• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mish për top

July 30, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1Nga Ilir Levonja/Nga dje dhe sot shqiptarët janë përfshirë në një masë proteste karshi një vendimi gjykate në Kroaci. Kjo në lidhje me ekstradimin e ballist Morinës, ai që në tetor të vitit 2014 u njoh si autori i lëshimit të një droni, që çoi në ndërprejren e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë. Luheshin eleminatoret e europianit në Francë. Një veprim që për disa, madje dhe burra shteti, ishte një heroizëm. Për shumë të tjerë një akt që nuk duhej të ndodhte. Ashtu sikur edhe për plot analistë oportun, një veprim i papjekur. Madje i ideuar nga vet serbët.

Sipas tyre kalvarit të raportit midis serbëve dhe shqiptarëve, sidomos pas bërjes së Kosovës shtet, nuk u duhej edhe një ngjarje e tillë.
Por të mos harrojmë, se, deri orët e para të ditës së nesërme, asaj mbrëmje akuzohej edhe vëllai i kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Tashmë mbrapshtia e bëri të vetën. Pamjet e televizioneve të botës ishin ato që njihen, ca sportista që mbronin kokat nga karrikat që u thyheshin supeve. Dhe nuk e di se çfarë vlere patriotike do të kishte ai dron sikur, larg qoftë të kishte humbur jetën ndonjë ata djem në fushë. Apo nga ata shqiptarë në shkallët e stadiumit që kishin shkuar të shikonin futboll. Aq më tepër kur ca oshëtima tifozerie, me, vritini shqiptarët trondisnin platformën. Dhe ca të tjera të dorës së dytë, të yshtura nga bota e patriotizmit të palëve pështynin mbi gjithçka. Shkurt, Shqipëria dhe Serbia ishin tmerri në sytë e botës. Se si do të vente ajo ndeshje, sikur të mos kishte ndodhur kjo, askush nuk të thotë gjë, Shqipëria po lunate mjaft mire. Mund të humbte, mund të fitonte. Dhe ndofta betejave tashmë shekullore për të drejtat e mohuara midis shqiptarëve dhe serbëve, apo faktit se kujt i ha hakun kandari, do i mungonte kjjo, dosja e këtij ballistit. Megjithatë revanshit të një fitoreje në tavolinë, skudra serbe iu përgjigj me qetësi. Kur ca muaj më vonë do na ftohte nervat duke fituar pastër në Elbasan. Megjithëse shkuam ne në europian. Dhe ndofta për herë të parë fati po i sillte hiletë, apo strategjitë e kancelarive të mbrapshta nga koha, në favor të shqiptarëve. Por ndofta nuk ishte as kjo.
Megjithatë si ngjarje…, nxjerr në pah paradoksin e sojit tone.
Nuk u bëmë kështu kur humbëm Gërvallët, Hotin, Aganin, e sa të tjerë. Më fort solidarizohemi me topin, se sa me gjakun e humbur. Pra mish për top e gjak për asgjë.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, Mish për top

BALLKANI PERËNDIMOR DHE DYERT E MBYLLURA TË BE-së

July 30, 2017 by dgreca

1Xhelal Zenjeli

Nga Xhelal Zejneli/ Vende të Ballkanit Perëndimor konsiderohen: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bonja dhe Hercegovina dhe Serbia. Vendet e sipërthëna i takojnë Gadishullit Ballkanik dhe që të gjitha kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Duhet theksuar se Kroacia dhe Sllovenia kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Austro-Hungareze. Këto dy vende, as gjeografikisht dhe as në pikëpamje kulturore-historike, nuk i përkasin Gadishullit Ballkanik. Që të dyja janë anëtare të strukturave euro-atlantike. Duhet theksuar se Kroacia ka lidhje historike të ngushta me Gjermaninë dhe rrjedhimisht gëzon edhe mbështetjen e madhe të Berlinit.

Dy vendet e tjera të rajonit – Rumania dhe Bullgaria, po ashtu janë anëtare të strukturave euro-atlantike, përkundër faktit se nuk i plotësojnë standardet për të qenë pjesë e BE-së. Këto dy vende ia dolën të bëhen pjesë e saj, për dy arsye:

– e para, gjeografikisht janë afër Rusisë dhe si të tilla, paraqesin interes strategjik për Uashingtonin dhe Berlinin;

– e dyta, që të dyja këto vende, në historinë e kohës më të re, kanë pasur lidhje me Gjermaninë, ndaj Berlini që i prin BE-së, i kooptoi pa kusht në gjirin e familjes evropiane. Duhet shtuar se Rumania, gjeografikisht nuk i takon Gadishullit Ballkanik.

Karakteristika të vendeve e Ballkanit Perëndimor janë:

  • shkalla e ulët e zhvillimit ekonomik;
  • shkalla e lartë e papunësisë;
  • problemet e theksuara sociale;
  • niveli i ulët i demokracisë;
  • mediumet e kontrolluara, përkatësisht mungesa e mediumeve të pavarura;
  • niveli i lartë i korrupsionit;
  • mungesa e shtetit ligjor;
  • partizimi dhe politizimi i skajshëm i institucioneve publike dhe i administratës shtetërore, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë vendor;
  • polarizimi i skajshëm ndërmjet partisë në pushtet dhe opozitës politike;
  • denigrimi i oponentit politik me fjalë dhe shprehje pezhorative, që s’e has dot as në vendet afrikane;
  • shkalla e lartë e kriminalitetit, vjedhjet, vrasjet, reketimet, trafikimi i armëve, i lëndëve narkotike dhe i qenieve njerëzore dhe abuzimet e llojeve të ndryshme;
  • nëntoka urbane dhe ndërtimet pa leje.

