• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë- Emërohen 4 ministra të rinj në Qeverinë në detyrë

August 7, 2017 by dgreca

-Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë dhe ka mbetur e papërfunduar, rezultatet e zgjedhjeve nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë, ndësa ende nuk ka koalicione paszgjedhore/

Qeveria-Kosove-11 Qeveria-ok

-A do të ketë Kosova përsëri zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, në një ditë me të rregulltat lokale në 22 tetor 2017?/

-PAN: Vendimi i kryesuesit për thirrjen e seancës të enjten është arbitrar /

PRISHTINË, 7 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori vendim për emërimin e katër ministrave të rinj në kuadër të Qeverisë së Kosovës.
Në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, kryeministri Mustafa ka emëruar Ministër të Financave, zëvendësministrin e deritashëm, Agim Krasniqi, Ministre të Kulturës Rinisë dhe Sportit, shefen e deritashme të Stafit në Kryeministri, Vlora Dumoshi, Ministër të Infrastrukturës, zëvendësministrin e deritashëm, Hanefi Muharremi, si dhe Ministër të Punës dhe Mirëqenies Sociale, zëvendësministrin e deritashëm, Safet Kamberi.
Në vijim, kryeministri Mustafa do të marr vendim për emërimin edhe të ministrave të tjerë në vend të ministrave të deritashëm të cilët janë zgjedhur deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Ministrat e rinj do të ushtrojnë këto detyra deri në themelimin e Qeverisë së re të Kosovës, bën të ditur njoftimi dërguar nga Qeveria në detyrë.Kur do ketë Kosova Qeverinë e re të votuar në  Kuvendin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të para gati dy muajëve, 11 qershorit 2017, ende nuk dihet.

Vazhdimi i Seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës me axhendë zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit paralajmëroht për të enjten e 10 gushtit, në orën 10:00. Njoftimi u bë sot në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.Burime tjera bëjnë të ditur se ftesa për pjesëmarrje u është drejtuar të gjithë deputetëve, ndërkohë që ka disa paralajmërime për mospjesëmarrje.Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nisi në 3 gusht paradite me vonesë dhe vijoi me tre pushime dhe një ndërprerje në mesditë, pastaj e ftuar për në orën 15:00 për vazhdimin që u bë i pamundur nga mosardhja e deputetëve të koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma. As në 4 gusht nuk vijoi seanca meqë vijoi mungesa e deputetëve, ndërkohë që vetëm gjysma e tyre kishin ardhur në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.Pas këtyre zhvillimeve, në 4 gusht në mesditë, lidhur me vazhdimin e seancës konstituive u mbajt takim konsultativ i përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare, i ftuar e drejtuar nga deputeti më i vjetër kryesues i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Pas diskutimeve, u vendos që të mërkurën, në 9 gusht, në orën 10:00, të mbahet një takim i ngjashëm konsultativ, përkitazi me vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit”, theksonte deklarata zyrtare dërguar nga Kuvendi.Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në 10 maj,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK, të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit, të cilat poashtu ishin të parakohshme.

Në 2 gusht 2017, Qeveria e Kosovës, e zgjedhjeve të para tre viteve, zhvilloi mbledhjen e 151-të, të pestën të pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, të gjashtën si qeveri në detyrë pasi u rrëzua në 10 maj në seancën e Kuvendit në mocion mosbesimi.Mund të ishte kjo mbledhja e fundit e kësaj qeverie, pasi për një ditë më pas, 3 gusht, ishte ftuar mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës pas së cilës mund të zgjidhej qeveria e re.

Por, seanca u ndërpre dhe mbeti e papërfunduar ndërsa rezultatet nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë, prandaj koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme, ndërkohë që Kosovën e presin edhe zgjedhjet e rregullta lokale këtë vit, në 22 tetor.A do të jetë kjo datë  e 22 tetorit 2017 edhe e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare – të dytave brenda këtij viti, apo do të konstituohet Kuvendi dhe do zgjedhet Qeveria e re e Kosovës? Përgjigja në këtë pyetje pritet, edhe kjo mund të vonohet…

***

PAN: Vendimi i kryesuesit për thirrjen e seancës të enjten është arbitrar

Prishtinë, 7 gusht 2017/ Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, në një komunikatë të dërguar sot, shpreh shqetësim për vendimin arbitrar të kryesuesit të seancës konstituive për vazhdimin e kësaj seance në ditën e enjte. Më tej në komunikatë thuhet:Me këtë vendim të njëanshëm, kryesuesi e seancës konstituive është vënë të shërbim të plotë vetëm të një subjekti politik, duke shkelur edhe parimin mbi të cilin ka ndodhur takimi i kaluar konsultues mes subjekteve politike parlamentare.Ky vendim i kryesuesit dëshmon se ai, bashkë me partinë Vetëvendosje, janë të interesuar që ta thellojnë edhe më shumë bllokadën në Kuvendin e Kosovës dhe jo të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me grupet e tjera parlamentare.Koalicioni i PDK-së, AAK-së, Nismës për Kosovën dhe i partnerëve të tjerë, qëndrimin për vazhdimin e seancës konstituive do e jap pas takimit konsultativ të vendosur me pajtueshmëri mes shumicës së subjekteve politike për të mërkurën në orën 10:00.Koalicioni jonë është i bindur se oferta për shmangien e krizës përmes votimit të kryeparlamentarit dhe kryeministrit të ri me marrëveshje politike, do të përkrahet prej shumicës së subjekteve politike parlamentare.Prandaj, zgjedhja e të nominuarit tonë për Kryetar të Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe e të nominuarit për Kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, përkundër përpjekjeve të tashme bllokuese në Kuvendin e Kosovës, janë procese të pandalshme politike, përfundon komunikata e PAN.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, Emërohen 4 ministra të rinj, ne detyre, në Qeverinë

Çitaku: E ka seriozisht MPJ ruse kur flet për Kosovën

August 7, 2017 by dgreca

Çitaku e pyet nëse e ka seriozisht MPJ-ja ruse kur flet për Kosovën/

1 Vlora Citaku

Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj një postimi që Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka bërë në profilin e vet zyrtar në rrjetin social Twitter.

“Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aletatët e saj që shkelën ligjin ndërkombëtar duke shkëputur dhunshëm Kosovën nga Serbia”, ka thënë në postimin e vet MPJ-ja ruse, në kuadër të diskutimeve të tensionuara me SHBA-në, pas sanksioneve që kjo e fundit bëri në drejtim të Federatës Ruse, për mbështetjen që po vazhdon tu japë separatistëve prorusë në Ukrainë.

Çitaku ka thënë shkurt “Seriozisht?” duke bërë këtë pyetje me ironi dhe duke ritransmetuar postimin e MPJ-së së Rusisë.Vlora Çitaku është duartrokitur disa herë për paraqitjet e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku përfaqëson Kosovën.

Filed Under: Politike Tagged With: Çitaku: E ka seriozisht, MPJ-ja, per Kosoven, ruse kur flet

Mbahu, Nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë!

August 7, 2017 by dgreca

1 Vatar parade1 VatraVatra1 Noli Konica1 Vtra e Tampes12 albanian exelence

Nga Ilir Levonja/ Janë vargje të Nolit. Shkëputur nga vjersha ”Jepni për nënën”, të cilën peshkopi, eruditi, poeti, muzikologu, politikani, qeveritari e shkroi nga viti 1917-të. I bie plot njëqind vjet nga sot. Eshtë koha kur Vatra kishte nisur aktivitetin. Dhe Shqipëria gjëndej nën rrëmujën e luftës së madhe.

Një vend katastrofë midis turkoshakëve shqiptarë, pro austrohungarezëve, italianëve, grekëve, serbëve e malazezëve. Pro dikujt nga jashtë, dhe, asnjëherë pro njëri-tjetrit. Dhe Noli me të drejtë i jepte shpresë nënos së braktisur e të rraskapitur luftrash.

Por kohët ndryshojnë. Dhe nëse atëhere Nolit i dhimbsej me të drejtë nëna Shqipëri, për shkak të të huajve. Sot ajo Shqipëria, përmes atyre që aq shumë e duan dhe nuk e tradhëtojnë, siç bëjnë këta emigrantët, tradhtarët e pambarimtë dita ditës, po verteton një gjë, botërisht se, armiqtë e vërtetë të saj janë vet shqiptarët. Ata në vendin amë.

Po i referohem Nolit, për një arsye të thjesht, pasi po e shoh me sytë e mi se asaj drojes, për përdorimin e emigrantëve nga vendi amë, sikur i ka ardhur ora.

M’u bë të them atë batutën e Kadri Roshit tek filmi Gjeneral Gramafoni, që, plasi në Kuçovë.

Dhe vërtetë ka plasur.

Dhe ne të gjithë emigrantët, po e shohim me sy katrahurën.

Në Shqipëri nuk na duan. E thonë me qejf…, e kujt i plasi se po largohet ky trapi. Kujt i plasi se iku ky koqja. Në gop të sëmës shkofsh. Boll na çatë bythën. Lekë duam. Po na sollët mirë, po nuk na sollët, ik pirdhuni. Se e dimë ta bëjmë vet Shqipërinë.

Dhe vërtet, sot është koracë, a zhgun social, është zgjatje jete një kulturë e tillë. Një zhargon i tillë u mbush gjoksin. Dhe ata ndihen me fat.

Në të gjitha webet e Shqipërisë sot përshembull, dominon ky debat. Aq sa të thuash shqiptarët janë dakort me zjarret, me drogën, me papunësinë dhe lëmoshat e përkrahjes sociale, etj. Madje e dëshmuan me vote… Janë dakort që të jetojnë një lloj drame sociale me bij që vetëm paguajnë. U paguajnë ushqimin, banesën, sëmundjet. Shërbimin skandaloz të shëndetësisë ”falas”.

Se qeveritë do prishin e ribëjnë sheshet.

Rrethrrotullimet.

Fasadat.

Shqiptarët janë dakort me jetën falas. Aq sa horizontalisht e kanë përqafur atë indinjatën poetike të Orhan Veliut… dhe në kor, ta plasin në sy. Me krenari. Të thonë: falas jetojmë ne, falas…/ Falas bukën/ Falas shëtitjen/ Falas pluhurin e rrugës /Falas plehrat, /Falas budallepsjen/ Falas urrejtjen, /Falas pështymat/ Falas dekoratat e presidentit, etj.

Janë dakort me dramat e largimeve…

Prindër të braktisur.

Azile me kontribute fushatash.

Breza pa asnjë vjetërsi pune.

Me pritjen se ndonjë çun, dhëndërr, a vajzë…, deri nga Zelanda e Re, sjell ndonjë dorë që të blej ca vite pune në zyrat sociale. Për babain, nënën, vjehrrin a vjehrrën. Të blej ndonjë karrocë për vëllain invalid. A për ndonjë të sëmurë autik etj.

Janë dakort me të gjitha.

Rrofshin këta që janë. Këta që jetojnë trendi. Armiqtë realë.

Se shqiptarët, masat, kanë se me çfarë të merren.

Po ia lërojnë nënën njëri-tjetrit në internet. Kush ikën, tradhtarë. Kush rri patriot.

Eshtë një mishmash, një katrahurë veç prej shqiptarësh.

Dhe me që iu referova vjershës njëqind vjeçare të Nolit.

Këta djemtë në Amerikë e gjetkë. Edhe pse kanë shoqata, pse kontribuojnë. Pse mbajnë në dyert e shtëpisë, a në makina, flamurin shqiptar. Pse shohin tv-të shqiptare thuajse 24 orë. Pse jetojnë si shqiptar në dherat e huaj. Nuk kanë prej dheut të nënës privilegjin minimal, të drejtën e votës.

Dhe jo rastësisht.

Dhe prapë ata thon, Mbahu, Nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë!

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Levonja, Mbahu, mos ki frikë, ne Amerike, Nëno, se ke djemtë

Loja e dyfishtë e doganave në kontrabandën e naftës ‘virgine’

August 7, 2017 by dgreca

INVESTIGIMI DHE ZBULIMI I SKANDALIT VJEN NGA BIRN/

1 Nafta Virgin

Ne Foto:Kreu i Crown Agents në Shqipëri gjatë një konference për shtyp me ish drejtoreshën e përgjithshme të doganave, Elisa Spiropali/

Me 27 Maj 2015, një grup inspektorësh nga kompania britanike ‘Crown Agents’ – e kontrakuar nga qeveria shqiptare për t’i dhënë asistencë doganave në luftën kundër kontrabandës, udhëtoi nga Tirana drejt Ballshit me kërkesë të ish drejtoreshës së doganës së Fierit Lula Njebza (me herët zv/drejtoreshë e përgjithshme), për të inspektuar një depozitë hidrokarburesh (G 43), ku sipas të dhënave ndodhej e depozituar nje sasi e madhe nafte ‘virgine’ në pronësi të kompanisë Tea Construction & Petrol.

Por, për suprizë të grupit të inspektimit të udhëhequr nga britaniku Lea Nolan, këshilltar operacionesh për Crown Agents, stafi menaxhues i rafinerisë së Ballshit – në atë kohë e marrë me qira nga kompania ‘Deveron Oil’, deklaroi se ‘nuk kishte asnjë marrëdhënie me kompaninë Tea Construction & Petrol’.

Nolan u kthye një javë më vonë me një akt-kontrolli të ri në emër të ‘Deveron Oil,’ por drejtori i rafinerisë, shtetasi iranian Ali Hajirasouliha i konfirmoi grupit të inspektimit se depozita G-43 ishte bosh dhe kishte qenë e tillë që nga viti 2013-të.

“Kur arritëm te depozita G-43, dyert ishin të hapura dhe nuk gjetëm asgjë brenda, ishte bosh,” do t’i tregonte më vonë Nolan prokurorëve shqiptarë që po hetonin zhdukjen e 4.8 milionë litrave naftë ‘virgine’.

Edhe pse nuk kishte asnjë fakt që të provonte se Tea Construction & Petrol e kishte depozituar naftën në Ballsh, grupi i Crown Agents u përplas ashpër pas kthimit në Fier me drejtoreshën Lula Njebza, e cila insistonte se për naftën e zhdukur duhet të ndëshkohej kompania ‘Deveron.’

“Unë i shpjegova asaj se për shak të natyrës së shkeljeve dhe fakteve të rënda të rastit specifik, duhej informuar zyra hetimore në doagana,” kujton Nolan. “Lula më tha se nuk donte që të përfshihej zyra hetimore dhe as strukturat e tjera të doganave,” shtoi ai.

Pas debatit me Njebzën Nolan njoftoi kolegun e tij në Crown Agents, Drew Robertson, i cili të nesërmen udhëtoi drejt Fierit. Njebza e kishte kontaktuar Robertson nëpërmjet telefonit dhe kishte insistuar që ai të shkontë në Fier vetëm dhe të mos merrte me vete përfaqësues nga Departamenti Operativ Hetimor në Dogana.

“Kërkesa e saj mu duk shumë e çuditshme, sepse vetëm dikush që do të bëj diçka të pazakontë dhe ka diçka për të fshehur do të kërkonte që zyra hetimore e Doganës mos të përfshihej,” i tregoi më vonë prokurorëve Robertson.

“Kur takova Lulën ditën tjetër, për 1 orë e 20 minuta ajo insistoi se, për shkeljen doganore për sasinë e naftës që mungonte duhej të gjobitej Deveron Oil dhe jo Tea Contruction & Petrol,” shtoi ai, duke nënvizuar që “unë dhe skuadra e Crown Agents e kundërshtuam duke nënvizuar se nga dokumentet rezultonte se nafta e ishte e kompanisë Tea Contruction & Petrol.”

Pas  gati 1 orë e gjysmë debati, Robertson kujton se Njebza nxorri nga sirtari një dokument, që ishte një kopje dhe nuk kishte numër protokolli dhe ia tregoi. Pasi e pa dokumentin Robertson kuptoi se depozita G43 kishte qenë e mbyllur pëpara veprimeve doganore që përshkruheshin në atë dokument.

“E mora dokumentin dhe ia dhashë zyrës hetimore në dogana për ta çuar hetimin përpara, sepse ai dokument ishte pika e nisjes për të zbuluar aktet kriminale,” tha ai.

Pasi njoftoi Departamentin Operativ Hetimor, DOH, Robertson informoi dhe prokurorinë, e cila në Dhjetor 2015 urdhëroi arrestimin e Njebzës dhe 6 doganierëve. Në Maj 2016 Prokuroria e çoi çështjen për gjykim, duke akuzuar administratorin e kompanisë Tea Construction and Petrol, Adrian Xhillari për “fshehje të të ardhurave”, “mospagim i taksave” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Akuzë u ngrit edhe për ish kreun e Doganës së Tiranës Mirëarbër Teneqexhiu dhe ish zv/drejtoreshën e përgjithshme Lula Njebza, si dhe doganierët Alfred Bushi, Syrja Misiraj dhe Adrian Alikaj për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.

Të kontaktuar nga BIRN nëpërmjet mbrojtësve ligjorë, Adrian Alikaj, Alfred Bushi dhe Syrja Misiraj i mohuan akuzat, ndërkohë që avokatët e Teneqexhiut dhe Njebzës nuk iu përgjigjën një kërkese për koment. Avokati i Xhillarit, që është në arrati dhe nuk është ndaluar ende nga policia, gjithashtu i mohoi akuzat në emër të klientit të tij.

“Klienti im pretendon dhe insiston se është i pafajshëm,” tha avokati Maks Haxhia. “Presim drejtësinë të thotë fjalën,” shtoi ai.

Transporti fiktiv i naftës virgine

Kompania Tea Construction & Petrol është themeluar në Dhejtor të vitit 2006-të, duke pasur si objekt tregtimim me shumicë të naftës, varjave, mineraleve të papërpunuar dhe hidrokarbureve.

Sipas prokurorisë, Adrian Xhillari, në cilësinë e administratorit të shoqërisë Tea Construction & Petrol, ka blerë në Maj të vitit 2010 një sasi prej 5.65 milionë kg naftë virgine me vlerë 500 milionë lekë nga rafineria e Ballshit. Nafta ‘virgine’ është një mbetje teknologjike hidrokarbure që nuk mund të tregtohet dhe përpunohet në territorin e Shqipërisë që nga viti 1996 dhe është e destinuar për eksport.

Në Janar 2014 Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Tatim Paguesve të Mëdhenj dhe Dogana e Tiranës, kanë inspektuar depozitat e kompanisë në Kodër Mëzez në Tiranë për të verifikuar sasinë e naftës virgine që kompania kishte në gjëndje, e cila është vlerësuar nga grupi përbashkët i inspektimit në 4.4 milionë litra.

Sipas prokurorisë, pas inspektimit në Gusht 2014, Xhillari ka ndërtuar në bashkëpunim me të pandehurën Lula Njebza, në atë kohë zv/Drejtorëshë e Përgjithshme e Doganave dhe të pandehurin Mirëarbër Teneqexhiu, me detyrë Drejtor i Doganës së Tiranës, një skemë fiktive për zhvendosjen e sasisë së naftës të depozituar në Kodër Mëzez drejt depozitës G-43 në Ballsh, duke i mundësuar kompanisë Tea Construction & Petrol të hedhi në treg naftën virgine dhe të shmang detyrimet tatimore të akcizës.

Për të mundësuar transportimin e kësaj sasie të madhe nafte virgine brenda territorit të vendit, në Qershor të vitit 2014, Xhillari i është drejtuar me kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për një shtesë autorizimi për magazinën fiskale në Kodër Mëzez.

Praktika e shtesës së autorizimit është ndjekur dhe është miratuar nga ana teknike nga zv/Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave dhe Shefe e Departamentit të Akcizës, Lula Njebza. Menjëherë pasi ka siguruar statusin e magazinës doganore fiskale, Xhillari ka kryer dy kërkesa të tjera, një për heqjen e plumbçeve dhe tjetrën për transportimin e gjithë sasisë së naftës prej 4.4 milionë litra nga depozitat në Kodër Mëzez në Tiranë, për në magazinën doganore fiskale G-43 në rafinerinë e Ballshit.

Image

Administratori i Tea Construction & Petrol është shpallur në kërkim nga Interpoli, pasi dyshohet se fshihet jashtë Shqipërisë

Ndonëse këto kërkesa, ndër të tjera i janë drejtuar edhe Departamentit Operativ Hetimor (DOH) në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ato nuk janë trajtuar asnjëherë nga ky department, por i janë dërguar për kompetencë nga ana e të pandehurës Njebza Degës së Doganës Tiranë.Pasi Kryetari i Degës së Doganës së Tiranës, i pandehuri Mirëarbër Teneqexhiu ka nxjerrë urdhërin për heqjen e plumbçeve, Xhillari ka siguruar garancinë për riaktivizimin e magazinës fiskale G-43 në Ballsh, e cila rezultonte të ishte inaktive për shkak të skadimit të garancive të mëparshme në vitin 2013. Krijimi i këtyre kushteve i ka mundësuar Xhillarit nxjerrjen e sasisë prej 4.4 milionë litra naftë nga magazinat në Kodër Mëzez me qëllim për t’u hedhur në tregun e brendshëm në mënyrë të paligjshme.

Për të mbuluar këtë fakt dhe për të tregëtuar në mënyrë të paligjshme këtë sasi të madhe nafte virgine brenda territorit shqiptar, Xhillari ka depozituar pranë Degës së Doganës Tiranë 257 Dokumente Shoqërues Administriativë, DSHA, me përmbajtje fiktive, duke pretenduar se lënda është transportuar dhe depozituar në magazinën doganore fiskale G-43, në Ballsh.

Por, nga verifikimi e regjistrit të shoqërisë “A.K.F. Petroleum”, mjetet e të cilës janë marrë me qira nga Tea Construction&Petrol për transportimin e naftës virgine, ka rezultuar se këto mjete nuk e kanë kryer transportimin e produktit drejt Qarkut Fier, por në destinacione të tjera brenda vendit si Tropojë, Vlorë, Durrës etj.

Ndërkohë, fakti që vetëm tre muaj pasi është kryer ky transport i paligjshëm, Xhillari i është drejtuar me kërkesë Degës së Doganës Tiranë për mbylljen e magazinës doganore fiskale në Kodër Mëzez, në një kohë kur nuk kishte dorëzuar ende pasqyrat financiare dhe bilancet e vitit 2014-të, ka ngritur dyshimet e prokurorisë se marrja e statusit për këtë magazinë ka qenë me qëllim transportimin fiktiv dhe shmangien e pagimit të akcizës. Nga hetimet ka rezultuar se të ardhurat e përfituara prej shmangies së detyrimeve tatimore, të pagimit të akcizës në shumën 242.7 milionë lekë (rreth 2 milionë euro), Xhillari i ka përdorur për investime të ndryshme.

Përfshirja e doganierëve në kontrabandë

Hetimet kanë zbuluar se ka qenë e pandehura Lula Njebza ajo e cila ka trajtuar në vazhdimësi shkresat dhe kërkesat e paraqitura nga subjekti Tea Construcion&Petrol, lidhur me shtesën e autorizimit për t’i dhënë statusin magazinë fiskale depove në Kodër Mëzez. Ajo ka administruar kërkesat e Tea Construcion&Petrol drejtuar Departamentit të Akcizës dhe Departamentit Operativo-Hetimor duke mos i kaluar nga një kopje këtij të fundit.

“Gjatë kohës që unë kam punuar si zv/Drejtor i Përgjithshëm i Doganave dhe njëkohësisht Drejtor i Departamentit Operativ Hetimor nuk më është referuar në asnjë moment ndonjë informacion lidhur me këtë subjekt si dhe me faktin që do të kryhej lëvizja e mallit,” ka deklaruar përpara prokurorëve ish drejtori i DOH-së Admir Abrija.

Sipas prokurorisë, pasi Njebza i ka trajtuar personalisht këto shkresa, ia ka dërguar për kompetencë Degës së Doganës Tiranë, nga ku rezulton se ajo është interesuar personalisht që të përmbusheshin kërkesat për heqjen e plumbçeve dhe lëvizjen e produktit naftë virgine. Fillimisht Njebza ka hasur në kundërshtimin e Përgjegjësit të Zyrës së Akcizës, Gerand Ylli dhe kreut të Degës së Doganës së Tiranës, Drilon Bushati, të cilët kanë pretenduar se mungonte kushti i detyrueshëm për vendosjen e kontalitrave, ose njësive matëse në hyrje dhe në dalje të depozitave.

“Shtetasja Lula Njebza më ka marrë në telefon dhe më ka pyetur se çfarë po bëhëj me këtë shkresë. Pas këtij kontakti lidhur me këtë shkresë unë kam vënë re se Lula i ashpërsoi raportet me mua,” ka deklaruar Bushati.

Pak para se të niste transporti i paligjshëm i naftës virgin dhe krijimi i dokumentacionit fiktiv për të, me datë 2 Gusht 2014, Bushati është larguar nga detyra si kreu i Degës së Doganës së Tiranës dhe në vend të tij është emëruar i pandehuri Mirëarbër Teneqexhiu, i cili e ka siguruar këtë post edhe falë mendimit pozitiv që ka përcjellë e pandehura Njebza tek Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali.

Spiropali ka dëshmuar në prokurori se Njebza kishte një marrëdhënie të mirë me Teneqexhiun, ndërsa i ka propozuar dhe shkarkimin e shefit të zyrës së akcizës së Tiranës, Gerand Ylli.

“Para, gjatë dhe pas këta shtetas kanë pasur marrëdhënie shumë të mira midis tyre,” ka dekluar në porkurori Spiropali. “Është e vërtetë se Lula Njebza më ka kërkuar largimin nga detyra të shtetasit Gerand Ylli, dhe pasi kam parë dosjen personale të këtij shtetasi i cili kishte disa vite që punonte në DPD, kam vlerësuar se ky shtetas nuk duhet të lëvizte nga detyra,” ka shtuar ajo.

Menjëherë pas emërimit në krye te Degës së Doganës së Tiranës, Tenqeqexhiu ka kërkuar informacion për kërkesat e subjekti Tea Construcion&Petrol, të cilat nuk ishin zbatuar deri në atë kohë dhe ka urdhëruar verbalisht dy vartëse që të shkonin në magazinat fiskale në Kodër Mëzes që të hiqnin plumbçet me argumentin se subjekti kishte bërë kërkesë që të bënte pastrimin e tubacionit të depozitave.

Por, dy doganieret nuk kanë pranuar të kryejnë asnjë veprim pa pasur një urdhër me shkrim. Gjatë deklarimeve të tij, i pandehuri Teneqexhiu ka preteneduar se ka zbatuar vetëm ligjin, pasi sipas tij produkti ka qenë i mbuluar me garanci fiskale, por, nga hetimi janë zbuluar prova të tjera. Rezulton se më datë 19 Gusht 2014, subjekti Tea Construcion&Petrol  i ka kërkuar Degës së Doganës Tiranë kalimin e garancisë fiskale në Kodër Mëzez për në magazinën fiskale G-43 në rafinerinë e Ballshit.

Kreu i Crown Agents në Shqipëri gjatë një konference për shtyp me ish drejtoreshën e përgjithshme të doganave, Elisa Spiropali | Foto nga : LSA

Nga këqyrja e sistemit ka rezultuar se kalimi i garancive është realizuar nga Endri Dafa, një punonjës i Drejtorisë Teknike të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave më datë 18 Gusht 2014, një ditë para se subjekti të kryente kërkesën. Dafa ka deklaruar para hetuesve se ka qenë e pandehura Lula Njebza e cila në cilësinë e eprores i ka kërkuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë që të kryejë këtë veprim në sistem, duke i thënë se subjekti Tea Construcion & Petrol  kishte bërë kërkesë për kalimin e garancive.

“Në datë 18.08.2014, Lula më ka pyetur se çfarë u bë me atë kalimin e garancisë, nëse kisha filluar procedurën e kalimit të saj apo jo, pasi subjekti e kishte bërë kërkesën dhe e kishte nisur,” ka deklaruar Dafa. “Ajo më urdhëroi gjithashtu që në atë moment të nisja procedurën e kalimit të garancisë si dhe kalimin e artikullit virgin naftë nga depozitat në Kodër Mëzez ne atë në Ballsh,” ka shtuar Dafa.

Një tjetër fakt sipas prokurorisë, prej nga konkludohet se të pandehurit kanë tentuar të fshehin paligjshmërinë e kryer prej tyre, është edhe veprimi i kryer nga Njebza menjëherë pas emërimit të saj në detyrën e Kryetares së Degës së Doganës Fier, kur ajo ka miratuar programin e kontrollit për shoqërinë Deveron Oil Albania, për magazinën doganore G-43, në KPTHN-në e Ballshit.

Por, pasi grupi i kontrollit ka shkuar në terren, administratori i Deveron Oil, nuk ka pranuar të kryhej ky kontroll me argumentin se kjo depozitë nuk kishte qenë asnjëherë në pronësi apo në përdorim të subjektit që ai drejtonte. Për këtë arsye, Njebza ka bërë ndryshim të planit të kontrollit drejtuar shoqërisë Tea Construcion & Petrol. Ajo ka deklaruar para hetuesve se sapo kishte nisur punën si kryetare e Degës së Doganës Fier ka konstatuar se DSHA-të e shoqërisë Tea Construcion & Petrol nuk ishin të mbyllura në sistem dhe se për këtë arsye ka urdhëruar kryerjen e kontrollit tek ky subjekt.

Lidhur me konstatimet e grupit të kontrollit më datë 2 Qershor 2015 dhe se cili subjekt duhej të penalizohej, e pandehura Njebza ka deklaruar para hetuesve se ka mbajtur qëndrim konstant se subjekti që duhej të penalizohej ishte shoqëria Tea Construcion&Petrol. Por, të tjerë zyrtarë të doganave dhe pjestarët e grupit të Crown Agents gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e Degës së Doganës Fier, kanë theksuar se qëndrimi i Njebzës ka qenë që të penalizohet subjekti Deveron Oil, me pretendimin se produkti ndodhej në magazinën që administrohej nga ky subjekt.

Sipas deklaratave në prokurori të shtetasit Arlind Lagji, me detyrë përgjegjës i zyrës së akcizës në Degën e Doganës Fier, Njebza ka insistuar gjatë takimit me grupin e inspektimit të Crown Agents që të ndëshkohej kompania Deveron Oil për naftën e kontrbanduar.

“Pasi u konstatua fakti që në depozitën G43 nuk u gjend sasia e artikullit  virgin naftë që duhet të ndodhej, përpara se të plotësohej procesverbali i konstatimit të shkeljes doganore dhe të merrej vendimi, u diskutua ndërmjet kryetares së degës doganore Lula Njebza, Crown Agents, mua dhe grupit të punës, se cili subjekt duhet të sanksionohej për shkeljen doganore,” ka thënë Lagji.  “Unë kam shprehur mendimin dhe opinionin tim që ligjërisht duhet të sanksionohej subjekti Tea Construction & Petrol, mendim ky që e mbështeti dhe Crown Agents, ndërsa Lula Njebza diskutoi nëse mund të sanksionohej subjekti Deveron Oil Albania, pasi malli gjendej në magazinën e vendosur në territorin e tij,” shtoi ai.

Të tjera fakte që kanë kompromentuar të pandehurën Lula Njebza janë edhe deklarimet e saj dhe verifikimi i vërtetësisë së tyre. Ajo ka deklaruar para hetuesve se nuk ka pasur dijeni rreth transportit të lëndës naftë virgin nga subjekti Tea Construcion&Petrol  në muajin Gusht të vitit 2014 dhe se nuk ka pasur njohje me administratorin e kësaj shoqërie, Adrian Xhillari dhe se as nuk ka kryer komunikime telefonike. Gjatë deklarimeve të tjera, ajo ka ndryshuar qëndrim përsa i përket dijenisë së transportit të naftës dhe ka pohuar se ka komunikuar personalisht me të pandehurin Teneqexhiu për ta udhëzuar se si duhej të kryheshin procedurat për transportin e kësaj lënde.

Nga këqyrja e tabulateve telefonike ka rezultuar se midis të pandehurve Njebza e Xhillari ka pasur 24 komunikime telefonike nga data 13 deri më datë 21 Gusht 2014, ndërsa midis Xhillarit dhe Teneqexhiut ka pasur 15 biseda telefonike në muajin Shtator 2014. Sipas prokurorisë, Teneqexhiu ka dhënë urdhër që magazina doganore e Kodër Mëzezit të mos ruhej me pretendimin se produkti ishte i matur dhe i mbuluar me garanci fiskale.

Por, sipas legjislacionit dhe rregullores për transportimin e 4.4 milionë litra naftë vrigine duhej të viheshin në dijeni Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të merreshin masa paraprake nga Drejtoria e Antikontrabandës për shoqërimin e produktit dhe minimalisht të ishte njoftuar Dega e Doganës Fier si doganë pritëse për marrjen në dorëzim të tij.

Prokuroria ka pasur gjithashtu dyshime se lëvizjet në organikë nga ish Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali, e cila në datën 13 gusht 2014 – 1 ditë para se të hiqeshin plumbçet e depozitave të Tea Construction & Petrol në Kodër Mëzez – ka urdhëruar largimin nga detyra të Përgjegjësit dhe Drejtorit të Sektorit të Antikontrabandës.

Spiropali ka deklaruar në prokurori se lëvizja nga detyra e krerëve të Antikontrabandës ka qenë ‘një lëvizje paralele,” në kuadër të riorganizimit të DPD-së.

“Fakti që data e lëvizjës paralele korrespondon me lëvizjen e produktit është krejt rastësi,” është mbrojtur Spiropali.

Prokuroria pretendon se transporti i naftës virigina nga Kodër Mëzezi është udhëzuar, urdhëruar dhe lejuar nga Njebza dhe Teneqexhiu, në një kohë kur që prej vitit 1996 është e ndaluar me ligj që të përpunohet në vend nafta virgin. Këto veprime janë kryer në datat 13-14 Gusht 2014, kur përgjegjësi i Zyrës së Akcizës së Tiranës Gerand Ylli është larguar për kontroll me urdhër të Njebzës, pasi nuk kishte pranuar heqjen e plumbçeve dhe transportimin e naftës nga magazinat në Kodër Mëzes pa u instaluar më parë kontalitrat nga subjekti.

Pasi përgjegjësi i Zyrës së Akcizës ka marrë dijeni për ç’ka ndodhur i ka kërkuar Teneqexhiut që të kryenin mbikëqyrjen e kësaj lëvizjeje por nuk ka marrë miratimin e tij, me pretendimin se ishin DSHA me pezullim dhe nuk krijonin të ardhura për Degën e Doganës Tiranë.

“Ai më tha shiko DSHA-të të cilat japin rezultate,” kujton Ylli.

Sipas prokurorisë, Njebza dhe Teneqexhiu duke rakorduar veprimet me njëri-tjetrin në datat 13, 14, si dhe 15- 21 Gusht 2014 e në vijim kanë lejuar dhe mundësuar me dashje lëvizjen e sasisë 4.4 milionë litra naftë virgine nga magazina doganore fiskale në Kodër Mëzez.

Në dosjen e organit të akuzës thuhet se Njebza dhe Teneqexhiu kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin e aktet nënligjore në fuqi, me rregulloren dhe detyrat e tyre funksionale me dijeni për faktin, duke tentuar të bënin përgjegjës shoqërinë Deveron Oil Albania dhe jo të pandehurin Adrian Xhillari dhe kompaninë që ai administronte, për hedhjen për tregëtim në mënyrë të paligjshme të sasisë prej 4.4 milionë litra naftë virgine. Prokuroria pretendon se dy të pandehurit e sipërcituar e kanë shpërdoruar detyrën me dashje dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Prokuroria e Fierit akuzon edhe tre punonjës të Degës së Doganës Fier, përkatësisht, Syrja Misiraj, me detyrë si doganier mbikëqyrës i subjektit Tea Construcion&Petrol, Alfred Bushi, në cilësinë e Përgjegjësit të Sektorit të Akcizës dhe Regjimeve pranë Degës së Doganës Fier dhe Adrian Alikaj, në detyrën e doganierit pranë Sektorit të Akcizës në Degën e Doganës Fier.

Sipas prokurorisë, nga provat e analizuara, rezulton se Adrian Alikaj, me dashje direkte ka mbajtur dhe ka hartuar në cilësinë e doganierit dhe në emër të Degës së Doganës Fier dokumentin “Procesverbal”, të datës 21 Gusht 2014, për plumbosjen e magazinës doganore fiskale G-43 në KPTHN Ballsh, duke paraqitur në këtë procesverbal faktin e rremë se në këtë datë kishte mbërritur aty produkti naftë virgine nga shoqëria Tea Construcion&Petrol.

Sipas ish drejtorit të Degës së Doganës Fier, Dritan Çekani, Alikaj kishte një marrëdhënie miqësore me Lula Njebzën, dhe ajo kishte ndikuar që ai të merrej në punë në doganën e Fierit.

“Lula më tha që Adrianin e kam mik shpie dhe më kërkoi ta merrja në punë atë pranë doganës në Fier, dhe më pas ai u emëruar doganier akcize në Fier,” ka deklaruar Çekani.

Gjithashtu doganieri i Degës së Doganës Fier, Ermal Çani, gjatë marrjes në pyetje, ka paraqitur një ekstrakt nga adresa e postës elektronike vloraseawayspetrol@gmail.com, e cila, sipas prokurorisë, ka qenë në përdorim të të pandehurit Adrian Alikaj, ku në përmbajtje të këtij ekstrakti gjenden disa mesazhe në adresë të postës elektronike info@teaoilgroup.net me datë 28 Maj 2015, ku paralajmërohet kjo shoqëri që të marrë masa për kontrollin që do të zhvillohet nga Dega e Doganës Fier dhe grupi i Crown Agents.

“Shikoni dokumentat pasi e ka marrë në dorë kompania angleze këtë kontroll dhe për njohjen që kam me Xhillarin po ju njoftoj,” shkruan Alikaj në emailin drejtuar Tea Construction & Petrol.  “Kemi bërë një procesverbal vjet që e ka marrë Tarioni, prandaj doja të komunikoja, e kemi bërë te depozitat në Ballsh,” shton ai.

Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Misiraj, me cilësinë e doganierit mbikëqyrës ka kryer veprimin e heqjes së plumbçes së sigurisë së saraçineskës hyrëse të magazinës doganore fiskale G-43 në KPTHN Ballsh më datë 15 Gusht 2014, pa asnjë urdhër e pa kërkesë paraprake me shkrim të subjektit që përdorte ose posedonte këtë magazinë që duhej të miratohej nga Kryetari i Degës Doganore. Prokuroria pretendon se Misiriaj, në këtë mënyrë, me veprime aktive dhe me mosveprime, i ka dhënë udhë transportit fiktiv të produktit naftë vrigine të shoqërisë Tea Construcion&Petrol, më datë 15 gusht 2014 e në vijim, duke shpërdoruar detyrën.

Ndërsa i pandehuri Alfred Bushi është akuzuar nga prokuroria se ai me dashje ka mbajtur qëndrim mosveprues në kundërshtim me ligjin, duke sjellë si pasojë skadimin e garancive ende të vlefshme në sistem për transportimin fiktiv në naftës virgin, si edhe lejimin e gjendjes së kundërligjshme të kryer nga i pandehuri Adrian Xhillari. Sipas organit të akuzës, Alfred Bushi, në cilësinë e Përgjegjësit të Sektorit të Akcizës dhe Regjimeve pranë Degës së Doganës Fier, ka pasur si detyrë fuknsionale të kryente rakordimin e evidencave për gjendjen e naftës virgin në magazinën G-43.

Ping-pongu gjyqësor

Çështja kundër 6 të pandehurve është regjistruar fillimisht në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier. Në fazën paraprake të gjykimit të pandehurit Alikaj, Bushi dhe Misiraj, kanë kërkuar që çështja në ngarkim të tyre të zhvillohet me gjykim të shkurtuar dhe për këtë arsye gjykata ka vendosur ndarjen e çështjes ndaj tyre.

Pas kërkesës së avokatit të të pandehurit Xhillari, Gjykata e Fierit me 3 Shkurt 2017 ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Adrian Xhillari, Lula Njebza dhe Mirëarbër Teneqexhiu dhe kalimin e kësaj dosje për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ndaj këtij vendimi ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë Prokuroria e Rrethi Gjyqësor Fier, e cili ka kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës, por kjo kërkesë është rrëzuar nga Gjykata e Lartë.

Me 18 Korrik 2016, Gjykata e Fierit vendosi dënimin e të pandehurit Syrja Misiraj me 1 vit burgim dhe të pandehurin Alfred Bushaj me 10 muaj e 20 ditë burgim. Gjykata gjithashtu vendosi pezullimin e këtyre dënimeve dhe konvertimin e tyre me shërbim prove. Pas apelimit të çështjes, Gjykata e Apelit Vlorë ka vendosur më 3 Mars 2017 pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurit Alfred Bushi duke e cilësuar të pafajshëm dhe lënien në fuqi të dënimit për të pandehurin Misiraj.

Avokati mbrojtës i të pandehurit Alfred Bushi, i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit Vlorë deklaroi për BIRN se klienti i tij nuk ka pasur asnjë përgjegjësi për atë çfarë mund të ketë ndodhur.

“Klienti im, Alfred Bushi, ka qenë me leje vjetore që prej datës 11 Gusht 2014 deri më datë 26 Gusht 2014, periudhë kohore në të cilën prokuroria pretendon se janë kryer veprimet e paligjshme. Ndërkohë, kur është kthyer në punë, as vartësit dhe as eprorët nuk e kanë lajmëruar për veprimet e kryera,” tha avokati Edmond Dema.

“Nuk është njoftuar nga vartësit e tij as për çplumbosjen dhe as për plumbosjen e magazinës. Për këto arsye ai nuk ka asnjë lidhje apo përfshirje me atë çka mund të ketë ndodhur dhe për pasojë nuk ka asnjë lloj përgjegjësie penale,” shtoi Dema.

Ndërsa avokati mbrojtës i të pandehurit Syrja Misiraj, i tha BIRN se, meqënëse çështja ndaj kilentit të tij është nisur për gjykim në Gjykatë të Lartë, nuk do të komentonin “pasi do lënë gjykatën të shprehet në mënyrë përfundimtare.”

Ndryshe nga Misiraj dhe Bushi, ish doganieri Adrian Alikaj ka kërkuar revokimin e gjykimit të shkurtuar dhe çështja në ngarkim të tij po shqyrtohet aktualisht në Gjykatën e Fierit.

I kontaktuar nga BIRN, Adrian Alikaj ka mohuar që të ketë shkelur ligjin gjatë procedurës së plumbosjes së magazinës G-43 më datë 21 Gusht 2014.

Ai ka deklaruar se procesverbali që ka mbajtur më datë 21 Gusht 2014 ka paraqitur situatën reale të produktit naftë virigin në depoziten G 43, që sipas tij ka qenë rreth 20,000 litra dhe jo 4.8 milion litra, siç shkruhet në procesverbalet e sekuestrua nga prokuroria në kompanitë Tea Contruction & Petrol dhe Deveron Oil- të cilat sipas tij janë dokumente të paprotokolluara në Degën e Doganës Fier.

Image

Gjykata e Fierit ka shpallur moskompetencë toksore për të pandehurit Xhillari, Njebza dhe Teneqexhiu

Alikaj sqaroi se ka kërkuar revokimin e gjykimit të shkurtuar, pasi prokuroria ka paraqitur fotokopje të procesverbaleve pa vulë të njomë, të cilat nuk mund të konsiderohen prova. Kjo, pasi sipas Alikajt, procesverbali që është nënshkruar prej tij ‘do të jetë grisur’ nga personat që kanë kryer këtë aferë.

“Ky proces verbal duke paraqitur situatën reale të depozitës G 43 (sasinë prej 20 000 litra dhe jo atë prej 4,8 million litra) është grisur pasi nuk i ka interesuar personave të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre lejuan lëvizjen fiktive të produktit virgin nafta nga data 15 Gusht 2014 deri në datën 21 Gusht 2014, datë në të cilën u gjend e paplumbosur depozita G 43,” tha Alikaj.

“Nga veprimet dhe mosveprimet e dy prokurorëve duket qartë fakti që këta përfaqësues të organit të akuzës nuk kanë patur si qëllim zbardhjen e çështjes por mbrojtjen e hajduteve të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre lejuan lëvizjen fiktive të produktit virgin nafta nga subjekti Tea Construction & Petrol,” shtoi ai.

Alikaj po gjykohet aktualisht i akuzuar për falsikim dokumentesh në gjendje të lirë në Gjykatën e Fierit, ndërsa Gjykata e Tiranës pritet të vendosë mbi marrjen ose jo të kompetencës tokësore për shqyrtimin e çwshtjes ndaj Xhillarit në mungesë nën masën e sigurisë “arrest në burg” dhe ndaj Njebzës e Teneqexhiut të cilët po gjykohen në gjendje të lirë.

Masat arrest me burg kundër dy ish krerëve të doganës, të dhëna nga Gjykata e Fierit në Dhjetor 2015-të, janë rrëzuar nga Gjykata e Lartë në Mars 2016-të. Ndërsa biznesmeni Xhillari vazhdon të jetë në arrati dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi besohet se fshihet.(Kortezi:Syri.net)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Doganat, kontrabandë, Loja e dyfishtë, Nafta virgine

Kur ortodoksët shqiptarë anti-Janullatos përkraheshin nga PS dhe PD

August 7, 2017 by dgreca

Histori-Ndodhi 25 vjet më parë/

2 Janullatos

Një protestë e rëndësishme ka ndodhur si sot 25 vjet më parë, kur një grup besimtarësh ortodoksë të Tiranës, tentuan të ndalin shpalljen e priftit grek, Anastas Janullatos, Kryepeshkop të Shqipërisë. Protesta e nënshkruar nga besimtarët ortodoksë mbërriti në parlament pasi mori mbështetjen e 28 deputetëve të PD-së dhe 20 deputetëve të PS-së.Në deklaratën e besimtarëve ortodoksë evidentohej se disa të ashtuquajtur kishtarë shqiptarë, si ish-komunisti Aleko Dhima, po mbështesin përpjekjet e kishës greke për të emëruar  Janullatosin në krye të kishës ortodokse shqiptare.

Në emër të deputetëve të PD-së, i ndjeri Perikli Teta lexoi deklaratën e besimtarëve ortodoksë duke i kërkuar parlamentit të marrë vendimet e duhura dhe të bëjë të mundur sa më shpejt abstragimin e këtij kleriku grek nga Shqipëria dhe njëkohësisht krijimin e një komisioni parlamentar për të verifikuar aktivitetit e kishës greke në zonat jugore të vendit tonë.

Deklarata e Perikli Tetës u mbështet edhe nga ajo e Namik Dokles i cili tha se 20 deputetët socialstë të pranishëm në sale, e mbështesin protestën e besimtarëve ortodoksë.

Seancë parlamentare, e hënë, 3 gusht 1992, ora 17:00

Perikli Teta – Zoti Kryetar, Në emër të një grupi prej 28 deputetësh të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialdemokrate, desha të shpreh përkrahjen për një protestë që na ka ardhur nga një grup ortodoksësh shqiptarë me këtë përmbajtje:

P r o t e s t ë

Ne, besimtarët ortodoksë, të mbledhur sot në Kishën Ortodokse të Tiranës protestuam dhe protestojmë energjikisht ndaj përpjekjeve të kishës greke, të ndihmuar dhe nga disa të ashtuquajtur kishtarë shqiptarë, si ish-komunisti Aleko Dhima për të shpallur Kryepeshkop të Shqipërisë, priftin grek, Anastas Janullatos.

Këto janë atentate që i bëhen Autoqefalisë së Kishës Shqiptare, e cila është arritur me gjakun e sakrificat e atdhetarëve tanë të shquar, si: Papakristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Fan Noli etj.

Megjithëse opinioni ynë e ka ngritur zërin kundër ndërhyrjes brutale të kishës greke, të njohur për qëndrimin e saj dhe sot e kësaj dite antishqiptar, ata përsëri sot u përpoqën të realizojnë vendosjen e Janullatosit si Kryepeshkop të Shqipërisë, gjë që është në kundërshtim të hapur me statusin e kishës autoqefale shqiptare.

Ne, besimtarët e ndershëm ortodoksë, të fyer në ndjenjat tona fetare, kombëtare, i bëjmë thirrje mbarë opinionit ortodoksë shqiptarë të dënojë me forcë veprime të tilla dhe të bashkohet me ne për të mos e njohur as sot , as kurrë peshkopin e importuar. Shqipërisë kurrë nuk i kanë munguar klerikët e zotë, të ndershëm dhe atdhetarë. Të mos mendojnë shovinistët grekë se tashmë u erdhi koha për të realizuar synimet e tyre satanike.

Tiranë, më 02.08.1992.

Teta vazhon… Përveç kësaj, zoti Kryetar, unë në emër të këtyre deputetëve dhe të protestuesve, i sugjeroj Kryesisë së Kuvendit Popullor që të interesohet dhe të bëjë të mundur sa më shpejt abstragimin e këtij kleriku grek nga Shqipëria dhe njëkohësisht krijimin e një komisioni parlamentar për të verifikuar aktivitetit e kishës greke në zonat jugore të vendit tonë. Ju faleminderit!

Pjetër Arbnori – Ju faleminderit edhe unë, zoti deputet Perikli Teta për fjalën tuaj që thatë edhe në emër të disa deputetëve të tjerë dhe mendoj që i gjithë Kuvendi Popullor duhet të jetë dakord me këtë shprehje të patriotizmit të ortodoksëve shqiptarë dhe të patriotizmit të të gjithë deputetëve tanë që janë kundër ndërhyrjeve të huaja në kishat tona.

Namik Dokle – Meqenëse zoti Teta nuk përfshiu asnjë nga deputetët e Partisë Socialiste në këtë deklaratë, unë po them që të shtojë edhe 22 emrat e deputetëve të pranishëm socialistë që janë këtu.Përgatiti: Ermir Hoxha – /tesheshi.com/ 

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vet, kunder Janullatosit, Ortodoksit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1866
  • 1867
  • 1868
  • 1869
  • 1870
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT