkohë jepet urdhëri të dalim nga salla dhe të burgosurit,me sytë që ju shkëlqejnë nga gëzimi,në heshtje,me grushtat e shtërnguar dalin nga salla dhe secili në ato çaste sublime, përfytyron Lirinë e aq dëshiruar e pritur në dekada që do të trokas së shpejti …të paktën kështu kishte ndodhur dhe në Bashkimin Sovjetik kur kishte ngordhur Stalini….por me një ndryshim,Atje miliona turma të kampeve të Siberisë kishin bërtitur e ulëritur,ndërsa ne e kishim pritur në heshtje këtë gëzim që dukej se zbriste nga qielli,në të kundërt na dukej se Demoni do të ngjallej e do të na përpinte të gjithëve….Edhe pse e kishim dëgjuar me veshët tanë,edhe pse e kishim lutur e dëshiruar për katër dekada,prapë na dukej si ëndërr……diktatori kishte ngordhur edhe pse ishte shndrruar në pamundësi në ndërgjegjen e gjymtuar të popullit. Për dyzet vjet me rradhë nëpërmjet një terrori sistematik e të paparë në historinë njerëzore,ky diktator i neveritshëm kishte mundur të gjymtonte arsyen e një kombi të tërë duke e shndruar atë në një mit……

Fotografinë e tij të varur në mur do ta gjeje pothuajse në të gjitha familjet shqiptare dhe në këmbët e tij që kullonin gjak do të hidheshin aq shumë lule sa që dhe vet Napoleoni,Hitleri,Stalini e gjithë mbretërit e botës do ta kishin zili……

Është dita e dytë e zisë kombëtare të shpallur për nder të diktatorit,flamuri qëndron në gjysëm shtizë duke e nderuar atë që e tradhëtoi këtë flamur…Me detyrim na fusin na sallën e kulturës të ndjekim ceremoninë….Është e tmershme, ironike, poshtëruese kur shikon që një popull i tërë poshtëron veten duke u përulur e derdhur lot përpara arkivolit të diktatorit…

Të persekutosh një popull për gjysëm shekulli dhe ky popull të vajtojë vdekjen ,ky është paradoksi më i madh njerëzor në histori për botën perëndimore e të civilizuar që nuk e provoi e as imagjinoi terrorin e kuq,terror që politakanët e tyre ua bënë dhuratë popujve të tjerë.. por është edhe më neveritëse kur të burgosur që dergjen këtu në këtë gropë leprozësh pa asnjë rrugëdalje,pa asnjë shpresë, kanë filluar të qajnë e derrdhin lot për përbindëshin .Kuadro të lartë të partisë dhe pushtetit ,dikur pjestarë të bandës së diktatorit mbajnë fjalime dhe betohen se edhe pse në burg do të mbeten besnik të komandantit dhe partisë madje dikush shkon në marrëzi kur thotë se partisë iu pre një krah, por është krahu tjetër Ramizi-Nexhmija që nuk na lë në dorën e armiqëve të popullit ballistëve…

HIPOKRIZI

Hipokrizia nuk ka fund . Në një stend të emulacionit socialist eshtë vendosur një portret i madh i përbindëshit ku një i burgosur mjeran i fshin xhamin dhe mbush me ujë një vazo me lule… Nuk më durohet,i afrohem dhe e pështyj:-Të të vijë turp- i them kot e ke ,nuk e ngjall dot edhe ti do ngordhësh këtu si qen e as kanë për ta falur dënimin. Të burgosur të tjerë zbresin shkallët për të shkuar në banjo dhe përpara fotografisë së diktatorit sa herë që e shikojnë mbushen me frymë.. .

Është dita e tretë e zisë dhe e ceremonive dhe një i burgosur informator i komandës i shoqëruar nga policë ,shkon në ç’do kapanon duke kërkuar firmën e ç’do të burgosuri …. Bëhet fjalë për një telegram që do ti dërgohet K.Q.P .P SH se dhe Ledit Makbedh ,Nexhit…Një pjesë e madhe frikacakësh e dallkaukësh shumica ish kuadro komunist firmosin atë paçavure por ka dhe të tjerë kurajozë që as nuk u trembet syri….I burgosuri informator më afrohet dhe më zgjat bllokun…..Pasi e vështroj me neveri i them të largohet ….policët që e shoqërojnë pasi më shikojnë më urrejtje duke lëvizur kokën në shenjë kërcënimi, ia bëjnë me shenjë të vazhdojë me të burgosurit e tjerë……

Me sa kuptojmë,është një lojë e ndyrë e sigurimit të shtetit për t’i poshtëruar e vrarë politikisht të burgosurit e që në të ardhmen t’a përdorin si dokument poshtërues në histori…..

Sot është dita e fundit e ceremonive dhe turmat të përulura deri në poshtërim nga frika,mbushin me lot e lule rrugët e Tiranës së kuqe duke i dhënë lamtumirën e fundit Përbindëshit të kuq…..Gjithë makina e propogandës së kuqe nën ingranazhet e së cilës janë përpëlitur të gjitha institucionet,ka vetëm një devocion…nderim diktatorit….Shiu nuk ka të pushuar sikundër dhe kortezhi njerëzor që nuk ka të mbaruar veç një gjë është e sigurt….Përbindëshi ka ngordhur………

DHURATA PER VITIN E RI

Ditët,javët ndjekin njëra tjetrën dhe asnjë shenjë Lirie nuk po shfaqet në horizont e të burgosurit natyrshëm kanë filluar të humbin durimin dhe mjerimi e shpresat mizore kanë filluar të mbulojnë fytyrat e tyre …..Pak nga pak po i afrohemi Dimrit dhe sot ka filluar dëbora e parë e ashtu butë – butë ka shtruar çarçafin e bardhë…..Më në fund trokiti dhe Dita e vitit të Ri që shumica mendonte se do ta kalonte në Liri pranë të dashurve të tyre që dhe ata mezi i prisnin…..Është kohë darke dhe të burgosurit si zakonisht janë rreshtuar për të ngrënë darkën,atë pak supë nga mbeturinat e gjellës së ushtarëve kur nga mensa del një i burgosur i shoqëruar nga policët që i bërtasin e ulërijnë.Ai ka gjetur një krimb në supën e tij dhe ua ka treguar të burgosurve të tjerë të cilët në rradhë,njeri pas tjetrit, e kanë derdhur supën në kazanin e plehrave….Ndërkohë lajmërohet komanda dhe në kamp vjen oficeri rojes i cili pasi i ka reshtuar të gjithë të burgosurit pyet se kush prej tyre e ka gjetur krimbin….Një i burgosur ,duke ngritur dorën i përgjigjet oficerit të rojës e ndërkohë oficeri rojës i bën shenjë të dalë nga rreshti e të qëndroj përball turmës së të burgosurve dhe pastaj u drejtohet të burgosurve;e shikoni këtë armik të betuar?Ky maskara ka hedhur krimbin në gjellë për të diskretituar komandën dhe qeverinë ?Ju e dini shumë mirë që ushqimi është i bollshëm dhe i pastër dhe qeveria e partia kujdeset për ju…..ky armik i betuar i popullit nuk ka për tu reabilituar kurrë dhe do të ngordh si krimbi në burg…….dhe pasi ua bëri me shenjë policëve u largua nëpër shkallët që të çonin në zyrat e komandës….Policët e mbërthyen prej krahësh fatkeqin dhe pasi e lidhën e morën në drejtim të birucave …..Të burgosurit në turmë filluan të mërmërisnin ndërkohë që policia dha urdhër të shpërndaheshin e të niseshin drejt fjetores……U nisa drejt shkallëve për të shkuar në fjetore dhe dikush më preku supet ….Ishte një shoku im që gjithmonë bënte shaka,edhe në momente dramatike….

-Ku shkon?-  më pyeti duke qeshur?

E vështrova një çast pa folur dhe pastaj me buzën në gaz ju përgjigja;në krevatin e kashtës të mbuloj kokën me batanije e të pres plakun e Vitit të ri….

Në moment fytyra e tij u vrejt,më vështroi me dhimbje dhe u nis drejt dhomës së tij pa folur ….

-Ah, harrova,- i thashë me zë të ulët…Çfarë më tha bashkëvuajtësi?…Krimbi ishte dhurata më e bukur e Vitit të Ri dhe sonte do të shkruaj një dramë…..Kujdes më tha ai….sonte ka shumë policë vërdallë dhe po të kapën do të të kalbin në qeli dhe u largua…..Dhe atë natë,me kokën mbuluar me batanijen e grisur e të pistë,unë shkruajta një nga dramat e shumta por pa mundur t’a hedh në letër ngaqë policët hynin e dilnin pa pushim nëpër dhoma….

Dëbora vazhdonte të binte pa pushim dhe britmat e ushtarëve që ndërronin shërbimin,dhe ndonjë fishek zjarri që hidhej për të ndricuar telat me gjëmba ,më kujtuan se kishte trokitur Viti i Ri 1986….

ZOT, ÇFARË TË KEMI BËRË?

Zbulova kokën dhe i hodha një vështrim dhomës ….të gjithë kishin mbuluar kokat me batanije…doja ti zgjoja,t’ju tregoja se kishte ardhur Viti i Ri,se përbindëshi ishte shndruar në kërmë e nuk ngjallej më por mu duk se do t’u prishja ëndërrën…Zot,- thashë me vete…Çfarë të kemi bërë..! E ashtu me kokën mbuluar me batanijen e vjetër të pistë e të grisur nisa të belbëzoj disa vargje që i kisha shkruar kohë më parë vetëm e vetëm të më zinte gjumi……

Eh Statujë,Statujë e Lirisë
Sa kurora rinie vyshkur mbi ball
Jehona dashurie që kurrë nuk u dhuruan
Sa kafka martirësh mbetur pa var

Eh Statujë,Statujë e Lirisë
E vetmja dritë,i vetmi zjarr
E vetmja shpresë ku ëndërrat udhëtojnë
Përzjerë me klithma,kulluar në gjak

Eh Statujë,Statujë e Lirisë
E vetmja dritë që na mban gjallë
Por dhe po ikëm pa u takuar
Besomë,do vinë të të puthin vrasësit tanë

I gjithë në rrjetë
U katandis globi
Oqeanet,kontinentet
Dhe qielli vet’
Vall si duron Zoti
Tek sheh nga sipër
Si kryqëzohen e përpëliten
Bijtë e vet…

* Spaç 1986

 

Filed Under: Histori Tagged With: Ku ishe, Pellumb Lamaj, Ti ZOT

Prokurorja e Përkohshme,protesta, ndërkombëtarët, pozita & Opozita

December 19, 2017 by dgreca

1 ProtestaPas zgjedhjes së Prokurores së përkohshme, në tym e kaos në Parlament, dhe protestë e dhunë jashtë, palët kanë filluar të akuzojnë njëra-tjetrën. Opozita akuzon Kryeministrin dhe mazhorancën se ka shkelë Kushtetutën, dhe ka kapur Drejtësinë duke emëruar një prokurore pa Veting, me qëllim që të shpëtojë veten dhe Minstrin e Drogës-Saimir Tahiri, ndërsa pozita akuzon opozitën se nuk e do Reformën në Drejtësi.Lulzim Basha ka dalë ditën e sotme në një konferencë për mediat nga selia blu, ku ka folur për zgjedhjen e kryeprokurore së re. Sipas tij, Edi Rama ka bërë një puç kushtetues.‘Dje u konsumua një puç kushtetues. Vendi është në një spirale informaliteti. Qëllimi ishte vetëm kapja e një kryeprokurori politik që mbyll dosjet e krimit të Ramës’, tha Basha.Sipas tij, dje kishte vetëm një dhunë e ishte dhunimi i Kushtetutës.‘Ka vetëm një dhunim dhe shkatërrim, ai është shkatërrimi dhe dhunimi i Kushtetutës. Shqipëria mund të ketë dy standarde.Standard duhet të jetë vetëm ai perëndimor, ai amerikan’, tha Basha.

Agresive ndaj Kryeministrit ka qenë kundër mazhorancës edhe Partia e Presidentit LSI. Bashkëshortja e Presidentit, njëkohësisht kryetare e LSI, Monika Kryemadhi, ka qenë në ballë të protestusve dhe ka paralajmëruar përballje të ashpër.

Ndërsa zv.Kryetari i lSI, Petrit Vasili, kreu i Grupit parlamentar të LSI, deklaroi sot se me zgjedhjen me 69 vota të kryeprokurores, fitoi krimi dhe reforma humbi, ndaj fjalën tani e ka populli.  Në shënimin e tij sot, Vasili shprehet veçanërisht me ironi ndaj qendrimit të ambasadave të SHBA dhe BE-së për zgjidhjen që iu dha çështjes :”Dje u zgjodh një drejtoreshë e qeverisë, Rama për ta poshtëruar i dha kryeprokurores 69 vota, as sa një ministre. Reforma tashmë e vdekur e drejtësisë polli kryeprokurorin me më pak vota dhe më të pabesuar në histori.69 vota është kapja më e pacipë që krimi i organizuar, në krye të qeverisë, ka bërë ndonjë herë. Tashmë Brukseli dhe Uashingtoni duhet të jenë “të qetë”, reforma në drejtësi katandisi kokoshi një thelë nga 140 vota ne 69 vota. Krimi fitoi-reforma humbi, tani fjalën e ka populli.”

Ndërkombëtarët nga ana e tyre duket se kanë marrë anën e mazhorancës, duke dhënë mbështetje për zgjedhjen në kushte të dyshimta të Kyeprokurores. Ambasada Amerikane ka qenë  e para që ka publikuar një Deklaratë kundër dhunës dhe në favor të zgjedhjes së Kryeprokurores Ne deklarate shkruhej:“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën që ndodhi në protestën e sotme në Tiranë. Ne mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të nxisin qetësi.Ambasada amerikane nënvizon se populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se reforma në drejtësi më në fund po zbatohet.“Populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se reforma në drejtësi më në fund po zbatohet. Komisionet e Vetingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para. Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur. Së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë.”

Më pas ka qenë Bashkimi Europian që ka bërë thirrje për qetësi e bashkëpunim. Në deklaratë shkruhej: BE-ja dënon dhunën në protestat e djeshme dhe sjelljen e anëtarëve të Parlamentit në seancën plenare. Proceset demokratike, qofshin ato seanca parlamentare apo protesta, duhen lejuar të zhvillohen në mënyrë paqësore.Qytetarët shqiptarë u kërkojnë përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të tregojnë lidership dhe përgjegjësi, si dhe të punojnë në partneritet për të ndjekur reformat e rëndësishme që janë gjithashtu vendimtare për aspiratën e Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.

***

Nga ana e saj policia e Tiranës ka vënë në pranga 6 protestues të opozitës ndërsa ka nisur hetimet edhe ndaj 10 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, për akuza të ndryshme.Deklaratë e përbashkët e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor TiranëArrestohen 6 persona dhe procedohen 2 të tjerë në gjendje të lirë për veprime të dhunshme në protestë ndaj Policisë së Shtetit.

– 10 deputetë procedohen në gjendje të lirë për prishje të rendit dhe kundërshtim të Policisë.

– 1 shtetas procedohet për organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme

Specialistët e Seksionit për Krimet ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë, në vijim të veprimeve për evidentimin, dokumentimin dhe kapjen e shtetasve që kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë gjatë protestës së opozitës të zhvilluar në datën 18 dhjetor 2017 para Kuvendit të Shqipërisë, kanë bërë arrestimin në flagrancë, të:

• Renato Xhihani, 19 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë;

• Ervis Hajredini, 21 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;

• Igli Hasani, 24 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;

• Fanol Prifti, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë;

• Sokol Vuçeta, 46 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (i dënuar më parë);

• Shyqri Proshka, 33 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë.

Arrestimi u bë pasi gjatë protestës së djeshme, zhvilluar në sheshin në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, personat e sipërcituar në mënyrë aktive kanë kryer veprime të dhunshme, si: hedhja e sendeve të forta në drejtim të punonjësve të Policisë, hedhja e materialeve piroteknike, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës, vepër penale e parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit:

• E.M, 17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë;

• S.L., 52 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

Procedimi në gjendje të lirë i tyre u bërë pasi gjatë protestës kanë kryer veprime aktive në nxitjen e turmave dhe kanë ndihmuar me veprime aktive në prishjen e kordonit të Policisë, me qëllim hyrjen në ambientet e brendshme të Kuvendit.

Si pasojë e veprimeve të dhunës nga personat e mësipërm, morën dëmtime të konsiderueshme trupore 6 punonjës Policie, të cilëve iu dha ndihma e parë dhe disa prej tyre vijojnë trajtimin mjekësor.

Po në vijim të veprimeve ka filluar procedimi penal për veprën penale të “Prishjes së rendit dhe qetësisë publike’, parashikuar nga neni 274 Kodit Penal në ngarkim të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë: Flamur Noka, Grida Duma dhe Edi Paloka.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, parashikuar nga neni 235/2 Kodit Penal, në ngarkim të deputetëve: Monika Kryemadhi, Flamur Noka, Ervin Salianki., I.B., Kejdi Mehmetaj, Fjoida Kërpaçi, Klevis Balliu dhe Gent Strazimiri.

Për shtetasin Eno Bozdo, ka nisur procedimi penal për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: nderkombetaret, posit dhe Opozita, Prokurorja e perkohshme

Bukuritë natyrore të Kosovës prezantohen në Zvicër

December 19, 2017 by dgreca

1 prezantimi-Kosova shënon me ekspozitë Vitin 2017, si Vit i shpallur Ndërkombëtar nga Kombet e Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit/2 Prezantimi

 MELIDE, 18 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI/ Në qendrën e Arteve, “Ibrahim Kodra”, në Melide të Zvicrës, është hapur ekspozita “Bukuritë Natyrore të Kosovës”, ekspozitë kjo që synon të forcojë dhe zgjerojë marrëdhëniet sociale dhe kulturore në mes Konfederatës Zvicerane dhe Republikës së Kosovës.

1 ekspozita

Organizimi i kësaj ngjarje u bë si rezultat i bashkëpunimit me Komunën e Melides, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë dhe Muzeun Kombëtarë të Republikës së Kosovës, ndërsa ky projekt iu dedikua vitit 2017, i cili është shpallur nga Asambleja e 70-të e Kombeve të Bashkuara si Vit Ndërkombëtar i Zhvillimit të Qëndrueshëm të Turizmit për Zhvillim. Ky aktivitet u hap nga Drejtoresha e Artit të Fondacionit, “Ibrahim Kodra”, Maria Pacolli, e cila edhe prezantoi nismën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa me një video mesazh të pranishmëve iu adresua edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Turizmin Botëror, Taleb Rifai.

Njoftimi i dërguar nga MPJ e Kosovës thekson se, turizmi sot është bërë një katalizator i rëndësishëm i transformimit pozitiv, që mund të kontribuojë në një zhvillim të qëndrueshëm në ekonomi, shoqërim, ambient dhe fusha të tjera.

Ai, gjithashtu, mund të forcojë paqen, duke mbështetur mirëkuptimin në mes popujve, rritjen e vetëdijes së trashëgimisë së pasur në mes kulturave të ndryshme dhe duke ftuar gjithsecilin që të vlerësojë vlerat e tij.

Në këtë ekspozitë ka marrë pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Bern, Nazane Breca, e cila ka theksuar se “kultura bën një kontribut të madh, që Kosova të njihet më shumë dhe që të zbulohen thesaret e saj”.

Ekspozita “Bukuritë Natyrore të Kosovës” në Qendrën e Arteve në Fondacionin “Ibrahim Kodra” ka prezantuar fotografitë e realizuara nga fotografët ndërkombëtarë dhe pjesëmarrësit në garën e fotografisë më të mirë për promovimin e Kosovës për vitin 2017, e cila ishte organizuar pak kohë më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Autorët e fotografive të ekspozuara në këtë ekspozitë janë si më poshtë: Aleksandra Hiltmann, Arben Islami, Erza Rudi, Jeta Abazi Gashi, Maria Pacolli, Marieke Lebet-Booij, Shkelzen Rexha, Yllka Fetahaj, Agon Nimani, Arian Mavriqi, Armend Nimani, Bleron Caka, Dea Lajqi, Sehida Miftari.

Në ekspozitë janë shfaqur edhe punime tjera artistike, duke përfshirë artistin kosovar, Sylë Mujaj. Pas përfundimit të ekspozitës është shërbyer edhe ushqim tradicional nga Kosova. Ekspozita do të mbetet e hapur deri në 14 Janar 2017. /b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: bukurite natyrore, kosova, ne Zvicer

MOS MA KUJTO TË KALUARËN

December 19, 2017 by dgreca

fadil_lushi_thmb1211

Nga Fadil LUSHI/Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për fjalën TJERR jep këto shpjegime:E bëj fill leshin, pambukun, lirin etj. duke e tërhequr pak nga pak nga shtëllunga dhe duke e dredhur me dorë a me makinë. Tjerr lesh (pambuk, mëndafsh). Tjerr trashë (hollë). Tjerr me furkë (me makinë).

  • fig. E zgjat shumë e pa nevojë një punë, një bisedë etj., e stërholloj, e bëj tërkuzë. I tirrte fjalët. E ka zakon ta tjerrë. I tjerr gjatë gjërat ai. Mos e tirr më tutje!
  • fig. Shpif a sajoj diçka të paqenë. Pse tjerr kot! Nuk është mirë të tjerrësh.

 

* Tjerr (pret) hollë… Tjerr lëmshe kundër dikujt –  shpif shumë kundër dikujt, thur intriga të mëdha.

              Miq të nderuar! Në këtë shkrim të radhës do bëj përpjekje ta them të vërtetën për një ngjarje me rëndësi historike, një ngjarje sa humane, po aq emancipuese dhe po aq denigruese. Për këtë arsye do të shkruaj për sebepin tim dhe të gjeneratës sime dhe, në veçanti, për “shokun” nga një mëhallë e kasabasë së Tetovës. Ju them që në fillim, se nuk do të tjerr as leshin as pambukun, nuk do të tjerr as me furkë e as me makinë,  nuk do ta stërholloj shkrimin, po as tërkuzë nuk do ta bëj, nuk do të sajoj a të trilloj gjëra të paqena, përkundrazi, në këtë shkrim do të bëj përpjekje të identifikoj njerëz të cilët lëre që jetojnë në një realitet të shtrembëruar dhe në iluzion, por mëtojnë ta zbehin dhe ta anashkalojnë kontributin e disa shqiptarëve që ndërtuan të kaluarën e tyre të lavdishme. Nëse jo për diçka tjetër, atëherë do ta bëj për gazetën në fjalë, për lexuesit e mi të çmuar dhe, në instancën e fundit, për hir të njerëzve të cilët në ditën e njëzetedytë dhe të njëzetetretë të muajit dymbëdhjetë të motit 1968 kërkonin lirinë e munguar të vatanit të tyre të zaptuar. Prandaj, jo më kot, iu referova Fjalorit të gjuhës sonë dhe kujtesës sime pamore e dëgjimore.

             Dikur moti prindërit tanë mendjendritur thoshin: Nëse do jetimin ta ndihmosh a ta mishërosh, mos e paragjyko, mos e përmend të mirën që do t’ia bësh dhe nëse do t’ia bësh një nder, bëje me tamam dhe mbaje për vete…, mos e bëj sa për sy e faqe…, sepse jetimi s’përdëllehet dot kollaj. Por ama, mos harro se një ditë edhe ti mund të biesh në hall të madh, andaj do të duhet të bësh kujdes se në derën e kujt do të trokasësh për të kërkuar ndihmën pa interes! Asokohe ne, që ishim axhami në fiqir, nuk e kuptonim në asnjë mënyrë këtë thënie popullore që lakohej nga prindërit tanë të varfër, por të mençur, për faktin se kjo filozofi ndoshta nuk na hynte në punë, po ndoshta edhe nuk besonim se një ditë do të ballafaqohemi me këtë mençuri popullore.

            Kritikët letrarë shqiptarë thonë se Azem Shkreli ishte një njeri i cili u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare. Ai njëherë, pos të tjerash, kishte thënë: “Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”. Ky përgjysmim i së vërtetës shkreliane, pa fije dyshimi, sot e gjithë ditën e Perëndisë, do të gjejë vend në muhabetin e pshurrur të “mikut tim” në vijim të këtij shkrimi.    

           Sot e kaq dekada pas takova “shokun” e mëhallës sime. Ishte duke dalë nga haleja e kasabasë. Sigurisht që ato hapësira i kishte frekuentuar sa për të bërë çiçën pa pare. Pasi u “përshëndetëm”, pa një pa dy, ashtu thjesht e pshurri muhabetin fare. Bënte sikur ende frymonte, njësoj si në vaktin e babait të tij komunist, gjegjësisht ish-kolaboracionistit i përbetuar. Sikur e kishin zaptuar ethet malarike. Sikur e kishte kapluar nostalgjia për vitet e ikura. Sikur nuk ndërgjegjësohej sa i përket shqiptarizmit të tij të rremë. Sikur kishte harruar detyrimin moral ndaj meje dhe të tjera borxhe të pashlyera ndaj miqve të tij, që fatkeqësisht nuk frymojnë më. Çdo fjalë timen e merrte me inatin e tij prej vitesh të akumuluar, gjithsesi pa të drejtë. Më dukej se nuk ishte në terezi, sikur i kishte luajtur tepeleku i kokës, edhe ashtu të boshatisur.

Duke vërejtur se po e shpërdoronte durimin tim, ia ktheva: – Pa më thuaj, “mor dost”, ç’të mungon e ç’të mundon! Ma ktheu hazërxhevapin, ashtu si ndër dhëmbë, duke më thënë: “Ore, pse nuk ma urove gjyshërinë time!”. Fillimisht mëtova “ta gjezdis ashtu kot” përgjigjen time, por duke qenë i ndërgjegjshëm se nuk do t’ia kapte radakja, ia ktheva troç, ashtu drejtpërdrejt pa frikë, ‘açik’, në sy: – Po kur u martove, o “mik im”, e që sot qenke bërë gjysh! “Ehe, a hiç nuk të kujtohet, ishte moti 1981, pikërisht në vitin kur komunistët ty ta morën “masën e samarxhiut”, në vaktin kur bashkëpunëtorët e tim eti ta morën bukën e gojës”. – Eh, “xhanëm, miku”, të lus mos ma rikujto atë kohën tënde…, fare mirë e mbaj mend kur babai yt ftoi gjithë burrat dhe gratë e lagjes në dasmë, kurse mua më la mënjanë me a pa të “drejtën” e tij. Ehe, sa shumë u pikëllova në atë kohë. Ti “shoku”, tok me babin tënd, asokohe më lënduat e më anashkaluat! Dhe kur shokët e klasës e kishin pyetur babanë tënd se për ç’arsye mungoja unë në dasmë, ai ishte përgjigjur: “Kam të ftuar funksionarë të lartë të partisë komuniste“, e të tjera broçkulla dhe gjepura kalamajsh! Dhe tashti, miku, më thuaj ç’kuptim do të kishte “urinimi” im! Dhe “miku” duke u çakërdis nga mendja, ma ktheu njësoj si daulltari i grupit a bandës frymore, të cilit para dasmës i çahet daullja: “Nuk të thashë të më ‘urinosh’, por të më urosh a të më japësh uratën!”. Ja ktheva se e ç’kuptim do të kishte kjo uratë apo ky ‘urinim’, po ç’të duhet kjo uratë irredentisti, uratë njeriu i cili dikur moti mëtoi të ta prishë rehatinë e familjes sate komuniste, rehatinë e babait tënd, i cili dikur hante bukën dhe qengjin e katundarit fisnik shqiptar, e mandej bënte duanë e kaurit-komunist dhe ca të tjerë shqiptarë!… Ç’të duhet urata e njeriut të cilin babai yt e konsideronte rebel dhe shkatërrues sistemesh!

           “Mbreti Solomon, të cilit një ditë ia sollën për gjykim dy gra të cilat pretendonin se ishin nënat e një foshnje, e zgjidhi çështjen duke gjetur nënën e vërtetë, nisur nga gruaja e cila shprehu më shumë dhembshuri për foshnjën. Solomoni menjëherë nxori një shpatë dhe kërcënoi të ndante më dysh foshnjën, por njëra nga gratë iu hodh te këmbët duke iu përgjëruar që t’ia falte jetën foshnjës dhe se ajo hiqte dorë nga pretendimet e saj kundrejt foshnjës. Solomoni e kuptoi që ajo ishte nëna e vërtetë dhe jo gruaja tjetër, e cila u pajtua me faktin që foshnja duhej ndarë në dy pjesë”.

Eh, “xhanëm miku”, të vërtetën mos e ndaj përgjysmë…, mos e nguc foshnjën, lëre të RRITET!

P.S.

Ky shkrim u dedikohet të gjithë pjesëmarrësve të demonstratave të vitit 1968 në Tetovë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, MOS MA KUJTO TË KALUARËN

Kryetari i Unionit te Pavarur Studentor Antikomunist në Vatër

December 18, 2017 by dgreca

Kryetari i Unionit te Pavarur Studentor Antikomunist Shqiptar z. Alfred Pëllumbi viziton Vatrën/

2 Dritan Pllumi

Më 18 Dhjetor 2017, Kryetari i Unionit të Pavarur Studentor Antikomunist Shqiptar z. Alfred Pëllumbi vizitoi selinë e Federatës Panshqiptare Vatra dhe u prit nga Kryetari i saj Dritan Mishto.Pëllumbi uroi përzemërsisht Kryetarin Mishto për zgjedhjen e tij si Kryetar i Vatrës dhe vuri në dukje ndryshimet që po perceptohen kudo në trojet shqiptare rreth ngritjes së profilit të Vatrës në botën shqiptare.

Nga ana e tij, Kryetari Mishto falenderoi Kryetarin e Unionit të Pavarur Studentor Antikomunist Shqiptar per respektin e treguar ndaj historisë, trashëgimisë dhe vlerave të Vatrës dhe shprehu bindjen se ky akt tregon respektin e gjerë të të gjithë studentëve dhe të rinjve shqiptarë ndaj Vatrës si  vlerë e cmuar e historisë moderne të kombit tonë.Alfred Pëllumbi është njëkohësisht mik i vjetër i Kryetarit Mishto. Të dy bashkëbiseduesit kujtuan betejat studentore për rivendosjen e demokracisë në vitet 1997, 1998 e vijim kundër qeverive socialiste Nano, Majko dhe Meta. Përmbysja e qeverisjes demokratike me revolucionin e dhunshëm komunist të vitit 1997 nuk gjeti pajtim tek studentët, të cilët nën drejtimin e Unionit të Pavarur Studentor Antikomunist filluan një varg protestash në mbarë universitetet shqiptare. Protestat studentore kundër qeverive socialiste kulmuan me grevën e urisë së nisur më 10 Dhjetor 1998, për gjetjen e vrasësve të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari dhe vijuan periodikisht deri në riardhjen e Partisë Demokratike në pushtet në vitin 2005.

Në kujtim të bashkëpunimit me Azem Hajdarin, një grup vatranësh nën nismën e Kryetarit të Federatës Dritan Mishto u bënë donatorë në ndërtimin e bustit të heroit të demokracisë në Tropojë.(Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Alfred Pëllumbi, dritan Mishto, Kryetari i Vatres, viziton Vatren

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1629
  • 1630
  • 1631
  • 1632
  • 1633
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT