• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESE PER INGJ. LUDOVIK ZOJZI (1910 – 1943)

September 24, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1Ludovik Zojzi

 NE FOTO:Vorrezat ne RRMAJI  SHKODER/

“Kultura asht shpirti i qytetnimit”/

Dy çinarë shekullor mbi një stom me emnin e Zef Zorbës, brij lumit Kir, që vazhdon rrugën e tij derisa derdhet në Drinazë brijë Kalasë Rozafat, aty ku janë ledhet e qytetit të vjetër që pjesa ma e madhe janë nën shtratin e këtyne lumenjve, më kanë shtye me pyetë: “Kush ishte Ai burrë, që vuni gurët e qytetnimit mbi këtë stom me emnin Rëmaji?”
Një fushë mbi këtë stom që ma shumë ishte zallishtë me ferra e mrina kishte tërhjekë prej kohësh djelmoçat e rinj për me u argëtue, tue gjuejtë në shenj objektet e mbështetuna në trungjët e këtyne çinarëve.

Këta dy trungje janë koleksionerët ma të vjetër të predhave që janë përdorë në armët e mbajtuna në brezat e qytetarëve të Shkodrës. Një predhë e kalueme andej Zallit të Kirit aty rreth vitin 1840, pat plagosë një ushtar turk i cili mbas pak ditësh pat vdekë. Gjuejtësi i shenjës nuk asht kenë djalë i fisit Ejllori ose Radovani prej Shiroke, por, kjo vrasje padashje i mbet se asht ba prej Pjetër Pal Ejllorit dhe i kushtoi aq shumë këtij fisi, sa prej asaj kohe pasunia, të hollat e tokët e pagueme si damshpërblim nuk u zëvendsuen kurrma në këtë shtëpi. Kjo ngjarje u pat ba shkak me u rrallue ky argëtim në atë vend. Në 10-vjeçarin e fundit të shekullit XIX-të, aty nga 1895, u vendosën disa rrethime mbrenda të cilave ishte një faltore e vogël shumë e vjetër, rreth së cilës filluen me u varrosë qytetarët të cilët nuk kishin tokë ndër vorret e vjetra në fund të rrugës së Badrave, emni i së cilës ka mbetë nga kjo lule që rritët ndër vorre. Hapsina e atij vendi filloi me joshë dëshirën për vendosje të vorreve të reja që janë edhe sot.

Mendja e një shkodrani me emnin Ludovik Zojzi, vendosi përjetësisht mbi atë stom nën ata dy çinarë ato vepra arti që janë sot aty dhe, që thirrën Vorret e Rrmajit. Kapela e atyne vorrezave u projektue dhe u zbatue nga vetë ky ingjenjer. Planimetria e bame prej tij ruhet edhe sot në familjën Zojzi.

Ludovik Zojzi ka lé në Shkodër, më 23 nandor 1910, në familjën e vjetër të Zojzakëve. Kjo shtëpi njihet për intelektualët e mirëfilltë që i ka dhanë qytetit.

Keli ka përfundue shkollën tregëtare dhe ishte një kangëtar i njohtun si tenor në grupet e muzikantëve të At Martin Gjokës. Zefi, ishte dr. avokat i lauruem në Itali.

Rroku, ishte një ndër etnografët ma të mirë të Shqipnisë, për mos me thanë ma i miri dhe ma i zoti. Ludoviku, mbasi përfundoi Liceun “Illyricum”, më 27 qershor 1928, dhe doli me rezultate të shkëlqyeshme spikati me sjelljen e tij shumë të mirë dhe bani për vedi përsonelin e shkollës Françeskane, i cili e dërgoi për studime në Padova, Itali. Atje, ai nderoi brezninë shqiptare për zellin dhe vullnetin me studjue. Më 10 nandor 1933, u laurue me doktoratën e ingjenjerit elektrik, pikërisht, atëherë, kur Shqipnia po bante hapat e para me dalë nga errësina shekullore. Erdhi në Shkodër si profesor në Liceun e Shtetit deri më 1 tetor 1937. Në dy vitet e fundit të qëndrimit në vendlindje ishte edhe ingjenjer këshillues pranë Bashkisë së qytetit. Në vitin 1937, emnohet Drejtor teknik i Drejtorisë së Përgjitheshme të PTT në Tiranë, punë të cilën e vazhdoi deri më 15 shtator 1943, ditë në të cilën sapo delte nga shtëpia me shkue në punë, u vra pabesisht nga komunistët e Tiranës. Kuptohet thjeshtë arësyeja, një ingjenjer shkodran, katolik, i lauruem në Padova, familje intelektuale që nuk ishte pajtue me komunizmin, indiferente ndaj lëvizjes nacional-çlirimtare ashtu si pjesa ma e madhe e Shkodrës që etiketohet shpejt nga grupet komuniste: “..agjent, fashist, bashkëpunëtor i okupatorit e i klerit, spijun e trathtar ..” Këtë fat të zi pat edhe Dr. Ingj. Ludovik Zojzi në moshën 33- vjeçare, i formuem dhe i paisun me kulturën e shëndoshtë bashkohore. Ingj. Ndoc Naraçi, i cili e ka njohë afër Ludovikun, mbasi ka punue me té në Tiranë, më tregonte aty nga viti 1989 se arsyeja e vërtetë e vrasjës së tij asht kenë kërkesa e komunistëve, që ai me bashkëpunue me ta, gja të cilën Ludoviku nuk e ka pranue. PTT e Tiranës ishte një ndër qendrat ma aktive të grupeve komuniste, prandej ata që nuk ishin të lidhun me këta grupe, mendoheshin të rrezikshëm për punën e tyne, duheshin “çëruar”.

Kjo dokumentohët nga gazeta “Zëri i Popullit”, datë 3 dhetor 1959, në artikullin e Qeverim Çelit, ish anëtar i grupit komunist të PTT-së, i cili shkruan: “…Suksesi që arritën grevistët e Drejtorisë së Përgjithëshme të PTT-së, bëri që edhe punonjësve të tjerë t’u shtohej besimi në Partinë Komuniste dhe në udhëheqjen e drejtë të saj. Nga radhët e këtyre grevistëve u organizuan më vonë guerilet, që përlanë spiunin dhe armikun e popullit Ludovik Zojzi.” Ma poshtë shënohën edhe autorët e këtyne veprave të “suksesëshme”, organizatorët dhe kriminelët gjakatarë. Ja si vazhdon artikulli: “…Në atë kohë në Drejtorinë e Përgjithëshme të PTT-së, punonin shokët: Adil Çarcani, Fiqrete Shehu, Nikolla Profi, Mustafa Qilimi, Ilo Panduku dhe të tjerë organizatorë…”.

Cili nga këta kriminelë analfabetë mund të duronte mbi kokë një ingjenjer të lauruem në Padova të Italisë? Kush nga këta fanatikë mund të shihte me sy një ish student të gjimnazit të Fretënve, apo ish nxanësin e shkollës së Jezuitëve të Shkodrës, kur detyra e këtyne grupe vagabondësh ishte shkatrrimi e shqymja nga faqja e dheut e bazave të kulturës Evropiane?

Çfarë menduan për 50 vjet kokat e mykuna me idetë marksiste-leniste e stalinjane, të edukuem antishqiptarë ndër çerdhët e imoralitetit të komunistëve jugosllavë, që vetëm dinin me vra, dhe përshëndetëshin çdo mëngjez me parullat “plumbin ballit Atdhetarëve Atentati kundër Ludovik Zojzit, ishte fillimi i terrorit komunist kundër inteligjencës Shqiptare që ishte formue në shkollat Përëndimore, ishte atentat kundër Evropës së kulturueme, ishte zbatim detyre ndaj mësuesit jugosllav, ishte betim për trathtinë e madhe kombëtare që po bante Partia vëllavrasëse Komuniste e Shqipnisë, kundrejt Popullit të vet Shqiptar!

Kryqat e Vorrëve të Rëmajit ishin ngacmues për nervat e fanatikëve antikatolikë komunistë. Shumë herë u projektuen plane e platforma mashtruese gjoja për ndërtime të reja, vetëm si me i shkatrrue ato vepra arti që kishte projektue dhe zbatue shkodrani Dr. Ingj. Ludovik Zojzi. Sa herë kalonin udhëheqësit e Partisë së Punës andej pari përshpërisnin nën za: “Akoma, këta këtu?!”…

Ishte gjoksi i atdhetarit Gjon Kamsi, ishte Gjikami, vëllai i gjakut të Luigj Gurakuqit që nuk i tutej syni para askujt, veç, shtërngonte nofullat e i thonte hasmit: “ JO! Nuk guxoni me prekë këtë tokë se asht e bekueme me gjakun e Atdhetarëve që kanë punue dhe vdekë për Shqipni! Nuk guxoni me luejtë eshtnat e lyeme me Bagmin Shenjtë të Filip Shirokës, Kol Idromenos, Simon Rrotës, Hil Mosit, Kel Marubit, Don Ndre Zadejës, Dr. Federik Shirokës, Dr. Gjon Saraçit, Prenkë Jakovës, të Kakarriqit, Muzhanit, Topallit, Serreqit, Dedejve, Prelejve, Prennushve etj. që janë kenë gurët e thëmelëve të qytetit!”.
50 VJET PERPARA…1967

E dogjën një natë at Kapelë vorrezash të mbetun shkret… e dogjën një natë çatinë nën të cilën ishin Bekue sa e sa Shqiptarë qyshë në rrethimin e Shkodrës, të vramë nga gjylet e malazezëve… me mauzerrët ruse… e dogjën një natë bashkë me tavolinën ku dora e Bekueme e Meshtarëve freskonte Shpirtnat e sa vetëve që nuk vdisnin, por plasnin, se mbas atij muri rrethues të atyne vorrëve ata kishin të tretun nën pleh, pa një shenj tek koka, Loçkat e zemrës të varruem nga plumbat e komunistëve gjaksorë!

E dogjën një natë, se, mendonin se nën atë çati, ruhën vizaret e kulturës kombëtare!

E dogjën një natë, se, mendonin se ashtu bahët pluhun e hi fara e qytetnimit Shqiptar!

E dogjën një natë, se, kujtuen se do të rrëzohën edhe shtyllat, simbol i martirizimit!…
E dogjën një natë ashtu si librat e bibliotekave të Françeskanëve dhe të Jezuitëve!…  

E dogjën një natë ashtu si shkollën ku mësonte Fishta, Harapi, Zadeja, Prennushi, Kurti, Nika…. E dogjën një natë se vrasësit kanë frikë vetëm nga vdekja!

E dogjën një natë se shumë larg u dukej se nëpër zhuri të Zallit të Kirit, përplaseshin tingujt e një kumbone që binte në një anë edhe nën dhé… e do të lajmëronte ringjalljen! E dogjën një natë, por, harruen se, thëmelet e Krishtënimit nuk prishen dhe as nuk digjen!
E dogjën një natë, por, harruen se mbi ato shtylla asht ende tymi i kemit, djegë në Lavdi të Zotit! E dogjën një natë, por harruen fjalët e Meshkallës, se “ka dymijë vjetë që digjni Ungjillin!”
E dogjën një natë, por, harruen se nën atë tokë vlon gjaku i Ded Gjo’ Lulit me shokë!

E dogjën një natë, por, harruen “me djegë” edhe Don Simon Jubanin!

Melbourne, 2017.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Ludovika Zojzi, Vorrat Romaji

MANIFESTIM POETIK NË VLORË

September 23, 2017 by dgreca

23 SHTATORI-MANIFESTIM POETIK NË VLORË PËR NJË BOTË POZITIVISHT NDRYSHE/unnamednga Albert HABAZAJ/4 vloreManifestimi poetik “100000 poetët e botës për ndryshim“ i LNPSHA “PEGASI” Albania- Biblioteka “Nermin Falasci”e Universitetit “Ismail  Qemali “/2 VloreOrganizatorë: Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” ALBANIA, SHOQATA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE “PETRO MARKO” VLORË/

Në mjediset e Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë u zhvillua Manifestimi poetik me një ekspozè me librat e autorëve pjesëmarrës në manifestim, të cilët paraqitën në këtë ekspozitë librat e tyre me objekt: humanizmin njerëzor, paqen universale, përpjekjen e Luftës kundër Luftës, respektimin e të drejtës dhe mirëqenien njerëzore, duke respektuar politika ekonomike ndryshe, për të luftuar varfërinë e tejskajshme, shmangie të krizës ekonomike dhe ekologjike, luftë kundër plagëve të rënda shoqërore, drogës, prostitucionit, trafikimit të qenieve njerëzore, për pasurimin e botës shpirtërore, se bëhemi më të mirë ,më të bukur, më të dobishëm. Mirrnin pjesë poetë të këyre shoqërive letraro-artistike nga Vlora, Himara, Fieri, Mallakastra, Tirana, Gjirokastra, Kosova e Çamëria. Pas regjistrimit në librin e apelimit, kur krijuesit po shikonin veprat e ekspozuara, Grupi “10 shqiponjat e Tërbaçit”, dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” përshëndeti aktivitetin me këngën lirike “Lulja e malit të Çikës”. Fjala hyrëse e manifestimit: “Poetët dhe artistët manifestojnë poetikisht dhe artistikisht sot për një botë pozitivisht ndryshe“ u mbajt nga Albert Habazaj, poet, studiues,  kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë,  koordinator i LNPSHA “PEGASI” Albania për Vlorën, që u përkthye në anglisht nga Aleksandra Shabani. Ky Manifestim fjalëpaqetor u realizua për synimin madhor: “Kontribut në ndryshimin pozitiv të Botës”. Sivjet, në vitin e shtatë të këtij Manifestimi Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë bashkëpunon harmonishëm me Pegasin Internacional ALBANIA me të vetmin objektiv humano-letrar: “Për një frymëmarrje ndryshe në Letërsi dhe Art”. Dhe Vlora ka Fatos Arapin, poetin ndryshe, model për çdo krijues shqiptar dhe europian, se si dhe sa ta lartëson shpirtin, emrin dhe dinjitetin krijimi. Në kuadrin e 30 shtatorit 2017, Ditës së Ndryshimit, në këtë Manifestim poetik të Ndryshimit, shfaqi idetë e mundësitë e konceptimit të ndryshimit dhe nisjen për realizim, Presidenti i LNPSHA”PEGASI” ALBANIA, Kristaq F. Shabani, poet, shkrimtar, studiues, estet, i cili në thelb u shpreh: “Ne shprehim besim se arkitekturimi i ardhmërisë bëhet vetëm nga njerëz të mençur, liderë, të cilët dinë të prijnë dhe të zbatojnë politikën e re të duhur për të ndryshuar në kahjen e duhur pozitive këtë gjendje të amullt të sotme të Botës. Ne pegaistët, kudo ku ndodhemi në 81 shtete të Botës,atje ku shtrihet hapësirisht Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve , Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” ABANIA përkrahim të gjitha masat pozitive, që ndërmerrren sot në Shqipëri, në favor të progresit të saj dhe i stimulojmë ato me paraqitjen e tyre reale në pasurinë tonë kreative”.Thelbin e Parë “Naiviteti të vërtit…, përqëndrimi dhe nisiativa të zjarrmon…“ e mbajti Laureta Petoshati , poete, përkthyese, gazetare. Veprimtaria kishte objektiv ndryshimin dhe vërtet shumë gjëra në takim u bënë ndryshe nga program në funksion të strukturësm, idesë së madhe poetike e qytetare. Fatma Jasimi, në emër të talenteve të reja pruri një poezi të sajën, që e interpretoi vetë, të shoqëruar me muzikë. Na vuri bukur në mendim se ne flasim për të rinjtë, por nuk flasim me të rinjtë. Takimi pati befasira, supriza. Pa patur më të voglin parainformacion, poeti i talententuar vlonjat Xhemil LATO, u vlerësua me diplomën: “NDERI I SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE “PETRO MARKO”. U kap në befasi… Befasi e bukur, poetike, e kaltër, emocionuese. Po kështu i bukur dhe befasues qe propozimi i merituar për shkrimtaren, gazetaren dhe botuesen me dinjitet Enrieta Sina. Përshëndetën shkrimtari dhe kritiku Eqerem Canaj, sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” dhe në vijim krijuesja Nexhi Hasanaj, ardhur enkas nga Anglia. Përsëri Grupi “10 shqiponjat e Tërbaçit” me një këngë polifonike për humanisten Nermin Vlora Falaschi. Në vijim poeti kosovar Rrustem Geci pruri emocione të fuqishme me një poezi për Çamërinë, si dhe me idetë dhe me mesazhet e kumtimit të tij. Liriku Hiqmet Mehmetaj, i mirënjohuri Çlirim Hoxha, fabulisti Luto Memokondi, poeti dhe publicisti i talentuar Theodhori Proko, gazetarët poetë Vangjel Sako e Anila Sula Ahmataj, mësuesi dhe poeti i Dhërmiut Foto Bixhili, poeti lirik Eduard Frakulla, shkrimtarët Astrit Hajdini, Remzi Gjika, Kujtim Lapa, Luan Nazëraj, Serjan Caca, si dhe miqtë e ardhur dhanë idetë dhe mesazhet e tyre për një botë më të mirë. Ëngjël Shametaj, Tetem Alushaj, Vladimir Lulaj, tër tre ardhur nga Fieri, si dhe Ilir Berisha nga Prishtina kumtuan për dritëpërhapjen progresiste në shoqërinë ku dhe ne jetojmë, sepse nuk mund të krijojmë n akuarium, të shkëputur nga shoqëria dhe symbyllur ndaj realitetit. Çdo autor pjesëmarrë intrepretoi një poezi të tij. Në fund të këtij takimi, që vërtet nuk donim të mbaronte, krijuesve iu dha nga një Çertifikatë e thjeshtë pjesëmarrjeje në këtë veprimtari domethënëse. Mbresa shumë të mira la grupi i polifonisë femërore  “10 shqiponjat e Tërbaçit” me një këngë të mrekullueshme për Kosovën. Respekt për artistet popullore vullnetare, nëna me fëmijë e halle, që kontribuojnë me solidaritet të plotë për përmirësimin e shoqërisëm me këngën e tyre, me shpirtin  e tyre, me shembullin e tyre.

Në fund të takimit DEKLARATA UNIVERSALE E MANIFESTIMIT POETIK “100.000 POETËT E BOTËS PËR NDRYSHIM” E LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, lexohet nga Alma Feruni, poete, anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë e LNPSHA “PEGASI” Albania:Ne, poetët, shkrimtarët dhe artistët pegasianë dhe të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, të mbledhur sot më datën 23 Shtator  2017, në një manifestim të madh poetik me një program të detajuar, nëpërmjet formave dhe trajtave të larmishme të fjalës së lirë dhe idesë për një botë ndryshe, mundësojmë: SENSIBILIZIMIN E OPINIONIT PUBLIK, INTELEKTUALËT, HISTORIANËT, ARTISTËT PËR NJË ECJE TË DUHUR PROGRESIVE TË ZHVILLIMIT TË VENDIT NË DREJTIM SHUMËPLANËSH. Këtë ditë shtatori e konsiderojmë “Dita e Ndryshimit” dhe kjo ditë po kthehet tashmë në një ditë, ku poetët, shkrimtarët  dhe artistët po ngrënë zërin e tyre për ndryshim, duke e bashkuar zërin tonë me zërin e poetëve , artistëve të mbi 120 vendeve të Botës…
Ne,  qysh në fillesë,  në vitin 2011, në  këtë manifestim ishim pjësëmarrës dhe iniciues, përkrahëm realisht dhe praktikisht poetët dhe artistët e botës në një “aksion” poetiko-artistik, duke dhënë kontributin tonë madhor me pikësynim: NDRYSHIMIN.
Manifestimi, në këtë përmasë, është një formë e re shprehëse, ku përndriten mendimet dhe pushtetet vendore, qendrore duhet të marrin në konsideratë mendimin poetik dhe artistik të avancuar dhe t’i konsiderojnë krijuesit e vendit si ideues, produktorë idesh dhe protagonistë në përshpejtimin e zhvillimit të vendit në drejtim shumëplanësh.
Ne kemi konstatuar në përditshmërinë, në vitet, që kalojnë se, Bota është futur në një krizë të rëndë ekonomike me pasoja të rënda në jetën njerëzore, rënie të nivelit jetik, deri në ekstremitete të milionave njerëzve, që kanë varfëri ekstreme, si rrjedhojë e prezencës korruptive dhe politikave jo efiçente, që ndiqen, në favor të disave dhe jo shumicës, e cila shihet me syrin e njerkës, gjoja, duke e stimuluar dhe impulsuar me formatin demokratik; mosdhënie parësi inteligjencës, inteligjentes dhe erudivitetit, profesionalizmit, duke mëshuar e impulsuar militantizmin, përdorimin e nepotizmit, nëpërkëmbjes të kreaturës të brezave të mëparshëm dhe nënvleftësimit të tyre; shkollimit me metoda të theksuara korruptive në shkollat ekzistuese të të gjithë rangjeve e deri në marrje diplomash false; akaparim të pasurive nga persona pa të drejtë, pronësimit dhe krijimit të “feudëve të tokave” , nëpërmjet përfitimit të paligjshëm, e realizuar po nëpërmjet ligjeve dhe vendimeve të ligjëruara vetë për përftesë; “pushtimit”, shitjes anormale dhe nxjerrjes në ankand të pasurive dhe vlerave kombëtare, shpërdorimit të tyre, shitje të këtyre pronave njerëzve, të cilët nuk janë të devotshëm dhe perspektivë; ngrirje e akullzim të inteligjencës, mendimit shkencor akademik dhe mos këshillimit me të, për të ecur në rrugën progresive të qartë… Kjo është një praktikë-fenomen i përbotshëm. Ndaj në këtë kontekst, duke parë dhe shpërdorime të mejdisit, amoralitetit dhe moshyrjes së vendit në BE, ëndërr e kahershme e shqiptarëve, të cilët po tronditen nga ky tranzicion i stërgjatë, pasi hyrja e vendit në të do të rrisë kontrollin e “peripecive” negative, ndërmorëm këtë manifestim poetik, duke protestuar me formë poetike dhe artistike paqshëm e duke dhënë shembull në drejtim të protestimit.. Ky është mendimi i përparuar poetik , i thellë, paqësisht dhe fjalësisht i demonstruar.

Gjithashtu, duke parë se është ulur “efekti” i paqes universale, rritja e diskriminimit dhe tensionimit, bota vuan, 1000000 Poetët dhe Artistët e Botës manifestojnë poetikisht, paqësisht për të treguar rrugën e ndirçuar, pasi ata janë profetët e avancuar të saj, parashikuesit “horoskopikë “ të së ardhmes.
Përse manifestuam me kreaturën tonë të larmishme dhe e kthyem manifestimin tonë në një shembull, sesi mund të shkëmbehen idetë:

  1. Për një vend që t’i shfrytëzohen në të mirë të popullsisë së tij të gjitha potencialet dhe burimet që posedon.
  2. Për një politikë dhe diplomaci aktive barazie në formatin demokratik dhe duke vënë në krye njerëz të ditur, të përzgjedhur, në të gjitha fushat
    3. Për një një sistem demokratik real në përmbajtje dhe jo në formë.
    4. Për dëgjimin e zërit intelektual, zërit të lirë demonstrues në kreaturë, media e tjerë, duke i dhënë parësi këtij mendimi aktiv dhe të thelluar që veç gjeneron ardhmërinë dhe ndryshimin.
  3. Për përvetësimin elemenetëve për një paqe universale njerëzore (poetët dhe artistët, në këtë kontekst e kanë treguar veten se çfarë mund të bëjnë).
    6. Për rritjen e frymës së dashurisë ndaj njeriut dhe për të ninimizuar efektin eliminimit të tij të kundërligjshëm, nëpërmjet luftrave të drejtpërdrejta dhe të ftohta, duke e konsideruar njeriun një qenie, që ka të drejtë ta jetojë jetën pa privacione, kërcënime, dhunë dhe me një nivel jetik të mirë, duke respektuar të gjitha të drejtat e tij njerëzore e universale.
  4. Për një humanizëm dhe vëllazërim universal normativ në përmbajtje dhe në formë.
    8. Për minimizim të produkteve negative të sistemit: drogimin, prostitucionin, shitjen dhe kremastimin e mishit të bardhë, nëpërkëmbjen e normave më elementare të të drejtave të njeriut.
  5. Për krijimin e raporteve të drejta njerëzore dhe për respektimin e gjinive, duke çmontuar elementët tabu, regresivë…
  6. Për krijimin dhe pasurimin e platformave të organizmit, drejtimit dhe realizimit, duke respektuar të drejtave e shteteve, paçka nga madhësia e tyre territoriale dhe popullsia.
  7. Ne shprehim besim se arkitekturimi i ardhmërisë bëhet vetëm nga njerëz të mençur, liderë, të cilët dinë të prijnë dhe të zbatojnë politikën e re të duhur për të ndryshuar në kahjen e duhur pozitive këtë gjendje të amullt të sotme të Botës.
    Ne pegaistët, kudo ku ndodhemi në 81 shtete të Botës,atje ku shtrihet hapësirisht Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve , Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” ABANIA përkrahim të gjitha masat pozitive, që ndërmerrren sot në Shqipëri, në favor të progresit të saj dhe i stimulojmë ato me paraqitjen e tyre reale në pasurinë tonë kreative.

Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi“ Albania  dhe  SHOQATA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE “PETRO MARKO” VLORË përkrah, inicion, mbështet çdo lëvizje përmastive, e cila ka synim zhvillimin, ndryshimin dhe lidhet me ardhmërinë e ëndërruar.
Grupi përgjegjës i veprimtarisë:

Albert Habazaj

Enrieta Sina

Laureta Petoshati

Aleksandra Shabani

Elda Dilo

Alma Feruni

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, manifested poetik, Vlore

Denimi i Simboleve të komunizmit

September 23, 2017 by dgreca

Enkelejd Alibeaj: nisma e PD, kush i mban dënohet penalisht…/PEza Enveri1 enkelejd Alibeaj

Nisma e Partisë Demokratike për ndalimin e simboleve të diktaturës komuniste nuk është parashikuar si një ligj i veçantë, por si ndryshime në Kodin Penal që dënojnë çdokënd që i përdor ato.
Enkelejd Alibeaj, i cili drejton këtë proçes, tregon përse do t’i shërbejë shoqërisë shqiptare kjo nismë e Partisë Demokratike. “Që të bëjë minimalisht një pastrim, një purifikim të memories së vetë sociale, sigurisht me qëllimin parësor të ndëshkimit të atij sistemi dhe së dyti, më e rëndësishme, është për të mos u përsëritur në të ardhmen”, deklaron Alibeaj për TCH. Alibeaj, i cili ka vuajtur edhe vetë persekutimin komunist, e ka të thjeshtë të japë shembuj të ngjashëm me nismën e Partisë Demokratike.

“Jo më larg se 2-3 muaj më parë Italia ka miratuar ligje që ndalojnë përdorimin e simbolizmit të sistemit nazi-fashist”, thotë Alibeaj.

Për të patur një iniciativë sa më të plotë, demokratët do të bashkëpunojnë me gjermanët, të cilët kanë praktikë shumëvjeçare jo vetëm në ndalimin e simboleve, por edhe në dënimin e krimeve të nazizmit.
Një mekanizëm të ngjashëm synon të ndërtojë edhe Partia Demokratike, bazuar mbi përcaktimet ligjore për torturën, genocidin dhe krimet kundër njerëzimit.

“Nëse kemi fakte, nëse kemi të dhëna, nëse kemi viktima ende gjallë dhe dëshmi të gjalla të atij sistemi, të cilat përbëjnë vepra penale sipas atyre që ekzistojnë sot në Kodin Penal, mirë është që mekanizmi i procedimit penal të vihet në jetë”, nënvizon Alibeaj.
Për këtë mekanizëm nuk ka ende nje propozim, megjithëse një ide është që mbledhjen e fakteve ta kryesojë Autoriteti për Hapjen e Dosjeve. Por nisma nuk ka garantuar ende edhe diçka shumë të rëndësishme: konsensusin e Partisë Socialiste, pa të cilin nuk mund të kalojë asnjë ligj në Parlament. “Nuk i futem faktit nese do të japin apo jo votat. Ne do të luftojmë me argumentin. Kjo është një ndarje midis së shkuarës dhe së ardhmes së këtij vendi. Do të provojmë nëse kjo shoqëri, nëse politika shqiptare ka ende moralin për një gjë që e kanë vuajtur të gjithë në atë kohë dhe jo vetëm një pjesë, me thënë të drejtën. Kjo është sfida”, shton Alibeaj.

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Enkeled Alibeaj, simbolet e komunizmit

NJE THIRRJE SHQIPTARE PER TE VOTUAR KANCELAREN MERKEL

September 23, 2017 by dgreca

Nue 3Thirrje për të gjithë shqiptarët anë e kënd trojeve etnike që jetojnë në Gjermani/

Angela

Nga Mr.sc.Nue Oroshi- Deputet i Asamblesë Komunale ne Kiel të Gjermanisë/

Përgjegjes i politikave të migrimit, pran grupit të këshilltarve te CDU në Kiel të Gjermanis./

Të nderuar shqiptarë dhe shqiptare/

Ju që një pjesë të jetës suaj e keni kaluar në Gjermani, dhe jeni pritur në mënyrë të shkëlqyeshme nga shteti Gjerman duke ju përkrahur në forma të ndryshme në momente më të vështira të jetës suaj, ku e gjetët mikpritjen strehimin, perkujdesjen shëndetsore, dhe çdo të mirë që ofron ligji në fuqi i shtetit më të fuqishëm në Evropë Gjermanisë

Ju që sot falë ekonomisë së këtij shteti jeni integruar në mënyrën më të mirë të mundshme në Gjermani duke hapur firmat e juaja private, restorantët dhe biznese të tjëra, që falë punës dhe angazhimeve tuaja dhe mundësive që ju ka siguruar shteti i Gjermanisë keni pasur mundësinë që të ndimoni familjet tuaja jo vetëm në Gjermani por edhe anë e kend trojeve shqiptare.

Ju që falë sistemit të lartë të shkollimit fëmijët tuaj janë duke na ndritur fytyrën duke përfunduar studimet në shumë lëmi të ndryshme, ku gëzon fakti se tash femijët tanë në Gjermani i kemi student, jurist, profesor, mjek, arkitekt, politolog, psikolog, ekonomist, dhe shumë profesione tjera.

Ju ftojë që të dielen në mënyrë masive të dilni ne Zgjedhje dhe familjarisht pa lanë asni antarë të familjës në shtëpi, të dilni dhe ta votoni koalicionin CDU-CSU dhe Dr.Angela Merkelin. Secili nga ju ka të drejtën e dhënjes së dy votave njërën për Dr.Angela Merkeli dhe CDU, ndërsa tjetrën për kandidatin për Deputet të CDU-së në qytetin prej nga vini. CDU është e vetmja Parti në Gjermani e cila në mënyrë të organizuar i ka hapur dyert për komunitetin shqiptarë në Gjermani ku tashë të gjithë shqiptarët që janë të interesuarë të bëjnë politikë në Gjermani janë inkuadruarë në CDU dhe e kanë gjetur ngrohtësinë dhe përkrahje maksimale.

Ju ftoj të gjithëve që mos të bini pre e politikave agresive dhe thirrjeve Erdoganiste që bën Erdogani në Turqi dhe Erdoganisteve shqiptar, në Shqiperi,  Kosovë dhe vise tjera etnike shqiptare, për të mosë e votuar CDU-në dhe Dr.Angela Merkelin.

Njëherit ju bëj me dije se dr.Angela Merkeli edhe katër vite do te jetë shefe e Qeverisë së Gjermanisë sepse për këtë do të vendos populli gjerman per ket flasin të gjitha sondazhet e bera deri më tani.

Si Shqiptari i parë i inkuadruar në CDU tashë e dymbëdhjetë vjetë më parë dhe si Deputet i Asamblesë së Qytetit të Kielit të Gjermanisë me 250.000 banorë tash e katër vjet dhe pergjegjës kryesorë për politikat e të huajve në kuadër të Grupit Parlamentare të CDU në Kiel të Gjermanisë ju bëj me dije se dr.Angela Merkel, dhe kryesia e CDU-së në Gjermani është e përkushtuar jashtzakonishtë shumë që ta ndimoj çështjen shqiptare.

Për fund leni anash për një orë të gjitha punët që i keni dhe dilni e votoni.

I juaj Mr.sc.Nue Oroshi Deputet i Asamblesë Komunale ne Kiel të Gjermanisë

Përgjegjes i politikave të migrimit, pran grupit të këshilltarve te CDU në Kiel të Gjermanis.

Filed Under: Komente Tagged With: Nua Oroshi, thirrje shqiptareve, Votoni Merkel

Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve

September 23, 2017 by dgreca

 NGA SARANDA XHEKAJ/

Të shtunën dhe të dielën, më 23 – 24 shtator 2017, do të mbahet në Prishtinë Konferenca Ndërkombëtare me temën “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve”.Dita e parë e Konferencës fillon punimet në orën 15:00 dhe do të mbahet në sallën 506 të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në ditën e dytë, të dielën, punimet fillojnë në orën 9:00 në ambientet e Hotelit “Nartel”. Pjesëmarrës në konferencë do të jenë burrështetas, parlamentarë, përfaqësues të shoqërisë civile nga Ballkani dhe Evropa. Ata do të sjellin përvojën dhe dijen e tyre në kërkim të zgjidhjeve për problemet kritike të botës, duke nisur nga qeverisja e mirë, ekstremizmi i dhunshëm, konfliktet etnike dhe deri tek mbrojtja e mjedisit. Nga kjo konferencë do të lansohet Iniciativa e Parlamentarëve për Paqe në nivel të rajonit të Ballkanit.Në konferencë do të trajtohen temat: Trashëgimia e përbashkët kulturore si një bazë e përbashkët për paqen dhe stabilitetin në ballkan; Diplomacia ndërparlamentare dhe bashkëpunimi rajonal; Forcimi i familjes, thelbi i trashëgimisë kulturore të Ballkanit; Ndërtimi i një mjedisi me prosperitet të përbashkët për gjeneratat e ardhshme.Konferenca sponsorizohet nga Federata për Paqe Universale (FPU), e cila ka një status të veçantë konsultativ në Komitetin Ekonomik dhe Social të OKB, në partneritet me Shoqatën Ndërkombëtare të Parlamentarëve për Paqe (SHNPP), e cila ka për qëllim krijimin e një forumi për parlamentarët përtej kombësive, identiteteve fetare ose përkatësive partiake.

Agjenda:  

E shtunë, 23 shtator

Koha:   15:00

 Vendi:   Salla 506, Kuvendi i Kosovës

15:00 Seanca I: Trashëgimia kulturore e përbashkët, një Bazë e Përbashkët për Paqen dhe Stabilitetin në Ballkan

 MC:  Jack Corley – Kryetar, FPU Eurasia

 Fjalë pëshëndetëse

Thomas Walsh, Kryetar, FPU International

Folësit

Alfred Moisiu, Presidenti i Shqipërisë(2002 – 2007)

Stjepan Mesić, Presidenti i Kroacisë (2000 – 2010)

Fatmir Sejdiu, Presidenti i Kosovës (2006 – 2010)

Walther Lichem, ish Drejtor, Departamenti i Organizatave Ndërkombëtare, Ministria e Jashtme Austriake 

17:30 Seanca II: Diplomacia Interparlamentare dhe Bashkëpunimi Rajonal: Parlamentarët për Iniciativën e Paqes

MC:  Jacques Marion, Zëvendëspresident, FPU Evropë

 Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit, Republika e Kosovës (2008 – 2014)

Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit, Republika e Maqedonisë

Vladimir Petrovsky, ekspert, Këshilli i Çështjeve Ndërkombëtare Ruse

Slobodan Petroviq, deputet i Kuvendit, Republika e Kosovës

Dashamir Shehi, deputet i Parlamentit, Shqipëri

E diel, 24 shtator

Koha:   9:00

 Vendi:   Hoteli “Nartel”

09:00 Seanca III – Forcimi i familjes, thelbi i trashëgimisë kulturore të Ballkanit

MC:  Giuseppe Cali – President i Federatës për Paqe Universale, Itali

 Saemira Pino, ish-zëvendësministre e Arsimit, Shqipëri

Carolyn Handschin, drejtor, Zyrat e Kombeve të Bashkuara të Federatës së Grave për Paqe Botërore

Daut Demaku – Themelues i të menduarit pozitiv në Kosovë dhe nënkryetari i FPU në Kosovë

Jack Corley, Kryetar, FPU Eurasia

11:00 Seanca IV – Ndërtimi i një mjedisi të prosperitetit të përbashkët për gjeneratat e ardhshme

MC: Ali Lacej – Koordinator i Këshillit për Paqe në Shqipëri

 Ismajl Kurteshi, aAnëtar i Parlamentit të Kosovës

Sead Sahman, anëtar i Parlamentit – Mali i Zi

Anita Mitic, kryetare, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Serbi

Gani Rroshi, Sekretar i Përgjithshëm, FPU Shqipëri

Ceremonia përmbyllëse

 Fjalë përmbyllëse

Emërimi i Ambasadorëve të Paqes

Filed Under: Kronike Tagged With: - Roli i Parlamentarëve, Kultura dhe Paqja në Ballkan, Saranda XHEKAJ

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1780
  • 1781
  • 1782
  • 1783
  • 1784
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT