• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Me vepra ta duam atdheun!

July 26, 2017 by dgreca

1Kaltrina Hoti

Nga Kaltrina HOTI/Patriotizmi nuk  blihet, shitet apo dhurohet.  Jeton në secilin nga, është dhuratë  e  dhuruar nga toka, është dashuri e veçantë, sakrificë që na mbron identitetin tonë.  Ta valosh flamurin në kulmin e shtëpisë, të stolisësh veten me shqiponjë, ta shndërrosh zërin tënd në rrufe të jehonës;  “Jam Shqiptarë”, s’do të thotë se je atdhetar.  Jeta kërkon dashuri, sfidë nëpërmes të cilës  mëson për fuqinë tënde shpirtërore apo mendore, dhe pastaj nëpërmes të përjetuarës atdhedashuria rrjedh. Por kjo ndjenjë rrjedh si  lumi i qetë, me veti bart urtësinë , butësinë, durimin e fjalës dhe veprës. Sot në mërgatë takon   shumë mërgimtar/e që u detyruan për arsye të ndryshme të bëhen shtegtar/e,  por shtegtare nuk janë, e  jetojnë jetën e mërgimtarit me dy dhimbje shpirtërore. Dhimbje Atdhetare dhe dhimbje Ideale. E lan atdheun se ishin të detyruar, apo të “detyruar”, dhe tani jetojnë duke luftuar për ekzistencë. Detyrohen të punojnë punë që e sulmon personalitetin e tyre. Dhe ata nuk kanë frik të dalin në ballë të kësaj beteje, sepse e kuptojnë realitetin e botës ku gjinden. Shndërrohen në klasë punëtore të shkallës nënçmuese në shtet të huaj, aty ku sfida i solli. Derisa në Atdhe ata krijonin fjalë, varg, art, muzikë, pikëpamje opinionesh, porta të ardhmërisë, përkrahje të kombit, ndryshime në ardhmëri, këtu çdo ditë kur mbaron  puna i ruajnë lotët të pa pikuara për t’i ujit ëndrrat e tyre të filluara të cilat i japin shpresë të vazhdojnë ditën e nesërme. Atyre mund t’iu thuash Patriot. Nuk hezituan të japin shpirtin në çdo aspekt për Atdhe duke mos kërkuar asgjë në kthim. A thua përse i injorojmë këta krijues, që e shtrydhën veten për Atdhe? Sa herë kam dëgjuar;  “Ka qenë, gazetar/e, shkrimtar/e,  muzikant/e, artist/e, piktor/e,  e të tjerat por tani është në Amerikë, s’ka asgjë falas, le të punon”. Ai është duke punuar por është vështirë të fillosh një fillim të ri ku je vetëm një pikë e padukshme, pa gjuhë, pa këmbë. Në të gjithë mendojmë që jemi të lirë në vend të huaj, por jo, nuk jemi sepse kjo liri është liri e imponuar për luftë ekzistuese. Dhe pa e vërejtur shndërrohemi në; “Njeri pa hije”, harrojmë ta ushqejmë atdhedashurinë shpirtërore, rrajët e të cilit janë tek shpirti i popullit, e ai shpirt është kultura. Përse?!! Të gjitha këto organizata që i kemi krijuar për qëllime kombëtare duhet të kenë një fond për atdhetar të tillë. Nuk po flas ti ushqejmë, t’i veshim apo të iu gjejmë një kulm për tu strehuar, po flas të iu jepet rasti të vazhdojnë profesionin e tyre, të iu jepet mundësua të shprehin aftësitë e tyre, idetë e tyre nëpërmes veprave të tyre. Piktorit t’ia blesh pikturën, shkrimtarit librin, gazetarin shkrimin (kemi plot gazeta). Ai që është i uritur për dituri ta ndihmojmë të vazhdoj shkollimin, artistit t’i jepet mbështetje. Të dhënat tregojnë se shqiptarët si popull janë ndër më të pasurit në diasporë, që do të thotë se ata kanë biznese të fuqishme, ndërsa jo që nuk duan por disi mungojnë fondet për arsim, kulturë, art e avancim të organizuar të bizneseve të përbashkëta. Të jesh patriot do të thotë të bëhesh pjesë e kulturës. Sa më shumë të arrijmë si komb më afër Bashkimit Kombëtar jemi. Janë shumë emra të njohur që ndodhen në diasporë, por që nuk kanë mundësi ta dëshmojnë aftësinë, cilësinë, veprimtarinë për arsye objektive. Shqetësimin tim e përfundoj me një fjalë të takohemi në Qendrën Kulturore aty t’i themi njëri tjetrit “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”. Ju do pyetni ku është “Qendra kulturore” e unë ë di dhe ju e dini, është në idenë e atyre që duan të na shohin të bashkuar. Të bashkuar me një ide, në një vend ku mund të dëshmojmë veprimtarin, aftësinë, cilësinë… aty bashkë Shqipëria lartësohet, aty jeton.

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kaltrina Hoti, ME VEPRA, Ta duam Atdheun

Astrit Lulushi sjell kalendarin historik

July 26, 2017 by dgreca

Shkruan: Aleko Likaj, shkrimtar – Francë/
1 astrit
Kalendar Historik:”Çfarë ka ndodhur më…?”, i publicistit dhe gazetarit të njohur të ”Zëri i Amerikës”, Astrit Lulushi, që ka dalë këto ditë nga shtypi në Tiranë, përbën pa dyshim një ngjarje të veçantë në serinë e botimeve të letërsisë sonë dokumentare. Në fakt ky zhanër, për hir të realitetit, në këto vitet e fundit ka qenë me pikatore, duke përjashtuar këtu biografitë e personaliteteve të politikës, nga autorë të huaj, por edhe ato të kulturês sonë kombëtare nga të pakët studjues të dy a tre fushave.
Voluminoz dhe i konceptuar si një kalendar klasik: Çfarë ka ndodhur më…?”, jo vetëm datash, që shumica e tyre zënë fill me lindjen e krishtit, por edhe tre a katër shekuj më parë, autori ka tentuar të na sjellë ngjarje dhe evenimente të karakterit historik, shoqëror e social. Pa dyshim, hapsira shqiptare ka marrë vëmëndjen e autorit, duke gjetur vend në të gjithë dimensioni e saj, mbase edhe qendrorë, larg shtampave e politizimeve dhe qëndrimeve pasionante, që vërehen jo rrallë në interpretim që i bëhet asaj për lexuesin, sot në median shqiptare. Pasqyrohen e jepen qartësisht raportet e mardhëniet shume planëshe brenda vetes sonë, por edhe me fqinjët e kombet e tjera qe nga pushtimi romak, madje duke përfshirë edhe festat pagane si Dita e Verës q¨¨e ështê e na vjen përtej erës sê re me lindjen e krishtit.. I ndarë në dymbëdhjetë kapituj, libri i Lulushit vjen si një kujtesë për të gjithë brezat, e kryesisht tek të rrinjtë, si një rezultat i hulumtiveve e një pune të madhe të gjatë sistematik në vjeljen dhe grumbullimin e materialeve, ku në një kornize të vetme është përfshire brenda saj gazetari, studjuesi, enciklopedisti, shqipëruesi e historiani. Ky i fundit na prezantohet, e është tepër gjakftohtë, ne mbledhjen e në rradhitjen e fakteve, që na përçohen nga një gjuhë lakonike e pashembullt dhe e admirueshme.
Ajo që bie menjêherë në sy, në punën e madhe që ka bërë autori, dhe që në fakt zë një hapsirë kohe, është përzgjedhja, përkthimi nga gjuha angleze, e shqipërimi i krijimtarisë së gati mbi dyzetë poetëve të huaj. Shumica e tyre krejt të panjohur për lexuesin shqiptar, kryesisht nga kontinenti amerikan, anglo-sakson, nordik, australian e aziatik, të cilët vetë autori i sjell mrekullisht në gjuhën tonë amtare, duke u përkujtuar ardhjen e ikjen nga kjo jete, si Luis de Camoes, Samuel Butler, Robert Frost, John Keats, Robert Hamerling, Thomas Paine e deri tek romaku Marcus Valerius Martialis e tjer.
Kalendari historik i Astrit Lulushit vjen si një vepër e plotësuar, dhe për herë të parë në botimet e kësaj fushe, në një mënyrê tepër të kujdeshme e profesionale, gjë që i ka dhënë shumë vlerä librit, jo vetëm për informacionin e gjallë që përfaqëson përgjithësisht kultura e gjërë botërore, por edhe nga mënyra se si rezatojnë vetë ato tek lexuesi ynë. Me këtë rast do të thosha se, ky botim serioz, reflekton e është në kontrast të plotë në morinë e botimeve shqip që gëluan e vërshuan në libraritë tona nga autorë me formime të dyshimta dhe krejt pa përvojë, në periudhën e parë të tranzicionit, që na janë servirur në formën e ”tallavasë”, ku vlerat ishin dhe mbetën të diskutueshme edhe për sot.
Libri në fjalë i publicistit të njohur Lulushi, si një vlerë e shtuar, mund që të shërbejë në mënyrë të sukseshme për fomimin e pajisen me dije, kryesisht për brezat e rrinj që janë në vitet e fundit të gjimnazit, por edhe për studentët e historisë dhe shkencave të tjera, në fakultete e universitetet e shumta në atë vend.
Astriti është autor i disa botimeve të tjera të veçanta, si ”Ndjenjë realiteti”, ”Pak ndryshe”, ”63 soneta të Shekspirit”, ”Kujtesë lirie”, ”Zhgënjime sporadike”…. të cilat janë pritur mirë kur kanë shkuar tek lexuesi në këto vitet e fundit. Në përgjithsi Lulushi reflekton në krijimtarinê e tij njeriun e pafjale, puntorë e të perkushtuar, që kërkon ti shërbejë me pasion e përkushtim shoqerisë dhe edukimit të brezave tonë.
Studjuesi dhe shkrimtari i njohur Dashnor Kokonozi vëren për këtë autor, se është: ”Vëzhgues aktiv i debateve kulturorë e politikë në Shqipëri, Astrit Lulushi nuk mungon të sjellë një mendim ndryshe, një përvojë të re, një përfundim, që e nxjerr duke qëndruar përmbi konfliktin politik shqiptar, larg radikalizmit, por asnjëherë duke synuar që të jetë i pëlqyeshëm për të gjitha palët. Se mund të ndodhë që secili të ketë arsyet e tij, por është e pamundur që të ketë një të vërtetë për secilin. Në vështrimin e tij paanshmëria nuk do të thotë pandjeshmëri. Nuk mund të krijosh një pamje të plotë të trajektores që përshkruan një komb pa tërësinë e elementëve që përbëjnë historinë e tij. Për këtë arsye ngjarjen historike ai nuk e veçon as nga lëvizjet e mëdha të shpirtit të kombit, nga lëvizjet fetare, nga interpretimi i së Drejtës, nga vrojtimet e natyrës antropologjike.”
Kjo vepër ka dhe mbart vlera kombëtare.

Filed Under: Histori Tagged With: Aleko Likaj, Astrit Lulushi, Kalendar Historik

HUMBJA E IDENTITETIT POLITIK TË PARTISE DEMOKRATIKA DHE PASOJAT

July 26, 2017 by dgreca

1 Filip Guraziu

Nga Filip Guraziu/

Rezultati  i zgjedhjeve të 25 Qershorit në Shqipëri u shoqërua me një mori diskutimesh  publike e mediatike  që tentuan të  përcaktojnë shkaqet  që sollën këtë situatë pothuaj të harruar tashmë në politikën shqiptare, ku një parti e vetme fiton maxhorancën parlamentare dhe fatet e një populli varen vetem  nga “aftësia” e njëshit; timonierit të PS. Pra,  ç’ndodhi në politikën shqiptare dhe si  kuptohet tkurrja e elektoratit të djathtë ? Faktorët ndikues të rezultatit zgjedhor të PD janë të shumtë dhe tepër  kompleksë, duke filluar nga kryesorja, ajo e blerjes së votës e duke vazhduar  te mungesa e transparencës së  marrëveshjes Rama-Basha,  përzgjedhja jo optimale e kandidatëve për deputetë në lista, sabotimi i fushatës  nga të pakënaqurit që nuk u pëfshinë  në listat e deputetëve të PD, mungesa e impenjimit dhe e organizimit të fushates elektorale nga partitë aleate, kryetarët e të cilave zunë vende fituese në listat e PD etj., gjëra që qëndrojnë dhe po deklarohen nga të gjithë analistët dhe për këtë arsye nuk bëjnë më lajm,  por po harrohet të trajtohet ( me përjashtim të shkrimeve të Z.Nebil Çikës) një tjeter faktor që për mendimin tim është thelbësor për fatet e një partie; ‘Varësia që egziston ndërmjet  humbjes së  identitetit politik  dhe demobilizimit të elektoratit përkatës’ .

Besoj se bashkohemi në një mendim qe PD në themelimin e sajë mëshironte  shprehjen e revoltës mbarëpopullore kundër diktaturës komuniste duke bashkuar sipas parimit të gjithëpërfshirjes  shqiptarët  pa dallim partiak, por të etur për liri dhe demokraci dhe se në  këtë  gjithpërfshirje popullore, shtresa e të përndjekurve politikë dhe e pronarve përbëntë mbështetjen kryesore dhe vendimtare të PD dhe fitoreve të saja. “ Bastionet ” besnike të  kësaj shtrese të motivuara moralisht  nga stervuajta dhe poshtërimi i ‘ luftës  imorale të klasave’ qenë  gjithënjë  garancia fituese e PD edhe në momentetet e saja më të vështira; kjo është historia, ky është realiteti.

Është në nderin tonë  të kujtojmë se  në katër vitet e para të qeverisjes së PD,  ndaj shtresave të mësipërme u aplikua një politikë për tu lavdëruar në drejtim të përkrahjes sociale, morale dhe financiare.  Gjë qe në vitet e mëvonshmë filloi të zbehej duke u harruar pothuaj plotësisht vitet e fundit!  Sjellje kjo, që do të mund të interpretohej duke konsideruar  ndikimin  psikologjik  të   “ magjisë ”së  pushtetit (mbi dhjetëvjeçar) dhe i modelit  autokratik të drejtimit ndaj “ udhëheqësve të lartë” të PD. Ndoshta gradualisht dhe si pa kuptuar ‘disave’ ju krijua psikoza se “ Qiellorët”  i paskan ndarë detyrat; në ato që drejtojnë dhe në ato që  shërbejnë’. Demokracia dhe autokracia nuk mund të bashkëjetojnë. Demokracia është sistemi ku maxhoranca respekton të  drejtat e qytetarve dhe ‘ shtresave në nevojë’ ( në këtë kontekst; pronarët dhe të përndjekurit ) dhe përkujdeset për to,  kurse autokracia respekton dhe përkujdeset vetem për një rreth të ngushtë oligarkësh duke harruar të margjinalizuarit !

Edhe pse në vitet e fundit shtresa e të përndjekurve politikë dhe e pronarve u gjënd e mos trajtuar si duhet nga politika e PD, kjo shtresë i qëndroj gjithënjë pranë dhe bashkëjetoi me PD si ne simbiozë duke respektuar parimin e lartë moral ‘ Jo përkrahje dhe kurrë vota për përsekutorët’, për sa më sipër, faktet dhe vepra flasin vetë

Pikërisht në atë atmosferë politike të ndezur të fushatës zgjedhore ku në lojë ishte e ardhmja e shqiptarve,  si për çudi, politika e PD e harroi fare ‘ bazën politike të sajë’; shtresën e të përsekutuarve politikë dhe të pronarve. As edhe një herë të vetme në mitingjet e fushatës nuk u përmend programi politik i PD ndaj kësaj shtrese, nuk u bë autokritikë për përkujdesjen e paktë që qeveria e PD aplikoi në periudhën që ishte në pushtet dhe nuk u shpall as një premtim që do të jepte shpresë për të ardhmen.  Ende nuk kuptohet se përse ndodhi që për herë të parë në këto 27 vite, politika e PD “asgjësoi” deri në zero bazën e sajë historike, mbështetjen e sajë, pasi e defaktorizoi, sikur nuk egziston! Jetojmë në një moment aq sa tragjik  edhe historik për të ardhmen e PD e cila sot (me vetëdashje ?) e ka humbur identitetin dhe është në kërkim të një identiteti te ri… cili do të jetë ? Një parti që  lind e djathtë, dhe rrugës ndrron identitet, ku e çon mushka? . A do mund ta gjejë më veten ‘baza’  (e perndjekur dhe pronare) pranë një PD me identitet të tjetersuar ? Le të ja lejmë kohës përgjigjen.

Është e kuptueshme  se situata e  më  sipër treguar ka ndikuar shumë negativisht në motivacionin dhe përkushtimin e shtresës së të përsekutuarve politikë dhe pronarve të cilët me të drejtë, duke mos parë më realizimin e idealeve dhe interesave të tyre në programin e PD  janë demotivuar dhe demoralizuar. Rezultati ? Jo votë përsekutorve, por mospjesëmarrje në votim!  Personalisht kam njohje për shumë përfaqësues të këtyre shtresave në Shkodër dhe më gjërë, që nuk kanë votuar duke qenë të demoralizuar nga politika jo shpresëdhënse dhe përjashtuese e PD dhe ky faktor, për mendimin tim, ka qenë esencial për rezultatin e zgjedhjeve te 25 Qershorit. Në të ardhmen një gjë mbetet për tu verifikuar; sjellja e PD ndaj bazës së sajë të djathtë ishte e qëllimshme apo lajthitje ?  Sido që të jetë, një gjë është e provuar: humbja e identitetit të një  partie politike të shoqëron në rrugën e vetë  asgjësimit  !

 

Filed Under: Politike Tagged With: DHE PASOJAT, Filip Guraziu, HUMBJA E IDENTITETIT POLITIK TË PARTISE DEMOKRATIKA

LIRIA EKONOMIKE ËSHTË ÇELSI I NJË SHOQËRIE TË BEGATË

July 26, 2017 by dgreca

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Instituti i Lirisë Ekonomike pranë Fondacionit Heritage në Washington, botoi këtë muaj Indeksin e Lirisë Ekonomike në Botë të vitit 2017 për 180-shtete, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.  Është ky një indeks vjetor që matë nivelin e lirisë ekonomike në të gjitha vendet e botës.  Indeksi bazohet në parimin, pak a shumë të ngjashëm me atë të Adam Smith-it, ekonomistit dhe filozofit skocez të shekullit të 17-tët — të përmbledhur në veprën e tij klasike Pasuria e Kombeve, “Se institucionet kryesore, të cilat mbrojnë lirinë e individit për të ndjekur dhe për të realizuar interesat e veta ekonomike, rrjedhimisht dhe njëkohësisht sigurojnë begati më të mëdha edhe për mbarë shoqërinë.”

Raporti i “Fondacionit Heritage” mbi lirinë ekonomike në botë për vitin 2017, nënvijon pikërisht këtë fakt se vendet ku tregtarët dhe sipërmarrësit janë të lirë që me krijimtarinë dhe aftësitë e tyre t’u ofrojnë njerëzve prodhimet dhe shërbimet të cilat ata i duan dhe për të cilat kanë nevojë, shënojnë një rritje shumë më të mirë ekonomike në krahasim me vendet të cilat janë tepër autoritare, kufizuese ose shkelëse të lirisë ekonomike  dhe lirive bazë të njeriut, në përgjithësi.  Raporti vjetor sjellë shumë shembuj, ku vendet me lirinë më të madhe ekonomike kanë shënuar edhe suksese të mëdha dhe dinamike në sigurimin e begatisë — si për individët ashtu edhe për shoqëritë e ndryshme të cilat gëzojnë lirinë ekonomike dhe liritë e tjera bazë të njeriut.  Ndër 10 vendet me më shumë liri ekonomike, sipas raportit të “Fondacionit Heritage”, për vitin  2017 janë Hong Kongu, Singapori, Zelanda e Re, Zvicra, Australia, Estonia, Kanadaja, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irlanda dhe Kili.

Shqipëria radhitet në vendin e 65-të, ndërsa Kosova në vendin e 46-të të listës për lirinë ekonomike, ku përfshihen180 vende të botës, të renditura në indeksin e lirisë ekonomike të “Fondacionit Heritage”, për këtë vit. Në profilin e raportit mbi Shqipërinë vihet në dukje se Shqipëria është kandidate për antarësim në Bashkimin Evropian, është anëtare e NATO-s dhe kontribuese në misionin e udhëhequr nga NATO-ja në Afganistan dhe shënon se, një marrveshje për Partneritet Strategjik me Shtetet e Bashkuara, ka për qëllim rritjen e bashkpunimit, përfshirë përmirësimin në fushën e sistemit të drejtësisë dhe atë gjyqësor.  Në raport thuhet gjtihashtu, se tranzicioni drejtë një sistemi ekonomik më të lirë është mundësuar 10-vitet e fundit nga një ristrukturim i dukshëm në vend, ndërkohë që Shqipëria po ecën në rrugën e një rimkëmbjeje graduale ekonomike, përballë disa kushteve sfiduese të jashtme dhe të mbrendshme.  Por, megjithkëtë, autorët e raportit theksojnë se Shqipëria ka nevojë për “Më shumë reforma ekonomike nëqoftse dëshiron të sigurojë rritjen e lirisë ekonomike, ashtuqë të realizojë një zhvillim ekonomik më të fortë e më të qendrueshëm.”  Thuhet mëtej se, “Në Shqipëri sistemi ligjor mbetet i paefektshëm dhe viktimë e ndërhyrjeve politike, ndërkohë që korrupsioni është tepër i përhapur në të gjithë sektorët e shoqërisë.”  Në profilin mbi Shqipërinë, karakterizohet projektimi i legjislacionit mbi pronat si një ndërmarrje copa-copa dhe aspak i bashkrenduar mirë dhe shton se ndonëse gjykatat, sipas kushtetutës janë të pavarura, ato mbeten subjekt presionesh politike dhe frikësimesh.  Në Indeksin e Lirisë Ekonomike në botë mbi Shqipërinë, përmendet, ndër të tjera, edhe  ligji i vitit 2015 i cili ndalon të dënuarit për krime që të mbajnë detyra të larta në sektorin publik shtetëror e qeveritar, por thuhet se megjithëkëtë ligj, “Administrata publike vazhdon të jetë e paefektshme, e paaftë dhe e prekur nga një korrupcion i gjithëanshëm.”

Ndërkaq, në profilin e raportit mbi Kosovën thuhet se tranzicioni i shtetit më të ri në Evropë, “Drejtë një ekonomie më të hapur dhe të bazuar  në forcat e tregut, vazhdon të shkojë përpara me një ritëm në rritje e sipër të lirisë ekonomike”.   Raporti thekson se megjith atmosferën sfiduese të zhvillimeve ekonomike në rajon, Kosova  megjithse me një ekonomi pa dalje në det — në krahasim me fqinjtë — ka shënuar çdo vit, ç’prej shpalljes së pavarësisë, rritje të lirisë ekonomike. Por, megjithë përparimin e dukshëm në modernizimin e kornizave ligjore dhe hapjes së ekonomisë ndaj tregëtisë botërore, raporti në fjalë shënon se, Kosova përballet, “Me mungesa dhe pengesa të vazhdueshme institucionale dhe strukturore që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe me mos zbatimin e ligjit”. Këto sipas raportit, “Po ngadalsojnë rritjen dhe konkurencën ekonomike në treg, duke kufizuar kështu forcimin e një sektori më të fortë privat”, në atë vend.  Ashtu si edhe në rastin e Shqipërisë, raporti thotë se gjykatat, sipas kushtetutës janë të pavarura në Kosovë, por në praktikë nuk janë të tilla dhe influencohen nga politika. Korrupsioni mbetet një problem i madh edhe për Kosovën, thuhet në raporti.

Shtetet e Bashkuara janë në vendin e 17-të indeksit për nga liria ekonomike, pas Estonisë, që duhet përmendur se është një shtet që ishte dikur pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik, por që ka miratuar dhe tani zbaton një politikë që ka për qëllim promovimin e lirisë dhe të rritjes ekonomike në vend.  Raporti mbi Shtetet e Bashkuara kritikon atë që cilëson si, ”Agjendën e interesave të veçanta politike të viteve të fundit në Washington”, politikë e cila ka kufizuar shumë lirinë ekonomike për amerikanët e thjeshtë, si individë dhe si sipërmarrës, thekson raporti. Autorët e Indeksit të Lirisë Ekonomike në botë të “Fondacionit Heritage” mbeten skeptikë nëse Kongresi dhe administrata Trump do të mund të miratojnë politika dhe reforma ekonomike gjatë vitit të parë të administratës së re, ndërkohë që nënvijohet se disa shtete të tjera, megjithë mungesën, historikisht, të lirisë ekonomike dhe lirive bazë, siç janë shtetet – si Gjorgjia dhe Letonia — që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, kanë shënuar përparim dhe suksese të dukshme në fushën ekonomike.  Në parathënjen e raportit, autorët Terry Miller dhe Anthony B. Kim thonë se në shumë vende, përparimi në fushën e lirisë ekonomike, pasqyrohet drejtë për drejtë në zhvillimet e sukseshme dhe të dukshme ekonomike të atyre vendeve dhe mund të shihet edhe në një jetë më të mirë e më të begatë për popujt e vet. Por, në parathënje të raportit thuhet se mbi të gjitha, “Shpirti njerëzor është burimi i vërtetë i begatisë ekonomike”.

Indeksi i Lirisë Ekonomike në botë radhitë gjithashtu, vendet të cilat kanë nevojë për një liri më të madhe ekonomike dhe liri të tjera bazë, nëqoftse dëshirojnë zhvillim më të dukshëm ekonomik dhe begati më të madhe për popujt e vet, duke radhitur në këtë kategori, në fund të listës së shteteve të Indeksit të “Fondacionit Heritage”, e që konsiderohen vende pa liri ekonomike, Korenë e Veriut, Venezuelën dhe Kubën.

Nga përvoja e tyre ndërkohë që për përpilimin e këtij raporti dhe indeksi kanë studiuar ekonomitë dhe lirinë ekonomike në 180-vende të botës — autorët e raportit theksojnë se është e qartë se nuk ekziston një politikë e njëjtë lirie dhe zhvillimi ekonomik njësoj për të gjithë. Ata nënvijojnë se secili vend duhet të gjejë vet rrugën e rritjes dhe të zhvillimit ekonomik, bazuar në kulturën, historinë dhe kushtet historike dhe gjeografike nën të cilat gjëndet vendi.  Por, përgjithësisht, autorët e këtij raporti kanë zbuluar se vendet të cilat gëzojnë një liri më të madhe ekonomike, në krahasim me të tjerët, përparojnë më shumë dhe më shpejt, sepse ato shfrytëzojnë njohuritë dhe aftësitë e të gjithë personave në shoqëritë e tyre, pa dallim.

Por në fund të fundit, siç shkruan edhe “Presidenti i Fondacionit Heritage”, Jim Demint në parathënjen e raportit, gjëja që ka më rëndësi se çdo gjë tjetër – është se zgjidhjet e problemeve të mëdha politike dhe ekonomike me të cilat përballen sot vendet e ndryshme dhe bota në përgjithësi – me siguri do të rrjedhin dhe do të realizohen, jo nga qeveritë dhe udhëheqës autoritarë –por nga individë, të cilët sipas Milton e Rose Friedman – janë të lirë të vendosin vet fatin e tyre.  Sepse në mungesë të lirive bazë të njeriut, përfshirë lirinë ekonomike, dikush tjetër, si qeveria, shteti ose udhëheqsi autoritar do të vendoste dhe do të ushtronte kontrollin e plotë mbi aktivitetet ekonomike të individit.  Një qeveri e mirë dhe një udhëheqje politike legjitime nuk kufizon lirinë ekonomike as liritë e tjera bazë të njeriut, pasi duke mohuar dhe kufizuar ndër të tjera, lirinë ekonomike — siç vihet në dukje në raportin vjetor të “Fondacionit Heritage”  kufizohet dhe pengohet gjithashtu edhe begatia dhe mirëqenja ekonomike për të gjithë.  Liria ekonomike është pra çelsi për krijimin e një shoqërie të shëndosh dhe të begatë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, LIRIA EKONOMIKE ËSHTË ÇELSI I, NJË SHOQËRIE, TË BEGATË

Arrestimet në kampin e internimit Savër, Gradishtë, Plug, Grabjan, Cermë

July 25, 2017 by dgreca

2 simoniNGA SIMON MIRAKAJ/

Në vitin 1959 Shqipërinë e vizitoi sekretari i parë i Bashkimit Sovjetik Nikita Hrushov. Një javë përpara se ai të vinte në Shqiperi sigurimi I shtetit në Lushnje mori masa për të mbrojtur nga armiqte e klasës sekretarin e parë të B.S. duke larguar nga qyteti disa individ si Seit Selfon,Vanko Lezon,Shahin Rushitin,e ndonjë tjeter që nuk më kujtohet ,I izoluan në kampin e internimit në Gjazë së bashku me disa të internuar nga kampi i internimit të Savrës , duke I sistemuar në koçekët e misrit. Ky grup armiqsh qëndruan aty dy jave . Filluan tw qarkullojnë zëra se po prishen mardhëniet me B.S. Prishja e mardhënieve do të thoshte ashpërsimi i luftës së klasave, zbulimi I armiqve, kjo shoqërohej me internime e burgosje, arrestime. Në vitin 1960 u zyrtarizua prishja e mardhënieve , e cila u shoqërua me një valë arrestimesh, duke filluar me antaren e byrosë Liri Belishovën etj, sigurisht që kjo valë do kapte dhe armiqtë e klasës.
Nuk kishte shumë që ishte arrestuar Vasil Kokali (kunati) , I cili mbas një vit martese, u burgos duke lënë gruan me një vajzë Adrianën. Vasili ishte nga Aliko I Sarandës, rridhte nga një familje e pasur dhe antikomuniste. Ai ishte internuar familjarisht që në vitin 1945 në kampin e Krujes. Ministria e punëve të Brëndëshme kishte vendosur që familjet që ishin nga jugu ti dërgonin në kampet e internimit në veri, ndërsa veriorët i dërgonin në jug. Me Vasilin ne u bashkuam në kampin e internimit Tepelenë. Vasili binte në sy nga djemt e kampit, ishte një djalë I rregullt e serioz dhe shumë merakli si në veshje në krehje, flokët I kishte të shumtë e me onde, shokët e tij thonin që ju binte flokëve me krëhër njëqind herë, ndërsa dhëmbët e tij zbardhonin prej së largu. Sigurisht që ky qendrim i tij dhe situata e krijuar bënë që ai të arrestohet ,mbas një viti martese. Qëllimi I arrestimeve në situata të tilla politike ishte të fusnin terror në popull. Arrestimet bëheshin në punë në rrugë, në shtëpi, pastaj me duar të lidhura mbrapa e shëtisnin nëpër kamp për të ngjallur tmerr tek njerizt, për të ju thënë te tjerëve që, rrini urtë se do përfundoni me duart prapa të lidhura me hekura. Ata absolutisht ishin të pafajshem si qindra e mijra të tjerë që kishin mbushur kampet e burgjet, por ky ishte ushqimi I diktatorit e I atij sistemi duke drejtuar vendin nëpërmjet dhunës e terrorit. Në ditën e caktuar të takimit në burg shkoja me motrën për ti dërguar ndrresa e ushqime Vasilit që ishte në hetuesi , ai ishte në birucë në degën e punëve të brëndëshme Lushnje . Kur vinte gardiani Miti me marrë ndresat dhe ushqimin Vasili zgjatej e kapte hekurat e biruces që ta shikonim , na përshëndeste dhe me kapele, se kokën ja kishin qethur, e shikonim me vështiresi se para hekurave të dritares së biruces kishte dhe një dërrasë perpara dhe kishte shumë pak hapësirë për ta parë . Kishte dhe raste që vinte gardiani e nuk na I merrte ushqimet. Nuk ja u marr thoshte se nuk sillet mirë në hetusi, ne largoheshim mjaft të mërzitur. Ishte vërtet një pamje që të trishtonte, kokën e qethur kishte filluar të zbardhej nga mungesa e diellit, buzëqeshte për të na dhënë kurajo e sidomos motrës Lajdes . Mbas një hetuesie prej nëntë muaj, doli në gjyq ku ishim edhe ne familjarët në seancë e cila përfundoi me dënimin e tij për agjitacion e propagandë me 7 vjet. Një ndër akuzat ishte që ke share Hrushovin. Kur u prishën mardhëniet e filluan ta shajnë edhe vetë, shpresuam se do lirohej apo do I ulej dënimi , ai I bëri shtatë vjet te plota . Arrestimi I tij pati pasoja për familjen vllëzerit që jetonin në Aliko Sarande. Ata I sollën familajarisht në internim. Miçon e LLambin. Pasoja do binin edhe mbi ne kunetërit e tij Sokol e Simon.
Nje dite mbasi isha kthyer në shtëpi nga fusha e lojës në oboorrin e shtëpipë (barakes) , po vinte drejt nesh kapterri i kampit Hekurani , me gjithë operativin Ll.G ,kur u drejtuan drejt nesh u shtangëm. Mbasi u lamë e u futëm brenda kur dëgjojmë të trokasin në derë , hapim derën mjaft të tronditur shohim , kapterin e operativin. Kapteri pa gjendjen tonë ndërhyri menjëhere :
-Ti Sokol e ti Simon nga sot e tutje do të dilni në apel, apeli bëhet në mëngjes e në darkë,ti Simon do të dalësh vetëm në darkë. Nuk I kisha mbushur të pesëmbëdhjëtat as Sokoli shtatëmbëdhjetë, të dy ishim me pantallona të shkurta vetëm nëna punonte dhe e sëmure nga zemra që I mori jetën para kohe. Në darkë aty nga ora tetë bëhej apeli. Në fillim kapteri lexoi emrat e grave,pastaj filloi emrat e burrave. Kur shikoja veten mes atyre burrave e grave më dukej vetja burrë I madh e ndihesha si I vlersuar, nuk mu desh shumë kohë për të kuptuar rëndësinë e këtij vlersimi që do të thoshte një hap larg nga burgu…Kur në mëngjes dëgjoja zërin e nënës: çohuni se shkoi ora për me dalë në apel, apeli nuk ishte ma qejf mes burrash e zonjash , por frikë që të ngjallte tmerr. Nuk kanë qënë të pakta rastet kur kthehesha nga apeli me lot në sy duke parë burrat që arrestoheshin e me duart e lidhura mbrapa, drejtoheshin pa as një faj drejt burgut, duke lënë nënat pa djemtë e gratë pa burrat e fëmijtë pa baballarë. Akuzat agjitacion e propogandë në shumicën e rasteve, akuza të sajuara që merrnin jetë njerzish të pa fajshëm. Nga kjo pa siguri e ky tmerr shpëtuam në korrik të 1989 kur u liruam. Gjatë kësaj periudhe po sjell ndërmend ata burra që ishin në apel e u arrestuan në Savër: Ahmet Kolgjini 16 vjec, Haxhi Agalliu, Rexhep Hoxha,Ylli Tabaku, Sinan Hajdari, Vasil Kokali, Llambi Plasoti, Dheodhor Fili,Loli Mavro, Stefan Pollo, Zydi Kasa, Emëror Koleci arrestuar për të dytën herë, Shanisha Dosti, Seit Taho, Musa Sina për të dytën herë, Nikoll Mernaci, Elez Hoxha, Spiro e Kostandin Gjoka, Avdulla Nela,Fran Tina, Agim Poda dhe një 17 vjecare. Këta janë emrat e të arrestuarve vetëm në kampin e internimit Savër, i kujtoj me shumë respekt, disa prej tyre janë larguar nga kjo jetë pa shijuar lirinë e ëndërruar prej tyre.
Ndërsa në kampin e internimit Gjazë ku ne shkuam në 6 shkurt të 1969 u arrestuan :
Zenel Daci për të dytën herë, Dom.Mikel Koliqi për të dytën herë, Ded Gjon Markagjoni për të tretën herë, Hajredin Nasufi.
Ne kampin e Gradishtit, u arrestuan: Fatbardh Kupi pwr tw dytwn herw, Lek Mirakaj, Mojsi Mirakaj, Naim Staravecka, Qemal Dema për të dytën herë, Medi Bylykbashi, Gezim Bylykbashi.
Në kampin Grabjan u arrestuan: Tefta Tasi, Besa Dume, Medi Celiku.
Në kampin Cermë u arrestuan: Ahmet Kolgjini për të dytën herë, Eqerem Muja,
Fatmir Muja,Shefqet Dobra.
Në kampin Plug: Kurt Kola për të dytën herë, Evgjen Merlika, Njazi Veshi.
Ka edhe emra të tjerë që nuk më kujtohen, ju kërkoj ndjesë.
Janë arrestime vetëm në kampet e internimit të rrethit të Lushnjes.

Filed Under: Featured Tagged With: Arrestimet, Cerme, Grabjan, Gradishte, kampet e internimit, Plug, Saver, Simon Mirakaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1889
  • 1890
  • 1891
  • 1892
  • 1893
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT