• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA VOTON-ENGEL: SHBA GJITHMONË ME KOSOVËN

November 19, 2017 by dgreca

-Këtë të diele të 19 Nëntorit 2017 Kosova po voton në 20 komuna për zgjedhjen e kryetarëve/

1 engel2 engel-11 Ramush-Haradinaj-voton-19 11 2017

-Nga gjithësej 38 komuna të Kosovës, në gjysmën – 19 balotazh e në 1 rivotim/

1 Isa-Mustafa-voton-19 11 2017-Të drejtë pjesëmarrje sot në votime kanë 1.353.613 votues të regjistruar në komunat e tyre/

1 Isa-Mustafa-voton-19 11 2017-Në këtë ditë votimesh, kongresmeni amerikan, Eliot Engel, i cili ka mbërritur dje në Prishtinë, vizitë  Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Demokracisë në Veprim,  e cila po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit në të gjitha  614 qendrat e votimit  me 1777 vendvotime/

1 Behluli voton ok

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 19 Nëntor 2017/ Po votohet përsëri sot në Kosovë nga ora 7:00 deri në 19:00 në më shumë se gjysmën e komunave – në 20 nga gjithësej 38 për zgjedhjen e kryetarëve, në 19 me balotazh e në 1 me rivotim. Të drejtë pjesëmarrje sot në votime kanë 1.353.613 votues të regjistruar në komunat e tyre.

“Në kohën e paraparë janë hapur të gjitha 614 qendrat e votimit”, tha kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka në konferendën e parë për shtyp. Ajo në orën 7 votoi në një nga vendvotimet në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, ku u shpreh se pret një ditë të mirë për demokracinë dhe u bëri thirrje për pjesëmarrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote në komunat ku sot zhvillohen zgjedhjet.Balotazhi po zhvillohet në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë, Kllokot, Obiliq, Kamenicë dhe Istog.Rivotimi zhvillohet në komunën e Parteshit, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar përsëritjen e votimit pas një ankese për blerje të votave dhe manipulim të procesit zgjedhor.

Në 18 komunat e tjera kryetarët janë zgjedhur në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, të gjashtave në liri e të tretave në Kosovën e pavarur, të 22 tetorit 2017.Me votimet e 22 tetorit, sipas rezultateve përfundimtare të çertifikuara nga KQZ,  tashmë janë të zgjedhur kryetarët në këto 18 komuna: Deçan, Fushë Kosovë, Leposaviç, Lipjan, Novobërdë, Pejë, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Mamushë, Han të Elezit, Graçanicë, Ranillug, Mitrovicë të Veriut, Drenas dhe Junik.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka miratuar Planin operacional për ditën e 19 nëntorit 2017 të votimeve në zgjedhjet lokale.Zgjedhjet lokale 2017 në Kosovë për kuvendet e kryetarët e komunave, në afat të rregullt, janë të dytat në këtë vit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare  të 11 qershorit, të cilat ishin të parakohëshme.Në këtë ditë votimesh në 20 komuna të Kosovës kongresmeni amerikan, Eliot Engel, i cili ka mbërritur dje në Prishtinë, vizitoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.Kongresmeni nga Nju Jorku, Engel viziton edhe koalicionin e organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim,  i cili  në zgjedhjet e sotme për kryetarët në 20 komuna të Kosovës po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit në të gjitha  614 qendrat e votimit  me 1777 vendvotime.Për raundin  e sotëm të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave Demokracia në Veprim ka akredituar mëse 1800 vëzhgues, ndërsa 100 ekipe mobile, 130 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe dhjetëra stafe shtesë janë në mbështetje të monitorimit.Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim iu bën thirrje të gjithë komisionerëve, vëzhguesve të partive politike dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në procesin zgjedhor të jenë të përkushtuar për të përmbushur obligimet e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.Nga subjektet politike, Lidhja Demokratike e Kosovës në balotazh është në më së shmti komuna – në 10: Prishtinë, Ferizaj, Istog, Podujevë, Kamenicë, Dragash, Vushtrri, Suharekë dhe Obiliq, ndërsa në raundin e parë në garën për kryetarët ka fituar në 4 komuna: Pejë, Lipjan, Fushë-Kosovë dhe Viti.

Partia Demokratike e Kosovës është në balotazh në 7 komuna: Prizren, Mitrovicë e Jugut, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë, Klinë dhe Shtime, ndërsa në raundin e parë ka fituar në 1 komunë – në Drenas. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është në balotazh në 6 komuna – Obiliq, Suharekë, Gjakovë, Rahovec, Istog dhe Klinë, ndërsa në raundin e parë ka fituar në 2 komuna – Deçan e Junik.Lëvizja Vetëvendosje garon në balotazh në 5 komuna – Prishtinë, Prizren, Podujevë, Kaçanik dhe Kamenicë,  ndërsa në raundin e parë nuk ka fituar në asnjë komunë.Nisma për Kosovën është në balotazh në 1 komunë – Malishevë dhe nuk ka fituar në ndonjë komunë në garën për kryetarët.Aleanca Kosova e Re është në balotazh në 1 komunë – Mitrovicë të Jugut, e nuk ka fituar në ndonjë në 22 tetor.Subjekti më i ri politik, Alternativa është në balotazh në 1 komunë – Gjakovë e nuk ka fituar në asnjë në raundin e parë.Një kandidat i pavarur është në balotash në Shtime, ndërsa në dy komuna tjera me shumicë shqiptare, Skënderaj e Han të Elezit fitues në garën për kryetarët janë kandidatët e pavarur.

Në 1 komunë – Kllokot janë në balotazh Lista Serbe dhe subjekti tjetër serb Iniciativa Qytetare Klokot-Vrbovac. Lista Serbe ka fituar në raundin e parë në 8 nga 10 komunat me shumicë serbe: Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zubin-Potok, Zveçan, Shtërpcë, Graçanica, Ranillug dhe Novobërdë, ndërsa në një komunë – Partesh rivotohet.Në një komunë, Mamushë, të banuar me shumicë nga komuniteti turk fitues është subjekti poliik  i këtij minoriteti – Partia Demokratike Turke e Kosovës, e cila nuk ka ndonjë balotazh.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë po ka miratuar Planin operacional për ditën e sotme të votimeve.Zgjedhjet lokale 2017 në Kosovë për kuvendet e kryetarët e komunave, në afat të rregullt, janë të dytat në këtë vit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare  të 11 qershorit, të cilat ishin të parakohëshme. Në Kosovën e lirë nga qershori 1999,  zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 tetor të vitit 2000,  të dytat në 26 tetor 2002, të tretat  në 17 nëntor 2007, të katërtat në 15 nëntor 2009,  të pestat në 3 nëntor 2013, ndërsa zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 janë të gjashtat.Zgjedhjet lokale në Kosovë të vitit 2007 janë mbajtur në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare – në 17 nëntor.Ndërsa, zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurtin historik 2008.Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.Numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas regjistrit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, është: Mitrovicë e Veriut – 21.797,  Leposaviç – 17.747,  Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.

KRYEMINISTRI HARADINAJ VOTON NË PRISHTINË: KOSOVËN E PRESIN SHUMË PUNË

Kosovën e presin shumë punë për ata që i marrin përgjegjësitë, tha sot kryeministri Ramush Haradinaj, derisa i shoqëruar nga bashkëshortja Anita Haradinaj, ka votuar në shkollën e Mjekësisë “Dr.Ali Sokoli”, në Prishtinë, në zgjedhjet lokale të balotazhit për kryetar komune.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet, pasi që qytetarët me vendimin e tyre zgjedhin se kush do t’i udhëheq në katër vitet e ardhshme.

“Sot, kryva obligimin qytetar të votës. Mendoj se raundi i dytë i votimit është një moment po ashtu  i rëndësishëm sa edhe raundi i parë. I ftoj qytetarët e vendit, pra të gjitha komunave që janë në balotazh në raund të dytë, që të votojnë dhe me këtë vendim të tyre jetojnë katër vjet. Rëndësia është jashtëzakonisht e madhe dhe dalja është shumë e rëndësishme. Kosovën e presin shumë punë për ata që i marrin përgjegjësitë duhet ta kenë legjitimitetin e qytetarëve, andaj i lus qytetarët e vendit që mos ta neglizhojnë por të dalin e të votojnë”, tha kryeministri Haradinaj pas votimit.

MUSTAFA, THIRRJE PËR ZGJEDHJE DEMOKRATIKE DHE DALJE MASIVE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, pas votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës, ka bërë thirrje të dielën për zgjedhje demokratike dhe dalje sa më masive të qytetarëve.“Uroj që zgjedhjet të shkojnë mirë dhe qytetarët të marrin pjesë sa më masovikisht, sepse ata përcaktojnë fatin e zgjidhjes së shumë probleme të tyre, por edhe fatin e qeverisjes së mirë të komunave dhe gjithë Kosovës”, ka thënë Mustafa.Ai ka shtuar se sot është një ditë e rëndësishme për të gjitha komunat ku mbahet raundi i dytë i balotazhit.“Ndaj bindjen se të gjithë qytetarët do të vendosin për kandidatët më të mirë, në mënyrë që ata të qeverisin me të gjitha çështjet e nivelit lokal dhe që nesër qytetarët të jenë të kënaqur me rezultatin”, ka thënë Mustafa.

ENGEL: SHBA GJITHMONË ME KOSOVËN

Kongresisti amerikan, Eliot Engel,  sot në vizitën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deklaroi  se është me rëndësi të jetë në Kosovë ku po zhvillohen zgjedhjet të lira dhe demokratike.Ai përmendi edhe kohën kur nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit  në vitin 1996 nuk është lejuar ta vizitojë Kosovë, ndërsa sot tha se ndihet i emocionuar që është këtu në ditën e votimeve të zgjedhjeve lokale.

“Ishte koha kur njerëzit më thanë se pavarësia e Kosovës ndoshta nuk do të ndodhë dhe unë iu thashë se do të ndodhë me kohë, dhe një ditë të gjithë ne do të jemi në një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Ja, ku jemi në Kosovën e lirë dhe të pavarur, dhe me zgjedhje të lira demokratike dhe duke parë këtë se sa njerëzit kujdesen për demokracinë, dhe kjo më bën mua shumë special”, tha ai.

Ai tha se SHBA është mbështetës i madh i Kosovës. “Unë do të bëj çdo gjë që është në fuqinë time për të siguruar se të dyja vendet janë duke punuar së bashku dhe për të ndërtuar demokracinë së bashku.  Ta dini që ne do të jemi gjithmonë këtu, për t’ju mbështetur vazhdimisht. Mezi pres që Kosova të jetë anëtare e Bashkimit Europian dhe e NATO-s”, deklaroi kongresisti amerikan Engel.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka falënderoi kongresistin Engel për përkrahjen e vazhdueshme që Amerika i jep gjithnjë Kosovës. Ajo tha se ndihemi të priveligjuar që është në vizitë Engel dhe që gjithnjë kemi përkrahjen amerikane.

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, e ka vizituar edhe Demokracinë në Veprim, që po vëzhgon zgjedhjet, ku tha se SHBA dhe ai personalisht do të jenë gjithmonë këtu dhe do ta mbështesin Kosovën.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kongresmeni Eliot Engel, Kosova voton ne 20 Komuna

Haradinaj priti Bajraktarin dhe Gecaj-Kosova, krah shqiptarëve kudo në botë

November 18, 2017 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj priti në takim Harry Bajraktarin dhe Rrustem Gecajn, veprimtarë të hershëm të çështjes së Kosovës në Amerikë si dhe biznesmenë të njohur/

 18 11 2017-ZKM-2 (2)

PRISHTINË, 18 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim, Harry Bajraktarin dhe Rrustem Gecajn, veprimtarë të hershëm të çështjes së Kosovës në Amerikë si dhe biznesmenë të njohur, që veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kosovë.Kryeministri Haradinaj falënderoi Bajraktarin dhe Gecajn për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në të gjitha periudhat për Kosovën, duke lobuar fuqishëm në institucionet e shtetit amerikan për pavarësinë e Kosovës, pastaj në shtetndërtimin e saj, përmes investimeve në ekonomi.

 “Do të jemi gjithmonë përkrah njerëzve të mirë të Kosovës, sepse ata i janë bërë zë lirisë së vendit, në kohërat më të rënda”, tha kryeministri Haradinaj.Kryeministri Haradinaj përmendi se për t’u dhënë krah shqiptarëve të Kosovës kudo në botë dhe për t’i nxitur ata që të investojnë në Kosovë është formuar edhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, me qëllim të ofrimit të lehtësirave më të mëdha për investitorë nga jashtë, me theks të veçantë për shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në diasporë.Bajraktari dhe Gecaj, falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe për një dinamikë të re në qeverisje, duke i uruar sukses në punën e tij si kryeministër, dhe shprehën vullnetin e tyre për mbështetjen e Kosovës në rrugën e zhvillimit ekonomik, përmes investimeve dhe hapjes së vendeve të reja të punës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Bajraktari & Gecaj, Kryeministri Haradinaj, priti ne takim

PËRMENDORJA E TURPIT, NË KAMPUSIN E UNIVERSITETIT

November 18, 2017 by dgreca

-Si u ndertua Kisha Serbe ne brendesi te Universitetit?/

-Ardhja e Papoviqit në detyrën e rektorit, ishte rast i volitshëm për peshkopin Pavle  që ta realizonte synimin e tij satanik për ndërtimin e kishës ortodokse serbe në zemër të Universitetit të Prishtinës.  Në dhjetor 1992, në mënyrë shumë “triumfale”  kishës iu vu gurthemeli dhe kryqi i madh në themel, në prani të forcave të mëdha të policisë, popave e qytetarëve të shumtë serbë që kishin ardhur gjithandej nga Serbia e vise tjera, me flamuj e ikonografi çetnike. Ishte ky një akt jo vetëm  i paligjshëm e diskriminues, por  edhe shumë provokues për shqiptarët.   Peshkopi Pavle, më vonë u zgjodh patriark i Kishës Ortodokse Serbe, sigurisht për meritat e tij të veprimit antishqiptar. Edhe Papoviqin, regjimi i Koshtunicës e emëroi rektor të Universitetit (serb) në Mitrovicë, dhe kundër atij emërimi pat reaguar UNMIK-u dhe Asociacioni i Universiteteve të Evropës. Në ndërtimin e kishës u punua deri në vitin 1999, kur  arriti në gjendjen në të cilën është sot, e papërfunduar,  që mbeti një shëmti e neveritshme në atë vend….

1 Kisha Serbe

NGA Adil FETAHU/

Titullin për këtë shkrim e mbaj mend tash e afro tri decenie, nga një shkrim i Hilmi Ismailit,  profesor  në pension i Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Dhe vërtetë, ajo mbeti përmendore e turpit, po edhe mollë sherri në politikën dhe drejtësinë kosovare. Fjala është për Kishën ortodokse serbe mu në qendër të hapësirës së Universitetit “Hasan Prishtina”, në qendër të Prishtinës. Për godinën e asaj kishe është shkruar e folur shumë, qysh prej se ka filluar ndërtimi i saj. Pas mbarimit të luftës në Kosovë, janë shfaqur mendime e propozime të ndryshme. Pala serbe konsideron se kisha është ndërtuar me leje të rregullt dhe duhet të lejohet përfundimi i punimeve dhe vënia në funksion për “besimtarët” e vet. Pala shqiptare, si gjithmonë, jo të një mendje: shumica thonë se ajo godinë duhet të rrënohet me themel e të hiqet nga kampusi, sepse nuk e ka vendin aty,  ndërsa  disa zyrtarë të nivelit qendror dhe lokal thonë se duhet të presin vendimin e gjykatës, pasi Unviersiteti ka ngritur padi për heqjen e saj. Ka edhe mendime të disa profesionistëve e “dashamirë të kulturës”, se godina duhet të mbetet, por t’i ndërrohet destinimi e të shërbejë si galeri e kulturës, dhe simbol i një kohe të okupimit të Kosovës.

Si u ndërtua kisha në hapësirën e Universitetit

Ndërtimi i kishës në  hapësirën e kampusit të Universitetit të Prishtinës u bë në kohën e okupimit të egër serb, kur në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore ishte suprimuar statusi kushtetues-juridik i Kosovës, ishin aplikuar masa dhe ishin caktuar organe të dhunshme në të gjitha organet, organizatat, ndërmarrjet dhe institucionet qendrore e lokale, kur miratoheshin ligje e nxirreshin vendime diskriminuese kundër shqiptarëve.  Në Universitetin e Prishtinës masat e dhunshme u aplikuan  së pari në Bashkësinë Punuese (më 26.XI.1990), me ç’rast  u shkarkua sekretari i përgjithshëm, Destan Halimi, dhe në vend të tij u emrua sekretari i dhunshëm Ranko Gjokiq, ndërsa në vend të Këshillit të Punëtorëve të Bashkësisë Punuese u emrua grupi prej tre personave të dhunshëm: Shçepanoviq Sava, Simiq Ruzhica dhe Çuk Natasha (Vendimi: RS-nr.87, dt.26.XI.1990; “Gazeta Zyrtare e RS”, nr.13, dt.16.XI.1990). Më 27 qershor 1991, u aplikuan masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës, me ç’rast  Skënder Karahoda u shkarkua nga detyra e rektorit, dhe Dali Emërllahu nga detyra e prorektorit, e në vend të tyre u emëruan organet e dhunshme: Radivoje Papoviq, rektor, Doshliq Misha, prorektor, Doganxhiq Stanoje, prorektor. Ata nuk quheshin rektor e prorektor, por quheshin: “organ i përkohshëm punëdrejtues”.  Në vend të Pleqësisë së Universitetit, u emrua grupi tjetër prej tre anëtarësh: Shçepanoviq Lubisha, kryetar, Vukoviq Vlladeta, anëtar dhe Samarxhiq Dragan, anëtar (shih: Vendimi i Kuvendit të Serbisë, RS-nr.152, dt.27.VI.1991; “Gazeta Zyrtare e RS”, nr.37, dt. 22.VI.1991). Sipas Ligjit për masat e përkohëshme, mandate i organeve të përkohëshme ka mund të zgjatë më së tepërmi një vit, por Papoviqi mbeti në krye të Universittit deri në vitin 1998!

Në kohën kur Papoviqi ishte rektor, u përjashtuan prej objekteve të fakulteteve të gjithë studetët shqiptarë. Bile, as pas “Marrëveshjes për normalizimin e arsimit dhe kthimin e nxënësve e studentëve në objektet shkollore”, që u nënshkrua më 1 shtator 1996 (Marrëveshja Rugova – Millosheviq), Papoviqi me kembëngulje nuk lejoi kthimin e studentëve nëpër fakultete, prandaj studentët më 1 tetor 1997 organizuan protestën, e cila u prit me dhunën  më brutale  nga policia serbe.

Ardhja e Papoviqit në detyrën e rektorit, ishte rast i volitshëm për peshkopin Pavle  që ta realizonte synimin e tij satanik për ndërtimin e kishës ortodokse serbe në zemër të Universitetit të Prishtinës.  Në dhjetor 1992, në mënyrë shumë “triumfale”  kishës iu vu gurthemeli dhe kryqi i madh në themel, në prani të forcave të mëdha të policisë, popave e qytetarëve të shumtë serbë që kishin ardhur gjithandej nga Serbia e vise tjera, me flamuj e ikonografi çetnike. Ishte ky një akt jo vetëm  i paligjshëm e diskriminues, por  edhe shumë provokues për shqiptarët.   Peshkopi Pavle, më vonë u zgjodh patriark i Kishës Ortodokse Serbe, sigurisht për meritat e tij të veprimit antishqiptar. Edhe Papoviqin, regjimi i Koshtunicës e emëroi rektor të Universitetit (serb) në Mitrovicë, dhe kundër atij emërimi pat reaguar UNMIK-u dhe Asociacioni i Universiteteve të Evropës. Në ndërtimin e kishës u punua deri në vitin 1999, kur  arriti në gjendjen në të cilën është sot, e papërfunduar,  që mbeti një shëmti e neveritshme në atë vend.

Sado që pop Sava Janjiqi e popat ose zyrtarë tjerë serbë thonë se kanë pasur lejen për ndërtimin e kishës, ajo leje, edhe nëse ekziston, ajo është dhënë nga organet e dhunshme,  në bazë të ligjeve e veprimeve diskriminuese të okupatorit serb, gjatë kohës së okupimit,  dhe si e tillë juridikisht është e pavlefshme. Majkëll Daksner, udhëheqës i Departamentit për Arsim e Shkencë në Administratën e UNMIK-ut pati kërkuar lirimin e hapësirës së Universitetit nga të gjitha objektet të cilat nuk e kanë vendin aty, por duket se Qeveria e Përkohshme e Kosovës, për shkaqe të panjohura, nuk e rrënoi kishën as objektet tjera (barakat, në të cilat akoma ka banorë).

Organizata e Kombeve të Bashkuara,  përmes administratës së vet të vendosur në Kosovë (UNMIK-ut) dhe  përfaqësuesit të vet special (Bernard Kushner),  me Rregulloren nr.1999/24, respektivisht nr.2000/59,- i ka shfuqizua ligjet e regjimit serb në Kosovë të periudhës para 23 marsit 1989,  ashtu që  “ligje në fuqi në Kosovë (për atë periudhë e tutje) kanë mbetur vetëm ato që kanë qenë në fuqi deri më 22 mars 1989”. Kjo do të thotë, se ligjet, vendimet dhe veprimet e organeve të dhunshme të okupatorit serb, të nxjerra pas suprimimit me dhunë të autonomisë së Kosovës, të cilat ose ishin haptas diskriminuese, ose zbatoheshin në mënyrë selektive diskriminuese, janë të pavlefshme, sikur që janë të pavlefshme edhe efektet juridike që kanë krijuar ato ligje, vendime e veprime. Në paragrafin 2 të Rregullores së përmendur, është përcaktuar se: “Me dispozita juridike, nëse një gjykatë, një organ ose një person prej të cilit është kërkuar të zbatohet rregullativa e ligjit  vendos se lënda apo situata nuk është trajtuar në përputhje me ligjet që janë cekur në nenin 1.1. të kësaj rregulloreje, por në mbështetje të ndonjë ligji tjetër në fuqi në Kosovë pas 22 marsit 1989, e që nuk është diskriminues dhe që është konform me nenin 3 të kësaj rregulloreje (në nenin 3 është fjala për instrumentet juridike ndërkombëtare kundër diskriminit,a.f.),- gjykata, organi ose personi – përjashtimisht mund ta zbatojë atë ligj”.

Edhe Qeveria e Kosovës, që asokohe ishte në egzil, me një Vendim të vetin, i ka shpallë të pavlefshme të gjitha ligjet, vendimet, kontratat e marrëveshjet e organeve të dhunshme serbe, me të cilat bëhen ndryshime në strukturën pronësore të pasurive shoqërore e publike në Kosovë (shih: gazeta “Bujku”, dt.19.03.1993).

Sido që ta marrësh, në daç nga aspekti i ligjeve diskriminuese serbe, të miratuara pas 22 marsit 1989, në daç nga aspekti i qëllimit diskriminues që kishte Kisha ortodokse serbe në bashkëpunim e bashkëveprim të ngushtë me rektorin e dhunshëm, antishqiptar i përbetuar, në daç nga lokacioni ku është ndërtuar,- del se vendimi dhe veprimi i ndërtimit të asaj kishe nuk ka bazë juridike të vlefshme për të qëndruar aty, dhe si e tillë, praktikisht, duhet të rrënohet e zhduket prej kompleksit të kampusit të Universitetit, ndërsa toka e uzurpuar nga kisha, me sipërfaqe 4,27,16 ha, t’i kthehet Universitetit në shfrytëzim të lirë e të papenguar.

Përfaqësuesi i autorizuar (apo ai ligjor) i Universitetit, i cili nuk ka shkua në séancën gjyqësore për ta mbrojtur me argumente interesin e Universitetit, duhet t’i heqë pasojat e këtij neglizhimi, pa marrë parasysh arsyetimet e tij të pajusitifikueshme të cilat i ka përmendur, e që edhe gjykata e shkallës së dytë ia ka refuzua si të pabaza.

Duket se, për shkak se çështja e kishës së përmendur, pa të drejtë ka marrë konotacione e dimensione politike, gjykata mezi ka pritur që çështjen ta mbyllë pa marrë vendim meritor, por ka nxjerrë një aktgjykim sikur paditësi është tërhequr nga padia e ngritur. Natyrisht, ky aktgjykim, që nuk është vendim meritor (aktgjykim kondemnator, konstituiv apo deklarativ), nuk e ka mbyllë çështjen në meritum, por vetëm se e ka shty  e zvarritë edhe për disa kohë. Dhe deri sa të vendoset definitivisht siç e meriton, godina e kishës që do të qëndrojë  aty,  do të bëhet objekt grindje politike e diskutime të pafund, do të jetë një përmendore turpi i atyre që ndërtuan, atyre që nuk e rrënuan me kohë, atyre që nuk i dolën zot pronës së vet në shfrytëzim, po edhe i gjykatës që për shkaqe banale procedurale, len pa e zgjidhur një çështje të rëndësishme jo vetëm për Universitetin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, NË KAMPUSIN E UNIVERSITETIT, PËRMENDORJA E TURPIT

SHBA, rol të pazëvendësueshëm për Kosovën

November 18, 2017 by dgreca

-Kryeministri Ramush Haradinaj verëson lart takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë/

-Në Bruksel, ftesa për festimet e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës/1 Ramushok

 -Për Kosovën roli i SHBA-ve në çështjet e pambyllura është i pazëvendësueshëm/

 -Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, të mbajtur dje në Bruksel/

 1 ok Bruksel-17 11 2017

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

 PRISHTINË, 18 Nëntor 2017/ Kryeministri Ramush Haradinaj vlerësoi lart takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, të mbajtur dje në Bruksel, prej nga u kthye sot në Prishtinë, ndërsa theksoi edhe se për Kosovën roli i SHBA-ve në çështjet e pambyllura është rol i pazëvendësueshëm.

Në një konferencë shtypi, pasditen e sotme, kryeministri kosovar theksoi se,  “axhenda evropiane e Kosovës ishte tema e takimit” dhe se në Bruksel ka bërë ftesa për festimet e 10 vjetorit të Pavarësisë së shtetit të ri evropian në 17 shkurtin e vitit 2018.Në konferencë u bë e ditur se, në takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, i cili u kryesua nga kryeministri, Ramush Haradinaj dhe nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini, “është biseduar për perspektivën dhe rrugën evropiane të Kosovës, si dhe për përmbushjen e kritereve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit”.

Kryeministri Haradinaj njoftoi edhe për takimet që ka zhvilluar në Bruksel me Federica Mogherini dhe me Komisionerin për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit,  Johannes Hahn, në të cilat janë paraqitur të arriturat dhe qëndrimet e Kosovës për perspektivën evropiane.

“Është me rëndësi të theksoj se në të gjitha këto takime kemi shfrytëzuar mundësinë të raportojmë për punët e bëra në 22 prej prioriteteve të Axhendës së Reformave Evropiane, njëkohësisht për prioritetet e identifikuara për vitin 2018 dhe për qëndrimet tona në përputhje me temat që janë me rëndësi, siç janë zhvillimet rajonale dhe dialogu”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai bëri të ditur se në çdo takim ka dominuar edhe çështja e liberalizimit të vizave dhe e statusit të kandidatit për Kosovën.

“Unë e kam shfrytëzuar rastin të shpreh qëndrimet tona e të cilat janë se vërtetë është krijuar një shpërputhje në rajonin tonë, ku trajtohen në mënyrë më të privilegjuar disa vende dhe ka një vonesë sidomos me Kosovën. Kur vendeve tjera iu lajmërohet edhe viti i anëtarësimit në BE ose procese të përshpejtuara drejt BE-së, Kosova është në fazën më të vonë, vetëm MSA-ja dhe po ashtu është privuar nga e drejta për qarkullim të lirë që është e drejtë e domosdoshme në Kosovë, pra qarkullimi pa viza”, u shpreh kryeministri Haradinaj.Kreu i qeverisë kosovare theksoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për Kosovën, duke thënë se problemet e Ballkanit nuk janë zgjedhur pa rolin serioz të Amerikës.“Kosova është serioze në perspektivën e vet evropiane. Kosova nuk është neutrale. Ne jemi vend euroatlantik që aspirojmë anëtarësimin në NATO dhe njëkohësisht për Kosovën roli i Amerikës në çështjet e pambyllura është rol i pazëvendësueshëm dhe në këtë pozicion tonin besoj se pajtojmë të gjithë, edhe të tjerët, sepse problemet e Ballkanit nuk janë zgjidhur pa rolin serioz të Amerikës dhe ky është qëndrimi ynë”, tha kryeministri Haradinaj  në konferencën për shtyp.

 “Këshilli i Stabilizim Asociimit  shqyrtoi zhvillimet e fundit kryesore lidhur me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit” , e cila “është në thelb të marrëdhënieve midis BE dhe Kosovës”, ka deklaruar Zyra e Kryeministrit.
Para nisjes së kryeministrit drejt Brukselit, qeveria e Kosovës të mërkuren e kësaj jave ka miratuar dokumentin për qëndrimin shtetëror në takimin e dytë  për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në  në mbledhjen e 10 nëntorit ka miratuar dokumentin “Prioritetet kyçe të Axhendës Evropiane për vitin 2018”.
“Angazhimi dhe puna e mirë e qeverisë në përmbushjen e Axhendës Evropiane do të krijojnë një momentum të ri për Kosovën që të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar kryeministri  Haradinaj.
Këshilli për Stabilizim Asociim në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës ka mbajtur takimin e parë në 25 nëntor 2016. “Ky takim inaugurues shënon një fazë të re të rëndësishme të marrëdhënieve BE-Kosovë”, theksonte komunikata nga Brukseli.

Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, të mbajtur dje në Bruksel

E nderuar Përfaqësuese e Lartë Mogherini,

I nderuar Komisioner Hahn,

Të nderuar përfaqësues të shteteve anëtare,

E nderuar Ambasadore Apostolova,

Kolegë të nderuar,

Ju faleminderit për mirëpritjen tuaj sot në Bruksel në takimin e dytë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit.

Qeveria e Republikës së Kosovës njeh rëndësinë fundamentale të procesit të integrimit evropian si interes strategjik shtetëror. Procesi i integrimit evropian gëzon mbështetje të madhe nga qytetarët tanë që nga vitet e 90-ta.

Dëshiroj të theksoj, ashtu siç edhe kam deklaruar, se Kosova nuk shkon në BE, Kosova bëhet BE.

E nderuara zonja Mogerini, i nderuar Komisioneri Han,

Me 17 shkurt, Republika e Kosovës shënon 10-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë, Jubileu i parë si shtet sovran. Me këtë rast dua që t’ju ftoj që të dy për të qenë pjesëmarrës në festimet tona gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm. Ftesat zyrtare do t’i pranoni në kohën e duhur.

Qeveria e ka pranuar si parim udhëheqës dhe themelor aderimin në BE. Për më shumë, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar fuqishëm që të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që të marrë statusin e kandidatit deri në fund të vitit 2018. Në këtë veprim ne do të koordinohemi ngushtë me institucionet e BE-së dhe të gjitha shtetet anëtare.

Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ishte një hap i rëndësishëm përpara. Me sukses kemi vendosur marrëdhënien kontraktuale që shërben si bazë për reformat në fushën e sundimit të ligjit, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik; reforma këto që do të jenë me dobi për qytetarët tanë dhe që çojnë drejt marrëdhënieve edhe më të fuqishme me Bashkimin Evropian.

Jam i vetëdijshëm për kapacitetet zbatuese, por jam duke punuar ngushtë me të gjitha ministritë e linjës dhe ato sektoriale me qëllim të funksionalizimit të MSA-së dhe ARE, në mënyrë që të rezultojë me një afat të qartë kohor për Qeverinë e Kosovës në zbatimin e reformave të nevojshme para se Kosova të marrë Statusin e vendit kandidat për BE. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një qartësim të rrugës së integrimeve dhe detyrë e kësaj qeverie është që të rikthejë shpresën tek populli i Kosovës, me qëllim të shmangies së një vale të re të migrimit, të trazirave sociale dhe të dëshpërimit.

Që nga marrja e detyrës, Qeveria ka ndërmarrë hapa vendimtarë në zbatimin e reformave kyçe të identifikuara në Agjendën e Reformave Evropiane. Jam i përkushtuar për një qeveri që bazohet në performancë, e udhëhequr nga rezultatet dhe llogaridhënia. Prioritetet e mia kryesore janë: Qeverisja e Mirë, Sundimi i Ligjit, Ekonomia, Shëndetësia dhe Arsimi.

Deri më sot, institucionet kanë bërë përparim të qëndrueshëm në të gjitha 22 prioritetet e ARE-së. Duke pasur parasysh se viti 2017 ishte vit zgjedhor dhe me qëllim të përshpejtimit  të reformave në vitin 2018, u kam kërkuar të gjitha ministrive përkatëse që të vendosin një kurs të qartë dhe të matshëm veprimi për vitin 2018. Jam plotësisht i vetëdijshëm se përparimi ynë në realizimin e reformave të MSA-së do të matet në bazë të veprimeve konkrete.

Nuk mund të flasim për procesin e integrimit evropian pa përmendur çështjen e regjimit aktual të vizave për Kosovën. Liberalizimi i vizave mbetet aspirata e parealizuar e Kosovës, e të gjitha komuniteteve në Kosovë që vuajnë nga izolimi dhe mungesa e perspektivës. Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë,  qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza. Kjo nuk është në përputhje me aspiratat e fuqishme të popullit të Kosovës, por poashtu besojmë se kjo nuk është në përputhje as me vlerat e BE-së dhe as me parimet e BE-së për të drejtat e njeriut dhe lirinë e lëvizjes.

Këtë vit kishim zgjedhjet e para në të cilat votoi për herë të parë gjenerata e lindur pas vitit 1999. Është e paqartë për ta dhe plotësisht e papranueshme se Kosova vazhdon të jetë një çështje e pakryer. Ka konfuzion në mesin e popullatës së Kosovës dhe ekziston një vakum i cili po të mbushej në mënyrë jo të duhur do të kërcënojë stabilitetin. Gjeneratat e reja të Kosovës jetojnë në teh të radikalizimit dhe dëshpërimit.

Jemi fuqishëm të përkushtuar për të çrrënjosur aktivitetet kriminale dhe efektet negative në shoqërinë tonë.

Qeveria e Kosovës ka intensifikuar veprimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Numri i rasteve të targetuara, ngritjes së aktakuzave, vendimeve të shkallës së parë, vendimeve përfundimtare dhe dënimeve të shqiptuara është rritur vazhdimisht që nga viti 2016, duke dëshmuar vendosmërinë e fuqishme të Kosovës për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar.

Sa i përket çështjes së demarkacionit, Qeveria ka thyer bllokadën dhe status-quon dy vjeçare lidhur me këtë çështje. Përgjatë dy muajve, është bërë përparim thelbësor duke e lëvizur çështjen nga status-quo-ja në një proces që do të marrë kahje drejt zgjidhjes përfundimtare. Meqenëse kjo çështje ndau qytetarët e Kosovës për dy vite, ne ndërmorëm masa të menjëhershme dhe:

·         Shkarkuam komisionin shtetëror të mëparshëm;

·         Emëruam një komision të ri profesional dhe apolitik;

·         Raportuam përpara komisioneve parlamentare përkatëse;

·         E përgatitëm shoqërinë;

·         Ndërkohë, veprime të tjera do të pasojnë menjëherë sapo komisioni i ri të dalë me gjetjet e tij deri në fund të këtij muaji. Ju garantoj se në këtë drejtim do të ndjekim standardet dhe praktikat e avancuara ndërkombëtare për të siguruar një epilog profesional.

Agjenda evropiane për Kosovën në veçanti dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi duhet të jetë e qartë dhe e hapur dhe Kosova pret që përparimi që bëjmë të pranohet dhe të njihet.

Në aspektin rajonal, Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet duke synuar avancimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ne i respektojmë fqinjtë tanë dhe presim të njëjtën edhe nga ata. Kosova është shtet i Pavarur dhe Sovran dhe të gjithë duhet ta kuptojnë dhe ne do të sillemi si të tillë. Pa dashur që ta theksojmë asnjë çështje, por ne do të veprojmë vetën si shtet Sovran.

Ne besojmë se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë por fillimisht duhet t’i bëjmë të ditura dy gjëra:

·        E para, ky dialog duhet të ketë një epilog të përcaktuar në kohë,

·         E dyta, duhet të ketë përfshirje të SHBA-së. Ne filluam zgjidhjen e çështjes së Kosovës në vitet e 90-ta së bashku me SHBA-në dhe BE-në dhe ne besojmë se duhet të qëndrojmë së bashku deri sa Kosova të bëhet çështje e kryer.

Kosova është e përkushtuar që të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë, përmes garantimit të dialogut nga BE dhe SHBA. Kosova beson se kjo garanci dhe përcaktimi kohor i dialogut do të përmbyllet me njohjen reciproke nga të dyja vendet.  

Anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë nuk është vetëm në interes të Kosovës por është imperativ i kohezionit politik, ekonomik e social për të gjithë rajonin.

Me Marrëveshjen për Bashkëpunim Rajonal, Kosova pret që të marrë pjesë dhe të nënshkruaj marrëveshje të reja në përgjegjësitë e saj dhe të flas për veten e saj në të gjitha takimet rajonale. Është e papranueshme që të dëgjojmë nga Serbia se si dialogu dhe stabiliteti është me rëndësi për rajonin, ndërkohë që në anën tjetër ajo në mënyrë proaktive lufton kundër anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë dhe në veçanti në mekanizmat e sigurisë – INTERPOL dhe EUROPOL.

Në këtë rrafsh, në përputhje me Kornizën e Agjendës Evropiane, na kërkohet në vazhdimësi që të ngrisim bashkëpunimin me EUROPOL-in. Deri tani kemi arritur progres të konsiderueshëm në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke nënshkruar 74 marrëveshje bilaterale bashkëpunuese. Sidoqoftë, Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në INTERPOL dhe EUROPOL sa më shpejt dhe në të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë. Serbia duhet menjëherë të ndalojë të gjitha aktivitetet që e bllokojnë Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në këto organizata.

Ne nuk mund të flasim për përparim dhe mirëbesim përderisa Serbia vazhdon me këtë sjellje!

Dhe për fund, më lejoni t’ju falënderoj për bashkëpunimin dhe dialogun tuaj në vitin 2017. Ne kemi përfunduar me sukses të gjitha takimet nën ombrellën e MSA-së. Kjo nuk do të ishte e mundur pa punën e paepur të bërë nga ju dhe ekipet tuaja, veçanërisht Ambasadoren Apostolova për sinqeritetin dhe ndihmën e saj praktike ndaj institucioneve të Kosovës.

Ju faleminderit për vëmendjen. 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: per Kosoven, Ramush Haradinaj, rol të pazëvendësueshëm, SHBA

Presidenti Thaci falenderon Kanadanë

November 18, 2017 by dgreca

Presidenti Thaçi falënderoi Ministrin kanadez të Mbrojtjes për përkrahjen për Kosovën/

1 Thaci M kanadez

-Ministri i Mbrojtjes i Kanadasë, z. Sajjan, u shpreh se është për tu vlerësuar promovimi i komunikimit dhe dialogut si mjete për tejkalimin e konflitit dhe falënderoi Presidentin Thaçi për lidershipin e treguar/

2 M Kanadez Thaci

HALIFAX, KANADA, 18 Nëntor-Gazeta DIELLI/  Presidenti i Republikës së Kosovës,Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Ministri i FSK, Rrustem Berisha,kanë takuar sot Ministrin e Mbrojtjes së Kanadasë, Harjit Sajjan, i cili është edhe nikoqir i Konferencës Ndërkobmëtare të Sigurisë në Halifax, e me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Kanadasë në fushën e mbrotjes e sigurisë.

Presidenti Thaçi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që Kanadaja i ka ofruar Kosovës që dy dekada. “Jemi mirënjohës për përkrahjen në ndërtimin e paqes dhe në ndërtimin e shtetit”, u shpreh Presidenti Thaçi. “Kosova sot është promovuese e dialogut dhe paqes në rajon”, u shpreh Presidenti Thaçi dhe shtoi se “shteti i Kosovës është konsoliduar së brendshmi dhe vazhdon të konsolidohet në skenën ndërkombëtare”.

Ministri Berisha i FSK-së u shpreh se Kosova dhe Kanadaja po punojnë për thellimin e bashkëpunimit edhe në sektorin e mbrojtjes e sigurisë duke punuar në finalizimin e një Memorandumi të Bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Kanadasë.

Ministri i Mbrojtjes i Kanadasë, z. Sajjan, u shpreh se është për tu vlerësuar promovimi i komunikimit dhe dialogut si mjete për tejkalimin e konflitit dhe falënderoi Presidentin Thaçi për lidershipin e treguar.

“Promovimi i dialogut dhe paqes ju bëjnë shembull për rajon”, u shpreh Ministri Sajjan.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova do të mbetet mirënjohëse për përkrahjen që ka dhënë Kanadaja për shtetin dhe popullin e Kosovës dhe ftoi për thellim të bashkëpunimit në të gjithë sektorët./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Kanada, Ministrin e mbrojtjes, Presidenti Thaci falenderon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1675
  • 1676
  • 1677
  • 1678
  • 1679
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT