• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pritet ndërhyrja e Presidentit

August 8, 2017 by dgreca

epa05792927 President of the Republic of Kosovo Hashim Thaci during his meeting with Norwegian Minister of Foreign Affairs Brende Borge (not pictured) in Pristina, Kosovo, 14 February 2017. Borge is one-day official visit to Kosovo.  EPA/VALDRIN XHEMAJ

Përveç një takimi këshillues që është caktuar për të mërkurën dhe caktimit të datës për vazhdimin e seancës më 10 gusht, nuk është parë ndonjë iniciativë tjetër nga askush, për të gjetur zgjidhje për zhbllokimin e krijimit të institucioneve.Deri sa vazhdojnë mosmarrëveshjet mes partive politike, që nuk bien dakord të zgjedhin kryetarin e ri të organit ligjvënës, analistët politikë mendojnë se Presidenti i vendit është ai i cili duhet të marrë nismën për gjetjen e një zgjidhjeje.Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se pozicionimi dhe qëndrimet e partive politike rreth gjendjes së tanishme, nuk japin shpresa se mund të arrihet një konsensus politik për tejkalimin e situatës.Ai mendon se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të thërras drejtuesit e partive politike dhe të mos humbet kohë.”Në kushte normal do të duhej të ishte Presidenti sepse edhe me Kushtetutë ai e ka detyrën e sigurimit të mbarëvajtjes së shtetit kur kemi kriza të tilla. Po duke pas parasysh që zoti Thaçi vjen nga subjekt politik partiak, në këtë rast PDK-ja, kam dyshimin që partitë tjera të cilat e kundërshtojnë PDK-në nuk e kanë besimin të zoti Thaçi, i cili do të mund të luajë një rol neutral në këtë rast për tejkalim nga kriza“, tha Ibrahimi.

Megjithatë, ai thotë se partitë politike duhet ta dinë se në sistemin parlamentar dhe zgjedhor të cilin e ka Kosova, pa një kompromis nuk mund të shkohet përpara, marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve.Ibrahimi ndërkaq shprehet se në rast se nuk do të ketë zgjidhje të problemeve, mund të ketë edhe ndërhyrje të faktorit ndërkombëtar.

“Duke u nisur nga kjo, mbetet që faktori ndërkombëtar të mund të luajë një rol, mirëpo kemi parë që edhe faktori ndërkombëtar në katër pesë vitet e fundit nuk ka pasur apetit për tu kyçur në situata të tilla. Pra, u mbetet fatkeqësisht, në fund të fundit, partive politike që të mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të tejkalohet kjo. Apo ndoshta të shkohet edhe në zgjedhje, por prapë nuk mendoj se zgjedhjet do të sjellin një rezultat që do të lehtësonte formimin e institucioneve. Pra, është një situatë ku pa u arritur një lloj kompromisi mes partive politike nuk shoh se si mund të dilet nga kjo gjendje“, tha Ibrahimi.

Analisti tjetër politik, Shkëlzen Maliqi, thotë se nga ajo që shihet në Kuvendin e Kosovës, bllokues të proceseve janë të gjitha partitë politike, derisa vendosin kushte dhe nuk lëshojnë pe.Maliqi tha për Radion Evropa e Lirë, se meqenëse ka vonesa e bllokime në formimin e institucioneve të reja, duhet të ketë dialog ndërmjet partive politike.Edhe ai mendon se për të mos hyrë në një krizë të thellë politike, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet t’i ftojë partitë politike për të biseduar.”Iniciativën duhet ta marrë ndoshta Presidenti, që të zhvillojë konsultime dhe ta përshpejtojë procesin, sepse nuk ka më kuptim të vonohen ose të kushtëzohen këto dy procese [konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë]“, vlerëson Maliqi.

Derisa e përjashton mundësinë e zgjedhjeve si një opsion për të dalë nga kjo gjendje, analisti Maliqi thotë se tani edhe mund të ndodhë që koalicionet parazgjedhore të mos jenë ashtu siç kanë qenë deri më tash.

“Është edhe një mundësi tjetër që të shpartallohen këto konfiguracionet parazgjedhore, të kemi një lëvizje të lirë që disa subjekte të ndahen prej koalicioneve paraprake dhe të negociojnë ndërmjet vete, ndoshta mundet që ndonjë konfiguracion tjetër të japë ose ta bëjë Qeverinë“, konsideron Maliqi.

Brenda pak vitesh në Kosovë janë duke u përsëritur krizat të ngjashme politike dhe vonesa rreth krijimit të institucioneve të reja pas mbajtjes se zgjedhjeve.

Analistët thonë se kjo tregon që Kosova si shtet ende nuk po mund të dëshmojë se mund të bëj veprime të rëndësishme për vete.

Edhe qytetarët mendojnë se për të dalë nga kjo situatë duhet të ketë marrëveshje ndërmjet vet partive politike që kanë fituar të drejtën për të qene pjesë e Kuvendi të Kosovës.

Qazim Imer nga Prishtina, i cila ka punuar në Fakultetin e Bujqësisë, mendon se duhet të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kriza rreth krijimit të institucioneve të reja.

“Më e mira është që forcat politike të merren vesh, mirëpo ne shqiptarët të tillë jemi, nuk lëshojmë pe. Mendoj se përsëri do të ulen do të bisedojnë dhe do të gjejnë ndonjë zgjidhje se çdo hap tjetër na çon kah e keqja. Nëse nuk lëshon pe askush, duhet të shkohet në zgjedhje të lira. Edhe Presidenti është i përfshirë në këto gjëra, qoftë direkt ose indirekt. Ka elemente që është involvuar direkt“, tha Imeri.

Kurse, Besa Hoxha thotë se një zgjidhje shumë e mirë do të ishte ndryshimi i udhëheqësve politikë në vend.

“Një zgjidhje është që të gjithë komplet këta të japin dorëheqje dhe të vijë një strukturë tjetër. Kurse, Presidenti është fajtori kryesor“, tha shkurt Hoxha.

Pas pothuajse dy muajsh që prej mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Kuvendi më 3 gusht nisi seancën konstituive. Në mungesë të deputetëve të koalicionit PAN është shtyrë konstituimi i Kuvendit, pasi në seance nuk janë paraqitur deputetët e këtij koalicioni.(Kortezi Arton Konushevci, RFL)

Filed Under: Politike Tagged With: kosovo, Presidenti Thaçi, privet nderhyrja

Nju Jork: Identifikohet një viktimë e sulmeve të 11 shtatorit

August 8, 2017 by dgreca

Ekzaminuesit mjekësor në Nju Jork, kanë thënë se emri i viktimës nuk është publikuar për shkak të kërkesës familjare./
1 viktime 11 shtatoriNe Foto: Pamje të memorialit, i cili i është kushtuar viktimave nga sulmet e 11 shtatorit në Nju Jork/

Nju York, 8 Gusht 2017/ Janë identifikuar mbetjet e një viktime nga sulmi i 11 shtatorit të vitit 2001, në Nju Jork, pas gati 16 vitesh prej kur Al-Kaida kreu sulmin terrorist në Shtetet e Bashkuara.

Ky është identifikimi i parë i një viktime të 11 shtatorit, prej marsit të 2015-tës.

Ekzaminuesit mjekësor në Nju Jork, kanë thënë se emri i viktimës nuk është publikuar për shkak të kërkesës familjare.

Ata po ashtu kanë thënë se janë duke përdorur testet e ADN-së, gjatë përpjekjeve për të identifikuar viktimat tjera.

Sipas tyre 1,641 viktima janë identifikuar deri më tash, derisa autoritetet besojnë se avancimi i teknologjisë ka ndihmuar në përshpejtimin dhe lehtësimin e këtij procesi.

Nga sulmet terroriste të 11 shtatorit në SHBA, kanë vdekur afër 3,000 persona.

Filed Under: Featured Tagged With: 11 shtatorit, Identifikohet, nje nga viktimat

Dy të këqija në një kërthizë kundër shqiptarisë!

August 8, 2017 by dgreca

1-Kaltrina-Ventimiglia-150x150Nga Kaltrina HOTI/

Ne tani por edhe në të kaluarën merremi me pasojat dhe jo me shkaqet që i krijuan ato. Çdo të keqeje po nuk i dole në kohë përpara dhe t’ia ndalosh hovin ajo edhe pse duket e vogël gjëmën e ka të madhe. Të lejosh që gjithkush të merret me vlerat tona kombëtare është mungesë ligji, mosrespektim i shtetit, nënçmim i kombit, gjuhës, traditës, kulturës etj.., andaj është koha që çdo kush të bëjë punën e vetë atje ku punon dhe frymon. Është koha që t’i thuhet stop atyre që krijon përçarje dhe urrejtje kombëtare. Është koha që ligji të flas dhe jo rruga me fjalën e huaj.  Është koha të pastrojmë oborret tona. E them oborret se kemi dy shtete që të dyja lëngojnë nga sëmundjet e mosfunksionimit të institucioneve. Dihet botërisht se  asnjë shtet nuk lejon që t’i përdhoset baza mbi gjakun e të cilit ka hedhur themelet liria. Liria që ka çmimin më të lartë, kërkon institucione që nga foshnjoret dhe deri tek akademitë. Lumi pa shtrat bënë dëme të mëdha. Përse këto shtete sillen sikur nuk kanë ligje. Mbi bazën e cilës filozofi të kombeve shpifin dy kombe, me çka e dëshmojnë këtë?! Me cilën gjuhë merren vesh ata të kombit “kosovar”, me cilin alfabet, cilat simbole, po psikologjia… historia. Përse këta të rekrutuar bëjnë punën e Beogradit, Athinës e Ankarasë dhe nuk i gjen asgjë?! Shteti që lejon veprime të tilla, idetë e të cilave krijojnë urrejtje në mesin tonë, bile iu jep hapësirë edhe në mjetet i informimit duket se nuk ka të bëjë me një të ardhme të qëndrueshme. Kjo marrëzi shfaqet kur ne duhet seriozisht të mendojmë për një shtet, një shtet që bashkon resurset tona natyrore, intelektuale e ekonomike. Mu këtu na godet armiku që të bëhemi kafshatë e lehtë për të na gllabëruar. Një hije tjetër e lëshuar nga dora injorante është edhe fantazimi fetar, që dita ditës po e fut thikën në mesin tonë. Kjo shëmti në emër të Zotit haptas bënë kërdi duke u fut edhe në sistemin arsimor. Kjo kategori njerëzish dikur shtireshin si shqiptar, ndërsa tash deklarohen si mysliman (shpikje titiste) dhe mohojnë indin tonë. Pasi u trashën fortë dhe gjetën terren të përshtatshëm fyejnë e shajnë fytyrat tona kombëtare duke krijuar panik e urrejtje në mesin tonë. T’i drejtohesh Zotit në gjuhë të huaj do të thotë ta mohosh gjuhën e vetë Zotit. Për të dyja këto kategori të shëmtuara që janë lidhur në një kërthizë kundër shqiptarisë do sjell një thënie të një akademiku francezë.  Maurico Druon, sekretar i Akademisë frënge thotë: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se vet historia, dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojës, të udhëhequr nga Akili (në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)”. Është koha që në një tryezë t’i themi njëri tjetrit “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dy të këqija, Kaltrina Hoti, kundër shqiptarisë!

ARSHI PIPA DHE VEPRA E TIJ MADHORE, NDERIM TË PËRJETSHËM

August 8, 2017 by dgreca

NGA SHPENDI TOPOLLAJ/

4arshi pipa In memoriam/Kaluan 20 vjet nga vdekja e profesor Arshi Pipës, njërit nga tre disidentët më të shquar të ish vendeve komuniste, sikurse e kanë cilësuar. Intelektual me profil të spikatura atdhetar, ai ishte kundërshtari më i madh ndaj ç`do diktature në përgjithësi dhe asaj komuniste në veçanti. Nuk e kishte vetëm nga librat urrejtjen për atë sistem gjakatar, por e kishte provuar hakmarrjen barbare të tij mbi kurrizin e tij dhe të familjes së tij. Bir i një juristi me ide përparimtare nga Libohova për të cilat kishte kryer edhe burgimin, vendlindja e tij qe Shkodra, qyteti me kulturën e njohur dhe prirjet më evropiane e demokratike i Shqipërisë. Shkollën fillore dhe atë të mesmen, Arshiu i kreu pranë Kuvendit Jezuit, ku dhe dolën në pah prirjet e tij letrare qysh kur ishte 16 vjeç. Studimet e mëtejshme i vazhdon në Firencen e historisë dhe artit magjik, ku pasi përfundon Universitetin, laureohet doktor në Filizofi. I mahnitur pas “Komedisë Hyjnore” të Dante Aligierit dhe lirikave të tij novatore, si dhe nga vepra e poetit dhe historianit Francesco Petrarca, ai përvetëson disa gjuhë të huaja dhe bëhet adhurues i holandezit me origjinë hebreje Baruch Spinoza, Berklit etj. Por krahas admirimit për gjithçka të mirë kishte trashëguar Italia, ai kuptoi shpejt se ku donte ta shpinte atë doktrina fashiste të cilën e urren dhe e lufton së bashku me vëllanë e tij, avokatin me emër Myzafer Pipa. Pas çlirimit të vendit, ai gjithashtu kupton demagogjinë e sistemit që partia komuniste me Enver Hoxhën në krye po instalonin në atdheun e tij dhe nuk e fsheh mospajtimin me të, gjersa në vitin 1946 e arrestojnë së bashku me të vëllanë i cili pak më parë kishte qenë i internuar nga fashistët në Ventotene dhe më pas në Prishtinë nga nazistët gjermanë. Krimi i këtij të fundit kishte qenë se duke kryer detyrën e tij si avokat, ai kishte marrë përsipër mbrojtjen në gjyqin special të “armiqve të popullit”, pjesëmarrës në grupin e deputetëve. Në pohimet e Koçi Xoxes e Vaskë Kolecit, kur u erdhi vetë radha për të dalë në gjyq, deklarohen torturat çnjerëzore që u përdorën ndaj tij derisa vdiq. Arshiun 26 vjeçar e dënojnë me 11 vjet burgim. Në burg, Arshiu shkruan poezi plot brengë e dhimbje në letra cigaresh dhe i nxjerr ato me anën e rojes së burgut, njeriut të ndershëm Hasan Gjozaj të cilit i mbetet mirënjohës, për t`ua dhënë motrave të cilat përjetuan gjithashtu egërsinë e regjimit. Koha e vuajtjes së dënimit në kënetën famëkeqe të Maliqit, torturat dhe mizoritë që ai pa dhe provoi atje, janë përshkruar me art dantesk te “Libri (i tij) i burgut”. Ja si shkruan ai këtu: “ Na shkulin thonjt me danë, ndër plagët krypë, / na këllasin e na shtyjnë / n`gërmaz me grushta, e uj kur bajm me lypë / qeshin e na pështyjnë. / na lagin dimnit qelat, elektrikun / na venë ndër veshë e gojë, / e deri ndër turpe… E qeshin tue na fikun cigaret n`sy për lojë.” Si mbaron afati i dënimit, dhe sheh se për të nuk ka asnjë perspektivë, Arshiu gjen mundësinë dhe në vitin 1958 largohet nga Shqipëria dhe përfundon në SH.B. Amerikës, vend ku demokracia krijonte mundësi të reja. Këtu, ai pas përpjekjeve të pareshtura, caktohet për të dhënë mësim në Kolegjin e Arkansasit si profesor i filozofisë dhe pastaj në Universitetin e Minasotes ku jep lëndën e tij të preferuar, atë të letërsisë italiane. Bie në sy erudicioni i tij i jashtëzakonshëm në disa fusha si gjuhësi, letërsi, filozofi, sociologji, publicistikë etj. dhe në këto vite shkruan e boton veç librit të sipërpërmendur edhe një mori veprash të tjera që e bënë mjaft të njohur si “Lundërtarë”, “Rusha”, “Meridiana”, “Kritika letrare”, “Montale dhe Dante”, “Jeronim De Rada”, “Letërsia shqipe: perspektiva sociale”, “Letërsia bashkëkohore shqiptare”, “Vargu popullor shqiptar”, “Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste”, “Shqipëria staliniste. Aspekte ideopolitike”, “Studime mbi Kosovën”, “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare”, “Fan Noli si një nga figurat kombëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare”, “Humanistët italo – shqiptarë”, libri i shkruar në burg qysh në 1955 “Skica e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun” (italisht) etj. I palodhur, si studiues dhe polemist i pakompromis, ai ka marrë pjesë aktive në shumë simpoziume e takime shkencore, dhe ka botuar një sërë artikujsh me shumë vlerë në revista të ndryshme si në Amerikë ashtu edhe në Evropë. I djegur nga malli e dashuria për atdheun e tij, me përmbysjen e komunizmit, Arshiu , tani i renditur krahas Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, erdhi në Shqipëri, ku pa se ëndrra e tij ishte bërë realitet. U çmall me njerëzit e tij të dashur, motrat e tij të shtrenjta, Bukurushin, Nedretin dhe burrat e tyre, intelektualë të mrekullueshëm, të ndjerët shkrimtarë Bardhyl Shehu dhe Uran Kalakulla i cili kishte kaluar plot 21 vjet në burgferrin shqiptar të asaj kohe së bashku me të respektuarin demokrat Pjetër Arbnorin.  Në moshën 77 vjeçare profesor Arshi Pipa, tani i vlerësuar në vendin e tij, ndërron jetë në Washigton. Besimi i tij te demokracija, neveria e hapur ndaj diktaturës, urretja për barbarinë komuniste, guximi qytetar për t`i shprehur bindjet e veta, karaktei i tij i pathyer, mosnjohja e asnjë kompromisi me të keqen, etja e pashuar për dije, vullnet për të krijuar sa më shumë, dashuria për vendin e tij,  ishin tiparet kryesore të këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Nuk e di në ç`rrethana filozofi materialist anglez Tomas Hobsi të cilin dua të besoj se vetë ai nuk do ta ketë pasur dhe aq për zemër, pati thënë se “Çdo njeri është i rëndësishëm pasi vdes”, por di se vepra e tij shumëplanëshe dhe përherë në shërbim të kulturës tonë, e bënë Arshi Pipën jo vetëm të rëndësishëm, por edhe të pavdekshëm. Se fjala dhe mendimi i tij, nuk lindën thjesht nga talenti, por edhe pse, sikurse thotë vetë: “Ndër gropa burgjesh shkrye për gurë e baltë; / mbërthye qelash ndër pranga, / nga gjoksi i shtypun shungullon ma e naltë / kur del prej s`thelli kanga.” Se ai gjithmonë ka pasur bindjen e Tomas Fulerit se “E sotmja është nxënësja e të djeshmes.”

Filed Under: Politike Tagged With: Arshi Pipa, DHE VEPRA E TIJ MADHORE, NDERIM TË PËRJETSHËM, Shpend Topallaj

“Atdheu im-Shqipëria”, libri më i ri i autorit Anton Çefa

August 7, 2017 by dgreca

Në këtë kohë të tranzicionit të zgjatur, ku Atdheu trajtohet si pronë e klaneve, kriminelëve, mafiozëve, kur atdheu shahet e fyhet mbarë e mbrapsht, kur Shqipëria ka mbetë peng e politikanëve, intelektuali, poeti, studiuesi, gazetari Anton Çefa, apelon me këtë libër, se Shqipërinë duhet ta duam./

Anton Libri ok

Poeti dhe studiuesi Anton Çefa ka sjellë librin e  tij më fundit të titulluar”Atdheu im-Shqipëria”.Autori shkruan në hyrje se:”Këtë vepër ia kushtoj popullit tim, që është karakterizuar gjithnjë nga një ideal i pashuar lirie, i ka dhënë jetës një kuptim epiko – heroik, ka ushqyer një ndjenjë të fuqishme dashurie për atdheun, dhe, edhe në rrethana historike të vështira, nuk i është nënshtruar kurrë të huajit.”

Në këtë kohë të tranzicionit të zgjatur, ku Shqipëria, ka mbetë peng e politikanëve, intelektuali, poeti, studiuesi, gazetari Anton Çefa, apelon me këtë libër, se Shqipërinë duhet ta duam.

Ashtu siç bënin dikur rilindasit e shquar, që evokonin kohën heroike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut për të zgjuar popullin, Çefa, përcjell mesazhin se: Shqipërinë duhet ta duam e të ndjehemi krenarë për të. Ai citon njerëz të shquar të penës:

“Ti Shqipëri më jep nder,/më jep emrin shqipëtar”(Naimi),-/ apo vargjet e Fishtës:

“Edhe hana do t’a dije

Edhe dielli do t’ket pa,

Se per qark ksaj rrokullije

Si Shqypnija ’i vend nuk ka!

………………………………………..

Atje lejn, po, Toskë e Gegë

Si dy rreze n’flakë t’nji dielli,

Si dy rrfe qi shkojn tue djegë,

Kur shkrepë reja nalt prej qielli. »

Më  pas citon Konicën:“Shqipëria është e lindur nga idealistët, e shpëtuar nga rastet, e vrarë nga politikanët.”- e më pas Nolin:

…“Anës detit i palarë,

Anës dritës i paparë,

Pranë sofrës i pangrënë,

Pranë dijes i panxënë.”

Në vend të parathënies,autori përcjell mesazhin e librit. E sjellim të plotë:

Dy fjalë fillestare

Është e natyrshme që një libër i shkruar për atdheun të nxisë mendimet drejt historisë. Gjithsesi, nuk keni në dorë, o lexues të dashur e të respektuar, një libër historie. Ka vërtet elemente të saj, po, më së tepërmi, fakte, ngjarje, bile edhe epoka historike, të trajtuara në hulli letrare.

Përveç paraqitjes së fakteve të veçanta historike, janë dhënë aty-këtu ese, që pasqyrojnë në mënyrë të koncentruar ngjarje dhe periudha të tëra historike, në të cilat, gjithashtu, mbizotëron stili letrar.

Si e tillë, lënda e parashtruar nuk rrjedh në mënyrë të njëllojshme, përkundrazi tek ajo ngërthehen elemente të prozës artistike me elemente të prozës shkencore, bile të parat lozin rolin kryesor. Larushmëria e stilit është aq e shumëllojshme, sa që në jo pak raste, është poezia që pasqyron një fakt a një dukuri, dhe edhe ajo në truallin lirik.

Çeket në fillim një Shqiperi ashtu siç e dëshirojmë të gjithë, një atdhe më shumë i ëndërt sesa real, për të prezentuar më pas atdheun si ndjenjën më sublime dhe idealin më të lartë e më fisnik të popullit tonë. Përmes një bashkëbisedimi lirik me Heroin tonë Kombëtar, kalohet në kohën më të lavdishme të historisë sonë, në kohën e Kastriotit të Madh.

Në një ese jepet një përgjithësim i fateve të atdheut, i mishëruar tek figura mitologjike e Sizifit, duke vënë në dukje çka e dallon mitin nga realiteti.

Mbasi tregohet me pak fjalë periudha e errësirës anadollake, pasqyrohet me penelata të llojllojshme ndjenja e fuqishme e dashurisë së shqiptarit ndaj atdheut,      duke e konkretizuar atë me nderimin pothuajse të shenjtë ndaj Flamurit si Simboli më i lartë i  Atdheut.  Nëpërmjet prozave poetike vihet në dukje kuptimësia, simbolika dhe himnet që i ka thurur zemra shqiptare këtij simboli sublim, profecia dhe mesazhi i lartë i tij.

Kalohet pastaj në disa çështje nevralgjike të vendit tonë si çështja çame, periudha e vështirë dhe e parealizuar e ndërtimit demokratik të shtetit shqiptar, dhe të strukturave demokratike të shoqërisë. Një vend i veçantë, përmes një proze shkencore dhe disa poezive, i kushtohet periudhës së errët të diktaturës së kuqe marksiste – leniniste, për të kaluar tek periudha e tranzicionit, gjithsesi të papërfunduar. Më pas, bëhet fjalë për qëndrimin e popullit tonë ndaj besimeve, idealin tonë etik kombëtar dhe ndjenjën e fuqishme të lirisë.

Në fund trajtohet shpallja e Pavarësisë së Kosovës, dhe vepra mbyllet me një ese për qytetërimin e lashtë të popullit tonë.

Uroj që nga leximi i këtij libri të forcohet në shpirtin e lexuesve një ndjenjë e zjarrtë shqiptarizmi !

Libri është i ndërtuar me esse, poezi, artikuj studimor e përsiatje për simbolet Kombëtare, Hymnin Kombëtar, Idealin Kombëtar, Identititetin Kombëtar, Qytetërimin e lashtë shqiptar,cështjen came,Kosovën, Shqipërinë nën diktaturën e përgjakshme komuniste, Shqipërinë në tranzicion(Prak-pranvere 1997, Shqiperia drejt grykës së humnerës-AKTPADI)…etj… 

BOTIME TË AUTORIT ANTON ÇEFA

anton-cefa

Anton Çefa ka botuar përmbledhjet poetike: “Dritarja e një britme” (1999), “Heshtja ka tingull guri” (2002), “Fjalë në vargoj të muzgët” (2003), “Flatrime me krahë të premë”  – antologji poetike me poezi nga përmbledhjet e mësipërme dhe me disa poezi të pabotuara – (2008).

Po në këtë vit, u botua në Bukuresht një antologji poetike me poezi të autorit, e përkthyer në rumanisht dhe e pajisur me shënime kritike nga Kopi Kyçyku dhe me një parathënie të Ardian-Christian Kyçykut, me titullin “Fereastra unui strigat” (“Dritarja e një britme”). Në vitin 2016 botoi përmbledhjen poetike “Bardhësi me zbritje bore” .

Ka botuar librat me karakter shkencor: “Në hullitë e fjalës artistike” – Kritikë letrare: syzime-analiza-intervista – (2009); “Noli e Konica – ese” (2010); “Sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë” – pjesa e parë – (2012); “Sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë – pjesa e dytë – (2015); “Libri i portreteve” (2015); “Krijimtari  e nivelit të lartë shkencor  e artistik  – Mbi disa vepra shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës” (2015); “Gjurmëve të vlerave të fjalës artistike – Kritikë letrare” (2015); “Libri i portreteve” (2015), “Tradita e didaktikës popullore” (2016); “Faik Konica: Për shpiritën e Vatrës jam responsible unë” (2016).(Dielli, Korrik 2017)

Filed Under: Emigracion Tagged With: "Atdheu im-Shqipëria", i autorit Anton Çefa, libri më i ri ri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1865
  • 1866
  • 1867
  • 1868
  • 1869
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT