Ne Foto:Ratko Mladiq: Përbindëshi para drejtësisë-Burgim te Perjetshem//
Nga Mimoza Dajçi/
Dy vite më parë, po në muajin nëntor të vitit 2015 ndodhesha me tim atë në Hagë, me një grup aktivistësh për të drejtat e njeriut e misionerë të paqes në botë. Si kosovar e si familje patriotësh, gjak nga familja e Boletinëve të Kosovës martire, me vete mora edhe tim atë.
Megjithëse i rënduar nga hallet e jetës si ish i burgosur politik në Shqipëri, por edhe shqetësimi familjar pasi një muaj e një javë më parë sapo na kishte lënë për jetë ime më, bashkëshortja e tij. Por kur mësoi se do të ishim prezent edhe në një seancë gjyqēsore për krimet kundra njerëzimit në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, shfaqi dëshirën për të më shoqëruar. Sigurisht që ja plotësova, ashtu sikurse i shëtisja çdo fundjavë me makinë të dy prindërit e mi buzë oqeanit si në verë ashtu edhe në dimër.
Siguruam biletat për këtë udhëtim dhe u nisëm. Atje na u dha rasti, edhe sipas axhendës së programuar të vizitonim Institucione dhe Qëndra të rëndësishme botërore të drejtësisë, politikës, artit, kulturës, Interpolin etj.
Por interesimi më i madh për momentin për ne, mua e tim atë ishte Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, ku në një seancë gjyqësore po zhvillohej gjyqi ndaj kriminelit Ratko Mlladiç, pikërisht atij që sot kjo Gjykatë i dha dënimin e merituar. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është një Institucion i rëndësishëm i OKB. Kishte kohë popullsia e pafajshme në Bosnje e të gjithë paqedashësit në botë që prisnin të jepej vendimi përfundimtar i tij. Shtyhej këtë muaj, këtë vit, saqë edhe me tim atë prisnim se çfarë do të ndodhte, por sigurisht duke patur besim se ai duhej të dënohej.
Pas një kontrolli të imët tek hyrja e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë u gjendëm përballë Trupit Gjykues dhe kriminelit Ratko Mlladiç. Salla e gjyqit një ambjent modern, sigurisht nën elementet e sigurisë së lartë midis të akuzuarve dhe pjesëmarrësve në sallë. Rojet dhe kamerat e sigurisë të ndiqnin ngado. Sapo u ulëm, Ratko, kureshtar pyeti me kokë në gjuhën e tij njerëzit ulur në të djathtë përballë xhamit hermetik, se kush ishim ne. Ata (djemtë e tij siç na treguan më pas rojet) menjëherë kthyen kokën, menduan se ishim dëshmimtarë okularë të ngjarjes kundër të akuzuarit, por kur një punonjës shoqërues serb i asaj gjykate, i shpjegoi se ne nuk ishim dëshmimtarë por misionerë të paqes u “çlirua”. Filloi të qeshte e të bënte xheste humori, një bashkëbisedim i shtirur mes tij e djemve të tij në sallë matanë xhamit të tejdukshëm. Lëvizte, rrotullohej në poltroin rrotullues, saqë na la një shije të hidhur ky moment, saqë po thonim me njëri tjerin; ky zotëri është në burg apo në kafe.
Ratko Mlladiç si komandat i forcave serbe të Bosnjes, ose i njohur si kasapi Bosnjes akuzohej për genocid dhe krime ndaj njerëzimit, krime të luftës. Ai është përgjegjës për ekzekutimin e 8 mijë burrave myslimanë në korrik të vitit 1995, që njihet si mizoria më e madhe e kryer në Europë pas Holokaustit. Megjithëse ai i ka hedhur vazhdimisht poshtë të gjitha akuzat ndaj tij, por ato janë faktuar si vrasje, tortura, dhunime, shfarosje, dhe bombardime.
Kaloi një vit, dy e im atë më pyste herë pas here nëse përfundoi gjyqi i tij apo jo. U fol se do të dënohej me burgim të përjetshëm. Dhe ja sot, si dy vite më parë, më në fund krimineli Ratko Mlladiç mori dënimin e merituar. Im atë u nda nga jeta në muajin dhjetor të vitit 2015.
Vendimi që u morr ndaj Ratko Mlladiç është gjykimi i fundit nga ky Tribunal qysh prej datës së themelimit në Hagë në vitin 1993, për dënimin e krimeve të kryera në luftrat Ballkanike të viteve 90 të.
I PERJETSHEM KUJTIMI I PROF. NDUE ZEF TOMA
Nga Fritz RADOVANI/
PROF. NDUE ZEF TOMA (1935 – 2017)/
Dikund andej kah Kelmendi u shkëputen disa grumbuj shkambijësh e në rrotullim nder prrojet e ujnave të pasterta t’ Atyne Bjeshkëve të Nêmuna, erdhën e zune vend dikund aty nga Mali Kolaj e, një pjesë e mirë e tyne kah Velipoja. Edhe pse shkapetjet ishin të rrebta, shkambi mbet shkamb! Edhe Burrat që sollen me vedi, mbeten shkambij…
Një prej Atyne shkambijve të pathyeshem ishte edhe Ndue Zef Toma i Velipojës! Nana e vet e thirrte Nosh… Edhe shoqnia me atë Emen e njohti dhe me te u moshue…Kur Noshi bani 6 vjetët, Baba Zef ia dorzoi me mësue në shkollen e Don Alfons Trackit në Velipojë. Fliste me admirim per atë kohë… Në vitin 1945 ishte në Shkoder dhe ka vazhdue shkollen unike në shkollen “24 Maji”, prej ku ndjeku edhe të mesmen per me u ba mësues. Aso kohe kujtohej se ishte nxanës i sjellshem dhe shumë i vemendshem, me prirje artistike letrare. Prof. Gasper Ugashi kujtonte hartimet e bukra të Noshit…
Nuk i shpetoi sherbimit ushtarak, ku u rrezikue nga komisari i repartit per me sherbye në organet e sigurimit, po Noshi, paraqiti si pamundësi “të folmen në gjumë”, kështu, “tue vazhdue me folë në gjumë per disa kohë”, mujti me shmangë rrezikun e operativit.
Mbasi u lirue nga sherbimi ushtarak, Noshi tregonte se kur shkonte nder fshatra Atij, ju donte shpesh me vazhdue lojen e vjeter “të folmen në gjumë”…
Noshi ishte natyrë studjozi, i mbyllun dhe i pasionuem me letersinë…
Nder ma të pergatitunit në problemet gjuhësore, gja që kujtohej nga shokët e Tij, sesi u çue në kambë Prof. Eqrem Çabej, kur po fliste Noshi në provimin universitar, e pyeti ke ke pasë mësues, i firmoi librezen dhe Noshi mori diplomen… Ma vonë edhe kanë pasë takime pune ku, Prof. Çabej, e vlersonte nder të rrallët studenta me pergatitje model.
Noshi u emnue inspektor arsimi nder fshatrat e Shkodres, ku punoi disa vjet. Gjithmonë një inspektor i nderuem që askush nuk kujton një të keqe nga Ky Njeri. Evitonte rastet e pasojave që mund ti sillte kujtdo. “A jemi të zotët me ba mirë ?!” Ishte parimi i Noshit.
Në zhvillimin e “Revolucionit ideologjik e kulturorr të 1967”, edhe Noshit Ju gjet një rrfanë per me u largue nga seksioni i arësimit. E thirri në zyre sekretari PPSh, Mantho Bala dhe, i komunikoi transferimin në shkollen e Bregut të Lumit në Dukagjin. Kujtoj se aso kohe Mantho Bala shkoi në Ministrinë e Kulturës, dhe porsa u mbyll viti shkollor, Mantho e transferoi Noshin në Tiranë, në Institutin ku doli në pension.
Ikja në Tiranë per Noshin kje hapje e një t’ ardhmes së paparashikueme. Atje u martue dhe krijoi një Familje me dy engjuj trashigimtarë… Zonja e Tij e Nderueme kur e takon, të jep pershtypjen se Ajo asht le dhe rritë në ambjentin e Noshit që në moshë të re.
Në Tiranë Noshi asht marrë me punë shkencore dhe ka lanë disa studime me vlerë.
***
Tri ditë perpara nga Noshi unë mora një “tubë lulesh me 10 drandofille”…
Njena ma e bukur se tjetra! Me një aromë të paimagjinueshme! Lule që zbukurojnë jo vetem, dhomen ku i kam vendosë, po gjithë shtëpia ka ndryshue…
Gjethët jeshile tregojnë freskinë e Noshit që mi ka dergue.
Kur i mora, as nuk më shkonte nder mend se Ato dhjetë drandofille, do t’ ishin per mue Kujtimi i fundit i një Miku të dashtun dhe të shtrenjtë, si asht kenë Noshi per mue…
Ato Lule nuk vyshken, nuk vjetrohen as thahen… Ata do të jetojnë nder Shekuj…
Ato janë të Perjetshme ashtu si Emni i Noshit, që këndon në Lahuten e Malcisë vargjet e të Pavdekshmit At Gjergj Fishta…
10 VEPRAT E AT GJERGJ FISHTES, JANË BRILANTAT QË SOT UNË I SHIKOJ E FLAS ME MIKUN TIM NDUE ZEF TOMA, TUE RUEJTË NË MEND DHE NË ZEMER PERJETSISHT KUJTIMET E TIJ…
Melbourne, 23 Nandor 2017.
Serbia e Millosheviçit ka vrarë 11 mijë civilë shqiptarë
-Deklaratë e Qeverisë së Kosovës me rastin e dënimit të Gjeneralit Ratko Mladiç me burg të përjetshëm nga Tribunali i Hagës/
PRISHTINË, 22 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se dënimi i Ratko Mladiçit me burg të përjetshëm është vendosje e drejtësisë ndërkombëtare dhe satisfaksion për viktimat e luftës në Bosnjë.Qeveria dhe populli i Kosovës më këtë rast, përkujtojnë publikun botëror se regjimi i Sllobodan Millosheviçit dhe gjeneralët e tij, kanë aplikuar edhe në Kosovë të gjitha format e krimeve të përshkruara në aktakuzën kundër Mlladiçit.Serbia e Millosheviçit i ka vrarë 11 mijë civilë shqiptarë në Kosovë, ka djegur e shkatërruar 130 mijë shtëpi, ka marrë pengje lufte 4 mijë të tjerë, ka përdor si mjet lufte dhunimin seksual të mijëra grave, dhe në fund ka deportuar rreth 800 mijë qytetarë shqiptarë jashtë kufijve të Kosovës.Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se është sinjal tepër trishtues për brezat që vijnë tendenca e rehabilitimit të kriminelëve të luftës, qoftë përmes heroizmit, qoftë përmes rehabilitimit të tyre, duke i propozuar ata që të ligjërojnë në Akademitë ushtarake.Qeveria e Kosovës vlerëson se porosia që dha sot TPNJ duhet t’u shërbejë në radhë të parë qeverive të rajonit për t’u ballafaquar me guxim me të kaluarën dhe për të reflektuar më shumë vendosmëri për t’u thënë jo politikave etnonacionaliste, si dhe për të nxitur më shumë mirëkuptim për viktimat – pavarësisht origjinës së tyre – për një paqe të qëndrueshme dhe pajtim ndërmjet popujve të kësaj hapësire të Europës.Ky verdikt i TPNJ duhet t’u shërbejë qeverive të rajonit për përkujtesë për ta braktisur përfundimisht dhunën në zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për të marrë kursin e pajtimit dhe njohjes e respektimit të vlerave reciproke, për t’i dhënë zemër përqafimit të vlerave të përbashkëta europiane dhe për ta inkurajuar synimin e popujve të rajonit tonë drejt integrimeve europiane dhe Euro-Atlantike./b.j/
MBRETI ZOG-APEL SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË LIDHJES SË KOMBEVE
LE TEMPS (MAJ, 1939) : APELI I MBRETIT ZOG DREJTUAR SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË LIDHJES SË KOMBEVE/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Nëntor 2017
Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar të enjten e 18 majit 1939, në ballinë, apelin e mbretit Zog në lidhje me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.Mbreti i shqiptarëve i është drejtuar asokohe Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve me qëllim për të mbrojtur interesat tona kombëtare.Në vijim, do të gjeni dokumentin e plotë të liderit shqiptar, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Apeli i mbretit Zog
Ja teksti i apelit të Mbretit Zog drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve :Konferenca e Londrës në 1912-1913 dhe më pas Konferenca e Ambasadorëve në Paris më 1921 e patën njohur pavarësinë e Shqipërisë. Shqipëria u pranua zyrtarisht si anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe kufijtë e saj u vendosën përfundimisht. Që atëherë, dhe për tetëmbëdhjetë vjet, Shqipëria ka mbajtur marrëdhënie korrekte dhe të përzemërta me të gjitha shtetet dhe sidomos me fqinjët e saj, duke u dalluar kështu si një faktor i vërtetë paqeje.Me të njëjtën frymë dhe si një shtet i pavarur, Shqipëria ka nënshkruar një traktat aleance mbrojtëse me Italinë. Ky traktat u regjistrua rregullisht në Lidhjen e Kombeve, në përputhje me Nenin 18 të tij. Italia, në mënyrë të padyshimtë në kundërshtim me këtë traktat, si dhe me të gjitha normat drejtuese të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe më veçanërisht me paktin e Lidhjes së Kombeve dhe paktin Briand-Kellogg, dhe pa ndonjë provokim nga ana e Shqipërisë së Pavarur, ka dhunuar ushtarakisht territorin shqiptar për herë të parë më 6 prill 1939 nga ajri, dhe, pastaj me 7 prill nga bombardimet e porteve dhe qyteteve bregdetare, si dhe me zbarkimin e trupave në bregdetin shqiptar.
Ushtria shqiptare, pavarësisht numrit të vogël të trupave të saj dhe pamjaftueshmërisë së pajisjeve të luftës, i bëri ballë pushtuesit ashtu si çdo shtet i lirë duhet të bëjë për të mbrojtur pavarësinë e tij. Një milion shqiptarë bënë sakrificat më të mëdha për të shmangur dhunën italiane. Por, me kohën, rezistenca nuk ishte e mundur, duke pasur parasysh sulmin e papritur, të bërë me të gjitha mjetet moderne, që një shtet prej 44 milionë banorësh mund të ketë në dispozicion kur ka paramenduar një akt dhune.
Duke protestuar fuqishëm dhe zyrtarisht kundër dhunës së Italisë dhe kundër zhdukjes së pavarësisë së Shqipërisë, e cila është anëtare e Lidhjes së Kombeve, i lutem Shkëlqesisë tuaj të sjellë në vëmendjen e anëtarëve të Lidhjes së Kombeve këto fakte, duke kërkuar që pushtimi nëpërmjet gjakut dhe hekurit (dhunës) nga Italia të mos njihet dhe të merren masa për restaurimin e të drejtave të mëparshme të popullit shqiptar.
Zogu I, mbreti i Shqiptarëve.
Kosovë-SHBA, Dita e Falënderimeve
-Kryeministri Haradinaj, pritje për gjithë stafin amerikan që shërbejnë në misione diplomatike, ushtarake dhe të ndryshme në Kosovë, me rastin e Ditës së Falënderimeve/





PRISHTINË, 22 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka organizuar një pritje për gjithë stafin amerikan që shërbejnë në misione diplomatike, ushtarake dhe të ndryshme në Kosovë, me rastin e Ditës së Falënderimeve.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ua uroj Ditën e Falënderimeve gjithë të pranishmëve, duke theksuar se Kosova është vend i ri, por që e vlerëson lartë familjen dhe shoqërinë.“Jemi shumë mirënjohës qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët shërbejnë në Kosovë. Jeni nën presion çdo ditë, punoni shumë, dhe nganjëherë harrojmë të jemi falënderues. Ky është një moment i mirë dhe jam i lumtur që së bashku sot mund të ndjehemi si familje, sepse këto janë ndjenjat tona”, tha kryeministri Haradinaj, duke u dëshiruar gjithë të mirat stafit amerikan që shërbejnë në Kosovë dhe familjeve të tyre në SHBA.
Ndërsa, James Hope, shefi i Misionit të USAID-it në Kosovë, falënderoi kryeministrin për pritje, duke theksuar se Dita e Falënderimeve është një festë në Amerikë, festë kjo në të cilën kalon kohë me familje dhe shoqëri.“Kjo ma kujton Kosovën dhe familja është shumë e rëndësishme. Nuk do të mund të paramendoja një vend më të mirë në Kosovë për të kaluar Ditën e Falënderimeve sesa këtu në këtë vend shumë të ngrohtë”, tha Hope./b.j/

