• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Manifestim në 80-vjetorin e themelimit të Eparkisë së Horës së Arbëreshëve

October 26, 2017 by dgreca

Nga Zef Chiaramonte/*

1-zef-chiaramonte

Me Liturgjine Hyjnore pontifikale të koncelebruar nga tërësia e klerit arbëreshte prej Sicilie, me pjesemarrjen e perfaqesuesit të Manastirit të Grottaferratës, u mbyllën manifestimet dyditshe lidhur me 80-vjetorin e themelimit te Eparkisë së Horës së Arbëreshëve.
Pontifikalin e sotëm dhe Mbrëmësoren e djeshme i kryesoi Imz. Gjergj Dhimitër Gallaro ne kishën
katedrale, ku ishte i pranishëm edhe Kryeipeshkvi Mitropoliti latin i Palermos.
Dje paradite Mons. Gjusepe Maria Kroçe, Drejtor i Arkivave Sekrete Vatikanas, mbajti nje ligjiratë
tejet interesante ku, me anë të dokumentacjonit arkivor nga Selia e Shenjtë, përshkroi etapat
paraprake lidhur me krijimin e Eparkisë dhe me emërimin e Dhespotit të pare të saj.
Duke i zgjeruar këndvështrimet e fjalës së tij, ligjiruesi i lartt, dha nje pasqyrë sa më të përsosur mbi
interesimin e papëve, duke filluar nga Luani XIII, rreth kishave lindore katolike në pëgjithësi, dhe
rreth Kishës Arbëreshe në veçanti.
Në diskutimet që pasuan ndërhyri, ndër të tjerë, koresspondenti yne, Zef Kjaramonte, i cili veri ne
spikamë marrëdhëniet e arbëreshit Françesko Krispi, kryeministër i Mbretërisë së Italisë, me
Papatin, lidhur me problemin e traditës lindore të Kishës Arbëreshe.
Palermo, 26 Tetor 2017

*Radio Vatikanit ne gjuhe shqipe/(E dergio per Diellin, z. Zef Chiaramonte)

Filed Under: Kronike Tagged With: 80 vjetori, Eparkisë së Horës së Arbëreshëve., Zef Chiaramonte

Flet autori i tablosë “Kiss”, vlerësuar me “Medalja e Krijimtarisë” në Louver

October 26, 2017 by dgreca

thumbnailBisedë me artistin G.Kola të tablosë “Kiss” që u vlerësua nga juria ndërkombëtare në Louver –2-3

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/5

Artet dhe kultura janë në vijën e parë sepse kanë në epiqendër dashurinë, respektin dhe ndjenjat e thella të tolorancës, pajtimit dhe solidarizimit pikërisht  këto vlera për të cilat Nënë Tereza punoi gjithë jetën e saj me përkushtim të madh…   

4-2 Fondacioni Ndërkombëtar Artistik këto ditë në Louvër ka vlerësuar tablotë tuaja artistike, si dhe të artistit të të ndjerit Atjon Zhitit, na flisni më konkretisht ju lutem për tablotë dhe si ishte e organizuar ekspozita?

-Më 20 tetor 2017 në Muzeun e Louvrit ne Paris u hap ekspozita e Arteve Contemporane me pjesëmarrjen e artistëve nga shumë vende të botës. Unë marr pjesë në këtë ekspozitë për të katërtën herë i ftuar nga Fondacioni Artcom Expo Internacional qe mbështet dhe promovon artistë në vende te ndryshme të botës.  Meqënse ky fondacion administron zyrtarisht një pjesë të krijimtarisë sime artistike disponoj të drejtën e promovimit edhe të botimeve që bëhen dhe kanë lidhje me punën time.

Në këtë edicion prezantova albumin me vizatime dhe piktura të piktorit të ri Atjon Zhiti pasi unë jam pjesë e këtij albumi në kapitullin e fundit me 6 punime.  Për koinçidencë në të njëjtën ditë isha i ftuar nga Hypatie Festival (art dhe shkencë që mbështetet nga UNESCO) në Itali ku sipas programit mundësuam komunikim virtual me presidenten e këtij festivali Dr.Tonia Losco.

1-3

-Cila tablo nga punimet tuaja artistike mori vlerësim?

Ne ishim lajmëruar më parë nga bordi drejtues i Fondacionit që tabloja “The Kiss” do të jetë në listën e vlerësimeve pas shqyrtimit nga ana e jurisë ndërkombëtare.

Cfare ju frymëzoi më shumë për këtë tablo që dhe u vleresua nga juria?

“Medalja e Krijimtarisë” që iu dha kësaj tabloje i përket Familjes time si dhe të gjithë miqve tanë që mbështesin dhe stimulojnë vijimin e vështirë të rrugës së mundimshme të artit. Natyrisht që jemi shumë mirënjohës nga kritikët dhe juritë, por kjo nuk do të thotë që një stimulim ndikon në vijimin e procesit të krijimtarisë artistike, por në një farë mënyre jep efekt në aspektin komercial. Tabloja “The Kiss” ose “Puthja ” në shqip për të cilën  kemi nevojë të gjithë edhe pse aty ku ka injorancë bëjnë sikur kanë turp nga kjo është e trajtuar me teknikë të përzier në pëlhurë linit të papërgatitur me solucione kimike.  Përveçse sensit erotik kam dashur të përcjell edhe te përgjithshmen e artit joshës të puthjes që në fakt shumë herë e kam interpretuar në mënyra të ndryshme.Për këtë temë esenciale mund të flitet shumë gjatë por mesazhi im është i qartë se pikërisht dashuria është ajo që bashkon njerëzit,që lind jetë të reja që asnjëherë nuk tepron,që vetëm nëpërmjet saj, dashurisë, bota është më e bukur.

Po albumi “Opera Atjon” çfarë tablosh artistike pasqyron?

Sikurse thashë më lart unë në aktivitete ku jam i ftuar kam te drejtën e promovimit te botimeve që lidhen me punën time.  Kështu në Louver pata nderin e prezantimit të artit që krijoj gjatë jetës shumë të shkurtër artisti brilant Atjon Zhiti me buzëqeshje ëngjëllore sikurse me pëlqen ta konsideroj. Esetë,vizatimet dhe pikturat e tij që përmblidhen estetikisht shkëlqyer ne këtë Album lanë një emocion te veçantë tek presidenti i Fondacionit Hans Salbu dhe zonja e Tije Baronesha Jiselda Salbu administratore e Fondacionit të cilët vendosën dhënien “Medalje Kujtimi” për artistin Atjon Zhiti.

Kur e keni filluar bashkëpunimin me Fondacionin Ndërkombëtar dhe çfarë planesh keni në të ardhmen?

Kam qenë i ekspozuar në Louver ne vitin 2013 nëpërmjet një galerie te njohur italiane kur na u ofrua kërkesa për bashkëpunim nga Fondacioni dhe që e pranuam me shumë kënaqësi.

Ne kemi një sërë ekspozimesh,promovime ku edhe do të vazhdojë të botohet puna ime ne disa vende në Europë, Amerikë, Dubai dhe Taipei etj.  Ekspozimi dhe aktiviteti im vazhdon paralelisht edhe me galeri e fondacione të tjera.

Si artist emigrant cilat janë disa nga vështirësitë tuaja për të ushtruar profesionin ku jetoni në krahasim me artistët që jetojnë në Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur?

Nëse do të shohim vështirësitë dhe momentet e dëshpërimit janë aq të shumta dhe të ndryshme saqë zhgënjimi të çon në tërheqje.  Duhet nje insistim dhe këmbëngulje e madhe te cilën unë e kam te garantuar nëpërmjet mbështetjes së madhe të familjes time, bashkëshortes Vjollca, dy fëmijët tanë Iliriana e Sebastian që ndikojnë terësisht në vijimin e artit dhe pikturës sime.

Në lehtësimin e këtijë vijimi favorizon ndihma dhe solidarizimi i disa njerëzve që janë shumë pranë nesh, që kontribojnë me pasion dhe dashuri për të përçuar më tej te bukurën në realitet dhe art.  Gjatë kësaje periudhe 27-vjeçare të ikur rrugëve të botës nuk pushojmë së menduari me nostalgji për Shqipërinë.  Sigurisht me keqardhje të madhe për zollomahinë dhe tymtajen që i ka krijuar vendit tonë politika e korruptuar shqiptare.  Në këtë imazh të bërë pis nga politika e pandershme klane dhe struktura kriminale që si metastaza gjenden në të gjitha instancat duke përfshirë edhe mediat krijojnë vakum te madh sidomos në arte e kulture si pjesa më delikate e shoqerisë që duhej t’i paraprijë zhvillimit dhe prosperitetit të gjithanshëm. Gjithësesi vendi ynë dëshmon përherë se do të ringjallet pasi ka prodhimtari arti e kulture që merret parasysh ne hapsirën ndërkombëtare.

Si po ndihmojnë artistët që janë shpërndarë dhimbshëm nëpër botë për imazhin e Shqipërisë?

Vitet 90-të krijuan hemorragjinë e madhe intelektuale-artistike ne vendin tonë dhe kështu dominoi nje alalum i jashtëzakonshëm i klaneve qe bie ndesh me avancimin dhe zhvillimin sigurisht në kundërshtim me aspiratat e popullit liridashës dhe artdashës shqiptar me vlera të mëdha dhe te jashtëzakonshme që trashëgojmë po edhe që transmetojmë në raport me vendet e tjera të zhvilluara.  Në këtë sens janë në vijën e parë artet dhe kultura si përçues të dritës dhe prosperitetit, emancipimit kulturor dhe shpirtëror duke pasur në epiqendër dashurinë, respektin dhe ndjenjat e thella të tolorancës, pajtimit dhe solidarizimit pikërisht  këta vlera për të cilat Nënë Tereza punoi gjithë jetën e saj me përkushtim të madh.

Faleminderit z.Kola dhe shumë urime!

Ju faleminderit për intervistën zn.Zylo si dhe për misionin kulturor që vazhdoni me insistim në favor të ngritjes së moralit dhe dinjitetit shqiptar në botë.

Fund tetori, 2017

Manhattan, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Atjon Zhiti, George Kola, tabloid "Kiss"

NJOFTIM- NDËRROI JETË NË SHQIPËRI NËNA E PRANVERA ÇOBOS

October 26, 2017 by dgreca

Familja Çobo në Nju Jork hap Shtëpinë dhe pret ngushëllime të Shtunën me 28 Tetor/

1 shenje zije

Njoftohet komuniteti se ka ndërruar jetë në Shqipëri pas një sëmundje të menjëhershme Sulltane Sula, nëna e artistes Pranvera Çobo-Sula. Pas një operacioni të vështirë, Sulltane, 66 vjeçare, nuk arriti që ti shpëtojë një operacioni të dytë. Pranvera udhëtoi në kohë dhe pati mundësi që t’i bëjë nderimet e fundit dhe ta përcjellë nënën e saj të dashur.

Njoftohet komuniteti se  Familja Çobo hap Shtëpinë dhe pret ngushëllime të Shtunën me 28 tetor 2017 nga ora 10 AM deri në 10 PM.

Adresa:111 3rd Ave

Pelham, NY 10803

Telefoni i familjes -646-287-8500

Filed Under: Komunitet Tagged With: E PRANVERA ÇOBOS, NDËRROI JETË NË SHQIPËRI NËNA, SULLTANE

Hoyt Yee: Ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi, do të zhbllokonte udhëtimin pa viza për Kosovën

October 26, 2017 by dgreca

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe t’i hapë rrugën përfitimeve që do të kishin qytetarët duke lëvizur pa viza në Evropë. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, ai ritheksoi se Serbia nuk mund të qëndrojë e ulur në dy karrige por duhet të bëjë të qartë zgjedhjet strategjike të saj. Duke folur për zhvillimet në Shqipëri, ai tha se ligji duhet zbatuar njësoj për të gjithë, se askush nuk mund të ketë imunitet, dhe se individët nuk duhet të vihen në shenjëstër pse i përkasin një partie a një tjetre, por qeveria shtoi ai, duhet të japë shembullin se është seriozisht e angazhuar për të luftuar korrupsionin./

1 Hoy

Zëri i Amerikës: Zoti Yee, më lejoni t’ju pyes së pari, nëse mundem, cili është qëllimi i vizitës tuaj?

Hoyt Yee: Qëllimi i ardhjes sime në rajon ishte që të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin, të takojë udhëheqësit e të dy qeverive, të takojë deputetët e parlamenteve, pjesëtarët e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e opozitës në të dyja vendet. Është pjesë e udhëtimeve normale për të qëndruar në rrjedhë me situatën në të dyja vendet dhe në rajon dhe pata rastin të flas në forumin ekonomik në Beograd.

Zëri i Amerikës: Qeveria e brishtë e Kosovës përballet me sfida të mëdha për trajtimin e disa çështjeve të ndjeshme, duke përfshirë edhe shënimin e kufirit me Malin e Zi. Kryeministri i ri Haradinaj ka kundërshtuar marrëveshjen në të kaluarën. A ka ndonjë mënyrë për të dalë nga kjo situatë pa miratimin e marrëveshjes në parlament?

Hoyt Yee: Së pari, dua të them se Kosova ka një numër mundësish të rëndësishme më të cilat përballet, e që mund të përmbushen vitin e ardhshëm, apo mbase edhe më herët. Një nga këto mundësi është marrëveshja e shënimit të kufirit që tashmë është nënshkruar më Malin e Zi. E di nga kolegët e Bashkimit Evropian se marrëveshja për kufirin, sapo të ratifikohet, do të zhbllokojë rrugën e Kosovës drejt udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian. Kjo, besojmë, është jashtëzakonisht e rëndësishme për njerëzit e Kosovës që t’u tregohet se janë pjesë e Evropës, nuk janë të izoluar, janë të mirëseardhur në Evropë dhe do t’u japë shumë shpresa, shumë kurajë atyre në qeveri dhe jashtë saj se puna që bëjnë, se reformat që bëjnë, vendimet e vështira që marrin, në fakt shpaguhen. Pra, ne e inkurajojmë qeverinë e Kosovës që të shfrytëzojë këtë mundësi, aty ku qeveria e fundit nuk ishte në gjendje ta shfrytëzojë dhe ta ratifikojë marrëveshjen në parlament dhe të përfitojë, me pëlqimin e Bashkimit Evropian, nga udhëtimi pa viza. Ne besojmë se është e mundur. E kuptojmë që marrëveshjet si kjo, çështjet që përfshijnë kufijtë, marrëdhëniet me fqinjët, janë nganjëherë të ndërlikuara. Por, ajo që mendojmë se është e domosdoshme, është që publiku të kuptojë se çfarë do të arrijnë, përfitimet për të në jetën e përditshme duke ratifikuar marrëveshjen dhe pastaj udhëtimin pa viza. Është po ashtu me rëndësi për udhëheqësit e këtij vendi që të marrin përgjegjësinë, të dëshmojnë udhëheqësinë e nevojshme, të sigurojnë shumicën e domosdoshme në parlament për të ratifikuar marrëveshjen. Pra, kombinimi i vetëdijes së publikut, që është natyrisht përgjegjësi e udhëheqësve, por po ashtu edhe medies, politikanëve, anëtarëve të parlamentit, që të sigurohen se publiku e kupton se për çfarë flitet dhe pastaj që udhëheqësit të marrin përgjegjësinë si përfaqësues të zgjedhur të popullit.

Zëri i Amerikës: Zoti Yee, Kosova ka hyrë në një fazë të re në negociatat e saj me Serbinë dhe udhëheqësit e Kosovës kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të luajë një rol më të madh. Deri tani, BE-ja ka marrë rolin udhëheqës. A presim ndonjë ndryshim? A do të jetë më e angazhuar SHBA në dialog?

Hoyt Yee: Pikë së pari, jemi të nderuar të jemi partnerë të Kosovës, Serbisë dhe vendeve tjera në këtë rajon. Besojmë se është në interesin e përbashkët, vendeve në rajon dhe Shteteve të Bashkuara. Është me rëndësi për Shtetet e Bashkuara që Evropa është në paqe, e qëndrueshme e përparimtare. Kur Evropa është e tillë, Shtetet e Bashkuara janë po ashtu. Pra fatet tona janë të lidhura. Siguria jonë është e lidhur. Ekonomitë tona janë të lidhura në shumë mënyra. Prandaj, e ndjejmë se është më rëndësi për ne që të marrim pjesë, të ndihmojmë në punët në Evropë, përfshirë Ballkanin Perëndimorë. Jam i lumtur të them se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimorë që të trajtojnë çështjet me të cilat përballen, që të arrijnë më shumë përparim në integrimet në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, përshirë Bashkimin Evropian, për ato vende që duan të bashkohen me NATO-n dhe mund të bashkohen me NATO-, duam t’u ndihmojmë që ta përmbushin këtë synim. Ne tashmë e luajmë një rol të drejtpërdrejtë në shumë nisma në Evropë. Nuk janë gjithmonë të ditura sepse, sipas natyrës së diplomacisë, nuk është gjithmonë e reklamuar, por ne kemi rol mjaftueshëm të vendosur në bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me pëlqimin e Bashkimit Evropian, që natyrisht e drejton dialogun. Ne kemi qenë aty nga fillimi. Synimi ynë është që të mbetemi për aq sa Bashkimi Evropian dëshiron të jemi dhe tash për tash ai e dëshiron një gjë të tillë. Dhe për aq kohë sa të dyja palët, Serbia dhe Kosova duan që ne të marrim pjesë. Ne do ta bëjmë pjesën tonë. Ne mendojmë se është partneritet ndërmjet Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Kosovës dhe Serbisë. Përgjegjësia është tek të gjitha palët dhe në do të përmbushim detyrimet tona.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara i kërkuan Kosovës që të përmbahet nga krijimi i ushtrisë së saj pa i bërë më parë ndryshimet kushtetuese. Kritikët thonë se ndërsa Serbia po armatoset nga Rusia, Kosova në thelb, thuhet se nuk mund të krijojë një ushtri, duhet të prisni miratimin e Beogradit. Si i përgjigjeni kësaj kritike?

Hoyt Yee: Kur e shikoni pasqyrën e përgjithshme për sigurinë e Kosovës, ajo nga pikëpamja jonë, ka një përkushtim nga bashkësia ndërkombëtare, nga NATO-ja dhe vendet partnere të NATO-s, që të ndihmojnë për ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë këtu në Kosovë. Ne e kemi forcën paqeruajtëse të drejtuar nga NATO-ja, KFOR-in, që është këtu për shumë vjet dhe synon të mbetet derisa të mos jetë më e nevojshme, që shpresojmë të ndodhë me herët sesa më vonë. Sigurisht ka pasur përparim dhe prania e KFOR-it është shkurtuar, por ende ka nevojë për të. Mesazhi i parë që dua të jap, është se bashkësia ndërkombëtare është qartazi e përkushtuar ndaj sigurisë së Kosovës. Kosova nuk është në rrezik që të pushtohet apo sulmohet nga ndonjë vend tjetër. Kosova nuk është e kërcënuar nga ndonjë rrezik i madh që kërcënon sigurinë kombëtare. Si mesazh i dytë, dua të them se ne e mbështesim të drejtën e Kosovës që të ketë një ushtri. Çdo vend sovran që ka përgjegjësi për sigurinë kombëtare, për mbrojtjen e kufijve, për pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare të kërkim shpëtimit apo nismave tjera, duhet të ketë një formë të ushtrisë apo forcës së armatosur. Por, besimi ynë i fuqishëm dhe mesazhi ynë për qeverinë e Kosovës për një kohë, është se ka një proces për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri. Një proces, që jemi pajtuar me qeverinë, që përfshinë miratimin e ndryshimeve kushtetuese, për ta bërë të qartë se institucionalisht, ligjërisht, ky transformim është bërë në atë mënyrë që të jetë tërësisht transparent, se ka mbështetjen e të gjitha palëve dhe ne mendojmë e besojmë se qeveria e Kosovës pajtohet me këtë, se palët përfshijnë të gjitha partitë politike në Kosovë, përfshirë edhe partitë e pakicës serbe. Rruga më e pastër dhe më e përshtatshme që ligjërisht të transformohet Forca e Sigurisë në ushtri, është nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, që krejt bota, partnerët dhe gjithë miqtë e Kosovës, të shohin dhe madje të trimërojnë të gjitha palët që kanë interes për sigurinë në Kosovë, të marrin pjesë, mund të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të debatojnë në parlament. Dhe me miratimin e ndryshimeve, do të ishte rruga më e mirë për të siguruar legalitetin e procesit të transformimit. Pra, të themi se mbështesim ushtrinë, transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri, nuk do të thotë që mendojmë se duhet të ndodhë arbitrarisht, pa hapat e duhur përpara. Ne besojmë se duhet të ketë ndryshime kushtetuese. Por, njëkohësisht, nuk besojmë se duhet të ketë një formë të “vetos” nga një palë e tretë, nga një vend i tretë apo nga cilado palë. Duhet të kuptohet se pikëpamja jonë është që nëse qeveria bën gjithçka që është e mundur për të bindur të gjitha palët se duhet të mbështesin këtë transformim dhe nëse pas përpjekjeve qëllimmira e të qëndrueshme nuk është e mundur, atëherë mundësitë tjera përtej ndryshimeve kushtetuese duhet të shqyrtohen. Por, nuk kemi arritur ende atje, sepse ne besojmë që qeveria duhet të bëjë gjithçka që është e domsdoshme që të dëshmojë se ka punuar me të gjitha palët përfshirë edhe pakicën serbe, për t’i bindur se është edhe në interesin e tyre, se është në interesin e gjithë vendit dhe të gjitha palëve që të ndodhë ky transformim.

Zëri i Amerikës: Zoti Yee, Gjykata e Posaçme për Krimet e Luftës në Kosovë, tashmë është krijuar. Çfarë po ndodh me të? A presim akuza këtë vit?

Hoyt Yee: Ne jemi fuqimisht mbështetës për integrimin e plotë të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar dhe përmbylljen e kapitujve të së kaluarës së Kosovës që mbeten ende të hapur. Besojmë se “dhomat e posaçme”, janë rruga për mbylljen e këtij kapitulli, këtij kapitulli të dhimbshëm të së kaluarës së Kosovës. Është absolutisht e domosdoshme dhe ne i përshëndesim ata udhëheqës të Kosovës që qenë në gjendje të ngritin nëpërmjet ligjit dhe ndryshimeve kushtetuese këto “dhoma të posaçme”. Ne mbështesim fuqishëm rolin e tyre. Ne dhe BE-ja, posaçërisht BE-ja, ofrojmë burime për të ndihmuar punën e tyre. Ne vazhdojmë t’i mbështesim. Nuk i takon Amerikës, apo cilësdo qeveri evropiane të marrin vendime se a do të ketë akuza këtë vit, apo vitin tjetër apo nëse do të ketë ndonjë akuzë. Ajo është punë e prokurorëve në dhomat e posaçme, për drejtësinë që të marrin ato vendime. Ajo që mund të them është se besojmë që është me rëndësi për të gjithë udhëheqësit në Kosovë që të vazhdojnë të mbështesin institucionin dhe funksionimin e tij, që të ketë mjedisin e nevojshëm për punë, që të ketë mbështetjen e nevojshme politike, që të gjithë qytetarët e Kosovës të kuptojnë se kjo është diçka që të gjithë brenda dhe jashtë Kosovës duan që të ketë sukses dhe të përmbyllet sa më parë.

Zëri i Amerikës: Para se të vinit në Prishtinë, keni qenë në Beograd ku keni deklaruar se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige, veçanërisht nëse ato karrige janë shumë larg. A është kjo një shenjë e ndryshimit në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara? A do të ushtrojnë më shumë trysni mbi Serbinë në të ardhmen për të” zgjedhur anët “?

Hoyt Yee: Ajo që kam thënë, me serbishten time jo të përsosur, duke cituar një proverb të vjetër serb, se nuk mund të ulesh njëkohësisht në dy karrige. Është e mundur të ulesh në dy karrige, por ta bësh një gjë të tillë njëkohësisht, është shumë e vështirë.

Çështja është se për një vend siç është Serbia, ose për cilindo vend tjetër që synon t’i bashkohet Bashkimit Evropian, NATO-s, është me rëndësi që ai vend të jetë plotësisht i përkushtuar ndaj atij synimi. Jo përkushtim vetëm me fjalë, por me vepra, duke investuar burime të ndryshme, duke investuar kohë. Edhe Kosova ka vendime të ngjashme për të bërë. A është Kosova 100 për qind e përkushtuar që të normalizojë raportet me Serbinë, a është 100 për qind e përkushtuar t’i bashkohet BE-së? Të gjitha qeveritë përballen me këto zgjedhje.

Mesazhi im për Serbinë ishte që nëse është duke punuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, atëherë duhet të përqendrohet në reformat e nevojshme, në mënyrë që ta arrijë integrimin në BE. Është shumë e vështirë, gjykuar nga proceset nëpër të cilat kanë kaluar vendet tjera të cilat kanë arritur ta bëjnë një hap të tillë, siç është Kroacia ose Sllovenia. Është një proces shumë i vështirë, i shtrenjtë politikisht, hapa të shtrenjtë që duhet të ndërmerren. Dhe nëse ka vende, ose palë, ose organizata që kundërshtojnë një hap të tillë, nëse ka vende që kanë një vizion ndryshe për Serbinë mbi anëtarësimin e saj në BE, atëherë është e rëndësishme që të mos ketë lidhje të fuqishme me ato vende.

Është me rëndësi që të mos ketë përpjekje për të kënaqur të dyja palët, sepse për pasojë do të ketë konfuzion në opinion se në ç’drejtim po shkon vendi, ngadalëson procesin. Prandaj, nëse përpiqesh të ulesh në dy karrige dhe të kënaqësh njërin vend që kundërshton anëtarësimin, kurse vendet tjera janë në favor të tij, do të jetë një qasje jo edhe aq e frytshme. Pra, ne nuk i kundërshtojmë lidhjet që Rusia ka me Serbinë, natyrisht që Rusia do të ketë gjithmonë lidhje me Serbinë. Të dyja vendet kanë lidhje historike, kulturore, fetare, ekonomike.

Nuk jemi kundër kësaj. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë lidhje me Rusinë, lidhje tregtare, kemi bashkëpunim politik. Pikëpamja jonë është se aty ku interesat tona janë të ngjashme me ato të Rusisë, ne do të bashkëpunojmë me Rusinë, si për shembull lufta kundër terrorizmit, mbase në Siri, dhe janë edhe fusha të tjera bashkëpunimi. Ne duam gjithashtu që Serbia të jetë në gjendje të bashkëpunojë me Rusinë, aty ku interesat janë të njejta. Por, ne gjithashtu besojmë se aty ku interesat tona ndahen, aty ku ne synojmë të bëjmë në fakt gjëra të ndryshme mes vete, aty ku vizionet tona dallojnë shumë, atëherë ne, Shtetet e Bashkuara, duhet të mbrojmë interesat, vlerat dhe parimet tona dhe të atyre që janë aleatët tanë.

Është në fakt zgjedhje e Serbisë, Serbia është shtet sovran dhe vendimet i merr vetë, por rekomandimi ynë për Serbinë, sikurse ai për Kosovën, është që të dyja vendet ta bëjnë shumë të qartë se cilat janë përparësitë e tyre, ta bëjnë shumë të qartë se cilat janë politikat e tyre, në mënyrë që ato institucione të cilave këto dy vende synojnë t’u bashkohen, qoftë NATO-ja apo BE-ja, të kuptojnë zgjedhjet strategjike të Serbisë, apo edhe të Kosovës. Nuk duhet të ketë dilema, konfuzion dhe kjo është mënyra më e shpejtë. Mund të ulesh në dy karrige dhe të arrish në destinacion, por me siguri se do të jetë një rrugë më e ngathtë.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, një ish ministër i brendshëm, akuzohet për lidhje me një grup trafiku droge. Cila është pikëpamja juaj për mënyrën se si po trajtohet çështja e tij?

Hoyt Brian Yee: Më lejoni të them për Shqipërinë, se jemi shumë të kënaqur me përparimin që Shqipëria ka arritur dhe jemi të kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në reformat, përfshirë këtu edhe reformat në drejtësi. Bashkërisht me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë të miratojë legjislacionin, të miratojë ndryshimet kushtetuese, me synimin që të forcojë sistemin e drejtësisë.

Dhe kjo për faktin se një gjë e tillë nuk është e rëndësishme vetëm për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e saj, por edhe për faktin se [reformat] janë një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe pikërisht në këtë frymë, ne kemi vazhduar të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit, kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit…Të gjitha këto shërbejnë për të ngritur standardin jetësor për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Së këndejmi, jemi duke ofruar drejtpërdrejtë ndihmën tonë, ekspertizën teknike, ndihmën financiare, në ndërtimin e strukturave, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për t’u ndihmuar që të kryejnë punën e tyre. Sinqerisht, nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por gjithsesi besojmë në disa parime.

I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Së dyti, ne mbështesim qeverinë, që jep shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Hoyt Yee, kosova, Mali i Zi, ratifikimii kufirit

Çështja Tahiri,Ambasadori Lu: Qytetarët meritojnë të vërtetën

October 26, 2017 by dgreca

Lu ambasadore

Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se “publiku duhet të dijë të vërtetën” për çështjen e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për të cilin prokuroria kërkoi nga parlamenti autorizimin për arrestim pasi dyshon për lidhje të tij me vëllezërit shqiptarë Habilaj, njëri prej të cilëve u arrestua javën e shkuar në Itali si pjesë e një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikun e drogës mes dy vendeve. Ambasadori amerikan përfitoi nga pjesmarrja në një aktivitet për korrupsionin në Arsimin e Lartë shqiptar me Këshillin Rinor të Ambasadës kundër Korrupsionit, për t’u shprehur rreth kësaj çështje e cila ka shkaktuar një furtunë në politikën shqiptare. “Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme: në Spaç, në Burrel dhe në Qafë Bar. Në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim”. Ambasadori theksoi se “nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj dhe ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë. Ju – shtoi më tej ai – nuk jeni gjyqtarë apo prokurorë, por jeni njerëz që votoni. Ju i dhatë besimin tuaj këtij personi si anëtar i kuvendit dhe si ministër i lartë i kabinetit. Është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë”, u shpreh ambasadori amerikan.

Kryeministri Edi Rama përmes një statusi në Facebook falenderoi ambasdorin Lu për deklaratën e tij. “Një mesazh i qartë për shqiptarët që duan drejtësi, jo gjyqe komuniste për këdo që kanë votuar a paguar me taksat tyre”, shkruan kryeministri, ndërsa dje shumica që ai udhëheq votoi kundër kërkesës së prokurorisë për arrestimin e zotit Tahiri. Një vendim që nga opozita u pa si “një akt që vërteton lidhjet e ngushta të qeverisë me krimin” dhe si n”një pengesë ndaj drejtësisë” për të bërë punën e saj.

I pyetur rreth kësaj çështjeje, dje gjatë një interviste për Zërin e Amerikës nga Prishtina, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, u shpreh se ligji duhet zbatuar njësoj për të gjithë, se askush nuk mund të ketë imunitet, dhe se individët nuk duhet të vihen në shenjëstër pse i përkasin një partie a një tjetre, por qeveria shtoi ai, duhet të japë shembullin se është seriozisht e angazhuar për të luftuar korrupsionin.

Komentet e funksionarit të lartë amerikan u interpretuan në mënyra të ndryshme në Tiranë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se “Deklarata e qeverisë amerikane është e qartë: askush nuk është mbi ligjin, askush nuk duhet të gëzojë imunitet nga ligji, prokurorët dhe gjyqtarët duhet t’i shkojnë deri në fund çështjes, është përgjegjësi e qeverisë të tregojë me vepra se është kundër krimit dhe korrupsionit. Duke përshëndetur deklaratën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Hoyt Brian Yee – shprehet zoti Basha – inkurajoj fuqimisht prokurorët, gjyqtarët dhe të gjithë punonjësit e drejtësisë që të mos ndikohen e mos tremben nga asnjë presion politik dhe të mos ndalen as të shkurajohen por të punojnë me kurajo profesionale dhe përkushtim atdhetar deri sa të nxjerrin të vërtetën dhe të bëjnë drejtësi në çështjen Tahiri”.

Nga ana e tij kryeministri Rama në një status në Facebook shkruan “Më qartë se kaq?” duke i bashkangjitur të plotë përgjigjen e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Yee.(Sipas VOA)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Çështja Tahiri, Lu: Qytetarët, meritojnë të vërtetën

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1714
  • 1715
  • 1716
  • 1717
  • 1718
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT