Prej vitesh, por edhe tani që jam në Amerikë, një herë në vit, shkoja për vizitë te shtëpia e Dritëroit. Si të gjithë bujtësit te ajo shtëpi, edhe unë largohesha me mbresat më të bukura, që më linte biseda me Dritëroin si dhe bashkëshorten e tij fisnike, zonjën Sadije. Me vete merja mikpritjen e tyre, dashurinë për njerzit, për Atdheun, thjeshtësinë e tyre si dhe fjalën e mënçur. Dhe, më kujtohej thënia e Dostojevskit:”Në kujtesën e popullit, mbetet vetëm ai të cilin populli e ka dashur”. Por, në qershorin e këtij viti, kur shkova nga Amerika, mungonte i zoti i shtëpisë. Në të majtë të sallonit të tyre të pritjes, aty ku rinte vazhdimisht Dritëroi, ku ka pritur e ka përcjellë sa e sa njerëz, ishte ulur Sadija. Tek e vështroja ashtu të ulur te ai vend, më dukej sikur thoshte : “Vend i Dritëroit nuk është bosh”. Megjithëse e mërzitur nga humbja e bashkëshortit, e njeriut që e deshi aq shumë dhe iu bë krah i djathtë për 52 vjet, ajo të pret e respekton, si të thuash “dyfish”, sikur don të plotësojë edhe boshllëkun që ka lënë ai. Pas ngushëllimit të rastit për ndarjen nga jeta të Dritëroit, me gotën e rakisë me të cilën dhe ajo të shoqëron, biseda sillet rreth tij. Kujtimet buisin njëri pas tjetrit.-Unë u rrita me Dritëroin, nis tregon Sadija. Isha vetëm 21 vjet kur u lidha me të. Kaluam së bashku një rrugë të gjatë prej 52 vjetësh. Na lidhi jeta jo vetëm si bashkëshortë, por edhe si dy njerëz që e donin artin dhe letërsinë. Shumë nga veprat e Dritëroit, i kam shtypur unë. Flija 3-4 orë dhe ngrihesha në orën tre të natës për të shtypur krijimet e tij . Në orën shtatë, nisesha për në punë. Kjo nuk ka ndodhur vetëm një natë por me qindra netë. Pas viteve ’90, kam shtypur edhe shkrimet e tij për gazetat. I shtypja unë pasi Ditëroi kishte merak se mos gazetarëve u shpëtonin gabime. Jam e qetë se i qëndrova në krah gjithë kohën që kaluam bashkë. Dritëroi e gëzoi jetën. Edhe kur po ndëronte jetë, ai ishte me fytyrë të qeshur. 2,5 vitet e fundit, pas thyerjes së këmbës, nuk doli nga shtëpia.
Unë kujdesesha për të si për një fëmijë. Dilja nga shtëpia vetëm një herë në muaj, kur shkoja për të marë pensionet. ( Disa ditë më parë , tek pinim kafe te Libraria “Agolli” së bashku me devollinjtë Kosta Nake dhe Fahri Imaku, djali i tyre Artani, na tha se edhe ai dy vitet e fundit nuk kishte ikur me pushime, pasi i shërbente Dritëroit.) Situata që kalonte Dritëroi vitet e fundit si dhe pastaj ndarja e tij nga jeta më stresoi, vazhjdon Sadija, por do të kalojë. Lëmshin e dhimbjes, u mundova ta mbaj në zemër, pasi desha t’i jepja kurajo Elonës, Artanit, mbesave e niprave e njerëzve të tjerë të afërt . Dua të jem e fortë sa të mbaroj disa punë që ka lënë pa mbaruar Dritëroi. Për shembull, ai ka shumë aforizma të pabotuara, të cilat dua t’i sistemoj e t’i botoj.