 

* * *

Vendet e të ashtuquajturit Ballkan perëndimor, kanë ndër vete mosmarrëveshje të mëdha, madje edhe historike.

Serbia është në konflikt pothuajse me të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, si për shembull:

– ndaj Kosovës ka pretendime territoriale dhe nuk e njeh pavarësinë e saj;

– Malin e Zi e konsideron krahinë të vet, ndërsa malazezët – serbë; në Mal të Zi e ka edhe kolonën e pestë të vet;

– në Bosnjë dhe Hercegovinë i mbështet tendencat secesioniste të entitetit serb, d.m.th. të Republikës Serbe;

– Kishës Ortodokse Maqedonase nuk ia njeh autoqefalinë.

Duhet theksuar se Serbia ka pretendime territoriale edhe ndaj Kroacisë. Po ashtu duhet shtuar se Beogradi ndjek politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), ndaj myslimanëve të Sanxhakut si dhe ndaj hungarezëve të Vojvodinës.

Ëndrra për Serbi të madhe jeton e gjallë sot, po aq sa edhe në kohën e Naçertanies (1844) së Ilia Garashaninit. Serbia vazhdon të jetë satelite politike e Rusisë dhe vazhdimisht i kanoset Perëndimit se do ta sjellë Rusinë në gadishull.

* * *

Bosnja dhe Hercegovina është shtet me dy enitete dhe me tre popuj shtetformues. Entitete janë Federata Musliman-Kroate dhe Republika Serbe, ndërsa popuj konstituivë janë: myslimanët që identifikohen si boshnjakë, serbët dhe kroatët. Ndërmjet dy entiteteve ka mosmarrëveshje të mëdha. Republika Serbe që ka për kryeqytet Banja-Llukën, në asnjë pikëpamje nuk i bindet Sarajevës dhe ajo haptazi manifeston tendenca separatiste dhe secesioniste, duke synuar t’i bashkëngjitet Serbisë.

Serbia ndërkaq, përhap propagandë nëpër kancelaritë evropiane:

– se në Bosnjë dhe Hercegovinë ka fundamentalizëm islamik;

– se myslimanët e BH-së, përçojnë në rajon dhe në Evropë interesin turk, arab  apo iranian;

– se myslimanët e BH-së funksionojnë me sistem oriental të vlerave dhe jo me sistem perëndimor vlerash;

– se nga BH-ja rekrutohen të rinj për të luftuar në Siri dhe gjetkë, në radhët e ISIS-it.

Myslimanët e BH-së apo boshnjakët, siç e quajnë ata veten, e fajësojnë Beogradin për luftën e përgjakshme të viteve 1992-95 si dhe për gjenocidin e kryer nga serbët.

* * *

Mali i Zi është vend me probleme të caktuara, si:

– shqiptarët në këtë vend janë plotësisht të diskriminuar;

– në Mal të Zi ekziston kolona e pestë serbe, e cila në mënyrë permanente vepron për destabilizimin e saj;

– në Mal të Zi, në mënyra të ndryshme, synon të penetrohet Rusia, por edhe duke blerë prona në brigjet e Adriatikut.

Sipas një barcolete, çdo i treti qytetar i Beogradit është malazez.

* * *

Maqedonia është shteti më i nacifikuar në Evropë. Ajo ka probleme të shumta, si:

– kriza e identitetit e popullit sllavo-maqedonas;

– problemet ndëretnike midis shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve, që janë pasojë e çështjes shqiptare të pazgjidhur;

– nacionalizmi i skajshëm që është pjesë thelbësore e programit politik dhe partiak të VMRO-së;

– identiteti i mohuar i sllavo-maqedonase nga Bullgaria, sipas së cilës, sllavo-maqedonasit nuk janë veçse bullgarë;

– mosmarrëveshjet me Serbinë, e cila e mohon kishën sllavo-maqedonase;

– problemet me Athinën rreth emrit.

Ideologjia e VMRO-së dhe pretendimet e saj për lidhjet e sllavo-maqedonasve me maqedonasit antikë të kohës së Filipit dhe të Lekës së Madh, paraqesin pretendime territoriale ndaj Maqedonisë së Egjeut në Greqi si dhe Maqedonisë së Pirinit në Bullgari.

* * *

Kosovës i kërkohet nga Brukseli:

– demarkacioni me Malin e Zi, në dëm të vet, dhe

– krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe, po ashtu në dëm të saj.

* * *

Shqipëria ndërkaq, nuk ka probleme të theksuara me vendet e Ballkanit perëndimor. Me Greqinë ende është në fuqi gjendja e luftës të cilën Athina nuk tregon gatishmëri ta suprimojë, ndërsa çështja çame vazhdon të injorohet nga grekët.

Brukseli, përkatësisht perëndimorët vërejnë te shqiptarët:

– dukuri të fundamentalizmit apo të radikalizmit islamik;

– pjesëmarrjen e një numri të caktuar të shqiptarëve nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga Maqedonia në luftërat e huaja, si në Siri dhe në Irak.

– ndikimin, në segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni – të vendeve të caktuara islamike, si p.sh. të Turqisë dhe të disa vendeve arabe.

– ndërtimin e një numri të madh të xhamive me mbështetjen financiare të vendeve islamike.

Shqiptarët duhet ta dinë se kauza shqiptare nuk është problem fetar. Shqiptarëve u duhet zhvillim ekonomik, sistem arsimor bashkëkohor, sistem shëndetësor modern, infrastrukturë moderne, ndërmarrje prodhuese, krijim vendesh pune, rritje e përqindjes së punësisë, parandalimi i shpërnguljes masive të të rinjve dhe jo objekte fetare, xhami apo kisha, ngase të tillat nuk mungojnë.

*  *  *

Brukseli duke i parë problemet e sipërthëna të vendeve të Ballkanit perëndimor, nuk është e interesuar t’i pranojë ato në gjirin e vet. Por, Brukseli kurrë s’u thotë atyre se nuk do të pranohen në union. Mësuesi i mirë, edhe nxënësit më të dobët, kurrë s’i thotë se nuk mund të arrijë më shumë. Si pedagog që është, e këshillon që të punojë, të angazhohet e të mësojë më shumë dhe se suksesi nuk do të mungojë. Kurrë si thotë: ti s’di, ti je për kurrkund, ti do të përsëritësh, ti duhet të ngelësh.

Brukseli çdo vit u dërgon vendeve të Ballkanit perëndimor raporte vjetore në të cilat jep vlerësime për punën e bërë. Një pjesë e vlerësimeve janë pozitive, sa për t’i  kënaqur qeveritarët. Por jepen edhe do sugjerime për angazhim më të madh, sa për t’ia bërë qejfin edhe opozitës. Raportet vjetore të Brukselit dërguar vendeve që aspirojnë BE-në, janë shndërruar në klishe.

Sot si duket, dyert e Brukselit për vendet e Ballkanit perëndimor duken të mbyllura. Këtyre vendeve u sugjerohet të krijojnë njëfarë tregu të përbashkët, që do t’u  mundësonte atyre integrim ekonomik rajonal. Brukseli nuk dëshiron t’i pranojë në gjirin e vet vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe për arsye të tjera, si:

– frika nga shpërngulja masive e të rinjve të këtyre vendeve drejt Perëndimit;

– pranimi i këtyre vendeve në BE, paraqet për Brukselin ngarkesë financiare të jashtëzakonshme;

– popujt e vendeve, anëtare të BE-së, janë të ngopur me emigrantë, ndaj nuk duan të dëgjojnë për të tjerë;

– pranimi në BE i vendeve të Ballkanit perëndimor i forcon partitë e ekstremit të djathtë dhe nxit ksenofobinë;

– pranimi në BE i vendeve të Ballkanit perëndimor mund të ngjallë sindromin e Brexit-it edhe ndër vendet e tjera anëtare.

Ka të tillë që pandehin se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mund të shkaktojë ballkanizimin e Evropës.

*   *   *

Si mund ta pranojë Brukseli Serbinë në BE, përderisa Beogradi i është betuar Moskës se kurrë s’ka për të hyrë në NATO. Brukseli dhe Uashingtoni nuk të lënë të rrish në dy karrige: edhe anëtare e BE-së, edhe aleate strategjike e Rusisë. Serbia në BE do të ishte Kalë Troje i Moskës.

Kur është fjala për integrimin në strukturat euro-atlantike, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë asnjë alternativë. Dikur ekzistonte Traktati i Varshavës dhe Këshilli për Ndihmë Ekonomike të Ndërsjellë. Anëtare të tyre kanë qenë – kundër vullnetit të popujve të vet – vendet e Evropës lindore apo kampi socialist. Me prishjen e murit të Berlinit, këta dy organizma, që kontrolloheshin nga Moska, u zhbënë. Lidhja me Rusinë sot, e ndonjë vendi ballkanik, do të ishte për të, gabim strategjik dhe historik.

*   *   *

Shqipëria dhe Kosova nuk e kanë vendin në atë farë tregu të përbashkët rajonal. Bie në sy se në një union të tillë do të bënin pjesë katër ish-republika të Jugosllavisë së dikurshme: Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia. Në një union të tillë, pamëshirshëm do të dominonte Serbia. Një zonë e tillë kurrë s’ka për t’u themeluar. Në një union të tillë në të cilin bëjnë pjesë popujt sllavë të jugut, shqiptarët s’kanë ç’të kërkojnë. Ky farë unioni, s’ka sesi të mos quhet mini Jugosllavi. Shqiptarët, që nga viti 1912 e këndej luftuan për t’u shkëputur nga bashkësia e sllavëve të jugut, ndërsa sot, në shekullin XXI, u dashka t’i rikthehen asaj!! Popujt që kanë luftuar ndër vete, s’mund të krijojnë union, qoftë edhe ekonomik. Serbët nuk kanë dhënë prova se janë për Evropë. Vili Branti u përul para viktimave të nazizmit, ndërsa Nikoliqi, Vuçiqi dhe Daçiqi e mohojnë se ekzekutimi i 8000 vetëve në Srebrenicë ka qenë gjenocid.

Kroatët qëmoti kanë thënë se kurrë nuk kanë për të hyrë në ndonjë union ekonomik rajonal, duke shtuar prerazi: Aty ku janë serbët, ne  s’jemi.

*   *   *

Vonimi i shqiptarëve për t’u bërë pjesë e BE-së paraqet dështim për klasën politike të tyre. Është dështim edhe i inteligjencies shqiptare. Brenda 27 vjetëve, ajo që quhet klasë politike shqiptare, nuk ia doli të tregojë kapacitet shtetformues të duhur, nuk arriti të krijojë shtet ligjor, demokratik dhe të konsoliduar.

Shqiptarët duhet të dinë se nuk mjafton të maten apo të ndeshen me njëri-tjetrin. Perëndimi i ka kriteret e veta të matjes. Shqiptarët duhet të maten, jo me vetveten, por të përgatiten për të dalë në arenë dhe të maten me të tjerë, të paktën në shkallë rajoni. Nuk mjafton të thuhet: Jemi popull i lashtë, jemi autoktonë, pasardhës të ilirëve, kemi histori të lavdishme, jemi popull vital, kemi Skënderbeun, jemi bij të Kastriotit, shqipja është gjuhë e lashtë, inspirim yni janë rilindësit, Nënë Tereza – krenaria jonë, kolosi Kadare…

Një popull duhet t’i përvesh krahët, të punojë me nder dhe të ballafaqohet me realitetin, pa mite dhe legjenda. Pasurimi brenda natës i oligarkëve, shpie, jo në familjen evropiane, por në  unionin tregtar serbo-sllav. Për çdo dështim nuk mund të fajësohet e kaluara dhe historia. Njeriu, fajin për fatkeqësinë e vet, duhet ta kërkojë në vetvete. (Sartre). Fitorja i përket atij i cili shkon çdo ditë në luftë për të – thotë Gëte.

Midis ballkanizmit të Evropës dhe evropianizimit të Ballkanit, Brukseli, duke sugjeruar krijimin e tregut të përbashkët rajonal për vendet e Ballkanit Perëndimor, tregon se është përcaktuar për të dytën, pra për evropianizimin e Ballkanit dhe jo për ballkanizmin e Evropës.

Filed Under: Analiza Tagged With: BALLKANI PERËNDIMOR DHE, DYERT E MBYLLURA, Shell Zenjeli, të BE-së

KOSOVË-KUVENDI I ZGJEDHJEVE TË GJASHTA NË LIRI

July 30, 2017 by dgreca

1 Newborn-Kosova javën e ardhshme drejt konstituimit të Kuvendit e zgjedhjes së Qeverisë së re. Në 3 gusht, për seancën konstituive mblidhet Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, të gjashtave në liri, të tretave në pavarësi/

1 Rugova

-Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001/

 
-Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008/
 
-Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para çerek shekulli – 25 vitesh, në 24 maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi/
2 Kuvendi
 
-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
1 Kuvendi
 PRISHTINË, 30 Korrik 2017/ Javën e ardhshme, në 3 gusht, do mblidhet Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit për seancën konstituive, ndërkohë që këtë javë gjatë tre ditëve u regjistruan 112 nga 120 deputetët, e kanë mbetur për t’u regjistruar edhe 8 të tjerë, që të gjithë të çertifikuar në 8 korrik nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili më parë në 29 qershor shpalli rezultatet përfundimtare, sipas të cilave 100 mandate i kanë shumica shqiptare e 20 pakicat.
“Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”, ndërsa “mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e çertifikimit të rezultatit të zgjedhjes”, përcakton Kushtetuta.
Poashtu përcakton se, “Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë” dhe se, “kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, sikurse edhe nënkryetarët,
3 të propozuar nga tre grupet më të mëdha parlamentare dhe 2 nga pakicat, 1 nga serbët e 1 nga komunitetet tjera që mbajnë vende të garantuara.
Grupi më i madh parlamentar është koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, fitues i zgjedhjeve me 39 mandate deputetësh, ndërsa për zgjedhjen e krytetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit e mandej edhe të qeverisë për të bërë shumicën e nevojshme duhen së paku 61 vota.
Në anën tjetër, 61 vota i kanë së bashku grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje me 32 deputetë dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 29, të cilat tashmë kanë zhvilluar takimet e para për mundësitë e një koalicioni paszgjedhor me synim krijimin e qeverisë së re në pritje të mosvotimit të qeverisë së të nominuarit të parë, duke deklaruar edhe voten kundër ndonjë kandidati për kryeparlamentar të propozuar nga koalicioni fitues i zgjedhjeve.
Në votimet në konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë, si dhe në vendimmarrje tjera parlamentare, pjesë e rëndësishme e procesit janë edhe 20 deputetët e komuniteve pakicë. Komuniteti serb ka 10 vendet e garantuara, 9 të Listës Serbe dhe 1 të Partisë së Pavarur Liberale, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.
 Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, deri në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve, do të kryesohet nga deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri, sipas moshës.
Sipas axhendës së përcaktuar nga Kryesia, në seancën konstituive fillimisht do të formohet Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, më pas do të bëhet betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të  legjislacionit të kaluar me përfaqësuesit e partive parlamentare të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit është përcaktua edhe ndarja e ulëseve të deputetëve në sallën e mbledhjeve plenare.
PDK nuk ndërron vend, deputetët e saj bashkë me të AAK e Nisma si grupi më i madh parlamentar i koalicionit parazgjedhor do të ulen në qendër të sallës plenare. Por, në këtë grup vend ndërrojnë deputetët e AAK-së që në legjislaturën e kaluar uleshin pas VV-së, derisa ata të Nismës uleshin pas PDK-së.
Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të ulet në krahun e djathtë të kryesuesit të seancës së Kuvendit, ku në legjislaturën e kaluar ulej Lidhja Demokratike e Kosovës. Në anën e majtë, atje ku më parë uleshin deputetët e VV-së, tash do të ulen deputetët e grupit parlamentar të koalicionit parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa.
Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re, prandaj koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, ndërkohë që Kosovën e presin edhe zgjedhjet e rregullta lokale këtë vit, në 22 tetor, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në 10 maj,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK, të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit.
Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 ishin të gjashtat në liri, të tretat pas pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 të njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së, ndërsa u zhvilluan tre vjet pas zgjedhjeve të kaluara që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001. Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë.
Ndërsa, zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para çerek shekulli – 25 vitesh, në 24 maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit nga regjimi i dhunës serbe.
 
Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.
Në mbledhjen 2 majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, GJEDHJEVE TË GJASHTA, KOSOVË-KUVENDI I Z, NË LIRI

Në birucat e sigurimit

July 30, 2017 by dgreca

1 Reshat

Nga Reshat Kripa*/

Qelia ku më mbyllën ishte nën rampën e shkallëve.  Kishte dimensione 2,5 X 1,5 dhe lartësia fillonte nga 20 cm. dhe përfundonte në 1,5 metra. Koka dhe i gjithë trupi më dhimbnin. Nuk e di sa kisha në atë gjendje, kur dëgjova një zë që thërriste,  sikur pëshpëriste:

– Hej, kush jeni?

Nuk kisha fuqi të përgjigjesha. U mundova, por u rrëzova përsëri. Thirrja u përsërit. U kapa pas hekurave të dritares së vogël që ndodhej në portë dhe munda të ngrihem me mundim. Në krah të qelisë time, nën shesh pushimin e shkallëve, ndodhej një qeli tjetër, që me timen ishin të vendosura në formën e gërmës ” L “. Në dritaren e portës së saj pashë fytyrën e një burri.

– Ujë! – i thashë me gjysmë zëri

U  mundua   të   më   jepte   shtëmën   e  vogël  që kishte,  por  atë  nuk   e   nxinin   hekurat,  Atëhere mbushi opingën e tij dhe ma dha. Në fillim ndjeva neveri të pija ujë me opingën e një të panjohuri. Mos vallë vinte erë nga djersa e këmbëve të tij? Por etja më detyroi. E piva përnjëherësh. E mbushi  përsëri  dhe  e  përpiva  edhe atë. Uji më gjallëroi. E mbushi për të tretën  herë  dhe më tha:

– Laj fytyrën!

U lava. Ndjeva se  uji më solli në jetë.  Në këtë kohë më hyri një e dridhur në shtat. Ndoshta po më fillonin ethet. Ai më pa, mori një batanie dhe ma zgjati nëpërmjet dritares.

– Merre dhe mbulohu, por kujdes mos të të shohë roja.

E   mora   dhe  u  mbulova.  Pas  pak  më  zuri gjumi. U zgjova nga një zhurmë hapash. Ishin hapat e rojeve. Dola  në  dritare  dhe  i  fola  komshiut. Filluam  të bisedojmë Ishte Imer Rakipi nga Gjormi, i ati i Neki Imerit, ish komandant partizan i vrarë po nga ata.

U ula në një qoshe dhe fillova të vështrojë qelinë. Nga drita e paktë që hynte nga dritarja, vura re  disa  shënime  të  bëra  me  gërvishtje  në  mure. U   afrova  dhe  lexova  njerin:

“Këtu u dergj Gogo Zhupa!”

Kush ishte ky Gogo Zhupa që ishte dergjur aty?  Gjatë kohës që qëndrova në burg nuk takova njeri me këtë emër. Ata që e kishin njohur më thanë se ishte nga Himara.

Më tutje  një shënim tjetër më i gjatë:“Nënë  e  dashur!…  Më  fal!…  Po  vdes … me brengën… se po  të  lë  vetëm…Kriminelët më… kanë sakatosur… ashtu si bënë… edhe  me babanë…Më fal o nënë… se të kam…shqetësuar…!”

   Petr..“

Emrin nuk kishte mundur ta përfundonte. Çfarë e quanin? Petrit, Petrika, Petraq, Petref apo ndoshta Petro? Si duket vdekja nuk e kishte lejuar të mbaronte emrin e tij.

Duke lexuar këto shënime mendova: – Si duket këto qeli qënkan për të vdekur! Po unë a do të shpëtojë?

Mendja më shkoi te shkolla. Atë ditë ishte hartimi. Para syve më dolën shokët dhe shoqet e klasës. Në atë moment ata po shtjellonin temën. Kurse unë dergjesha në atë qeli, prej nga nuk dija në se do të dilja dot i gjallë. A mund të kishte temë më të dhimbëshme se gjendja  në  të  cilën  ndodhesha?  Një  ndienjë melankolie më mbuloi.

dukej  sikur  shikoja  fytyrën  e  Nerit.  Kjo   ndienjë   ma   shtonte  më  tepër dhimbjen.

Kishim tri roje të brendëshme. Kapter Myfiti  ishte një sadist i vërtetë. Kënaqësia e tij ishte kur shihte viktimat e sakatosura nga torturat që ktheheshin nga hetuesit. Qeshte  me  të  madhe  kur  i shihte në atë gjendje. Ishte një e qeshur sarkastike.

– Sa më qenke zbukuruar  me  këtë  ngjyrën  e kuqe! – thoshte duke u ngërdheshur si ndonjë përbindësh, kur i shihte viktimat të gjakosura.

Tetar Vlashi nuk ishte i keq si Myfiti, por kërkonte të zbatonte një për një kërkesat e rregullores së brendëshme. I treti ishte rreshter Gjyshi, i shoqi i  një komshies tonë, me të cilën kishim miqësi familjare. Në përgjithësi, sillej mirë, sidomos me mua që më njihte.

Hetues kishim marshall Demirin. Një vit më parë kishte qënë edhe hetuesi i Besnikut, vëllait tim. Kishte krijuar bindjen se  duhej të kishim një më të madh që na kishte shtyrë në këtë rrugë. Nuk besonte që tre fëmijë si ne të mernim një të tillë inisiativë. S’arritëm kurrë të kuptojmë se për ç’arësye  dyshimi i tij binte mbi një shokun e klasës së Besnikut,  Shefqet Xhikun. Na torturonte për të na detyruar të pranonim se ishim shtyrë nga ai. Por kjo ishte absurde. Ne nuk kishim si të pranonim. Ishim të detyruar të duronim torturat.

Një natë po flija  në  qelinë  time.  Ndjeva  një goditje të fortë  në  këmbë. U ngrita i  tronditur.  Para meje qëndronte kapter Myfiti

– Çohu! –  tha me një zë të ashpër – Po të pret xhelati.

– Xhelati? Cili xhelat? – e pyeta unë.

Bëri buzën në gaz në mënyrë ironike dhe tha:

– Do ta shohësh kur të shkosh lart.

Më shoqëroi në zyrën e Demirit. Ai qëndronte duke shkruar diçka në tavolinë.

– Qëndro aty.! – foli duke treguar qoshkun e murit.

Unë rrija i heshtur. Isha dobësuar jashtë mase. Nuk kisha fuqi të qëndroja në këmbë. U mbështeta pas murit.

– Mos u mbështet! – tha me një ton urdhërues  pa hequr vështrimin nga shkresat që kishte përpara. Sipër kokës së tij ishte një orë muri. Ajo tregonte një e gjysmë. Kishte kaluar mesnata. Si  mbaroi  punë, u ngrit dhe u drejtua nga unë:

– Sot dua të mbarojmë punë shpejt se vajti vonë. Më trego, ku i ka fshehur florinjtë yt atë?

E  vështrova  i  habitur. E  ku  i  kishin  mbetur  florinj  tim  eti   pas   gjithë   atyre peripecive që  kishim hequr.  Në shtëpinë tonë mezi kishin mbetur vetëm disa minderë të vjetër prej dërrase dhe jo të kishim florinj. Le që edhe po të kishte, aq mendje lehtë nuk do ishte im atë sa të m’i tregonte mua një pesëmbëdhjetëvjeçari? Pyetja e tij m’u duk si e një fillestari të paditur.

– Babai im nuk ka florinj, – iu përgjigja.

– Ashtu, nuk do të tregosh? Ti di  edhe  vrimat e miut që janë në shtëpi.

– Ato i di, por florinj im atë nuk ka.

– Mirë, më qafë paç veten!

Më lidhi duart me  hekura  dhe  m’i  shtrëngoi fort.  Më  shtriu  në  tokë  dhe  filloi të më godiste me të dy pëllëmbat me sa fuqi  kishte.  Shikoja  krahët  e  tij  që  hapeshin  me forcë dhe më qëllonin. Koka ime e vogël ishte e detyruar të duronte goditjet barbare të tij. Filloi të më godasë edhe me shkelma në organet gjenitale. Më vinte këmbën me këpucët me gozhda në grykë dhe më hipte sipër duke më rënduar me forcë

– Hë, fol, ku janë florinjtë?

Dhimbjet   ishin   të  tmerrshme.  Nga  hundët filloi  të  më   rridhte gjak. Kjo  gjendje  vazhdoi  për gati dy orë. Së fundi humba ndjenjat. Më hodhën një kovë ujë në fytyrë.  Ndjeva

dy duar që më ngritën dhe duke më hequr zvarrë më përplasën në qeli.

Isha në gjendje kllapie. Si nëpër gjumë më çfaqeshin para syve fytyra të ndryshme. Para syve më dilte portreti i Fatushes, motrëe time,  që më jepte kurajo, por ai zëvëndësohej menjëherë me atë të Demirit që më kërcënonte.

E mblodha veten shpejt dhe thashë:

– Bëhu burrë dhe mos turpëro veten!

Kjo gjendje vazhdoi deri në  mëngjes.

Netët kalonin në mes të ankthit të torturave. Ishte bërë  e zakonshme që pyetjet të zhvilloheshin afër mesnatës. Kështu një natë më çuan si zakonisht në zyrën e hetues Demirit. Ai më vështroi  gjatë dhe në fund më pyeti:

– A je penduar për aktivitetin e zhvilluar?

Pyetja më erdhi e papritur. Nuk dija si të përgjigjesha. Po rrija i menduar pa i kthyer përgjigje.

– Hë, si thua? – vazhdoi ai.

Vendosa t’i thoja të vërtetën:

– Aspak.

Përgjigja i erdhi  e  papritur. Më  vështroi  me  inat dhe pastaj më tha;

– Ashtu? Atëhere bëjë një deklaratë për sa the.

Më vuri para  letër dhe penë. Unë fillova të shkruaj:

19959083_1873002486354303_3658137899593766131_n  Deklaratë

Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e  kryera  kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:19961192_1873002596354292_8939744024790587073_n

            Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk  ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga  t’arratisurit e  jashtë shtetit anglo-amerikanët etj.

            Këtë dekllaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuar sepse janë deponimet e mija.

                                                                                        Reshat   Kripa

Vlorë më 11-VIII-1951

19905213_1873002536354298_2461307283945850700_nDemiri mori dhe lexoi deklaratën. Fytyra filloj t’i marrë lloj-lloj ngjyra. U kthye nga unë dhe me një ton prej krimineli më tha:

– Kështu ti dashke anglo-amerikanët?

– Po, shqiptarët dhe anglo-amerikanët. Ata janë aleatët  tanë. – iu përgjigja.

– Aleatët e sat’ëme apo tyt’eti?

Aty për aty filloi të më godasë me pëllëmba, grushta dhe çfarë të mundte. Pastaj thirri Myfitin dhe e urdhëroi që të më lidhte duart dhe të më çonte në qeli.

Një ditë u hap porta e qelisë dhe tetar Vlashi më tha:

– Merr rrobat dhe eja me mua!

I mblodha ato pak rroba që kisha dhe u nisa pas tij. Kur mbërritëm te qelia numër shtatë, qëndroi, hapi portën dhe më tha të futesha brenda. Ishte një qeli më e madhe se e para. Kishte dimensionet 3 X 2 dhe lartësi 3 metra. Në njerën anë të saj ishte shtrirë një burrë rreth tridhjetëvjeç. Ana  tjetër  ishte  bosh,  Përshëndeta   mikun e ri   dhe  vendosa rrobat në vendin bosh. U ula  dhe filluam të bisedojmë. Më pyeti nga isha dhe përse më kishin arrestuar. I tregova. E njihte tim atë.  Kishte prurë ullinj në fabrikën tonë. Pastaj e pyeta edhe unë.  Ishte  nga  Dukati. E  quanin  Halo  Çanaj. Ishte  arrestuar  pasi  kishte  strehuar  disa  të

arratisur. Kishte qenë ushtar me çetat e Ballit Kombëtar.

Halua    më     përmendte     betejat     e     Gjormit, Drashovicës, Selenicës dhe të tjera. Më fliste për Termopilen shqiptare, luftën e Grehotit me italianët ku u vranë komandanti Hysni Lepenica dhe tridhjetepesë burra të tjerë. Më fliste për Skënder Muçon dhe dy shokët e tij që i pushkatuan gjermanët, vetëm e vetëm se ishin nacionalistë.

  • A ke   dëgjuar    për   ndonjë  betejë   tjetër   ku    të  kenë  rënë  komandanti   dhe

tridhjetepesë trima të tij? – më thoshte me krenari.

Ai fliste dhe unë e dëgjoja me vëmendje. Më  tregonte edhe për fillimin e vëllavrasjes, për luftën e Dukatit, ku forcat nacionaliste u sulmuan pabesisht nga partizanët:

– Ishte fundi i nëntorit të vitit 1943. Kishte kaluar mesnata kur u zgjuam nga krisma e armëve. U dha kushtrimi. Ishim sulmuar pabesisht nga dy batalione partizane, ai “ Asim Zeneli “ dhe “ Halim Xhelo “. Burrat e fshatit, nën komandën e Maliq Koshenës, rrëmbyen armët dhe filluan të mbrohen. U zhvillua një betejë e përgjakshme. U vranë njëzetetre djem, katërmbëdhjetë nga partizanët dhe nëntë nga ballistët.

Ka mbetur si legjendë debati i zhvilluar ndërmjet partizanit  Myrto  Sadiku  nga  Tërbaçi   dhe ballistit Murat Bodo nga Dukati. I pari foli Myrtua:

“Hidhe armën, fashist i ndyrë!”

Ndërsa Murati i përgjigjet me bejte:

S’jam fashist, por i Dukat,

            As ti rus, por i Tërbaç,

            Por na qenka taksirat

Që na vjen dhe vret në prag!

U qëlluan të dy zjarr për zjarr. Në këtë betëjë u vranë 23 veta, 8 nga Ballistat dhe 15 nga partizanët. Dukati i qau të rënët pa dallim. Ai i varrosi të dy palët  sipas zakonit shqiptar. Nënat dukatase i qanë njëlloj bijtë e Shqipërisë:

Korba, na u vranë djemtë,

            Ca këtu e ca në çetë.

            Ca këtu, ca në parti,

            Vaj medet, o Shqipëri!

Komandantin tonë, Maliq Koshenën, e pushkatuan komunistët  vitin e kaluar. Halua heshti. Kujtimi i asaj ngjarje e tronditi tepër.Për herë të parë dëgjova një histori ndryshe nga ajo që kisha mësuar në shkollë. Këtë e dëgjova nga goja e një luftëtari të thjeshtë nacionalist, një njeriu të pa shkollë, por me një zemër të madhe Tregimi i thjeshtë i Halos, pa shtirje dhe me sinqeritet të dukshëm, filloi të ndryshojë mendimin tim për atë periudhë   të historisë dhe ata personazhe që u bënë heronjtë e saj.

Pas gjashtë muajsh e gjysmë erdhi Gjykata Ushtarake e Durrësit.  Gjyqi ishte në të vërtetë një farsë. Ishim nëntë veta që u gjykuam. Ne të tre, Halua, Imeri dhe katër të tjerë, Bejo Vrazhdua nga Bolena, Hajro Belishova nga Mallakastra, Pullumb Llupa nga Vlora dhe Pepo Koheni, një vlonjat me origjinë hebreu.

Kryetar gjyqi ishte kapiteni i parë Shuaip Shaze dhe antarë nëntoger Namik Laze dhe një qytetare e Vlorës, Adile Selimi. Prokuror ishte Gaqo Bezha, ndërsa sekretare  Raife Ismaili. Gjykimi u zhvillua në dy seanca që zgjatën jo më tepër  se pesë orë. Ditën e parë u zhvillua seanca e pyetjeve. Të nesërmen në fillim u dha pretenca e prokurorit. Në këtë  pretencë, midis të tjerave thuhet:“Të tre të pandehurit bashkarisht,  në gjimnazin “Ali Demi”, kanë marrë pjesë në një grup armiqësor, të ashtuquajtur “Atdhetari”, i krijuar dhe i pagëzuar me inisiativën e Reshat Kripës kundër pushtetit popullor. Kanë zhvilluar mbledhje të rregullta, deri në shtatë herë rresht, në dyqanin e Jorgo Beshos e gjetkë, mbledhje këto që kryesoheshin nga Reshat Kripa.

Në fund të mbledhjeve merrnin vendime për të shtuar rradhët e grupit. Ata, me propozim të Reshat Kripës, kanë hedhur trakte. Konceptet e tyre i jepte Myrteza Baboçi. Në shkruarjen e tyre kanë marrë pjesë Reshat Kripa dhe Jorgo Besho, ndërsa në shpërndarjen që të tre së bashku.”

Pastaj u bë mbrojtja e avokatëve. Unë dhe Jorgua kishim avokat Pavllo Sopiqotin, ndërsa Myrtezai Petro Kisin.. Ata u munduan ta paraqisnin çështjen si një fantazi fëmijësh.. Pastaj e mori fjalën kryetari që kërkoi fjalën tonë të fundit.

– Nuk kam asgjë për të thënë, – u përgjigja unë

Të njëjtën përgjigje thanë  edhe  shokët  e  mi. Ai priste që ne të kërkonim mëshirë. Pastaj me vendimin numër 111 datë 11.12.1951 na dënuan. Në vendimin e gjyqit thuhet:”Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Reshat Kripa, ndonse në moshë të re, bëhet i vendosur në rrugën antipushtet dhe qysh në muajin mars të vitit 1951 bisedon me rradhë edhe me dy të pandehurit e tjerë, Jorgo Beshon dhe Myrteza Baboçin. U shfaq atyre propaganda shpifarake të radiove reaksionare si të Londrës e të tjera, u paraqet ndërrimin e situatës në vendin tonë dhe së fundi u propozon që të formojnë një grup me emrin “Atdhetari” Të tre të pandehurit janë konseguent në pjesmarrjen e tyre në grup kundërshtar të organizuar dhe në përpilimin dhe shpërndarjene fletushkave me përmbajtje antipushtet.”

Sipas tij mua dhe Myrtezanë na dënuan me nga pesë , ndërsa Jorgon me tre vjet burg.Avokatët bënë rekursin në Gjykatën e Lartë Ushtarake. Kjo gjykatë me Kryetar kapitenin e parë  Vangjel Kocani dhe antarë kapitenët e parë Mustafa Qilimi dhe Mustafa Beqo, si dhe  prokurori ushtarak, kapiten Gazmend Jusufaj dhe kryesekretari, kapiten Murat Qazimi, më datën 17.01.1952 morën vendimin numër 35, ku ndër të tjera thuhet:Rrezikshmëria e veprimtarisë së tyre është e theksuar., prandaj vendimi i gjykatës është i drejtë, si për deklarimin fajtor dhe për masën e dënimit aplikuar veçmas për secilin.Vendimi ligjëronte atë të Gjykatës Ushtarake të Durrësit.

*Fragment nga romani: “Rini e Copetuar”*1 Reshat

Filed Under: Histori Tagged With: Ne birucat e Sigurimit, reshat kripa

Ballist Morina kërkon azil në Kroaci

July 29, 2017 by dgreca

hqdefault-1-e1501346829102

Simpatizuesi shqiptar i futbollit, Ismajl Morina, i arrestuar sipas kërkesës së Serbisë, i dyshuar se e ka aktivizuar një dron për të fluturuar me një flamur në ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri, në Beograd, ka kërkuar azil politik në Koraci, për ta evituar ekstradimin.Ky person ishte arrestuar në muajin qershor në Kroaci, sipas kërkesës së Serbisë. Një gjykatë në Dubrovnik është pajtuar javën e kaluar, për ta ekstraduar shqiptarin 35 vjeçar në Beograd.

Darko Butigan, avokat i Ismajl Morinës, tha sot se klienti i tij është ankuar kundër ekstradimit dhe, po ashtu, ka kërkuar azil politik në Kroaci.Avokati Butigan tha se Morinaj frikësohet se nuk do të ketë proces gjyqësor korrekt në Serbi.

Në ndeshjen kualifikuese futbollistike ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, në tetor të vitit 2014 në Beograd, u shkaktua incident, kur droni me një flamur nacionalist shqiptar fluturoi mbi fushë, raporton AP nga Zagrebi.

***

Ndodhet i ndaluar që prej një muaji në Kroaci, Ismail Morina, i njohur si “Ballist Morina”, protagonisti i mbrëmjes së tetorit të vitit 2014 në Beograd, që nëpërmjet një droni të telekomanduar valëvite mbi stadiumin e Beogradit flamurin e Shqipërisë .

 NGA PROTESTAT E SE SHTUNES PARA KRYEMINSTRISE, FEDERATES DHE AMBASADES KROATE/

Ballisti-1-780x439ambasadakroateBallisti-fk-780x439Ballist Morina, gjate ndeshjes se futbollit ndermjet ekipeve kombetare, Shqiperi-Armeni, 2-1, e vlefshme per eleminatoret e "Euro 2016" ne France, e luajtur ne stadiumin "Elbasan Arena", ne qytetin e Elbasanit. /r/n/r/nBallist Morina, during the Euro 2016 qualifying round football match between Albania and Armenia, 2-1, at the Elbasan Arena Stadium.

Filed Under: Emigracion Tagged With: AZIL POLITIK, i Ballist Morinës, KROACI!, tek ekstradimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1883
  • 1884
  • 1885
  • 1886
  • 1887
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT